Qenia dhe qeniet imagjinare
2 posters
Faqja 1 e 1
Qenia dhe qeniet imagjinare
Me mësymjen drejt qyteteve, përveç të tjerash, njerëzit lanë pas krahëve besimet dhe besëtytnitë, ose u dhanë forma utopike. Këto të fundit mund t’i fusim nën një çati të përbashkët, që nga studiuesit njihet si mitologjia popullore (Çabej), ose edhe qenie imagjinare (Borges).
Është e vështirë të përcaktohet se si mund të kundrohet kjo lënie mënjanë e këtyre besëtytnive, si çlirim prej tyre dhe, së këndejmi, si shenjë emancipimi (siç bien dakord në këtë pikë ideologji si komunizmi dhe demokracia), apo si njëfarë dalje nga rrënjët dhe, që këtej, si një metamorfozë që i tëhuajëson drejt një zone të rëndë gri, që ka si pasojë harresën e të shkuarës dhe paralizimin në raport me të ardhmen? – sepse në qytet, të ardhmen e bëjnë të ardhurit, ose ardhacakët.
Ndër këto figura të besëtytnive, Çabej rreshton edhe këto:
Abé – “hije e fantazmë”, kuptimi i parë “pëlhurë”; Balozi i detit; të Bardhat – “lloj shtojzovallesh”, emri i tyre i krahasueshëm me albile, “të bardhat” të arumunëve, e më anë tjetër me leukai korai – “vashat e bardha” në Delfi të Greqisë së vjetër; Buba; e Bukura e Dheut, figurë e përhapur në mbarë Gadishullin Ballkanik, si dhe te turqit, kurdët, sirët e më anë tjetër edhe në Itali, emërtimi i saj sipas P. Kretschmer-it me burim prej botës arabe; Divi, me gurrë orientale; Dragojtë; të Errëtat e Dheut; Dhampiri; Dhamsuta, përfytyruar në Veri si një pelë përrallore, me në shpinë kalorësin e quajtur Dhevështruesi; Fata, tek arbëreshët e Italisë; tri Fatitë; Ferriçka, një lloj vashe e bukur, në gojëdhënat e Përmetit; Flana; Floçkat, përfytyruar si vasha të bukura me flokë të gjatë, që mendohej se rrinin në ujëra e në puse, të ngjashme me to ishin Kshetrat ose Kshetzat; Gegu; Sanagogu; Gjysmagjeli, figurë e përrallave popullore; Herri, përfytyruar si një lloj xhuxhmaxhuxhi; Hijet, sipas Joklit të quajtura kështu edhe te të tjerë popuj ballkanikë; Hyjria e Detit, lloj sirene; të Jashtësmet, quajtur në këtë mënyrë edhe në greqishten e re; Jelini, lloj vigani në besëtytnitë e Sasajt të Sarandës, kuptimi i mirëfilltë “grek, helen”; Judi, Xhullitë, quajtur kështu si në anët e Veriut, si edhe te bullgarët dhe rumunët, Jidov; Kacelmici, lloj gjysmëgishti i përrallave; Karkanxholi, prej turq. karakoncoles; Katallani, vigani me një sy i përrallës popullore, që e ka emrin prej rrogëtarëve (mercenarëve) katalanas të Spanjës, të cilët shkretuan Gadishullin Ballkanik aty nga viti 1302, në Labëri me emër shqip Syqënhenjerí; Katraveshi, lloj vigani antropofag në përrallat e Jugut, te fjalori i Pano Tases; Koret, në besëtytni zana dëmtare, që në Kelmend mendohej dikur se i digjnin me flakadanj në netët e festave popullore; Kukudhi, figurë e mitologjisë popullore të Jugut e të elementit shqiptar të Greqisë; Kulshedra, figurë e njohur mirëfilli; Ligat, fata të këqija në besëtytninë e dikurshme të Siqelisë1; Lopëlara, figurë e përrallave, e përfytyruar si një lopë larushe; Lubia, qenie e mitologjisë popullore, e njohur mirëfilli me emër të karakterit eufemistik; Lugati, lloj vampiri i besëtytnive.2
Gjithë sa më sipër, besoj përvijohet si një këngë e moçme për të ardhurit, fjalët dhe refreni i së cilës thjesht u kujton diçka në trajtë të zbehtë. Kurse për pasardhësit e ardhacakëve, është vetëm “interesante” ose lëndë e parë për gallatë.
Vetë fakti që këtyre figurave mitike u ka ardhur vakti të tubohen në letër tregon shumë.
Edhe Borges-i, mbase fort i mahnitur nga ky subjekt, ka mbledhur me ëndje dhjetëra figura të tilla, që ai quan si “qenie imagjinare”.
Ndër të tjera, Borges-i përcjell rrëfenjën për Gjarprin Tetë Herë të Bigëzuar:
“Gjarpri Tetë Herë i Bigëzuar i Kosh-it spikat në kozmogoninë mitike të Japonisë. Ai kishte tetë kokë dhe tetë bishta; kish sy të kuq si qershi dimri, mbi shpinë i rriteshin pisha e lëmashk, kurse në secilën prej krenjve i mugullonin bredha. Kur gjarpëronte, shtriqej nëpër tetë lugina dhe tetë kodrina, me mes të njollosur gjithnjë me gjak. Në shtatë yjet kjo bishë përlau shtatë virgjina, bija mbreti, të quajtur Princesha-Kreshtë-Orizore. Princesha u shëlbua nga zoti me emrin Mashkulli-Trim-i Shpejtë-me Fletë. Ky kalorës shestoi një rrethojë qarkore prej druri me tetë porta dhe tetë platforma në çdo portë. Në secilën platformë vuri nga një tinar të mbushur gjer në buzë me birrë orizi. Gjarpri Tetë Herë i Bigëzuar u afrua dhe, duke kredhur në secilin tinar një kokë, e piu birrën dhe ra zhyt në gjumë. Atëherë Mashkulli-Trim-i Shpejtë-me Fletë i shkurtoi kokët. Një lumë gjaku rrodhi prej qafave të cunguara. Në bishtin e Gjarprit u gjet një shpatë që nderohet edhe sot në Hijeroren e Madhe të Atsuta-s. Këto ngjarje u zhvilluan në Malin e Gjarprit, sot Mali i Tetë Reve. Numri tetë në Japoni është numër magjik dhe përdoret për të thënë shumë, ashtu sikundër se përdorej dyzeta (“Kur dyzet dimra do të ngrysin ballin tënd”3) në Anglinë elizabetiane. Kartëmonedha japoneze kremton ende vrasjen e Gjarprit.
Është e tepërt të vëmë në dukje se shpëtimtari i martua me të shëlbuarën, ashtu si në mitin grek Perseu martohet me Andromedën.
Në përkthimin e tij të kozmogonive dhe teogonive të Japonisë së vjetër (Shkrimet e Shenjta të Japonezëve), Post Weeler-i mban shënim, gjithashtu, legjendat analoge të Hidrës së mitit grek, të Fafnirit të mitit gjerman dhe të hyjneshës egjiptiane Hator, të cilën një zot e dehu me birrë të kuqe si gjaku, që të mos asgjësonte njerëzimin.”4
Merret me mend që japonezët sot, duke qenë njerëz modernë tanimë, të civilizuar nga ndërmarrja zulmëmadhe e njeriut pa ngjyrë, as që duan t’ia dinë për Gjarprin Tetë Herë të Bigëzuar, që, po të mos e harronin, mbase do ruheshin nga Gjarpri që hëngri kokat e samurajëve.
Borges-i tregon se edhe Kafka kishte një përfytyrim për kafshë imagjanre:
“Është kafsha me bisht të madh, si bisht dhelpre, disa jardë të gjatë. Sa do të më këndej të shtrija duart mbi këtë bisht, por është e pamundur, sepse kafsha lëvrin paprerë përqark, dhe tërhidhet sa andej këndej. Kafsha shëmbëllen me një kangur, por jo për nga fytyra, që e ka të sheshtë, ment si fytyra e njeriut, të vogël dhe vezake; veç dhëmbët e saj kanë fuqi shprehjeje, si kur i fsheh, ashtu edhe kur i zdath. Nganjëherë më duket sikur kafsha orvatet të më ngashënjejë. Ç’qëllim tjetër mund të ketë kur tërheq bishtin, teksa orvatem ta prek, pasandaj sërish pret e qetë, e kur unë tundohem edhe një herë, ajo e mbështjell?
Franz Kafka: I dashur baba”5
Edhe Kafka del të jetë një prapanik i pandreqshëm, sepse nuk pranoi që nuk pranoi një herë të pinte nga helmi i Gjarprit që gëlltiti kokat e samurajëve, që të shërohej një herë e mirë nga të tilla zakone prapanike të kohëve të errëta.
Figurat dhe personazhet mitike që ndërmendëm më lart, në fakt, janë një dëshmi e paasgjësueshme e “ngjyrosjes” ose e braktisjes së monoteizmit ndër ata që jetonin me to dhe ndër ata pak që i mbajnë të gjalla akoma në kujtesë dhe në botëkuptim.
Ato duhen mbajtur në kujtesë, sepse gjithnjë, nga njëra anë është Një-shi, dhe nga ana tjetër shumë-si. Pra, nëse dimë të dallojmë, dimë edhe të ndërtojmë raportet e duhura.
(1) Sicilisë.
(2) Çabej, E. (2011) “Diana dhe zana”, f. 135-136. Tiranë: Çabej.
(3) Nga një sonet i Shakespeare-t.
(4) Borges, H. L. (2005) “Libri i qenieve imagjinare”, f. 78-79. Përkth.: Azem Qazimi. Tiranë: Zenit.
(5) Po aty, f. 92.
Magus- Kërkoni të vërtetën në praktikë dhe jo me spekulime.
Çfarëdo qoftë niveli i teorive që ju mund të zhvilloni, ato do të mbeten gjithmonë masturbim intelektual.
101
Re: Qenia dhe qeniet imagjinare
Ne jemi te gjithe ne Universin e Shpirterave por ne nivele te ndryshme te vetedijes.
Hagel- 61
Similar topics
» Qenia e Dritës
» Dhjetë rregullat për Qeniet Njerëzore!
» Shtëpia që vizitohet nga qeniet mistike
» Eksperimentet më të tmerrshme mbi qeniet njerëzore
» Histori me entitete
» Dhjetë rregullat për Qeniet Njerëzore!
» Shtëpia që vizitohet nga qeniet mistike
» Eksperimentet më të tmerrshme mbi qeniet njerëzore
» Histori me entitete
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi