Djalli
Faqja 1 e 1
Djalli
Djalli dhe Dyshimi
Pikepamje Islamike
Djalli dhe funksioni i tij.
Para se ta kundërshtonte Zotin, djalli merrte pjesë së bashku me engjëjt dhe bënte punën që bënin edhe ata. (Kehf, 18:50) Ndërkaq, meqë nuk ishte si engjëjt e krijuar prej drite, nuk ndodhej nën garanci. Siç është thënë edhe më parë, engjëjt nuk kundërshtojnë, nuk ngrenë krye, por bëjnë atë që u urdhërohet. (Tahrim, 66:6) Natyra vërtetë e djallit, entiteti i vërtetë i tij doli në shesh pasi iu propozua t'i përulej njeriut të parë, Ademit, për ç'shkak embrioni i mendjemadhësisë dhe fara e revoltës të pranishme në qenien e tij, por të pashfaqura gjer atëherë, plasën dhe u zhvilluan me vrull.
Djalli tha duke iu drejtuar Zotit me mendjemadhësi: "Unë jam epror ndaj tij sepse atë e krijove nga balta, kurse mua prej zjarri!" (Sa'd, 38:76) Sipas deklaratës së ajetit kur'anor dhe, ashtu siç thotë edhe imam Shibliu, gjersa ngriti krye, djalli quhej Iblis, pastaj u quajt shejtan, djall, dhe iu dha mundësia të rronte gjer në kiamet. Pas kësaj, djalli iu betua Zotit kështu: "Do t'u futem njerëzve nga e djathta e nga e majta, nga para e nga prapa dhe do t'i prapësoj!" (A'raf, 7:17)
Këtu duam ta sqarojmë me përparësi këtë specifikë: Në luftë, para se të merret vendim për ta sulmuar armikun ose për t'u mbrojtur prej tij, nuk studiohen një e nga një të gjithë individët-ushtarë të armikut, por përbërja dhe fuqia ushtarake e reparteve dhe nënreparteve, armatimi dhe rezervat luftarake, aftësitë e manovrimit, epërsia në armatim, pozicioni ose pozicionet që ka zënë, etj. Studimi dhe njohja e ngjyrës së flokëve dhe syve të oficerëve dhe ushtarëve, tipi i veshjeve dhe veçori të tjera personale s'vlejnë për kurrgjë. Kështu qëndron puna edhe me xhindet.
Lidhur me këtë çështje, e rëndësishme dhe themelore për ne është të përcaktojmë rrugët nga mund të na afrohet djalli, mënyrat dhe dredhitë e tij për të na goditur në besimin tonë që është garancia e jetës sonë të amshuar, dhe të gjejmë rrugëzgjidhjet e duhura.
Cila është urtësia e krijimit të djallit dhe e lejimit të tij për t'i prapësuar njerëzit?
Po të mos krijohej djalli, krijimi i njeriut s'do të kishte asnjë kuptim. E para, zoti ka shumë krijesa si engjëjt që kurrë nuk bëjnë mëkat dhe që nuk ndikohen për të keq nga djalli. Ashtu siç ka krijuar ndryshe nga njeriu, bimët dhe kafshët, zoti ka dëshiruar të krijojë njerëzit si pasyra që i pasqyrojnë artet hyjnore ndryshe nga engjëjt. Ndërkaq u ka kundërvënë njerëzve djallin dhe shpirtrat e këqinj si elementë provokimi dhe nxitjeje dhe pretekst zhvillimi me qëllim për të zhvilluar dhe nxjerrë në shesh mundësitë dhe aftësitë që përmbahen në natyrën dhe entitetin e njerëzve, qenien esenciale të tyre. Djalli që e reflekton jashtë mendjemadhësinë dhe shtysën e rebelimit, vepron në mënyrë të vetëdijshme.
Djalli është si një maratonist kundërshtar që e ndjek njeriun nga pas. Për të arritur në finish, për të dalë fitues, për t'u shkëputur nga ky kundërshtar i përjetshëm që s'i ndahet, njeriut i duhet ta lërë pas, të jetë gjithmonë në krye dhe shumë para tij. Po qe se njeriu nuk do të kishte një kundërshtar dhe armik që do të mund të bëhej për të element provokimi dhe nxitjeje, njeriu kurrë nuk do ta bënte këtë garë serioze dhe t'i zhvillonte mundësitë dhe aftësivë e veta; më saktë, njeriu nuk do të gjente dot terrenin për t'i zhvilluar mundësië dhe aftësitë të cilat, më në fund, do të atrofizoheshin së bashku me njeriun. Njeriu e ka arritur nivelin më të lartë njerëzor dhe pozitën e njeriut të përsosur me anë të luftës kundër këtij armiku të përjetshëm. Në të njëjtën kohë, kur i ka munguar forca, dëshira dhe vullneti i duhur, njeriu e ka humbur këtë garë duke rënë nën nivelin më të ulët të qenieve!
E keqja nuk qëndron te krijimi i djallit, por te ndjekja e tij dhe kryerja e të keqes. Ashtu siç ndodh që në një krim, si shkak i vërtetë i krimit tregohen jo thika apo arma e zjarrit të përdorura në atë krim, por duart që i përdorën, pra, njeriu, në të njëjtën mënyrë, edhe djalli është një vegël e përgjakur e përdorur në aktet e këqija apo kriminale të kryera nga njeriu dhe fajtori i vërtetë, dora e përgjakur që e përdori atë vegël.
Sigurisht, nuk është djalli shkaku i vërtetë i përfundimeve të këqija të arritura nga kryerja e disa akteve të këqija prej egos te njeriu dhe vullnetit të hyrë nën urdhrin e egos. Djalli dhe të këqijat janë nga një shkak banal më vete; shkaktari i vërtetë është vullneti i njeriut. Njerëzit bëjnë të këqija jo se është djalli, por me anë të vullneteve të veta.
Njeriu është i prirur ta vlerësojë çdo gjë në kuadrin e vet të ngushtë dhe sipas rezultateve të vogla që ka në dorë, kurse akti krijues i Zotit sheh kah rezultatet dhe dobitë e përgjithshme. Për shembull, po ta fusim dorën në zjarr, do të na digjet; megjithëkëtë, a mund të themi që zjarri është krejt i dëmshëm? Zjarri ka një sërë vetish dhe cilësish. Jemi ne që e bëjmë atë të keq e të dëmshëm apo të mirë e të dobishëm. Dhe, po t'i shohim rezultatet e përgjithshme të përdorimit të zjarrit, do të arrijmë në përfundimin se ai është shumë i dobishëm e i nevojshëm.
E tillë është energjia elektrike. I tillë është shiu. I tillë është edhe djalli. Duke u bërë pjesë e dëshirave dhe vullnetit të njeriut të keq, djalli e shtyn atë për në xhehennem, skëterrë. Kurse duke e nxitur vullnetin e njeriut të mirë për t'u larguar prej tij, si vrapuesi që përpiqet t'i shkëputet në vrapim kundërshtarit që e ndjek nga pas, djalli bëhet shkaktar për lartësimin moralo-shpirtëror të njeriut të mirë, për fitoren parajsore të tij. Ky është funksioni i djallit.
A mund të themi për zjarrin, rrymën elektrike apo shiun, "më mirë të mos ishin" duke i konsideruar të këqinj vetëm duke parë disa rezultate negative të pjesshme e jo rezultatet e tyre të përgjithshme? Jo! Në të njëjtën mënyrë, s'mund të themi se "pse u krijua djalli". Ashtu siç ndodh që, bie fjala, për një gisht të gangrenuar nuk e vrasim trupin e shëndoshë, por vetëm gishtin e vdekur e presim, po ashtu, nuk duhet të kundërshtojmë ekzistencën e djallit që na sjell dobi të mëdha, për shkak të një sërë gjërash të këqija.
Meqë në shërbimin ushtarak apo në luftë ka vrasje dhe vdekje, a mund të themi që të mos shkojmë ushtar ose në luftë? Si kjo, dëmet që mund t'i shkaktojë besimit djalli duke ia zbukuruar të keqen njeriut, janë apo s'janë një me një mijë në raport me dobitë që i sjell besimit profeti. "Si mund të ndodhë" – do të thoni. Nuk mund të thuhet se "a nuk shkojnë në xhehennem mijra njerëz nën mashtrimin e djallit?" Sepse cilësia te besimtari është edhe më e rëndësishme se sasia te mohuesi, edhe më me epërsi. Kush ka më shumë rëndësi, jeta e një njeriu, apo jeta e një mijë insekteve? Ndërsa nga një mijë fara hurmaje, vetëm 11 arrijnë të mbijnë dhe bëhen pemë, a është më mirë të kesh një mijë fara, apo 11 pemë hurmaje?
Ç'është dyshimi?
Dyshimi është ndjenja e lëkundjes dhe pasigurisë së plotë që shkakton djalli në zemrën e besimtarit duke ia çoroditur imagjinatën me një sërë kujtimesh, portretesh dhe pamjesh. Dyshimi është loja e fundit dhe arma e fundit që luan djalli kundër një njeriu, veçanërisht kundër besimtarit. Duke ia lëkundur bindjet, besimin, qëllimet dhe synimet e shëndosha, duke ia çoroditur imagjinatën me pamje iluzive që e largojnë nga realiteti, djalli ia lëkund njeriut besimin dhe sigurinë në vetvete.
Ç'është shenja e djallit?
Shenja e djallit është një pikë e rëndësishme në zemrën e njeriut, veçanërisht besimtarit, ku djalli drejton topin, pushkën, shigjetën, ajo pikë e zemrës të cilën e merr në shenjë djalli. Në zemrën e njeriut, veçanërisht, të besimtarit, është pika ku vijnë e mblidhen frymëzimet engjëllore, si dhe pika e djallit. Krejt si polet minus (-) dhe plus (+) të një baterie elektrike!
Cilët njerëz dyshojnë më shumë?
Te muslimanët fillestarë, te ata që e fillojnë punën së pari nuk ndodh dyshim. Dyshimi shfaqet më shumë te disa muslimanë që ia kanë dhënë zemrën fesë, që ia kanë shkëputur djallit nga dora të gjitha lidhjet dhe frerët me të cilat ai kërkon t'i pengojë ose t'i shmangë nga feja për t'i drejtuar atje ku do vetë, që i kryejnë pak a shumë detyrat dhe adhurimet ndaj Zotit dhe që bëjnë përparime në besim.
Besimtarët që janë në rrugën e përparimit me aftësitë e zemrës në botën e tyre të brendshme, që janë në ngjitje të vazhdueshme drejt nivelit të njeriut të përkryer, përballen në pikat e vështira të rrugës së tyre me dyshimin si armë e djallit. Po, ndërsa njeriu është duke u lartësuar në qiejt e shpirtit, djalli i ngre nga një kurth në çdo etapë dhe pret. Kur e sheh të përshtatshme, e hedh shigjetën e dyshimit duke marrë shenjë atë pikën e ndjeshme të zemrës së besimtarit, dhe pret rezultatin. Kjo do të thotë se thellësia në besim shkakton smirë dhe reaksion te djalli.
Dyshimi shfaqet disa herë te shpirtrat e ndjeshëm dhe nervozë, kurse, disa herë, te ata që hanë shumë ose janë të dhënë pas trupit. Dyshimi te besimtari nuk ka format e turbullirave dhe depresioneve, por të shqetësimeve të zakonshme. Sado i përparuar të jetë besimtari në besim, mund t'i shfaqet dyshim. Madje, ka ndodhur që edhe personaliteti më i madh pas sahabeve, shokëve të Profetit, imam Rabbaniu, ka pësuar dyshim. Ashtu siç nuk është kusht që njeriu i prekur nga dyshimi ose i vënë në shenjë për këtë gjë, të jetë një besimtar i shquar në besim, nuk është kusht që njeriu i paprekur nga dyshimi ose që nuk vihet në shenjë, të jetë i qetë.
Te mohuesi nuk shfaqet dyshim. Mohimi i mohuesit është, mbase, një mohim i llogaritur, i planifikuar, kryeneç, kundërvënës, armiqësor. Te mohuesi mund të shfaqen turbullira dhe kriza shpirtërore, pakënaqësi e shqetësime të cilat e bëjnë atë agresiv dhe përdhunues. Djalli i fryn atij filozofi të reja e origjinale, i jep ide të reja mohuese dhe, më në fund, e bën mohuesin ta mohojë edhe atë vetë, djallin!
Sigurisht, djalli nuk u jep dyshim atyre që janë regjistruar te ai, që ia kanë lënë frerët e vetes atij dhe që i shkojnë pas si qengj atij. Djalli nuk merret me ata që rrinë urtë e butë brenda atmosferës, brenda fushën magnetike të tij, me symbyllurit që numërojnë në vend, me ata që i kanë trutë te sytë, kurse zemrën, te stomaku! Ata janë viktima gjahu të tij të lidhur këmbë e duar në kafazin e tij, të urtë aq sa kurrë s'u shkon ndërmend të zgjidhen, të ikin e të shpëtojnë. Kështu bashkëjetojnë të dy palët: ata të kënaqur nga djalli dhe djalli, prej tyre, gjer ku mund ta çojnë...
Cili është qëllimi i djallit për të shkaktuar dyshim?
Djalli nuk mund të hyjë në zemrën e besimtarit të përgatitur në besim e që i plotëson detyrat adhurimore, nuk mund ta shtyjë atë në mohim. Dhe kurrë nuk e zë dot në zemrën e tij vendin e afërsisë dhe dashurisë për Zotin, e mendimit për sunnetin, traditën e Profetit, kurrë nuk arrin dot ta bëjë besimtarin t'i braktisë adhurimet. Sepse, pavarësisht nga çdo gjë, besimtari përparon vazhdimisht, fiton afërsi ndaj Allahut dhe, me shpirtin, ndjenjat dhe trupin, ngjitet lart në një spirale drite. Në këto kushte, djalli mendon kështu: "Të paktën, t'i hedh një gur të fundit, t'ia turbulloj zemrën me shigjetat e dyshimit dhe të përpiqem t'ia prish qetësinë dhe kënaqësinë që ndjen në adhurimet.
Ndoshta arrij ta preokupoj, ta mërzis dhe ta bëj të mendojë se kjo apo ajo gjë s'është ashtu siç e ka ditur ai. Atëherë, ai fillon të dyshojë!.." Dhe besimtarit dyshues të qëlluar nga këto shigjeta, fillojnë t'i vijnë në namaz mendime që s'i kanë ardhur ndonjëherë më parë. Pasi merr abdest, mendon se këtë apo atë gjymtyrë s'e ka larë mirë ose e ka harruar pa larë, etj. Dhe merr abdest përsëdyti. Gjëra të tilla vazhdojnë gjersa adhurimet t'i duken të rënda dhe, na ruajttë zoti, t'i braktisë! Më në fund, ai bëhet lodër e djallit që ia ka arritur qëllimit!
Dyshimet mund të jenë të lidhura si me adhurimet, ashtu dhe me vetë besimin. Përtej kësaj, djalli mund t'i stolisë mëkatet duke e turbulluar imagjinatën, mund t'i provokojë ndjenjat dhe mund ta sjellë njeriun në gjendjen e një fantazisti që nuk do t'ia dijë për arsye, logjikë, gjykim!
Ç'do të thotë që djalli i afrohet njeriut nga e djathta, nga e majta e nga drejtime të tjera për ta goditur?
Afrimi i djallit te njeriu nga anë të ndryshme ka kuptimin e paralajmërimit në dimensione të ndryshme të njeriut ndaj të këqijave sipas situatave të ndryshme ku ndodhet ai. Njeriu, i cili paraqet një kuptim dhe përmbajtje shumëdimensionale, duke i zhvilluar dimensionet e veta, pavarësisht dhe në kundërshtim me përmbajtjen lëndësore të tij, mund të bëhet i denjë për xhennetin, parajsën.
Në antagonizëm me këtë, djalli përqëndrohet për t'i vënë në punë dhe zhvilluar te njeriu cilësitë lëndësore jo vetëm për ta penguar lartësimin e njeriut, por edhe për ta shmangur dhe kthyer pas. Pa dyshim, po qe se secila prej disa mundësive me të cilat është pajisur njeriu për të siguruar disa dobi dhe urtësi, siç janë epshi, ndjenja e dhunës, agresiviteti, zemërimi, furia, arsyeja, ambicja dhe kryeneçësia, nuk zbuten ose nuk bëhen të rregullueshme e të kontrollueshme me anë të besimit, mund të vihen në punë kundër mekanizmit të ndërgjegjes dhe këtë vënie në punë e bën djalli.
Për shembull, për sa kohë që njeriu të mbetet nën mekanizmin e egoizmit frymor (vetiak, sensual), do të thotë se ndërgjegjja, domethënë mekanizma engjëllore, është dhe vazhdon të jetë e shtypur së bashku me të gjitha vlerat dhe atributet e saj të shquara. Kurse, kur zhvillohet dhe del në pah mekanizma engjëllore dhe engjëlloriteti, egoizmi frymor me të gjithë mekanizmën e vet hyn nën urdhrin e ndërgjegjes.
Megjithëse djalli e gjen esencën e njeriut, përdor kundër tij vetëm mekanizmën e egoizmit frymor. Djalli nuk afrohet ose nuk mundet të afrohet te mekanizma e ndërgjegjes ose, siç mund të shprehemi ndryshe, te pikat e shquara dhe jetike të ndërgjegjes sepse atje ka vullnet, vitalitet hyjnor dhe vetëdije. Po të dijë njeriu ta përdorë vullnetin, djalli s'i afrohet dot; me flatrat e vetëdijes e të vitalitetit hyjnor, ngjitet dhe qëndron në qiejt e kulturës shpirtërore pa ngecur në pengesat djallëzore. Prandaj, njeriu i këtij brezi që e ka zemrën të mbushur me Zotin, ia mbyll gjithmonë dyert djallit dhe duhet t'ia mbyllë. Atëherë, të gjitha zhurmat, bubullimat dhe furtunat që shkakton djalli, mbeten jashtë njeriut, kufizohen duke qarkulluar vetëm në fushën e vetë djallit!
Fushat djallëzore dhe engjëllore ndodhen, në entitetin e njeriut, aq afër njëra-tjetrës, saqë mund të ndikohen gjithmonë nga njëra-tjetra. Për shembull, efektet radioaktive të një shpërthimi në anën djallëzore e fusin nën ndikimin e tyre edhe anën engjëllore. Siç e prekëm edhe më lart, djalli përdor epshin dhe e shtyn me forcë njeriun në sensualitet; ia pushton mendjen dhe ia rrokullis në dhelpëri; po kështu, ia provokon ambicjen, zemërimin, mendjemadhësinë dhe pangopësinë për këtë botë. Ai kërkon t'ua turbullojë botët ndjesore dhe shpirtërore njerëzve që i fut në rrjetë dhe t'i largojë nga vetvetja!
Por djalli nuk na sulmon vetëm duke na bërë që të ndjejmë të këqijat e tij dhe të bëjmë edhe vetë të këqija. Ashtu siç na erdh.. nga e majta, na vjen edhe nga e djathta, nga para e nga pas. Vetë Kur'ani tregon për armiqësinë e egër të djallit kundër Allahut dhe për pohimet e tij të paturpshme për mënyrën se si ka për t'ua marrë mendjen njerëzve për t'i shmangur nga rruga e drejtë. (A'raf, 7:17) Djalli i del njeriut para dhe ia thyen shpresat për të ardhmen, e bën që ta mohojë ringjalljen. Ai e bën njeriun të mendojë se "feja islame e mbaroi detyrën e saj dhe s'ka për t'u ringjallur më kurrë"! Ai hedh zi mbi zemra duke e treguar të ardhmen të errët e kaotike.
Djalli i del njeriut nga pas dhe ia pret lidhjet me të shkuarën, me dritën profetike duke e bërë të mendojë se "kohët ndryshuan, kurse ato gjëra mbetën pas". Ai i bën njeriun ta shajë të shkuarën e vet dhe t'i mohojë rrënjët e veta, ta mohojë prejardhjen e vet. Në këtë mënyrë, duke na i mbyllur të gjitha dritaret dhe kalimet për në të shkuarën e për në të ardhmen dhe pasi na i këput të gjitha lidhjet me të djeshmen e të nesërmen, na ofron neve një mënyrë të menduari me përmbajtje plot helm dhe një filozofi jete me stoli të rreme: "E kaluara dhe e ardhmja janë përrallë, s'ke për të ardhur më në këtë botë, prandaj mos u merr me atë që iku se s'kthehet më, por shih ta shijosh jetën e jo ta shkatërrosh kot..."
Djalli i vjen njeriut nga e majta dhe e tërheq në rrjedha të njohura e të hapura të mëkatit. Veprimtaritë e kolonës së pestë janë veprimtari që i bëjnë ndihmësit e djallit, të cilët i rekruton ai duke u ardhur nga e majta. Të gjitha rrugët e haramit (akteve dhe veprimtarive joligjitime, të ndaluara, të pabekuara e të dënueshme), të përhapura gjerësisht në ditët e sotme, janë rezultat dhe përfundim i goditjes ssë njeriut nga djalli nga ana e majtë. Por nuk duam të bëjmë këtu një përshkrim të shëmtuar duke i përmendur këto një e nga një.
Një formë dhe mënyrë tjetër e afrimit dhe e goditjes së djallit është paraqitja e tij me figurën e të drejtës dhe të vërtetës duke ia treguar njeriut gjërat e këqija si të mira dhe kjo është gjëja më e rrezikshme për besimtarin. Duke i shkuar nga e djathta besimtarit që ua ka mbyllur derën mëkateve e që është dhënë me gjithë shpirt pas adhurimit, djalli e bën atë t'i pëlqejë vetja, t'ia dedikojë sukseset vetes, kurse të metat, të këqijat dhe humbjet, të tjerëve. Kështu, djalli arrin ta bëjë atë të shijojë humbjet më të hidhura sikur të ishin suksese. Sigurisht, po qe se me ato që bëjmë dhe tregojmë, synojmë të na lavdërojnë dhe ngrenë në qiell të tjerët, do të thotë se djalli na godet nga e djathta. Një njeri i tillë, pastaj, nuk ka vlerë as kur bën Qaben tavaf, as kur lufton në radhët e para!
Omer bin Abdylazizi i shkruan dikujt një letër monument shprehjeje. Pastaj, duke e dalluar se ka përdorur ca shprehje formale, të zbukuruara e tërheqëse, nga të cilat e kupton se i është përkëdhelur egoja, e gris. Po qe se në ego na vjen një entuziazëm e një gëzim si rrjedhojë e punëve, detyrave dhe shërbimeve që kemi bërë e bëjmë, duhet të mendojmë se në këtë mes mund të jetë përzier djalli dhe, me këtë mendim, t'i drejtohemi Zotit duke e përtërirë fjalën e dhënë. Ajo që na duhet neve, është të mos tregojmë konsideratë për gjërat që i pëlqejnë egos sonë. Gjërat që bëjmë, t'i bëjmë sepse i ka urdhëruar Zoti, kurse kënaqësitë që i ka të nevojshme akti, t'i lëmë për në jetën tjetër.
Çdo njeri është i detyruar t'i mendojë favoret e Zotit për të dhe, në çfarëdo posti që të ndodhet, të falënderojë për faktin që Zoti e ka bërë të merituar të favoreve të Tij. Ai do të çojë në vend përgjegjësinë ndaj Zotit dhe detyrën për ta falenderuar Atë, kurse Zoti, si rrjedhojë imediate të mëshirës së Tij të gjerë, do t'u japë një thellësi të veçantë favoreve sipas qëllimit dhe sinqeritetit të njeriut.
Veç këtyre, në kuptim të përgjithshëm, mund të mendoni edhe këtë: djalli vjen nga e djathta dhe i tregon çështjet e mëdha, si të vogla, kurse të voglat, si të mëdha. Në çdo komë mund të hasni një njeri të tillë: është musliman, haxhi dhe një nga ndjekësit e rregullt të xhamisë. zoti mos e ndaftë nga adhurimi! Mirëpo në shtëpi ka fëmijë që s'falin namaz. Ndërkaq, nuk i plas zemra për këtë, por për gjëra të vogla, për të cilat grindet vazhdimisht në xhami!
Rrugët janë plot me të rinj të mjerë, mes të cilëve janë edhe djali, vajza apo nipi i tij, mirëpo ec e shih se, në vend që t'i mendojë këto e të dëshpërohet, në vend që të kërkojë zgjidhje për këto, ngrihet dhe grindet për të meta ose mangësi të vogla. Njerëz si ky nuk i lënë t'u shpëtojnë pa ia bërë të vdekurit të shtatat, të dyzetat, gjashtë muajt dhe motmotin dhe ju zënë me top po s'i bëtë edhe ju këto dhe ceremoni si këto. Në shtëpitë e tyre, në vendin më të zgjedhur është një Kur'an që askush nga pjesëtarët e asaj familjeje s'e di se ç'thotë! Ja, pra, situata si këto janë "kroshé nga e djathta", më të rënda se goditjet e djallit nga e djathta!
A ka dyshimi anë të dobishme?
Në fakt, siç e prekëm edhe më lart, në esencën e shumë vetëve, veçanërisht të natyrave të ndjeshme, dyshimi është një zemberek që do t'u shërbente përjetësisht si shtytje në zhvllimin e tyre. Krejt si zembereku i orës, edhe zemra e tyre punon pa pushim nëse është e kurdisur me dyshim dhe i çon përpara, sepse në sajë të tij, prova dhe lufta vazhdojnë gjer në vdekje. Në një besimtar me besim të shëndoshë dhe punë me vend që e ka shtënë në dorë egon e vet, burimi që e detyron të zhvillojë të ashtuquajturën "Luftë të madhe"[4] dhe i përfton shpërblimin e fitimtarit, është dyshimi.
Me një tjetër aspekt të tij, dyshimi e mban njeriun vazhdimisht të zgjuar e syçelë. I qetë dhe i kënaqur si rrjedhojë e suksesit në detyrë dhe zotërimit të situatës, muslimani duhet të rrijë vazhdimisht i zgjuar si ushtari me gishtin në këmbëz për të mos rënë në ndonjërën prej gropave të armikut djall që s'di ç'është gjumi. Ashtu si i sëmuri që i lutet e i përgjërohet Zotit se është i sëmurë, edhe njeriu i lëkundur, para çdo shenje dyshimi thotë "aman, o Zot!", e tendos veten para rrezikut, mbyllet brenda një kalaje ku s'mund të hyjnë mëkatet, dhe shpëton. Mjafton që, siç do ta theksojmë, të mos e zmadhojë dyshimin duke e bërë të rrezikshme.
Masat parandaluese për të shpëtuar nga dyshimi
Dyshimi rrjedh nga fuqia e besimit.
Në fillim le ta bëjmë të qartë se dyshimi nuk është ndonjë gjë shumë e frikshme, sepse është besimi pra shfaqet dyshimi. Kur një nga shokët i pati shkuar Profetit dhe i qe ankuar se e kishte zënë dyshimi, ai i qe përgjigjur: "S'ka gjë për t'u shqetësuar, ai është vetë besimi, rrjedh nga fuqia e besimit!" Djalli zhvillon piratëri ndaj jush dhe ju sulmon pikërisht pse jeni të pasur, pse keni margaritarin e besimit, thesarin e adhurimit, pasuritë e namazit dhe shërbimit ndaj fesë. Piratëria ndoshta ka kaluar dhe është mbyllur në faqet e historisë me formën e saj të grabitjes në det, por, me aspektin e saj djallëzor, ka filluar me njeriun dhe profetin e parë, Ademin, dhe do të vazhdojë gjer në kiamet.
Ashtu si piratët e detit që i grabisnin me dhunë anijet tregtare të pasura ose me mallra të çmuara si dhe sulmonin ishujt ku ndodheshin thesare, ashtu dhe djalli e sulmon zemrën e besimtarit që bart me vete margaritarin e besimit. Fundja, djalli nuk merret me zemrat e thara, boshe e të pandjeshme, nuk u hedh shigjeta dyshimi. Edhe vjedhësit e zakonshëm, nuk hyjnë në shtëpitë e varfra, por në të pasurat. E ç'kanë për të vjedhur në shtëpitë e varfra, pa gjë? A s'është kështu si në Lindje, ashtu dhe në Perëndim?
Besimtari që bie në dyshim, duhet të mendojë kështu: "Djalli u mund në të gjitha frontet, prandaj tani kërkon të më preokupojë mua me dyshime mbi besimin dhe Islamin, të vërë dorë mbi thesarin tim, por nuk ka për të shkëputur dot gjë prej meje. Këto janë përpjekjet dhe përpëlitjet e tij të fundit. Do të vijë një ditë që, kur ta kuptojë se s'ka për të shkëputur dot gjë prej meje, do të largohet, ashtu siç largohet lypsari që vjen disa herë te dera, por, kur sheh se nuk i del gjë, ikën për të mos u kthyer më kurrë. Edhe në qoftë se këmbëngul për të mos ikur, duhet t'i mbyllen dyert. Kalanë unë e kam të shëndoshë, prandaj, me lejen e Allahut, s'më bën dot asgjë!"
Dyshimi nuk është pjesë përbërëse e zemrës.
Nuk i duhet ngarkuar dyshimi zemrës vetëm pse zemra është e shqetësuar. Dyshimi nuk është pjesë përbërëse e zemrës, ndryshe, zemra nuk do të ndjehej e shqetësuar dhe e acaruar prej tij; nga ana tjetër, edhe djalli nuk do të merrej me një zemër të tillë!
Shqetësimi dhe acarimi i zemrës ka këtë shkak: zemrës nuk i pëlqen dyshimi dhe dyshimi nuk është i zemrës. Meqë mes dyshimit dhe zemrës nuk ka ndonjë lidhje kuptimore, përmbajtësore e cilësore, zemra ndjehet e shqetësuar dhe e acaruar prej dyshimit. Reaksionin që tregon dikush ndaj dikujt, diçkaje ose ndonjë situate, e kuptojmë nga ndryshimet që ndodhin tek ai: i hipën temperatura dhe skuqet, vetullat i ngrihen përpjetë, koka i dhemb, i hiqet oreksi, nuk i shijojnë gjërat, etj., ashtu siç i ngrihet temperatura dikujt si rezultat i reaksionit fiziologjik të trupit ndaj mikrobeve.
Edhe zemra kundërvepron ndaj iluzioneve, mendimeve të huaja dhe dyshimeve të dërguara nga djalli; struktura jonë moralo-shpirtërore, potenciali ynë besimor prodhojnë "antikorpe" kundër "mikrobeve" që na kanë hyrë në zemër dhe atëherë temperatura na ngrihet, zemra na shqetësohet dhe na rreh me forcë. Por po qe se trupi nuk tregon ndonjë qëndrueshmëri dhe dorëzohet menjëherë si demi që, kur sheh gjarpërin, bëhet si kec i urtë, atëherë, ashtu si antikorpet që dorëzojnë armët para virusit të AIDS-it, edhe puna jonë ka marrë fund. Po qe se zemra dhe besimi ynë nuk tregojnë qëndresë ndaj dyshimit që na ka hyrë, atëherë s'ka shqetësim dhe acarim dhe me këtë i thuhet djallit "eja e bëj ç'të duash"! Dhe djalli këtë do!
Zemra e goditur nga dyshimi i përngjet pusit të pastër ku dikush ka hedhur papastërti.
Çështjen mund ta mendojmë edhe kështu: Kemi një pus me ujë të pastër e të kulluar. Ka edhe veti shëronjëse, aq i mirë që është! Nami i këtij pusi ka marrë dhenë. Mirëpo, një ditë, një njeri i keq hedh në pus papastërti, gjëra të huaja e të ndyra. Ju e shihni dhe thoni: "Bobo, m'u fëlliq pusi, uji i tij s'pihet më!..." Por s'është e vërtetë. Uji i pusit vjen nga një burim i rrjedhshëm. Ai nuk është ujë i ndenjur, prandaj dhe është aq i mirë. Rrjedha e ujit ka për t'i marrë me vete papastërtitë dhe lëndët e huaja dhe pusi do të bëhet përsëri i pijshëm e shërues. Turbullira që pësoi pusi nuk ishte e tij. Kështu është edhe me zemrën që e turbullon dyshimi...
Po qe se dyshimi nuk është i vullnetshëm dhe nuk reflektohet në praktikë, njeriun s'e bën përgjegjës.
Siç e dini, që njeriu të quhet përgjegjës dhe i përgjegjshëm, duhet të ketë vetëdije dhe vullnet. Veç kafshëve, edhe njerëzve me të meta mendore dhe vetëdije të çrregulluar ose të sëmurë mendorë dhe të pavetëdijshëm nuk u bëhet propozim; ata nuk ngarkohen me përgjegjësi dhe nuk janë të përgjegjshëm për veprimet që bëjnë. Nisur nga kjo, po qe se dyshimi ynë nuk është i vullnetshëm dhe po s'ia hapëm vetë dyert dyshimit, nuk quhemi përgjegjës.
Mjafton që dyshimin të mos e reflektojmë, të mos e vëmë në praktikë. Vullneti e gjen veten përballë dyshimit që vjen kështu, vetvetiu, dhe nuk i bën dot qëndresë se ka ardhur i paftuar. Veçanërisht, njeriu, me anë të bashkëshoqërimit të ideve, duke u nisur nga gjërat që dëgjon e lexon, mund të bjerë në mënyrë të pavullnetshme nën ndikimin e një sërë kujtimesh, iluzionesh dhe mendimesh. Në të vërtetë, shpesh është e pamundur për të shpëtuar nga ky fenomen, sepse kjo është në natyrën e njeriut.
Dyshimi është si një rrjetë merimange që nuk e pengon dot njeriun të shkojë më tutje.
Me paqëndrueshmërinë e vet karakteristike, dyshimi nuk është i dëmshëm kur njihet. Kur'ani konkludon: "Pa dyshim, dredhia e shejtanit është e dobët!" (Nisa, 4:76) Pra, djalli ka dredhi, por të dobët, sikur të mos e kishte. Për shembull, ju duhet të kaloni përmes një korridori të ngushtë mes dy muresh, mirëpo, mu në mes të korridorit, një merimangë ka thurur një rrjetë nga muri në mur duke e zënë rrugën. Por a mund të jetë ajo pengesë që ju të shkoni më tej? Pa dyshim që jo. Ju s'e shihni si pengesë rrjetën e merimangës dhe kaloni duke e prishur atë.
Profeti na thotë se nuk është djalli që i detyron njerëzit për të mohuar, për të bërë të këqija dhe mëkate. Ai nuk e kap dot njeriun për dore për ta çuar ose detyruar në mëkat. Puna që bën djalli është vetëm stolisja dhe zbukurimi i të këqijave, kamuflimi i tyre si të mira e tërheqëse. Eshtë zoti që i krijon edhe të mirën, edhe të keqen, që edhe orienton, edhe çorienton. Dyshimet e djallit janë si pallate ngjyra-ngjyra prej fllucke sapuni. Ato duken të bukura nga jashtë, por brenda janë bosh, janë një gropë e rrezikshme!
Dyshimi nuk shkakton dëm kur dihet se është kalimtar, i përkohshëm. Dyshimi është i dobët si një pupël që e merr me vete edhe flladi më i lehtë. Dyshimi u përngjet reve që mblidhen për një çast, por pastaj menjëherë shpërndahen pa lënë pas as shi, as fllad. Dyshimi është si gropa ajrore ku bie për një çast avioni; as duhet bërtitur, as duhet vajtuar!
Dyshimi nuk shkakton asnjë dëm po qe se nuk qëndrohet shumë mbi të dhe nuk bëhet çështje serioze.
Dyshimi nuk bëhet i dëmshëm kur e dini se s'ka për t'iu ngjitur mendimit tuaj për ta fëlliqur atë. Dyshimi është, në pasqyrën e imagjinatës, një gjurmë e përkohshme dhe e dobët që shuhet shpejt, një pamje që s'ka për të lënë njollë dhe një reflektim shumë i lehtë. Po qe se gjërat që vijnë në mendje dhe imagjinatë janë me burim të dobishëm, u japin një farë drite mendjes dhe mendimit, kurse po qenë një dyshim me burim të keqeje dhe intrige, prapëseprapë nuk ndikojnë mbi mendjen, mendimin dhe zemrën, nuk lënë papastërti dhe nuk shkaktojnë dëm. Ju mbani në dorë një pasqyrë dhe ja tek reflektohet në të një gjarpër. A mund t'ju dëmtojë ju gjarpëri i reflektuar mbi pasqyrë?
Gjithashtu, a mund t'jua ndyjë duart një papastërti që reflektohet në pasqyrë? A mund t'jua djegë duart flaka që reflektohet në pasqyrë? Po si kjo, produktet e katabolizmit që bartim përkohësisht në trup, nuk na e prishin namazin, pluhuri përreth një cope diamanti, nuk ndikon mbi të ose mbi vlerën e tij. Po si kjo, edhe sikur djalli të ketë një prani esenciale dhe individuale të brendshme ose të jashtme tek ne, shigjetat që hedh, pamjet që dërgon nuk janë të qena dhe nuk shkaktojnë asnjë dëm.
Dyshimi nuk shkakton asnjë dëm nëse nuk përqëndrohemi mbi të, nëse nuk e mendojmë me kërshëri e shqetësim, nëse nuk e pranojmë e nuk i dalim për zot, nëse, duke e nënvleftësuar, nuk i japim mundësi të fryhet dhe nëse nuk e bëjmë çështje shqetësuese. Atë do ta shihni gjithmonë nga maja dhe do të thoni me vete: "Me lejen e Allahut, do të godas nga poshtë e do ta mund!"
Dyshimi bëhet i dëmshëm kur përfytyrohet si i dëmshëm.
Po të veprohet në kundërshtim me ato që treguam gjer këtu, dyshimi mund të shkaktojë dëm. Nëse nuk dihet se dyshimi është i padëmshëm, për pasojë, përfytyrohet si i dëmshëm, bëhet i dëmshëm. Dyshimi është i dëmshëm kur përqëndrohet mbi të dhe trazohet me kërshëri e shqetësim. Sa më shumë të vlerësohet, sa më shumë të zmadhohet, aq më shumë fryhet ai dhe, duke u kthyer në një ballon, na thith përbrenda. Në rrugën tuaj ndodhet një koshere bletësh. Brenda saj ka me qindra bletë që, po i ngacmove e të sulmuan, të shkaktojnë vdekjen. Prandaj ti kalon i qetë pranë kosheres dhe s'të ndodh asgjë. Kështu duhet vepruar edhe me dyshimin.
Djalli na hedh në imagjinatë kuadrin e një pamjeje të dobët dhe kalimtare. Po qe se na duket tërheqëse dhe e zhvillojmë më tej, ajo pamje e dobët e përbërë prej vetëm një kuadri, shndërrohet në një shirit filmik disaorësh, madje pa i rënë ne më të! Sidomos kur njeriu mbetet vetëm dhe kur ky njeriu është një i ri dhe pamjet kanë karakter sensual... Ai e merr kuadrin dhe e kthen në një film aventuresk. Ndërkaq, i djallit është vetëm ai kuadri i dobët. Prandaj, i duhet shmanguar atij grepi, nuk duhet t'ia lejojmë vetes të biem në atë grep, në mënyrë që djalli, pastaj, të mos ketë mundësi të na vërë në punë për të na i kthyer përfytyrimet në realitet duke na bërë të biem viktimë e asaj pamjeje prej një kuadri...
Shpirtrat e ndjeshëm e nervozë nuk duhet t'i japin rëndësi dyshimi të djallit për të mos u kapur pas iluzioneve.
Më shumë në shpirtrat e ndjeshëm dhe nervozë, dyshimi mund të kthehet në një sëmundje të dëmshme dhe në një shqisë të brendshme më vete. Kur i vjen dyshimi, një njeri i tillë, duke patur frikë se mos dyshimi do t'i shkaktojë dëm, shqetësohet, e zë paniku dhe e lëshon veten pas iluzioneve. Pastaj, në vijim, duke e zmadhuar këtë me mendje, me zemër dhe duke e parë nga këndvështrimi i besimit, ia ngarkon vetes dhe, me kohë, e kthen në shprehi dhe njësohet me të, gjë që do të thotë të biesh në pesimizëm para djallit dhe të dëmtohesh plotësisht.

Odin- 513
Re: Djalli
Djalli (Satanai) nuk ekziston, por eshte thjesht nje fjal hebreje qe do te thot Kundershtar dhe simbolizon personazhin antagonist
E keqja (erresira) ne nje menyre ose ne nje tjeter nuk ekziston por ekziston vetem kur egoja nuk eshte e balancuar me personalitetin
Ka shpirtra te tjere te lig qe ekzistojn por qe nuk kane shef i binden vetem vullnetit te tyre

Vizitor- Vizitor
Similar topics
» Histori me entitete
» Pushtohet nga djalli pas një loje
» Djalli, Dreqi ose Shejtani
» Djalli nga Jersey
» Shtëpia e pushtuar nga djalli
» Pushtohet nga djalli pas një loje
» Djalli, Dreqi ose Shejtani
» Djalli nga Jersey
» Shtëpia e pushtuar nga djalli
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi