EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Joga apo droga?

Shko poshtë

Joga apo droga? Empty Joga apo droga?

Mesazh  Neo 26.09.12 19:28

Joga apo droga? Dy rrugë për të harruar hallet dhe stresin

Nityashuddhananda, mjeshtri indian jogi prej disa ditësh ndodhet në Tiranë me mision në ndihmë të fëmijëve në Bathore. Si punon ai atje ku njerëzit e kanë humbur shpresën dhe dëshirën për t’u përballur me jetën?

Joga apo droga? Nishaua

Dikur njerëzit nuk dinin dhe nuk kishin shumë gjëra. Kishin duar, por nuk dinin t’i përdornin për t’u ushqyer. Më pas jo vetëm filluan t’i përdornin duart për të ngrënë, por edhe t’i lanin para se të ushqeheshin. Kështu njeriu ka lëvizur nga një sistem primitiv në një sistem më të përparuar, ka kaluar nga e shëmtuara tek e bukura.

Më vonë filloi të kërkojë dhe t’i bëjë më shumë pyetje vetes. Një nga pyetjet ishte: “Cila është gjëja më e mrekullueshme në botë? Atëherë njerëzit zbuluan jogën.” Kështu fillon ta shpjegojë jogën mjeshtri i ardhur nga India, Nityashuddhananda Avadhuta.

Ky emër është formuar nga bashkimi i tri emrave që bashkë lidhin kuptimin: “Gëzoju bekimit me pastërtinë e përjetshme.” Prej disa ditësh ai po mbikëqyr një projekt për fëmijët e Bathores dhe nga ana tjetër jep praktikën e jogës në qendrën “Aksion Plus”, ku trokasin njerëz që kërkojnë t’i shpëtojnë varësisë nga narkotikët. Në Bathore, në zonën më të varfër të kryeqytetit, bëhet fjalë për një kopsht me 40 fëmijë ku ka investuar “Ananda Marga”, shoqëria ku bën pjesë jogi ynë, me aktivitet në vende të ndryshme të botës në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Ndërsa grupi i jogës është akoma në hapat e parë. Ai drejtohet nga mjeshtrja e sportit Polikseni Gorishti. Genc Muçollari, drejtor i qendrës “Aksion Plus”, gjithashtu praktikant prej vitesh i jogës, thotë se se pjesë e këtij grupi mund të bëhen edhe ata që trajtohen me metadon dhe përpiqen për t’iu shkëputur varësisë nga narkotikët.

“Më parë pjesë e grupit ishin dy pacientët që trajtohen me metadon, por më pas u shkëputën. Në botë ka klinika që e ofrojnë këtë shërbim, do të ishte mirë ta kishim edhe ne. Meqenëse ata e gjejnë me anë të drogës kënaqësinë, me anë të jogës mund ta gjejnë kënaqësinë në një anë shumë më pozitive.”

Nityashuddhananda Avadhuta, 70 vjeç, flet pak dhe qetë. Ai është i veshur me pëlhurat ngjyrë portokalli të jogit. E ndoqëm në një orë mësimi e cila u kthye në një bashkëbisedim me të.

Si realizohet joga?

Joga është një shkencë 500-vjeçare, mësimet e para të së cilës filluan jo në një klasë por në fushën e betejës. Filozofia e jogës synon t’iu përgjigjet pyetjeve: “Kush jam unë”, “Nga vij”, “Cili është qëllimi im në jetë”. Nëpërmjet ushtrimeve fizike dhe meditimit synohet mbërritja te harmonia e trupit, shpirtit dhe mendjes. Individi të arrijë të drejtojë mendjen aty ku dëshiron ai dhe ta tërheqë nga gjërat e tjera. Pjesë e rëndësishme është edhe frymëmarrja.

Çfarë është mendja?

Janë pak gjëra që dihen për mendjen. Mendja është një koleksion dëshirash, por në përgjithësi themi se mendja ka pjesën objektive dhe atë subjektive. Pjesa objektive me të cilën ne arrijmë të mendojmë dhe veprojmë, është pjesa e paqëndrueshme. Për këtë duhet të përdorim përqendrimin, i vështirë për t’u arritur pasi mendja lëviz në shumë vende njëkohësisht. Nëpërmjet meditimit synojmë që ta qetësojmë mendjen e ta bëjmë më të vëmendshme. Kur e sinkronizojmë këtë pikë me anën subjektive atëherë arrihet paqja e mendjes.

Po roli i frymëmarrjes cili është?


Frymëmarrja ka një funksion shumë të rëndësishëm në mirëfunksionimin e mendjes. Ai që ka frymëmarrje të shpeshtë ka përqendrim shumë të dobët. E kundërta ndodh me atë që ka frymëmarrje të ngadaltë. Me frymëmarrjen e shpeshtë as ushqimi nuk shijohet tamam... Rregullimi i frymëmarrjes sjell përqendrim maksimal. Njeriu në 24 orë merr frymë 20.000-40.000 herë. Sa më e rrallë frymëmarrja aq më e gjatë jeta.

Si arrihet kjo?

Nuk dua të bëj filozofi, shkojmë tek pjesa praktike. Si duhet bërë kjo? Fillimisht ne duhet të tërheqim mendjen, pra pjesën objektive të mendjes që mendon shumë gjëra ne duhet ta tërheqim dhe ta sjellim aty ku duam ne.
Duhet të ulemi si duhet, në atë mënyrë që ne ndjehemi më rehat. Këmbëkryq. Pozicioni duhet të jetë i rehatshme. Trupi duhet të mbahet drejtë dhe pingul me tokën, shtylla kurrizore duhet të jetë e drejtë. Mbyllni sytë... mendja shkon në shumë vende... mundohu ta tërheqësh mendjen nga të gjitha ato mendime.
Që ta tërheqim vëmendjen duhet tëjapim një mendim sistematik.
Mendoni që jeni ulur diku, vetëm. Mos mendoni për askënd tjetër që keni përreth. Je vetëm ti. Tërhiqe mendjen nga bota e jashtme. Mund të jesh kudo, por je vetëm fare, madje toka është një glob dhe ti je në majë të këtij globi.
Kur të jesh vetëm mendo se çfarë duhet të mendosh. Mendja ka veçori që mund ta transformojë një identitet në një tjetër. Ajo mund të shkojë shumë lart, por mund të shkojë edhe shumë poshtë... kur jemi tërhequr nga çdo gjë përreth, nga çdo mendim duhet t’i japim mendjes një objektiv.

Pse themi ta tërheqim mendjen?

Sepse është kjo pjesa negative inati, egoja etj. Nëse shmangim të gjithë këtë pjesën negative të mendjes atëherë do të gjejmë lumturinë e vërtetë. Pikërisht prej këtej buron ajo që quhet dashuri e vërtetë e reale për veten dhe për botën. Natyra e mendjes është: ashtu siç mendon, ashtu bëhesh.
Siç shkruhet edhe në Bibël: Çfarë të mbjellësh do të korrësh.
Mendja e ka atë veçori që mund të transferohet në çdo lloj objekti që ti e mendon. E mira është që ta transformosh mendjen tënde në suprem, në gjendjen më të lartë, për të arritur këtë qëllim mendjen e tërheq nga disa mendime dhe e përqendron tek mendimi më i lartë. Kjo është praktika e meditimit.

Sa vjeç ishit kur filluat praktikimin e jogës?


19 vjeç. Fillova të shijoja këtë pjesën e lumturisë së brendshme. Pas kësaj kuptova se cili ishte qëllimi në jetë dhe fillova ta ndiqja këtë qëllim. Atë që unë po ndieja, atë lumturi të brendshme doja t’ia transmetoja edhe botës. Kështu iu bashkova këtij misionit të madh, që nga ajo kohë kam qenë në shumë vende dhe kam marrë pjesë në projekte nëpër botë. Edhe këtu erdha me po të njëjtin qëllim.

Çfarë keni vënë re nga udhëtimet? Çfarë i shqetëson njerëzit?

Është një përleshje mendimesh. Shumica e njerëzve janë të prirur nga kënaqësitë materiale dhe perspektiva shpirtërore e mendjes është shumë e vogël. Këtë kam vënë re. Në pikëpamjen time kjo është kriza e vërtetë në botë. Njeriu sa më shumë fiton aq më i lumtur ndihet dhe pjesa materiale merr një kuptim tjetër. Kjo psikologji e kapitalizmit, që po e dominon botën, e ngushton mendjen. Një psikologji tjetër dominanate është dogma. Rast i dogmës është filmi që preku myslimanët dhe vrasjet që ndodhën pas kësaj.
Por ekziston dhe psikologjia tjetër, e fundit, sipas së cilës qendra e gjithçkaje është Zoti: unë jam tek të gjithë dhe të gjithë janë tek unë; ose atë kënaqësi që ndiej unë i lejoj edhe të tjerët ta ndiejnë. Vetëm me anë të kësaj psikologjie mund të mendojmë për një botë më të mirë. Ky është motivi më i fortë që ta kthejmë këtë psikologji në shoqëri. Ndoshta pak individë kanë punuar për këtë gjë, por jo në mënyrë kolektive.

A përkthehet si duhet kultura juaj në vende të tjera të botës?

Kultura është një, si vallëzimi, por ndërron stili i të vallëzuarit. Diku hanë me dorë, diku me pirun, e diku me shkopinj, por e ngrëna është kultura. Në stilin indian të shprehjes së kësaj kulture vlera shpirtërore është ajo që vlerësohet më shumë. Në kulturën perëndimore kjo pjesë mungon. Ne duam që ta shtojmë këtë pjesë shpirtërore në çdo aspekt të jetës dhe në çdo vend të botës.

Mund të na thoni diçka për Nënë Terezën, sa e keni ndjerë ju në Indi kontributin e saj?

Ka qëndruar në Kalkutë dhe ka ndihmuar shumë fëmijët. Nga ana sociale ka bërë një punë shumë të madhe. Kaq mund të them për të.

Biografi


Ishin vitet ‘60 dhe Nityashuddhananda ishte 19 vjeç kur nisi të praktikojë jogën. “U rrita me një kulturë të caktuar. India ka shumë personalitete, jogi të shquar, njerëz të shenjtë. Një nga miqtë e mi më prezantoi me një organizatë sociale spirituale e cila ofronte shërbim për shoqërinë. Ishte për mua periudha e librave dhe e pyetjeve që i bëja vetes: përse kam ardhur në botë? Cili është qëllimi im? Duke u munduar për të gjetur përgjigje kuptova se joga nëpërmjet meditimit do të më ndihmonte për t’u bërë më mirë. Kështu mësova meditimin dhe praktikimin e jogës.”

Ç’është joga?

Fjala “yoga” rrjedh nga fjala sanskrite “yuj” që do të thotë të bashkosh vetëdijen individuale me vetëdijen universale.
Në një nivel më praktik, joga është balancimi dhe harmonizimi i trupit, mendjes dhe shpirtit. Kjo arrihet nëpërmjet gjashtë
shkallëve: asanas, pranyamas, mudras, bandhas, shatkarmas dhe meditimit.


Historia

Një baba i droguar! Historia e 32-vjeçarit, përdorues droge prej vitesh. Po përpiqet t’i jap fund varësive të jashtme.

“Po e lë drogën. E bëj për tim bir”


Duart i dridhen para se të fillojë e të na tregojë historinë e tij. E takojmë në një ditë të zakonshme në qendrën “Aksion Plus”, pasi ka marrë metadonin bisedojmë me të. Dikur kishte dashur t’i shpëtonte dhimbjes, të harronte gjithçka. Të harronte kur babai i kishte rënë në burg, kur nëna nuk u kujdes për të dhe të vëllanë. Në jetimore kishte pasur çaste kur kishte qenë i lumtur. Këto nuk i ka harruar. Po ta kthente dot kohën pas nuk do ta kishte zgjedhur me duart e veta skllavërinë, varësinë nga droga.

Edhe Lulunë do ta kishte takuar pa qenë nën efektin e drogës. Edhe djalin nuk do ta takonte për herë të parë në burg. Do të ishte i lumtur. K. S është 32 vjeç. Ka qenë përdorues droge prej moshës 13 vjeç. Në banjat e shkollës pa disa romë që tymosnin “mall”. Në vitin 1997 emigroi në Greqi. Flinte ku ta zinte nata, herë në lulishte, herë në hotel, herë e gdhinte në lokale e herë në ndonjë makinë të braktisur.

Punoi dhe arriti të kursejë një dorë dhrahmi. U kthye në Shqipëri me dy ëndrra: e para të merrte patentën dhe e dyta të nxirrte pasaportën. Dhe i realizoi.

Gjyshja, i vetmi njeri që ishte kujdesur për të, e priste me padurim që ta takonte. “Më kishte marrë shumë malli…”, rrëfen K.S. dhe nuk i mban dot lotët. Atëherë kur mund të fillonte dhe të ndërtonte jetën e tij... ja, ata që përsëri te banjat e konviktit tymosnin. Aty ku K.S. banon. Nuk i reziston tundimit. “Ma jepni ta provoj... lekë kam... kam ardhur nga Greqia”, kërkonte me ngulm K.S. Kështu nisi ta marrë çdo ditë, me cigare, më pas “me të djegur” deri sa i erdhi radha injeksionit. Një ndër arsyet që e filloi kaq shpejt me shiringë ishte cilësia e dobët e drogës. “Ishte e kuqe dhe nuk tymosej kështu që të gjithë e injektonim”, tregon K.S.

Për një javë ishte bërë rob.

“Po mundohesha të kaloja prapë kufirin, por më kapën. Nuk kisha ku të flija. Dikush më ofroi makinën e tij deri në mëngjes. U shtriva. Nuk më zinte gjumi, rrotullohesha sa andej dhe sa këtej, më merreshin mëndtë, më dhembte koka, isha bërë me djersë të ftohta, më vinte për të vjellë…” Të nesërmen kthehet dhe u thotë shokëve se nuk është mirë. “Më dhanë dorën. Urime, më thanë, mirëserdhe në botën tonë, në këtë botë ku vetëm droga ekziston.”

Vitet kalonin dhe çdo ditë K.S bëhej më keq. E linte, e fillonte përsëri. Vidhte dhe binte në burg, kur dilte prej andej prapë avazin. Nusen e tij të ardhshme e takoi një nga këto herë. Ishte një mbrëmje kur nuk qëndronte dot në këmbë, pasi kishte injektuar heroinë. Nuk mban mend shumë gjëra, por shega i kujtohet fare mirë: “Lulu kishte në dorë një shegë dhe e ndau në dy pjesë të barabarta. Nuk kisha fuqi ta haja dhe bëra këmishën e bardhë që kisha veshur pika-pika” kujton K.S.

Por ajo e donte ashtu siç ishte dhe nuk u largua prej tij edhe pse e dinte që ai ishte i varur nga droga. Kanë një djalë. Për herë të parë e pa të birin në burg. “Vetëm dy muaj pasi ajo ngeli shtatzënë unë rashë në burg. Erdhi me djalin në burg. E pashë, ishte shumë i vogël, kisha frikë ta prekja… Ishte djali im”, tregon pa mundur të vazhdojë më tej rrëfimin e tij K.S. Por më pas fshin lotët dhe thotë me bindje. “Unë do ta lë drogën, do ta bëj për tim bir. Ai do të jetë krenar për mua. Do kujdesem për djalin.” Sot e shtatë vjet bën përpjekje për t’u rehabilituar.

Albina Hoxha
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi