EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bota drejt një rendi të ri?

Shko poshtë

Bota drejt një rendi të ri? Empty Bota drejt një rendi të ri?

Mesazh  Siroco 06.04.15 23:58

Ushtria Evropiane, neo-imperializëm i Gjermanisë

Bota drejt një rendi të ri? Langfr-300px-Coat_of_arms_of_the_European_Union_Military_Staff.svg

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claud Juncker, si një i zgjedhur nga insistimi i Gjermanisë, me propozimin e tij të fundit për krijimin e një ushtrie evropiane, e cila do të ishte një kërcënim serioz për Rusinë, siç e thotë Juncker, do të ishte edhe një siguri që vendet evropiane, asnjëherë nuk do të luftojnë ndaj njëra tjetrës. Kjo iniciativë ishte marrë edhe më herët por kishte dështuar, ashtu si tani menjëherë pas deklaratave të Junckerit, e kundërshtuan Britania e Madhe dhe Franca. Madje Britania shtoi se: “Juncker është si shumë federalist” dhe “mbrojtja është nacionale dhe jo një përgjegjësi e BE-së, dhe nuk është një shpresë që do të ndryshonte pozicionin dhe perspektivën, një armatë Evropiane.
Përse një ide e tillë?

Britania një kundërshtim për atë që sot e quajmë BE, e dikur edhe si BETHQ, BEE, etj., e kishte dhënë, dhe se nuk ishte për krijimin e sidomos anëtarësimin brenda saj, me frikën se do të ftoheshin marrëdhëniet e Britanisë me aleatin e saj të madh, SHBA-në, dhe deri sa në atë kohë Kennedy, nuk e siguroi, se anëtarësimi brenda komunitetit evropian, i Britanisë, nuk do të ketë efekt, Britania e pati kundërshtuar Komunitetin Evropian. Edhe sot mund të kemi një situatë të tillë.

Juncker siç e theksuam, është një i përzgjedhur për president të Komisionit Evropian, nga insistimi i Gjermanisë, gjegjësisht Angelina Merkel-it, dhe jo rastësisht ai (Juncker), është i përzgjedhuri i Merkelit, pasi siç po shihet tani, kjo e fundit, po e dirigjon Junckerin, duke e shtyrë drejt propozimit të ushtrisë evropiane, pasi kjo ide menjëherë mori përkrahjen e Gjermanisë, dhe si e tillë, Gjermania do të krijoj forcat Evropiane të cilat, do të mund edhe të kishin një dominancë të madhe nga Gjermania, pasi edhe do të jepte potencialisht kontributin më të madh qoftë financiar, me trupa, apo edhe me materiale ushtarake.

Krijimi i këtyre forcave do të i mundësonte; së pari, BE-së që të ishte një kërcënim më serioz për Rusinë; së dyti, të ishte një faktor më i rëndësishëm brenda vetë aleancës së NATO-së; së treti të krijoj një bashkim të tillë që vendet anëtare të BE-së kurrë nuk do të luftonin ndaj njëra-tjetrës, apo të paktën të përbënin një rrezik serioz; së katërti, fuqia e tanishme dhe në rritje e Gjermanisë, sigurisht që kësaj të fundit i siguron një copë më të madhe pjesëmarrje në atë forcë, që do të mund ta menaxhonte dhe kështu të bënte një neo-imperializëm, që nuk arriti ta bënte as Gjermania Perandorake e as ajo Naziste në Evropë; dhe së pesti, të mos u ndodhnin ngurtësitë si në kohën e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Kundërshtimi i Francës dhe Britanisë, dhe eventualisht ndonjë shteti tjetër, nuk do të mund të merrej si një kërcënim serioz në realizimin e këtij plani, pasi BE-ja tani ka treguar se mund të funksionoj me shumë shpejtësi dhe rrethe, siç është Eurozona, dhe kështu pjesëmarrja brenda forcës ushtarake evropiane do të bëhej me vetë-dëshirë nga secili vend anëtar.
Sfidat nga krijimi i ushtrisë

Do të lindte pyetja se kjo ushtri a do të përbënte kërcënim pastaj për vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk janë pjesëmarrëse në këtë ushtri evropiane? Përgjigjja më e shpejtë që mund të i jepet tani kësaj është një “Jo” e madhe, pasi as marrëveshjet tjera nuk shprehen rrezik, pastaj kemi një teori të pax democratica, që vendet demokratike nuk luftojnë njëra me tjetrën, pastaj këto vende do të mund të ishin anëtare potenciale në të ardhmen, me çka edhe shanset janë të mëdha, pasi krijimi i kësaj ushtrie do të mund të krijonte siguri dhe seriozitet e prestigj për BE-në, pastaj vendet anëtare të BE-së që nuk janë anëtare në NATO, do të bëheshin pjesë e ushtrisë evropiane, e kjo e fundit një bashkëpunues i njehsuar me NATO-n, e ato vende që nuk e donë as njërën as tjetrën, kur do të shihnin rrezikun, do të kërkonin me ngulm të bëheshin pjesë e tyre.

Krijimi i ushtrisë evropiane, do të ringjallte BE-në, dhe do ta nxjerrtë atë nga lodhja institucionale dhe lodhja brenda-integruese, e që do ta rifreskonte BE-në, sidomos do të ia hiqte atë perden se “BE-ja është një analiste e mirë, por një vepruese e keqe”, apo “BE-ja zakonisht është dakord për të mos u dakorduar, gjegjësisht vepruar”, por përveç tjerash do ta bënte shumë më serioze këtë lloj modeli “sui generis” të integrimit, do të rrezonte euro-skeptikët dhe do të ulte tej mase për të mos thënë gjithë përkrahjen për partitë radikaliste anti-BE.
SHBA-ja – BE-ja – Rusia

Në pamje të parë, ushtria e BE-së nuk do të ishte edhe aq lajm i mirë, edhe për departamentin e shtetit të SHBA-së, pasi krijimi i kësaj ushtrie do të i krijonte një konkurrencë, përveç në Evropë, edhe më gjerë, dhe do ta bënte edhe të panevojshme ushtrinë amerikane në Evropë. Por, megjithatë duke pasur parasysh se superfuqia amerikane çdo ditë e më shumë po ekuilibrohet dhe po e humbë primatin e hegjemonit në Botë, krijimi i një aleati të madh Evropian, që do të ndanin interesa dhe vlera të përbashkëta, vetëm sa do të ishte një zgjatje e qëndrimit të Perëndimit dhe vetë SHBA-së në ruajtjen e një-polaritetit në Botë, të paktën edhe për një kohë.

Pastaj do të mund të vihej me propozimin që NATO të shndërrohet, në, si për shembull, Bashkimi i Vendeve Demokratike të Botës (BVDB).

Megjithatë, ekziston rreziku që kjo ide, nëse realizohet, të mund të ndryshoj rendin Botëror, i cili veçse është duke u ndryshuar me hapa të mëdhenj. Sigurisht, që do të ishte një siguri më e madhe kundër terrorizimit dhe faktorëve të jashtëm kërcënues, por në anën tjetër Rusia nuk do të pajtohej më këtë fakt assesi, gjë që edhe e bëri, pasi e ndjen si kërcënim.

Ekzistojnë dy mundësi:

   Rusia mund ta ndalë këtë proces, me kërcënimin për invazione të reja të saj deri të kërcënimet më të këqija, siç është një Luftë e Re e Ftohtë, pasi kërcënimi me gazin, këtë xhoker SHBA-ja ia ka humbur vlerën, me subvencionet që si duket po ia bën naftës, për ta ulur çmimin në tregun botëror.
   Mundësia e dytë, që ky proces të ndalet apo të vazhdoj, është që të ndahen sferat e influencës, në këtë rast ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, me çka këtu do të pësonin vendet fqinje të Rusisë (near abroad) dhe do ta humbnin shansin për më afër BE-së, eventualisht edhe Ballkani Perëndimor do të mbahej në një geto, ose edhe këtu do të mund të ndalej i gjithë procesi i integrimit në Evropë, me çka vendeve do të u ofrohej vetëm një perspektivë evropiane por asnjëherë një anëtarësim, dhe edhe kjo mund të ndodhë me koncesione, pasi Rusia ka piun të vet brenda BE-së, si Sllovakia, e si duket edhe Greqia, dhe do të përdorte këta të fundit për veto, ose për koncesione siç është arsyeja që të mos integrohen vendet e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh se Kosovën nuk e njohin pesë vende anëtare, Greqia ka probleme me Maqedoninë, i gjithë Ballkani Perëndimor ka probleme stabilizimi mes vete, Serbia nuk ka marrëdhënie të mira me Holandën që nga masakra e Srebrenicës në Bosnje, e probleme të tjera.

Pra, krijimi i kësaj ushtrie, do të ishte një lajm i mirë për BE-në, por një lajm i keq për vendet të cilat aspirojnë të hyjnë në BE, pasi përveç se proceset integruese do të shtyheshin dhe zvarriteshin, për të arsyetuar fjalën “ndalje të integrimit”, do të shtoheshin edhe kriteret për integrim në BE. Kjo është ajo e keqja që mund t’i ndodhë Ballkanit.
Globalizmi

Disa autorë e konsiderojnë se globalizmi ka qenë gjithmonë këtu, por që tani është rritur me hapa më të mëdhenj, e autorë të tjerë konsiderojnë se globalizmi ka filluar të ndodh pas revolucionit industrial, e një grup i tretë pretendon se globalizmi ka filluar të zhvillohet pas Luftës së Dytë Botërore, por hovin e madh e ka marrë pas rënies së Perdes së Hekurt. Por të gjithë pajtohen në një pikë, se globalizmi ka ndryshuar Botën e me të gjitha lëmit e jetës.

Ardhja e Globalizmit dhe Globalizimi çdo ditë e më i madh i Botës, nuk ka sjellë vetëm të mira por ka sjellë më të edhe sfidat e saj të cilat po aq sa larguan fuqinë e shtetit, po aq edhe po e kthejnë atë tani.

Edhe pse u pa se korporatat shumë-kombëshe, po sfidojnë barrierat dhe po bëhen shumë të fuqishme që të diktojnë shumë procese në arenën ndërkombëtare, ato mbi të gjitha prapë nuk kanë arritur ta fitojnë një subjektivitet të vetin ndërkombëtar, sepse njerëzit prapë kërkojnë dikë që të i mbrojë, kujdeset për ta, të i sigurojë, të i menaxhojë nga keqpërdorimet e vetë këtyre korporatave, e korporatat shumë-kombëshe nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë. Por edhe vetë korporatat gjejnë shpëtimin e tyre tek shtetet.

Rritja e pasigurisë në Botë çdo ditë e më shumë, dhe gjithashtu mos-vetëmjaftueshmëria e shteteve që ta bëjnë sigurinë në mënyrë sovrane, po i shtynë ata që të mendojnë në mënyrë globale dhe më pak sovrane.

Aleancat ushtarake, qoftë për luftë apo për të krijuar balancë, kanë qenë historikisht të suksesshme vetëm për një periudhë dhe nuk i kanë qëndruar edhe gjatë kohës, përjashtuar NATO-në.

Rritja e tregut global, kërkesat e korporatave për tregje të mëdha, pasiguria në rritje, mos-vemjaftueshmëria, problemet me përballimin e sfidave moderne, dhe kostoja më e ulët e fitimi më i madh nga bashkimi më i madh, sot po i shtynë shtetet që çdo ditë e më shumë të krijojnë blloqe integruese, si BE-ja, e që ka përpjekje edhe të tjera të tilla nëpër Botë. Sepse një bashkim i tillë, krijohet për disa arsye, e që do të mundohemi të i shtjellojmë në vijim:

   Shteti sovran, ka humbur këtë kuptim deri në një pikë se tani nuk dëshiron të jetë edhe aq sovran, sepse bashkimi me një grup shtetesh tjera i ofron siguri më të madhe, me kosto shumë më të ulët;
   Kjo na dërgon, në krijesat e reja shtetërore, që mund të quhen kuazi-shtete, jo në kuptimin e atyre shteteve të dobëta, por në kuazi-shtete pasi ato po shkrijnë diçka nga vetja, për të fituar sigurinë, dhe drejt një federalizmi;
   Korporatat shumë-kombëshe, nuk janë të gatshme të investojnë në tregje të vogla, por edhe shtetet e vogla, nuk kanë fuqi që të absorbojnë një kapital të madh që do të ofronin ato, andaj për të pasur përfitime më të madhe bashkimet nga sfera ekonomike janë ideale në këtë lëmi.
   Shekulli i ri, sikur po na jep një paralajmërim se shtetet e përmasave të vogla nuk mund ta përballojnë të ardhmen, andaj për hir të sigurisë, pastaj të krijimit të fuqive balancuese, vetëm të bashkuara mund të përballojnë një gjë të tillë.
   Një Evropë me një larmi kaq të madhe të shteteve të vogla, secila veç e veç është një kafshatë që lehtë kapërdihet, dhe lehtë do të kapërdihej nga një Rusi, Kinë apo kushdo qoftë tjetër, por të gjitha së bashku kjo do të ishte një sfidë, dhe një balancë.
   Shtetet e vogla, çdo herë kanë qenë pjesë e pazareve të fuqive të mëdha, çdo herë kanë rënë pre e harresës kur janë ndeshur fuqitë e mëdha me interesa të tjera më madhore, shtetet e vogla çdo herë kanë kaluar nëpër dyert e tragjedive të mëdha, andaj kur bashkohen me një grup më të madh ato sigurisht që gjasat i kanë shumë të vogla të bien pre e kompromiseve të padëshiruara për to.

Atëherë, nëse kemi parasysh të gjitha këto sfida dhe mundësi, por edhe sfida e mundësi të pa përmendura, mund të themi se; BE-ja përkundër sfidave të saj, siç janë lodhjet e lartë-përmendura të saj, do të i mbijetoj kohës, e madje do të dalë edhe më e fuqishme.

Rasti i fundit i sulmit në gazetën satirike në Francë, ua tërheqka vëmendjen se Evropa duhet të bashkëpunoj më shumë në sferën e sigurisë, pastaj edhe ndonjë rast tjetër potencial do të ishte një shtytje që përfundimisht shtetet anëtare të BE-së të thellonin marrëdhëniet e tyre drejt një federalizmi, e kjo do të ishte mirë edhe për vendet përreth pasi ju duhet edhe një bashkëpunim me vendet fqinjë nga sfera e sigurisë, për shkak të rreziqeve që mund të i vijnë nga fqinjë që në vetvete ato janë të pasigurta dhe pre e lehtë e grupeve terroriste dhe kriminale.

Megjithatë, gjitha këto sigurisht dëshirojnë një proces jo edhe aq të shkurt dhe aspak të lehtë, dhe që vendet e Ballkanit do të ishin kapitulli i fundit për shqyrtim nga gjithë ky rend. Andaj edhe proceset për Ballkanin do të vonohen, por megjithatë, besoj se; s’ka vend për panik.
S’ka vend për panik

Në gjithë këtë mes Shqipëria dhe Kosova, mund të humbin anëtarësimin në BE, megjithatë nuk do të mbeteshin dhe aq keq, për të mos thënë fare keq. Krejt kjo duke iu falënderuar, afërsisë së këtyre dy vendeve që kanë më SHBA-në, dhe mbi të gjitha interesave gjeostrategjike të kësaj të fundit që ka në këto dy vende për të mos u shtrirë influenca serbe e me të edhe ajo ruse dhe të kenë një dalje në Detin Adriatik, për atë që Rusia synon daljet në ujëra të ngrohta, poashtu edhe bazave të SHBA-së që gjenden në këto dy vende, por edhe nuk janë të gatshme, shembull të lejojnë që Kina të vije me investimet e saj dhe me “diplomacinë publike” të saj, të ia marrë kontrollin SHBA-së në Ballkan.

Pasojat e kësaj do të ishin se një shtet si Maqedonia do të zhdukej nga harta, dhe do të ndahej mes Bullgarëve dhe Shqipërisë, një fat të ngjashëm do ta pësonte edhe Kosova, e cila do të i bashkohej Shqipërisë, por me humbjen e veriut të Kosovës, dhe këmbimi do të ishin me pjesën e Luginës së Preshevës. Por fatin e zhdukjes si shtet do ta pësonte edhe Bosnja, e cila edhe tani është një projekt i dështuar dhe shtet i minuar. Kështu, do të krijohej një rend i ri sidomos për Evropën dhe Rusinë, por edhe bazat amerikane në Ballkan do të forcoheshin, që do të krijohej një shtet shqiptar i fuqishëm, që respekton të drejtat e të gjithëve dhe do të ishte me një influencë të paktën rajonale, që do të kishte krah të fortë SHBA-në, pasi në gjendjen siç jemi tani, është vetëm një katrahurë e gjerë e cila po i konvenon vetëm BE-së që të i gjejë vetes punë diku, dhe ta ledhatoj Serbinë për ta mbajtur sa ma larg Rusinë nga Ballkani, e që nuk po ia arrin edhe aq fort. Dhe e gjithë kjo lëvizje e kufijve do të mund të bëhej nëpërmjet një konference ndërkombëtare.

Megjithatë, e gjithë kjo mbetet në suaza të parashikimeve teorike, e që marrëveshjet politike, dinë të ua ndërrojnë kahjen edhe parashikimeve më logjike.


Gurakuç Kuçi
Siroco
Siroco

Unë e dëgjoj këngën e zogut jo për zërin e tij, por per heshtjen që vjen pas.


201


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi