EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Joga

2 posters

Shko poshtë

Joga Empty Joga

Mesazh  Admin 10.05.08 11:36

Joga

Joga Budget-YogaAffordable-Ways-to-Practice-Yoga

Joga (nga Devanagari: योग = lidhje, bashkim) është një emërtim në filozofinë hinduiste që tregon tërësinë e teknikave trupore apo mendore të cilat lejojnë bashkimin e trupit, mendjes dhe shpirtit me Perëndinë (apo Paramatman).

Kushdo që ndjek ushtrimin e jogës quhet jogi apo jogin (gratë quhen jogini).

Joga është një prej gjashtë shkollave klasike të quajtura Darshana. Format e jogës janë të shumta e të ndryshme dhe shpesh kanë filozofinë dhe ushtrimin vetjak.

Joga në vetvete përmbledh shumë ushtrime trupore dhe mendore si: Asanasi, Pranajama, Jama, Nijama, Krijasi, Përsiatja, dhe Agjërimi.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 15.01.09 14:46

Joga

Joga është një sistem gjithëpërfshirës për zhvillimin fizik, mendor dhe shpirtëror. Për zhvillimin fizik, joga, ofron një seri pozicionesh të quajtura "Asana të jogës"...

Këto Asana nuk janë gjimnastikë ose ushtrime të zakonshme. Asanat përbëhen nga lëvizje të ngadalta, të përmbajtura dhe nga pozicione të ndryshme statike. Gjatë praktikumit të asanave, trupi ndodhet në një gjendje të qetë, efikasiteti dhe frymëmarrja e thellë e cila shoqëron në mënyrë të natyrshme asanat, sjell më shumë oksigjen në qarkullimin e gjakut.

Gjatë asanave, akumulohet energji dhe trupi gjallërohet. Asanat ndikojnë mirë në të gjitha sistemet e trupit. Përkuljet dhe përdredhjet që kryhen gjatë asanave, ushtrojnë presion mbi gjëndrat endokrine duke i ndihmuar të funksionojnë në një mënyrë më të balancuar. Për rrjedhim, përmirësohet funksionimi i gjithë organizmit.

Asanat ndikojnë në sekrecionet e gjëndrave të cilat kontrollojnë emocionet tona. Balancimi i këtyre sekrecioneve sjell një qetësim të mendjes. Pozicionet e jogës përmirësojnë tretjen, stimulojnë qarkullimin e gjakut, masazhojnë organet e brendshme, relaksojnë dhe tonifikojnë muskujt por edhe sistemin nervor.

Asanat janë të përshtatshme dhe të lehta për të gjithë njerëzit. Rekomandojmë pozicionet që janë më të përshtatshme për ju dhe ju shpjegojmë si ti praktikoni në mënyrë që të arrini mirëqenie trupore dhe mendore.

Është e mundur që të evitohen ose të shërohen shumë sëmundje të trupit dhe të mendjes, duke bërë një jetë të shëndetshme. Një pjesë e rëndësishme e jogës është ndjekja e disa rregullave të thjeshta të dietës dhe shëndetit.

Një dietë vegjetariane ndihmon shumë jo vetëm për të pasur një trup të shëndetshëm, por edhe për të pasur një mendje të qetë dhe të kthjellët. Lidhja mes dietës dhe shëndetit mendor dhe trupor mësohet me jogë. Ndërsa ushqimi i mirë është vital për shëndetin tonë, është po aq i rëndësishëm. T

rupi jonë ka nevojë për pushime periodike, dhe kjo përfshin edhe organet tona të tretjes. Agjërimi është mënyra e vetme për ti lënë të pushojnë këto organe jetësore. Në Qendrën tonë mësohet teknika më të përshtatshme për një agjërim efikas dhe pa rreziqe, si edhe “sekrete” të tjera për një shëndet të mire.

“Kush jam unë", "Nga vij", "Cili është qëllimi im në jete": këtyre pyetjeve shumë të vjetra i jepet përgjigje në filozofinë e Ananda Margas. Joga shpjegon se ka vetëm një vetëdijesim suprem përtej ndryshimeve të shumta të botës tonë fizike. Nëse seriali i asaneve përfundon si duhet, do të ndihemi më të pushuar (relaksuar).

Asanet e ndryshme, teknika e frymëmarrjes, relaksimi etj. përveç që ndikojnë në mbajtjen e vitalitetit dhe shëndetit fizik ato e pastrojnë mendjen, ndikojnë në disponim pozitiv. Rrisin koncentrimin më të mirë, duke bërë zhvillimin fizikë, emocional , potencialin mendor dhe shpirtëror.

Kjo vërehet në jetën e përditshme. P.sh. Me një përshtatshmëri më të mirë në situatat e ndryshme stresogjene, duke u gjetur në ballafaqim në kuptimin e situatave, si dhe kontrollimin më të mirë të orientimit të energjisë.

Këtu përmendim edhe marrëdhëniet me të tjerët që i japin kuptim më të mirë jetës. Duhet të jemi shumë të mirë ndaj të tjerëve. Etika e sjelljeve tona është baza e jogës.

Çakrat

Çakrat janë qendra energjetike që janë të vendosura përgjatë boshtit kurrizor. Janë shtatë qendra të tilla. Sipas anatomisë i përgjigjen pleksuseve nervore dhe gjëndrave me tajitje të brendshëm.

Efektet

Bëni jogë në ajër të freskët

Efektet e dëshirueshme mund ti arrini nëse e praktikoni një kohë të gjatë. Praktikojeni 3 herë në ditë prej 20-30 minuta. Më mirë do të ishte çdo të dytën ditë. Mos merrni ushqim disa orë para aplikimit të Jogës. Merrni ushqim vegjetarian. Ushtroni jogën zbathur .Nëse djersitni është një shenjë e mirë, mos u brengosni joga është një mësim që pretendon harmonizimin dhe përsosmërinë e trupit, mendjes dhe shpirtit.

Prana jama

Është një frymëmarrje e vetëdijshme përbehet nga tri pjesë:
Frymëmarrja
Mbajtja e frymëmarrjes
Frymënxjerrja

Nga secila frymëmarrje e re fitojmë fuqitë (PRANA) dhe nga frymëqitja (nxjerrja) largojmë brengën, melankolinë, dhembjet, sëmundjet etj.

Ajri i cili thithet dhe lirohet ka për qëllim pastrimin e trupit tonë, qarkullimit më të mirë të gjakut, mushkërive, stomakut, zorrëve etj. Personat që bëjnë jogë nuk janë pasivë, ata arrijnë një shkallë të lartë të vetëdijes e cila i mundëson harmonizimin më të mirë të trupit dhe natyrës personale.

Dr. Rabit Sadiku PhD
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:36

GJASHTË LEKSIONE NË RAXHA JOGA


NË VEND TË PARATHËNIES


Për lexuesin shqiptar që është i interesuar të dijë se ç'është Joga, ky tekst, sado modest është më se i mjaftueshëm për të krijuar një ide të përgjithshme.

Për sa u përket atyre individëve që janë pjekur shpirtërisht deri në atë shkallë sa të pretendojnë diçka me tepër se thjesht kurioziteti teorik, teksti në fjalë është një PËRGJIGJE.

Ky ka qenë në fakt, qëllimi im origjinal: Mundësia për të ndihmuar ata njerëz që nuk e bazojnë opinionin e tyre te tradita, apo në libra që e reduktojnë të vërtetën deri në atë shkallë, sa të bëjnë monopol edhe Zotin, por në vetë potencialin dhe mundësinë e çdo njeriu për ta zbuluar arësyen e egzistencës së tij në këtë planet, vetë,drejtpërsëdrejti.

Këtu është rasti të sqaroj një keqkuptim të mundshëm: Thashë se në këtë libërth shpjegohet se ç'është Joga.

Tani më duhet të sqaroj diçka tjetër: Çfarë joga s'është.
Kjo se për vetë mentalitetin perëndimor deri në fillim të këtij shekulli, kur madam Blavatski përhapi gjerësisht kulturën lindore në perëndim, joga konsiderohej si diçka misterioze, madje sekrete!

Në fakt, asgjë s'qëndron me larg të vërtetës nga ky opinion. Joga d.m.th, 'së bashku', duke ju referuar kështu, mundësisë së individit për të përjetuar absoluten.

Mënyra e vetme për ta arritur këtë gjë, është koncentrimi. Koncentrimi vetë, nuk konsiderohet ndonjë sekret i madh në asnjë vend të botës. Çdo njeri e bën këtë gjë, në një mënyrë apo në një tjetër. Puna është se ku koncentrohesh, dhe sa e ke zhvilluar aftësinë për ta bërë një gjë të tillë.

Këtu ndryshon çështja mes lindjes dhe perëndimit:
Gjatë qindra vjetëve, ky i fundit, me mendjen top se i kishte zgjidhur të vërtetat shpirtërore, i vuri energjitë dhe potencialin e tij në shërbim të anës materiale, duke arritur, sigurisht, një progres të admirueshem në këtë fushë.

Krejt e kundërta me vëndet Orientale.

Aty qëllimi kryesor ishte studimi i njeriut vetë, jo thjesht fenomeneve të natyrës. Se kush ka pasur të drejtë, nuk më takon mua ta them, megjithëse secili është i lirë ti nxjerrë vetë konkluzionet e tij. Por meqënëse ironia nuk dënohet me ligj, nuk po i rezistoj dot tundimit për të cituar atë shprehjen e famshme: ''Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit, dhe Perëndisë atë që i takon Perëndisë''.

Përfundimet nxirrini vetë.

Së fundi, një fjalë për autorin e këtij shkrimi, Svami Vivekanandën.

Si dishepulli kryesor i Ramakrishnës së madh, Vivekananda luajti një rol të shquar jo vetëm në njohjen dhe përhapjen e kultures së meditimit në Perëndim, por edhe në kompozimin e disa prej vëllimeve më të spikatura të literaturës në fjalë, si psh, Raja, Jnana, Bhakti apo Karma joga.

Ndërsa shkrimi që po prezantojmë sot në gjuhen shqipe, është fryt i shënimeve të mbajtura gjatë sesioneve private në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu e folura e Vivekanandës është jashtëzakonisht e koncentruar, direkte, dhe do të thoja "pa doreza", duke demostruar qartazi edhe një herë, profilin e njërit prej përfaqësuesve më në zë të shkencës në fjalë.

Mjafton të themi se Alister Krouli , figura kryesore e okultizmit perëndimor, e përfshin Raxha Jogën në listën e njëmbëdhjetë librave të rekomanduar si literaturë bazë në Argenteum Astrum, pa dyshim organizata elitë për sa u përket studimit dhe praktikimit të arteve magjike.

G. Çeno
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:38

Raxha Jogën mund ta përkufizojmë si një shkencë më vete. Qëllimi i saj është të analizojë potencialin mendor të njeriut, duke u bazuar në të dhënat e fituara prej ''supershqisave''. Arritja e një rezultati të tillë, sjell për pasojë një transformim të vërtetë shpirtëror.

Ky fakt, nuk ka të bëjë dhe aq me teorinë se sa me praktikën, dhe është i përbashkët në të gjitha besimet. Jezusi, Pali dhe Pjetri psh. dëshmuan Lajmin e Mirë në bazë të eksperiencës së drejtpërsëdrejtë që e kishin përjetuar vetë, jo thjesht të spekulimeve teorike.

Kjo eksperiencë e drejtpërsëdrejtë fitohet nga Joga.

As kujtesa, as vetëdija e zakonshme e njeriut, nuk mund të zbulojnë të gjitha kufijtë e egzistencës. Përtej nivelit të pesë shqisave, egziston supernjohja. Si kjo si pavetëdija kanë të përbashkët një fakt: pandjeshmërinë fizike, por me një diferencë të skajshme mes tyre, ndryshimin mes diturisë dhe injorancës. Koncentrimi i mendjes në thelbin e një subjekti të dhënë, është kushti i përftimit të çdo njohurie.

Joga na mëson se si ta dominojme botën që na rrethon, në vend që të dominohemi prej saj. Vetë fjala Joga, përkthehet 'së bashku' duke nënkuptuar kështu, unionin shpirtëror të njeriut me Perëndinë.

Në kushte të zakonshme, mendja vepron dhe varet nga vetëdija. Por ajo që ne quajmë vetëdije, është thjesht një hallkë, në potencialin e pafund të natyrës njerëzore, sepse 'Uni' jonë mbulon vetëm një pjesë shumë të vogel të egzistencës.

Universi vetë, është pa kufij. Rigoroziteti në praktikën e meditimit bën që hap pas hapi mendja, në fillim tekanjoze dhe e pabindur, ti nënshtrohet vullnetit, duke e zgjeruar horizontin tonë në hapësira të reja, të panjohura më parë.

Mundësi deri dje të paimagjinuara do t'shtrihen para nesh, por kjo joshje s'duhet të na marrë mendtë. Fuqitë e mbinatyrshme s'janë gjë tjetër veçse xhama të bojatisur që ngjajnë si xhevahire. Kjo sepse Zoti vetëm është qëllimi ynë final. Po na iku nga sytë objektivi kryesor, çmimi i vërtetë shkoi e vate.

Tre janë gjërat kryesore për studentin që do të ketë sukses.

E para: Mos u huto nga iluzionet e kësaj bote, apo të asaj që vjen më pas, po fokusohu vetëm te mundësia për të zbuluar potencialin tënd shpirtëror. Ne kemi ardhur në egzistencë të sqarojmë se si qëndron puna jonë, e jo thjesht për të ngrënë e për të pirë, apo për të bërë seks nga mëngjesi në darkë.

Njeriu ndryshon nga kafshët pikërisht në fushën e intelektit. Prandaj s'ja vlen ta harxhojmë kohën me llafe boshe që s'të çojnë asgjëkundi. Po ashtu, influencimi prej opinionit të përgjithshëm, apo shoqërisë në përgjithësi, është humbje kohe. Shpirti i njeriut nuk ka seks, atdhe, apo moshë fikse.

E dyta: Kërko me pasion të palodhur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën që fshihet 'pas velit'. Ngulmo pa u dorëzuar për asnjë çast, me të njëjtin insistim që trupi kërkon oksigjen. Mos i ler çuditë e kësaj bote të ta marrin mendjen, por hidhi pas krahëve, pa u kushtuar vëmendje, si gjëra të dorës së dytë.

E treta: Gjashtë ushtrimet;
1) Mos e lër mendjen të hapërdahet.
2) Frenoi instiktet.
3) Pleqëroi gjërat brenda për brenda.
4) Mos u anko orë e pakohë, sikur ç'po bën ti se ka bërë njeri.
5) Përqëndroje mendjen në një ide fikse.
6) Mendo vazhdimisht për mundësitë e tua të vërteta.

Ndalo se hipnotizuari veten me pesimizëm apo inferioritet. Kur mediton në një objekt të caktuar, nxirri fundin. Mos e ler të të dale ndoresh dhe mos e mba mendjen te ora.

Ditë e natë thuaj vetes se kush të takon të jesh në të vërtetë, deri sa ta arrish në praktikë njëshmërinë me idealin e zgjedhur.

Pa këto displina paraprake, asnjë rezultat s'është i mundur.

Ne mund ta kuptojmë absoluten, por kjo gjë nuk mund të shprehet me fjalë. Momentin që mundohemi ta bejme këtë, ajo i rrëshket përkufizimit, ose s'është më absolute.

Kështu edhe potenciali i njeriut duhet të shpaloset përtej kufizimit të shqisave, dhe madje të tejkalojë edhe vetë arsyen, nëse do të rrokë me të vërtetë thelbin e gjërave. Dhe ne e kemi në fakt mundësinë për ta arritur një gjë të tillë.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:41

MËSIMI I PARË

Qëllimi i këtij leksioni është të nxjerrë në pah individualitetin e çdo njeriu. Secili duhet të bëjë atë që i thotë zemra. Të gjitha rrugët bashkohen një ditë. Ki parasysh se përfytyrimi ushqen frymëzimin dhe vetë mënyrën e të menduarit.

Të gjithë profetët, poetët, apo eksploratorët kanë pasur të përbashkët pikërisht këtë: forcën e imagjinatës. Shpjegimi i dukurive natyrore egziston brenda potencialit njerëzor. Si i thonë fjalës, molla mund të bjerë nga dega e pemës edhe pa e këputur kush, po gravitacionin e kemi përbrenda.

Ata që e ushqejnë veten me dokrra, ata që argjërojnë për tu dukur, ata që ja marrin me gjumë orë e pakohë apo ata që nuk i zë gjumi nga hallet e kësaj bote, nuk mund të bëhen jogistë. Injoranca, hallakatja, xhelozia, dembelizmi dhe mendjelehtësia janë armiqtë numër një në suksesin e praktikimit të Jogës.

Ndërsa tre kërkesat kryesore janë: E para: Pastërtia, fizike dhe morale. Mendimet negative duhen kundërshtuar me vendosmëri, sepse trubullojnë mendjen.

E dyta: Durimi. Në fillim mund të të ndodhin “çudira”, por kjo fazë merr fund shpejt. Në fakt, këtu është momenti më delikat. Po e përballove këte situatë pa u ligështuar, suksesi është i sigurt.

E treta: Këmbëngulja, ose mos heqja dorë për asnjë çast nga praktika e përditshme, pavarësisht nga gjendja shpirtërore, fizike apo të papriturat e jetës.

Koha më e mirë për tu ushtruar është gjatë ndërrimit të ditës me natën, sepse trupi është më i ballancuar gjatë pikës zero të dy fenomeneve të kundërta. Nëse kjo është e pamundur, përpara dhe pas gjumit. Po ashtu, një dush në ditë, është i domosdoshëm.

Pas banjës, ulu në pozicionin e zgjedhur (këmbëkryq, lotus, apo gjysmë lotus) dhe përfytyroje veten si një copë shkëmbi, që s'mund ta lëvizë njeri, sido që të vejë puna. Koka, shpatullat dhe mesi duhet të vijnë në një linjë me qëllim që shtylla e kurrizit të rrijë drejt. Këtu është gjithë thelbi i çështjes prandaj tregohu veçanërisht i vëmendshëm në këtë pikë, por pa e lënduar veten ama.

Fillo me gishtat e këmbëve dhe mendoje çdo gjymtyrë të trupit si të përsosur; shiko çdo pjesë të tij me sytë e mendjes, madje shtoji përfytyrimit edhe ndjesinë e të prekurit (me qëllim që ti rrisësh efikasitetin) po munde.

Vazhdo më lart, gjymtyrë pas gjymtyre, duke e menduar çdo pjesë si të përsosur dhe pa asnjë të metë. Pas kesaj, mendo për trupin në tërësi, si një instrument të mbrekullueshëm që Zoti na e ka vënë në dispozicion për të zbuluar të vërtetën e egzistencës tonë në këtë planet. Mendoje si një anijezë me anë të së cilës do të kalojmë në anën tjetër të bregut, aty ku ndodhet thesari që nuk prishet kurrë.

Pasi ta kesh bërë këtë, merr frymë thellë me të dyja vrimat e hundës njëherazi, nxirre jashtë komplet, dhe qëndro kështu për sa kohë të mundesh. Bëje këtë katër herë rresht dhe pastaj ktheju frymëmarrjes së zakonshme e lutu, që të të hapen sytë.

'Po meditoj rreth shkakut që bëri të mundur krijimin e këtij Universi. Ma ndriçoftë mendjen dhe mua'.

Praktikohu kështu për rreth 10-15 min.
Mos i trego askujt për eksperimentet që po bën, me përjashtim të mësuesit tënd shpirtëror.

Fol sa më pak që të jetë e mundur.
Mbaje mendjen në anën pozitive të gjërave. Ki parasysh, se ku të punon mendja sot, do të të çojnë këmbët nesër.

Përqëndrimi në subjektet e shenjta, eleminon negativitetin. Të gjithë ata që s'janë jogistë, janë skllevër; këputi vargonjtë një e nga një po do të marrësh vesh se çështë liria.
Çdo njeri e ka thellë brenda vetes shkëndijën e atij zjarri që Prometeu u vodhi Zotave. Bëji dritë mendjes, nëse do të realizosh në praktikë këtë të vërtetë të madhe.

Mënyra e vetme për të zbuluar nëse njeriu është diçka më shumë se një thes mishi e kockash, bëhet e mundur nga transformimi në atë gjendje që e zhvlerëson dukjen e fenomenit.

Jogistët i klasifikojnë organet e trupit në dy grupime kryesore; organet e shqisave dhe organet e të lëvizurit. Me fjalë të tjera: njohuri dhe aksion.

Organi i brendshëm, ose mendja, ka katër aspekte.

E para, Manas, ose aftësia e të menduarit, që zakonisht shpenzohet e gjitha, si pasojë e moskontrollit; e kontrolluar siç duhet, është një fuqi e mbrekullueshme.

E dyta, Budhi (vullneti) që nganjëherë përkthehet intelekti.

E treta, Ahamkara, egoja personale ( nga fjala Aham).

E katërta Chitta, ose substanca në dhe me anë të së cilës kryhen veprimet në përgjithësi, si të thuash, lënda prej së cilës përbëhet truri, apo 'deti', gjithmonë i trazuar nga valët e mendimeve.

Joga është shkenca me anë të së cilës ndalojmë funksionimin e pakontrolluar të Chittas. Ashtu si reflektimi i Hënës mjegullohet nga dallgët, ashtu edhe esenca hyjnore brenda nesh pengohet nga rrjedha e halleve të përditshme. Vetëm kur deti është i qetë vaj, mund ta shohim pasqyrimin e Hënës në të, dhe vetëm kur sistemi nervor nuk u përgjigjet sinjaleve të jashtme, është e mundur të zbulohet çke brenda.

Mendja nuk është diçka fizike, sepse jo vetëm që materia e saj është shumë herë më e sofistikuar nga trupi i njeriut, por edhe se mund të egzistojë në mënyrë të pavarur prej tij. Shumë njerëz e kanë vëzhguar këtë fenomen aksidentalisht, gjatë rënies në gjendje kome për shembull.

Ne mund të mësojmë si bëhet kjo gjë me vetëdije të plotë, nëse arrijmë të kontrollojmë shqisat. Kur kjo teknikë përvetësohet shkëlqyeshëm, njeriu është në gjendje të kontrollojë universin, sepse çfarë quajmë botë, është thjesht ajo që mundësitë tona të perceptimit na lejojnë të njohim.

Çlirimi prej këtij iluzioni, është testi i mbinjeriut. Jeta e vërtetë shpirtërore fillon atëherë kur kjo mundësi është realizuar në praktikë. Ndërsa ata që komandohen nga 'realiteti' i kësaj bote, janë skllevërit e saj dhe asgjë më shumë.

Nëse do të mund ta frenonim mendjen tërësisht së kapërcyeri nga një subjekt në tjetrin, shkëputja a saj nga trupi fizik do të ishte e menjëhershme. Për miliona vjet në fakt, ne kemi hequr të zitë e ullirit t'ja arrinim kësaj dite, për të pasur këta trupa që kemi, por ironia qëndron në faktin se gjatë kësaj udhe, e harruam fare se për ku ishim nisur! Qëllimi ynë nuk ishte thjesht njeriu, apo fiziku i tij, por mundësia që ky i fundit na jep për të arritur përsosmërinë e vërtetë.

Ne na duket më se normale, se të qënit 'me këmbë e duar', është fundi i historisë. Por ky është thjesht një iluzion. Ne duhet ta kapërcejmë këtë fazë dhe të kthehemi te qëllimi ynë origjinal i të kuptuarit se trupi s'është identik me shpirtin, por thjesht shërbëtori i këtij të fundit.

Mësoni pra, si ta shkëpusni mendjen nga aparenca fizike, dhe do ta shikoni në praktikë se nuk janë të pandashëm. Jemi ne në fakt që i japim 'frymë' organizmit, dhe pastaj bëjmë gabimin ta marrim për të vërtetën e kulluar. Ngaqë jemi 'mbuluar' me të për një kohë të gjatë, na duket normale të mendojmë se tani jemi rrobat që kemi veshur.

Qëllimi i jogës është ta zhveshë këtë iluzion dhe ti mëshoje faktit se trupi fizik nuk është një qëllim në vetvete, por vetëm një mjet për të arritur më shumë. Kontrolli i fuqive mendore është objektivi i parë i praktikës në fjalë. I dyti është koncentrimi i tyre me kapacitet të plotë në çfarëdo subjekti.

Dhe një fjalë e fundit, për ta mbyllur këtë kaptull: kini parasysh se llafazanët s'mund të bëhen jogista.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:51

MËSIMI I DYTË

Tradicionalisht, joga ndahet më tetë etapa kryesore. E para dhe më e rëndësishmja prej tyre është Jama, pesë kërkesat bazë të së cilës janë:

1) Mos lëndimi i çfarëdo krijese, me mendje, fjalë apo veprim.
2) Mosrënia pre e dëshirave lakmitare në të menduar, shprehur apo akte konkrete.
3) Pastërtia morale, duke filluar nga mentaliteti dhe e folura e përditshme, e deri te veprimet praktike.
4) Ndershmëria dhe sinqeriteti në mendime, fjalë, vepra.
5) Mospranimi i çfarëdo dhurate.

Së dyti – Nijama, kujdesi për trupin, banja e përditshme, dieta etj.

Së treti – Asana. Pavarësisht nga pozicioni i zgjedhur, trupi, shpatullat dhe koka duhet të rrinë drejt, për ti krijuar mundësi shtylles kurrizore të funksionojë lirshëm.

Së katërti – Pranayama, apo kontrolli i frymëmarrjes, me anë të së cilës bëhet i mundur drejtimi i energjisë, apo Pranës.

Së pesti – Pratyhara. Moslejimi i mendjes për “të marrë fushat e malet” por përkundrazi, forcimi i mendimeve brenda për brenda fushës analitike të mendjes, duke pasur si qëllim analizën e shkakut të tyre.

Së gjashti – Dharana. Koncentrimi në një subjekt të dhënë.

Së shtati – Dhayana. Meditimi.

Së teti – Samadhi, ose Eureka e Arkimedit ; qëllimi final i gjithë përpjekjeve tona.

Praktikimi i Jamës dhe Nijames duhet vazhduar për gjithë jetën. Sa për të tjerat, ashtu si ai akrobati që ecën mbi tel dhe nuk bën as edhe një hap pa qënë në ballancë të plotë, ashtu duhet të veprojmë edhe ne. Me fjalë të tjera, përvetësimi i plotë i çdo leksioni në teori dhe praktikë, përpara se të vazhdojmë më tutje.

Qëllimi i këtij mësimi është Pranayama, ose kontrolli i Pranas. Në Raxha Joga, frymëmarrja është mjeti që stimulon sistemin nervor, dhe ky i fundit potencialin shpirtëror të njeriut. Kjo sepse frymëmarrja është rregullatori numër një i organizmit. Ajri hyn së pari në mushkëri, mushkëritë e përcjellin në zemër, zemra furnizon qarkullimin e gjakut, qarkullimi i gjakut trurin dhe ky i fundit mendjen.

Vullneti ka aftesinë të ndikojë botën e jashtme, ashtu si dhe bota e jashme ushtron presion mbi ne. Vullneti ynë është i dobët; si pasojë e hipnotizimit nga 'realiteti' përreth, ne nuk jemi të vetëdijshëm për mundësitë tona të vërteta. Shumica e veprimeve që bëjmë, kushtëzohen nga rrethanat. Situatat e jashme na detyrojnë tu përshtatemi kushteve, në vend që ato ti nënshtrohen vullnetit tonë. Kjo është gabim fund e krye. Fuqia e vërtetë, fshihet përbrenda.

Profetët dhe mësuesit e mëdhenj kanë qenë ata që pasi e zbuluan këtë gjë, predikuan me autoritet të plotë.

Historia e atij qeveritarit të burgosur në majë të kullës , shpjegon qartazi mënyrën e përdorur për të kontrolluar mendjen, duke përdorur si karrem, proçesin fizik të frymëmarrjes. Kjo gjë na lejon të fitojmë terren hap pas hapi, derisa fuqia e koncentrimit na shkëput nga burgu fizik. Më së fundi të lirë, teknikat e përdorura deri pak më parë, s'na hyjnë më në punë.

Pranayama ka tre pjesë:
- Puraka – frymëmarrje.
- Kumbraka – mbajtja e frymës.
- Rechaka – frymënxjerrja.

Proçesi bazohet në dy korente që pasi kalojnë përmes trurit dhe zbresin anash shtyllës kurrizore, kryqëzohen në bazën e kësaj të fundit, për tu kthyer mbrapsht sërisht. Rryma që qarkullon në anën e djathtë quhet pingala, ose Dielli. Duke filluar nga hemisfera e majtë e trurit ajo kryqëzohet në bazën e këtij të fundit për të kaluar në anën e djathtë të shtyllës kurrizore ku kryqëzohet sërisht në zonën e kërrbishtit duke formuar kështu, një gjysëm tete.

Rryma tjetër, quajtur ida (Hënë), bën të kundërtën e këtij veprimi, duke plotësuar me këtë, çmbetet nga figura e parë. Sigurisht, pjesa e poshtme e numrit është shumë më e gjatë se e sipërmja, por shembulli qëndron. Këto dy rryma qarkullojnë pa pushim ditë e natë, duke furnizuar me energji bazat strategjike të trupit,që zakonisht quhen pleksuse (nga latinishtja – plectere), por ne nuk para jemi të vetëdijshëm për këtë. Sidoqoftë, koncentrimi rrit shkallën e ndjeshmërisë duke mundësuar kështu, zbulimin dhe shpërndarjen e tyre aty ku trupi ka nevojë më tepër.

Duke qenë se korrentet e “Diellit” dhe “Hënës” janë të lidhura ngushtë me frymëmarrjen, bëhet më se e kuptueshme rëndësia e rregullimit të këtij proçesi; tek e fundit, kjo gjë bën të mundur kontrollin e gjithë trupit.

Në një analogji të bërë në Katha Unpashad (tekst i shenjtë Indian, shën. i përkth), trupi krahasohet me një karrocë, mendja me frenat, intelekti me karrocierin dhe shqisat me kuajt që kanë si objekt të tyre, rrugën. Ndërsa shpirti, është ai që e drejton karrocën nga brenda.

Për sa kohë që i zoti i karrocës nuk e ka të qartë se për ku është nisur dhe s'është në gjendje ta udhëzojë karrocierin si ti bëjë kuajt zap, asnjë sukses nuk është i mundur. Përkundrazi, shqisat, apo instiktet do ta marrin situatën në dorë dhe si ata kuajt e hazdisur do shkojnë nga tu teket, duke mundësuar riskun e një shkatërrimi të plotë.

Dy rrymat që përmendëm më lart, janë frenat në duart e karrocierit, që duhet të mos i lëshojë nga dora, po deshi ta kontrollojë situatën. Këtu në fakt, del në pah më së miri rëndësia e moralit, si faktor i dorës së parë në arritjen e suksesit. Pa nje moral të lartë, kontrolli i instikteve është i pamundur. Vetëm joga na krijon një mundësi të tillë në praktikë.

Ndershmëria është kërkesë e jogës. Të gjithë mësuesit e mëdhenj kanë ndjekur të njëjtën strategji pa përjashtim. Ata i detyruan këto rryma energjish të grumbullohen në zonën e kërbishtit, e që andej të hynin në kanalin e shtyllës kurrizore. Me anë të koncentrimit, jogi e drejton këtë energji për sipër, duke e shndërruar kështu në atë burim të drejtpërdrejtë njohurie, që bëhet automatikisht e vlefshme në momentin e suksesit të metodës në fjalë.

Mësimi i dytë për frymëmarrjen: Një variant i vetëm i kësaj metode, nuk mund t'ju përshtatet të gjithëve. Meqënëse frymëmarrja duhet kryer ritmikisht, mënyra më e thjeshtë për këtë është të numëruarit; por në vend të themi një, dy, tre në mënyrë mekanike, i zëvendësojmë shifrat me fjalën Om.

Proçesi i Pranayames vijon si më poshtë:
1.Me gishtin e madh mbyllim anën e djathtë të hundës duke marrë frymë me anën e majtë, ndërkohë që përsërisim katër herë fjalën Om.
2.Pastaj, me gishtin tregues bllokojmë edhe anën e majtë, duke e mbajtur frymën përbrenda, gjatë kohës që numurojmë Om edhe tetë herë të tjera.
3. Pas kësaj, heqim gishtin e madh prej anës së djathtë dhe e nxjerrim frymën ngadalë, duke e shoqëruar këtë veprime përseritjen katër herë të fjalës Om.
4. (Nga fundi i kësaj fute pak barkun brenda, që të sigurohesh se ajri ka dalë komplet).
5. Vazhdojmë më tutje duke marrë frymë ngadalë me anën e djathtë, ndërkohë që e majta është bllokuar, dhe numurojmë Om katër herë.
6. Me gishtin e madh mbyllim anën e djathtë, dhe e mbajmë frymën brenda, ndërkohë që përsërisim me mendje tetë herë Om.
7. Pastaj lirojmë anën e majtë dhe e lëmë frymën të shkarkohet ritmikisht, duke numëruar Om katër herë, pa harruar të sigurohemi prapë që ajri është nxjerrë krejtësisht.

Përsërite të gjithë proçesin dy herë për çdo seancë, d.m.th, bë katër Pranayama, dy për secilën anë. Është e këshillueshme që para kësaj, të themi një lutje të shkurtër.

Ky ushtrim duhet praktikuar për një javë; pastaj, në mënyrë graduale zëmë dhe e rrisim kohën e frymëmarrjes, duke ruajtur distancën e mëparshme, që do të thotë se në se përsërit Om gjashtë herë kur merr frymë, do të bësh të njëjtën gjë gjatë frymënxjerrjes, ndërkohë që Kumbraka do të mbahet dymbëdhjetë herë. Këto ushtrime kanë për qëllim të na bëjnë me shpirtërorë, më të pastër, më të shenjtë.

Është e rëndësishme që kur puna e bërë të japë fryt, mos ta lemë veten të humbë në qorrsokakun e shtigjeve anësore, duke u joshur nga aplikimi i gabuar i mundësive të sapokrijuara.

Dashuria dhe pasioni për të vërtetën është rruga e vetme ku duhet ecur, motivi që na shton forcat për të shkuar më tutje. Ai që do të ketë sukses në Raxha Joga duhet të jetë i ballancuar mendërisht, fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht. Kije parasysh këtë në çdo hap që të hedhësh.

Në qindra mijëra njerëz, vetëm njëri thotë: Do të kapërcej çdo pengesë, deri sa të arrij te Zoti. Pak janë ata që mund ta përballojnë të vërtetën.

Por nëse bëhemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij fakti, në duhet të jemi të gatshëm të mos zmrapsemi përpara asnjë pengese dhe të rezistojmë deri në fund.

Joga Joga110 Joga Joga210
Joga Joga310 Joga Joga410
1)Pozicioni korrekt. 2) Çakrat me shkronjat përkatëse në Hinduisht.3)Vibrimi i energjisë 4) Rruga e Kundalinit (Ida dhe Pingala).
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:52

MËSIMI I TRETË

Kundalini: Kupto se shpirti nuk është materie, por frymë. Zakonisht njerëzit e identifikojnë shpirtin me trupin, por ne duhet ta eleminojmë këtë mënyrë të menduari. Vetëm atëherë na mundësohet të kuptojmë se jemi të pavdekshëm.

Ndryshimi, përfshin dualitetin e shkakut dhe pasojës, dhe gjithshka që i nënshtrohet këtij ligji, vdes. Kjo provon se fiziku nuk mund të jetë i pavdekshëm, madje as edhe mendja, sepse të dy ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm e pandryshueshmja mund të egzistojë gjithmonë, për faktin se asgjë nuk ndikon mbi të.

Ne nuk bëhemi të tillë, ne jemi; përtej velit të injorancës, fshihet e vërteta. Trupi është produkti i mendjes. Rrymat e ''Diellit'' dhe ''Hënës'' përçojnë energjinë në çdo pjesë të tij, ndërkohë që tepricat ruhen përgjatë shtyllës kurrizore, në pleksuset apo bazat e sistemit nervor.

Këto korrente nuk egzistojnë në trupat pa jetë, por vetëm në organizmat e gjallë.
Epërsia e jogistit është kjo: ai është në gjendje jo vetëm ti ndjejë, por madje ti shohë këto qendra energjie, që janë jashtëzakonisht të ndritshme dhe të qarta për ata që e kanë zhvilluar mundësinë e perceptimit përtej nivelit të zakonshëm.

Veprimet janë dy llojesh: instiktive ose të vetëdijshme. Jogisti zotëron një mundësi të tretë, supervetëdijen, që në tërë botën e të gjitha kohërat ka shërbyer si baza dhe zanafilla e çdo feje.

Mbivetëdija nuk bie kurrë në gabimet e veprimeve instiktive apo llogjike, sepse fusha e saj e veprimit shtrihet përtej kufizimit fiziko – material. Jo rrallë e kanë quajtur frymëzim apo gjenialitet, por jogistët thonë se potenciali i një mundësie të tillë egziston te çdo njeri, dhe herët a vonë, të gjithë do ti gëzohen kësaj faze evulucioni.

Hapi tjetër në kontrollin e energjisë së ''Hënës'' dhe ''Diellit'' bën të mundur funksionimin e një kanali të tretë, pikërisht në qendër të shtyllës kurrizore. Ky shteg i ri, quajtur Shushima, ngjitet deri në tru, dhe për sa kohë që energjia qëndron në nivelin në fjalë, shkëputja nga trupi fizik është e sigurt.

Qëndra nervore në bazë të shpinës, fare pranë kërbishtit, është më e rëndësishmja. Aty përqëndrohet substanca që stimulon energjinë seksuale te njeriu. Në Joga, figura që e simbolizon këtë është një trekëndësh brenda të cilit dremit një gjarpër i kruspullosur.

Ky gjarpër i fjetur quhet Kundalini dhe aktivizimi i tij është qëllimi kryesor i Raxha Jogës.
Potenciali i jashtëzakonshëm i energjisë seksuale, ngritur mbi nivelin shtazor, përçohet nëpërmjet shtyllës kurrizore në tru, ose më mirë të themi, në dinamon më të fuqishme që zotëron raca njerëzore. Aty shndërrohet në Ojas, apo fuqi (esencë) shpirtërore.

Të gjitha mendimet pozitive, ose lutjet shndërrojnë një pjesë të energjisë shtazore në Ojas, duke na forcuar shpirtërisht. Realizimi i një objektivi të tillë është ëndërra e njerëzimit, dhe vetë qëllimi i këtij të fundit, për arësyen se mënyra e vetme për ta prodhuar këtë substancë mundësohet përmes organizmit të njeriut. Ai person që e ka realizuar komplet ciklin e transformimit të energjisë në Ojas, është Zoti vetë. Fjala dhe vepra e tij, kanë fuqi të ndryshojnë botën.

Joga përshkruan se si Kundalini ndrihet pak nga pak, hap pas hapi, deri sa arrin në qendrën e parafundit të energjisë, që lokalizohet midis syve. Asnje burrë a grua nuk mund të evulojë shpirtërisht për sa kohë që energjia seksuale, arma më e fuqishme në duart e njeriut, nuk është transformuar në Ojas.

Forcat nuk mund të krijohen nga zeroja; por ato mund të drejtohen ama. Prandaj, ne duhet të mësojmë së pari se si ti kontrollojmë mundësitë e fshehura brenda nesh, dhe me anë të vullnetit dhe koncentrimit ti transformojmë ato në nivele më të larta, në vend që ti lemë aty ku ndodhen aktualisht, d.m.th, pranë stadit kafshëror. Kështu pra, bëhet e shpjegueshme qartësisht sepse çiltërsia (apo më saktë ekuilibri moralo – shpirtëror, shën. i përkth) është guri themeltar i çdo besimi.

Në Raxha Joga sidomos, dlirësia absolute në fjalë dhe mendim është një akt sine qua non . Të njëjtat ligje veprojnë për të gjithë njerëzit, të martuar apo jo. Por nëse i shpërdoron forcat dhe mundësitë e tua me objektiva të dorës së dytë, bëhet e pamundur të evolosh shpirtërisht.

Historia na verifikon faktin se gjithë njerëzit me fuqi të mbinatyrshme kanë qenë murgj, asketë, apo tipa që nuk u ka shkuar mendja ndonjëherë për jetë bashkëshortore; vetëm njerëzit e pastër në shpirt mund të arrijnë te perëndia.

Pak para se të fillosh Pranayamen, orvatu të përfytyrosh trekëndëshin. Shikoje qartësisht me sytë e mendjes, të rrethuar nga flakët, me gjarpërin e kruspullosur në mes. Kur përfytyrimi i kësaj arrin kulmin, zhvendose figurën në imagjinatë te baza e shpinës, dhe gjatë mbajtjes së frymës në Kumbhraka, ushtro presion mbi kokën e gjarpërit me qëllim që ti “tërheqësh vëmendjen”.

Sa me i qartë të jetë intensiteti i përfytyrimit, aq më i madh rezultati, që bën të mundur zgjimin e Kundalinit. Deri sa kjo gjë të bëhet fakt, vazhdo të pretendosh se po ndodh; mundohu ti ndjesh rrymat e energjisë, dhe insisto në drejtimin e tyre.

Sushuma: meditimi në veprimin e kësaj të fundit jep rezultate shumë të vlefshme.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:54

MËSIMI I KATËRT

Përpara se të përpiqemi ta kontrollojmë mendjen, bëjmë mirë ta studiojmë atë. Në fakt, ne do të na duhet të familjarizohemi me vrojtimin e saj deri në atë pikë, sa të mund ta gozhdojmë në një ide të caktuar.

Kjo gjë duhet përsëritur me insistim, qindra e mijëra herë. Vullneti është arma me anë të së cilit bëhet e mundur që lëvizshmeria impulsive e mendimeve të kufizohet deri në shkallën e frenimit të plotë. Arsyeja për këtë është më se e kuptueshme: pasi trubullirat e zakonshme të jenë qetësuar, mendja do të reflektojë atë që s'ishte e mundur të shihej më parë: krijuesin e saj.

Metoda më e thjeshtë për ta realizuar këtë është të ulemi në Asana dhe ta lemë të bëjë ç'të dojë për një farë kohe. Vetëm se qëllimi i këtij veprimi s'duhet harruar për asnjë çast. Thuaj vetes: Unë jam ai që po sodit çdo veprim të mëndjes. Unë nuk jam mëndja vetë, por thjesht dëshmitari i saj. Pas kësaj mundohu të distancohesh edhe më, a thua se mes teje dhe vendndodhjes së saj, egziston një farë largësie. Kurrë mos e identifiko veten me botën materiale, por vetëm me Krijuesin.

Përfytyroje mendjen si një liqen që shtrihet qetësisht përpara teje, me valët e mendimeve si fllucka që pasi dalin në sipërfaqe, shpërbëhen pa zhurmë. Mos u përpiq ti kontrollosh këto mendime, thjesht shikoji me sytë e mendjes si daraviten pa ushtruar ndonjë lloj presioni mbi to.

Kjo gjë do ta zvogëlojë gradualisht perimetrin e fokusimit. Sepse mendimet janë si ato guriçkat që po i hodhe në ujë, kanë vetinë të formojnë valëzime rrethore, që zgjerohen e zgjerohen pa mbarim.

Ne duhet ta nisim proçesin anës e anës, duke shkuar mbrapsht, nga rrethet e gjëra, te ato me të vogla, deri sa në fund fare mendimi të stopohet në qendër dhe të ngelet atje. Mos ju ndaj idesë fikse: Unë nuk jam mendja, por vetëm vrojtuesi i saj, sepse e shoh qartë se ç'po ndodh.

Çdo ditë përsërite këtë mënyrë të arsyetuari duke e thelluar kështu, distancën e krijuar mes vetes dhe të menduarit derisa shkëputja të bëhet e plotë dhe reale. Kur ky proçes është përfunduar, mendja reduktohet në një vegël në duart e vullnetit. Hapi i parë në Joga është tejkalimi i atij realiteti fizik, që perceptohet nga pesë shqisat. Por kur kontrolli i mendjes është arritur plotësisht, jogisti ka arritur nivelin më të lartë.

Jeto vetëm sa më shumë që të jetë e mundur. Vendi i zgjedhur për meditim duhet të ketë një farë lartësie nga toka. Mbi të vendosim si shtresë të parë një rrobë ngjyrë jeshile, mbi të cilën shtojmë ca lëkurë (postiqe). E gjitha kjo mbulohet me një copë akllasi, dhe është mirë të mos ketë ndonjë pikë mbështetëse (për shpinën , shën. i përkth.)

Mendimet janë piktura të formuara nga imagjinata. Ne na duhet ti largojmë të gjitha mendimet nga koka, derisa mendja të kthjellohet komplet. Ne duhet ti pastrojmë muret e trurit nga kjo galeri e pafundme. Kur të vëresh se një mendim ka ardhur në fokus, kundërshtoje me vendosmëri! Po për ta realizuar me të vërtetë këtë do të na duhet të dalim jashtë trupit.

Gjithë jeta e njeriut në fakt, është një përpjekje për ta arritur këtë.
Vër re po ashtu se çdo tingull ka një vibrim të caktuar, që ka lidhje dhe korrespondencë me proçesin në fjalë.

Ideali më i lartë për njeriun, është Zoti. Kështu që medito rreth tij. Ne nuk mund ta njohim njohësin e gjithshkaje, por ne jemi, Ai.

Po mendove të keqen, dije se po e krijon vetë. Çfarë shikojmë së jashtmi, është ç'reflektojmë nga brenda. Fiziku që kemi krijuar i ngjan një cope të vogël pasqyre, por trupi jonë i vërtetë është vetë Universi. Ne duhet ta kemi gjithmonë parasysh këtë; vetëm kështu do të mund ta kuptojmë se frika nga vdekja është një absurditet; mendimet negative karshi të tjerëve bien në të njëjtën kategori. Ky është kuptimi i asaj fjalës që thotë se çfarëdo që ti bësh tjetrit, ja ke bërë vetes në fakt. Shpirti as lind, as vdes, funksioni i tij i vetëm është dashuria.

"I gjithë ky Univers është trupi im; gjithë pasuria, gjithë lumturia më përket mua, sepse unë jam Universi". Kështu e kuptojmë më së fundi se çdo veprim, duke mbartur në vetvete farën e shkakut dhe pasojës i ngjan të reflektuarit në pasqyrë dhe anasjelltas.
Megjithëse në pamje të parë, ne shëmbëllejmë me ato dallgëzat e vogla e të pafundme, deti është i të gjithëve.

Asnje valë nuk mund të egzistojë e shkëputur prej tij.

Imagjinata, po të përdoret siç duhet, është mikja jonë më e madhe. Ajo ka aftësinë ti tejkalojë ''arsyet e arsyes'', dhe është i vetmi çelës që i hap të gjitha portat.
Po ashtu, shkëndija e gjenialitetit egziston potencialisht te çdo njeri, dhe secili e ka mundësinë e këtij transformimi, duke u nisur nga vetë mundësitë e tij, që janë në fakt, të pakufishme.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:56

MËSIMI I PESTË

Pratydhara dhe Dharana. Krishna thotë: të gjithë ata që më kërkojnë mua, do të më arrijnë një ditë, pavarësisht nga shtigjet e ndjekura. 'Të gjithë do të më arrijnë'. Pratydhara është pikërisht afrimi përgjatë një ideali, përpjekja për ta mbajtur mendjen te objekti i dëshiruar gjatë gjithë kohës.

Siç e përmendëm më lart, faza e parë është të kuptuarit e mënyrës se si funksionon mendja; e dyta, manipulimi i energjive nervore që bën të mundur kontrollin e saj.

Trupi s'është gjë tjetër veçse një ëndërr e bërë realitet nga potenciali krijues i forcës përfytyruese. Shpirti vetë ndodhet përtej mendjes e trupit. Esenca e njeriut ngelet e pandryshueshme.

Kur fryma kalon në vrimën e majtë të hundës, trupi pushon; përmes anës së djathtë, aktivizohet; dhe kur kalon mes të dyjave njëkohësisht, është koha për meditim. Kur jemi të qetë dhe marrim frymë kështu, mundësitë për sukses janë më afër se kurrë.

Nuk ka kuptim të përpiqesh të koncentrohesh që sekondën e parë. Kontrolli i mendjes do të vijë vetvetiu. Pasi të jemi praktikuar për një kohë të mjaftueshme me ushtrimet e frymëmarrjes, duke përdorur gishtin e madh e tregues, do të mund ta bëjmë këtë gjë thjesht me anë të vullnetit dhe përfytyrimit.

Tani situata është pjekur dhe Pranayama mund të ndryshohet paksa. Psh, nëse studenti e ka të qartë idealin e vet, emri i këtij duhet përdorur në vend të fjales Om gjatë frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes, dhe fjala Hum, në kohën e Kumbhakes.

Përfytyro sikur po e lëshon me forcë frymën e mbajtur gjatë fjalës Hum në kokën e gjarpërit, duke u munduar ta zgjosh atë. Identifikohu me idealin e zgjedhur. Pas njëfarë kohe ardhja e mendimeve do të bëhet shumë e lexueshme, dhe ne do të fillojmë ta kuptojmë se si funksionon i gjithë proçesi, që nga krijimi, e deri te shpërbërja e tyre.

Pak a shumë ndodh si në planin fizik, kur ardhja e një personi mund të vërehet që para se ti shtrëngojmë dorën. Ky nivel bëhet i mundur për ata njerëz që kanë mësuar se si ta shkëpusin veten prej organit të të menduarit, dhe praktikisht e shikojnë shpirtin si një gjë, dhe mendjen si diçka tjetër, veçan. Mos i lini mendimet t'ju pushtojnë kokën. Zini një cep dhe shikojeni gjithë skenën me gjak të ftohtë; po si trazove (ushqeve) vetë, ato do të plasin si fllucka sapuni.

Mbaje mendjen në një linjë me idealin e zgjedhur; ndiqe atë hap pas hapi. Kur intuita të shkojë përtej arsyes, do të mbërrish te thelbi i të kuptuarit. Ky është niveli i njohjes absolute. Kur idetë fillojnë të shkrihen në burimin e dritës së brendshme, ndiqi, dhe lëre veten të shkrihesh bashkë me to.

Aura është simbol i kualitetit të dritës që rrezaton trupi, dhe mund të shikohet nga jogi. Kur je në gjëndje të shquash se çfarë lloj ngjyrimi vibron përreth kokës dhe supeve të një personi, gjykimi i menjëhershëm rreth karakterit dhe gjëndjes së tij shpirtërore është i pagabueshëm.

Po ashtu, arritja e një niveli të tillë perceptimi mund të stimulohet nga kontakti me Ishtan (simbolin) e zgjedhur, që mund të na shfaqet në një vizion. Ky simbol në fakt, duhet të jetë mburoja dhe objekti i koncentrimit për secilin nga ne.

Njeriu mund të përfytyrojë me anë të çdo shqise, por zakonisht ne e bejmë këtë me anë të të parit. Vetë imagjinata në fakt, është gjysëm reale. Me fjalë të tjera, ne s'mund të mendojmë pa krijuar! Por meqënëse edhe kafshët në një farë mënyre mendojnë, duket se është e mundur që lidhja mes ideve dhe skicave të tyre në imagjinatë, nuk është e pandashme.

Mundohu ta mbash mendjen te Joga, duke e jetuar jetën me ndershmëri dhe besim të patundur në atë që po bën, si ai treni që pavarësisht se mund të kalojë në gjithëfarësoj vendesh, nuk del asnjëherë nga shinat e veta. Për sa i perket forcës së perfytyrimit, çdokush ka mënyrën e vet për të arritur te përfundimi i dëshiruar. Për rezultat të shpejtë e maksimal, ndiq metodën që të përshtatet më tepër.

Egzistenca e tanishme, me gjithë të mirat e të këqijat e saj, është rrjedhoja egzakte e shumës totale të veprimeve që kemi kryer gjatë jetëve të mëparshme.

Ashtu si flaka e një qiriu ndez një tjetër, – thonë budistet; qirinjtë ndrohen por drita s'ndryshon.

Tregohu dashamirës, gjyko me mençuri, mos e nënvlerëso higjenën ditore; ji i ndershëm, i duruar dhe këmbëngulës dhe atëherë do të bëhesh vërtet një mjeshtër në Joga.

Asnjëherë mos i nxito gjërat, dhe nëse fuqitë e mbinatyrshme vijnë, mbaj mend se nuk janë gjë tjetër veçse shtigje anësore. Mos i ler të të devijojnë nga rruga e vërtetë; mënjanoi dhe rezisto deri sa të arrish objektivin final. Kërko vetëm të Përjetshmen, dhe do ti vesh pikë maratonës lodhëse mes shkakut dhe pasojës.

Po u identifikove me Universin, asgjë nuk ngelet më për të ta prishur mendjen, dhe një çlirim i tillë mundëson faktin e të qënit përgjithmonë në lirinë e egzistencës absolute, diturisë absolute, lumturisë absolute.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Admin 03.04.09 1:58

MËSIMI I GJASHTË

Është shumë dobiprurëse të meditosh rreth sushumnas. Një vizion mund t'ju shfaqet papritmas dhe kjo është zakonisht mënyra më e mirë. Rreth kësaj duhet medituar për një kohë të gjatë.

Sushumna është një kanal jashtëzakonisht i hollë dhe rrezatues, që egziston brenda shtyllës kurrizore dhe shtron udhën ku do të kalojë Kundalini. Nuk e teprojmë aspak po të themi se nga ky shteg varet e ardhmja dhe progresi i gjithë njerëzimit.

Në aspektin teknik, sushumna fillon dhe mbaron midis dy lotuseve: i poshtmi është trekëndëshi ku fle kundalini, dhe i sipërmi në majë të kokës, përreth Pineal Gland .

Midis këtyre të dyve egzistojnë edhe pesë lotuse të tjera, që shkallëzojnë rrugën e 'gjarpërit flakërues' nga poshtë lart. Renditja e tyre në total është si më poshtë:

7. Pineal Gland
6. Zona midis syve
5. Molla e Adamit
4. Zemra
3. Kërthiza
2. Organi seksual
1. Kërrbishti.

Ne duhet ta zgjojmë Kundalinin, dhe pastaj ta ngremë atë me ngadalë, nga një lotus të tjetri, prej bazës së shpinës në tru.

Çdo fazë e këtij progresi, i korrespondon një shkalle të re evulucioni.

Perktheu Gazmend Çeno
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Jon 19.02.10 13:42

Joga

Ka nga ata që e praktikojnë jogën në ujë, të tjerë të mbështetur në një hamak, disa të tjerë kur janë duke udhëtuar, ose nën shoqërinë e qenit. Joga është një teknikë që shoqërohet gjithmonë me konceptin e mirëqenies dhe shëndetit.

Joga është mënyra më e mirë për ta njohur këtë disiplinë indiane që punon për të arritur harmoninë mes trupit dhe shpirtit. Njerëzit që praktikojnë jogën janë në Europë rreth një milion e dyqind mijë dhe shkollat në të cilat kryhet kjo disiplinë janë 830.

Nëse keni një humor të mirë që ju shoqëron gjatë gjithë ditës, nëse rritet aftësia juaj për të reaguar, nëse gjendja juaj fizike dhe psikologjike është e mirë, nëse vështirësitë e përqendrimit janë më të vogla, nëse harmonia bëhet pjesë e jetës suaj së përditshme, atëherë pa dyshim që po praktikoni joga. Trupi juaj do të jetë më elastik dhe ju personalisht jeni më të ndërgjegjshëm dhe më të kujdesshëm për të zhvilluar aftësitë lëvizëse të trupit tuaj.

Është normale që të rritet çdo ditë numri i të pasionuarve pas kësaj disipline lindore. “Në shkollat tona mësohen shumë lloje disiplinash, të cilat janë lëvizje fizike që e stërvitin njeriun për një shëndet sa më të mirë”, thotë një profesor joge.

Duken të largëta kohët kur fjalët si “asana” (pozicion) dhe “chakra” (burim force) njiheshin vetëm nga një numër i vogël njerëzish. Sot vazhdon të rritet numri i shkollave ku mund të ndjekësh çdo lloj kursi. Mes disiplinave të ndryshme të jogës, përmendim “power yoga”, që tonifikon muskujt, “yoga pilates” që bashkon dy disiplina, “woga” ose “joga ujë”; “antigravity yoga” që përdor një hamak për të bërë ushtrime, duke sfiduar gravitetin.

Disiplinat më dinamike janë “running yoga” dhe “trekking yoga” (joga që praktikohet në vende malore). Nuk është e thjeshtë të zgjedhësh mes dhjetëra teknikave, pasi ekzistojnë më shumë se katër milionë të tilla dhe vazhdimisht lindin disiplina të reja.

Një nga disiplinat e konsideruara “historike” për nga sforcoja është “hatha yoga”, e cila ka më tepër lidhje me anën fizike; “raja yoga” quhet ndryshe “klasike”, ose disiplina e meditimit; “jnana” ose “joga e njohjes” përqendrohet tek ekuilibri i brendshëm; ndërsa “karma” është joga e veprimit.

Gjithashtu, një disiplinë tjetër shumë e praktikuar është edhe “iyengar yoga”, që e ka marrë emrin nga një mjeshtër indian; “nidra yoga” konsiston në qetësimin e trupit, ndërsa “kundalini” përqendrohet tek energjitë e brendshme.

Joga garanton elasticitetin e muskujve dhe të gjymtyrëve, por ndihmon edhe në shërimin e disa sëmundjeve.

“Joga ndihmon për të mbajtur në formë trupin, në lehtësimin e dhembjeve të shtyllës kurrizore, qafës dhe në largimin e patologjive kardiovaskulare”, thotë një mjeshtër joge.

“Gjithashtu është e dobishme në rastet kur ka probleme me frymëmarrjen, si dhe u vjen në ndihmë pacientëve që duhet të rikuperojnë ekuilibrin. Joga kuron sistemin nervor dhe përdoret për të luftuar varësitë ndaj ushqimeve të ndryshme, bixhozit, alkoolit dhe drogës”.

Shumë studime vërtetojnë efikasitetin e jogës mbi sëmundje të ndryshme, edhe pse një pjesë e botës shkencore mendon se bëhet fjalë për një “efekt placebo”.

“Qëllimi është ai për të ‘rizgjuar’ një individ të caktuar që të gëzojë shëndet të mirë dhe të jetë plot energji”, thotë mjeshtri. “Veç të tjerash, joga ndikon pozitivisht në mirëqenien fizike: flokët rriten më shumë, qarkullimi i gjakut funksionon më mirë, përmirëson gjendjen e kapilarëve, madje disa pozicione të caktuara të jogës ndihmojnë edhe në luftimin e celulitit dhe në një tretje më të mirë. Joga ndihmon në mirëfunksionimin e mëlçisë, sistemit imunitar; ndikon pozitivisht gjatë periudhës së menopauzës dhe para lindjes së parë.

“Në Perëndim njerëzit mbështeten shumë tek aspekti fizik i jogës, por nuk duhet harruar që është një disiplinë psikofizike: nuk mund të flasim për jogën vetëm nëse e praktikojmë për të mbajtur në formë trupin”, thotë mjeshtri. “Shkrirja mes mendjes dhe trupit ndihmon për të kapërcyer pengesat që lidhen me anën emocionale dhe frikat e njerëzve”, shton ai.

Joga përkthehet ndryshe: të kurosh trupin dhe mendjen, duke kërkuar një mirëqenie të përgjithshme. Por e gjitha kjo mund të arrihet duke gjetur mësues të kualifikuar. “Një mësues e ndihmon nxënësin të gjejë disiplinën që i përshtatet më shumë”, përfundon ai.
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Joga Empty Re: Joga

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi