EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Djalli, Dreqi ose Shejtani

Shko poshtë

Djalli, Dreqi ose Shejtani Empty Djalli, Dreqi ose Shejtani

Mesazh  Neo 15.08.10 22:53

Kush eshte Djalli, Dreqi ose Shejtani?
(Pikepamje islamike - Neo)

Nisur nga kuptimi i saj leksikor, fjala "shejtan" emërton qenien që është përzënë nga vendndodhja hyjnore, që është larguar prej mëshirës hyjnore, që të gjitha mundësitë që ka pasur në dorë, i ka kthyer kundër vetes, që ka humbur tek ka qenë fitues.

Nisur nga gjendja ku ndodhet, Shejtani është viktimë e një rrethi vicioz pasi është larguar në mënyrë të pakthyeshme nga dëgjimi dhe kuptimi i së vërtetës.

Në fillim Shejtani është vetëgoditur me anë të krenarisë dhe arrogancës. Duke e patur fjalën për njeriun, ai ka thënë: "Unë jam më i dobishëm se ai!" Ky mendimi i parë djallëzor, kjo dialektikë ka përbërë turin e parë të rrethit të mbyllur ku e ka futur veten ai duke i prerë lidhjet e duke i mbyllur rrugëdaljet.

Me këtë ai ka hedhur hapin e parë në vorbullën vrasëse dhe i ka përlyer me baltën e justifikimit të gjitha mundësitë e pendesës. Në këtë thënie ka, si fillim, një vetëpëlqim e, pastaj, një arrogancë që ka kapërcyer brigjet e është derdhur jashtë.

Kur Shejtani bëri mëkat, edhe Hz. Ademi pati gabuar duke e zgjatur dorën drejt asaj peme të ndaluar. Por, me ta kuptuar se si qëndronte çështja, pati rënë në gjunjë e pati thënë: "Zoti ynë! Ne i bëm dëm vetes sonë. Po s'na fale, do të jemi ndër ata që kanë humbur me të tëra!" (Kur'ani, Araf: 23). Me të hyrë në mes falja, rrugëdalja qe hapur dhe profeti Adem pati shpëtuar.

Kurse Shejtani i doli në mbrojtje vetvetes, egos së tij, me justifikime djallëzore. Përballë qortimeve, ai nuk deshte të pohonte të metën e vet dhe, duke thënë "Unë jam më i dobishëm se ai", u shkatërrua. Dhe më pas vendosi të bëhej armiku kryesor i njerëzimit. Shihni vendosmërinë e tij në këtë udhë: "Betohem në madhështinë tënde se të gjithë njerëzit do t'i nxjerr nga udha!" (Kur'ani, Sad: 82).

Dhe në një vend tjetër: "Do t'u dal majtas e djathtas, para e prapa e do të shohësh se si nuk do të të falenderojnë. Ashtu do të jetojnë ata, gjithmonë mosmirënjohës. Do të hanë të mirat e tua dhe do të adhurojnë tjetërkënd. Do të notojnë në të mira, por ty nuk do të të njohin!" (Kur'ani, Araf: 17).

Edhe në shumë vende të tjera Kur'ani tregon për grindjen e Shejtanit, për armiqësinë ndaj njeriut dhe për revoltën ndaj Zotit. Revolta e tij dha si rezultat dëbimin e tij nga ana e Zotit. Sapo që Shejtani tha "Unë jam më i dobishëm se ai","Zbrisni poshtë të gjithë!", duke e lënë atë të vetëm.

Pretendimet e mëdha, nga njëra anë, dhe armiqësia e përbetuar kundër njerëzimit, nga ana tjetër, e largoi krejtësisht atë prej atmosferës konstruktive, zbutëse e lartësuese të Mëshirës. Më pas iu dorëzua plotësisht logjikës djallëzore dhe tha: "Betohem në madhështinë tënde se të gjithë njerëzit do t'i nxjerr nga udha!" dhe zgjodhi për udhë atë të gënjeshtarit e të mashtruesit.

Sa më shumë që gënjeu, aq më shumë u largua e sa më shumë u largua, aq më shumë iu shtua zemërimi e urrejtja e kështu, fitoi një natyrë të dytë të përbërë nga intriga dhe mosmirënjohja. Në çdo largim, tërbohej edhe më shumë e, duke e ndjerë më shumë përzënien, s'bënte tjetër veçse rrinte duke shprehur neverinë, urrejtjen dhe arrogancën e vet.

Ngrihej të polemizonte me Allahun, bënte dialektikë e, kështu, largimi prej mëshirës së Allahut e shtynte atë në revoltë, e cila e largonte, pastaj, edhe më. Dhe Shejtani, si viktima e rrethit vicioz ku qe mbyllur vetë, iu nënshtrua dënimit, vetëndëshkimit: zemra iu vulos. Kjo kishte këtë kuptim: brenda nuk i mbeti gjë tjetër veç mendimit të keq, kurse të gjitha fakultetet e mira, të gjitha burimet dritësore iu shuan e morën fund. Zoti e urdhëroi:

Për ta kuptuar këtë, domethënë se si njeriu që bie në një pozitë të tillë, i humb të gjitha vlerat e tij, po jap këtë shembull. Njeriu është një qenie shumë e përplotësuar. Në se i vlerëson dhe i vë në punë dinamikat që i janë dhuruar, mund të kthehet e të bëhet një engjëll. E tani mendoni një njeri shumë të dhembshur e jashtëzakonisht të përsosur në namazin e tij, në agjërim, në lutje, në haxh, në zeqat e në marrëdhëniet me njerëzit.

Në një moment të caktuar, këtë njeri e kanë prekur në nderin e vet, janë marrë me dinjitetin e tij, ndjeshmëria i është dëmtuar rëndë dhe, si njeri, kurrë nuk është marrë në konsideratë. Ndërkaq, ka arritur në një gjendje të tillë sikur mbi sistemin e tij nervor janë ngarkuar male e, më në fund, njeriu nuk ka mundur të durojë e ka plasur.

Atëherë në kokën e tij nuk ka mbetur gjë më: as butësi, as durim, as mirëkuptim, as falje. E në se do ta trajtësonit këtë gjendje të njeriut me atmosferën të përbërë tërësisht prej neverisë dhe urrejtjes, s'do të shihnit tek ai gjë tjetër veç shkëndiave që shpërthejnë si prej xhehennemit. E, në atë çast, në se do të donit t'i jepnit ndonjë këshillë, nuk do të mund të arrinit t'i jepnit të kuptonte asgjë.

Çdokush, në jetën e tij personale, ka parë e ka jetuar gjëra të ngjashme me këtë. Ja, pra, Shejtani është një qenie që në çdo sekondë të jetës përjeton në vetvete të tillë urrejtje e neveri. Gjatë gjithë jetës e sa të jetë gjallë, nuk do të mendojë gjë tjetër veç të keqes. Eshtë në një gjendje tensioni të lartë, por, natyrisht, jo një tension i dobishëm, por djallëzor.

Në këtë gjendje ai mendon veçse për keq, sepse edhe nuk mundet të gjejë rast për të menduar mirë, pasi brenda është mbushur plot e përplot me të këqia. Prandaj ndodh që, edhe në se në një aspekt, e njeh Allahun, ai, ashtu si edhe besimtari i cili, megjithëse e njeh Allahun, gjatë zemërimit e humb bonsensin dhe durimin, nuk mundet ta kujtojë Atë dhe nuk mundet të shprehë besim. Sepse gjërat e këqia që ka brenda, i bëhen pengesë.

Ka edhe shumë njerëz që, ashtu si Shejtani, viktimë e një rrethi vicioz, kanë rënë viktimë e të njëjtave gjëra. Edhe ata janë bërë viktimë e të tillave ndjenja dhe pasione të këqia dhe i janë nënshtruar idhullit ego. Në lidhje me këtë dukuri, mund të thuhet se askush nuk është i siguruar. E vetmja siguri e neve besimtarëve, është besimi dhe mbështetja jonë tek Zoti.

Djalli dhe funksioni i tij

Para se ta kundërshtonte Zotin, djalli merrte pjesë së bashku me engjëjt dhe bënte punën që bënin edhe ata. (Kehf, 18:50) Ndërkaq, meqë nuk ishte si engjëjt e krijuar prej drite, nuk ndodhej nën garanci. Siç është thënë edhe më parë, engjëjt nuk kundërshtojnë, nuk ngrenë krye, por bëjnë atë që u urdhërohet. (Tahrim, 66:6)

Natyra vërtetë e djallit, entiteti i vërtetë i tij doli në shesh pasi iu propozua t'i përulej njeriut të parë, Ademit, për ç'shkak embrioni i mendjemadhësisë dhe fara e revoltës të pranishme në qenien e tij, por të pashfaqura gjer atëherë, plasën dhe u zhvilluan me vrull.

Djalli tha duke iu drejtuar Zotit me mendjemadhësi: "Unë jam epror ndaj tij sepse atë e krijove nga balta, kurse mua prej zjarri!" (Sa'd, 38:76) Sipas deklaratës së ajetit kur'anor dhe, ashtu siç thotë edhe imam Shibliu, gjersa ngriti krye, djalli quhej Iblis, pastaj u quajt shejtan, djall, dhe iu dha mundësia të rronte gjer në kiamet. Pas kësaj, djalli iu betua Zotit kështu: "Do t'u futem njerëzve nga e djathta e nga e majta, nga para e nga prapa dhe do t'i prapësoj!" (A'raf, 7:17)

Këtu duam ta sqarojmë me përparësi këtë specifikë: Në luftë, para se të merret vendim për ta sulmuar armikun ose për t'u mbrojtur prej tij, nuk studiohen një e nga një të gjithë individët-ushtarë të armikut, por përbërja dhe fuqia ushtarake e reparteve dhe nënreparteve, armatimi dhe rezervat luftarake, aftësitë e manovrimit, epërsia në armatim, pozicioni ose pozicionet që ka zënë, etj.

Studimi dhe njohja e ngjyrës së flokëve dhe syve të oficerëve dhe ushtarëve, tipi i veshjeve dhe veçori të tjera personale s'vlejnë për kurrgjë. Kështu qëndron puna edhe me xhindet.

Lidhur me këtë çështje, e rëndësishme dhe themelore për ne është të përcaktojmë rrugët nga mund të na afrohet djalli, mënyrat dhe dredhitë e tij për të na goditur në besimin tonë që është garancia e jetës sonë të amshuar, dhe të gjejmë rrugëzgjidhjet e duhura.

Cila është urtësia e krijimit të djallit dhe e lejimit të tij për t'i prapësuar njerëzit?


a) Po të mos krijohej djalli, krijimi i njeriut s'do të kishte asnjë kuptim. E para, Allahu ka shumë krijesa si engjëjt që kurrë nuk bëjnë mëkat dhe që nuk ndikohen për të keq nga djalli. Ashtu siç ka krijuar ndryshe nga njeriu, bimët dhe kafshët, Allahu ka dëshiruar të krijojë njerëzit si pasyra që i pasqyrojnë artet hyjnore ndryshe nga engjëjt.

Ndërkaq u ka kundërvënë njerëzve djallin dhe shpirtrat e këqinj si elementë provokimi dhe nxitjeje dhe pretekst zhvillimi me qëllim për të zhvilluar dhe nxjerrë në shesh mundësitë dhe aftësitë që përmbahen në natyrën dhe entitetin e njerëzve, qenien esenciale të tyre. Djalli që e reflekton jashtë mendjemadhësinë dhe shtysën e rebelimit, vepron në mënyrë të vetëdijshme. Djalli është si një maratonist kundërshtar që e ndjek njeriun nga pas.

Për të arritur në finish, për të dalë fitues, për t'u shkëputur nga ky kundërshtar i përjetshëm që s'i ndahet, njeriut i duhet ta lërë pas, të jetë gjithmonë në krye dhe shumë para tij. Po qe se njeriu nuk do të kishte një kundërshtar dhe armik që do të mund të bëhej për të element provokimi dhe nxitjeje, njeriu kurrë nuk do ta bënte këtë garë serioze dhe t'i zhvillonte mundësitë dhe aftësivë e veta; më saktë, njeriu nuk do të gjente dot terrenin për t'i zhvilluar mundësië dhe aftësitë të cilat, më në fund, do të atrofizoheshin së bashku me njeriun.

Njeriu e ka arritur nivelin më të lartë njerëzor dhe pozitën e njeriut të përsosur me anë të luftës kundër këtij armiku të përjetshëm. Në të njëjtën kohë, kur i ka munguar forca, dëshira dhe vullneti i duhur, njeriu e ka humbur këtë garë duke rënë nën nivelin më të ulët të qenieve!

b) E keqja nuk qëndron te krijimi i djallit, por te ndjekja e tij dhe kryerja e të keqes. Ashtu siç ndodh që në një krim, si shkak i vërtetë i krimit tregohen jo thika apo arma e zjarrit të përdorura në atë krim, por duart që i përdorën, pra, njeriu, në të njëjtën mënyrë, edhe djalli është një vegël e përgjakur e përdorur në aktet e këqija apo kriminale të kryera nga njeriu dhe fajtori i vërtetë, dora e përgjakur që e përdori atë vegël.

Sigurisht, nuk është djalli shkaku i vërtetë i përfundimeve të këqija të arritura nga kryerja e disa akteve të këqija prej egos te njeriu dhe vullnetit të hyrë nën urdhrin e egos. Djalli dhe të këqijat janë nga një shkak banal më vete; shkaktari i vërtetë është vullneti i njeriut. Njerëzit bëjnë të këqija jo se është djalli, por me anë të vullneteve të veta.

c) Njeriu është i prirur ta vlerësojë çdo gjë në kuadrin e vet të ngushtë dhe sipas rezultateve të vogla që ka në dorë, kurse akti krijues i Zotit sheh kah rezultatet dhe dobitë e përgjithshme. Për shembull, po ta fusim dorën në zjarr, do të na digjet; megjithë këtë, a mund të themi që zjarri është krejt i dëmshëm? Zjarri ka një sërë vetish dhe cilësish.

Jemi ne që e bëjmë atë të keq e të dëmshëm apo të mirë e të dobishëm. Dhe, po t'i shohim rezultatet e përgjithshme të përdorimit të zjarrit, do të arrijmë në përfundimin se ai është shumë i dobishëm e i nevojshëm. E tillë është energjia elektrike. I tillë është shiu. I tillë është edhe djalli.

Duke u bërë pjesë e dëshirave dhe vullnetit të njeriut të keq, djalli e shtyn atë për në xhehennem, skëterrë. Kurse duke e nxitur vullnetin e njeriut të mirë për t'u larguar prej tij, si vrapuesi që përpiqet t'i shkëputet në vrapim kundërshtarit që e ndjek nga pas, djalli bëhet shkaktar për lartësimin moralo-shpirtëror të njeriut të mirë, për fitoren parajsore të tij. Ky është funksioni i djallit.

d) A mund të themi për zjarrin, rrymën elektrike apo shiun, "më mirë të mos ishin" duke i konsideruar të këqinj vetëm duke parë disa rezultate negative të pjesshme e jo rezultatet e tyre të përgjithshme? Jo! Në të njëjtën mënyrë, s'mund të themi se "pse u krijua djalli".

Ashtu siç ndodh që, bie fjala, për një gisht të gangrenuar nuk e vrasim trupin e shëndoshë, por vetëm gishtin e vdekur e presim, po ashtu, nuk duhet të kundërshtojmë ekzistencën e djallit që na sjell dobi të mëdha, për shkak të një sërë gjërash të këqija.

Meqë në shërbimin ushtarak apo në luftë ka vrasje dhe vdekje, a mund të themi që të mos shkojmë ushtar ose në luftë? Si kjo, dëmet që mund t'i shkaktojë besimit djalli duke ia zbukuruar të keqen njeriut, janë apo s'janë një me një mijë në raport me dobitë që i sjell besimit profeti. "Si mund të ndodhë" – do të thoni. Nuk mund të thuhet se "a nuk shkojnë në xhehennem mijra njerëz nën mashtrimin e djallit?"

Sepse cilësia te besimtari është edhe më e rëndësishme se sasia te mohuesi, edhe më me epërsi. Kush ka më shumë rëndësi, jeta e një njeriu, apo jeta e një mijë insekteve? Ndërsa nga një mijë fara hurmaje, vetëm 11 arrijnë të mbijnë dhe bëhen pemë, a është më mirë të kesh një mijë fara, apo 11 pemë hurmaje?

Ç'është shenja e djallit?

Shenja e djallit është një pikë e rëndësishme në zemrën e njeriut, veçanërisht besimtarit, ku djalli drejton topin, pushkën, shigjetën, ajo pikë e zemrës të cilën e merr në shenjë djalli. Në zemrën e njeriut, veçanërisht, të besimtarit, është pika ku vijnë e mblidhen frymëzimet engjëllore, si dhe pika e djallit. Krejt si polet minus (-) dhe plus (+) të një baterie elektrike!

Ç'do të thotë që djalli i afrohet njeriut në drejtime të ndryshme për ta goditur?

Afrimi i djallit te njeriu nga anë të ndryshme ka kuptimin e paralajmërimit në dimensione të ndryshme të njeriut ndaj të këqijave sipas situatave të ndryshme ku ndodhet ai. Njeriu, i cili paraqet një kuptim dhe përmbajtje shumëdimensionale, duke i zhvilluar dimensionet e veta, pavarësisht dhe në kundërshtim me përmbajtjen lëndësore të tij, mund të bëhet i denjë për xhennetin, parajsën.

Në antagonizëm me këtë, djalli përqëndrohet për t'i vënë në punë dhe zhvilluar te njeriu cilësitë lëndësore jo vetëm për ta penguar lartësimin e njeriut, por edhe për ta shmangur dhe kthyer pas.

Pa dyshim, po qe se secila prej disa mundësive me të cilat është pajisur njeriu për të siguruar disa dobi dhe urtësi, siç janë epshi, ndjenja e dhunës, agresiviteti, zemërimi, furia, arsyeja, ambicja dhe kryeneçësia, nuk zbuten ose nuk bëhen të rregullueshme e të kontrollueshme me anë të besimit, mund të vihen në punë kundër mekanizmit të ndërgjegjes dhe këtë vënie në punë e bën djalli.

Për shembull, për sa kohë që njeriu të mbetet nën mekanizmin e egoizmit frymor (vetiak, sensual), do të thotë se ndërgjegjja, domethënë mekanizma engjëllore, është dhe vazhdon të jetë e shtypur së bashku me të gjitha vlerat dhe atributet e saj të shquara.

Kurse, kur zhvillohet dhe del në pah mekanizma engjëllore dhe engjëlloriteti, egoizmi frymor me të gjithë mekanizmën e vet hyn nën urdhrin e ndërgjegjes. Megjithëse djalli e gjen esencën e njeriut, përdor kundër tij vetëm mekanizmën e egoizmit frymor.

Djalli nuk afrohet ose nuk mundet të afrohet te mekanizma e ndërgjegjes ose, siç mund të shprehemi ndryshe, te pikat e shquara dhe jetike të ndërgjegjes sepse atje ka vullnet, vitalitet hyjnor dhe vetëdije. Po të dijë njeriu ta përdorë vullnetin, djalli s'i afrohet dot; me flatrat e vetëdijes e të vitalitetit hyjnor, ngjitet dhe qëndron në qiejt e kulturës shpirtërore pa ngecur në pengesat djallëzore.

Prandaj, njeriu i këtij brezi që e ka zemrën të mbushur me Zotin, ia mbyll gjithmonë dyert djallit dhe duhet t'ia mbyllë. Atëherë, të gjitha zhurmat, bubullimat dhe furtunat që shkakton djalli, mbeten jashtë njeriut, kufizohen duke qarkulluar vetëm në fushën e vetë djallit!

Fushat djallëzore dhe engjëllore ndodhen, në entitetin e njeriut, aq afër njëra-tjetrës, saqë mund të ndikohen gjithmonë nga njëra-tjetra. Për shembull, efektet radioaktive të një shpërthimi në anën djallëzore e fusin nën ndikimin e tyre edhe anën engjëllore.

Siç e prekëm edhe më lart, djalli përdor epshin dhe e shtyn me forcë njeriun në sensualitet; ia pushton mendjen dhe ia rrokullis në dhelpëri; po kështu, ia provokon ambicjen, zemërimin, mendjemadhësinë dhe pangopësinë për këtë botë. Ai kërkon t'ua turbullojë botët ndjesore dhe shpirtërore njerëzve që i fut në rrjetë dhe t'i largojë nga vetvetja!

Por djalli nuk na sulmon vetëm duke na bërë që të ndjejmë të këqijat e tij dhe të bëjmë edhe vetë të këqija. Ashtu siç na erdhi nga e majta, na vjen edhe nga e djathta, nga para e nga pas. Vetë Kur'ani tregon për armiqësinë e egër të djallit kundër Allahut dhe për pohimet e tij të paturpshme për mënyrën se si ka për t'ua marrë mendjen njerëzve për t'i shmangur nga rruga e drejtë. (A'raf, 7:17)

Djalli i del njeriut para dhe ia thyen shpresat për të ardhmen, e bën që ta mohojë ringjalljen. Ai e bën njeriun të mendojë se "feja islame e mbaroi detyrën e saj dhe s'ka për t'u ringjallur më kurrë"! Ai hedh zi mbi zemra duke e treguar të ardhmen të errët e kaotike.

Djalli i del njeriut nga pas dhe ia pret lidhjet me të shkuarën, me dritën profetike duke e bërë të mendojë se "kohët ndryshuan, kurse ato gjëra mbetën pas". Ai i bën njeriun ta shajë të shkuarën e vet dhe t'i mohojë rrënjët e veta, ta mohojë prejardhjen e vet.

Në këtë mënyrë, duke na i mbyllur të gjitha dritaret dhe kalimet për në të shkuarën e për në të ardhmen dhe pasi na i këput të gjitha lidhjet me të djeshmen e të nesërmen, na ofron neve një mënyrë të menduari me përmbajtje plot helm dhe një filozofi jete me stoli të rreme: "E kaluara dhe e ardhmja janë përrallë, s'ke për të ardhur më në këtë botë, prandaj mos u merr me atë që iku se s'kthehet më, por shih ta shijosh jetën e jo ta shkatërrosh kot..."

Djalli i vjen njeriut nga e majta dhe e tërheq në rrjedha të njohura e të hapura të mëkatit. Veprimtaritë e kolonës së pestë janë veprimtari që i bëjnë ndihmësit e djallit, të cilët i rekruton ai duke u ardhur nga e majta. Të gjitha rrugët e haramit (akteve dhe veprimtarive joligjitime, të ndaluara, të pabekuara e të dënueshme), të përhapura gjerësisht në ditët e sotme, janë rezultat dhe përfundim i goditjes ssë njeriut nga djalli nga ana e majtë. Por nuk duam të bëjmë këtu një përshkrim të shëmtuar duke i përmendur këto një e nga një.

Një formë dhe mënyrë tjetër e afrimit dhe e goditjes së djallit është paraqitja e tij me figurën e të drejtës dhe të vërtetës duke ia treguar njeriut gjërat e këqija si të mira dhe kjo është gjëja më e rrezikshme për besimtarin.

Duke i shkuar nga e djathta besimtarit që ua ka mbyllur derën mëkateve e që është dhënë me gjithë shpirt pas adhurimit, djalli e bën atë t'i pëlqejë vetja, t'ia dedikojë sukseset vetes, kurse të metat, të këqijat dhe humbjet, të tjerëve.

Kështu, djalli arrin ta bëjë atë të shijojë humbjet më të hidhura sikur të ishin suksese. Sigurisht, po qe se me ato që bëjmë dhe tregojmë, synojmë të na lavdërojnë dhe ngrenë në qiell të tjerët, do të thotë se djalli na godet nga e djathta. Një njeri i tillë, pastaj, nuk ka vlerë as kur bën Qaben tavaf, as kur lufton në radhët e para!

Omer bin Abdylazizi i shkruan dikujt një letër monument shprehjeje. Pastaj, duke e dalluar se ka përdorur ca shprehje formale, të zbukuruara e tërheqëse, nga të cilat e kupton se i është përkëdhelur egoja, e gris. Po qe se në ego na vjen një entuziazëm e një gëzim si rrjedhojë e punëve, detyrave dhe shërbimeve që kemi bërë e bëjmë, duhet të mendojmë se në këtë mes mund të jetë përzier djalli dhe, me këtë mendim, t'i drejtohemi Zotit duke e përtërirë fjalën e dhënë.

Ajo që na duhet neve, është të mos tregojmë konsideratë për gjërat që i pëlqejnë egos sonë. Gjërat që bëjmë, t'i bëjmë sepse i ka urdhëruar Zoti, kurse kënaqësitë që i ka të nevojshme akti, t'i lëmë për në jetën tjetër.

Çdo njeri është i detyruar t'i mendojë favoret e Zotit për të dhe, në çfarëdo posti që të ndodhet, të falënderojë për faktin që Zoti e ka bërë të merituar të favoreve të Tij. Ai do të çojë në vend përgjegjësinë ndaj Zotit dhe detyrën për ta falenderuar Atë, kurse Zoti, si rrjedhojë imediate të mëshirës së Tij të gjerë, do t'u japë një thellësi të veçantë favoreve sipas qëllimit dhe sinqeritetit të njeriut.

Veç këtyre, në kuptim të përgjithshëm, mund të mendoni edhe këtë: djalli vjen nga e djathta dhe i tregon çështjet e mëdha, si të vogla, kurse të voglat, si të mëdha. Në çdo komë mund të hasni një njeri të tillë: është musliman, haxhi dhe një nga ndjekësit e rregullt të xhamisë. Allahu mos e ndaftë nga adhurimi! Mirëpo në shtëpi ka fëmijë që s'falin namaz.

Ndërkaq, nuk i plas zemra për këtë, por për gjëra të vogla, për të cilat grindet vazhdimisht në xhami! Rrugët janë plot me të rinj të mjerë, mes të cilëve janë edhe djali, vajza apo nipi i tij, mirëpo ec e shih se, në vend që t'i mendojë këto e të dëshpërohet, në vend që të kërkojë zgjidhje për këto, ngrihet dhe grindet për të meta ose mangësi të vogla.

Njerëz si ky nuk i lënë t'u shpëtojnë pa ia bërë të vdekurit të shtatat, të dyzetat, gjashtë muajt dhe motmotin dhe ju zënë me top po s'i bëtë edhe ju këto dhe ceremoni si këto.

Në shtëpitë e tyre, në vendin më të zgjedhur është një Kur'an që askush nga pjesëtarët e asaj familjeje s'e di se ç'thotë!

Ja, pra, situata si këto janë "kroshé nga e djathta", më të rënda se goditjet e djallit nga e djathta!

Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi