EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Evolucioni Ciklik dhe Karma

Shko poshtë

Evolucioni Ciklik dhe Karma Empty Evolucioni Ciklik dhe Karma

Mesazh  Neo 28.04.09 16:43

Evolucioni Ciklik dhe Karma

Evolucioni Ciklik dhe Karma Nemesis-Albrecht-D%C3%BCrer-Evolucioni-Ciklik-dhe-Karma

Është evolucioni shpirtëror i të brendshmit, njeriut të pavdekshëm, që përbën parimin themelor në Shkencat Okulte. Për të kuptuar qoftë në vija të trasha një proces të tillë, studenti duhet të besojë (a) në Njësinë e Jetës Universale, të pavarur nga materia (apo ajo që shkenca quan materie); dhe (b) në inteligjencat individuale që gjallojnë shfaqjet e shumanshme të këtij Parimi.

Opinionet e shumë figurave të njohura janë të ndara. JETA lidhet ngushtë me atë ligj, i cili qeveris Botën e Qenies – KARMËN. Në kuptimin e përgjithshëm, ekzoterik, kjo është, thjesht e në kuptimin e plotë të fjalës, “veprim”, ose më mirë një “shkak efektprodhues”, ndërsa brendafshehurazi (ezoterikisht) është diçka plotësisht e ndryshme në efektet e veta morale të tejnatyrshme.

Është i pagabueshmi LIGJI I DREJTKTHIMIT. T’u shpjegosh këtyre injorantëve kuptimin e vërtetë, karakteristikat dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij ligji të pandryshueshëm, të përjetshëm e jovetjak, megjithëse Parim aktiv e i gjithëpranishëm, gjëra që nuk i përcaktojnë dot kurrë apo të japin një ide termat teologjike të një hyjnie vetjake, është të flasësh kot e më kot.

Madje nuk quhet as Providencë. Pasi, me Protestantët Katolikë të çdo lloji gjendet në një mashkull vetjak, ndërsa me Katolikët Romanë është fuqi femërore. Në kapitujt e mëparshëm tregohet sesi në vibrimin e parë të jetës së rilindur, Svabhavat, “rrezatimi i paqëndrueshëm i Natës së Përhershme, e pandërgjegjshme në Përjetësi”, shndërrohet, në çdo rilindje të re të Kozmosit, nga një gjendje jovepruese në veprimtari të jashtëzakonshme; pra ndryshon, diferencon, dhe më pas nis punën përmes këtij ndryshimi.

Kjo punë është KARMA. Ciklet gjithashtu i nënshtrohen efekteve të shkaktuara nga ky aktivitet. “Atomi Kozmik bëhet shtatë atome në planin e materies, dhe secili shndërrohet në një qendër energjie; i njëjti atom bëhet shtatë rreze në planin shpirtëror, dhe shtatë forcat krijuese të natyrës, të cilat rrezatohen prej rrënjëthelbit…ndjekin, njëra të djathtën, tjetra rrugën e majtë, të ndara deri në fund të Kalpas, e megjithatë të përqafuara fort. Çfarë i bashkon? KARMA.”

Atomet e rrezatuar nga Pika Qendrore rrezatojnë vetë qendra të reja energjie, të cilat, nën frymën e fuqishme të Fohat, nisin punë nga brenda – jashtë, duke shumëfishuar qendra të tjera më të vogla. Këto, në rrjedhën evolutive e involutive, formojnë vetë rrënjët ose shkaqe zhvillimore efektesh të reja, që nga botët e rruzujt “njerimbartës” deri te llojet, speciet e klasat e të gjitha shtatë mbretërive (prej të cilave ne njohim vetëm katër). Sepse “punëtorëve të bekuar u është falur Thyan-kam në përjetësi” (libri i “Aforizmat e Tson-ka-pa”). “Thyan-kam” është fuqia e dijenisë të komandimit të impulseve të energjisë kozmike në drejtimin e duhur.

Budisti i vërtetë, duke mos njohur “zot vetjak” apo “Babë” e “Krijues të Qiellit e Tokës”, ende beson në një vetëdije absolute, “Adi-Buddhi”; dhe filozofi budist i di mirë Shpirtrat Planetarë, “Dhyan Chohans” (Gjithëdijshmit). Por, megjithëse ai pranon “jetët shpirtërore”, ende, ashtu siç janë të përkohshëm në përjetësi, edhe ata, sipas filozofisë së vet, janë “iluzioni i ditës”, iluzioni  i një “dite të Brahmas”: një manvantara e shkurtër prej 4 320 000 000 vjetësh.

“Yin-Sin” nuk është për arsyetimin e njerëzve, pasi Lord Buddha i ka ndaluar rreptësisht informacione të tilla. Nëse Dhyan Chohans (Gjithëkohëditurit) e gjithë Qeniet e padukshme – Shtatë Qendrat dhe Prejardhjet e tyre të drejtpërdrejta, qendrat minore të Energjisë – janë reflektimi direkt i Dritës, tashmë njerëzit janë shumë larg prej tyre, meqënëse gjithësia e Kozmosit të dukshëm përbëhet nga “qenie të vetëprodhuara, krijesa të Karmës”.

Prandaj, përsai përket një Zoti vetjak “vetëm si një hije gjigande hedhur mbi boshllëkun e hapësirës nga imagjinata e njerëzve injorantë,” ata na mësojnë se vetëm “dy gjëra janë (objektivisht) të përjetshme, të quajtura Akasa dhe Nirvana”; dhe se këto janë NJË në realitet, e veçse një maya kur ndahen.

“Budistët mohojnë krijimin e nuk konceptojnë një Krijues”. “Gjithçka erdhi prej Akasa (ose Svabhavat në tokën tonë) në bindje të një ligji të lëvizjes të qenësishëm në të, dhe pas një farë ekzistence zhduket. Asgjë nuk erdhi kurrë prej asgjëje” (Katekizëm Budist).

Nëse një Brahmin vedantik i Sektit Advita pyetet nëse beson në ekzistencën e Zotit, gjithmonë do të përgjigjet, ashti siç u përgjigj Jacolliot – “Unë jam vetë ‘Zot’;” një Budist (sidomos Sinhalez) thjesh do të qeshë duke shpotitur “Nuk ka Zot; nuk ka Krijim.” Megjithatë, filozofia fillimore e shkollarëve Adwita e Buddhist së bashku është identike, e të dyja kanë të njëjtin respekt për jetën kafshërore, pasi të dy besojnë se çdo krijesë në tokë, sado e vogël dhe e thjeshtë, “është një copëz e pavdekshme e materies së pavdekshme” – pasi materie për ta do të thotë diçka krejt ndryshe nga kuptimi i krishterë apo materialist – dhe se çdo krijesë varet nga Karma.

Përgjigjja e Brahminit sugjerohet për çdo filozof antik, Kabalist e Gnostik të kohëve të hershme. Përmban vetë shpirtin e urdhëresave Delfike e Kabalistike, pasi filozofia ezoterike zgjidhi, epoka më parë, problemin se çfarë ishte, është e do të jetë njeriu; origjinën e tij, jetëcilkin – të pasosur në kohëzgjatjen e mishërimeve të njëpasnjëshme apo rilindjeve – e përfundimisht rikthimin e tij në burimin nga rrodhi.

Por nuk është Shkenca fizike, të cilës mund t’i kërkojmë të zgjidhë njeriun për të na e treguar, si gjëagjëzë të së Kaluarës apo të së Ardhmes; pasi asnjë filozof nuk është i aftë të na thotë çfarë është njeriu, qoftë siç e njohim fiziologjisht e psikologjisht. Sa për dyshimin nëse njeriu ishte “zot apo shtazë”, tani ai është i lidhur me të fundit e ka rrjedhur prej një kafshe.

Padyshim që analiza e klasifikimi i qenies njerëzore si një kafshë tokësore mund t’i lihet Shkencës, gjë që okultistët – nga gjithë njerëzit – e marrrin parasysh me përnderim e respekt. Ata e përshëndesin terrenin e saj dhe punën e mrekullueshme, përparimin e arritur në psikologji, madje – deri diku – edhe në biologji.

Por natyra e brendshme, shpirtërore, mendore, apo edhe morale e njeriut nuk mund t’u lihet mëshirimeve propozuese të një materializmi të ngurtësuar; pasi edhe as filozofia psikologjike më e lartë e Perëndimit nuk është e zonja, në paaftësinë e tashme dhe prirjen drejt një agnosticizmi të vendosur, t’i japë atë që i takon të brendshmes; sidomos aftësive dhe perceptimeve të saj të larta, dhe atyre gjendjeve të ndërgjegjjes, përgjatë rrugëve, ku autoritete si Mill nënvizuan duke thënë “Kaq, e jo më larg se kaq, duhet të largoheni.”

Asnjë okultist nuk do të mohonte se njeriu – jo më pak se elefanti e mikrobi, krokodili e hardhuca, tehu i barit e kristali – është, në formimin e tij fizik, produkt i thjeshtë i forcave evolutive natyrore përmes një serie të panumërt shndërrimesh; por e shqyrton rastin ndryshe.

Nuk është kundër zbulimeve zoologjike e antropologjike, të bazuara në fosilet e njeriut e kafshës, çdo mistik e besimtar me shpirt hyjnor që revoltohet përbrenda, por vetëm kundër përfundimeve të pajustifikuara bazuar në teori të paramenduara dhe të stisura për t’u përshtatur brenda paragjykimesh të caktuara.

Kushtet paraprake të tyre mund të jenë ose jo gjithmonë të vërteta; dhe, siç disa prej këtyre teorive janë jetëshkurtra, ashtu edhe përfundimet duhet të jenë të njëanshme me evolucionistët materialistë. Prandaj, duke u varur nga forca e këtij autoriteti kalimtar, shumica e njerëzve të shkencës marrin shpesh çmime të tepruara, kur u takon shumë herë më pak.

Për ta bërë punën e Karmës, në ripërtëritjet periodike të Universit, më të dukshme dhe të kuptueshme për studentin kur shkojmë në origjinën dhe evolucionin e njeriut, ai duhet të kqyrë me ne aspektin ezoterik të Cikleve Karmike në Etikën Universale. Pyetja është, a kanë lidhje direkte me jetën njerëzore ato ndarje misterioze të kohës, quajtur Yuga dhe Kalpa nga Hindutë? Edhe filozofia ezoterike shpjegon se këta rrathë të përjetshëm kohorë rikthehen gjithmonë në vetvete, periodikisht e vetëdijësisht në Hapësirë dhe Përjetësi. Ka “Cikle të materies” dhe ka “Cikle të evolucionit Shpirtëror”. Cikle racialë, kombëtarë e individualë. A mund të na ndalin spekullimet ezoterike të hedhim një sy thellësisht këtyre punëve?

Sipas mësimeve, Maya, apo shfaqja iluzive e renditjes së ngjarjeve e veprimeve në këtë tokë, ndryshon, në varësi të kombeve e vendeve. Por tiparet kryesore të jetës së dikujt janë gjithmonë të lidhura me “Konstelacionin” nën të cilin ka lindur, apo, mund të themi, me karakteristikat e parimit gjallërues ose të hyjnisë që i rri mbi krye, sido ta quajmë Dhyan Chohan (Gjithëkohësit) në Azi, apo Arkëngjëll në kishë.

Në simbolizmin antik ishte gjithmonë DIELLI (jo ai i dukshmi fizik, por nënkuptohej ai Shpirtëror) që dërgonte Shpëtimtarët dhe Avatarët kryesorë. Prandaj është lidhja mes Buddhave, Avatarëve e shumë mishërimeve të tjera të më të lartëve të SHTATË. Sa më i afërt shtegu i Prototipit të dikujt, “Në Qiell”, aq më mirë për të vdekshmin, personaliteti i të cilit është zgjedhur nga hyjnia vetjake (parimi i shtatë) si banesë tokësore.

Pasi, me çdo përpjekje të vullnetiti drejt pastrimit e njësimit me atë “Vete-zot”, një prej rrezeve të poshtme thyhet dhe entiteti shpirtëror i njeriut ngrihet lart e më lart drejt rrezes që zëvendëson atë të parën, derisa, rreze pas rrezeje, njeriu i brendshëm varet në më të lartën e të vetmen rreze të Diellit-Prind.

Prandaj “ngjarjet e njerëzimit ecin sipas formave numërore”, gjersa njësitë e veçanta të atij njerëzimi burojnë të gjitha prej të njëjtin burim – qendrorit e hijes së tij, DIELLIT të dukshëm. Kështuqë, ekuinokset dhe solsticet, fazat periodike dhe të ndryshme të kursit Diellor, shprehur astronomikisht e numerikisht, janë simbolet e vetme konkrete të së vërtetës përjetësisht të gjallë, megjithëse u duken ide abstrakte vdekatarëve të panistuar.  Dhe, kjo shpjegon përkimet numerike të jashtëzakonshme me marrëdhënie gjeometrike, siç tregohet nga shumë autorë.

Po; “fati ynë është i shkruar në yje!” Vetëm se, sa më i afërt bashkimi mes NJERIUT të pasqyruar vdekatar dhe PROTOTIPIT të tij qiellor, aq më pak të rrezikshme kushtet e jashtme dhe rimishërimet pasuese – të cilave as Buddhat apo Krishtët nuk mund t’u shpëtojnë. Këto nuk janë supersticione e paragjykime, e më pak nga të gjitha Fatalizëm.

Ky i fundit nënkupton një drejtim qorr të ndonjë fuqie edhe më qorre, dhe njeriu është agjent i lirë gjatë qëndrimit të tij në tokë. Ai s’mund t’i shpëtojë Fatit të tij sundues, por ka zgjedhjen e dy rrugëve që e çojnë në atë drejtim, dhe mund t’ia dalë mbanë mjerimit – nëse diçka e tillë i është urdhëruar, qoftë në rrobat e bardha të Martirit apo në leckat e pluhurosura të një vullnetari në rrugën e ligë; pasi, ka kushte të jashtme dhe të brendshme që ndikojnë pëcaktimin e vullnetit tonë në veprat tona, dhe është në dorën tonë të zgjedhim njërën prej tyre.

Ata që besojnë në Karma u duhet të besojnë në fat, gjë që, nga lindja në vdekje, çdo njeri e tjerr fill pas filli përreth vetes, si merimanga rrjetën; dhe ky fat drejtohet ose nga zgjedhja hyjnore e prototipit të padukshëm jashtë nesh, ose nga njeriu ynë më i brendshëm, apo astral, i cili është më së shumti gjeniu i lig (shejtan-budalla) i entitetit të mishëruar të quajtur njeri.

Të dyja të çojnë në njeriun e jashtëm, por vetëm njëra prej tyre shfaqet; dhe që prej fillimit të përplasjes së padukshme, i ashpri dhe i papajtueshmi ligj i kompesimit hyn në fuqi dhe merr drejtim, duke ndjekur besnikërisht luhatjet. Ndërsa gërshetohet në thurje fija e fundit dhe njeriu dukshëm mbështillet në rrjetin e veprimeve të veta, gjendet plotësisht në perandorinë e fatit të vetëkrijuar. Pastaj, ose e ngul pas shkëmbit si një guaskë të palëvizshme, ose e merr me vete si një gjethe në erë, dhe, kjo është KARMA.

Ka një paracaktim në jetën gjeologjike të globit tonë, si edhe në histori, të kaluar e të ardhme, të racave dhe kombeve. Kjo lidhet ngushtë me atë që ne quajmë Karma dhe Panteistët Perëndimorë “Nemesis” e “Cikle”. Ligji i evolucionit po na merr përgjatë harkut ngjitës të ciklit tonë, kur efektet do të ribashkohen edhe një herë e do të ribëhen (asnjëanëse) shkaqe, dhe gjithçka e prekur nga këto efekte do të fitojnë harmoninë fillimore. Ky do të jetë cikli i “Raundit” tonë të veçantë, një çast në kohëzgjatjen e ciklit të madh, apo Mahayuga.

Vërejtjet e mprehta të Hegelit gjejnë aplikimin e tyre në mësimet e Shkencës Okulte, e cila na tregon se Natyra vepron vazhdimisht me një qëllim të caktuar, rezultatet e të cilit janë gjithmonë dyjare. Kjo është theksuar fillimisht në vlumet e para Okulte, ISIS VELLOZBULUAR (faqe 268, volumi II) me këto fjalë: “Ndërsa planeti ynë rrotullohet çdo vit rreth diellit, dhe në të njëjtën kohë rreth aksit të vet çdo 24 orë, duke përshkuar kështu rrathë më të vegjël brenda më të madhit, kështu përkryhet e rifillon edhe puna periudhave ciklike brenda Sarosit të Madh. Revolucioni i botës fizike, sipas doktrinës së lashtë, shoqërohet nga një revolucion i ngjashëm në botën mendore – evolucioni shpirtëror i botës bëhet në rrathë, si në atë fizike.

Kështu, ne shohim në histori një alternim të rregullt të zbaticës dhe baticës në valën e përparimit njerëzor. Mbretëritë dhe perandoritë e mëdha të botës, pasi arrijnë kulmin e madhështisë së tyre, rrënohen përsëri, në përputhje me të njëjtin ligj, i cili i çoi atje sipër; derisa, kur mbërrijnë ultësirën e fundme, njerëzimi rishpall vetveten e ringrihet përsëri në lartësitë e arritjes së qenies, nga ky ligj i ringritjes përmes rrathësh përparimi, diku pakëz më lart nga pika ku kishte zbritur më parë.”

Pot këta rrathë – rrota brenda rrotash, simbolizuar tërësisht e mprehtësisht nga Manus e Rishis të ndryshëm në Indi dhe nga Kabiri në Perëndim – nuk ndikon gjithë njerëzimin në të njëjtën kohë  – siç shpjegohet nga Ndarja raciale e Cikleve (nënkapitulli 6). Prandaj, siç e shohim, është tepër e vështirë për të kuptuar e diferencuar, në lidhje me efektet fizike e shpirtërore të tyre, pa i zotëruar plotësisht këto lidhje me veprimet në pozicionet respektive të kombeve dhe racave, në fatet dhe evolucionin e tyre. Ky sistem nuk mund të kuptohet nëse veprat shpirtërore të këtyre periudhave – të paracaktuara, le të themi, nga ligji Karmik – shihen të ndara nga rrjedha e tyre fizike. Përllogaritjet e astrologut më të shkëlqyer mund të dështojnë, ose në rasti më të mirë ngelen të pasakta, derisa ky veprim dyjar, i dyfishtë, të merret në konsideratë e të përdoret në këto linja. Dhe kjo mjeshtëri mund të arrihet vetëm përmes NISTIMIT.

Cikli i Madh përfshin përparimin e njerëzimit nga shfaqja e njeriut fillestar të formës eterike. Vazhdon përmes ciklieve të brendshëm të evolucionit (të njeriut) nga eterikja deri në gjysmëeteriken e më pas në atë plotësisht fizike: gjer në mbështjelljen e njeriut nga gëzofi i lëkurës dhe materies, pas të cilës vazhdon rrjedhën poshtë e pastaj përsëri lart, ku takon kulmin e Raundit, kur “Gjarpëri manvantarik gëlltit bishtin e vet” dhe përfundojnë shtatë ciklet e vegjël. Këta janë Ciklet Racialë të mëdhenj, të cilët ndikojnë njësoj gjithë kombet e fiset të përfshira në një racë të caktuar; por ka cikle më të vegjël kombëtarë e fisnorë benda tyre, që rendin të pavarur nga njëri-tjetri.

Në ezoterizmin Lindor këta quhen cikle Karmike. Në Perëndim, qëkur Urtia Pagane u hodh poshtë si e ngjizur dhe e zhvilluar nga fuqi të errëta duke luftuar vazhdmimisht kundër Jehovait të vogël fisnor – kuptimi i plotë dhe i tmerrshëm i NEMESIS (KARMA) është harruar plotësisht. Përndryshe, të krishterët do ta kishin kuptuar më mirë të vërtetën e thellë se Nemesis nuk ka atribute; se ndërsa perëndesha e frikshme është absolute dhe e përhershme si parim, por jemi vetë ne – kombe dhe individë – që e vëmë në lëvizje dhe i japim drejtim. KARMA-NEMESIS është krijuesi i kombeve dhe vdekatarëve, por pasi krijohen, janë veta ata që e bëjnë të jetë një Ëngjëll shpërblyes ose të xhindosur.

Po – “Të zgjuar janë ata që i falen Nemesis” – i thotë korri Prometeut. Dhe po aq budallenj janë ata që, duke besuar se perëndesha mund të gënjehet nga sakrifica e lutje, mendojnë se i ndërrojnë rrugë shtegut ku hapat tashmë po jehojnë.

“Fatet treformëshe dhe Furitë e gjithëndërgjegjshme” janë atributet e saj vetëm në tokë, dhe të gjeneruara nga ne vetë. Nuk ka kthim nga shtigjet ku ajo rend; e megjithatë ato shtigje janë hapur veç prej nesh, pasi ne vetë, bashkarisht apo individualisht, i shtrojmë.

Karma-Nemesis është sinonim i PROVIDENCËS, po t’i heqim vizatimin, mirësinë dhe çdo atribut tjetër fundor e aftësi, kaq jourtësisht atribuar kësaj të fundit. Një okultist ose filozof nuk flet kurrë për mirësi apo mizori të Providencës; por, duke e njësuar me Karma-Nemesis, do të shprehet se gjithësesi mbron të mirin dhe e vëzhgon, si në këtë jetë apo ato të ardhmet; dhe se ndëshkon vepërligun – gjer në rilindjen e tij të shtatë. Kështu derisa të rikthehet qoftë edhe atomi më i vogël, i cili ishte shqetësuar, në Botën Fundore të harmonisë. Pasi vetëm urdhëresa e Karmës – urdhër i përjetshëm e i pandryshueshëm – është absolut në botën e materies siç është i tillë në botën e shpirtit.

Nuk është, kësisoj, Karma që shpërblen apo ndëshkon, por jemi vetë ne, që shpërblejmë ose ndëshkojmë veten sipas asasj që kemi bërë, përgjaatë e përmes natyrës, qëndrueshmërisht ligjeve në të cilat varet Harmonia – ose kundër tyre. Karma-Nemesis nuk është më shumë se efekti dinamik (shpirtëror) i shkaqeve të prodhuara e forcave të aktivizuara nga veprat tona.

Është ligj i dinamikës okulte që “një sasi e caktuar energjie e shpenzuar në planin astral ose shpirtëror prodhon efekte shumëfish më të mëdha sesa e njëjta energji e harxhuar në planin objektiv fizik të ekzistencës”.

Kjo gjendje do të vazhdojë derisa intuita shpirtërore e njeriut të jetë hapur plotësisht, gjë që nuk do të ndodhë para se të flakim ndershmërisht gëzofin tonë lëndor; derisa të fillojmë të veprojmë që përbrenda, në vend që të ndjekim shtysat e jashtme; domethënë ato që prodhojnë ndjenjat fizike dhe trupi i dendur egoist.

Deri atëherë, i vetmi qetësues për të ligat e kësaj jete është bashkimi dhe harmonia – një Vëllazëri IN ACTU (e vërtetë), një altruizëm jo vetëm sa për të thënë.  Ndrydhja e një shkaku të vetëm të keq do t’i japë fund jo vetëm njërit, por një morie efektesh të liga. Dhe, nëse një Vëllazëri, apo disa të tilla, nuk mund të jenë të afta të ndalin kombet nga gurmazprerja e njëri-tjetrit, megjithatë, uniteti në mendim, veprim e kërkim filozofik në misteret e qenies, gjithmonë do të ndalë disa të tilla, duke u përpjekur gjermësot të kuptojnë atë që u ngelet gjëagjëzë, e duke ndalur së krijuari kështu shkaqe shtesë në një botë tashmë plot ligësi, mjerim e fatkeqësi.

/mnvr/

Marrë nga Doktrina Sekrete  – H.P. Blavatsky
Përktheu Arben Orhani
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi