EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Evolucioni dhe krijimi

+3
Estilen
Jon
Admin
7 posters

Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:18

Evolucioni dhe krijimi

DARWINI DHE MICHELANGELO

Origjina e njeriut është gur qosheje për çdo botëkuptim mbi botën. Çdo shqyrtim për çështjen se si duhet të jetojë njeriu na kthen vazhdimisht te prejardhja e tij. Përgjigjet e shkencës e të religjionit, si dhe për çështjet e tjera, janë kontraverse.

Shkenca formimin e njeriut e sheh si rezultat i një procesi të gjatë evolutiv nga trajtat e ulëta të jetës, ku kufiri ndërmjet zoologjikes dhe njerëzores nuk është i theksuar dhe ku ekziston një periudhë e gjatë kalimtare e majmunit-njeri a e njeriut majmun.

Çfarëdo të marrë për moment vendimtar - ecjen e drejtuar, përpunimin ose shërbimin me almise, fillimin e të folurit të artikulluar - për shkencën ai mbetet përherë një fakt i jashtëm, material, qoftë kur është fjala për zhvillimin e konstitucionit fizik të njeriut, qoftë për shërbimin me natyrën përreth vetes. Njeriu këtu është fëmijë i natyrës, që rritet në gjirin e saj dhe nuk ndahet nga ajo.

Përkundrazi, religjioni dhe arti flasin për krijimin e njeriut, për diçka që s’është proces, por akt hyjnor, për diçka që nuk vijon, nuk rrjedh, por që është akt i çastit, tragjik, katastrofal. Vizioni i krijimit të njeriut, i pranishëm në pikturat e ndryshme thuaja te të gjitha religjionet, flet për flakjen e njeriut në materie, për “rënien” e tij në tokë, për kundërthëniet e njeriut e të natyrës, për takimin e njeriut me një botë të huaj, armiqësore.

Pyetja se a është njeriu rezultat i zhvillimit apo është “i krijuar” shndërrohet kështu në pyetjen kush është ai, a është pjesë e botës, apo ndryshon nga ajo.

Për materialistin njeriu është “shtazë e përkryer”, “homme machine”, “aparaturë biologjike”. Ndërmjet njeriut dhe shtazës është vetëm ndryshimi i shkallës, jo i cilësisë. S’ka esencë të veçantë njerëzore.

Ekziston vetëm “nocioni konkret, historik e shoqëror i njeriut”, kurse “historia ekonomike e shoqërore është e vetmja konkrete dhe që ekziston vërtetësisht” (György Lucacs, Ekzistencializmi ose marksizmi).

“Njeriu është një sistem, si dhe çdo sistem tjetër në natyrë, që i nënshtrohet ligjeve të pashmangshme e të përgjithshme të natyrës së tërë” (Ivan Pavlov, Psichologie experimentale). Në evolucionin e njeriut ndërmjetëson një faktor i jashtëm, objektiv - puna. “Njeriu është produkt i mjedisit të jashtëm dhe i punës së vet” (F. Engels).

Krijimi i njeriut del si një proces i jashtëm, biologjik, i përcaktuar nga faktorë të jashtëm, materialë. “Dora nxit dhe njëkohësisht nxiton zhvillimin e jetës psikike... “Zbulimi” i saj si dhe “zbulimi” i ligjërimit, shënon fundin e historisë zoologjike dhe fillimin e historisë njerëzore” (H. Berr në parathënie të veprës së Morganit, L’humanite prehistorique).

Këto qëndrime të qarta e bindëse duken fare evidente. Mirëpo nuk duken aq evidente po të thuhet se në një farë dore paraqesin mohimin e qartë të njeriut.

Në shkencën dhe në filozofinë materialiste njeriu shpërbëhet në “pjesë përbërëse” dhe duket sikur në fund të procesit humbet plotësisht. Së pari Engelsi analizon njeriun shoqëror dhe dëfton se si ai është produkt i marrëdhënieve shoqërore, ose më saktë, i marrëdhënieve ekzistuese prodhuese. Vetë njeriu këtu s’është asgjë dhe s’krijon asgjë; përkundrazi, ai është rezultat i këtyre fakteve, që janë të dhëna.

Një njeri të këtillë të pavetësuar dhe të reduktuar në fakt biologjik e merr tash në duar Darwini, që do të na shpalojë tejet me konsekuencë se si produkt i seleksionimit natyror dhe i luftës për ekzistencë kjo krijesë që flet, që ecën vertikalisht dhe bën almise zhvillohet shkallë-shkallë nga paraardhësit e vet të afërt shtazorë.

Skemën e këtij procesi do ta përfundojë biologjia, duke dëftuar se si këto trajta të botës së gjallë reduktohen në trajta fillestare të jetës, ndërkaq këto në instancën e fundit në fiziko-kimi, përkatësisht në lojë të forcave molekulare. Jeta, vetëdija dhe fryma njerëzore në të vërtetë nuk ekzistojnë. Ato janë vetëm aspekte të veçanta të ndërlikuara të aksionit të ndërsjellë të këtyre forcave pavetësore. S’ka kurrfarë esence origjinale e të “pandarë” njerëzore.

Po qe se tani nga kjo skemë e vrërët paksa, por e qartë dhe e kuptueshme sakaq hidhemi me mendje në brendinë e Kishëzës Sikstina para afreskeve të famshme të Michelangelos në kupën e saj dhe përshkojmë me sy nga Dëbimi prej Parajse përmes Krijimit të Adamit deri te Gjyqi i tmerrshëm mbi altar, do të detyrohemi të pyesim: ç’domethënie kanë këto piktura, që konsiderohen si vepra mbase më tronditëse artistike të të gjitha kohëve?

A ngërthejnë në vete farë të vërtete për temat e mëdha për të cilat flasin? Po qe se ngërthejnë, ku qëndron ajo e vërtetë? Ose më saktësisht: në ç’mënyrë këto piktura janë sidoqoftë të vërteta?

Tragjeditë greke, vizionet e Dantes për qiellin e ferrin, këngët shpirtërore zezake, dramat e Shakespeareit, prologu i Faustit në qiell, maskat malajziase, afresket e vjetra japoneze ose pikturat e disa piktorëve bashkëkohorë - marr këta shembuj të një rendi të veçantë, sepse nga kjo pikëpamje tërë arti është dëshmi unike dhe e njëjtë - sheshazi nuk kanë të bëjnë fare me njeriun e Darwinit, as nuk mund të paramendohen si përshtypje e tij për veten dhe për botën që e rrethon.

Ç’ndjenjë e botës qëndron prapa nocionit “religjioni i shpëtimit”? Ç’do të thotë ky emërtim dramatik? Ç’domethënie mund të ketë drama e një ekzistence që reduktohet në këmbim materie ndërmjet qenies dhe natyrës?

Ç’supozime e parandjenja flejnë në bazën e vizatimeve të Ernst Neizvestnit me temën e Ferrit të Dantes? Pse frika si ndjenjë universale e çdo gjëje që jeton, në qoftë se jeta dhe njeriu u krijuan në gjirin e “nënës natyrë”?

Këto pyetje sakaq pamjen e botës që na ka skicuar shkenca e bëjnë jo të plotë dhe të pamjaftueshme. Në të vërtetë, shkenca madje nuk jep pamje të vërtetë të botës; në vend të saj ofron fotografinë besnike, por pa një dimension të tërë të njëmendësisë.

Për mungesë të këtij dimensioni të tretë, të brendshëm, karakteristik për çdo krijim shkencor, shprehet pafuqia a paaftësia e shkencës të thotë çfarëdo të vërtetë definitive e të plotë për jetën dhe veçanërisht për njeriun. Në analizat e saj prej logjike të hekurt jeta mbetet pa jetë, ndërkaq njeriu pa njerëzoren.

Shkenca mbi njeriun është e mundshme në qoftë se ajo është pjesë e botës së jashtme dhe produkt i tij (në atë masë sa është ai send). Anasjelltas, arti është i mundshëm vetëm në qoftë se njeriu ndryshon nga natyra, nëse është i huaj në të (nëse është personalitet). Pjesa më autentike e artit është histori e këtij mërgimi.

Kështu, rreth çështjes së origjinës e të natyrës së njeriut shkenca dhe arti gjenden në një përleshje të plotë e të pashmangshme. Shkenca vë në pah fakte e të dhëna të panumërta dhe veçanërisht fosilet e mbledhura e të studiuara me kujdes, që imponojnë konkludimin për zhvillimin e shkallëshkallshëm të njeriut nga bota shtazore.

Arti shpalon dëshmitë e veta tronditëse për ardhjen e njeriut nga e panjohura, nga të cilat asnjë zemër njerëzore s’mund të heqë dorë tërësisht. Shkenca mbështetet te sinteza vigane e Darwinit; arti te Michelangelo dhe te karta e tij grandioze në kupën e Kishëzës Sikstina.

Darwini e Michelangelo në këtë mënyrë mishërojnë dy botëkuptime tërësisht të ndryshme për njeriun dhe dy të vërteta kontradiktore për origjinën e tij, të cilat asnjëherë s’do ta mposhtin njëra-tjetrën. I pari mbështetet në një numër të madh faktesh të pakundërshtueshme, i dyti shkruhet në zemrat e të gjithë njerëzve.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:22

Njeriu është tema e vetme për të cilën mund të ekzistojnë njëkohësisht dy të vërteta kontradiktore. Jo vetëm kaq.

Pohimi kontradiktor për njeriun zakonisht i afrohet më së tepërmi të vërtetës.

Pohimi se trupi i njeriut (njeriu si fakt biologjik) ka natyrë shtazore madje dhe origjinë, para se nga Darwini e Lamarcku, rrjedh nga religjioni. Shumë më herët se çdo shkencë religjioni mësonte se brenda njeriut endet shtaza. Ndryshimi qëndron vetëm tek radiusi i këtij pohimi.

Sipas shkencës, njeriu është vetëm shtazë inteligjente. Sipas religjionit, njeriu është shtazë që është personalitet.

“Ashtu siç e njohin specialistët, njeriu është ende larg të bëhet njeri konkret, i vërtetë. Ata tregojnë skemën, të përbërë nga pamjet e tjera skematike, çfarë prodhon teknika e çdonjërës nga shkencat. Në të njëjtën kohë njeriu është kufoma nën briskun e anatomit, vetëdija që studiohet nga psikologu; pastaj ai personalitet që në brendinë e vet e ndien çdo njeri dhe e njeh sa herë që shikon përbrenda.

Ai është send kimik prej të cilit krijohen indet dhe lëngjet e trupit; ajo bashkësi e habitshme e qelive dhe e lëngjeve ushqyese, ligjet organike të së cilës i studion fiziologu; ajo gjë e sajuar nga indet dhe vetëdija, të cilën higjienisti dhe edukatori synojnë ta shpiejnë deri në shkallën më të lartë të zhvillimit brenda kuadrit të determinuar të tij.

Ai është homo oeconomicus që detyrohet të shpenzojë pandërprerë të mirat, në mënyrë që gjërat, rob i të cilave është, të mund të punojnë edhe më tej. Nga ana tjetër, ai është njëkohësisht poet, hero, shenjt.

Jo vetëm që është qenie shumëfish e ndërlikuar që habit, e nënshtruar analizave të teknikave shkencore, por është edhe mishërim i vullnetit, meditimit e i synimit të tërë njerëzimit” (Alexis Carrel, Man-the-Unknown).

Vërejmë se nocioni njerëzor në mendjen e njeriut ka domethënie të dyfishtë, gati kundërshtore. “Njerëz jemi” - do të thotë: jemi mëkatarë, të dobët, truporë, “Të jemi njerëz” - apeli që duhet të na përkujtojë se jemi diçka më tepër, se kemi ca detyrime më të larta, të sillemi pa egoizëm, njerëzishëm. “Ti ke ndërmend njerëzoren” - e qorton Isai Pjetrin duke ia kundërvënë hyjnoren njerëzores.

Njerëzorja, e njerëzishmja, humaniteti - rrjedh nga fjala Njeri dhe do të thotë më tepër, do të thotë synim moral. Ky kuptim i dyfishtë i nocioneve, lidhur njësoj me emrin e njeriut, është pasojë e natyrës dyfishe të njeriut, nga të cilat njëra ka prejardhjen nga dheu, kurse tjetra “nga qielli”.

Materialistët gjithnjë do të vënë në pah aspektin e jashtëm të gjërave dhe qëndrimet e shkencës do t’i shndërrojnë në mohim të shpirtit njerëzor.

“Prandaj, dora s’është vetëm organ pune - shkruan Engelsi - por edhe produkt i saj. Vetëm me punë, duke iu përshtatur veprimeve gjithnjë e më të reja, duke trashëguar në këtë mënyrë formimin e fituar të muskujve, tetivës dhe gjatë një periudhe më të gjatë edhe të eshtrave dhe me përtërirjen e vazhdueshme të atyre stërhollimeve në veprime të reja, gjithnjë e më të ndërlikuara, dora e njeriut arriti atë shkallë të lartë përsosmërie në të cilën mundi të bëjë pikturat e Rafaelit, statujat e Thorvaldsenit dhe muzikën e Paganinit...” (Engels, Roli i punës në zhvillimin e njeriut).

Çështja për të cilën flet Engelsi i përket vazhdimit të zhvillimit biologjik, jo atij human (shpirtëror), ndërkaq pikturimi s’është proces teknik, por akt shpirtëror, Pikturat e Rafaelit s’i ka krijuar dora e Rafaelit, por shpirti i Rafaelit.

(Beethoveni veprat më të mira i krijoi kur ishte fare shurdh.) Zhvillimi biologjik, as i zgjatur gjer në paskajshmëri, pa ndërmjetësimin e ndonjë të treteje, vetvetiu nuk mund të arrijë, jo te pikturat e Rafaelit, po as te vizatimet më të thjeshta të piktorit parahistorik në shpellat e Saharës. Fjala është për dy drejtime të ndara e të ndryshme ose për dy aspekte të ndara të ekzistencës së njeriut.

Njeriu nuk mund të reduktohet në biologji, siç nuk mund të reduktohet piktura artistike në sasi të caktuar ngjyrash nga të cilat është sajuar, ose poezia në sintaksën e tekstit të saj.

S’ka fjalë se një xhami është ndërtuar nga kaq e kaq blloqe të gurta të formës së caktuar në një rend të caktuar, nga sasia e caktuar e llaçit, lëndës etj. por kjo s’është e vërteta për xhaminë. Të dhënat për xhaminë nuk shterojnë nocionin e xhamisë.

Sepse, çfarë do të ishte dallimi ndërmjet saj dhe kazermës ushtarake? Mund të shkruajmë analizë jashtëzakonisht shkencore e të saktë gramatikore, gjuhësore e drejtshkrimore të një poemeje të Goethes, ndërkaq esencën e saj nuk e prekim fare. Njësoj si dallimi ndërmjet fjalorit të një gjuhe dhe poezisë po në atë gjuhë. Fjalori është i saktë, por pa kuptim.

Poezia ka kuptimin dhe esencën e vet të paarritshme. Në mënyrë të njëjtë fosilet, antropologjia, morfologjia, fiziologjia, nuk flasin për njeriun, përveç në e marrshim parasysh anën e tij të jashtme, të rastësishme, mekanike, të pakuptim.

Në këtë shembull njeriu është pikturë, tempull, poemë dhe jo lëndë nga e cila janë bërë të gjitha këto. Njeriu është më shumë se nga ç’mund të flasin për të të gjitha shkencat bashkë.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:24

IDEALIZMI FILLESTAR

1.Njeriut më të pazhvilluar, njeriut primitiv, sipas logjikës së evolucionit, është dashur t’i paraprijë tipi më i zhvilluar i shtazës. Mirëpo, po t’i krahasojmë këta dy anëtarë fqinj të zhvillimit, s’mund t’i shmangemi dyshimit se është fjala për një dallim esencial, të pakalueshëm.

Në një anë shohim kope shtazësh që lëvizin për të kërkuar ushqim, që luftojnë për ekzistencë ose për të shfarosur njëra-tjetrën. Në anën tjetër, mbase në pyllin e njëjtë, shohim njeriun primitiv, të hutuar e të ngatërruar me ndalesat e besimet e çuditshme të tij, ose të preokupuar me lojërat e pazakonshme e të pakuptueshme të tij, me misteret e simbolet.

Në këtë pamje këto janë dy krijesa tërësisht të ndryshme dhe s’mund të merret me mend se i dallon vetëm një distancë, e vogël a e madhe qoftë, në evolucionin e botës së gjallë.Parimi i ekzistencës shtazore është efikasiteti, dobia, utilitariteti. Parimi i ekzistencës së njeriut - në qoftë se është njeri - s’është i këtillë. Shtaza është e natyrshme.

Njeriu është i mbinatyrshëm, iracional, i pakuptueshëm, i pabesueshëm, madje racionalisht i pamundshëm. Në mos qoftë i tillë, ai s’ekziston, së paku jo si njeri. Njeriu ekziston për aq, për sa i kundërvihet rrjedhës së përgjithshme të botës, mekanizmit gjithpërfshirës të hiçit e të paqenies.

Themi: njeriu ka evoluar, por kjo është vetëm historia e tij e jashtme, e vdekshme. Mirëpo njeriu është edhe i krijuar. Në një çast, në mënyrë të pashpjegueshme është bërë i vetëdijshëm se jo vetëm që nuk është shtazë, por kuptimin e jetës e ka gjetur duke mohuar shtazoren në vete. Nëse është njeriu fëmijë i natyrës, si u bë që në një moment u gjend faqe saj dhe kundër saj?

Të zhvillojmë inteligjencën e tij, të trashëguar që nga stërgjyshërit e vet shtazorë, deri në shkallën më të lartë - nevojat vetëm do t’i shtohen edhe për nga numri, edhe për nga vëllimi. Asnjëra nuk do t’i zvogëlohet a t’i shuhet. Plotësimi i atyre nevojave do të bëhet vetëm në mënyrë më inteligjente, më të sigurt, më të organizuar.

Plotësimi i tyre, që në fazën primitive varej nga rasti, do të zhvillohet në një ekonomi planifikimi të një niveli të lartë në shoqërinë e civilizuar. Por nga mendja s’do të rrjedhë asnjëherë mendimi për heqjen dorë nga jetesa, për flakjen e dëshirave, për flijimin për “të mirën e të tjerëve”, ose për zvogëlimin e intensitetit të jetesës fizike në përgjithësi.

Shtaza ka instinktet që janë shembull i mrekullueshëm i parimit të efikasitetit e të përshtatjes. Njeriu ka tiparet morale dhe etike joutilitare.Shtazët kanë të zhvilluar në mënyrë të theksuar ndjenjën për kohë dhe në shumë raste janë më të sakta se njerëzit.

Kështu gargujt pushojnë së ushqyeri një orë para perëndimit të diellit, krabat futen brenda vrimave të veta përherë disa minuta para baticës, duke mbyllur hyrjen me lym. Valët e ujit asnjëherë s’do t’i gjejnë jashtë vrimave. Bletët me saktësi të çuditshme organizojnë ditën e vet.

Shumica e luleve nuk ofrojnë vazhdimisht sasitë e nevojshme të nektarit, përveç se në orët e caktuara të ditës. Bletët mbledhin mjaltë në kohën më të volitshme dhe drejtohen në vendet më të mira.

Me këtë rast shfrytëzojnë shenja të ndryshme në tokë dhe orientohen me pozitën e Diellit. Kur Dielli fshihet prapa resh, ato udhëhiqen nga drita qiellore e polarizuar etj. Të gjitha këto aftësi janë “nga kjo botë”. Ato mundësojnë, ndihmojnë a mbështetin aftësinë e llojit për të ekzistuar.

Përkundrazi, parimet morale - si në shoqërinë primitive, ashtu edhe në të civilizuarën - zvogëlojnë efikasitetin e njeriut gjatë garës së përgjithshme të cilën krijesat ia kanë imponuar njëra-tjetrës. I ngarkuar nga përfillja e moralit, njeriu ka mundur të mbetet gjallë vetëm në saje të shkallës tejet më të lartë të intelektit kundruall llojeve që i kishte konkurrentë të drejtpërdrejtë.

Po të supozohet shkalla e njëjtë e intelektit, lloji shtazor me “paragjykime morale” do të zhdukej shumë shpejt. Këtë “defekt fuqie”, për të cilin i detyrohet etikës së vet, njeriu e kompensoi me shkallë të pakrahasueshme më të lartë intelekti dhe me aftësitë e tjera paralele me të.

Mirëpo, intelekti s’ka origjinë humane, por zoologjike. “Të hapim përmbledhjen e anekdotave për intelektin shtazor. Do të shohim se pranë shumë akteve që mund të shpjegohen me imitim a me ndërlidhjen automatike të imazheve ka dhe të atilla të cilat nuk do të ngurrojmë asnjë çast për t’i shënuar si inteligjente.

Në radhë të parë këtu bëjnë pjesë rastet ku vërehet njëfarë ideje e përpunimit, qoftë kur shtazët i bëjnë vetes ndonjë mjet të ashpër,qoftë kur përdorin objektet që janë vepër e njeriut. Shtazët që nga aspekti i intelektit vijnë në radhë menjëherë pas njeriut, majmunët, elefantët etj., janë pikërisht ato që, sipas rastit, dinë të shërbehen me ndonjë mjet artificial. Nën këto, dhelpra p.sh. e di fort mirë kurthin se është kurth...”(H. Bergson, Evolucioni krijues).

Shimpanzeja shërbehet me shkop për të kapur bananën, ariu përdor gurin. Për marrjen e dhënien e informatave me përmbajtje tek bletët, patat dhe majmunët në formë “bisedeje” a pantomime është mbledhur material i madh (punimet e zoologut gjerman Frisch, prof. Lorencit dhe të profesorit moskovit I.N. Zinkin).

Për intelektin dhe shkathtësinë e shtazëve dhe përdorimin e objekteve që kanë përreth vëzhgime me interes ka mbledhur dr. Bler, drejtori shumëvjeçar i kopshtit zoologjik njujorkas. Konkludimi i tij i përgjithshëm është: të gjitha shtazët mendojnë.

Madje edhe gjuha i përket anës natyrore, zoologjike të njeriut, jo njerëzores. Në rudiment atë e hasim te bota shtazore. U pa se linguistika përkundër muzikës ose artit në përgjithësi - u nënshtrohet hulumtimeve të rrepta shkencore, sistematizimit, madje edhe aplikimit të metodave matematikore. Kjo e fundit i jep karakteristikën e qartë të shkencës, ndërkaq objekt i shkencës mund të jetë vetëm diçka e jashtme.

Ka analogji të qartë ndërmjet natyrës dhe intelektit, në një anë dhe ndërmjet intelektit e gjuhës, në anën tjetër. Sa janë “krijuar reciprokisht” materia e intelekti, po aq janë krijuar dhe vijojnë të krijohen intelekti e gjuha në një ndërlidhje e bashkëveprim të ndërsjellë. “Gjuha është dora e trurit”, kurse “funksioni i trurit është që ta kufizojë jetën tonë shpirtërore me atë që është e dobishme në praktikë” (Bergson).

Marrë në përgjithësi, asgjë te njeriu nuk ekziston që në një formë e shkallë a në një tjetër nuk do të hasej tek llojet e larta shtazore: kurrizorët e insektet. Bëjnë këtu pjesë lëvizshmëria, vetëdija, shoqërimi, intelekti, komunikimi, plotësimi i nevojave, një lloj ekonomie e të ngjashme.

Me këtë anë njeriu është sheshazi i lidhur për botën shtazore dhe rrënjët i ka atje.

Mirëpo, në tërë botën shtazore nuk gjendet qoftë edhe një gjurmë që na përkujton a aludon religjionin e njeriut ose ndalesat morale, me të cilat jeta e njeriut parahistorik si dhe e atij civilizues është e mbushur përplot. Jeta e shtazëve, deri në momentin kur u shfaq njeriu, na duket fare e natyrshme, e kuptueshme dhe e ligjshme në krahasim me jetën e njeriut të egër, të ngatërruar me kujdesje të çuditshme dhe të pushtuar nga besimet dhe veprimet e pakuptueshme.

Kur shtaza vete në gjueti, ajo është plotësisht logjike dhe racionale. Literatura e vëllimshme e bërë nga vështrimet e jetës së majmunit, kastorit ose të maces, na ofron mori shembujsh që tregojnë se si shtaza zbaton ecuri fare të përshtatshme për ta arritur qëllimin.

Asnjë rast i vetëm nuk dëshmon se shtaza heq dorë nga mundësia që i jipet, ose për ekzistimin e ca “paragjykimeve” që i ka vetëm njeriu. Heminopterët e pazhvilluar - bletët, me kolektiv të organizuar për mrekulli, sillen në mënyrën më johumane ndaj punëtores së rraskapitur ose ndaj matkës së moshuar: ato, thjesht, dëbohen nga kosherja.

S’mund të gjendet shembull tjetër si ky i bletës ku rendi dhe sensi për jetë të bashkuar të qëndrojë krahas mungesës së gjithë asaj që e quajmë humane: mbrojtja e të pafuqishmit dhe e të dobëtit, e drejta për jetë, mirënjohja, falënderimi, kujdesi.

Duke medituar për jetën e këtyre krijesave, disa nga mrekullimi, disa nga tmerrimi (varet nga pikëvështrimi i zgjedhur), do të theksojnë “disiplinën e tyre të paepur, harmonizimin e individit me funksionet shoqërore, sistemimin e pandryshueshëm të tyre dhe saktësinë e verbët e të pamëshirshme që i karakterizon...”

E udhëhequr nga instinkti dhe e drejtuar nga një cak i qartë - ruajtja e jetës, shtaza është, prandaj, logjike dhe e kuptueshme. Por ç’bën njeriu primitiv? “Para marrjes së ndonjë ekspedite, gjahtarët, dendur edhe familjet e tyre, duhet t’u nënshtrohen tabuve të shumtë, agjërimeve, lutjeve, të bëjnë valle të caktuara, të shohin ëndrra të caktuara, të vëzhgojnë parashenja të caktuara.

Kur bisha mund të gjuhet, sakaq duhet bërë disa veprime të tjera rituale. Edhe gratë në shtëpi u nënshtrohen shumë ndalesave. Nëse s’u përmbahen, suksesi i gjuetisë s’është i sigurt, madje as jeta e burrave të tyre” (Lucien Henri, Origjina e religjionit).

Për shtazën gjërat janë ashtu siç janë. Kurse njeriu sakaq krijoi (a fitoi) botën e vet imagjinare dhe i besoi më shumë se kësaj të ashtuquajturës reale. Zakonisht shtaza është gjahtar i shkëlqyeshëm. Njeriu i egër gjithashtu, dhe këtu s’ka ndonjë ndryshim esencial.

Por njeriu primitiv ishte edhe krijues i palodhshëm edhe “prodhues” i kulteve, miteve, besëtytnive, lojërave e idhujve. Njeriu vazhdimisht ka kërkuar edhe një botë, autentike ose imagjinare. Është tashmë e besueshme se para nisjes për gjueti njerëzit primitivë kanë pikturuar shtazët që dëshironin t’i gjuanin, duke qenë të bindur se kjo gjë do t’u ndihmojë gjatë gjuetisë (magjia e gjahut).

Përderisa njeriu lutej a pikturonte(!) për sukses të gjahut, shtaza vepronte “logjikisht”, i vinte rreth e rrotull terrenit, përgjonte ose qetë-qetë i shkonte pas viktimës.

Pranimi i djaloshit, gjahtarit të ardhshëm - sipas Hubertit e Maussit - kalonte nëpër një varg ceremonish të ndërlikuara. Ata përshkruajnë ritet që përbëhen nga tri faza: riti i pastrimit, riti i shugurimit dhe riti i përfshirjes.

Që në shikim të parë është e qartë se edhe pa këto rite njeriu - përndryshe si edhe shtaza - do të bëhej gjahtar i përkryer dhe se ritet nuk kanë ndonjë lidhje me gjahun. Çështja është më e thellë dhe më e rëndësishme. Sidoqoftë, do theksuar anën jofunksionale të këtyre riteve, që përjashtojnë çdo shpjegim ekonomik të këtyre fenomeneve dhe të tjerave si këto.

Në veprën monumentale Dega e artë J. Frazer dëfton faktin se në vetëdijën primitive njerëzore bashkë me idenë e të mbjellave u mpleks në mënyrë të pandarë e të pashpjegueshme mendimi i flijimit të njeriut. Për këtë gjë H.G. Wels shkruan: “Ishte ky një gërshetim i trurit fëmijëror, ëndërrimtar, primitiv, i prirë nga përrallat dhe asnjë meditim logjik s’do ta shpjegonte dot.

Në botën e para 10.000 viteve, sa herë që bëheshin të mbjellat, njerëzit flijoheshin. Nuk flijoheshin personat e këqij a të dështuar, përkundrazi, flia zakonisht ishte djali a vajza e zgjedhur, ndaj të cilëve silleshin me konsideratë e nderim të thellë...

Ky flijim njerëzor ose qoftë ndonjë gjurmë e tij shfaqet gjithandej nga depërtoi njeriu dhe nga kaloi nëpër fazat fillestare të bujqësisë”... Dhe pak më tej: “Gjahtari i rrenave (autori e ka fjalën për njeriun e paleolitit - v. imja), pa dyshim ishte gjahtar i pamëshirshëm, një krijesë luftarake dhe e pasionuar; por ai vriste për shkaqe që mund t’i marrim me mend ende.

Njeriu i neolitit, (ndërkaq, nën ndikimin e ligjërimit dhe të rrjedhës së trazuar të mendimeve, vriste sipas teorisë, vriste për ide monstruoze dhe tash të pashpjegueshme, vriste ata që i donte dhe madje nga frika e sipas udhëzimeve”.

G. Flaubert në Salambo përshkruan skenat e flijimit në të cilat kartagjenasit, tek luten për shi, në gurmazin e skuqur nga zjarri të perëndisë Moloh gjuajnë madje edhe fëmijët e vet. Nën mbresën e këtyre pamjeve njeriu do të përfundonte se atëbotë njerëzit ishin shtazë dhe kjo është tërësisht e gabueshme.

Shtazët asnjëherë nuk bëjnë diç të ngjashme dhe as që mund të gjendet në jetën shtazore ndonjë dukuri që do të mund të krahasohej me shembullin e një flie të tillë të përtej arsyes. Mund të tingëllojë si paradoksale, mirëpo rasti për të cilin po bëhet fjalë është tipik njerëzor.

Fjala është për odiseadat dhe vuajtjet e njerëzve, që në një mënyrë a në një tjetër paraqiten gjer në ditët e sotme, për një dramë të njerëzimit në të cilën popujt dhe individët bëjnë marrëzira të udhëhequr, jo nga instinktet shtazore, por nga lajthitjet e pafundshme njerëzore.

Flia ka ekzistuar në të gjitha religjionet, pa përjashtim. Kurse natyra e flisë ka mbetur e pashpjegueshme, madje absurde. Flia është fakt i rendit “të dytë”, i asaj bote. Te religjionet primitive ajo ndonjëherë merrte forma të tmerrshme.

Flia e këtillë shënon kufirin gjer në qartësi tragjike të përforcuar, konkret e të fuqishëm ndërmjet epokës zoologjike e njerëzore, shfaqjen e një parimi tërësisht të kundërt me parimin e interesit, nevojave, dëshirave. Ajo është rrugëtim tregues i udhës së zhvillimit, ku fillon bota e njeriut.

Sepse interesi është zoologjik, flia është njerëzore. Interesi do të bëhet njëri ndër nocionet elementare të politikës ose të ekonomisë politike, kurse flia një nga konceptet elementare të religjionit dhe etikës.

Çmenduria e njeriut primitiv ndonjëherë merrte trajta të pabesueshme: “Njëra nga dukuritë e çuditshme që u zhvillua në paleolitin e vonë dhe në neolit ishte gjymtimi i trupit. Njerëzit filluan të prejnë trupin e vet, duke hequr hundën, veshët, gishtat, dhëmbët e të ngj. dhe këtyre akteve u veshnin mendime të llojllojshme të besëtyta...” “Asnjë shtazë nuk bën diçka të tillë” - konkludon H.G. Eels.

Sa për krahasim do përkujtuar veprimin e dhelprës që, për të shpëtuar nga hekuri, këput me dhëmbë këmbën e vet, që është akt plotësisht racional. Gjymtimi i pakuptim i trupit të njeriut të parë për shtazën është fare i huaj dhe i panjohur.

Mund të përfundonim se jemi ballafaquar me një dukuri që paraqet anomalinë e evolucionit ose një diskontinuitet të papritur të zhvillimit. Përnjëherësh duket se evolucioni merr së prapthi dhe se paraqitja e “shtazës me paragjykime idealiste” rrezikon drejtpërdrejt progresin e mëtejm.

Këtë fenomen, që është shprehje e një hamendjeje në vetë kulmin e evolucionit dhe që lë përshtypjen se në një çast zoologjikja dominon mbi njerëzoren, e quaj “kompleksi i njeriut të egër”.

Sado të tingëllojë në mënyrë të jashtëzakonshme, ky “kompleks” është shprehje e asaj esencës së re që është veçanërisht njerëzore dhe që është burim i të gjithë religjionit, poezisë, filozofisë dhe artit. Ky fenomen është i rëndësishëm, sepse thekson origjinalitetin e dukurisë së njeriut dhe paradokset e çuditshme që ndërlidhen me të.

Faktet e ekspozuara do të na impononin përfundimin se shtaza kishte më tepër kushte të bëhet bartëse e zhvillimit të mëtejmë dhe se njeriu primitiv, me sy në qiell dhe me detyrimet morale ngatërruar, i kishte të gjitha kushtet të zhdukej.

Kjo përshtypje thuaja e pashmangshme e dominimit të zoologjikes mbi njerëzoren tek agu i epokës së njeriut do të shfaqet në historinë e mëvonshme në trajtën e apelit për të shkelë idealizmin në emër të progresit.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:29

Në kohën e largët, kur njeriu emancipohej nga bota shtazore, dallimet e jashtme (ecja e drejtuar, zhvillimi i duarve, ligjërimi dhe intelekti) për një kohë të gjatë do të ishin tejet të vogla e të pahetueshme.

Kur ndonjë krijesë do ta vazhdonte dorën e vet për të kapur farë fruti nga druri, ose duke lëshuar ca zëra do t’ua bënte të njohur ndonjë risi atyre që i ngjanin, kjo krijesë, që njëkohësisht i ngjante edhe majmunit edhe njeriut, nuk do të dallohej me siguri ç’ishte: njeri apo shtazë. Mirëpo, prania e ndonjë kulti a ndalese do të hiqte gjithnjë çdo dyshim në këtë rast.

Shtaza “ka pritur” të bëhet njeri që të fillojë të lutet. Dallimi vendimtar ndërmjet njeriut dhe shtazës prandaj s’është fizik e intelektual. Ai së pari është dallim shpirtëror dhe manifestohet me ekzistimin e vetëdijes pak a shumë të qartë religjioze, etike e estetike.

Nga ky pikëvështrim datat vendimtare të shfaqjes së njeriut nuk janë ecja e drejtuar, zhvillimi i dorës, fillimi i ligjërimit të artikulluar, ashtu siç i sheh shkenca, porse paraqitja e kultit të parë, pikturës, ndalimit.

Njeriu i egër, që para 15.000 vjetësh kënaqej duke kundruar lulet a profilet e shtazëve, dhe pastaj i pikturonte në muret e shpellës së vet ishte, nga kjo pikëpamje, më afër njeriut të vërtetë (më larg shtazës) sesa epikuriani i sotëm që jeton për të plotësuar nevojat e veta fizike dhe që përditë shpik të tjera, sesa qytetari mesatar i metropolit bashkëkohor, që jeton i vetmuar brenda monstrumeve nga betoni, i zhveshur nga përjetimet dhe ndjenjat elementare estetike.

Në veprën Ligji fillestar Atkinsoni dëshmon se ndalime të ndryshme primitive hasen ndër njerëzit e egër gjithkah nëpër botë. Nevoja e përhershme “për t’u pastruar nga e liga” dhe ideja për diç të ndaluar, për gjërat që s’guxohet të preken a madje as të shikohen, ndeshet gjithandej tek kemi pasur rastin të marrim çfarëdo lajmi për jetën e njeriut primitiv.

Ideja tjetër universale që sundonte mendjen e njerëzve primitivë ishte ideja e papastërtisë, e mallkimit. Në këtë mënyrë qenë krijuar seri të tëra ndalimesh që u përgjigjeshin veç e veç lëmenjve të jetës primitive.

Meqë u paraqit ligjërimi, këto ndalime morën emërtim të përbashkët “tabu” që do të thoshte “s’vlen”, “s’është e lëvdueshme” - ndalohet. “Tabuja” është nocion i ndalimit me karakter etik tek njerëzimi i hershëm.

Prandaj njeriu nuk sillet si fëmijë i natyrës, veç si i huaj në të. Ndjenja elementare e tij është frika. Por kjo s’është frikë biologjike çfarë ndiejnë të gjitha shtazët. Kjo është frikë shpirtërore, kozmike, e zanafillës, që ka lidhje me fshehtësitë dhe enigmat e ekzistencës.

Ekzistencialisti gjerman M. Heidegger e trajton për “përcaktueshmëri të amshuar, përtej kohës, të ekzistencës njerëzore”. Kjo është frikë ku përzihen kërshëria, çuditja, mrekullimi, pakënaqësia - ndjenjat që mbase gjenden në themel të tërë artit e të kulturës sonë.

Vetëm me një raport të këtillë të njeriut primitiv ndaj botës është e mundshme të shpjegohet dukuria e ndalimeve dhe nocionet fillestare “të papastërtisë” dhe të madhërishmes, “të mallkimit” e të shenjtës.

Sepse, nëse qenkemi fëmijë të kësaj bote, në të për ne s’mund të ketë asgjë të shenjtë, as “të papastër”. Nocionet e këtilla kundërshtohen me natyrën e kësaj bote, çfarë e njohim ne.

Ato, përkundrazi, dëshmojnë për një origjinë tjetër tonën për të cilën s’mund të ekzistojë asnjë “kujtesë”, mirëpo reaksioni ynë “joadekuat” ndaj botës së jashtme, të cilin e shprehim përmes artit e religjionit, është mohim i vizionit darvinist e shkencor në tërësi për njeriun.

Përse njeriu primitiv çdokund dhe çdoherë që ndeshej me botën reagonte përmes religjionit? Përse përmes tij gjithkah shprehte frikën, ankthin, zhgënjimin? Përse kërkonte “shpëtim” dhe nga çka kërkonte shpëtim?

Kjo anë e njeriut për të cilën u fol, ky kryqëzim ndërmjet mirësisë e ligësisë, ndjenjës se është i mbaruar, dilemës së amshuar për interesin dhe ndërgjegjen, për të mirën e të keqen, kuptimin dhe pakuptimësinë e ekzistencës, imperativi moral nga i cili njeriu është “infektuar” që të mos shërohet, mbeten pa shpjegime racionale. Sheshazi, njeriu i Darwinit nuk ka reaguar darvinisht në botën, pjesë e së cilës është.

As te tipi më i zhvilluar i shtazës nuk gjendet as edhe një gjurmë sado e vogël për të na përkujtuar nocion të ngjashëm ose çfarëdo dileme tjetër të ngjashme a kufizim. Ky idealizëm fillestar me nocionet për të ndaluarën, të mallkuarën, tabunë, me nocionin e “fshehtësisë”, paraqitet gjithkah, pa përjashtim, si pjesë përbërëse e vetëdijës paranjerëzore.

Kudo u shfaq njeriu, bashkë me të u shfaqen edhe religjioni e arti. Shkenca, përkundrazi, është fenomen relativisht i ri. Njeriu, religjioni, arti - këto tri gjëra kanë shkuar gjithnjë bashkë. Këtij fenomeni, që mbase përmban përgjigje të disa pyetjeve vendimtare për ekzistencën e njeriut, nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme.

Nga aspekti i materializmit, historia e njerëzimit doemos do të ketë pamjen e procesit të laikizimit progresiv (p.sh. kështu shkruan Reinach në veprën Kultet, mitet dhe religjionet).

Mirëpo askush asnjëherë nuk ka shpjeguar në mënyrë të kënaqshme se përse jeta e njeriut primitiv gjithkund dhe gjithnjë ishte përplot me kulte, mistere, ndalime e besime. Përse çdogjëje, yllit, gurit, lumit, kërkonte t’i jipte jetë e ta personalizojë? Përse e shihte botën pikërisht në atë mënyrë dhe jo ndryshe?

Dhe anasjelltas, përse njeriu i civilizuar objektivizon çdo gjë, depersonalizon dhe e redukton në mekaniken e në inorganiken? Ka mijëra vite që synojmë të lirohemi nga këto ankthe të njeriut primitiv, por pa e njohur natyrën dhe origjinën e tyre.

Ky fenomen i jetesës së brendshme ose i shikimit në qiell, me admirim a frikë - njësoj, që e karakterizon njeriun po aq sa është i huaj për çdo shtazë, mbetet pa shpjegim logjik dhe duket sikur tamam thënë “ka rënë nga qielli”.

Meqë s’është fryt i zhvillimit, esencialisht ai ngel jashtë ndikimit të evolucionit. Duke studiuar vizatimet e shpellave të neandertalit në Francë, shkencëtari frëng Henri Simle përfundonte se jeta psikike e njerëzve të shpellave ka ndryshuar fare pak nga jeta psikike e njeriut të sotëm.

“Edhe njerëzit e shpellës të 70.000 viteve p.e.r. vuanin nga “marramendja metafizike”; nga sëmundja e njeriut të sotëm” - deklaroi Simlè në Kongresin e Arkeologëve, Nicë, 1976. Duket sheshazi se kjo gjë s’është vazhdim i evolucionit biologjik, porse akt më i largët i dramës që filloi me “prologun në qiell”.

Gjatë historisë zoologjike, që i paraprin paraqitjes së njeriut, asgjë nuk ka që do të paralajmëronte a parandiente, në çfarëdo mënyre qoftë, shfaqjen e kultit dhe këtë etikë primitive. Edhe duke e vazhduar në imagjinatë atë zhvillim për shumë shekuj përpara gjer te çfarëdo çasti i dëshiruar, nocioni i tabus ose i kultit mund të pritet më së paku.

Shtaza dhe zhvillimi i saj që tashmë është bërë ose që mund të merret me mend, nuk ka drejtimin e iracionales e të mbinatyrshmes. Ai ka drejtimin e përsosjes fizike dhe të intelektit dhe më tej kah mbiintelekti e mbishtaza, kah “mbinjeriu” i Nietzsches, i cili, në të vërtetë, është vetëm shtazë e përsosur.

Vizioni i Nietzsches është frymëzuar nga Darwini. Evolucioni, në themel zoologjik dhe i jashtëm, është vazhduar më tej, përtej njeriut. Por ky zhvillim është i thjeshtë, logjik, reduktiv, sepse mbetet brenda kufijve të natyrës.

Mbishtaza është rezultat i “procesit”, së këndejmi ajo është krijesë pa jetesë të brendshme, pa dramë, pa formë, pa burrëri; ajo s’është homo por Homunkulus, krijesë nga epruveta, që doktor Fausti e prodhoi në laboratorin e vet, kurse natyra, sipas procesit të ngjashëm veçse më të zgjatur, në laboratorin e saj.

Mendoj se poeti sovjetik A. Voznesenski ka pasur parasysh të njëjtat fakte, ose të njëjtën rrjedhë mendimi, kur përfundonte: “Kompjuterët e së ardhmes teorikisht do të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka që bën njeriu. Gjithçka përveç dy gjërave: s’do të mund të jenë religjiozë dhe të shkruajnë poezi.”
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:30

Ashtu siç s’e njohin nocionin e shenjtes a të palejueshmes, shtazët s’e njohin as të bukurën, as përjetimin estetik në kuptimin njerëzor të fjalës.

Mendimi i disave se majmunët mund të pikturojnë, i bazuar në ca “vizatime” të këtyre shtazëve, doli plotësisht i pabazë.

Është dëshmuar se majmunët mund të imitojnë goxha me sukses njeriun që vizaton. I ashtuquajturi “art majmunësh”; me të cilin një kohë disa bënë bujë, është e qartë se nuk ekziston. Përkundër kësaj, sot dihet me siguri se njerëzit e Kromanjonit, njerëzit e parë të njëmendtë, vizatonin dhe bënin gravurë.

Vizatime të tilla janë gjetur në muret e shpellave, në eshtra e brirë. Si rezultat i frymëzimit estetik të njeriut primitiv u krijuan pikturat nëpër shpellat e Saharës, Spanjës (Altamira), në Francë (shpella Lascaut) dhe zbuluar së voni në Poloni (Mashicka).

Konsiderohet se disa nga këto piktura janë të vjetra gjer 30.000 vjet. Një grup arkeologësh sovjetikë së voni zbuloi pranë qytetit Çernigev (Ukrainë) një komplet instrumentesh prej eshtrash të mamutit, afro 20.000 vjet të vjetër.

Zbukurimi është më i vjetër se veshja, synimi për të bukurën është më i fortë se nevoja, funksioni vetë, dhe ky fakt vërehet në veshje që nga parahistoria gjer më sot. Kostumi s’është identik me veshjen. Ai është njëkohësisht një kohë dhe një qëndrim.

Veshjet e disa popujve, me një larmi të jashtëzakonshme, s’janë përgjigje vetëm e nevojave të ditës, ose e kushteve të rrethit. Veshja në një çast bëhet pikturë, thuaja poezi. Lëkura apo pendët e shpezës mund të jenë shumë të bukura, por janë të tilla pa pjesëmarrjen e vet, pra ato s’kumtojnë asgjë.

Në bazë të së bukurës së tillë, të shkëlqimit e ngjyrave, do të gjendet gjithnjë ndonjë funksion. Pastaj, nga këngët dhe lojërat shpirtërore që paraqitnin spektakël të vërtetë, është thuaja e pamundshme të ndahet kulti nga arti.

Fytyra e parë e thadruar në gur është idhulli. Frymëzimi religjioz, i orientuar gabimisht, krijoi ato figura të bukura perëndish nga guri dhe maskat e gjetura në ishujt e Oqeanisë, në Bregun e Fildishtë dhe në Meksikë, të cilat sot merren si shembuj të artit me impresion të pastër e të drejtpërdrejtë.

Tërë arti figurativ origjinën e ka te idhulli dhe së këndejmi do shpejguar mosdurimi i Islamit dhe i disa religjioneve më pak personaliste ndaj arteve figurative. Si duket, do kthyer në parahistori, për t’u parë qartë se si arti krijohet nga religjioni, ose mbase se si të dytë, bashkë me etikën primitive, rrjedhin nga një burim i tyre i përbashkët: nga synimi i njeriut drejt një bote të humbur.

Ky dallim nga shtaza mund të vërehet edhe në revoltë, si tek A. Camus. Shtaza nuk revoltohet ndaj fatit të saj shtazor, ajo o është e kënaqur, o është mospërfillëse, ndërkaq njeriu është shtazë revoltuese - “e vetmja shtazë që s’pranon të jetë e tillë” (A. Camus, L`Homme revolté).

Kjo revoltë është tamam njerëzore dhe e gjejmë në shoqëritë shumë të zhvilluara të kamjes, tek ku civilizimi, zoologjik për nga origjina, përpiqet të imponojë standarde johumane të ekzistencës (rendi, depersonalizimi, nivelizimi i përgjithshëm, dresura masive, pushteti i shoqërisë mbi individin etj.).
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:32

Johan Huisinga zbulon edhe një fenomen tjetër: lojën. Luan edhe shtaza, argëtohet, mirëpo vetëm njeriu luan, duke nënkuptuar me këtë gjë një funksion shpirtëror, kryerjen e një nevoje të brendshme.

Loja e shtazëve në themel do të ketë gjithnjë ndonjë funksion biologjik, qoftë kur është fjala për lojë dashurie, për nevojën e zhvillimit të të vegjëlve etj. Loja e shtazës është instinktive dhe funksionale; loja e njeriut është e lirë dhe e painteresuar.

Ajo nënkupton vetëdijen për lojë dhe ngërthen disa tipare, që i japin një kuptim thjesht shpirtëror: serioziteti, solemniteti, “me qëllim të paqëllim”.

Një lloj i veçantë loje, që karakterizohet me karakter të theksuar joutilitar e antizoologjik është potlahu, në të vërtetë një fenomen universal i kulturës primitive. Në veprën tashmë të përmendur, Huisinga i kushton kujdes e hapësirë kësaj dukurie.

Për nga natyra dukshëm joracional e joekonomik, potlahu i përket të njëjtit rend të gjërave ku bëjnë pjesë edhe arti primitiv a etika primitive me ndalimet e veta, tabutë e me nocionet e mirësisë e të ligësisë. E shoh të domosdoshme të sjell disa nga vendet më interesante të librit të Johan Huisingës:

“Baza agaonale e jetës kulturore të komuniteteve më të lashta nuk shpjegohet me asgjë më mirë se me përshkrimin e atij zakonit të fiseve indiane në Kolumbinë Britanike, që njihet në etnologji me emrin potlah.

Në formën e tij më tipike, siç përshkruhet në fisin Kwaikutla, potlahu është kremte e madhe kur njëri nga dy taboret i jep tjetrit dhurata të shumta e të vlefshme duke bërë gjithfarë ceremonish, vetëm e vetëm të dëshmojë epërsinë. Kundërshërbimi i vetëm, ndaj dhe i domosdoshëm, është që ana tjetër brenda një afati ta përsëritë kremten me ç’rast do t’i dalë borxhit me dhurata rivalit.

Ai lloj i dhuratave festive përshkon tërë jetën shoqërore të fiseve që e kultivojnë: kultin e tyre, të drejtën e tyre zakonore, artin e tyre. Lindja, martesa, syneti, vdekja, tatuazhi, ndërtimi i përmendores së përmortshme, të gjitha këto janë shkas për potlah...

Por meqë edhe gjinia tjetër merr pjesë në kremte, tash edhe ajo obligohet të organizojë potlah përmasash edhe më të mëdha... Po iu shmang borxhliu, humb emrin, stemën, totemin, nderin si dhe të drejtat qytetare e religjioze...

Epërsia në potlah nuk dëftohet me dhurata materiale si rëndom, por, ç’është dhe më bindëse, kjo bëhet me shkatërrimin e të mirave të veta materiale, me ç’rast, për vetëmburrje, do të dëshmohej se mund të jetohet edhe pa to...

Veprimi gjithnjë merr formën e garës: po të thyejë kryepari kusinë e vet të remtë, po të kallë grumbullin e mbulesave, po të shkatërrojë varkën e vet, kundërshtari do të jetë i detyruar të dëmtojë së paku të njëjtën vlerë, por është e këshillueshme ta tejkalojë...

Gara të tilla të një dorëlirësie të shfrenuar, që kanë për kulm shkatërrimin e të mirave vetjake materiale pa e prishur gjakun fare, ndeshim nëpër gjurmët, pak a shumë të qarta, anekënd botës. Doket e njëjta Marcel Mauss ia arriti t’i përshkruajë në Malezi, që përputhen tërësisht me potlahun.

Edhe në veprën Essai sur le Don ai dëshmoi se gjurmët e dokeve të ngjashme ekzistonin në kulturën greke, romake e të gjermanëve të vjetër. Gara për të dhuruar e për të thyer Graneti ndesh gjithashtu edhe në traditën kineze”.

“Te paganizmi paraislamik në Arabi i ndeshim nën një emërtim të veçantë, që tregon se ishin bërë thuaja skemë: i quanin Muaqara... Temën që Heldi e përpunon ku me më shumë e ku me më pak saktësi, e kishte prekur edhe Maussi kur shkruante: Mahabharata është histori e një potlahu gjigant...

Lëmi shpirtëror ku zhvillohet ky kremtim madhështor është lëmi i nderit, i dëshmimit, i mburrjes dhe i sfidës. Është fjala për botën e krenarisë kalorsiake dhe të preokupimit me kodin kalorsiak, për botën ku emri dhe stema kanë çmim të lartë, ku kujtohen të parët.

Ajo nuk është bota e brengave të jetës së përditshme, e përpjekjes për të fituar të mira materiale.

Sa e kam të njohur, etnologjia përpiqet ta shpjegojë dukurinë e potlahut kryesisht me parafytyrimet magjike e mitike. Për këtë gjë jep një shembull të shkëlqyer G. W. Locher në veprën The serpent in Kwaikutl Religion (Lajden, 1932)... Doket e potlahut pa dyshim janë ngusht të ndërlidhura me botën religjioze të parafytyrimeve në fisin që i kultivon...

Shoqëria e këtillë do të fisnikërohet me të madhe nga nocionet: nderi i bashkësisë, admirimi i pasurisë e i shpirtmadhësisë, theksimi i dukshëm i miqësisë e i besimit, shpirti garues, sfida, aventura dhe vetëzbukurimi amshues me ç’rast theksohet mospërfillja ndaj të gjitha të mirave materiale.

Sendet që ndërrohen ose që dhurohen s’kanë kurrfarë vlere përdoruese. Dhurohet (flijohet) ndonjë stoli ose objektet që merren për të shenjta dhe që kanë fuqi magjike etj. Pra, levërdia materiale këtu përjashtohet”.

Shkatërrimi i të mirave materiale, mospërfillja ndaj levërdisë dhe materiales, njohja e epërsisë së principit ndaj sendeve - e tërë kjo, qoftë edhe me dyfytyrësi - është cilësi ekskluzivisht njerëzore. Asgjë e ngjashme nuk ndeshet, qoftë edhe si gjurmë, në botën shtazore.

Për një kohë besohej se Darwini kishte dhënë përgjigjen përfundimtare shkencore për njeriun, ashtu siç besohej se Newtoni kishte bërë për gjithësinë. Mirëpo, ashtu si s’i bëri ballë kohës paraqitja mekanike e gjithësisë e Newtonit, sepse nuk i shpjegonte dot ca dukuri, edhe teoria e Darwinit duket se do të “relativizohet” për të njëjtat arsye. Teoria evolucioniste nuk mund të shpjegojë si duhet fazën e parë religjioze të njeriut. Ajo s’mund të jepë shpjegime as për disa fenomene nga faza e civilizimit.

Përse njeriu është gjithnjë më i pakënaqur psikikisht, edhe pse jeton më mirë? Përse kur standardi material rritet, ai “psikologjik” bie?

Përse numri i vetëvrasjeve e i sëmundjeve psikike ka përpjesëtim të drejtë me lartësinë e të ardhurave nacionale dhe arsimimin? Ose: përse burrëria haset më shumë në fillim të evolucionit sesa në fund?

Përse progresi s’është edhe humanizim? Si është e mundshme që arti nga viset e pacivilizuara të botës (p.sh. Oqeania, Afrika) të jetë më i fuqishëm se arti i viseve të ashtuquajtura të kulturuara dhe të ketë ndikim të fortë, pothuaj revolucionar, në këtë të fundit? Etj., etj.

Ja, këto janë pyetjet! Mendja njerëzore që mori njohuritë nga Darwini e Newtoni, e ka vështirë të heqë dorë nga vizionet e tyre të qarta e të pranueshme. Bota e Newtonit ka kontinuitet, logjikë, stabilitet, ashtu siç është edhe njeriu i Darwinit - i natyrshëm, i thjeshtë, i parashikueshëm: ai lufton për ekzistencë; ai plotëson nevojat e veta dhe synon një botë njëtrajtësorë e funksionale.

Mirëpo Einsteini rrënoi iluzionin e Newtonit, ndërkaq tani e bënë këtë gjë këtu filozofia pesimiste dhe mossuksesi i civilizimit. Njeriu është i paparashikueshëm, i pashpjegueshëm, i pakënaqur, i përshkuar nga dyshimet e frika, “i lakuar”, siç do të thoshte Einsteini.

Duke qenë një kohë të gjatë nën ndikimin e vizionit drejtvizor darvinist, filozofia mbi njeriun pret të bëjë kthesë, pret “ndryshimin einsteinian”. Botëkuptimi i ri për njeriun do të rrinte në raport ndaj atij darvinist, sikur gjithësia e Einsteinit ndaj asaj të Newtonit.

Nëse është e vërtetë se vuajtjet na lartësojnë dhe kënaqësitë na topisin, atëherë kjo ndodh ngase kemi shpirt dhe se po për aq ndryshojmë nga paraardhësit tanë shtazorë. S’u bë njeriu sipas Darwinit, as gjithësia sipas Newtonit.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:36

DUALIZMI I BOTËS SË GJALLË

A mund të prodhojmë jetën dhe a do të mundemi ndonjëherë? A është ky pretendim brenda kufijve të mundësisë njerëzore? Përgjigjja është: mundemi, po qe se e kuptojmë? Dhe a mund ta kuptojmë jetën?

Biologjia nuk është shkencë për esencën e jetës, por për fenomenin e jetës, për atë masë për sa na është e dhënë si objekt, për atë masë për sa është prodhim ajo.

I njëjti dualizëm që patëm konstatuar ndërmjet shtazës dhe njeriut ndeshet edhe tash - por për një rreth a shkallë më poshtë - në relacionin materia-jeta.

Në një anë sërish shohim njëtrajtshmërinë, sasinë, përsëritjen, kauzalitetin, mekanizmin, ndërkaq në anën tjetër origjinalitetin, cilësinë, shtimin, spontanitetin, organizmin. Jeta - as mekanikisht, as dialektikisht - nuk tregohet si vazhdim i materies dhe as si formë veçanërisht e ndërlikuar dhe e stërorganizuar e materies.

Sipas disa atributeve të saj, jeta i kundërvihet botëkuptimit dhe njohjes që kemi për materien që në premisa. Ajo shfaq natyrë të kundërt ndaj materies.

Sipas njohurive më të reja të biologëve, entropia është nocion thelbësor i përkufizimit të jetës. Të gjitha ligjshmëritë që sundojnë materien në analizën e fundit reduktohen në entropi, që do të thotë në çorganizimin universal, në rënien e sistemit te shkalla më e ulët e rendit dhe e energjisë.

Anasjelltas, vetia elementare e sistemeve të gjalla, brenda së cilës redukohen të gjitha të tjerat, është kundërvënia ndaj entropisë, gjendja e “antientropisë”, aftësia e tyre që nga e thjeshta të bëjnë të përbërën, nga kaosi rendin, të mbajnë sistemin (qoftë edhe përkohësisht) në një shkallë më të lartë të energjisë.

Çdo sistem material lëviz në drejtim të shkallës më të lartë të entropisë, kurse çdo sistem i gjallë vete drejtimit të kundërt. Ato janë “shpinë për shpine” me njëra-tjetrën, sepse (siç thotë shkencëtari sovjetik i kibernetikës, Kuznjecovi) “jeta lëviz kundër erës së ligjshmërisë mekanike”.

Autori i këtyre rreshtave s’është biolog dhe për çështjet që shtrohen do të detyrohet të kufizohet me citimet e autoriteteve nga ky lëm. Mossuksesi i biologjisë dhe i psikologjisë që të thonë diç më tepër për vetë thelbin e “objektit” që shqyrtojnë - për jetën dhe psikën - është fakt evident që s’mund të injorohet. Duke konstatuar këtë fakt, autori vetëm dëshiron të theksojë se ai s’ishte i papritur.

Kur André George në 1950 në periodikun Nouvelles Littéraries bëri një anketë duke ua parashtruar biologëve, mjekëve, kirurgëve dhe fizikanëve një pyetje të vetme: ç’është jeta, mori përgjigje për të cilat tha se pothuaj pa përjashtim karakterizohen me pasiguri dhe maturi. Ja përgjigjja e Pierre Lepinit: “Fshehtësia mbetet e plotë.

Padituria jonë bën që çdo shpjegim yni për jetën të jetë më pak i qartë se njohuria jonë instinktive për të”. Në të njëjtën pyetje Jean Rostand, mbase biologu më i madh i gjallë, u përgjigj: “Në momentin e tanishëm ne nuk dimë ç’është jeta, aq sa mund të themi se njohim njëmendësisht vetëm gjërat që mund t’i prodhojmë. Ne madje nuk jemi në gjendje të japim përkufizimin e plotë e të saktë të dukurisë së jetës”.

“Pikërisht me shmangien e shpërbërjes në gjendje inerte të ekuilibrit, organizmi tregohet i mistershëm, aq i mistershëm saqë që nga kohët më të vjetra të mendimit njerëzor, besohej se një fuqi e veçantë, jofizike, mbinatyrore (vis viva, entelehia) vepron në organizëm.

Në ç’mënyrë organizmi i gjallë ngadalëson shkatërrimin e vet?... Çdo proces, a ngjarje, a zhvillim, ose me një fjalë gjithçka që ndodh në natyrë, do të thotë një rritje e entropisë për pjesën e botës ku ajo ngjarje zhvillohet...

Organizmi mund ta mbajë atë proces, d.m.th. të mbetet në jetë, vetëm duke marrë nga ambienti i jashtëm entropi negative... Pra, organizmi ushqehet me entropi negative” (Erwin Schrödinger në veprën Ç’është jeta).

Njësoj shkruan Teillarde de Chardin, paleontologu frëng: “Vërtet, përkundër shumë pengesave, pa ndërprerje vazhdohet vija e lakuar që shpie nga molekulat e mëdha drejt qenieve shumëqelizore: kjo vijë e lakuar është pikërisht ajo sipas së cilës shpërthejnë (jashtë lojës së rasteve dhe numrave të mëdhenj) fuqitë jetësore dhe indeterminimet, vetorganizimi dhe vetëdija...

Nga ky supozim rrjedh pyetja: a mos ekziston ndonjë lidhje ndërmjet kësaj lëvizjeje të fshehtë të botës ndaj gjendjeve gjithnjë më të ndërlikuara dhe më të brendshme dhe asaj lëvizjes tjetër (të njohur dhe të studiuar shumë më mirë) e cila tërheq këtë botë të njëjtë kah gjendjet gjithnjë më të thjeshta e gjithnjë më të jashtme... Në këtë pyetje synon mbase të tryset dhe të formulohet, për shkencën e ardhme, fshehtësia esenciale e Gjithësisë”.

“Prirja spontane e qelizave të ndërtojnë organe, si dhe qëndrimi shoqëror i disa insekteve, është një nga faktet themelore që kemi njohur duke vëzhguar; për ta nuk do të gjejmë shpjegim nën dritën e njohurive tona të gjertanishme”. (Alexis Carrel, Njeriu - I panjohuri).

Biologu në zë Kurt Goldstein : “Mirëpo, për t’u gjetur kjo zgjidhje a mund të veprojmë këtu siç jemi mësuar të bëjmë kur është fjala për objektet pa jetë të natyrës?

A na lejohet të ndajmë objektin e caktuar, të vëzhgojmë grimcat më të vogla të përfituara dhe, duke u nisur nga ato, të përpiqemi të rindërtojmë objektin, në rastin tonë organizmin, ashtu siç veprojmë në shkencat e tjera natyrore? Kjo metodë për një kohë të gjatë i qe imponuar hulumtimit biologjik, ose më saktë, për një kohë të gjatë ajo qe marrë për ideal të hulumtimit biologjik.

Ndërkaq ajo dha vetëm pak rezultate të kënaqshme. Por, si të veprojmë pra? Këtu, në fillim të ekspozesë sonë, ne mund të bëjmë vetëm një konstatim negativ: ajo metodë nuk kënaq në një mënyrë a në një tjetër”.

Duke theksuar se ndërmjet objektit e metodës ekziston ndërlidhja, marrëdhënia e ndërsjellë, autori përfundon: “Në vend të rregullës tradicionale që të studiohet “nga e ulëta drejt më të lartës”, nga e thjeshta drejt të ndërlikuarës, në raport me fenomenin e organizmit duhet ndjekur rrugën e kundërt. Duke marrë kështu njeriun për pikënisje, do të përpiqemi të kuptojmë jetën dhe sjelljet e qenieve të tjera të gjalla...”

Për këtë natyrë “të përmbysur” të jetës Karl Jaspers shkruan në Psikopatologjinë e përgjithshme (1934): “Mirëpo konceptimi gjenetik, të cilin e quajnë edhe “shpjegim psikologjik” kundruall shpjegimit objektiv, kauzal që ka një natyrë tjetër, ndeshet shumë shpejt me kufijtë e vet, sidomos në psikopatologji. Faktet psikike shfaqen tërësisht të reja, në një mënyrë të pakuptueshme.

Ato vijnë njëra pas tjetrës, kurse nuk rrjedhin njëra nga tjetra.

Etapat e evolucionit psikik të një jeteje normale, periudhat dhe fazat e një jeteje anormale, ofrojnë seri të tilla të pakuptueshme në kohë. Me këtë rast prerja për së gjati e psikikës s’mund të kuptohet, as përafërsisht, në gjenezën e vet.

Duhet t’u gjendet shkaku shpjegues, siç veprohet me objektet e shkencave natyrore, kur këto nuk mund të studiohen përbrenda, ashtu siç nuk mund të studiohen së jashtmi faktet psikologjike”.

Në vazhdim Jaspersi vë në pah dallimin e konceptimit (verstehen), që arrihet me “ndërdepërtim” psikologjik, dhe shpjegimit (erklaren), që paraqet zbulimin e lidhjeve, shkaqeve e pasojave objektive me metodën e shkencave natyrore, ndaj përfundon: Këtu është fjala për burimet ekstreme të njohjes, që ndryshojnë thellësisht njëri prej tjetrit”.

Luis de Broglie, fituesi i Çmimit Nobël për fizikë më 1929: “Pra është e besueshme se shpjegimi i plotë i jetës me ndihmën e njohurive tona të tanishme fiziko-kimike është i pamundshëm”

Biologu zviceran E. Guyenot e mbështet mendimin për dallimin thelbësor ndërmjet jetës dhe dukurive fiziko-kimike, ndaj arsyeton: “Fizikanët duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se ne, biologët, që kemi dhënë aq shumë mund ta shprehim jetën me formula fiziko-kimike, ndeshëm një gjë që s’mund të zgjidhet dhe kjo është jeta. Jeta ka zbuluar formën e organizuar. Nuk e ka zbuluar një herë, veçse miliona herë, gjatë miliarda vitesh. Qëndron këtu një aftësi konstruktive që i ikën çdo shpjegimi fiziko-kimik”.

André Lwoff, fituesi i Çmimit Nobël për mjekësi, 1965, (biolog frëng, i njohur për hulumtimet e mekanizmave trashëguese të viruseve dhe bakterieve): “Jeta mund të përkufizohet si cilësi, manifestim ose si gjendje e organizmit. Organizmi është sistem i pavarur i strukturave dhe funksioneve në varësi të ndërsjellë, i aftë për t’u riprodhuar... Është pohuar dendur se viruset janë lidhja ndërmjet substancave organike dhe “materies së gjallë”: Në të vërtetë, “materia e gjallë” nuk ekziston.

Një element qelizor, siç është albumina, ose enzima ose acidi nukleik, s’është i gjallë. Vetëm organizmi është i gjallë, ndërkaq organizmi përfaqëson shumë më tepër se sa masa e këtyre pjesëve. U arrit të përfitohet sinteza e proteinave të viruseve IN VITRO dhe gjithashtu acidi nukleik i viruseve.

Në bazë të kësaj, s’është e mundshme të flitet për “sintezën e jetës”, sepse në të gjitha këto hulumtime doemos merr pjesë një substancë që i huazohet virusit, e cila, në të vërtetë, është materie gjenetike specifike për nukleotidet... Jeta dikur spontanisht lindi.

Është lehtë të sintetizohen ca elemente amidonesh a acidesh nukleike, por deri më tani s’qe e mundshme të krijohet vetë organizmi. Rikonstruimi i një bakterie tani për tani është jashtë mundësisë sonë...” (Intervistë në Le Monde).

Mosbesim të ngjashëm shpreh edhe psikologu i famshëm - eksperimentalisti Ivan Pavlov: “Me mijëra vjet njerëzimi hulumton dukuritë psikologjike, dukuritë e jetës shpirtërore, të shpirtit njerëzor. Dhe s’janë vetëm psikologët specialistë që merren me këtë punë, por gjithashtu tërë arti, tërë letërsia, të gjitha shprehjet e mekanizmit të jetës psikike të njerëzimit.

Me mijëra faqe janë mbushur me shpalimin e botës së brendshme të njeriut, kurse deri më tani ne s’kemi arritur kurrfarë suksesi në këtë orvatje, s’kemi konstatuar asnjë ligj që drejton jetën psikike të njeriut”.

“Metodat me të cilat organet shërbehen për ndërtimin e vet, janë të huaja për mendjen e njeriut. Tërë ai material rrjedh prej një qelize të vetme, sikur tërë shtëpia të dilte nga një tullë magjike, e cila hedh nga vetja vargun e tullave të tjera. Dhe këto, pa pritur projektin e arkitektit, as ardhjen e muratorit, vetvetiu do të bashkoheshin në mure, do të shndërroheshin në dritare sipas nevojës, në tjegulla pullazi, në thëngjill për ngrohje dhe në ujët e nevojshëm për kuzhinë dhe banjo... Organet zhvillohen me mënyrën dhe mjetet, me të cilat shërbeheshin zanat e përrallave për fëmijët e kohëve të shkuara... Arsyeja jonë s’mund ta gjejë veten kurrsesi në botën e organeve të brendshme. Ajo vetë bëri konstruksionin e trupit sipas universit kozmik e jo sipas mekanizmit të brendshëm të ndërlikuar të qenieve të gjalla”.

Dhe më tutje: “Tani për tani ende s’kemi arritur të kuptojmë në ç’gjë bazohet organizimi i trupit tonë, energjitë e tij ushqyese, nervore e shpirtërore. Ligjet e fizikës dhe të kimisë mund të aplikohen plotësisht në materien e vdekur dhe vetëm pjesërisht në njeriun.

Duhet t’i shkundim përfundimisht iluzionet e shekullit XIX, dogmat e Jacques Loebit, atyre koncepteve fëmijërore fiziko-kimike për qenien njerëzore, të cilave, për fat të keq, edhe sot u besojnë shumë fiziologë e mjekë”.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:39

Jeta është mrekulli, jo fenomen

Syri i njeriut përbëhet nga kokërdhoku i vendosur në zgavrën e syrit të mbushur me gjëndra dhjamore. Aparati i tij mbrojtës përbëhet nga kapaku i epërm e i poshtëm i syrit, qepalla, vetulla, mukoza dhe koniuktivi.

Lëvizja e syve në të gjitha drejtimet mundësohet nga aparati motorik i përbërë prej katër muskujsh të drejtë e prej dy të pjerrët të syrit, kurse lehtësohet nga aparati lotues (gjëndra lotuese, qesja e lotit dhe kanali i lotit), që mban lagështinë në zgavrën e syrit dhe mbron syrin nga infektimet. Kokërdhoku përbëhet nga tri mbështjellëse.

Nga jashtë është e bardha e syrit - e fortë dhe e patejdukshme, e cila nga ana e përparme kalon në kornenë e tejdukshme. Nën të bardhën e syrit gjendet delli nëpër të cilin kalojnë enët e gjakut për të ushqyer syrin.

Rëndësi më të madhe për funksionin e syrit ka e treta, mbështjellësja e brendshme, retina, në të cilën gjendet aparati pranues i shqisës së të parit: qelizat e ndieshme në trajtë thupërash e konesh nga të cilat nisen fijet e ndieshme të nervit të të parit.

Brendia e kokërdhokut është e plotësuar me trup elastik e të tejdukshëm të qelqtë, në anën e përparme të të cilit gjendet thjerrëza bikonvekse e mbështetur për bebëzen e syrit dhe e lidhur me indet e mbështjellëses së vet koniuktive për trupin ciliar.

Rrezet e dritës vijnë nëpër kornenë në sy, thehen nëpër thjerrëz dhe projektohen në prapavinë e syrit ku formohen fotografitë e përmbysura të objektit të shikuar, të cilat nervi i të parit i dërgon në qendrat optike të trurit.

Çdonjëri nga të dy sytë pranon fotografinë e objektit nga pozita tjetër. Përçuesit nervorë shkojnë në qendrat subkortikale të të parit dhe prej aty më tej në korën e segmentit zverkor të trurit të madh, ku gjendet qendra për perceptimin e të parit.

Me bashkimin e të dy fotografive, të sjella në qendër nga të dy sytë, krijohet fotografia unike plastike e objektit. Për funksionin e syrit rëndësi të pazëvendësueshme ka loti që tajohet nga gjëndrat e lotëve.

Përveç që ruan lagështinë e kornesë së syrit, ndërmjet tjerash ai përmban licozimë, materie kjo që zbërthen mikroorganizmat dhe kështu syrin e mbron nga infeksioni. Punën e gjëndrave të lotëve e rregullon nervi i shtatë i trurit (nervus facialis).

Si bakterocid loti i njeriut ua shkon preparateve farmaceutike dhe konsiderohet se shkatërron mbi 100 shkaktarë të sëmundjeve. Këtë cilësi loti e ruan edhe i zbutur për 6000 herë. Mëlqia kryen disa funksione të ndryshme. Si gjëndër me sekrecion të jashtëm tajon vrerin, kurse shërben edhe për të depozituar hekurin dhe vitaminën B 12.

Materiet që hidhen përmes mëlqisë së pari në të detoksikohen me procese të ndërlikuara të oksidimit, reduksionit, hidrolizës dhe konjugacionit. Në mëlqi zhvillohen procese të shumta të metabolizmit intermedial.

Shërben për të depozituar gjykogjenin dhe rregullon koncentrimin e tij në gjak. - Gjaku u sjell ca pjesëve të trupit ushqim, bart oksigjenin nga mushkëritë në inde dhe mënjanon nga trupi materiet e panevojshme; bart hormonet dhe antitrupat, bartësit e forcës mbrojtëse të organizmit, pastaj merr pjesë për të rregulluar temperaturën e trupit.

Rruzat e bardha të gjakut shkatërrojnë materiet dhe bakteriet e huaja e të dëmshme, që depërtojnë në organizëm. - Truri përbëhet nga truri i përparmë me dy hemisfera të mëdha trunore, nga mestruri, truri i mesëm dhe ndajtruri të cilit i përkasin ura dhe palca e zgjatur.

Truri është i mbështjellë me tri membrana, me të fortën, të butën dhe me membranën lidhëse. Indi trunor përbëhet nga substanca e përhitur dhe e bardhë.

Në substancën e përhitur gjenden stacionet nervore, ndërkaq në të bardhën - fundet e fijeve motorike e sensibile nervore. Në palcën e zgjatur dhe në urën e Varolit janë të vendosura bërthamat e shumicës së nervave trunore receptuese dhe efektore.

Ndaj truri ka pjesën kryesore në realizimin e veprimeve refleksive, kurse përcjell impulset nervore nga palca kurrizore në shumë qendra kortikale të trurit të madh dhe anasjelltas.

Truri i vogël është qendër e rëndësishme për të rregulluar ekuilibrin dhe tonusin e muskujve. Truri i mesëm përfshin këmbët trunore dhe një pllakë me katër gungëza. Në dy gungëzat e përparme mbërthehen fillet e udhës së të parit, që shërbejnë për refleksin e bebes së syrit, ndërkaq gungëzat e sprasme janë pjesë e qendrës subkortikale të dëgjimit.

Në zonën e trurit të mesëm janë të vendosura bërthamat e nervave trunore, nga të cilat më të rëndësishmet janë substanca e zezë, bërthama e kuqe, bërthamat e nervave që lëvizin syrin. Truri i mesëm në mënyrë të drejtpërdrejtë kalon mestrurin jo aq të madh.

Pjesën dërrmuese të mestrurit e përbëjnë gungëzat e të parit si mbledhës të fijeve drejtuar nga qendra, të cilat dorëzojnë impulset nga shumica e receptorëve në organizëm.

Substanca e hirtë te truri i madh përbën sipërfaqen ose koren e hemisferave të mëdha në të cilën gjenden nyjet subkortikale nervore: trupi i vijosur dhe trupi i bardhë. Tek sisorët e lartë dhe tek njeriu është zhvilluar sidomos i ashtuquajturi trupi i zhubravitur, fijet e të cilit lidhin të dy hemisferat.

Korja e hemisferave të mëdha të trurit koordinon tërë veprimtarinë tejet të ndërlikuar të elementeve nervore dhe në këtë mënyrë mundëson që të realizohen funksione të larta psikike, veçanërisht mekanizmi i reflekseve të kushtëzuara. Pesha mesatare e trurit njerëzor sillet prej 1300 deri 1400 gr dhe përmban 14-15 miliardë stacione nervore.

Shtazët kanë mjete dendur më të forta dhe më të përkryera se mjetet e fabrikuara nga njeriu. Shembujt janë të shumtë: fari si ndriçim tek shpezët, violina tek karkalecët, cimbali i gjinkallës dhe pastaj një garniturë e tërë e kurtheve, grackave, rrjetave, laqeve, ngjitësve, feçkave etj. André Tétry shkroi një libër të tërë për këto.

Sheshazi, evolucioni nuk ka shkuar në mënyrë të verbët dhe mekanike (sepse ligji i seleksionimit vepron pikërisht kështu - në mënyrë të verbët dhe mekanike) siç e mori me mend Darwini. Ai duket sikur ka pasur një parim të dobishmërisë, një drejtim të volitshëm për individin dhe kjo sikur dëfton ndonjë kuptim, që s’mund të gjendet në asnjë mënyrë në materie.

Kuptimi supozon gjithnjë vetëdijen për qëllimin.

Gjarpëri me zile ka aftësi të jashtëzakonshme për të vërejtur dhe për të reaguar në rrezet ultra të kuqe. Shkencëtarët e Universitetit të Kolorados në SHBA vërtetuan se ai “detektor i rrezeve” gjendet në kokën e gjarpërit dhe se përbëhet prej degëzimeve të imëta të nervave me qeliza specifike që ndërrohen varësisht nga drita që bie mbi to.

Është vërtetuar me eksperimentim se vetëm 35 milisekonda pas impulsit të dërguar të dritës, pason refleksi i gjarpërit, dhe kjo paraqet shpejtësi rekordi të reagimit për një sistem biologjik.

Në mënyrë të ngjashme peshkaqenët kanë “antenë” tejet të ndieshme elektrike në hundë që u mundëson të gjejnë ushqimin e fshehur në zallin e fundit të detit. Në të vërtetë, të gjithë organizmat e detit prodhojnë valë të dobëta elektrike, të cilat i pranojnë peshkaqenët me anë të antenave të veta.

Dr Aleksandër Gorbovski, anëtar i Akademisë Sovjetike të Shkencave, i kthehet një ideje, të vjetër përndryshe, të cilën edhe Einsteini e mbështette, se në vetë strukturën e materies dhe të universit ekzistojnë ca tipare të mistershme që ia ngarkojmë mendjes. Ja disa fragmente interesante nga shqyrtimet e tij:

“Në ndërtimin e termitores marrin pjesë shumë, mijëra e mijëra termitë. Dhe, pas mbarimit të punëve ndërtimore, mbin një ngrehinë e ndërlikuar me sipërfaqe mbi 100 m2 dhe me lartësi prej 3 deri 4 m, me një sistem vendkalimesh të zgjidhur drejt, me kanale ventilimi, depo për ushqim, me vendet e posaçme për larva etj.”

“Qe bërë kjo provë: termitorja, ndërtimi i së cilës sapo qe filluar, u nda në dy pjesë, kështu që termitët ishin tërësisht të ndarë. Mirëpo pa marrë parasysh, ndërtimi i termitores vazhdonte me sukses dhe në këtë mënyrë të gjitha kanalet, lokalet dhe depotë u kryen fare identikë - me lidhjet e përbashkëta”.

“Mund të mendohet se çdo termit ka qenë “saktësisht i informuar” për punën e kolegut të vet nga tabori fqinj, andaj në mënyrë tërësisht identike, njëkohësisht, kryente punën e vet ndërtimore! Megjithatë, ai s’ka mundur të dijë asgjë për fatin e vëllait aty afër, pa komunikuar. Të përpiqemi ta shpjegojmë këtë fenomen”.

“Është e qartë se secili termit, veç e veç, s’është në gjendje t’i pranojë të gjitha informatat komplete për ndërtimin e termitores në tërësi. Individi mund “të njohë” vetëm një pjesë të procesit të tërësishëm ku është inkuadruar. Prandaj mund të konkludohet se depoja e të gjitha informatave bëhet popullata termite në tërësi.

Kështu ne flasim për dijen, për Dijen e Madhe, që krijohet vetëm atëherë kur është fjala për bashkësinë e pjesëtarëve të species së njëjtë. Mirëpo, kjo dukuri s’është e vetmuar. Kur turma e karkalecëve fluturon zakonisht lëvizin rrugës së përcaktuar rreptësisht.

Po qe se nga ajo bashkësi ndajmë një karkalec dhe e vëndojmë në kuti të mbyllur, i njëjti karkalec humb drejtimin e lëvizjes dhe fillon të endet me panikë në të gjitha anët. Po qe se atë kuti e vëmë në mesin e turmës që fluturon, karkaleci i burgosur e gjen sakaq drejtimin dhe me ngulm fillon të lëvizë pa pushuar, tashmë vetëm në një drejtim - në drejtimin e turmës së vet!”

“Me fjalë të tjera, te organizmat e pavarur Dija e Madhe paraqitet vetëm në nivel të bashkësisë (dija kolektive) që përndryshe nuk ekziston tek individi veç e veç”.

“Për një kohë të gjatë është besuar se tufën e zogjve shtegtarë, që shpërngulen një herë në vit ndër vendet e ngrohta, e udhëheq zogu më i vjetër e më me përvojë. Mirëpo faktet demantojnë supozimin. Ornitologu japonez, Jamamoto Hirosuke, zbuloi se tufa e zogjve fluturon pa udhëheqës!

Nëse, në ndonjë rast, para tufës gjendet një zog, kjo s’do të thotë se ai ua rrëfen rrugën të tjerëve”! Ndonjëherë në krye të tufës gjendet zogu i pafuqishëm, ende pa pupla! Jamamoto Hirosuke thotë se në gjashtë nga dhjetë rastet tufën e udhëheq zogu i po asaj vere! Duket fare sheshazi se zogu i tillë “nuk njeh” rrugëtimin tradicional të fluturimit, ndaj s’mund t’i udhëheqë zogjtë më të vjetër e më me përvojë që rrugën e njohin shumë mirë”.

Gorbovski vazhdon: “Është e njohur se nga aspekti biologjik raporti i lindjeve të meshkujve e femrave është pothuaj i barabartë. Mirëpo, nëse ky raport normal çrregullohet dhe njëra gjini anon, shfaqet procesi spontan i barazimit të strukturës së gjinive.

Po qe se femrat, për çfarëdo arsye qoftë, janë në pakicë, tek të posalindurit do të dominojnë femrat; nëse ka dukshëm më pak meshkuj, numri i tyre do të shtohet ritmikisht. Ky proces zgjat përderisa të mos ekuilibrohet raporti ndërmjet gjinive tërësisht”.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:41

“Është e qartë se individi, d.m.th. organizmi i pavarur, s’mund të ndikojë në gjininë e pasardhësve të vet si të dojë. Me fjalë të tjera, para nesh sërish është dukuria që përmban një ligjshmëri të caktuar. Ndeshim përsëri një lloj veprimi të orientuar, një ndikim të jashtëm, burimi i të cilit gjendet jashtë çdonjërit organizëm të pavarur.”

“Kjo dukuri për njerëzimin është fare e njohur. Demografët e quajnë “fenomen i viteve të luftës”. Në kohën e luftërave dhe pas tyre vie deri te humbja e madhe e burrave, në mënyrë që, së shpejti, numri i tyre të rritet përpjestimisht dhe të vendoset ekuilibri i çrregulluar”.

Disa shembuj, të përmendur më herët, janë marrë nga libri i parë i biologjisë që qëlloi pranë. Këto mrekulli të njëmendta të natyrës religjioni i shpjegon me Mendjen më të lartë - me Zotin. Të gjitha shpjegimet shkencore te fundja reduktohen në një: këto gjëra krijohen vetvetiu. Edhe një besëtytni më e madhe s’do t’i imponohej frymës njerëzore.

Të kërkosh nga unë që të pranoj se një diçka aq e përkryer dhe e ndërlikuar si syri i njeriut ose truri u bënë vetvetiu a rastësisht, është njësoj sikur të kërkohet ta besoj si të vërtetë tërë mitologjinë greke. Më parë do të mund të përfundonim, bashkë me mendimtarin e madh islamik Muhammed Gazali, se të gjitha mrekullitë janë të natyrshme dhe se tërë natyra është e mrekullueshme njëkohësisht.

Si qëndruaka puna, pra, me këtë “vetorganizim” famoz të materies, me këtë krijim “vetvetiu” të aparaturave jashtëzakonisht të ndërlikuara, me të cilat është e mbushur bota e gjallë?

Të provojmë ta tregojmë këtë gjë në shembullin e vetëkrijimit (krijimit të rastësishëm) të një molekule amidone, që është baza materiale e secilës formë të jetës që e njohim në tokë.

Fizikani zviceran Charles Eugene Guye u përpoq të bëjë llogarinë e gjasës për formimin e një molekule të proteinës-rastësisht. Dihet se molekula e proteinës përbëhet nga katër elemente të ndryshme më së paku. Për thjeshtim, Guye u nis duke llogaritur se molekula përbëhet nga dy elemente me supozim se molekula përbëhet nga 2000 atome me peshë atomike 10 dhe me disimetri prej 0,9.

Me këto supozime të thjeshtuara, gjasa që proteina të jetë formuar rastësisht sipas llogaritjes së Ch. E. Guyeit ishte 2,02x10-321. Nëse këtë rezultat e kundrojmë në kufijtë e kohës dhe të madhësisë së planetit tonë, del se gjasa për t’u formuar vetëm një molekulë e Guyeit kërkon kohën prej 10234 biliona vjetësh bashkë me supozimin prej 500 vibracionesh në sekondë. Përjashtohet, prandaj, mundësia se jeta është formuar nga loja e rastësisë natyrore për vetëm këto dy miliardë vjet, aq sa llogaritet të jetë e vjetër Toka jonë.

Llogaritjen e përsëriti Manfred Eigen i Institutit për kimi biofizike Max Plank në Götingen, RF Gjermane, fitues i Çmimit Nobël për kimi, më 1968. Ai dëshmoi se për t’u gjeneruar një molekulë proteine me lojën e rastit, planeti ynë dhe të gjithë ujërat e tij nuk mjaftojnë fare.

Madje sikur edhe i tërë universi të ishte i mbushur me substanca kimike, që do të kombinoheshin pandërprerë, dhjetë miliardë vjet, sa ka lindja e gjithësisë, do të ishin ende të pamjaftueshëm për t’u formuar ndonjë tip i caktuar i proteinës. I ballafaquar me këtë fat, Eigeni formuloi hipotezën e evolucionit para jetës, përkatësisht “jeta para jetës”, siç e emëruan këtë teori, sepse acidit nukleik praktikisht ia pranoi ca aftësi jetësore. Sidoqoftë, përnjëherësh në materie gjendet një princip i rendit, i zgjedhjes, i përshtatjes, përkundër kaosit dhe entropisë, princip që s’ka sesi të hyjë në përkufizimin e materies.

Shkencëtarët britanikë Frederich Hoyle, ish-kryetar i Shoqatës Mbretërore Astronomike dhe prof. Çandra Vikrama i Universitetit të Kardifit, duke pasur parasysh të njëjtën çështje, ngritën hipotezën se jeta s’ka filluar në Tokë, por se është “importuar” përmes reve të pluhurit të gjithësisë nga thellësitë e kozmosit.

Sipas tyre, aktiviteti biologjik në kozmos ka filluar shumë më herët se vetë krijimi i Tokës. Autori sovjetik R. Balandin shkruan: “Sikur në Tokë për miliona vjet të punonin miliona laboratorë, që do të sintetizonin (falë rrethanave fatlume) bashkëdyzime kimike, gjasat a shanset për t’u krijuar jeta nga epruveta do të ishin gjithnjë minimale. Sipas llogaritjeve të J. Holdenit, shansi i tillë bie në 1,31030 nga të gjitha mundësitë.

Kështu qëndron puna me vetorganizimin e një molekule të amidonës, që ndaj organizmit të gjallë ka atë raport sikur tulla ndaj shtëpisë së kryer. Si të shpjegohet përsosmëria e syrit njerëzor tash me vetorganizimin e materies, qoftë edhe “i një niveli më të lartë”?

3. Shkenca e veçanërisht biologjia molekulare ia arriti që honin aq të madh ndërmjet materies së vdekur e të gjallë ta reduktojë në një distancë fare të vogël. Mirëpo ajo distancë e vogël në sytë e njerëzve të ditur e të çështjes mbetet gjithnjë tejet e madhe, fare e pamposhtur. Nënçmimi i kësaj distance të pamposhtur (mbase edhe të pamposhtshme) ose lënia pas dore e saj, shkencërisht s’është qëndrim serioz dhe i përket tendencave të materializmit zyrtar.

Si të shpjegohet ky paradoks: nëse duke gërmuar ndeshim dy gurë në njëfarë rendi, ose të latuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi, ne përfundojmë se kjo është vepër e njeriut në të kaluarën e lashtë.

Nëse pranë të njëjtit gur ndeshim kafkën e njeriut, deri në pafundësi më të përkryer se mjeti i gurtë, ne nuk e mbështesim tezën se është fjala për konstruksion të ndonjë qenie të vetëdijshme. Ajo kafkë a skelet aq të përsosur qenkan bërë vetvetiu a rastësisht, sido me qenë pa ndërmjetësinë e arsyes a të vetëdijës. Kur njeriu mohon Zotin, a s’është ndonjëherë tekanjoz?

Mendjeshkurtësia e njeriut bashkëkohor vërehet më së tepërmi kur mbron bindjen se të gjitha gjërat i ka të qarta. Urtia e tij është një shumë e diturisë së tij dhe e sasisë tepër të madhe të paditurisë, të cilën ai s’e vëren, ose më mirë me thënë, e merr si të njohur.

Edhe para fshehtësisë më të madhe ai sillet me vetëbesim e mendjemadhësi.

Ai nuk e sheh enigmën dhe pikërisht këtu vërehet dimensioni kolosal i paditurisë dhe i paragjykimit të tij. Dallëndyshet nga Evropa e Mesme në vjeshtë fluturojnë kah vendet e largëta të Afrikës. Në pranverë kthehen dhe ndalen mbi pullazin e njëjtë, ku lanë folenë. Si e dinë se duhet të nisen, së pari, dhe kohën kur duhet të nisën rrugës së largët?

Dhe kur kthehen, si dinë ta gjejnë folenë e vet nën kulmin e njërës nga mijëra shtëpitë e qytetit milionësh? - Në këtë pyetje injoranti ynë mendjemadh përgjigjet me lehtësi: fare thjesht, udhëhiqen nga instinkti. Ose: kemi të bëjmë me seleksionimin natyror - lloji i dallëndyshes që “kuptoi” se në dimër duhet të shpërngulet në vende më të nxehta, mbeti gjallë.

Llojet që s’e kuptuan këtë gjë, u zhdukën. Gjatë luftës së pandërprerë me kushtet natyrore, nën të cilat ky lloj zogjsh u zhvillua, dallëndyshet dalëngadalë kuptuan se për të mbetur gjallë duhet të shpërngulen. Instinkti i tyre i shpërnguljes është rezultat i kësaj urtie të akumuluar për mijëra gjenerata, etj. etj.

E keqja nuk qëndron te kjo përgjigje boshe. E keqja është se bashkëbiseduesi ynë konsideron të ketë dhënë ndonjë përgjigje në përgjithësi, me një fjalë, se e eliminon enigmën që është dhe kushti i parë i hulumtimit dhe i arritjes të së vërtetës.

Përgjigjja e gënjeshtërt është si ilaçi i gënjeshtërt, po aq e rrezikshme: ajo nuk shëron, por paralizon përpjekjen tonë, krijon bindje të gënjeshtërt. Teorinë e përgjithshme të relativitetit e kemi në saje të faktit se Einsteini pa enigmën aty ku të tjerëve u dukej çdo gjë e qartë.

Më në fund, qëllimi i tërë artit, i filozofisë, i religjionit është që njeriut t’ia përkujtojnë enigmat, fshehtësitë, pyetjet; ky është zgjimi i vetëdijës sonë, mbase jo gjithmonë në drejtim të diturisë e të njohjes, porse kah shndërrimi i paditurisë sonë, për të cilën s’jemi të vetëdijshëm, në padituri për të cilën jemi të vetëdijshëm.

Dhe ky fakt përmban atë dallim të pakufishëm që ndan të marrin nga i urti. Ndonjëherë të dytë po aq pak dinë për ndonjë çështje të pazbuluar, por për ndryshim nga i urti, i padijshmi mosnjohjen e vet e konsideron për njohje dhe sillet sikur çdo gjë e ka të qartë.

Me një fjalë, ai është i verbër për çështjen, në rastin tonë - i verbër para mrekullisë. (Në jetën e përditshme kjo situatë dendur ka pasoja tragjike: injorantët janë shumë të sigurt, ndërkaq të urtit hamenden si Hamleti, prandaj në disa raste injorantët fitojnë epërsi të dukshme). Kjo gjendje është në kundërshtim të plotë me gjendjen shpirtërore të meditimit.

Sepse, meditohet aty ku bota shfaqet plot pyetje, enigma, fshehtësi. S’ka meditim aty ku “çdo gjë është e qartë”. Platoni thoshte se habia është burimi i tërë filozofisë, kurse Jaspersi se “të habitesh do të thotë të synosh nga njohja”.

Ndjenja e fshehtësisë dhe e meditimit shkojnë bashkë. Në këtë pikë lidhen religjioni e meditimi. Është gjendja kur pajtohet fryma. Injorimi i fshehtësisë është njëri nga aspektet e rëndësishme të ateizmit praktik. Jeta e njeriut-masë karakterizohet me mungesën e meditimit. Ky tip njeriu nuk sheh gjëkundi enigmë, fshehtësi.

Ai nuk habitet, nuk mrekullohet, nuk ndien frikë para të panjohurës. Me një fjalë, ai s’jeton me frymën. Nëse megjithatë shtrohet ndonjë çështje, ai e emërton, i vë etiketë dhe vazhdon të jetojë i vetëgënjyer se çështjen e ka zgjidhur përfundimisht. Emërtime të tilla janë p.sh. instinkti, vetorganizimi i materies në nivel më të lartë, trajtat e ndërlikuara të materies tejet të organizuar e të ngj.

Me vetë shkencëtarët nuk mund ta kuptojmë jetën, sepse jeta është po aq mrekulli sa dhe fenomen. “Druri më befason gjer në admirim, “thotë piktori Jean Dubuffet. Habia dhe admirimi është forma më e lartë, mbase dhe e vetme e njohjes dhe e konceptimit të jetës.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:44

KUPTIMI I HUMANIZMIT

Të synosh kënaqësinë e t’i ikish dhembjes - me këtë fjali lapidare dy përfaqësues të mendimit materialist - Epikuri i Antikës dhe Holbachu i Perëndimit - përkufizojnë themelet e jetës së tërësishme dhe së këndejmi edhe bazat e sprasme jo vetëm të sjelljes njerëzore, por edhe të asaj shtazore.

Materializmi gjithnjë do të gjejë të përbashkëtën te njeriu dhe shtaza, religjioni do të theksojë ato që i dallojnë. Qëllimi i shumë kulteve dhe i ndalimeve religjioze është nënvizimi a theksimi i këtij dallimi. Në disa raste edhe te materializmi hasim të njëjtin interesim për të argumentuar natyrën shtazore të njeriut, interesim që tanimë s’ka të bëjë me interesin e zakonshëm për të vërtetën.

Darwini s’e bëri njeriun shtazë, mirëpo ia ktheu vetëdijën për origjinën e tij shtazore. Nga kjo vetëdije pasuan pastaj “konkludimet përkatëse”, morale e politike: kolektivi njerëzor është turmë në formë të civilizuar, kurse civilizimi është zgjim njerëzor, pushtim i natyrës, mposhtje e ndjenjës për jetë biologjike, për jetë me shqisa në vend të jetës me shpirt.

Me ta përcaktuar unitetin (ose kontinuitetin) ndërmjet shtazës dhe njeriut, revolucioni hoqi kundërshtinë ndërmjet natyrës dhe kulturës. Duke u nisur nga premisa tërësisht e kundërt, religjioni vuri këtë kundërshti. Për këtë arsye që nga akti i Krijimit, njeriu, por dhe e tërë kultura me të, është në përleshje të papushuar me tërë rrjedhën e historisë njerëzore. Këtu filloi çarja ndërmjet kulturës dhe civilizimit.

“Njeriu është shtazë që refuzon të jetë e tillë” (Camus). Thelbi i qëndrimit religjioz është pikërisht në këtë fakt negativ, në këtë “refuzim të madh” (A. N. Whitehead).

Sepse religjioni sikur thotë: shihni ç’bëjnë shtazët për të bërë ju të kundërtën: ato mbllaçitin-ju agjëroni; ato ndërzehen - ju përmbahuni; ato shkojnë në mori - ju vetmohuni; ato synojnë kënaqësinë dhe ikjen nga dhembja - ju sfidoni sprovat. Me një fjalë, ato jetojnë me trup - ju jetoni me shpirt.

Ky mospranim i pozitës zoologjike, ky “synim negativ”, për arsyen dhe Darwinin plotësisht i pashpjegueshëm, është fakt magjistral i jetës së njeriut në këtë planet. Ai mund të jetë mallkim a privilegj i njeriut, porse është e vetmja e vërtetë e njëmendtë për ekzistencën njerëzore. Mënjanone këtë “rebelim” të njeriut dhe jeta njerëzore në çast zhduket. S’ka më religjion, art, poezi, flijim dhe dramë; mbeti vetëm të qenët, vetëm funksionimi, i pakuptim dhe i paqenë.

Në të vërtetë, ndërmjet njeriut dhe shtazës ekziston edhe paralelizmi i plotë edhe ballafaqimi absolut. Ngjashmëria i përket aspektit biologjik e konstitucional, pra mekanik. Ballafaqimi absolut, nga ana tjetër, i përket aspektit esencial, shpirtëror.

Shtaza është e pafajshme, pa mëkate, neutrale moralisht sikur send. Njeriu asnjëherë s’është i këtillë dhe që nga çasti i”shtazës së njerëzuar”, që nga “prologu dramatik në qiell” ose “flakja në tokë”, njeriu s’mund të zgjedhë kah pafajësia shtazore.

Njeriu “është lënë i lirë” pa mundësi kthimi,ndaj çdo zgjidhje frojdiane përjashtohet. Që nga ky çast, ai s’mund të jetë më njeri a shtazë. Mund të jetë vetëm njeri ose jonjeri.

Nëse njeriu do të ishte vetëm shtazë më e përkryer, jeta e tij do të ishte e thjeshtë dhe pa enigma. Pikërisht meqë s’është kështu dhe sepse njeriu është “krimb i tokës e fëmijë i qiellit”, sepse është krijuar, ai është qenie e disharmonisë, ndërkaq “harmonia euklidiane” është e pamundshme.

Mbi faktin e Krijimit bazohen jo vetëm të gjitha të vërtetat e thella,por edhe të gjitha paragjykimet e tmerrshme të jetës së njeriut. Mbi atë fakt nuk bazohet vetëm madhështia, moraliteti, synimet e tragjika, por edhe të gjitha dyshimet, pakënaqësitë, mallkimi, egërsia dhe e liga. Shtaza nuk njeh as njërën, as tjetrën dhe këtu qëndron rëndësia e këtij çasti epokal.

Çështja e Krijimit në të vërtetë është çështje e lirisë njerëzore. Sepse,nëse pranoni se njeriu s’ka liri, se të gjitha veprimet e tij janë të paracaktuara, pa marrë parasysh me ç’gjë - me atë brenda tij a me atë jashtë tij - Zotin ju mund ta konsideroni të tepërt për të shpjeguar dhe për të kuptuar botën, së paku ashtu si e shihni.

Mirëpo nëse krijesës suaj ia njihni lirinë, nëse e bëni përgjegjës, ju e pranoni Zotin heshtazi ose sheshazi. Sepse vetëm Zoti ka mundë të krijojë qenie të lirë dhe vetëm me aktin e krijimit ajo liri është vendosur.

Ajo s’ka mundë të jetë pasojë e zhvillimit. Liria dhe prodhimi janë nocione disparate, të kundërshtueshme. Asnjë prodhim, qoftë përnjëherësh i krijuar, qoftë me evolucion, s’mund të ketë lirinë. As Zoti kur e bëri individin, as artistët kur e bëjnë këtë gjë, nuk i konstruktojnë.

Ata i “krijojnë”. Ai që konstrukton, nuk përfiton individin (personalitetin), por skemën, por njeriun-pllakat. Personaliteti s’mund të konstruktohet. Nuk e di ç’domethënie do të kishte portreti pa Zot. Diç e tillë pa Zot nuk ekziston.

Mbase, herët a vonë, deri në fund të këtij shekulli ose gjatë miliona vitesh të progresit të civilizimit, njeriu do të prodhojë imitimin e vet, ndonjë robot a monstrum, shumë të ngjashëm me konstruktorin. Ajo makinë antropomorfe do të jetë tejet, tejet e ngjashme me njeriun, por që tani një gjë është e sigurt: ajo s’do të jetë e lirë, ajo do të bëjë vetëm ato që njeriu ia ka vënë nga fillimi.

Këtu qëndron madhështia e krijimit dhe e papërsëritshmja e këtij akti, pakrahasueshmëria me çfarëdo që ngjau para e pas kësaj në kozmos. Në një neon të amshimit filloi të ekzistojë krijesa e lirë. Sikur të mos ishte kjo prekje hyjnore, si rezultat i evolucionit ne do të kishim jo njerinë, por shkallën më të lartë të shtazës, mbishtazën, monstrumin me trup dhe intelekt njeriu, mirëpo pa zemër, pa vete. Intelekti i tij madje, pa skrupuj moralë, do të ishte më efikas dhe në të njëjtën masë - më mizor.

Disa krijesat e tilla i paramenduan si qenie nga ndonjë planet i largët i gjithësisë; të tjerët i panë si prodhim të civilizimit tonë në ndonjë shkallë të marrë me mend. Te Fausti i Goethes figuron një krijesë e tillë, por ajo s’është njeri, është kuazinjeri - Homunkulus.

Do vënë re se ndërmjet amoralitetit, pashpirtësisë të një homunkulusi dhe amoralitetit të njeriut më të shthurur s’ka asnjë analogji. Njeriu mund të veprojë në kundërshtim me normat morale, por ai - sikur monstrum - s’mund të jetë jashtë sferës morale, përtej mirësisë e ligësisë, ai s’mund “të shkyçet”, “të shkulet”.

Në përvojën praktike morale, madje edhe prirja e njeriut të mëkatojë bie në sy më tepër se synimi për të jetuar drejt. Aftësia e tij për t’u kredhur në thellësitë e mëkatit sikur është më e madhe nga aftësia për t’u ngjitur në majat e virtytit.

Fytyrat negative janë më bindëse se ato pozitive, kurse poeti që na e përshkruan karakterin negativ ka vazhdimisht përparësi ndaj atij që do të përshkruajë heroin. Sidoqoftë, njeriu është ose i mirë, ose i keq, por asnjëherë i pafajshëm, dhe mbase këtu qëndron kuptimi i mbramë i rrëfimit biblik për mëkatin lindor, për paramëkatin.

Njerëzimi s’është mëkatar, por s’është as i pafajshëm. Nga Dëbimi prej parajse, Adami (njeriu) s’mund të lirohet nga liria, të dalë nga drama e mirësisë dhe e ligësisë, të jetë i pafajshëm, siç është, të themi, shtaza ose engjëlli. Ai duhet të zgjedhë, të përdorë lirinë e vet, të jetë i mirë ose i keq, me një fjalë - të jetë njeri. Kjo aftësi e zgjedhjes, madje pa marrë parasysh rezultatin, është forma më e lartë e ekzistencës që është përgjithësisht e mundshme në gjithësi.

Njeriu ka shpirtin, por psikologjia s’është shkenca mbi të. Shkenca mbi shpirtin s’mund të ekzistojë. Psikologjia trajton një sferë të caktuar të një doze të brendësisë, atë që brendia e njeriut merr nga bota e jashtme, kalimtare dhe e zhdukshme, ose atë që është amorfe dhe e njëtrajtshme.

Prandaj mund të flitet për psikofiziologji, për psikometri, për psikohigjienë, për fizikë të psikës. Mundësia e psikologjisë sasiore vërteton tezën për natyrën e jashtme, mekanike, sasiore, pra joshpirtërore të mendimit e të ndjenjës. Psikologjia animale dhe njerëzore mund të përbëjnë tërësinë pikërisht sepse psikologjia s’ka të bëjë me shpirtin, por vetëm me manifestimet e psikikës.

Psikologu i njohur John Watson shkruan: “Psikologjia njerëzore, siç e kupton bihevioristi, duhet të ndërtohet sipas shembullit të psikologjisë objektive dhe eksperimentale të shtazëve, duke huazuar nga ajo lëndën e hulumtimit,metodën, qëllimin, kështu që nuk ekzistojnë dy psikologji, njerëzore e shtazore, të ndara me perden e hekurt, pa e njohur njëra-tjetrën, duke pasur lëndë rrënjësisht të ndryshme, metoda e qëllime, por një psikologji unike që zë vend në vargun e shkencave natyrore”.

Ky citat flet vetvetiu. Lindja do të thoshte se psikologjia është shkenca për “nefsin”, por jo edhe shkenca për “ruh”. Psikologjia është shkenca e nivelit biologjik, por jo e nivelit personal. Sepse janë tre rrathë: mekanik-biologjik-personalist, që u përgjigjen tri shkallëve të realitetit: materia - jeta - personaliteti.

Në të vërtetë, mendimi edhe në lëmin shpirtëror do të imponojë gjithnjë metodën shkencore, metoda shkencore gjithnjë, tekefundit, do të zbatojë dhe do të vërtetojë kauzalitetin absolut, ndërkaq ky vetvetiu do të thotë mohim i lirisë e cila është esenca e shpirtit.

Përpjekja jonë që “të studiojmë” shpirtin në fund vazhdimisht do të detyrohet të sjellë mohimin e “objektit të studimit”. Nga ky rreth magjik nuk dilet kurrsesi. Kjo gjë shpjegon se përse psikanaliza që nga metoda e vet është dashur të jetë e lidhur patjetër me konkludimet ateiste.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:46

Barazia dhe vëllazërimi i njerëzve është i mundshëm vetëm po qe se njeriun e ka krijuar Zoti. Barazia e njerëzve është fakt shpirtëror e jo natyror (fizik ose intelektual).

Ajo ekziston si vlerë e barabartë morale e njeriut, si dinjitet njerëzor, si vlerë e patjetërsueshme e barabartë e personalitetit njerëzor. Anasjelltas, si qenie fizike, mendore dhe shoqërore, si anëtarë të kolektivit, të popullit, të klasës, të sistemit politik, njerëzit gjithnjë janë tejet të pabarabartë dhe ky është një fakt para të cilit është e kotë t’i mbyllësh sytë.

Nëse s’e pranoni shpirtëroren e njeriut - atë fakt të rendit religjioz - ju humbisni bazën e vetme reale të barazisë njerëzore; barazia atëbotë bëhet frazë pa mbështetje dhe pa vatër dhe, si e tillë, ajo do të zbrapset shpejt para fakteve evidente të pabarazisë njerëzore, ose, edhe më tej, para synimit natyror të njeriut të sundojë dhe të nënshtrohet, pra të jetë i pabarabartë.

Posa të braktiset qasja religjioze, hapësirën boshe sakaq e plotësojnë pabarazitë e ndryshme racore, nacionale, klasore, politike.

Dinjiteti i njeriut s’ka mundur të zbulohet as me biologji, as me psikologji, as me shkencë përgjithësisht. Ai është çështje e rendit shpirtëror. Para se barazinë, shkenca me “vëzhgim objektiv” do të vërtetonte pabarazinë e njerëzve, ndaj “racizmi shkencor” është fare i mundshëm dhe logjik.

Etika e një Sokrati, e një Pitagore ose e një Seneke në pjesën e vet më të mirë nuk mbetet prapa etikës së religjioneve të shpallura (Judaizmi, Krishterimi, Islami), por dallimi është tejet i qartë: vetëm etika e religjioneve të shpallura pati për postulat barazinë e të gjithë njerëzve si krijesa të Zotit.

Njeriu i Antikës ishte i lidhur fort për bashkësinë, për shtetin, kombin ose klasën të cilës i përkiste. Madje edhe një frymë e tillë siç ishte Platoni nuk mundi të lirohej nga parafytyrimi mbi pabarazinë e domosdoshme të njerëzve.

Anasjelltas, religjionet e shpallura si gurë orientimi të botëkuptimit të vet mbi botën vendosën origjinën e përbashkët, ndaj së këndejmi edhe barazinë absolute të të gjithë njerëzve, këtë ide që ka rëndësi magjistrale për tërë zhvillimin e mëvonshëm shpirtëror e etik, madje edhe shoqëror të njerëzimit.

Edhe pse ky fill s’është hulumtuar sa duhet, historia e etikës imponon konkludimin se ideja për barazinë e njerëzve ishte gjithnjë e mpleksur me idenë e pavdekshmërisë. Idenë e barazisë nuk e njohin religjionet, as sistemet morale që s’e pranojnë idenë e pavdekshmërisë ose që kanë koncepte të mjegulluara e të paqarta për të. Nëse Zot nuk ka, njerëzit sheshazi dhe në mënyrë të pashpresë janë të pabarabartë.

Nietzsche pohonte se religjionin e kanë shpikur të dobëtit për t’i mashtruar të fortit. Marxi pohonte të kundërtën.

Po të pranojmë versionin se religjioni është “shpikur”, interpretimi i Nietzsches na duket më bindës, sepse vetëm mbi parimet e religjionit të dobëtit, të shfrytëzuarit, ata që janë më pak të aftë, kanë mundë të bazojnë kërkesën e vet për barazi, liri dhe për vlerë të njëjtë. Çdo gjë tjetër, përveç religjionit, madje edhe shkenca, verifikonte pabarazinë e tyre.

Shikuar edhe praktikisht, vetëm religjioni niset nga një njeri i njëjtë dhe shikon një cilësi të njëjtë po aq të vlefshme te të gjitha krijesat njerëzore.

Sepse prej nga aq shumë të gjymtuar, të sëmurë dhe të paaftë pranë të gjithë tempujve ku hyjmë? - Atyre që dëbohen nga të gjitha gostitë e botës, nga të gjitha vendet ku pyetet për emër, fis, pasuri, origjinë, shëndet, aftësi, dituri, atyre që nuk kanë çka t’u ofrojnë të “shpirtpaqenëve”, vetëm tempulli ua hapi dyert, duke i shpallë dhe duke pranuar se janë të barabartë dhe njësoj të vlefshëm me të gjithë të tjerët.

Sepse edhe dyert e fabrikës hapen për të shëndoshët e për të diturit, ndërkaq të sëmurët dhe të pashkolluarit ngelin jashtë. Në tempull edhe i verbri varfnjak mund të qëndrojë krahas mbretit ose ndonjë të forti dhe madje mund të jetë edhe më i mirë se ata . Në këtë dëshmim të përhershëm të barazisë është rëndësia më e madhe kulturore e humane e tempujve në përgjithësi.

Ndërsa kuptimi më i lartë dhe më tronditës i artit është të zbulojë dhe të gjejë Njeriun tek ata që i ka përmbysur jeta, ose të kërkojë dhe të gjejë madhështinë njerëzore tek të vegjlit, të harruarit, me një fjalë, të zbulojë shpirtin njerëzor, njësoj të vlefshëm dhe të madh te secila krijesë njerëzore.

Dhe ky zbulim është gjithnjë aq më i madh dhe më bindës për sa më i ulët të jetë rangu fizik e social i heroit (të kujtojmë Kuazimodonë, Fantinën, Jean Valjeanin).

Madhështia dhe vlera e shkrimtarëve rus qëndron pikërisht këtu.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Admin 08.06.09 22:49

Për këtë arsye humanizmi para së gjithash nuk është mëshirim, përdëllim, tolerancë, edhe pse rezultojnë të gjitha këto rregullisht.

Humanizmi është afirmim i njeriut dhe i lirisë së tij, pohim i vlerës së tij si njeri. As më shumë e as më pak.

Është johumane çdo gjë që e përul personalitetin njerëzor, që e barazon me sendin. Kështu, është humane të pohohet se njeriu është përgjegjës për veprimet e tij dhe ta dënosh. Johumane është të kërkosh prej tij të pendohet, të revidojë qëndrimin, “të përmirësohet” e pastaj t’ia falësh dënimin.

Është më humane t’i ndjekish njerëzit për bindjet që kanë, sesa t’i detyrosh t’i mohojnë, duke ua vënë përpara atë “marrjen parasysh të qëndrimit të çiltër”. Ka, prandaj, dënime që janë humane dhe falje që janë fund e krye johumane. Inkuizitorët pohonin se trupat e njerëzve i kallin për t’i shpëtuar shpirtat. Inkuizitorët modernë bëjnë të kundërtën: “kallin” shpirtin si çmim për trupin.

Ta reduktosh njeriun në funksionin e prodhuesit e të shpenzuesit, madje edhe sikur secilit t’ia sigurosh vendin në prodhim e në shpenzim, s’është humanizëm por dehumanizim.

T’i dresosh njerëzit, madje edhe kur nga ata bën qytetarë “të drejtë” e të disiplinuar, është jonjerëzore.

Edhe arsimimi mund të jetë johuman: po qe se është i njëanshëm, i dirigjuar, i indoktrinuar: po qe se nuk mëson të mendosh, por servon zgjidhjet e gatshme; po qe se njerëzit vetëm i përgatit për funksion e nuk zgjeron horizontet dhe së këndejmi edhe lirinë njerëzore.

Çdo manipulim me njerëzit, qoftë edhe në interes të tyre - është johuman. Të mendosh për njeriun dhe ta lirosh nga obligimet është johumane gjithashtu. Njerëzorja obligon, nuk liron.

Prandaj kur e vuri të zgjedhë para dy rrugëve, duke iu kërcënuar me dënime të ashpra, krijuesi ia dha njeriut dëshminë më të madhe të së vërtetës. Ne mund të dëshmojmë njeriun vetëm duke pasur këtë shembull të tij, duke imituar Krijuesin: t’ia lëmë lirinë për të luftuar dhe për të zgjedhur, në vend që të luftojmë e të zgjedhim për të.

Pa religjion dhe pa “prologun e tij në qiell” s’ka besim autentik se njeriu është pasuria më e madhe. Pa të s’ka as besim se njeriu është i mundshëm dhe se njëmend ekziston.

Humanizmi ateist është kundërthënie, sepse “nëse s’ka Zot, s’ka as njeri (Bergjajev).

Dhe në qoftë se s’ka njeri, humanizmi është frazë pa përmbajtje. Kush nuk pranon Krijimin e njeriut, vënien e enigmës fillestare, nuk mund të zbërthejë kuptimin e vërtetë të humanizmit.

I tilli, meqë ka humbur këtë orientim themelor, humanizmin do ta reduktojë gjithnjë në prodhimin e të mirave materiale dhe të ndarjes së tyre “sipas nevojave”.

T’i sigurosh të gjithë njerëzit të jenë të ngopur është punë e madhe, por sipas asaj që sot dimë për shoqëritë e kamjes, s’është fare e sigurt se vetvetiu me këtë arritje do të kemi edhe botë më të mirë e më humane. Do të ishte edhe më pak e këtillë sikur të zbatoheshin me konsekuencë idetë e individëve për nivelizimin e përgjithshëm, për uniformizimin dhe zhvetësimin në të gjitha sferat.

Në një botë të tillë (e përshkruan Aldous Huxeley në Bota aq e re) s’do të ketë uri dhe gjithandej do të mbretërojë Barazia, Njëjtësia, Stabiliteti.

Megjithatë, të gjithë ne, me vetëdije a instinktivisht, e refuzojmë këtë vizion si shembull të dehumanizimit të përgjithshëm.

“Njeriu është produkt i ambientit të jashtëm” - mbi këtë qëndrim themelor të materializmit mbështeten të gjitha teoritë e mëvonshme johumane të së drejtës dhe të sociologjisë si dhe e tërë praktika e manipulimit me njerëz, e cila në shekullin tonë mori formën monstruoze në praktikën e nazizmit e të stalinizmit.

Këtu hyjnë edhe të gjitha teoritë e tjera, në shikim të parë të qëlluara e të pranueshme mbi epërsinë e shoqërisë ndaj njeriut, mbi shërbimin e njeriut shoqërisë. Njeriu s’mund t’i shërbejë askujt (s’mund të jetë as mjet).

Çdo gjë duhet njeriut t’i shërbejë, ndërkaq njeriu mund t’i shërbejë vetëm Krijuesit. Këtu qëndron kuptimi i parë dhe i fundit i humanizmit.

Nga A.Izetbegoviq
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Rishkimi i historisë së evolucionit njerëzor

Mesazh  Jon 28.02.10 20:00

Rishkimi i historisë së evolucionit njerëzor

Evolucioni dhe krijimi Gobekl10

Një kompleks tempujsh në Turqi që janë ndërtuar edhe më parë se piramidat është duke rishkruar historinë e evolucionit njerëzor

E quajnë kodra barkdalë, për shkak të konturit të rrumbullakët të këtij vendi në Turqinë juglindore. Në veri ka male me pyje. Në lindje të kodrës është rrafshnalta biblike e Harranit dhe në jug është kufiri sirian, i dukshëm 20 milje larg, që çon drejt tokave të lashta të Mesopotamisë dhe të Gjysmëhënës pjellore, rajoni që i dha jetë qytetërimit njerëzor. Dhe nën këmbët tona, sipas arkeologut Klaus Schmidt, janë gurët që shenjojnë pikërisht pikën prej ku njeriu e nisi atë ngjitje.

Tek qëndron mbi kodër në agim, duke mbikëqyrur në ekip prej 40 gërmuesish kurdë, arkeologu gjerman tregfon me dorë zbulimin e tij këtu, një revolucion në historinë e origjinës së njeriut. Schmidt ka zbuluar një kompleks shumë të madh dhe shumë të bukur tempujsh, një strukturë kaq e lashtë saqë mund të jetë e para gjë që qeniet njerëzore kanë ndërtuar ndonjëherë.

Ky vend nuk është thjesht i lashtë, ai në fakt jep një ripërcaktim të së djathtës: tempulli u ndërtua 11500 vjet më parë - është tronditëse: 7000 vite përpara Piramidës së Madhe dhe më shumë se 6000 vite përpara se Stonehenge të merrte formë.

Rrënojat janë kaq të hershme, saqë ato datojnë shumë përpara fshatrave, poçarisë, kafshëve të zbutura dhe madje edhe bujqësisë - thëngjijtë e parë të qytetërimit. Në fakt, Schmidt mendon se vetë tempulli, i ndërtuar pas fundit të të fundmes Epokë e Akullt u bë ai thëngjill - ishte shkëndija që lançoi njerëzimin drejt bujqësisë e blegtorisë, jetës urbane dhe të gjithë të tjerave që pasuan.

Göbekli Tepe - emri në turqisht për "kodrën barkdalë" - paraqet artin dhe fenë në fillimin e atij udhëtimi. Pas disa vitesh punë plot durim, Schmidt ka zbuluar atë që ai mendon se është prova përfundimtare që këtu ka qenë një vendndodhje gjigante ceremonialësh "një Romë e Epokës së Akullnajës", siç thotë ai, ku gjuetarët u mblodhën për të ndërtuar një komunitet fetar. Përtej kodrës, ai ka gjetur rrathë të skalitur prej guri, me dysheme e parketë si dhe stola dysh. Të gjithë rrathët kanë kolona në formë T-je që të kujtojnë monolitët e Ishullit të Pashkëve.

Ndonëse jo aq i madh sa Stonehenge - rrethi më i madh është 27 metra në diametër, ndërsa kolonat më të gjata janë 5 metra - rrënojat janë mbresëlënëse në numër. Vitin që kaloi Schmidt gjeti shembullin e tretë dhe të katërt të tempullit. Radarë që penetrojnë në tokë tregojnë se janë edhe 15 apo 20 rrënoja të tjera të tilla monumentale nën sipërfaqe.

Ekipi gjermano-turk i Schmidt ka zbuluar gjithashtu 50 prej kolonave shumë të mëdha, duke përfshirë dy që u gjetën gjatë sezonit më të fundit të gërmimeve që nuk janë ende më të mëdhatë, por, sipas gjetjes së moshës me metodën e karbonit, janë veprat monumentale të artit më të lashta në botë.

Zbulimet e reja janë duke riformësuar më në fund konsensusin e avashtë të arkeologjisë. Göbekli Tepe është "jashtëzakonisht shumë e madhe dhe e mrekullueshme, dhe i përket një date shumë të lashtë", sipas Ian Hodder, drejtor i programit të arkeologjisë në Stanford.

I mbushur me entuziazëm nga "gurët shumë të mëdhenj si dhe artin e mrekullueshëm" në Gobekli, Hodder - i cili ka kaluar dekada të tëra në vendgërmime rivalë neolitikë - thotë: "Shumë njerëz mendojnë se kjo ndryshon gjithçka... Ajo e përmbys të gjithë karrocën me mollë. Të gjithë teoritë tona kanë qenë të gabuara".

Teza e Schmidt është e thjeshtë dhe e guximshme: ishte nevoja për të besuar që bashkoi njerëzimin në grumbullimet e para urbane. Nevoja për të ngritur dhe mirëmbajtur këtë tempull, thotë ai, i bëri ndërtuesit që të viheshin në kërkim të burimeve të qëndrueshme të ushqimit, si drithëra si dhe kafshë që mund të zbuteshin dhe më pas të vendoseshin për të ruajtur mënyrën e tyre të re të jetesës. Tempulli lindi qytetin.

Kjo teori përmbys një kronologji standarde të origjinës njerëzore, sipas të cilës njeriu primitiv kaloi nëpër një "revolucion neolitik" 10 000 - 12 000 vjet më parë. Sipas modelit të vjetër, në fillim u shfaqën barinjtë dhe bujqit, dhe më pas këta krijuan qeramikën, fshatra, qytete, punë të specializuar, mbretër, shkrim, art dhe - diku rrugës drejt aeroplanit - organizuan fenë. Deri tek Jean-Jacques Rousseau, mendimtarët kanë argumentuar se ngjeshja sociale e qyteteve erdhi në fillim dhe vetëm pas kësaj erdhën fetë me tempujt e tyre madhështorë, një model që vazhdon të ofrohet sot në shkolla.

Feja tashmë shfaqet kaq herët në jetën e civilizuar - më herët se sa jeta e civilizuar, nëse Schmidt ka të drejtë - saqë disa mendojnë se ajo mund të jetë më pak një produkt kulture dhe më shumë një shkak i saj, më pak një zbulim dhe më shumë një trashëgimi gjenetike. Arkeologu Jacques Cauvin dikur ka parashtruar se, "fillimi i perëndive ishte fillimi i bujqësisë" dhe Gobekli mund të vërtetojë këtë teori të tijën.

Ndërtuesit e Göbekli Tepe nuk mund të shkruanin apo të linin shpjegime të tjerë mbi punën e tyre. Schmidt spekulon që grupe nomadë nga 100 milje larg në çdo drejtim kishin nisur të mblidheshin këtu për ritualë, gosti, si dhe rite të tjerë që përpara se të priteshin gurët e parë. Qëllimi fetar i këtij vendi lihet të kuptohet nga madhësia dhe vendndodhja e tij. "Nuk mund të zhvendosësh gurë 10 tonë pa arsye", vëren Schmidt. "Tempujt duhet të jenë në vende të lartë", shton ai, duke treguar me dorë nga kodra. "Vendet e shenjtë ndërtohen larg nga bota e përditshme".

Ndryshe nga shumica e zbulimeve prej botës antike, Göbekli Tepe u gjet e paprekur, gurët në këmbë, rendi dhe pamja artistike e veprave e dallueshme edhe për syrin e pastërvitur. Më mbresëlënës është skalitja e gjetur në pothuajse gjysmën e 50 kolonave që Schmidt ka zbuluar.

Ka disa simbole abstraktë, por vendi është pothuajse i mbuluar me skulptura shumë të bukura natyraliste dhe bazo-relievë të kafshëve që kanë qenë të pranishme në imagjinatën e gjahtarëve. Ka derra të egër dhe gjedhë, bashkë me totema të fuqisë dhe inteligjencës, si luanë, dhelpra dhe leopardë. Shumë prej kolonave më të mëdha janë të skalitura me krahë, duke përfshirë shpatulla, kapakë sysh dhe gishtërnj.

Forma T duket se tregon humanoidë në kulla, por nuk kanë fytyra. "Në Bibël tregohet se si Zoti krijoi njeriun sipas imazhit të tij", thotë Glenn Schwartz, arkeolog i Johns Hopkins. Göbekli Tepe thotë se, "është hera e parë që mund të shohësh qenie njerëzore me këtë ide, që ata u ngjajnë perëndive".

Tempujt ofrojnë kështu prova të papritura që njerëzimi doli nga mbretërimi 140 000-vjeçar i gjahtarëve me një fjalor të gatshëm imazhesh spiritualë dhe në gjendje për të bërë përpjekje të mëdha logjistike, ekonomike dhe politike. Një katolik i lindur në Frankonia, në Gjermani, Schmidt vjen vërdallë nëpër vendin e gërmimit me një çallmë, duke nxjerrë në dukje provat e këtij tranzicioni. "Njerëzit këtu shpikën bujqësinë. Ata kanë qenë shpikës të bimëve të kultivuara, të arkitekturës së brendshme", thotë ai.

Göbekli Tepe ndodhet në majën më veriore të Gjysmëhënës pjellore, një zonë kufitare produktive, pranë të cilës ka pyje të shumtë. Zona ka qenë ideale për gjahtarët në lashtësi. Gazela të egra vazhdojnë të migrojnë këtu dy herë në vit siç kanë bërë 11 mijëvjeçarë më parë dhe zogjtë fluturojnë mbi kokë në tufa të gjata.

Hartëzimi gjenetik tregon se rritja për herë të parë e drithërave nga njeriu ka ndodhur pikërisht në këtë zonë - ndoshta në një nga malet e dukshëm në distancë - disa shekuj pas zbulimit të Göbekli. Edhe administrimi i kafshëve nisi po këtu - derrat e parë të zbutur erdhën nga zona përreth afërsisht në vitin 8000 para Krishtit dhe gjedhët u zbutën në Turqi përpara vitit 6500 para Krishtit. Pas kësaj erdhën produktet e qeramikës.

Këto zbulime u derdhën më pas në vende si Çatalhöyük, fshati më i vjetër neolotik që ne njohim, që ndodhet 300 milje më në perëndim.

Aretistët e Göbekli Tepe kanë pikturuar tufa të atyre që Schmidt i quan krijesa "të frikshme dhe të shpifura": akrepë, merimanga, gjarpërinj, monstra me tre dhëmbë dhe më të zakonshëm nga të gjithë, kërma zogjsh.

Punimi më i madh me gdhendje tregon një hutë mbi një njeri pa kokë. Schmidt teorizon se kufomat e njerëzve silleshin këtu në majë të kodrës për t'u konsumuar nga zogjtë - ajo që një tibetian do ta quante varrim qiellor. Shoshitja e disa tonë dheu që janë nxjerrë nga ky vend ka prodhuar shumë pak kocka njerëzish, ndoshta sepse këta janë zhvendosur atëherë në shtëpi të larta.

Mungesa është burimi i pretendimit të madh teorik të Schmidt. "Nuk ka gjurmë të jetës së përditshme", shpjegon ai. "Nuk ka gropa zjarri. Nuk ka pirgje plehërash. Nuk ka ujë këtu". Çdo gjë, që nga ushqimi deri tek stralli duhej të importoheshin, pra ky vend "nuk ka qenë në fshat", thotë Schmidt. Përderisa tempujt janë më të vjetër se çdo lloj vendbanimi i gjetur, kudo, Schmidt konkludon se shtëpia e parë e njeriut ka qenë një shtëpi adhurimi: "Në fillim tempulli, pastaj qyteti", këmbëngul ai.

Disa arkeologë, si Hodder, specialisti i periudhës neolitike, pyesin nëse Schmidt-it thjesht i kanë shpëtuar provat e një fshati apo nëse datimi që ai i ka bërë vendit nuk është shumë i saktë.

Por arsyeja e vërtetë përse rrënojat në Göbekli Tepe mbeten pothuajse të panjohura, ende të papërfshira në tekste shkollorë, është se provat janë shumë të forta dhe jo shumë të dobëta. "Problemi me këtë zbulim, - siç thotë Schwartz, - është se ai është unik". Nuk është gjetur asnjë vend tjetër monumental që t'i përkasë të njëjtës epokë.

Përpara Göbekli Tepe, njerëzit vizatonin figura shkopinjsh në mure shpellash, me argjilë krijonin kukulla të vogla dhe ndoshta bënin bashkë disa gurë për strehim apo lutje. Edhe pas Göbekli Tepe, ka shumë pak prova për ndërtime të sofistikuar.

Gjetja e datës për vendet e lashtë është diçka që gjithmonë kontestohet, por Çatalhoyuk është ndoshta 1500 vite më i ri se sa Göbekli Tepe dhe ai nuk ka skalitje apo ndërtime të mëdha. Muret e Xherikos, që deri sot mendohet se janë ndërtimi më i vjetër monumental i ngritur nga njeriu, me shumë gjasa kanë nisur të ndërtohen më shumë se një mijë vite pas Göbeklit. Tempuj të mëdhenj u ngritën sërish - por tempulli i radhës për të cilin nuk ka dyshime është ngritur 5000 vite më vonë, në jug të Irakut.

Vendi i gjetur është kaq i veçuar, saqë një arkeolog amerikan që ndeshi në të në vitet '60 thjesht u largua, duke mos qenë në gjendje të interpretonte atë që pa. Schmidt ndoqi shënimet e amerikanit në majë të kodrës 15 vjet më parë, një ditë që edhe sot e kujton me një zgërdheshje të madhe.

Ai kish parë ngado gurë stralli të skalitur, si dhe vërejti një karrierë neolitike në një kodër aty pranë, me pllakat e papërfunduara të mermerta që tregonin se një monument ishte nën tokë diku pranë. "Në një minutë - në një sekondë - ishte e qartë", kujton arkeologu mjekërrosh tashmë i nxirë krejt nga dielli. Thotë se edhe vetë kish menduar të largohej, duke e ditur se po të qëndronte, do t'i duhej të kalonte pjesën e mbetur të jetës duke gërmuar në këtë kodër.

Sot 55 vjeç dhe pjesëtar stafi në Institutin Arkeologjik Gjerman, Schmidt i është bashkuar një linje të gjatë bashkëpatriotësh këtu, që shkojnë pas në kohë deri tek Heinrich Schliemann, zbuluesi i Trojës. Ai është vendosur këtu, është martuar me një turke dhe jeton në një shtëpi modeste në rrugët e ngushta të Urfas së vjetër. Ka dekada të tëra punë para vetes.

Mosmarrëveshjet janë normale në këtë vend gërmimi - punëtorët, ankohet Schmidt, janë të ndarë në tre klane të ndryshme që zihen vazhdimisht. ("Tre grupe", thotë arkeologu i i pezmatuar. "Jo dy. Tre.") Deri tani Schmidt ka zbuluar më pak se 5 përqind të vendit dhe ai ka në plan të lërë të paprekur disa tempuj, me qëllim që kërkuesit në të ardhmen të kenë mundësi t'i ekzaminojnë me mjete më të sofistikuara.

Çfarëdolloj ritualësh misteriozë të jenë kryer në këta tempuj, ata përfunduan në mënyrë të menjëhershme përpara vitit 8000 para Krishtit, kur i gjithë ky vend u fut nën dhe, në mënyrë të njëkohshme. Tempujt kishin qenë në rënie prej një mijë vitesh - rrathët e mëvonshëm janë sa gjysma e atyre të mëhershëm, gjë që tregon një mungesë burimesh apo motivimi mes besimtarëve. Ky devijim i pasuar nga një varrosje e papritur shënon "fundin e një kulture shumë të çuditshme", thotë Schmidt.

Por ishte gjithashtu lindja e një qytetërimi të ri, teksa tashmë njerëzimi kishte shkëmbyer majat e kodrave të gjahtarëve me luginat e bujqve dhe barinjve. Mënyrat e reja të jetesës kërkonin praktika të reja fetare, thotë Schmidt "dhe kur ke perëndi të reja, duhet të heqësh qafe të vjetërit".

Patrick Symmes
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Asteroidi ka zhdukur dinozaurët duke i hapur rrugën njeriut

Mesazh  Estilen 28.04.10 12:04

Zhdukja e dinozaurëve duke i hapur rrugën njeriut

Evolucioni dhe krijimi ?m=02&d=20100304&t=2&i=70524304&w=460&r=2010-03-04T211619Z_01_BTRE6231N3B00_RTROPTP_0_US-DINOSAURS-ASTEROID

Një asteroid ka zhdukur dinozaurët duke i hapur rrugën njeriut. Një skuadër prej 41 shkencëtarësh nga mbarë bota, pas shqyrtimit të të dhënave të mbledhura gjatë këtyre 20 viteve, ka konfirmuar shkakun e së ashtuquajturës zhdukje të Kretacen-Terciarit (KT), kur krijimi i kushteve të pabanueshme në Tokë rreth 65 milionë vite më parë solli zhdukjen e më tepër se gjysmës së llojeve të deriatëhershme të planetit.

Bota shkencore ka qenë e ndarë derimëtash në lidhje me shkakun e zhdukjes, nëse ky vinte nga asteroid apo nga veprimtaria vullkanike 1.5-milionë-vjeçare në zonën e Dekanit në Indi.

Studimi i ri, i kryer nga shkencëtarë të disiplinave të ndryshme nga shtete të Evropës, Amerikës dhe Japonia dhe botuar së fundmi në revistën "Science", vë re se shkaku i zhdukjes ka qenë pikërisht një asteroid me gjerësi 15 km që ka goditur Tokën në Çikshulub, Meksikë.

"Kjo shkaktoi zjarre në shkallë të gjerë, tërmete mbi 10 ballë të shkallës Rihter, shkarje kontinentale që formuan më tej cunami," thotë Xhoena Morgani, e Kolegjit Imperial Londër, bashkautore e studimit.

Mendohet se asteroidi e ka goditur Tokën me një fuqi miliarda herë më të madhe se bomba atomike në Hiroshimë. Morgani shton se "goditja vdekjeprurëse për dinozaurët" erdhi kur lënda e ngritur nga shpërthimi u përhap në atmosferë duke mbështjellë planetin në errësirë e duke shkaktuar një dimër mbarëbotëror që "zhduku shumë lloje që nuk mundën t'i përshtateshin këtyre kushteve armiqësore".

Shkencëtarët në fjalë morën në shqyrtim punën e paleontologëve, gjeokimistëve, modeluesve të klimës, gjeofizikanëve dhe sedimentologëve të cilët kanë grumbulluar gjatë 20 viteve të fundit fakte rreth zhdukjes KT.

Të dhënat gjeologjike tregojnë se ka qenë një ngjarje e caktuar ajo që nisi zhdukjen e dinozaurëve dhe shkatërrimin e përshpejtuar të ekosistemeve detare dhe tokësore, dhe se vetëm goditja nga asteroid "ishte i vetmi shpjegim i mundshëm".

Peter Shulte i Universitetit të Erlangenit në Gjermani, kryeautor i studimit, thotë se të dhënat fosile tregojnë qartë një zhdukje masive rreth 65.5 milionë vjet më parë, periudhë kjo që njihet si kufiri K-Pg.

Me gjithë të dhënat për veprimtari vullkanike në Indi, ekosistemet detare dhe tokësore shfaqnin luhatje minimale gjatë 500'000 viteve para kufirit K-Pg, gjë që do të thotë se zhdukja nuk kishte nisur që më parë dhe nuk ishte shkaktuar nga shpërthimet vullkanike.

Teza e vullkanit të Dekanit vihej në dyshim, sipas ekipit shkencor, dhe nga modelet kimike atmosferike, të cilat tregojnë se goditja nga asteroidi do të kishte lëshuar sasi shumë më të mëdha të squfurit, pluhurit dhe blozës në shumë më pak kohë se sa shpërthimet vullkanike, duke shkaktuar errësim dhe ftohje të skajshme.

Gereth Kolinsi, një tjetër bashkautor nga Kolegji Imperial, thotë se goditja nga asteroidi shkaktoi një "ferr" të atillë që shënoi fundin e sundimit 160-milionë-vjeçar të dinozaurëve, por që i hapi rrugën gjitarëve.

"Zhdukja KT ka qenë një çast kyç në historinë e Tokën, duke i hapur përfundimisht rrugën njeriut të bëhet lloji mbizotërues në Tokë," pohon ai në studim.

http://www.reuters.com/article/idUSTRE6233YW20100304
avatar
Estilen

713


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Fakte-1

Mesazh  Gjinkalla 12.11.11 13:12


Të dhëna të reja mbi evolucionin pas një eksperimenti 21-vjeçar

Në vitin 1988, një profesor i asociuar nisi rritjen e kulturave të bakterit Escherechia Coli; 20 vjet dhe 40'000 breza bakteresh më pas, Riçard Lenski, tani profesor i ekologjisë mikrobiale në Universitetin e Shtetit të Miçiganit, në SHBA, jep të dhëna të reja mbi dallimin mes ndryshimeve përshtatëse dhe ndryshimeve të rastësishme gjenetike gjatë evolucionit të gjallesave.

Duke ndjekur gjenomat e breznive të njëpasnjëshme të bakterit në fjalë, të cilat janë ngrirë përkohësisht gjatë viteve, Lenski dhe ekipi i tij vunë re se ndryshimet përshtatëse dhe ndryshimet e rastësishme nuk ndjekin doemos çdo herë të njëjtin model.

Përkundër një ekuilibri të ngadaltë edhe në kushte mjedisi të njëjtë, ndërveprimi mes këtyre dy lloj ndryshimeve të gjenomës “është i ndërlikuar dhe ndryshe nga ç’mund të presim normalisht,” thotë ai në raportin e posaçëm.

Ndryshimet e mëhershme në baktere dukeshin të ishin përshtatëse në shkallë të gjerë, duke i ndihmuar kështu baktereve të ishin të suksesshme në mjedisin ku ndodheshin.

“Gjenoma e tyre po zhvillohej me një ritëm të qëndrueshëm edhe kur përshtatja e baktereve nisi të ngadalësohej,” thekson ai. “Por befas ritmi i mutacionit kërceu përpjetë dhe një raport i ri u vendos mes këtyre dy ndryshimeve.”

Në brezin 20’000, p.sh., ekipi vuri re se kishin ndodhur rreth 45 mutacione, por, 6’000 breza më pas, një mutacion gjenetik që preku metabolizmin shërbeu si shkëndijë që rriti numrin e mutacioneve, aq sa në brezin 40’000 kishin ndodhur diku 623 të tilla.

Në dallim nga ndryshimet e mëhershme, shumë prej këtyre mutacioneve të fundit dukeshin më të rastësishme dhe asnjanëse.

Zbulimet e pritura prej kohësh tregojnë se përllogaritja e ritmit dhe e llojeve të ndryshimeve evolutive mund të jetë shumë më e vështirë në mungesë të një gjedheje në shkallë të gjerë.

“Ndërthurja e luhatshme dhe e ndërlikuar mes evolucionit dhe përshtatjes së gjenomës, edhe në kuadër të një sistemi të thjeshtuar si ky, na paralajmëron kundër interpretimeve të formës së prerë, për sa i përket ritmeve të evolucionit të gjenomave në natyrë, pa pasur më parë dije të gjegjësishme të proceseve molekulare dhe gjenetike të popullsive në studim,” shkruajnë autorët.

Paraqitje të tilla të hollësishme të ritmeve mutacionale u bënë të mundura me metodën e breznimit të përshpejtuar të gjenomave.

“Është tepër e këndshme të kesh mundësinë të tregosh se si, saktësisht, i ka ndryshuar përzgjedhja gjenomat e këtyre baktereve, hap pas hapi, për dhjetëra mijëra breza,” thotë Lenski.

Të dhënat e reja “vënë bukur në dukje vijimësinë e mutacioneve që i mundësuan këtyre organizmave të ngjiten drejt efikasitetit gjithnjë e më të lartë në mjedisin e tyre,” pohon Dominik Shnajderi i Universitetit "Zhozef Furié" në Grenobël, Francë, dhe bashkautor i studimit.

Studimi, i cili është botuar tashmë dhe në revistën “Nature”, vjen pikërisht në 150-vjetorin e botimit të “Prejardhjes së llojeve” të Çarls Darvinit. Këto zbulime mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mutacionet në sëmundjet e njeriut.

“Përhapja e kancerit është në thelb një proces i njëjtë evolucionar,” thotë Xhefri Barriku, kryeautor i studimit. Dhe ndonëse ekipi do të vazhdojë të hetojë zhvillimin e baktereve në kërkim të përgjigjeve të reja, ai shton: “Dimë mjaft tashmë rreth hollësive të evolucionit në këto shishe laboratori.”
Gjinkalla
Gjinkalla

111


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Fakiri 12.11.11 15:09

Bimët - Kur një farë bie në tokë dhe mbi të ndikon lagështira e dheut ajo rritet dhe zhvillohet dhe si rezultat i këtij zhvillimi fara çahet sa lart, edhe poshtë.Nga sipër del filizi i pemës që do të zhvillohet përjashta tokës, ndërsa nga pjesa e poshtme zgjaten rrënjët që do të shkojnë në thellësi të tokës.Kjo është gjë për t’u habitur,sepse natyra e kësaj fare është një, madje edhe faktorët e jashtëm që ndikojnë mbi të janë të njëjtë, por nga e njëjta farë del një lëndë që ngrihet drejt qiellit,nga ana tjetër një lëndë që hyn shumë thellë tokës. Të habit fakti që nga e njëjta lëndë dalin dy gjëra me natyrë të kundërt me njëra-tjetrën. Nga kjo kuptojmë se në çdo punë gjendet vullneti dhe administrimi i një Krijuesi të Urtë.

Një pjesë e pemës që del nga kjo farë është dru,ndërsa pjesa tjetër është gjeth.Një pjesë e saj të buzëqesh në formën e luleve që më pas bëhen fryt. Në këtë fryt formohen lëndë me natyrë të ndryshme dhe të dobishme për trupin e njeriut.Po ashtu tek një fryt gjenden veçori të ndryshme.Për shembull,rrushi dhe bërthama e tij janë të ftohta dhe të forta,ndërsa pjesa e mishtë e rrushit është e ngrohtë dhe e lëngshme. Formimi i ushqimeve me veçori të ndryshme që dalin nga një bërthamë, megjithëse vihen nën ndikimin e të njëjtëve faktorë të jashtëm,është vetëm masa e marrë nga një Krijesë e Plotfuqishme dhe e Urtë.

Krijuesi i ka bërë bimët një farmaci natyrale për kurimin e sa e sa sëmundjeve.Ka bimë që janë shërim dhe ushqim, që i japin forcë trupit. Ka bimë që të gjallërojnë,por ka edhe bimë të helmëta që të vdesin.Pasi hahet bima, ajo shndërrohet në një materie tjetër.Ka bimë që e pastrojnë gjakun,ka që falin hare dhe gjallëri,ka që të përgjumin dhe të mpijnë...

Po ashtu dukuri që vlejnë të kundrohen me kujdes është fenomeni ipërftimit të sheqerit
nga bimët nëpërmjet ujit dhe acidit karbonik si dhe oksigjeni që lëshojnë pemët në mënyrë që tëmarrin frymë gjallesat.Shkurtimisht nuk ka gjethe apo kashtë që ndodhet në tokë dhe të mos jetë i dobishëm për shumë gjëra për njeriun! Aq sa njeriu nuk ka fuqi që vetëm t’i mësojë të gjitha dobitë që ka prej tyre.

Gjethet e bimëve të ndryshme që dalin nga toka dhe që në pamje të parë duken si bar i
thjeshtë, kanë forma të ndryshme, ngjyra, shije të shumëllojta, pra me një fjalë janë mrekulli që nuk ka kimist në botë që të arrijë të bëjë të ngjashme me to! Rregulli dhe harmonia gjatë zhvillimit të bimëve janë shfaqja e një madhështie të ndryshme.
Për shembull,pema e rrapit prodhon me miliona fara çdo vit.Që të shpërndahen përreth, ato bëhen si të ishin parashuta prej fijesh. Era i shpie këto fara deri në vendet më të largëta. Në qoftë se çdo farë që lëshon një pemë rrapi të binte në tokë dhe të formohej si pemë rrapi,çdo cep i tokës do të mbushej me pemë të këtij lloji pa mbarim, pra gjithë kjo botë do të ishte e ngushtë vetëm për farat e një peme.Këtë shembull mund ta përgjithësojmë edhe me gjallesat e tjera.

Kështu para disa vitesh deshën që në Australi të thurnin një gardh nga një lloj i bimës
së Kaktusit.Meqë në Australi nuk kishte ndonjë kandërr që e dëmtonte Kaktusin,bimët filluan të përhapeshin me shpejtësi të madhe.Në fund fare të këtij zhvillimi që u futi frikën australianëve,kaktuset kishin zënë një hapësirë të madhe aq sa është Anglia. Qytetet e mëdha dhe të vogla që ndodheshin në drejtimin e zhvillimit të kaktuseve u detyruan që të lënë shtëpi e katandi dhe të emigronin në vende të tjera, ndërsa çifligjet e tyre u shkatërruan.

Për të gjetur një zgjidhje të gjithë shkencëtarët e kandrrave e kthyen mbrapsht botën
mbarë dhe në fund arritën të gjejnë vetëm një lloj kandrre që jetonte mbi kaktuse dhe nuk ushqehej me gjë tjetër përveç saj. Një kandërr që shumohej në numër të madh dhe në kohë të shkurtër i cili nuk kishte kandërr që ushqehej me të në Australi.Pa kaluar shumë kohë kandrrat i përlanë kaktuset të cilat tani nuk ishin më problem dhe ndodheshin vetëm në një zonë të caktuar.Kandrra mbetën vetëm aq sa nevojiteshin që kaktuset të mbaheshin nën kontroll.

Ky shembull tregon se në gjithësi mbretëron një harmoni që nuk e rrok mendja aq lehtë
dhe një ekuilibër ekologjik i mistershëm. Për këtë arsye asnjë mendje dhe logjikë nuk mund ta mohojnë ekzistencën e një Krijese të Plotfuqishme që pengon shumimin e tepërt të bimëve dhe të kafshëve aq sa do ta kishin pushtuar botën mbarë.Po ashtu ia vlen të mahnitesh se si nga e njëjta tokë bulëzojnë dhe shpërthejnë një miliona bimë dhe fruta të ndryshëm...Zoti që është Rriskdhënës (Rezzak)shtron sofra të ndryshme për çdo lloj krijese...

Për shembull shumicën e gjërave me të cilat ushqehet një dele,njeriu nuk mund t’i hajë
po ashtu shumicën e gjërave me të cilat ushqehet një njeri,një dele nuk mund t’i hajë. Pra begatitë e riskut janë ndarë mes krijesave sipas një ekuilibri të përpiktë.
Sa shumë të vë në mendime ky ajet fisnik që ekspozon fuqinë hyjnore që siguron dhe shpërndan riskun:“Sa e sa gjallesa nuk kanë mundësi ta furnizojnë vetveten, por Zoti i furnizon si ato ashtu edhe juve. Ai është dëgjuesi, i dijshmi.“(Ankebut, 60)Në të vërtetë sa shprehje të mëdha të mëshirës hyjnore janë fakti që krijesat janë mjet risku për njëra-tjetrën,që zogu i shëndetshëm e ushqen me copëza ushqimesh një zog të sëmurë.

Sa mësimdhënëse është fakti se që kur u formua bota dhe deri tanimë nuk është
shpërfillur risku i asnjë gjallese,janë shtruar sofra të panumërta hyjnore dhe kjo vazhdon të jetë kështu.Pasi po të ndalnim një çast dhe të mendonim se ¾ e botës është e mbuluar me ujë, ndërsa pjesa më madhe e asaj që mbetet nga ¼ e botës është tokë shkëmbore dhe shkretëtirë si dhe e papërshtatshme për rritjen e bimëve.Mbetet vetëm pak tokë për bimët.Vetëm se Zoti ka një fuqi aq të madhe sa ta shndërrojë këtë pjesë të tokës nëpërmjet ndryshimit dhe transformimit në burimin e ushqimeve nga ku ngopen të gjithë gjallesat.
Fakiri
Fakiri

486


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Estilen 12.11.11 19:33



Përbërësit e ADN-së qarkullojnë në hapësirë


Evolucioni dhe krijimi 393690_310925648918863_141388129205950_1413080_1416845691_n

Një studim i fundit i NASA-s pohon se përbërësit e ADN-së - molekula që përmban udhëzimet gjenetike për jetën - të gjetura në meteoritë, sipas të gjithë gjasave janë krijuar në hapësirë. Studimi mbështet teorinë se një "komplet" pjesësh të gatshme kanë qenë formuar që në hapësirë dhe pasi kanë hyrë në Tokë nëpërmjet meteoritëve kanë ndihmuar kështu në fillesat e jetës te ne.

"Përbërës të ADN-së në meteoritë janë gjetur që në vitet 1960, por shkencëtarët nuk kanë qenë të sigurt nëse këto ishin formuar vërtet në hapësirë apo nga ndotja biologjike në Tokë," thotë dr. Majkëll Kalahani i qendrës së fluturimeve hapësinore "Godard" të NASA-s. "Për herë të parë provat i kemi në tri drejtime që, së bashku, na sigurojnë se përbërësit e ADN-së janë krijuar vërtet në hapësirë."

Zbulimi i shtohet grupit të provave që pohojnë se kimikatet brenda asteroideve dhe kometave mund të formojnë vetiu përbërës të qelizave themelore biologjike. Më parë shkencëtarët kanë gjetur dhe aminoacide (baza e proteinave) në kampionet e marra nga kometa "Wild 2" nga misioni "Stardust" i NASA-s, si dhe në meteoritë të tjerë të pasur me karbon.

Studimi i fundit u përqendrua mbi 12 kampione meteoritësh të pasur në karbon, 9 prej të cilëve janë gjetur në Antarktidë. Çdo kampion është marrë me solucion acidi formik dhe është kaluar në kromatograf me lëng, instrument që ndan përbërësit e materialit. Në vijim kampionet janë analizuar me spektrometër mase, për të përcaktuar strukturën kimike të përbërësve.

Pas analizës ekipi evidentoi adeninë dhe guaninë (përbërës të ADN-së, të quajtur dhe nukleobaza), si dhe hipoksanthinë e ksanthinë. Në shkallën spirale të ADN-ës adenina dhe guanina lidhen me dy nukleobazat e tjera për të formuar secilën ndarje të shkallës. Ato janë pjesë e kodit që i tregon aparatit qelizor se çfarë proteinash duhet të prodhojë. Ndërkaq hipoksanthina dhe ksanthina nuk gjenden në ADN, por përdoren në procese të tjera biologjike.

Gjithashtu, në dy prej meteoritëve, ekipi zbuloi për herë të parë gjurmë tre molekulash purine që punojnë me nukleobazat: purinë, diaminopurinë-2,6 dhe diaminopurinë-6,8; ku e fundit nuk përdoret thuajse kurrë në biologji. Këto përbërje kanë të njëjtën bërthamë si nukleobazat por me një strukturë të shtuar apo të hequr. Janë pikërisht këto molekula që quhen analoge të nukleobazave, që ofrojnë provën e parë se përbërësit e meteoritëve vijnë nga hapësira dhe jo nga kombinime tokësore.

"Këto analoge nukleobazash nuk do të gjendeshin këtu nëse vinin nga ndotja tokësore e materialit, pasi nuk përdoren në biologji, me përjashtim vetëm të një raporti se diaminopurina-2,6 është hasur në një virus (cianofagu S-2L)," thotë Kalahani. "Megjithatë, nëse asteroidet sillen si 'fabrika' kimike, duke lëshuar material parajetësor, do të ishte e pritshme që, falë shumëllojshmërisë së përbërësve dhe të kushteve në çdo asteroid, të prodhonin disa variante nukleobazash e jo thjesht ato biologjike."

Prova e dytë vjen nga analiza për të përjashtuar edhe më tej mundësinë e ndotjes tokësore të materialit. Ekipi analizoi një kampion akulli 8-kilogramësh nga Antarktida, ku u mor dhe shumica e meteoritëve të përdorur, me të njëjtën metodë që u përdor për meteoritët. Sasitë e dy nukleobazave dhe të hipoksanthinës e të ksanthinës të gjetura në akull, ishin shumë më të ulëta (në rendin për trilion) se të meteoritëve (që ishin në rendin për miliard). Për më tej, në kampionet e akullit nuk u gjet asnjë analog nukleobaze.

Duke qenë se njëri prej meteoritëve me analog nukleobaze kishte rënë në Australi, ekipi analizoi dhe dheun nga u mor kampioni në vendin e rënies. Ashtu si me rastin e akullit, as kampioni i dheut nuk përmbante analoget që u hasën në meteorit.

Së treti, ekipi gjeti se këto nukleobaza (biologjike dhe jobiologjike) ishin krijuar me anë të një reaksioni tërësisht jobiologjik. "Në laborator, një grup i ngjashëm nukleobazash dhe analogesh u prodhuan në rekasione jobiologjike me përmbajtje cianidi hidrogjeni, amoniaku dhe uji.

Kjo evidentoi mekanizmin e mundshëm të sintezës së tyre në trupin e asteroidit dhe mbështet idenë se këto janë jashtëtokësore," thotë Kalahani. "Në fakt, duket se ka një kategori të caktuar meteoritësh, të ashtuquajtur CM2, të cilët paraqesin kushtet më të favorshme për krijimin e mëtejshëm të këtyre molekulave," përfundon ai.
avatar
Estilen

713


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Cimi Elezi 07.12.11 23:24

Para dy vjetesh kisha lexuar dicka per evolucionin nga perfaqesuesi me i larte i katolicizmit,papa Benedikti XVI. Ja se cthot.
''Ekzistojne shume prova shkencore ne mbeshtetje te evolucionit,i cili duket se eshte nje realitet qe mund ta shohim dhe qe pasuron njohjen tone per jeten.''Papa Benedikti XVI
Sikur Vatikani te hapte arkivat ''Top Sekret'' [ qe ska per te ndodh asnjehere ] do te kuptonim se a ekziston Zoti?Dihet tashme qe ne shkrimet e vjetra nuk flitet per nje zot,termi qe e karakterizon flet ne shumes,pra zotat,pra nga ka ardh jeta.Planet tjeter apo Evolucion?Citimi i papes vertet te le te dyshosh per egzistencen e zotit.
Cimi Elezi
Cimi Elezi

108


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Azazil 30.01.14 0:47

Ca esht papa 1 her?>po ca sekretesh ka vatikani,qe vrau shkenctare e shuajti qyteterime,paramendo,nje mekanizem i vogel qe mban ne duar e ka 1 prodhues,a shpikes,arkitekt,formesuaes apo cte duash quaje ,qe don te thot dicka banale  ne krahasim me universin dhe rregullin e tij, e si ka mundesi ky i fundit te egzistoj vetvetiu,pfffff nejse ju keni mendimin tuaj
Azazil
Azazil

908yughugikgiyguyg


6


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Evolucioni dhe krijimi Empty Re: Evolucioni dhe krijimi

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi