EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Universi i Komedisë Hyjnore

Shko poshtë

Universi i Komedisë Hyjnore Empty Universi i Komedisë Hyjnore

Mesazh  Neo 29.03.15 21:08

Universi i Komedisë Hyjnore Komedia-620x442

Alfred Uçi

Profesori flet për mënyrën se si duhet që ta konceptojë lexuesi veprën “Komedia Hyjnore”, të Dante Aligerit në ditët e sotme.

“Asnjë të mos harrojë se asht njeri; ju lè nuk keni për t’gjallue si shtazë; po për të ndjekë virtyt e dituni” (Ferri,XXVI,118-12°) Në “Komedinë Hyjnore” të Dantes spikat forca e jashtzakontë imagjinare krijuese e poetit, që i shëmbëllen një arkitekti, demiurgu të vërtetë. Ai krijoi një univers origjinal të panjohur me tre pjesë themelore: Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën, domethënë me anë të një akti krijues gjenial poetik, që përfshiu gjithë jetën njerëzore, gjithë natyrën, gjithë kozmosin. Nuk është e rastit që janë bërë e bëhen përpjekje për ta modeluar këtë univers në projekte arkitektonike me një planimetri sa më të saktë, siç del nga përfytyrimet danteske, të trupëzuara në strukturën e “Komedisë Hyjnore”.

Në Universin dantesk Toka është vendosur në epiqendër të tij, sipas konceptit egocentrik. Kjo përfytyrohet sferike dhe e palëvizshme; është vendi i krijuar për Njeriun, që të funksionojë si: Ferr, Purgator dhe Parajsë. Njerëzit, sipas përfytyrimeve të poemës, jetojnë vetëm në hemisferën veriore, në mesin e sipërfaqes të së cilës ndodhet Jeruzalemi, qyteti i shenjtë i Krishtit. Nën këtë qytet, në drejtim të qendrës së Tokës shtrihet Ferri, që ka formë koni, i cili vjen duke u ngushtuar nga sipër poshtë. Ai përbëhet nga nëntë rrathë. Ferri është krijuar kur Luçiferri ngriti krye kundër Zotit, kur nga “engjëll” u shndërrua në Satana. Zoti e dënoi duke e futur thellë në Tokë, që të mbetej aty i ngujuar përjetësisht.

Me aq forcë e përplasi, saqë u kall deri në qendër të saj. Nga kjo goditje e fortë, dheu u grumbullua në sipërfaqen e hemisferës veriore, kurse ujërat në sipërfaqen e hemisferës jugore, që formuan Oqeanin e pafund. Në qendër të Oqeanit ndodhet vetëm një si ujdhesë, mbi të cilën ngrihet një mal shumë i lartë, që përbën Purgatorin, i cili ka gjithashtu nëntë rrathë-shkallë, poshtë më të gjëra e lart vinë duke u ngushtuar. Në majë të malit gjendet Parajsa tokësore, një fushë e bleruar, një lloj paradhome e lumturisë, kurorëzim i ekzistencës së virtytshme të njeriut mbi Tokë. Tokën e rrethojnë nëntë qiej sferikë, që formojnë Parajsën, e cila zë hapësirën më të madhe të Universit dantesk. Nëpër qiejt sferikë lëvizin Hëna, planetët, Dielli dhe yjtë. Universin e mbështjell Empiria e Kristaltë, e pafundme dhe e palëvizshme, ku qëndron, pa fillim e pa mbarim, Zoti.

Kjo është në vija të përgjithshme topografia e Universit të “Komedisë Hyjnore”. Në “Komedinë Hyjnore” Dantja ka vënë përfytyrimin e tij për “botën e përtejme”. Sigurisht, ky përfytyrim nuk përbënte një inversion thjesht personal e origjinal të poetit. Në themel të topografisë së Universit dantesk qëndron sistemi kozmologjik i Ptolemeut (shkencëtar grek i shek. II të erës sonë), që sundoi deri në kohën e zbulimeve të Kopernikut e të Galileut, kurse përfytyrimet mbi “botën e përtejme” patën qarkulluar në mitologji, folklor, letërsi e teologji, që nga kohët parahistorike e deri në shekullin e Dantes. Në Dhjatën e Vjetër përmendeshin “Kopshti i Edenit” (Parajsa tokësore) dhe Skëterra. Edhe etër të Kishës, si Shën Pali dhe Shën Pjetri kanë dhënë tablo vizionare të “botës së përtejme”. Është vënë në dukje, sidomos ndikimi mbi Danten i Apokalipsit. Edhe filozofia e Platonit mbi “botën e ideve”, të hijeve, pikëpamjet filozofike të Agustinit dhe të Toma Akuinit mbështesnin përfytyrimet mbi Parajsën e Skëterrën.

Prej Biblës, mitologjisë pagane e sistemeve teologjike përfytyrimet fantastike për “Botën e përtejme”, për Botën e shpirtrave depërtuan edhe në letërsinë artistike. Ëndrrat, vegimet fantastike loznin rol qysh në poetikën mitologjike dhe zunë vend të gjerë edhe në letërsinë e shkruar. Një lloj i tillë i përafërt ëndërrimesh, vegimesh ishin edhe përfytyrimet mbi “botën e përtejme”, “Botën e shpirtrave”, që u përvetësuan qysh në veprat e para të letërsisë të lashtë artistike. Homeri në poemat e tij bënte fjalë për Olimpin,vendbanimin e hyjnive të pavdekshme e të plotfuqishme dhe për “Botën e territ”, vendbanimin e shpirtrave të njerëzve të vdekur. Virgjili në “Eneidën” (Kënga e VI) bën fjalë për zbritjen e Eneas në “Botën e shpirtrave”. Letërsia fetare e Mesjetës ishte e mbushur me figura imagjinare shenjtorësh, engjëjsh e demonësh, që bëjnë udhëtime në “Botën e përtejme”, me legjenda e vegime fantastike, përçartje e kllapita, fantazma, shtriga e profecia, me udhëtime në “Botën e të vdekurve”; me vizione e vegime mistike e profetike ishte e mbingarkuar letërsia eskatologjike si: “Lundrimet e Shën Bernardit”, “Purgatori i Shen Patricies”, poemat e Xh.Veronezes etj.

Në këtë hulli u përpunua edhe nga Dantja vizioni i tij mbi “Botën e përtejme”. Por, siç ka thënë një studiues, letërsia fetare me vegimet fantastike ishte “trashamane”, vulgare, moralizuese, pa vlerë të mirëfilltë estetike, kurse Dantja projektoi një Univers në shumë drejtime origjinal, arkitektonikisht harmonik në përpjesëtimet e tij madhore dhe në detajet. I menduar racionalisht në mënyrë të gjithanshme, Demiurgu Dante nuk ish një ndërtues murator kërpaç, por arkitekt-poet. “Bota e përtejme” e “Komedisë Hyjnore” është një vegim fantastik, një realitet konvencional poetik imagjinar, që lind në kufirin midis realitetit objektiv dhe ëndërrimit. Karakterin vizionar të universit të vet Dantja jo vetëm nuk e fsheh, por herë pas here e nxjerr në pah, ua kujton lexuesve që të mos e ngatërrojnë me realitetin objektiv, ashtu siç bëjnë besimtarët, të cilët vegimet mistike i konsiderojnë reale. Duke dalë nga një ëndërr poeti e gjen veten në një pyll të errët, nga s’di të dalë: “Nuk di të them si brenda pyllit mbeta se gjumi sytë fort m’i pat platitur, kur rrugën e vërtetë i mjeri treta. (Ferri, I, 10-12).

Sistemi fetaro-filozofik

Edhe në Purgator poezia lind në kufirin midis përshtypjeve jetësore dhe vegimeve, dhe ëndërrimeve: “Si gjumi del, kur befas ndodh të zbresë mbi ftyrë të mbulueme një verbuese dritë, por gjumi prapë vezllon para se t’vdesë vegimi n’atë mënyrë u zhgreh papritë, atëherë kur dritë e fortë ndër sy më ra, shkëlqim si ai nuk ka që të goidit”. (Purgatori,XVII, 40-43) Herë pas herë poeti përshkruan figura që i dalin nga ëndrrat, të cilat përfshihen si pjesë e pandarë e realitetit–vegim i “Komedisë Hyjnore”: “Pashë n’andërr një vashë t’re t’bukur si drita, që mbi lëndinë po endej e me dorë, këpuste tash e parë lule të rita”. (Purgator, XXVII, 97-99) Dantja gjatë përpunimit të këtij universi e kuptonte se bënte një kapërcim nga sistemi fetaro-teologjik-filozofik në sistemin poetik, estetik. Kjo duket qartë sidomos kur kuptohet se ngrehinës së vet Dantja i ngarkonte funksione estetike.

Vegimi poetik i Dantes meriton të përfshihet si pjesë e pandarë e objektit estetik të artit, i cili kurrsesi nuk barazohet me realitetin objektiv, sepse arti nuk është një imitim i thjeshtë i dukurive, që i përmban natyra dhe jeta shoqërore. Arti ka funksionuar gjithnjë edhe përmes strukturash që kanë një farë ngjashmërie me dukuritë e realitetit objektiv, edhe me struktura fantastike, përmes të cilave mund të thuhet shpesh më shumë e më bukur se me të parat. Në këtë kuptim universi dantesk është një realitet–vegim imagjinar, që ka kuptimin e ekzistencës së realitetit konvencional estetik brenda artit, por ai nuk mbyllet në vetvete; ai krijohet për të rrëfyer bukur e me vërtetësi artistike për jetën, për të kuptuar çka vlon e zien thellë në gjirin e saj. Edhe idetë më të rëndomta fetare Dantja i mishëron estetikisht, artistikisht. Kur vlerësohet estetikisht “Komedia Hyjnore” shpesh shfaqen parapëlqime vetëm për ndonjërën nga konditat ose për disa nga këngët e veçanta të saj, por jo për poemën në tërësi.

Si duhet të lexohet “Komedia Hyjnore”?

Një lexuesi të kohës sonë nuk mund të mos i lindin pyetje të shumta, kur njihet me përmbajtjen e “Komedisë Hyjnore”. Autori i kësaj vepre ka përdorur teknika instrumentale poetike klasike dhe ekleziaste, skolastike e liturgjike, mitike e iluministe, me tema e ngjarje tragjike, tmerruese, imagjinare, por edhe komike, të këndshme e groteske të një bukurie mahnitëse. Autori kujton në veprën e tij njerëz që kanë vdekur prej kohësh, por që vazhdojnë të enden si hije, fantazma në një “botë tjetër” në Ferr ose në Purgator, madje edhe në Parajsë. Që këtej është pohuar shpesh herë se “Komedia Hyjnore” është vepër e vështirë. Këtë na e ka thënë edhe Lasgush Poradeci me përkthimin e poezisë "Mbreti dhe Poeti" të Henrik Hajnes: “Mos vallë ti Ferrin e Dantes s’e di, tmershmen tercetë".

Studiuesit dantologë, që e preken artistikisht

Ka tashmë shtatë shekuj e gjysmë, që studiues dantologë, lexues të arsimuar, por edhe poetë nga më të mëdhenjtë, nobelistë të shek. XX si: XH.Persi, J.L.Borges, E.Pound, T.S.Eliot, O.Mandelshtam, E.Montale, J.Seferis, S.Heaney etj., të gjithë të dashuruar me “Komedinë Hyjnore”, e kanë studiuar e vlerësuar. “Komedia Hyjnore”, si çdo kryevepër e letërsisë botërore, ka strukturë komplekse e, si rregull, në të trajtohen e preken artistikisht shumë probleme të jetës dhe të historisë njerëzore, prandaj, leximi i saj meriton të përcillet edhe me shqyrtimin kritik të një vargu paragjykimesh, obsesionesh, që janë shfaqur e pjesërisht vazhdojnë të përsëriten, të cilat hedhin hije dhe shtrembërojnë aspekte të rëndësishme të “Komedisë Hyjnore” dhe të kuptimit të së vërtetës së përsosmërisë së saj unikale.

Numrat 3, 9 dhe 10

Gjymtohet rëndë specifika estetike e Komedisë, kur thelbi i saj identifikohet me formalizmin dhe në këtë rrugë do të çmoheshin vetëm format e larmishme të skolastikës mesjetare, si elemente figuracioni tradicional, kurse prapa këtyre figurave e dukurive formale, që radhiten njëra pas tjetrës Dantja ua dyzonte, ua trefishonte kuptimin fillestar. Numrat 3, 9 dhe 10, të cilëve skolastika u atribuonte fuqi magjike.

“Dantja i pashmangshëm”

Ismail Kadare, në broshurën “Dantja i pashmangshëm”, siç i është venë në dukje nga kritika letrare, tema që mbizotëroi ka qenë “Dantja dhe historia disa shekullore e Shqipërisë”, temë për të cilën është thënë “jo e plotë me informacion historik”, kurse ne mendojmë se shkrimi i Kadaresë ka si dobësi jo aq “mangësi informacioni historik”, sesa tepricën e panevojshme të materialit historik, sidomos shqiptar, me të cilin nuk lidhet gjithsesi dhe aq drejtpërdrejt Dantja; përveç tercinës, që e ka përmendur vetë Dantja në Këngën e VI të Parajsës, që na bind se emri i Dheut tonë për Danten s’ka qenë i padëgjuar.

Në muzg të Mesjetës Dantja ishte poeti që dëgjonte rënkimet e poezisë

Komedia Hyjnore është vërtet, nga ato struktura të madhërishme estetike, për të cilat thuhet se nuk e duron t’i shtosh ose t’i heqësh gjë. Madje, nuk bën që lexuesi të nisë leximin e saj me paragjykimin se është vepër shumë e vështirë, e errët, e ndërlikuar, hermetike, përkundrazi, aty ku ka përsosmëri të mirëfilltë, ka thjeshtësi të kuptueshme. Ja një shembull nga Purgatori, një fragment që mund ta ndërlikosh me interpretime të panevojshme alegorike ose simbolike dhe, njëkohësisht, mund ta kapësh më thjesht e të kuptosh thelbin poetik mbi atë botë, ku lumi i jetës rrjedh vrullshëm dhe rrëmben me vete gjithë vjetërsirat dhe plehrat që gjen përpara: “Mes derrash, ma të denjë me e shue urin me lënde se me çdo ushqim njerzuer, ai lum si shè i v ogël nis shtegtinë; klyshë gjen ma poshtë tue ra n’për shkamb e gur;që s’të hanë dot,por lehin të tërbuem. Turijtë largon prej tyne madhështuer.

Vazhdon me ra tue rrjedhë e tue u shtuem, gjen qej këmbye në ujq e shpejta valë nëpër atë strofull t’mjerë e të mallkuem. Pa i sofistikuar e ndërlikuar me pahir vështirësitë, përjetimi i gjallë poetik i “Komedisë hyjnore” do të duhej të nisej nga ai këndvështrim, që e pranon atë të kuptueshëm. Këtë qëndrim do ta ndihmonte edhe paralelizmi me poemat klasike të Homerit. Homeri ishte i pari poet që realizoi prirjen emancipuese në rrafsh estetik të letërsisë, duke e antropmorfizuar Olimpin e hyjnive, duke i njerizuar perënditë mitologjike. Në skenën homerike të Olimpit perënditë luajnë një spektakël shumë të ngjashëm me jetën e rëndomtë të grekëve të asaj kohe. Ky ishte një akt i rëndësishëm i emancipimit të poezisë prej gjërave joestetike të mitologjisë.

Te Homeri fillesa religjioze pagane u zbeh dhe poezia u bë e plotfuqishme për t’i zbritur hyjnitë nga Olimpi, nga qielli në tokë, që ithtarët e Krishterimit, më vonë, do ta quanin “mëkatare”. Mesjeta përdori (duke përfshirë këtu edhe letërsinë fetare) gjithë mjetet e saj ideologjike e artistike për të ngjallur te besimtarët përbuzje, neveri e krupë për jetën tokësore dhe për nevojat materiale të njeriut, të cilin e ftonte të përgatitej për “jetën tjetër” të amshuar në “Mbretërinë” e Zotit. Në muzg të Mesjetës Dantja ishte poeti i parë i madh që dëgjonte rënkimet e poezisë, të burgosur në tempullin mesjetar të krishterimit, që e kuptonte nevojën e çlirimit të saj nga barra jo estetike e dogmave fetare, teologjike.

Ai nuk doli kundër thirrjes së krishterë që njeriu i kishte të mbërthyer sytë nga Toka drejt Qiellit, sepse jeta tokësore, sipas tij, ishte e ngarkuar rëndë me vese, mëkate e lagësira. Motivi kryesor nxitës në poezinë e tij ishte preokupimi për ta shpëtuar njeriun, shpirtin e tij. Në një vështrim të sipërfaqshëm duket sikur Poeti mbetet brenda kufijve të botëkuptimit të krishterë mesjetar. Dhe vërtet, skema e botës së krishterë ruhet përgjithësisht në poemën e tij, ngrehina danteske shtrihet në hapësirat e trinomit të krishterë:Ferri, Purgatori e Parajsa. Mirëpo këto hapësira Dantja i mbushi me trilogjinë e jetës tokësore të njeriut real. Skena e shfaqjes së tij në fakt është Toka dhe aktorët janë njerëzit. Ai veproi si Homeri, por me një kah të kundërt. Në ”botën e përtejme” vendosi njeriun, ashtu siç e shihte dhe siç e kuptonte në kohën e tij.

Valeria Dedaj
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi