Botëkuptimi fetar i shqiptarit
2 posters
Faqja 1 e 1
Botëkuptimi fetar i shqiptarit
Pellazgët, ilirët, pra, shqiptarët e hershëm ishin paganë. Ata adhuronin natyrën, forcat natyrore dhe mbi të gjitha Diellin e Tokën, lindësit dhe ushqyesit e jetës, “perëndi që vetëm japin dhe pa të cilat nuk mund të ketë jetë”. Për shumë e shumë shekuj, qysh nga thellësitë e parahistorisë ishte kështu: Dëshmon arkeologjia, dëshmojnë shkrimet antike.
Më pas në Perandorinë Romake u përhap krishterimi. Në ato kohëra e gjithë Iliria ishte e përfshirë në Perandorinë Romake. Shën Pietri ka shkruar se “predikoi në Provincën Romake të Ilirisë. Gojëdhëna thotë se ai ka vizituar Durrësin, “portin më të madh të Adriatikut. Natyrisht, ai u pasua nga predikues të tjerë, të gjithë misionarë fetarë të përbetuar. Në “Veprat e Apostujve” thuhet se Shën Mateu ka predikuar në Dardani, në Kosovë.
Krishterimi u përhap edhe në Iliri, por me një hap të ngadaltë, madje kronikanë dhe studiues të shumtë pohojnë se “ilirët vazhdonin të nderonin perënditë e tyre dhe mjaft kohë pas zyrtarizmit të besimit fetar të krishterë.
Gjetjet e arkeologjisë shqiptare tregojnë se në krahina të ndryshme të Shqipërisë (të “Shtetit Shqiptar”) deri vonë në fund të Mesjetës, krahas ikonave e basorelieveve me përmbajtje fetare të krishterë, vendoseshin edhe simbole të adhurimeve pagane.
Në “Enc. Britannica online” thuhet: “... të krishterët shqiptarë mbeten nën vartësinë (pushtetin) e Papës së Romës deri në vitin 732. Në këtë vit, perandori bizantin Leoni II [i]«ikonëprishësi» (kështu u quajt nga Papa i Romës) i zemëruar me arkipeshkëvit shqiptar, sepse ata kishin përkrahur Romën në “Iconoclastic Contraery”, shkëputi «Kishën Shqiptare» nga Papa i Romës dhe e vendosi nën Patrikanën e Kostandinopolit. (Në të vërtetë, dekreti perandorak përkatës nuk u zbatua, sepse në ato kohëra e deri në shekullin XI, madje edhe më pas, Ballkani ishte në trazira të mëdha). Kur «Kisha e Krishterë» u përça përfundimisht, më 1054, midis Lindjes dhe Romës, Jugu i Shqipërisë mbajti lidhjet e saj me Kostandinopojën, ndërsa Shqipëria e Veriut u rikthye nën pushtetin e Romës. Kjo përçarje e «Kishës Shqiptare» shënoi ndarjen e parë të rëndësishme në vend...”.
Dijetarët vërejnë se, terminologjia kishtare dhe, në përgjithësi, terminologjia fetare e krishterë në gjuhën shqipe ka burim latin, gjë që tregon se kisha shqiptare është formuar herët, qysh kur kisha e krishterë ishte një e vetme në të gjithë Perandorinë Romake, madje shumë kohë para ndarjes së saj në “katolike” dhe “ortodokse”...
Pas vitit 1054, pa u pyetur për bindjet e tyre, ilirët u quajtën zyrtarisht “ilirë të besimit të krishterë roman (katolik)” dhe “ilirë të besimit të krishterë bizantin (ortodoks)”. E ashtuquajtura “Vija e Theodhosit” shënonte kufirin ballkanik midis hapësirave tokësore të vëna përkatësish nën pushtetin fetar të secilës prej dy kishave dhe kalonte pikërisht përmes tokave shqiptare (madje përmes tokave, që përfshihen sot në “Shtetin Shqiptar”) dhe kështu “gegët” u quajtën përgjithësisht katolikë, ndërsa “toskët”, po përgjithësisht, ortodoksë.
Në të vërtetë, kjo “vijë kufitare” ka qenë e paqëndrueshme, ka lëvizur herë më në veri e herë më në jug, në kohë të ndryshme ka ndryshuar vende-vende harkimin e saj, ka pësuar vazhdimisht luhatje e shformime: Në rrjedhën e shekujve, të dy kishat kanë luftuar ashpër midis tyre, çdonjëra është përpjekur të shtrijë ndikimin e vet në zonën e tjetrës. Megjithatë “Vija e Theodhosit” nuk mundi kurrë t’i ndajë shqiptarët, të cilët asnjëherë nuk morën pjesë në ndeshjet midis dy kishave.
Zëvendësimet e ndërsjella të klerikëve; sharjet, akuzat, mallkimet midis tyre; ndjekja e riteve me përmbajtje të njëjtë në thelb; përdorimi i gjuhëve liturgjike të ndryshme; ... të gjitha, në sytë e shqiptarit, ishin shfaqje të përpjekjeve të njerëzve për pushtet mbi të tjerët dhe shiheshin prej tij të largëta nga “E vërteta madhore qiellore e gjithënatyrore”, të cilën ai e ndjente sipas “të vetës”, sipas “zërit të të parëve, përherë të gjallë në thellësinë e ndërgjegjes së shqiptarit”.
Studiues të ndryshëm pohojnë se ilirët, se shqiptarët në përgjithësi, dhe shqiptarët e krahinave malore në veçanti, nuk kanë qenë kurrë me bindje tërësore të krishterë: Ata mësuan vetëm sipërfaqësisht ideologjinë përkatëse, morën nga fetë e krishtera vetëm kuptime të përgjithshme, por jo dogmën e mirëfilltë dhe besimi i tyre i ashtuquajtur “i krishterë” ishte një ndërthurje e vetë besimit pagan me atë të krishterë.
Historia tregon se feudalët e mëdhenj shqiptarë të shek. XIV, si Ballshajt, Topiajt, ... herë-herë paraqiten (në dokumente të shkruara) si të krishterë të ritit roman dhe herë-herë si të ritit bizantin, natyrisht në vartësi të gjendjeve politike të krijuara.
Heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u lind në një familje të krishterë të ritit ortodoks sllav; u edukua në oborrin e sulltanit turk si mysliman; u rikthye në atdhe dhe mori përsëri fenë e familjes, pra fenë ortodokse; në çastet e fundit të jetës kërkoi ta varrosnin në kishën katedrale katolike të Lezhës; Edhe në kërkesën e tij të fundit, ai u tërhoq nga interesat e bashkëkombësve. (Prijësi i madh shqiptar e dinte mirë që “Kisha Ortodokse” kishte mbështetur fuqimisht, me të gjitha forcat e saj, përherë pushtetin laik, atë të perandorëve bizantin dhe njëlloj mbështeste edhe pushtetin e sulltanëve turq).
Pas vdekjes së Skënderbeut, mbi Shqipërinë (gjithë tokat shqiptare) u vendos “Sundimi Otoman”: Shqipëria e përgjakur rëndë u bë pjesë e “Perandorisë Turke”. Kështu, duke filluar nga fundi i shek. XV, shqiptarët u vunë para “udhëkryqit”: të vazhdonin të ishin të krishterë, apo të ktheheshin në myslimanë. Në të vërtetë, shqiptarët, pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve, me karakterin e tyre kryelartë e luftarak, me “burrërinë” që u shkonte aq natyrshëm për shtat, nuk mund të ishin kurrsesi tërësisht të një mendjeje me mësimet e krishterë që përpiqeshin të tjetërsonin natyrën, ndërgjegjen e tyre: Shqiptari dashuron me gjithë shpirt dhe urren me gjithë shpirt. Ai nuk mund “ta dojë armikun e tij”. Shqiptari nuk e pranon përuljen, nuk mundet të pranojë kurrsesi që “po ta godasin në njërën faqe, të kthejë edhe faqen tjetër që ta godasin edhe aty”. Shqiptari nuk e pranon mëshirën, nuk pranon të lutet, nuk pranon të shpërfytyrohet në një njeri të përvuajtur, nuk mund të pajtohet me përuljen, me “heshtjen përdëlluese”, me faljen e të keqes së bërë kundër tij.
“Shqiptari është më tepër luftëtar sesa fetar”, shkruan Barleti në shek. XV dhe Barleti nuk është vetëm i ditur dhe shkrimtar i madh, por edhe luftëtar dhe prift katolik. Shqiptari është i vërtetë në besimin e vet fetar: këmbëngul të shohë qartë, arsyeton “shqiptarçe”, qartë, lufton edhe me veten duke përplasur heshtazi mendimet e kundërta, vendos pasi vetëbindet dhe me kokëfortësi nuk u nënshtrohet “dogmave”.
Gjithmonë pas fjalëve të të huajve (me të drejtë, ai i sheh fjalët e tyre përherë me dyshim: kështu e ka edukuar urtësia e moçme popullore, kështu e mëson historia, kështu i thotë edhe përvoja e drejtpërdrejtë) vendos pyetjen: “Pse?” dhe nuk tundet nga e vetja pa marrë përgjigjen e plotë. (Në besimin e trashëguar nga paraardhësit e lashtë “Pse?”-ja e gjen gjithmonë përgjigjen: “Kulti” i tij është “Natyra”, me dukuritë e saj, me “të vërtetën madhore” të prekshme, “Natyra” kudo e pranishme, e rreptë me dënime, por edhe dorëhapët në shpërblime, e lirë, gjithë jetë, mike dhe armike, që del përherë ballas; “Natyra”, e cila ushqen lirinë, krenarinë, pavarësinë, “të qenit vetë zoti i vetes”, nxit guximin, forcën, zgjuarsinë...).
“Kurani” nuk lejon që të përdoret dhuna për t’i kthyer njerëzit në fenë myslimane. Pra, shqiptari, megjithëse i thyer dhe i gjakosur rëndë në luftën e gjatë me “Perandorinë e fuqishme Otomane”, ishte i lirë të zgjidhte rrugën fetare që do të ndiqte. Islamizmi nuk e detyronte të bëhej të bëhej besimtar mysliman dhe, po ashtu, nuk ia cenonte “burrërinë”, nuk i kërkonte të ndryshonte natyrën e tij krenare dhe karakterin e tij prej luftëtari për hir të “dogmës” (si e sa krishterimi): e linte më të lirë, nuk e përulte, e lejonte të mbante armët (tek arma shqiptari shihte garancinë e “burrërisë” së tij), nuk ia prekte pasurinë, nuk e detyronte të paguante taksa.
Shënojmë: Taksat shihen nga shqiptari jo vetëm si vlera materiale që merren nga të huajt pa asnjë të drejtë, por edhe si “fyerje” që i bëhet “burrërisë” së tij: Dhënia e taksave tregon, gjithmonë sipas mendësisë gjithëshqiptare, nënshtrim, pazotësi për të mbrojtur “gjënë tënde”.
Shumë shqiptarë u kthyen në myslimanë. Koloneli anglez William Martin Leake, që në vitin 1814 ishte si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Angleze pranë Ali Pashë Tepelenës, shkruan se, duke u quajtur mysliman, shqiptari “shpëtonte nga përbuzja dhe nga keqtrajtimi që i bënte pushteti”.
Rilindësi i shquar Sami Frashëri shkruan: “Kthyerj’ e besës (e fesë) u shtua shumë më teprë, edhe më të gjith’ anëtë të Shqipërisë zunë të marrënë besën e mundësit (e fitimtarit osmanli) duke thënë: «tek është kordha është besa»...”
Në “Enc. Britannica on line” lexohet: “Arsyeja kryesore që shqiptarët u bënë myslimanë ishte që t’i shpëtonin dhunës dhe shfrytëzimit, një shembull i të cilave ishte taksa shtrydhëse që të krishterët duhej të paguanin në rast se nuk ndërronin fenë”.
***
Deri vonë, në fillimet e shek. XX, në disa fshatra të veriut dhe të jugut të Shqipërisë, një pjesë e burrave kishin nga dy emra: një mysliman për përdorim “publik” dhe një të krishterë për përdorim vetjak. (Për të dhënë një shembull, kujtojmë emrin e kreshnikut Gjergj Elez Alia: Gjergj është një emër i krishterë, ndërsa Elez dhe Ali janë dy emra myslimanë). Labët, megjithëse myslimanë, kanë përdorur dhe përdorin lirisht, pa dallim, emra myslimanë e të krishterë.
Bajroni, që i ka njohur shqiptarët drejtpërdrejt, shkruan: “As grekët nuk i shohin (shqiptarët) si të krishterë dhe as turqit, si myslimanë. Ç’është e vërteta, ata (shqiptarët) janë një përzierje e të dyjave, ose, nganjëherë, asnjëra prej tyre”.
Më 1820, Pouqueville pohon, mbështetur në përvojën e tij të drejtpërdrejtë: “... dukatasit kanë mbetur pothuajse pa asnjë lloj feje (monoteiste)”.
Po ashtu pas ka vizituar arbëreshët e Moresë, i cilëson fshatrat e shumta të tyre “të ndërtuara më mirë se ato të grekëve” dhe shton: “... (shqiptarët, arbëreshët) nuk janë as të krishterë, as myslimanë...”.
Në veprën e tij “Udhëtim në Janinë në Shqipëri nga Sicilia dhe Greqia” (1821) T. S. Hughes thotë: “Shqiptarët e Greqisë ruajnë gjithkund gjuhën, doket dhe zakonet e tyre, si dhe atë veprimtari shpirtërore e trupore, që e dallon nga grekët e nga turqit dhe e rrëfen më të lartë se ata”.
N. Borgia, në veprën e tij “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Roma, 1935) vëren: “Bizantizmi në fushën e brishtë e të vështirë të dogmave nuk ishte veti e burrave të maleve, aq më pak e himarjotëve”.
Ndër shqiptarët (që jetojnë brenda kufijve të “Shtetit Shqiptar" dhe në tokat shqiptare jashtë tij) lëvrohen paralelisht feja islame dhe ajo e krishterë: myslimanizmi sunit dhe ai bektashian; kristianizmi katolik dhe ai ortodoks. Mes myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë ka mjaft nga ata që nuk shkojnë nëpër faltore, që nuk ndjekin asnjë rit fetar, por festojnë festat kryesore fetare përkatëse; ka edhe nga ta që shkojnë në faltore vetëm kur në to kryhen ceremoni të veçanta. Si kudo në botë, ka edhe shqiptarë ateistë.
Vërejmë: Besimi bektashian, një sekt mysliman (një lloj nënbesimi reformator, liberal brenda islamizmit) me faltore të vetat (“teqe”-të), e rite po të vetat, është quajtur “feja e katërt në Shqipëri” dhe ushtrohet edhe në Kosovë e Maqedoni. Qendra botërore e saj: “Kryegjyshata”, gjendet në Tiranë.
Në regjistrimet zyrtare të popullsisë në “Shtetin Shqiptar”, me përjashtim të regjistrimit të kryer më 1929-1930, nuk shënohet përkatësia fetare e shtetasve; për pasojë numri i besimtarëve të feve të veçanta “nuk njihet zyrtarisht”.
Qarqe të caktuara të huaja, “dashakeqe” ndaj Shqipërisë e shqiptarëve abuzojnë rëndë mbi numrin e besimtarëve ortodoksë duke e shpallur shumë herë më të madh se sa është në të vërtetë.
Në vitin 1967, “Republika Popullore e Shqipërisë” u shpall “Shtet ateist” (“Shteti i parë ateist në botë”): Në trojet e përfshira brenda kufijve të tij, lëvrimi i feve (të gjitha feve pa dallim) u ndalua me ligj dhe kudo, në qytete e fshatra u shkatërruan me “aksione të Rinisë së Punës”, kisha, xhami, teqe, tyrbe.
Me fillimin e viteve ’90, menjëherë pas përmbysjes së komunizmit dhe “hapjes të plotë të portave drejt Perëndimit” në Shqipëri (në Shtetin Shqiptar) kanë vërshuar mjaft fe “të reja” (deri të panjohura nga shqiptarët) mjaft sekte të ndryshme fetare (gjithmonë të ardhura nga jashtë, të sjella nga të huajt dhe shpesh me ngucje, me ngulm, me etje të madhe për “t’i shpëtuar shqiptarët duke i bërë besimtarë të tyre si “Protestantë”, “Bahaj”, “Dëshmitarë të Jehovait” etj. etj.
“Shqiptarët ... ndjenjën dhe lidhjet e kombësisë i kanë më të fuqishme se ato të fesë”, vëren historiani anglez G. Finlay, në veprën “Historia e Greqisë”, 1877.
Shqiptarët nuk e kanë përzierë kurrë fenë me kuptimin e kombit, fisit, “farës”, përherë shumë të rëndësishme për të.
Anglezja miss Edith Durham, që është endur nëpër Gadishullin Ballkanik shkruan:
“... Kur kaloja nëpër Rumeli (“Rumeli” quhej turqisht pjesa europiane e Perandorisë Turke) pyesja njerëzit: «Ç’je ti?»
Katolik – përgjigjej njëri.
Protestant – përgjigjej tjetri.
Në Bullgari pyesja: «Ç’je ti?»
Ortodoks.
Në Jugosllavi pyesja: «Ç’je ti?»
Protestant.
Ortodoks.
... Kështu isha e mbytur e tëra nga dogmat idiote të njerëzve dhe duke hyrë në Shqipëri pyeta: «Çfarë jeni ju këtu?»
Shqiptarë – m’u përgjigjën prerë e qartë.
«Më në fund», thashë, «u çlirova këtu nga fanatikët dhe zotkrijuesit»...”
Zakonet e pashkruara, fjalët e të moçmëve të përçuara gojë më gojë, “burrëria”, “kanunet” e ruajtura besnikërisht në kujtesën popullore, kanë qenë rregullues të pakundërshtueshëm të jetës shoqërore shqiptare, kanë qenë përcaktues të së Mirës, të së Drejtës dhe të së Keqes, të Padrejtës në tërë marrëdhëniet e bashkëjetesës dhe sjelljes së shqiptarëve.
“Ato vijnë nga të parët” thuhet në popull dhe, pikërisht ky pohim i menduar mirë dhe i thënë me gojën plot, nuk ka lejuar që në to të hyjnë dogma fetare mbi të Drejtën, apo në to të ndikojnë ndryshimet midis feve.
Shqiptari është edukuar për mijëra vjet me dashurinë ndaj natyrës dhe të natyrshmes. Ai ka shpirtin e njeriut të lirë si vetë natyra, ndaj është edhe zemërgjerë lidhur me mendimet e të tjerëve, me besimin fetar të tjetrit, por edhe nuk lejon që ta detyrojnë të ndryshojë bindjet e tij apo të mos ia përfillin: “Zotin tënd mbaje për vete, unë mbaj timin” dhe “Gjithkush beson atë që i duket më e mirë dhe askush nuk ka të drejtë ta detyrojë tjetrin të mendojë si ai vetë”, mendon me bindje çdo shqiptar.
“Shqiptarët e mohojnë fanatizmin fetar të otomanëve deri në atë pikë sa që nuk e përfillin fare, megjithëse janë të po asaj feje” – shkruan etnologu austriak Waldkamft në vitin 1887 – “Shumica e fshatrave shqiptare nuk kanë xhami dhe besimtarët e kësaj feje nuk ngurojnë të festojnë Pashkën bashkë me të krishterët, gjithashtu edhe të krishterët marrin pjesë me kënaqësi në festën e Ramazanit (festën e Bajramit). Shqiptarët nuk kanë asnjë vështirësi të bëjnë martesa brenda shoqërisë së tyre pavarësisht nga besimet fetare”.
Në studimin e tij sociologjik “Historia e shqiptarëve të veriut”, kroati Milan Shuflaj vëren, në vitet ’20 të shek. XX: “... myslimanët e fisit shqiptar të Shkrelit i japin ende të dhjetën famullitarit katolik dhe në festat e Shën Kollit e të Shën Gjergjit sjellin qirinj për shpirt”.
Pikërisht kështu: Tradita e mëson shqiptarin të ruajë pastërtinë e gjakut të “farës” shqiptare, të mos pranojë bashkime martesore që përziejnë gjakun shqiptar me atë të të huajve: por shqiptarët janë shqiptarë edhe kur janë myslimanë edhe kur janë të krishterë.
Sipas besimit gjithëpopullor, feja nuk ndryshon kombin: “Myslimanë qofshim a të krishterë, ne kemi një atdhe, ne jemi një komb, ne të gjithë i themi nënës, «nënë» dhe bukës, «bukë»; ne kemi një «burrëri».
Lordi anglez I. C. Hobhause, në veprën e tij “Një udhëtim përmes Shqipërisë dhe provincave të tjera të Turqisë Europiane e Azisë” shkruan: “Vetëm shqiptarët kanë ndjenjën e kombësisë; asnjë prej popujve të tjerë të mbretërisë osmane nuk ndjen gjë tjetër përveç fesë”.
Më 1889, “Komiteti atdhetar i Stambollit”, megjithëse shumicën dërrmuese të anëtarëve e përbënin shqiptarë myslimanë, botoi në Bukuresht edhe libra fetarë të krishterë të botuar në shqip, midis të cilëve edhe “Ungjillin sipas Mateut”, për të ndihmuar kështu që, në kishat ortodokse të shpërndara nëpër tokat shqiptare të “flitej shqip” dhe shqiptarët të kuptonin fjalët e priftërinjve.
Vërejmë: Shqiptarët bëhen “vëllamë”, “vëllezër gjaku” midis tyre edhe po të jenë të feve të ndryshme.
Kurrë shqiptarët nuk janë grindur midis tyre për bindje fetare, megjithëse të huajt janë përpjekur t’i përçajnë me anë të fesë.
Ky pohim shpreh një të vërtetë të madhe: Populli shqiptar është i vetmi në botë që ka jetuar gjithmonë dhe jeton edhe sot midis një mirëkuptimi shoqëror të pacenuar nga fetë.
“... shqiptarët nuk i japin rëndësi feve, por dallimit fisnor dhe zanafillës. Për ta kombi është i njëvlershëm me fisin (me farën) dhe prejardhjen e përbashkët...” thekson studiuesi me prejardhje shqiptare A. Kola (arbëror, arvanitas).
“Ata (shqiptarët) nuk i kushtojnë shumë rëndësi besimit; myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, janë të gjithë, pa përjashtim, në një mendje për gjithçka që ka të bëjë me vendin e tyre...” shkruante Abdyl Frashëri.
Që kur u fitua “Pavarësia e Shqipërisë” në të gjitha kushtetutat e organizimeve shtetërore të krijuara (me përjashtim të kushtetutës së fundit komunista) është shpallur përherë njëlloj se “Shteti Shqiptar” është laik dhe është sanksionuar me ligj se të gjitha fetë nderohen njëlloj, janë të barabarta para ligjit, janë njëlloj të lira të ushtrohen.
Kryepeshkopi i ditur dhe atdhetar, rilindësi i shquar F. S. Noli, në ligjëratën e mbajtur në “Parlamentin Shqiptar” më 27 nëntor 1923 thekson: “...Në Shqipëri kemi katër besime të ndryshme (mysliman, bektashian, katolik dhe ortodoks) që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e popullit (në thelb) pagan”.
Fetë monoteiste u sollën te shqiptarët nga të huajt, nga pushtuesit dhe, përherë, në të gjitha kohërat, në thellësinë e ndërgjegjes së vet shqiptari e ka ditur këtë të vërtetë.
...
Duke gërmuar në thellësitë e botës së mendimit e ndjenjës popullore gjithëshqiptare, duke mbledhur e studiuar zakone e doke të vjetra, që ndiqen ende nga shqiptarët, duke analizuar sjellje të shqiptarëve të djeshëm e të sotëm, gjenden përsëri e përsëri mendësi parakristiane, që dëshmojnë vazhdimësinë kulturore pellazge, ilire, arbërore, shqiptare.
…
Rilindësit kanë shpallur “Feja e shqiptarët është shqiptaria”. Ky pohim i atdhetarëve të mëdhenj shqiptarë, që e njihnin mirë historinë, e njihnin thellësisht botën shpirtërore të bashkëkombësve, është përcaktimi më i gjetur, më i vërtetë për botëkuptimin fetar të shqiptarit.
Arion Hysenbegas
gjilanasi- 361
Re: Botëkuptimi fetar i shqiptarit
NJE MATERIAL I SHKELQYER...JA VLEN TA LEXOSH E PERSERI TA LEXOSH...sepse te gjithe kemi nevoje te kthjellemi.
Elsavrana- 33
Similar topics
» Terrorizmi fetar Shqipëri & Kosovë
» Ringjallja e shqiptarit për besën
» Feja e shqiptarit - Shqiptaria
» Llozha masone "Skenderbej" ne Athine
» Feja e shqiptarit eshte shqipetaria?
» Ringjallja e shqiptarit për besën
» Feja e shqiptarit - Shqiptaria
» Llozha masone "Skenderbej" ne Athine
» Feja e shqiptarit eshte shqipetaria?
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi