EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Të fshehtat dhe misteret e botës

Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:10

Të fshehtat dhe misteret e botës Img210

Parathënie

      Në këtë libër do të lexoni për disa nga të fshehtat dhe misteret që e kanë ngashënjyer së tepërmi njerëzimin, disa herë edhe për shekuj të tërë. Natyrisht, unë gjithnjë jam mrekulluar nga e pashpjegueshmja – nuk besoj se është e nevojshme të thellohem në çdo hollësi të hulumtimit dhe të studimit të dukurive, për të cilat do të lexoni në këto faqe. Ata që nuk e dinë, le t’i besojnë fjalës sime: po, unë jam një medium dhe një nxënëse e teologjisë, por kureshtja ime për të fshehtat e botës dhe mitet e lashta, si dhe për pasjetën, kanë qenë një pasion i vazhdueshëm dhe i pandërprerë.

      Ju mund të mos pajtoheni me argumentet apo hulumtimet e mia, por kjo s’ka rëndësi … thjesht qëndroni me mua dhe shikoni nëse koha, hapësira, historia, apo logjika e thjeshtë do të provojë mëtimet e mia. Për të thelluar hulumtimin, unë kam shtënë në punë edhe aftësitë e mia psikike, por, siç kam thënë gjithnjë, “Merrni ç’të doni, të tjerat lërini.”

      Kam vizituar pjesën dërrmuese të vendeve, që kanë bijuar misteret e trajtuara në këtë libër. Fillimisht kam shkelur udhët dhe e kam përdorur veten si barometër psikik, pastaj jam kthyer për të parë nëse mund të provoja ato që kisha grumbulluar në rrugën e telepatisë, të kërkimit, statistikave dhe dëshmive okulare. Siç do të shihni, shumë herë jam nisur në kërkim të misterit me të tallur, vetëm që të mund ta vërtetoja  më vonë me prova; herë të tjera, një “gjë e sigurt” ka rezultuar e mbështjellë nga miti – ose pse s’kishte shumë gjasa, ose për mungesë provash – ndaj dhe unë ndjeheha tejet e zhgënjyer për t’i vënë vulën e mriatimit tim.

˜

      Ky libër u shkrua, kryesisht, falë Reid Trejsit, presidentit të Hay House (botuesit të kësaj vepre). Po drekonim bashkë një ditë dhe unë po e argëtoja me histori nga Egjipti dhe vendet e tjera që kam vizituar. Në fund, ai më shikoi dhe më pyeti: “Përse nuk shkruan për tërë këto vende ku ke qenë dhe të shprehësh mendimin tënd për to?”

      E përtypa për pak kohë këtë ide, duke pyetur vetën nëse ishte shkruar ndonjë libër që të flisnin për të gjitha vendet dhe gjërat që unë kisha parë. Është libri i Erik Von Danikenit Koçitë e Zotave: Misteret e Pazgjidhura të së Shkuarës, por ai merrej vetëm me UFO-t; dhe përveç kësaj, libri i tij ishte aq i diskutueshëm kur u botua për herë të parë, sa të gjithë shkencëtarët shpejtuan ta demaskonin atë. Dhe atëherë e kuptova se të gjithë librat “kërkimorw” që kisha lexuar (dhe kisha lexuar shumë syresh), kishin një të përbashkët: demaskuesit e tyre. Unë nuk do të isha ulur të shkruaja këtë libër po qe se këto mistere do të ishin shpjeguar plotësisht – dhe kjo i bën ato mister. Sigurisht, e di që s’do të mungojnë skeptikët, ata që do të thonë se ky libër është dëng me gjepura, por duke lexuar ju do të vini re se sa magjespëse janë, në kapitujt në vazhdim, kthesat e papritura të ngjarjeve…

      Më duhet të ndaloj këtu një çikë për t’jua shpjeguar se, sado që nuk kam shkruar kurrë më parë një libër të këtij lloji, kjo nuk do të thotë se u kam lënë shëndenë shqisave të mia. Disa nga gjërat që do t’ju rrëfej unë nuk mund t’i vërtetoj, por duke kaluar në histori të tjera, ju do të shihni se sa arkeologë, historianë dhe antropologë të mirënjohur kanë kalitur mprehtësinë time psikike. Njerëz të tillë të famshëm si paleoantropologu dhe konservatori Dr. Riçard Liki; Dr. Zahi Houas, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve në Egjipt; dhe të tjera, të cilët priren të më besojnë, nuk janë të dhënë pas fantazive.

      Pra, kjo vepër nuk mëton të jetë një traktat shkencor. Përkundrazi, e kam shkruar për një lexues mesatar, që mund të dijë pako gjë ose asgjë për këto mistere. Edhe pse kërkimi im mbështetet te burimet shkencore, jam e sigurt se disa syresh më kanë shpëtuar. Mos harroni se ky libër ka për qëllim t’u hedhë një vështrim të përgjithshëm të fshehtave dhe mistereve të botës dhe pastaj të parashtrojë shtjellimin tim psikik për to. Sigurisht, fusha e kërkimeve të mia është tejet e diskutueshme, por ju më njihni tashmë: unë hidhem atje ku engjëjt druajnë të venë.

      Shpresoj që duke lexuar ju të kuptoni, pavarësisht në jeni apo jo në një mendje me mua. Kur të nisni kërkimin, do të shndërroheni në Gnostikë (kërkues të së vërtetës), sepse siç ka thënë Jezui, “Kërkoni dhe do të gjeni, trokisni dhe do t’ju hapet.” Fundja, kërkimi i së vërtetës na bën të shikojmë përtej gjithë pështjellimit.

      Lexoni gjithçka me mendje të hapur dhe me mprehtësi, dhe mos besoni vetëm sepse ua kam thënë unë (apo dikush tjetër) … duhet dhe do të gjeni të vërtetën tuaj hyjnore, që është e juaja dhe vetëm e juaja.

      Bëhuni gati për rrugëtimin tuaj – dhe mbërthehuni mirë, sepse i keni hyrë një goxha shtegtimi.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:11

Pjesa I

Vende të mistershme

1

Stonhenzhi

Në Rrafshinën e Salisbërit në Angli gjendet një rreth i mrekullueshëm guri, që dikur ka pasë qenë shfrytëzuar për të kremtet fetare. Ndërtimi i tij iu mvishet druidëve, kastës priftërore të keltëve. Edhe pse ata mund ta kenë shfytëzuar për qëllimet e tyre, fillimet e tij në të vërtetë lypsen kërkuar ndër popujt neolitikë të Ishujve Britanikë.

Disa historianë mëtojnë se Stonhenzhi është ndërtuar rreth vitit 3000 përpara K., por sipas mendimit tim, ai është ndërtuar në vitet 5000 përpara K. Edhe pse rrethi është rindërtuar disa herë, në një farë mënyre ai ka ruajtur të njëtën trajtë.

Në Ishujt Britanikë ekzistojnë më shumë se një mijë rrathë guri, por asnjëri syresh nuk mund të matet me Stonhenzhin. Ai ishte i vetmi që përbëhej prej 30 gurësh vertikalë (17 prej tyre qëndrojnë ende në këmbë), të latuar, lëmuar dhe të bartur aty nga zona përreth. Ai është i vetmi me gurë qemeri, që qenë latuar dhe vendosur mbi gurët vertikalë, duke mbrujtur kësisoj një qerthull hyrjesh.

Është me interes të theksohet se aksi i Stonhenzhit, që ndan rrethin përballë hyrjes së tij, është i kthyer drejt pozicionit të lindjes së diellit gjatë solsticit të mesit të verës; kurse në Irlandën fqinje, monumenti Njugreinxh, që është ndërtuar thuajse në të njëtën kohë, është i kthyer nga solstici i mesit të dimrit. Pra, mund të hamendësojmë se ky qe një lloj kalendari – dhe unë jam e bindur se ky ishte vetëm një pjesë e vogël e tij, sepse njerëzit kanë qenë gjithnjë kureshtarë për qiellin – por siç do ta shohim, vendosja e gurëve kishte një kuptim më të thellë spiritual. Duket sikur ata bartnin në vete një lloj energjie mbrojtëse, që sprapste negativitetin dhe që i bënte njerëzit që ndodheshin brenda tij të ndiheshin të sigurt dhe të hirshëm.

Stonhenzhi ka filluar të studiohet prej arkeoastronomëve, të cilët merren me hulumtimin e praktikave astronomike të kulturave të lashta. Edhe në kohët primitive apo antike, popuj, sikundër egjiptianët (me të cilët do të merremi më vonë), kureshteshin së tepërmi për fazat e diellit dhe të hënës, si dhe për trajtën e yjeve. Jam e sigurt se ata parashikonin reshjet, ndryshimet e temperaturës, apo përmbytjet, falë vrojtimit të veçantë të fazave të hënës. (Edhe në kohën e sotme, mjafton të pyesni dikë në dhomat e urgjencës apo në rajonet e policisë për të kuptuar se ç’gjëra të çuditshme bëjnë vaki në periudhat e hënës së plotë. Mjekët kanë studiuar menstruacionet femërore gjatë cikleve të hënës për vite e vite të tëra – fundja, përderisa trazohen oqeanet, përse nuk u dashka trazuar mirëqenja jonë fizike? Almanaku i Bujkut të Vjetër, jo vetëm që mbështetet tek stinët, po gjithashtu edhe tek fazat e hënës. Dhe, përnjëmend, në gjithë këtë s’ka asgjë të pavërtetë.)

Meqë nuk ka as edhe një mëdyshje që Stonhenzhi kishte një funksion të caktuar astrofizik, më duket se shumicës së kërkuesve iu ka bishtnuar brendia spirituale e ekzistencës së tij.

Të përshkosh velin e Stonhenzhit

Kur e vizitova Stonhenzhin përsëpari më 1978-ë, nuk kishte asnjë pengesë, kështu që mund të bridhja lirisht përreth gurëve. S’ka shumë kohë që qeshë prapë atje me një grup njerëzish dhe m’u lejua të këqyrja gurët dhe të ndjeja tërë vibracionet që më duheshin. Aftësia për të prekur një objekt dhe për t’u futur fizikish në historinë e tij nëpërmjet energjisë, quhet psikometri. Meqë gjithçka në natyrë mbart një gjurmë, mjafton ta prekësh atë që të të shpaloset e tërë historia. Si shumë vende të tjerë që do të shqyrtojmë në këtë libër, edhe gurët e Stonhenzhit përmbajnë vibracionet e shumë shtresave të kohëve të ndryshme, të shumë njerëzve dhe riteve.

Llojet e para të reagimeve që fillova të përftoj qenë shëmbëlltyra njerëzish – qindra syresh që tërhiqnin blloqe të stërmëdhenj guri nëpër një rrafshinë. Dukej sikur gurët ishin prerë në një gurore të lashtë në Anglinë jugperëndimore. Kishte edhe makare gjigante në një makineri të ndërtuar shkel e shko, por megjithatë goxha të sofistikuar, me rrota dhe litarë që do të ngrinin gurët në këmbë. Burrat që tërhiqnin gurët dukeshin shumë primitivë; ishin të veshur me lëkura kafshës, kurse fytyrën e kishin të mbuluar nga tatuazhet. Pas një farë kohë, mund t’i shihja teksa i rendisnin gurët në trajtë rrethore. Me sa duket, kishin edhe një lloj litari me të cilin matnin largësitë. I dëgjoja tek bërtisnin e hungërinin, por në një gjuhë që s’ngjante me asnjë gjuhë tjetër.

Jashtë këtij rrethi të përsosur guri, kishte një grup grash dhe fëmijësh, të ulur a në këmbë, që kundronin më shumë vëmendje. Kohë pas kohe, prej gojëve të disa prej grave derdhej një thirrmë ngazëllimi, a thua se donin të nxitnin burrat. Vura re se gratë dhe fëmijët po numëronin ca rruaza a kokrra të kuqe, që qenë shkuar bashkë në një fill. Kjo gjë më ndërmendi këndimin e rruzarit nga katolikët për ndonjë thagmë a lutje të veçantë.

Pasi blloqet e gurit qenë vendosur në vendin e caktuar, ata ngjanin të ndritshëm e të bardhë – sigurisht që nuk kishin këtë ngjyrë të përhime që kanë sot. Kur u përfundua rrethi, u afruan të gjithë dhe ranë mëgjunjazi, por jo në një qëndrim lutës, por sikur ky të ishte i vetmi qëndrim i drejtë dhe i rehatshëm. Ngjante sikur për ta rrethi ishte vetë qielli, që mbante përjashta negativitetin. (Kujtoni se sa shpesh e rrethojmë vetveten me Dritën e Bardhë të Shpiritit të Shenjtë – kush mund të thotë se këta gurë nuk mund të kenë shërbyer si mbrojtje ndaj hordhive të plaçkitësve?) Dukej se, kush e di se për çfarë arsye, këta njerëz mendonin se për sa kohë që ndodheshin brenda rrethit, do t’i mbronte Zoti (apo zotat) i tyre.

Pastaj u duk një burrë tejet shtatlartë, i veshur me një pelerinë të kuqe e farfuritëse, si dhe një kësulë konike, me maja në formë ylli, që dilnin prej saj. Ai filloi të hyjë e të dalë nëpërmjet hyrjeve që formoheshin midis gurëve – dhe sa herë që hynte, hiqte kësulën; kur dilte, e vendoste rishmë në kokë.

Më dukej sikur po inskenonte rilindjen: hynte nëpër portën e jetës dhe pastaj bënte sikur vishte petkat e kësaj bote. Burri pastaj nisi një si lloj farse. Ai shenjoi me gisht një grua, i bëri me shenjë të merrte një fëmijë dhe të ngrihej në këmbë bashkë me të, duke simbolizuar kësisoj vazhdimësinë e racës.

Turma ia nisi një himni grykor; paskëtaj, si të kishin mbirë nga hiçi, u servirën fruta, perime dhe një lloj bajameje. Gjatoshi me pelerinë e brodhi vështrimin përqark dhe dukej i kënaqur. Pasandaj sytë e tij shkitën mbi turmën dhe u ndalën mbi një burrë të zeshkët, të parruajtur, të kruspullosur në një gunë shkërbeje. Ai drejtoi gishtin nga ai burrë imcak dhe lëshoi një si kukurizmë; turma i mbajti iso. I bëri shenjë që të afrohej, dhe burri u çapit kokulur. Gjatoshi shtriu dorën dhe imcaku i rreckosur i lëshoi në pëllëmbë dy sendurina ari. Pastaj burri me pelerinë u kthye nga një grua prapa tij dhe ia dha sendurinat. Gruaja, shumë e çuditur dhe e lehtësuar, i mori ato dhe, tërë përvuajtëri, ra në gjunjë.

Gjatoshi i bëri me shenjë burrit tjetër që të dilte nga rrethi, sado që ai dukej sikur ende përgjërohej që të mos e dëbonin. Mendova: Është hajn, dhe tani po e përzënë. Në kohën që po e mendoja këtë, imcaku doli çalë-çalë nga rrethi dhe pak e nga pak u tret në mjegullën, që kish nisur të mërtiste rrafshinat. Po regjistroja gjithçka në kasetë, dhe thashë: “Epo, këtu vendosej drejtësia për hajnat dhe ata që shkelnin ligjin.” E dija se kjo ishte një kohë tejet parake, por megjithatë e ndjeja se këta njerëz kishin një strukturë shoqërore dhe një vetëdije morale. Ata nuk më dukeshin të çuditshëm, hiq këtu petkat e tyre (apo, më mirë, mungesën e petkave); në të vërtetë, sipas mënyrës së tyre, ata dukeshin të këndshëm dhe të mirëushqyer.

Pastaj skena ndryshoi. Nuk di ta përshkruaj se si ndodhi kjo me tamam, por qe si të shikoje një film – m’u duk sikur ndodhesha në një makinë kohe mendore. Vura re diçka që nuk e kisha pikasur më parë: një gur vigan të bardhë mu në qendër të rrethit. Figura me pelerinë shenjonte çdo burrë, i cili paskëtaj çohej dhe vendoste një shtizë tejet primitive te guri në trajtë altari, i cili dukej se kishte fuqinë t’u jepte burrave kurajë, ndërsa armëve të tyre zulmë.

Varreza më madhështore

Aty nga viti 1135 i Tënëzot, Xhefri i Manmëthit, në veprën e tij Historia e Mbretërve të Britonit, mëtonte se Stonhenzhi qe sjellë në Irlandë prej Afrike nga një fis gjigantësh; prej atje Merlini e solli përmes detit në vendin ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Me sa duket Merlini e kreu këtë punë për hesap të Ambroz Aurelianit, mbretin e bretonëve. Në Historinë e tij Xhefri thotë se Ambrozi varrosi në atë vend rreth 460 fisnikë të vrarë nga saksonët; veç kësaj, ai pohon se në afërsi të tij qenë varrosur edhe Uter Pendragoni (vëllai i Ambrozit dhe babai magjik i mbretit Artur) dhe mbreti Konstantin. Në vazhdim po japim fjalët që, sipas Xhefrit, Merlini i tha mbretit Ambroz:

Nesë ti [Ambroz] dëshiron të përnderosh varrezën e këtyre burrave me një përmendore të përjetshme, urdhëro të të sjellin Vallen e Gjigantëve, që ndodhet në një mal të Irlandës, në Killaraus. Sepse atje ndodhet një strukturë guri, që askush në kohën tonë nuk mund ta ndërtojë, pa patur njohuri të thella në artet mekanike. Ata janë gurë shumë të mëdhenj dhe më cilësi të mrekullueshme; po u vendosën këtu, ashtu siç janë atje, përreth këtij trualli, ata do të qëndrojnë përgjithmonë.

Është interesante të vërehet se sa shumë pleksen emrat e mbretit Artur dhe të Merlinit me mitologjinë e Stonhenzhit. Unë besoj se këto dy figura kanë ekzistuar vërtetë, por jo në atë versionin e fryrë të letrërsisë.

Një legjendë tjetër thotë se gurët iu blenë një gruaje irlandeze nga djalli dhe u ngritën në Rrafshinë e Salisbrit. Më duket i çuditshëm fakti që kur njerëzimi nuk di të shpjegojë diçka, përnjëherësh i jep një ngjyrim negativ, sidomos nëse ajo diçka ka ndodhur parpara epokës së krishterë. A thua se njerëzit nuk e kanë dashur Zotin përpara mbërritjes së Krishtërimit – madje asnjë lloj krijuesi, çfardo qoftë ai, më të madh se ata.

Tani të flasim për druidët. Në kohën që ata dolën në skenë, brenda rrethit të jashtëm ekzistonin edhe shestime të tjera më të vogla prej guri. Këto formacione ishin bërë me një tjetër lloj guri, me gurkali, që sipas shkecëtarëve nxirrej në Uellsin jugperëndimor. Në shekullin XVII, druidët, që kishin vepruar në Britani për më shuëm se një mijë vjetë, u përfolën si adhurues të djallit, sikur bëni flije njerëzore dhe gjëra të këtij lloji. (Më duhet ta përsëris se sa herë që njerëzit nuk kuptojnë ndonjë gjë, ia përshkruajnë gjithnjë djallit.)

Tek qëndroja atje, në atë muzg që po dendësohej, duke kundruar këto vegime si në një kaleidoskop kohe, pashë disa figura me kapuçë të bardhë, që po çapiteshin nëpër rrafshinë. Dukej se ishin ndonja njëqind syresh, që ecin në rresht për një. Nuk pipëtinte asgjë; një heshtje spirtuale mbuloi gjithçka – të njëtën gjë ndjenë edhe njerëzit që shoqëroja. Atmosfera, zogjtë, ajri … gjithçka prajti, si të kishim hequr velin e një kohe të largët. Ishte e qartë se qemë në praninë e priftërinjve druidë.

Kur druidët iu avitën rrethit, m’u bë sikur mund të shihja rishmë këtë vend ashtu siç kishte qenë dikur, me të gjithë gurët nëpër vendet e tyre dhe “gurin e altarit” në mes. Disa priftërinj qëndronin brenda rrethit, kurse disa të tjerë rrinin si roje jashtë tij; të gjithë tok nisën të himnonin me një zë fort melodioz. Një burrë bëri një hap përpara – e vetmja gjë që e dallonte prej të tjerëve, ishte një gjalmë i artë perreth petkut të tij të bardhë. Qëndroi me krahë drejt përpjetë dhe nisi të himnonte me zë të lartë, si në një kor grek, apo nëpër të kremtet katolike, kur prifti psallt dhe grigja i gjegjet. Unë di latinisht, dhe himni kishte po atë timbër të rrjedhshëm, veç se ishte kue e ku më parak.

Pashë burrin me gjalmin e artë të nxirrte nga petku një shpatë të bukur, të cilën e la mbi gurin e altarit; pas pak shpata nisi të vezullojë nga një dritë e florinjtë. Pasandaj, u shfaq një prift tjetër, që vuri në altra, përbri shpatës, figurinën e një gruaje lakuriqe, me këllqe e gjinj të mëdhenj. Dukej sikur të gjithë e përnderonin këtë idhull – lypset theksuar se ishte Perëndesha Mëmë.

Paskëtaj, ata u kapën për duarsh dhe nisën rishmë të këndonin; himnimi i tyre ngjante me një psalltje gregoriane. Prijësi u kthye dhe të gjithë u ulën. Ia behën dy priftërinj të tjerë me qese, të cilat i hapen mbi altar. Fillimisht nuk e kuptoja ç’kishte në to, por pas pak pashë se ishin eshtra. Dukej sikur nderonin të vdekurit e tyre.

Pasi u ulën dhe kënduan, kryeprifti mori shpatën, bëri një nojmë në drejtim të njërës prej hyrjeve midis gurëve dhe pastaj e drejtoi kah qielli. Pastaj doli nga njëra portë e hyri nga një tjetër bri saj, me shpatë gjithnjë kah qielli. (Mund të shikoja nëpër disa prej hyrjeve, ndaj dhe pa kaluar shumë kohë kuptova se, jo vetëm çdonjëra prej tyre ishte e kthyer në drejtim të lindjes së diellit, por edhe drejt galaktikave të ndryshme, përfshirë Andromedën.)

Priftërinjtë qëndruan ulur për një kohë bukur të gjatë, por pastaj, si t’iu ishte bërë me shenjë, secili i ra pas prijësit nëpër dyer, pa e hequr vështrimin nga qielli. Nuk pati asnjë flije njerëzore, asnjë gjakderdhje – qenë vetëm do figura spirituale, në përngjasim të murgjërve, që falenderonin hyjninë apo hyjnitë e tyre.

E gjitha kjo ndodhi në harkun e një çasti, dhe përpara se ta kuptoja se çfarë ndjeja, udhëheqësja ime shpirtërore, Fransina, më tha: “Ata po shpërfaqin besimin e tyre: se, ne jemi rimishëruar shumë e shumë herë dhe se vimë prej galaktikash të tjera – gurët janë simbole të hyrjes sonë në këtë realitet.” Pothuajse si keltët e vjetër, por në një mënyrë akoma më të stërholluar, për sa kohë që na konsiderojnë shtegtarë në kohë, – mendova.

Dukej sikur druidët thoshin: “Unë do të vdes, por do të shkoj në qiell ku, ndoshta, do të përtërihem, për t’u kthyer rishmë këtu nëpërmjet portës së jetës për të mësuar.” Kjo shëmbëllen mjaft me besim tonë gnostik të krishterë. E ndjeva se jeta është një qerthull – pa kaluar nëpër portën e jetës dhe pa nxënë mirë mësimin, mund të na qëllojë ta shohim veten shpesh në pikën e nisjes.

˜

Më duhet të ndalem këtu dhe t’iu shpjegoj atyre që s’e njohin kush është Fransina. Fransina është udhëheqësja ime shpirtërore kryesore, e cila më ka shoqëruar që në lindje. (Kam, gjithashtu, edhe një udhëheqës dytësor, Raheimin, i cili erdhi më vonë tek unë, por ai nuk do të shfaqet në këtë libër.) Prveç se një trans medium dhe largpamëse, unë jam edhe clairaudient, domethën unë jam në gjendje ta dëgjoj Fransinën, gjë që e kam bërë qysh në moshën shtatë vjeçare. Kështu, po të keni lexuar ndonjërin prej librave të mij, atëherë e dini se ajo është një studijuese e madhe dhe se ka patur të drejtë shumë herë. Edhe gjërat që, në fillim, mund t’ju jenë dukur krejt absurde, janë vërtetuar më kalimin e viteve (janë aq shumë, sa nuk dua të zgjatem këtu).

Fransina më tha se gjatë ekuinokseve të pranverës dhe të vjeshtës, populli i Stonhenzhit blatonte mbi gurin e altarit grurë, misër dhe fruta. Ishte kaq e shjeshtëzuar, por pra kaq e bukru – dhe aspak e mistershme dhe e frikshme.

Kur po largohesha, i thashë grupit tim që të shikonte ato tuma të rrumbullta prej dheu që qarkojnë Stonhenzhin, sepse ato shëmbëllejnë me dhomëza varrimi. Pa kaluar shumë kohë, media raportoi se arkeologët kishin gjetur përreth Stonhenzhit skelete. Më zjen zor ta them tani, po e di se njerëzit që ishin me mua, përfshi dhe ciceronin tonë, Pitër Planketin (i cili jeton në Irlandë), e mbajnë mend këtë. Eshtrat na kthejnë te legjenda që rrëfen Xhefrit i Manmëthit, e cila mëton se Stonhenzhi është ndërtuar për të kryer funksionin e një përmendoreje. Njerëzit dëshironin të varrosesishin sa më afër këtij vendi fetar dhe të shenjtë. Sa më i rëndësishëm që të ishe, aq më pranë tij do të varroseshe; ndaj fisnikët dhe drejtuesit më të lartë varroseshin më pranë vendit të shenjtëruar se ata që i përkisnin sërave më të ulta.

Siç e kam thënë shumë herë, mos pranoni si të mirëqenë gjithçka që them unë (apo kushedi tjetër). Qemtoni faktet dhe do të dilni në një përfundim të drejtë. Por mos mendoni se gjithçka që s’dimë është e gabuar apo e keqe, apo se i dimë të gjitha përgjigjet. Një mendje e mbyllur nuk qas asgjë brenda … apo jashtë.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:13

2

Ishulli i Pashkëve

Ishulli i Pashkëve është konsideruar gjithnjë si një prej vendeve më të mistershme të këtij planetit. I vendosur në Paqësorin Jugor, rreth 2000 milje nga Kili dhe Tahiti (që janë qendrat më të afërta të banuara), në ishull nuk mund të shkohet gjithaq lehtë. Europiani i parë që e zbuloi ishullin ishte një admiral holandez, Jakob Rogeveni, ditën e Pashkës së vitit 1722 – prej këndej edhe emri i ishullit.

Arkeologët thonë se ka të dhëna që dëshmojnë se polinezianët e zbuluan ishullin rreth vitit 400 të t. z; shumica e shkencëtarëve pajtohen në këtë pikë, por disa syresh mëtojnë se ishulli banohej në fillim prej njerëzish të ardhur nga Amerika e Jugut. Eksploruesi Thor Hojerdal, autor i librit Kon-Tiki, mëtonte se banorët e parë erdhën nga Peruja, duke e mbështetur këtë mëtim në faktin se shtatoret e ishullit, të ashtuquajturat moai, kanë ngjashmëri me punimet peruviane në gur.

Moait e ishullit, për nga përmasat variojnë nga disa tonë dhe 4 këmbë të lartë, deri në thuajse 72 këmbë në gjatësi dhe përafërsisht 150-165 tonë. Deri më sot shkencëtarët kanë numëruar në ishull 887 nga këto shtatore, me një lartësi mesatare prej 13 këmbësh dhe një peshë mesatare prej 13 tonësh. Nga 887, vetëm 288 syresh gjenden në vendin e tyre përfundimtar, kurse të tjerat, ose janë ende në gurore, ose të hapërdara nëpër ishull, në mes të rrugës drejt vendit të përcaktuar.

Nga banorët e sotëm të ishullit, toka, populli dhe gjuha e Ishullit të Pashkëve njihet si Rapa Nui. Ishullorët kishin gjuhë të shkruar, që njihej si Rongorongo, e cila nuk është deshifruar plotësisht as sot e kësaj dite. Në këtë gjuhë sot ekzistojnë vetëm 26 tabela druri, kuptimi i të cilave mbetet për t’u përcaktuar. Veç kësaj, në ishull gjenden shumë petroglife (gdhendje në gur), të cilët paraqesin shpendë dhe jetën e përditshme të banorëve të hershëm të ishullit. Ata ishin si një lloj ditari, që do t’u dëftente brezave të ardhshëm si jetonin dhe me çfarë merreshin ata gjatë jetës së tyre të përditshme. (Filmi Rapa Nui, i regjisorit Kevin Rejnolds, është mbështetur në disa prej këtyre petroglifeve.)

Arsyeja se përse njerëzit rreshtën krej papritur ndërtimin e maoive, është një nga misteret e mëdha të Ishullit të Pashkëve. Shkencëtarët hamendësojnë se popullsia e ishullit u rrit aq shumë, sa dëmtoi ekosistemin deri në atë pikë, sa mjetet e jetesës nuk mjaftonin më për të gjithë popullsisë. Disa hamendësojnë se pyjet e ishullit u prenë deri në atë pikë, aq sa rrezikonin të zhdukeshin fare, sepse trungjet e tyre iu duheshin për të lëvizur maoit gjgantë, kurse toka u shfrytëzua për bujqësi. Për më tepër, ata mëntojnë se, meqë pyjet u shfarosën, ishullorët nuk mund të bartnin më monolitët e stërmëdhenj; kështu e shpjegojnë ata ndalimin e beftë të bartjes së shtatorëve.

Në bazë të dëshmive, banorët e Ishullit të Pashkëve paskëtaj u përfshinë në një luftë civile të përgjakshme që, siç besojnë disa, përfundoi në kanibalizëm. Gjatë kësaj kohe të gjitha shtatoret u shembën përdhe – moait qëndrojnë sot në këmbë vetëm falë përpjekjeve të arkeologëve. Sipas një artikulli në uebsajtin e BBC-së (www.bbc.co.uk), skllavëria dhe sëmundjet, si lia dhe sifilisi, që u çuan atje nga perëndimorët, e rrëgjuan popullsinë vendase në vetëm 111 banorë në vitin 1877. gjithsesi, pas aneksimit të ishullit nga Kili më 1888, popullsia filloi të rritet dhe sot ishulli ka rreth 3800 banorë.

Unë nuk pajtohem me pjesën e kanibalizmit, sepse e di që Ishulli i Pashkëve ishte shtëpia e një qytetërimi tejet të përparuar dhe se këtyre monolitëve iu dha ajo pamje kërcënuese, për të mbajtur larg të huajt. Ekzistojnë disa disa gjëra që na kujtojnë druidët, por vetëm nga pikpamja e besimit të tyre, therorive që u bënin perëndive dhe një lloj magjijeje.

Moait qenë rojet që mbanin larg ishullit furacakët. Përfytyroni për një çast sikur jeni duke kaluar pranë këtij ishulli dhe shikoni këto figura vigane dhe groteske, me ato kokat e tyre të mëdha e kanosëse dhe me vështrim të hedhur nga deti. Jam e sigurt se, po të ishit bestytë, nuk do të ndalonit!

Edhe pse nuk kanë simetrinë që ka Stonhenzhi, muret dhe punimet në gur të banorëve të ishullit qenë të jashtëzakonshme dhe rivalizonin denjësisht muratorinë e Perusë dhe të Egjiptit. )Do të ishte e lehtë të besonim se moait janë sjellë këtu prej UFO-ve, sikundër se ka ndodhur me shumë nga ato gjëra, për të cilat do të trajtojmë në këtë libër, por kjo s’është e vërtetë.)
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:14

3

Shangri – La

Që kur u bë e famshme për së pari nëpërmjet romanit Horizont i humbur të Xhejms Hiltonit, Shangri-Laja ka cytur imagjinatën e shumë njerëzve. Ndoshta sepse njerëzit dëshirojnë me gjithë shpirt të ekzistojë në botë një vend i tillë – një vend ku mbretëron hareja dhe paqja, ku nuk mplaket askush dhe ku të gjithë rrojnë në harmoni. Kjo gjë mua më shëmbëllen me gjakimin për Anën Tjetër.

Mendohet se Shangri-Laja gjendet diku në malet Himalaje, në afërsi të Tibetit. (Fransina thotë se në zemër të Himalajeve ngrihet një qytet, që ka trajtën e lules së lotusit, ku banojnë qenie të ardhura nga hapësira. A mund të jetë ky Dropa i disqeve të gurtë dhe i kafkave të kristalta, që u gjetën në malet e Kinës?) Banorët vendorë tibetianë, këtë vend misterioz e quajnë edhe Shambhala. Sipas një artikulli në The People’s Almanac, nr. 3, me autor Dejvid Ualiçinskin, ai njihet si “Mbretëria e Fshehtë”, ku rrojnë njerëz të përsosur, të cilët drejtojnë evolucionin e njerëzimit. (Pa dashur të tregohem e ashpër, për mendimin tim ata s’po e bëjnë punën tamam si duhet; por ka të ngjarë që, po të mos ishin ata, punët tona të venin edhe më keq.)

Mendohet se Shangri-Laja mbrohet nga bota e jashtme prej një sërë pengesash psikike, por edhe nga ata që tibetianët i quajnë “rojet e dëborës”. Në fillim të viteve 1900, një major britanik që po fushonte në Himalaje, pikasi një burrë gjatosh, të veshur lehtë, me flokë të gjatë e të verdhë, i cili, kur e vuri re se e kishin pikasur, u lëshua sakaq përposh një rremoreje dhe u bë fir. Kur e zuri në gojë këtë gjë, tibetianët që e shoqëronin nuk u habitën aspak, por fare qetësisht i shpjeguan se ai sapo kishte parë një prej njerëzve të dëborës, që ruanin tokën e shenjtëruar të Shambhalasë.

Një njoftim më i hollësishëm për një lloj roje debore na është dhënë nga Aleksandra Dejvid-Nili, e cila qëndroi 14 vjet në Tibet. Në një prej shumë shtegtimeve të saj në Himalaje, ajo vuri re një burrë që lëvizte me shpejtësi marramendëse, të cilin e përshkoi si më posht:

Mund të shikoja qartë fytyrën e tij përsosmërisht të paqtë dhe të pashprehje, si dhe sytë e gapërruar në një objekt të largëm e të padukshëm, që ndodhej diku në hapësirën përmbi. Burri nuk rendte. Dukej sikur ngrihej nga toka dhe lëvizte duke u hedhur. Ngjante i darovitur me elasticitetin e një topi, kështu që, sa herë që këmbët e tij ceknin tokën, hovte rishmë përpjetë. Hapat e tij kishin njëtrajtshmërinë e një lavjerrësi.

Thuhet se njerëzit që janë vënë në kërkim të Shangri-Lasë nuk janë kthyer më kurrë. Siç ma thotë mendja mua, ata, ose kanë ngrirë gjatë këtij udhëtimi të rrëzikshëm, ose thjesht kanë vendosur të qëndrojnë atje. Vetëkuptohet, aty pranë ndodhet një manastir, i cili është ndën ndikimin e mbetjeve të energjisë së Shambhalasë; shumë prej atyre që e kanë vizituar këtë manastir, kanë përjetur një ndikim të pabesueshëm shërues. Shirli MekLeini pasi u kthye nga Tibeti më tha se atje kishte përjetuar një lloj energjie të mrekullueshme.

Ka shumë historianë që besojnë se sanskritishtja e ka prejardhjen nga Shangri-Laja, ndërsa Fransina thotë se ajo vjen nga Lemuria (për të cilën do të flas pak më vonë në këtë libër). Mendohet se Shambhalaja apo Shangri-Laja është dhe atdheu i Kalacakrës, formës më të epërme të misticizmit tibetian. Sipas meje, këtë teori e bën të besueshme vetëm fakti që Buda (të cilin e nderoj se tepërmi si kumtar) u predikonte mësimet e Kalcakrës njerëzve të shenjtë të Indisë. Ualiçinski thotë:

Mësimet mbetën të fshehura për 1000 vjet, derisa një studiues indian i jogës u nis në kërkim të Shambhalasë dhe zuri të nxërë këto mësime i ndihur prej një njeriu të shenjtë, të cilin e ndeshi udhës. Kështu, Kalacakra qëndroi në Indi gjer në vitin 1026, kur u kthye sërish në Tibet. Që nga ajo kohë, koncepti i Shambhalasë u bë i njohur gjerësisht në Tibet; tibetianët kanë tash 900 vjet që e studiojnë Kalcakrën, duke nxënë shkencën e saj, duke medituar dhe duke shfrytëzuar sistemin e saj të astrologjisë për të drejtuar jetën e tyre. Sikundër thotë një lamë tibetian, si ka mundësi që Shambhalaja të jetë burimi i diçkaje që ka ndikuar kaq shumë jetën tibetiane për kaq shumë kohë dhe prap të mos ekzistojë?

Tekstet fetare tibetiane e përshkruajnë me hollësi ndërtimin fizik të tokës së fshehtë. Mendohet se ajo ka trajtën e një luleje tetëpetalëshe lotusi, sepse përbëhet prej tetë rajonesh, të qarkuar, secili, nga një unazë malesh. Në qendër të unazës më të fshehtë ngrihet Kalapa, kryeqyteti dhe pallati i mbretit, që është ndërtuar me ar, diamante, korale dhe xhevahire. Kryeqyteti qarkohet nga male prej akulli, të cilët rrenjejnë një dritë të kristaltë. Mendohet se teknologjia e Shambhalasë është tejet e përparuar; pallati është i pajisur me gallustra të posaçme prej thjerrëzash, që shërbejnë si teleskopë shumë të fuqishëm për të studiuar jetën jashtëtokësore; prej qindra e qindra vjetësh banorët e Shambhalasë përdorin makina fluturuese dhe vetura që lëvizin nëpër një rrjet tunelesh të nëndheshëm. Përgjatë rrugës së përndritjes, shambhalianët arrijnë të zotërojnë fuqi të tilla, siç janë qartëpamësia, aftësia për të lëvizur me shpejtësi shumë të madhe dhe aftësia për t’u materializuar, apo për t’u zhdukur sipas dëshirës.

The People’s Almanac njofton se “profecia e Shambhalasë thotë se secili prej mbretërve të saj do të sundojë për 100 vjet dhe se, në tërësi, do të sundojnë 32 syresh.” Pas çdo mbretërie, “kushtet në botën e jashtme do të përkeqësohen”, gjersa mbreti i sprasëm të shpëtojë botën, duke udhëhequr një ushtri të fortë kundër së keqes. Kjo mua më ngjan me Armagjedonin. Dhe vërtet, a ka gjasa që i tërë koncepti i Armagjedonit të jetë huajtur prej këtyre shkrimeve e profecive të lashta?

Duke u mbështetur në tekstet e tyre fetare, murgjërit tibetianw thonë se gjithçka po ndodh tamam ashtu siç është shkruar në profecinë e Shambhalasë. Ata nuk nxjerrin asnjë informacion tjetër lidhur me atë që duhet të ngjasë në të ardhmen, sepse shumica e tyre e dinë se ne nuk mund të përballojmë atë, apo sepse kjo s’është punë për ne. Për profecinë ne dimë vetëm kaq: shpërbërja e Budizmit në Tibet, materializmi i pabesueshëm që ka ngërthyer tani tërë botën dhe luftërat e trazirat e shekullit XXI duket se përputhen me ato pak gjëra që dimë nga profecia e Shambhalasë.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:15

4

Trekëndëshi i Bermudes

Zona që ka ushqyer aq shumë spekullime përgjatë viteve, shtrihet nga Majami në Bermuda dhe nga Bermuda në San Huan, në Porto Riko, në Oqeanin Atlantik (për të cilën jam e sigurt se ishte pjesë e Atlantidës, po për këtë do të flasim në kapitullin e ardhshëm). Është e çuditshme të kuptosh se kjo zonë mbrun një trajtë piramidale, e cila duket se ndodhet në pikën e rrjetit që lidhet me pikat e tjera të Tokës, që janë shkaktare të dukurive nga më të çuditshmet dhe më të pashpjegueshmet.

Fransina thotë se nga Meksika në Egjipt dhe nga Peruja në Detin e Kinës, ekzistojnë vorbulla në të dy anët e ekuatorit, që ndërlidhen për të mbrujtur një rrjetë me zona tejet elektromagnetike (në tërësi ekzistojnë 12 të tilla), të cilat bëjnë që të ngjasin dukuri shumë të çuditshme – dhe jo vetëm në këto 12 zona, por edhe në vijat ndërlidhëse që i mbajnë ato bashkë. Ajo thotë se këto vija ua bënin më të lehtë udhëtimin vizitorëve të hershëm alienë dhe se, gjithashtu, ishin një lloj rrjeti radioje ose transmisioni për të përçuar shpejt informacionin nga një vend në tjetrin mbi sipërfaqen e planetit, pak a shumë si sistemi satelitor që përdorim ne sot.

Për Trekëndëshin dëgjova për herë të parë kur isha rreth 12 vjeçe, dhe nuk do ta harroj kurrë. Po shikoja këngëtaren, personalitetin e radios dhe yllin e televizionit Kejt Smith në televizorin tonë dhjetë polësh Emerson (duhet të ketë qenë aty nga viti 1950). Një pilot po fliste me të për fluturimin e tij mbi këtë vend të çuditshëm afër brigjeve të Floridës. Ai tha se një objekt i heshtur cilindrik kishte kaluar bri tij në fluturim (gjë vërtet shumë e çuditshme, sepse në atë kohë ne kishim vetëm aeroplanë me helikë). Tha se ishte përpjekur të kontaktonte me objektin me anë të radiomarrësit të tij rudimentar, por arriti të dëgjonte vetëm një zë “metalik” që thoshte: “Largohuni nga kjo zonë.”

Aso kohe më dukej një histori fantastike dhe nuk i zura besë, derisa, vite e vite më vonë, kur një miku im mjek, tek i cili kisha besim absolut, po vdiste nga kanceri në stomak. Ai e mblodhi mendjen të vente te Trekëndëshi, ngase kishte dëgjuar se zotëronte fuqi shëruese – dhe në atë pikë të jetës që kishte mbërritur, ç’gjë më e keqe mund t’i ndodhte më? Sado që mund ta kishte përsëdytur me qindra herë, sa herë që i duhej ta rrëfente historinë, entuziasmohej e dukej i trembur gjithnjë.

Me sa duket, ai dhe tre njerëz të tjerë (një prej të cilëve ishte një tjetër mik i imi, që kishte një post të rëndësishëm tek IBM-ja) kishin vajtur thuajse në zemër të Trekëndëshit të Bermudes dhe ishin kredhur në det. Miku ik mjek tha se kish parë ndën ujë një piramidë, që kishte në majë një kristal. Ai ishte orvatur t’i afrohej, por qe sprapsur, me sa duket, nga një forcë elektrike që i përshkonte tërë trupin.

Unë besoj se kjo s’ndohte vetëm për shkak të piramidës (apo piramidave – sipas njoftimeve, atje mund të ekzistojnë më shumë se një); edhe kristalet çlirojnë forcë elektromagnetike. Jam e sigurt se brenda ndonja dhjetë viteve të ardhëm do të gjejmë rrënojat e një piramide me një sferë të kristaltë, tamam ashtu siç e pa miku im, me gjasë, afër Biminit, që ndodhet pranë brigjeve të Floridës. Në afërsi të Biminit zhytësit kanë gjetur një objekt që shëmbëllen me një shkallare, por kushedi se për çfarë arsyeje nuk u bënë hulumtime të mëtejshme.

Për të mos e zgjatur, kanceri i mikut tim, për habinë e madhe të mjekëve, u zhduk. Edhe pse disa u tallën, për mikun tim shëndeti i tij ishte një provë e mjaftueshme. Unë isha po aq e ngazëllyer, jo vetëm për shërimin e tij, por edhe sepse pa e ditur, ai kish vërtetuar atë që i kishte thënë Fransina grupit tonë më 1977.

Ajo na tha se Trekëndëshi i Bermudes ka qenë dhe është një autostradë intergalaktike, nëpër të cilën njerëzit mund të lëvizin nga një planet në tjetrin – ai është, pak a shumë, si një “portë yjore”, si ajo që mund të shihni te filmi Udha e yjeve apo në serialët e ndryshëm televizivë. Njerëzit mund të futen nëpër këto gjeratore për të vajtur e për t’u kthyer nga planetët e tjerë. Ajo na tha se problemi i vetëm ishte se ne nuk zotërojmë teknologjinë e nevojshme për të nxënë konceptet e saj, e as nuk dimë si të krijojmë kontakte me planetin, ku duam të vemë, kështu që ata mund të venë në punë mekanizmin për vënë në punë atë. Përfytyrojeni sikur gjendeni në një ashensor, pa ditur si të shtypni butonat e tij – ju thjesht do të rrini, pa ditur çfarë të bëni, apo si të shkoni diku.

Me sa duket, nuk ka ndonjë kohë, apo kushte atmosferike të caktuara që i shkakton këto ngjarje: Fransina thotë se ato janë si zarfa kohe qe hapen e mbyllen. (Njihet prej të gjithëve një ngjarje e dokumentuar fare mirë: një bujk doli nga shtëpia e tij në Nebraskë dhe thjesht u zhduk në sy të të gjithë familjes së tij. Për tri ditë me rradhë ata e dëgjonin në ajër tek kërkonte ndihmë, por askush nuk nuk mund ta shihte. Mund t’ju duket e çuditshme …. por, ndonjë herë këto zhdukje të mistershme mund të jenë thjesht raste të viktimave që çapiten nëpër këto porta.) Nuk dua që njerëzit të mendojnë se kjo gjë ndodh aq shpesh, por disa mëtojnë se në Trekëndëshin e Bermudes kanë humbur më shumë se 1000 njerëz.

Pavarësisht se sa teori gëlojnë në këtë temë, disa shkencëtarë dhe Roje Bregdetare të Shteteve të Bashkuara orvaten t’i përfshijnë ato ndën mbulojën e “dukurive natyrore”. Gjithsesi, është fakt se Trekëndëshi i Bermudes është një nga dy vendet të këtij planeti ku kanë humbur kaq shumë frymë dhe ku ndodhin dukuri kaq të çuditshme (për vendin tjetër do t’ju flas në fund të këtij kapitulli).

Ngjarja e famshme që e nxorri Trekëndëshin në të gjithë titujt kryesorë të medias përfshinte një aeroplan bombardues (Fluturimi 19) më 1945. Ai u çua nga Fosrtesa Loderdejl, në Florida, aty nga ora dy e pasdrekës për një mision stërvitor. Togeri Çarls Tejlor, komandanti i misionit, ishte pilot me shumë përvojë: ai dhe skuadra e tij duhet të fluturonin për 56 milje, deri në Cektinat e Pulës me Zogj. Pasi të kryenin këtë mision, ata duhej të fluturonin edhe 67 milje në lindje, e pas kësaj 73 milje të tjerë në veri, përpara se të ktheheshin në bazë, domethënë edhe ndonja 120 milje të tjera – duke përshkuar kështu një rrugë trekëndore mbi det.

Pas një ore e gjysmë, Tejlori i raportoi togerit Koks se busullat e aeroplanit nuk punonin. Sipas tij, ndodhej mbi Florida Kej, por Koksi e nxiti të fluturonte për në veri, drejt Majamit. Togeri Tejlor u hutua edhe më keq dhe, madje, filloi të mendojë se, sipas busullave të tij, ishte nisur në drejtim të gabuar. (Fusha magnetike e piramidës dhe e kristalit të nënujshëm, natyrisht që i kish prishur të gjitha pajisjet.)

Aty nga ora 4:45 e pasditës togeri Tejlor e kuptoi se kish humbur. Më 6:20 Marina nisi aeroplanët kërkimorë (një prej të cilëve nuk u kthye kurrë dhe për të cilin u tha se mund të kish shpërthyer mbi oqean) për të gjetur Fluturimin 19. Transmetimi i mbramë nga Fluturimi 19 u krye më 7:04 të mbrëmjes.

Me sa duket, edhe në kohë të kthjellët, kjo zonë shpërfaq një shkallë të lartë energjie elektromagnetike mbi pajisjet. Vëzhgimet sizmiografike të kryera nëpër të gjithë Oqeanin Atlantik tregojnë se ekzistojnë shumë shmangie dhe konture të pashpjegueshme në këtë pjesë të detit. Zona mjaft të cekëta, papandehur mbarojnë me disa prej humnerave më thella ndën oqeane. Një nga uebsajtet më të mirë për Trekëndëshin e Berudes, www.bermuda-triangle.org, që është themeluar dhe shkruar nga Xhan J. Kjuizari (i cili për ndonja dymbëdhjetë vjetë ka kryer kërkime dhe ka dokumnetuar çdo zhdukje në Trekëndësh – deri në atë masë që mund të dokumentohen), thotë se shumica e “aksidenteve” nuk mund të shpjegohen, edhe kur shumë syresh kanë kërkuar ndihmë. Akoma më të mistershme janë ato kur nuk është kërkuar ndihmë fare.

Dy nga incidentet më magjepsës janë ato të zhdukjes së një aeroplani Super Constëllejshën më 1954 me 42 persona në bord, nga i cili nuk u gjet as edhe një shenjë, as nga pasagjerët e as nga ngarkesa; dhe zhdukja e anijes së mallrave 590 këmbë të gjatë Sylvia L. Ossa, e cila thjesht u zhduk në vitin 1976. Në të dyja rastet, sado që koha ishte shumë e mirë, ato thjesht u zhdukën pa pipëtirë, pa kërkuar ndihmë dhe, fundja, pa njoftuar askënd se ishin në telash. Në ngarkesën e Super Konstëllejshënit kishte nënkresa, gota plastike e, madje edhe varka shpëtimi, por gjatë kërkimeve nuk u gjet asnjë gjurmë.

Mendoj se në kohë dhe kushte të caktuara diçka nën ujë aktivizohet në këtë zonë (ndoshta si mjete komunikimi të humbura prej kohësh), dhe kur anijet apo aeroplanët futen në zonën e aktivizuar, ata çoroditen dhe futen në zarfin e kohës. E pyeta Fransinën: “Për hir të Zotit, ç’u ndodh këtyre njerëzve? Mos ndoshta ngecin në ndonjë shmangie kohe?” Ajo m’u përgjigj: “Sigurisht që jo. Shkojmë ne dhe i marrim.

Veç të tjerash, uebsajti www.bermuda-triangle.org thotë se pas shumë vitesh skepticiami, shkenca po studijon shkaqet që shkaktojnë aftësinë psikike. (Për fat të mirë, edhe pse më studijuan, ata s’e dinë ende s’i i bëj ato që bëj – po këtë s’e di as unë vetë.) CIA tanimë e pranon, ashtu sikundër e pranojnë edhe anëtarët e ish Bashkimit Sovjetik, se “spiunimi psikik” është përdorur nga të dyja palët. Këtë që do të lexoni po e them për herë të parë këtu: CIA, siç mund të dëshmojë edhe stafi im, u lidh me mua, por unë as që dëgjova të bëhem pjesë e saj. Detyra ime është të ndihmoj njerëzit, dhe jo t’i spiunoj ata. Tashmë di ato që di … thjesht rri duarkryq, derisa ata t’i zbulojnë.

Pjesa dwrrmuese e njerwzve nuk e dinw se Trekwndwshi i Bermudes nuk është i vetmi vend ku kanë humbur një numër i madh anijesh, aeroplanesh e gjërash të këtilla. Ekziston, gjithashtu, një zonë në Detin e Kinës, që njihet si “Deti i Djallit”, ku kanë ngjarë dukuri të ngjashme me ato të Trekëndëshit të Bermudes – po ashtu, është me interes të theksojmë se Trekëndëshi i Bermudes është quajtur “Trekëndëshi i Djallit”.

Uebsajti www.crystalinks.com njofton se dukuria e vërejtura në zonën e Trekëndëshit të Bermudes përfshin një mjegull të blertë dhe ujë të bardhë, që mund të shihen nga shëmbëlltyrat e satelitit. Ai shton se, madje, për këtë det shkruan edhe Kristofor Kolombi në ditarin e tij. Në të vërtetë, Trekëndëshi e çoroditi kaq shumë ekuipazhin e Kolombit, sa ata për pak sa nuk ngritën krye (gjë që s’është fort e pazakontë, përderisa shumë njerëz pohojnë se në këtë zonë pajisjet çoroditen fare). Kjo mund t’ju duket disi e tepruar, por kush mund të thotë se kjo nuk ishte një prej arsyeve që Kolombi zbarkoi në Karaibe në vend që të zbarkonte aty ku ishte nisur?

Trekëndëshi i Bermudes mbetet edhe sot e kësaj dite një enigmë – sado që kërkuesit, biologët e marinës, Roja Bregdetare dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara janë orvatur të zbulojnë ç’fshihet prapa dukurisë që ngjet atje. (Pa përmendur këtu ekipet e pafundme private të mjekëve, fizikanëve dhe shkencëtarëve, të cilët janë përpjekur të kuptojnë këtë dukuri.)

Nga e gjithë bota mbërrijnë zbulime nga më të çuditshmet në lidhje me Trekëndëshin: për shembull, një libër i vjetër i eksploratorit anglez Persi Fjuset flet për indianët e veçuar të Amerikës së Jugut, të cilët përshkruanin kristale të mëdhenj në majë të tempujve të rrënuar e të fshehur në xhunglat e Brazilit. Ata flisnin për kolona të përflakura dhe për cungalë qelqi e kristali, njëlloj si Edgar Kejsi, i madhi “profet i fjetur”, dhe Fransina. Por ky informacion nuk e pa dritën e botimin deri në vitin 1950, kur e botoi i biri i Fjusetit. Kolonel Fjuseti u nis për ekspeditën e tij të tetë për në Brazil më 1925, prej nga ai dhe ekuipazhi i tij nuk u kthye kurrë, madje atje nuk u gjet as edhe një gjurmë e ekspeditës. (Ky informacion doli menjëherë pas atyre të Kejsit dhe Fransinës.)

Unë akoma nuk arrij ta kuptoj se përse dërgojmë raketa në hapësirë, kur këtu në Tokë ka ende kaq shumë mistere të pashpjeguara. Megjithatë, le të shpresojmë – me pjerrjen e planetit, shumë nga ne do të jenë gjallë për të parë rilindjen e kontinenteve, apo të një pjese të tyre; shumë prej pyetjeve tona do të marrin përgjigje më shpejt se ç’pandehim ne.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:17

5

Kontineti i humbur i Atlantidës

Kur isha ndonja tetë vjeçe, gjyshja ime më tregoi për së pari për “kontinentin e humbur” në Oqeanin Atlantik. Deri më tani nuk kam shkruar shumë për time gjyshe, por lejomëni vetëm të them se ajo ishte një nga dashuritë e mëdha të jetës sime. Ajo rridhte nga fisnikëria gjermane dhe ishte krenare për trashëgimin e saj, por në një mënyrë të përunjur dhe aspak snobe.

Gjyshe Ada ishte 5’8” dhe argëtuese, një leshverdhë shumë e çiltër, me sy të mëdhenj blu. Ajo kishte kryer vetëm tetë klasë në një shkollë kuvendi, por kish lexuar të tëra librat e biblotekës së stërmadhe të të atit dhe mund të citonte pasazhe të tëra nga të gjithë klasikët. (Në një farë mënyre, unë e kam trashëguar kujtesën e saj.) Njëlloj si unë, edhe gjyshe Ada nuk ishte telepatike për vetveten, sado që shëronte, fliste me shpirtërat, shihte vegime e gjëra të ngjashme. Por ime gjyshe shëmbëllente edhe me Kejsin, për sa i përket “zërave” të saj. Ajo kurrë nuk i përmendte ata me emër; thjesht thoshte’ “Ata më thanë …”

Arsyeja përse e përmend atë këtu është se tema për të cilën asaj i pëlqente më shumë të fliste ishte Atlantida, krahas Anës Tjetër. Ajo besonte se kishte jetuar dikur në Atlantidë; dhe të njëjtën gjë që ndjej unë për Kenian time të dashur, ajo ndiente për kontinentin e humbur. Fundja, unë kam qenë shumë herë në Kenia – për fat të keq, ime gjyshe nuk mundi të shkojë kurrë në Atlantidë, për të përftuar atë ndjesinë e njohur të shtëpisë. Kështu që, gjithçka që ajo kishte dëgjuar, shkruar, apo që kish mundur të nxirrte nga fjalët e udhërrëfyesve të saj, e bënin atë të mahnitshme.

Kur u rrita dhe i thashë gjyshe Adës ato që më kishte thënë Fransina për Atlantidën, ajo më tha: “Oh, ashtu është … të lutem, vazhdo, këto vërtetojnë ato që kam dëgjuar.” Ne, gjithashtu, mbushnim zbrazëtitë që kishin lënë të tjerët. Kështu që, ajo që pason, është informacion të cilin e kam mbledhur përgjatë kërkimeve të mia, klientëve të mi të hipnotizuar, nga gjyshja ime dhe nga Fransina.

Zbulimet e Kontinentit të Humbur

Kur, jo para shumë kohësh, vizitova ishullin grek të Santorinit, më treguan tërë krenari libra që shpallnin se ishulli ishte pjesë e Atlantidës. Ju mund të habiteni se si një ishull i Mesdheut zë vend në një dukuri të Oqeanit Atlantik. Epo, pjesa lindore e Atlantidës ndodhej në perëndim të bregut të Spanjës dhe Afrikës; Fransina thotë pjesa perëndimore e saj shtrihej deri në Karaibe dhe Gadishullin e Jukatanit, duke qerthulluar edhe Trekëndëshin e Bermudes dhe Detin e Sargasos. Atlantida kishte, gjithashtu, ishuj të vegjël – një prej të cilëve ishte edhe Santorini – pak a shumë si Ketlina në bregun e Kalifornisë (sado që Santorini ishte më larg Atlantidës se sa Ketlina nga bregu i Kalifornisë).

Uebsajti www. world-mysteries.com thotë se Timeu dhe Kritia, dy dialogje të Platonit, janë të vetmet tregime të shkruara që flasin për Atlantidën. Dialogjet janë kuvendime midis Sokratit, Hermorkatit, Timeut dhe Kritisë, kuvendime gjatë të cilave Timeu dhe Kritia i tregojnë Sokratit për këtë shoqëri. Kjo, sigurisht, vërteton mëtimin se Santorini, fillimisht ka qenë pjesë e Atlantidës.

Dialogjet flasin për një konflikt midis athinasve të lashtë dhe atlantidasve 9000 vjet përpara kohës së Platonit – pra, është e kuptueshme që nuk kanë mbetur shumë të dhëna të shkruara prej asaj kohe, dhe jo vetëm për Atlantidën. Kanë mbetur vetëm disa vepra të Aristotelit, por tekstet e plota të këtyre mjeshtrave të mëdhenj nuk i kanë mbijetuar kohës. Fransina thotë se shumë prej atyre që u shkruan aso kohësh, u shkatërruan me djegien e bibliotekës së Aleksandrisë, por edhe këto vepra ishin mjaft të pakta, sepse në ato kohë gjithçka kalonte në rrugën e traditës gojore. (Më duket e çuditshme që ne e pranojmë Biblën pa asnjë mëdyshje si histori të besueshme të traditës gojore, por kur vjen puna te subjekte të tilla si Atlantida dhe Lemuria, shfaqen shkencëtarët qibarë …)

Me sa duket kontinenti i Atlantidës u shfaq për së pari rreth 500. 000 vjet më parë dhe arriti lulëzimin e tij më të madh rreth 12. 000 gjer më 15. 000 vjet të shkuara, si një kontinent tejet i prirur nga arti, studimi dhe shkenca – ndryshe nga Lemuria, e cila kishte një themel tejet të fortë spiritual në kulturën e saj (do të flas më shumë për Lemurinë në kapitullin tjetër). Dhe ndërsa Lemuria u shkatërrua për shkak të progresionit natyror të ngjarjeve nga Nëna Natyrë, atlantidasit tejet konkurues e shkatërruan vetë vetveten, si pasojë e njohjes së energjisë atomike dhe fizikës nukleare.

Më në fund, kur falë eksperimenteve me energjinë elektromagnetike, pjesa më e madhe e kontinentit u fshi nga faqja e dheut, shumica e qytetarëve të saj u vranë – përveç një pakice, që arriti të vejë në Spanjë, Egjipt dhe Jukatan. (Ashtu sikundër se atlantidasit, me sa duket, nuk shqetësoheshin për ndotjen që i shkaktonin globit me industrinë e tyre, nëse ne njerëzit e sotëm nuk do të rreshtim këtë që po i bëjmë planetit tonë, mund të gjendemi në të njëjtën situatë. Fuqia absolute i zvetënon njerëzit në mënyrë po absolute.)

Përpara se të vazhdojmë, le të shqyrtojmë provat për ekzistencën e Atlantidës, ashtu siç i paraqet www. world-mysteries. com.

Një piramidë e zbuluar nga Dr. Rey Brauni në shtratin e detit në Bahamas më 1970. Brauni shoqërohej nga katër palombarë, të cilët gjetën, gjithashtu, rrugë, kube, ngrehina drejtkëndore, pajisje të paidentifikuara metalike dhe një shtatore që mbante një kristal “misterioz” që përmbante piramida në miniaturë. Pajisjet metalike dhe kristalet u dërguan në Universitetin e Floridë për analiza. U zbulua se kristali e rriste energjinë që kalonte përmes tij.

Rrënoja rrugësh e ndërtesash të gjetura afër Ishullit Binini [sic] në vitet ’60-të nga ekspedita e fotografuar dhe e botuar e Dr. Mansan Valentinit. Rrënoja të ngjashme nënujore u fotografuan nga Kei Sali në Bahamas. Rrënoja të ngjashme nënujore u zbuluan në afërsi të Marokut dhe u fotografuan 50 deri në 60 këmbë nën ujë.



Një piramidë e stërmadhe me 11 dhoma u zbulua 10. 000 këmbë nën ujë në mes të Oqeanit Atlantik, me një majë të stërmadhe të kristaltë, siç njofton Toni Benlki.

Më 1977 u raportua gjetja e një piramide të stërmadhe pranë Kei Solit në Bahamas, që u fotografua nga ekspedita e Ari Marshallit, rreth 150 këmbë nën ujë. Piramida ishte ndonja 650 këmbë e lartë. Në mënyrë të mistershme, uji përreth saj ishte i ndriçuar nga një ujë i bardhë xixëllues, që rridhte nga të çarat e piramidës, kurse ky rrethohej nga një ujë i blertë, në vend të ujit të zi që ndehej gjithandej në atë thellësi.

Një qytet i mbytur ndonja 400 milje larg brigjeve të Portugalisë, që u gjet nga ekspeditat sovjetike të drejtuara nga Boris Austurua, kishte ngrehina të ndërtuara me një beton dhe plastikë skajshmërisht të fortë. Ai tha: “Rrënojat e rrugëve sugjerojnë [sic] përdorimin e hekurudhave me një shinë për transport.” Ai nxorri edhe një shtatore.

Hajnrih Shlimani, njeriu që gjeti dhe gërmoi rrënojat e famshme të Trojës (për të cilën historianët mendonin se ishte vetëm një legjendë), ka lënë një shënim për zbulimin e një vazoje nga koha e bronzit, të bërë prej një metali të panjohur nga shkencëtarët që e ekzaminuan atë, në Thesarin e famshëm të Priamit. Brenda saj ka glife në fenikisht që shpallin se ishte dhuruar nga Mbreti Kronos i Atlantidës. Një vazo identike është gjetur edhe në Tiajuanako, në Bolivi.

Ekzistojnë edhe shumë e shumë zbulime të tjera, por, sa për të krijuar një ide, edhe kaq mjaftojnë. Me sa duket, ekzistojnë edhe kërkime që kanë nxjerrë në shesh qytetërimet e lashta, për të cilat ne nuk dimë asgjë. Vite më parë, Fransina më tha se përgjatë historisë së saj, Atlantida ka njohur tre kataklizma të mëdha: të parën rreth 50. 000 vjet më parë; të dytën ndonja 25. 000 vjet përpara dhe të tretën, që shkatërroi qytetërimin e tyre, ndonja 12. 000 vjet më parë. Ajo shtoi se këto përmbysje shikoheshin nga disa atlantidas si paralajmërime se ata po rrëmonin në gjëra që do të shembnin qytetërimin e tyre. Për fat të keq, këta “profetë të fundit të botës” ishin pakicë, dhe askush nuk iu vuri veshin.

Është me interes të shënojmë këtu atë që thotë www. world-mysteries. com për Atlantidën:

Historia e asaj se si këto kontinente u banuan nga qytetërime tejet të përparuara është shtanguese, por pas mija vjetësh, gjithçka mori fund, dhe për të mbramen herë rreth 11. 500 vjet më parë me disa ngjarje dramatike planetare, që krodhën dhe zhvendosën kontinentet dhe e mbuluan pjesën më të madhe të tokës me ujë. Çelësat për historinë e tokës përpara se ne të mbanim shënim ngjarjet, mund të gjenden në tekstet sumere.

Ky është pak a shumë kufiri kohor që iu shpërvol gjyshe Adës dhe mua nga udhërrëfyesit tanë, shto a hiq 500 vjet. Shumica e njerëzve mendojnë se ajo që ndodhi me Atlantidën ngjan pak a shumë me atë që kam thënë shpesh në TV: një pjerrje polare ushtroi trysni në disa masa toke dhe, tok me zhvendosjen planetare, shkaktoi një plasaritje të kontinenteve. Lemuria dhe Atlantida u zhytën falë kësaj pjerrjeje polare dhe, si pasojë, pjesa më e madhe e tokës u mbulua me ujë.

Atlantidasit po eksperimentonin energjinë elektromagnetike dhe gravitetin, që, sipas Fransinës, ishte shkaku madhor i një shkatërrimi të tillë. Normalisht, pjerrja polare vetëm do të përshpejtonte shpërthimet e vullkaneve, tërmetet, dhe zhvendosjen a krisjen e disa masave të tokës, por pjerrja për të cilën po flasim ishte më e madhja në historinë e Tokës. (Pa e zgjatur, vetëm kjo mund të shpjegojë ekzistencën e historisë së Noehut dhe të arkës së tij.) Ky “mbulim i tokës me ujë” mund të haset dendur edhe në tekstet e lashta sumere.

Jeta në Atlantidë

Ekzistojnë shumë teori lidhur me pamjen e atlantidasve. Ne dimë se hierarkia e tyre shoqërore përbëhej prej dy klasash: pasunarëve dhe skllevërve. Sigurisht, ata kishin rregullat e tyre dhe këshille të ndryshme pleqsh dhe këshilltarësh, por këta bënin pjesë në klasën e “qytetarëve”, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin goxha të kamur, me shumë gjasë në kurriz të klasës së skllevërve. Por e çuditshmja është se skllevërit trajtoheshin shumë mirë dhe respektoheshin për talentin e tyre – në të vërtetë, me standartet e sotme, ata do të quheshin “klasë e mesme” – dhe disa, madje, zotëronin kamje të madhe. Atlantida ishte një qytetërim tejet tolerant, dhe thuajse të gjithë merrnin pjesë në bujarinë e saj.

Njerëzit e kontinentit të humbur rronin nga 800 vjet (kjo të ndërmend Metuzalemin e Biblës) dhe ishin nga 8 deri më 12 këmbë të lartë (Bibla, në Kreun e 6-të të Zanafillës flet, gjithashtu, për gjigantë). Ne mund të thonim se këta “gjigantë” s’ishin, veçse trille, por arkeologët u shtangën kur në pjesë të ndryshme të botës zbuluan skelete nga 8 deri në 12 këmbë. Ditaret e konkuistadorëve spanjollë përshkruajnë, gjithashtu, gjigantë leshverdhë 8 deri në 12 këmbë të lartë, që rravgonin nëpër Ande gjatë nënshtrimit të inkasve. (Këto histori janë të krahasueshme me historitë që treguam pak më parë për rojet e borës së Shamb-halasë.)

Dashuria e atlantidasve për artin dhe kulturën ngërthente tërë jetët e tyre, por ata kishin të njëjtën dashuri edhe për teknologjinë – e cila i çoi në rrënimin, kur u doli jashtë kontrolli. Qytetarët e kontinentit të humbur filluan të merren me filozofi, shkrimtari, skulpturë dhe pikturë, por dalëngadalë ata u bënë më shumë teknokratë dhe shumë të komercializuar. (Në këtë planet, pikërisht në kohën e sotme, unë shoh një gjendje të ngjashme, sepse tani ekzistojnë si fraksioni shpirtëror, që shkon tok me estetikë, ashtu edhe një fraksion tejete te komercializuar teknokratësh.)

Gjyshe Ada dhe unë e dinim se Atlantida ishte një qytetërim tejet i përparuar, që zotëronte një teknologji shumë më të sofistikuar se ç’mund të ëndërrojmë ne sot. Për shembull, atlantidasit përdornin kompjutera që, jo vetëm ruanin të dhënat, por që bënin vlerësime konkrete të mbështetura në arsyetimin induktiv dhe deduktiv. Për më tepër, një pjesë e madhe e teknologjisë së tyre i ishte përshtatur formave të ndryshme të energjisë (përshirë edhe fuqinë diellore) dhe asaj që mund të bënin ata me të. Ata shfrytëzonin gravitetin, bubërronin e eksperimentonin me forcat magnetike dhe përdornin kristalet, të vegjlit dhe të mëdhenjtë, për të fokusuar këto energji. Për fat të keq, pjesa më e madhe e njohurive të tyre ka humbur përgjithmonë.

Në vitin 1938, Edgar Kejsi thoshte se atlantidasit zotëronin fuqi atomike dhe forca radioaktive. Dikush mund të pyesë se si ka mundësi që një burrë jo shumë i shëtitur (dhe që nuk kishte edukim shkencor) mund të përdorte fjalë si radioaktivitet dhe fuqi atomike përpara më shumë se gjashtë dekadash … apo si zotëronte Fransina të njejtin informacion, përpara se unë të kisha studijuar Kejsin.

Shumë teoricienë (përfshirë dhe gjyshe Adën dhe mua) besojnë se Atlantida ishte një koloni jashtëtokësorësh – disa mendojnë se ata erdhën nga sitstemi yjor Lirian, kurse Fransina thotë se erdhën nga Andromeda. Po të jetë kjo e vërtetë, në këtë mënyrë shpjegohet përse atlantidasit ishin në gjendje të pluskonin (ngriheshin) në ajër. Dhe, ndoshta, pikërisht pse ishin nga një planet tjetër, ata dinin si të shfrytëzonin fushat gravitacionale të Tokës. Ata kishin vetura qiellore, automjete që punonin me energji nukleare dhe makineri që ftohnin a ngrohnin të gjithë qytetet. Ata dinin aq shumë për atmosferën, sa ishin në gjendje ta kontrollonin atë me anë të disa mekinerive tejet të fuqishme jonizuese dhe, madje, qenë ata që ndërtuan portalin në Trekëndëshin e Bermudes.

Ata kishin edhe një farë kontrolli mbi motin, tërmetet dhe shpërthimet e vullkaneve, edhe pse në kohën e tyre, planeti ynë për nga natyra ishte shumë më mujshar se sa sot. Ky kontroll mbi motin ndikoi ndjeshëm në ekonominë e Atlantidës, duke i ndihur që të merrnin të korra aq të bollshme, sa do të bënin me turp bimët tona. Për më tepër, mënyra se si e ruanin ata ushqimin, ishte shushatëse: në gjendje hipnoze, një prej klientëve të mi tha se atlantidasit përdornin një lloj shapi, që e konservonte ushqimin për vite e vite të tëra, pa i bjerrë asgjë nga shija.

Atlantidasit kishin kopshtije që të linin pa frymë dhe kanale të lundrueshëm, të cilët përshkonin shumë prej qyteteve të tyre. Shtëpitë dhe ngrehinat e tyre publike kishin bukuri spektakolare: pjesa dërrmuese jetonin në disa ndërtesa në trajtë piramide; në të vërtetë, atlantidasit i shndërruan piramidat në pikat kryesore të qytetërimit të tyre. Ime gjyshe dhe unë e ndjenim se disa prej piramidave të tyre qenë, njëherësh, qendra holistike dhe nyje komunikimi, që shërbenin si stacione transmetimi a telefonike, prej nga njerëzit mund të dërgonin dhe të merrnin mesazhe në çast. Këto ngrehina mund të ndërtoheshin me shpejtësi, duke shfrytëzuar një lloj shufre antigravitacionale: kjo teknologji u dërgua edhe në Egjiptin e lashtë, si dhe në disa kultura të tjera e pasandaj humbi. Arktitektura e Atlantidës gëlonte prej kolonave dhe harqeve, konstruksione që u përqafën edhe nga grekët e romakët.

Njerëzit e kontinentit të humbur nuk i varrosnin të vdekurit e tyre, por i digjnin, duke përdorur një lloj të energjisë lazer të fokusuar nëpërmjet kristaleve. Ata ngrinin piramida të mëdha për shërim, duke shtënë sërish në punë kristalet. Qendra e tyre shëruese kishin disa tavolina në përngjasim të tavolinave të sotme të masazhit, ku i sëmuri shtrihej dhe mbi të fokusoheshin kristale të shumfishtë, për të kryer terapinë me dritë e me ngjyrë, operacionet me lazer dhe energjinë magnetike. Teknikët shërues (mjekët) hynin me lloje të ndryshme pomadash, balsamësh apo ilaçesh, varësisht nga trajtimi i nevojshëm, duke përdorur gjithnjë kristale gjatë procesit të shërimit.

Atlantidasit zotëronin, gjithashtu, një lloj makinerie për përtëritjen e trupit, që shfrytëzonte energji elektromagnetike nëpërmjet kristaleve, makineri e cila ndihmonte në jetgjatësinë e tyre … dhe, siç e theksova, banorët e Atlantidës jetonin shumë gjatë. Veç kësaj, ata e përdornin këtë makineri për të diagnostikuar sëmundjet: njeriu futej në një lloj dhome dhe makineria “lexonte” aurën e tij, duke i bërë, thuajse një radioskopi magnetike (sado që ajo ishte shumë më e stërholluar se sa një MRI), që përftonte fotografi të hollësishme të trupit.

Kur shihej e nevojshme, për transplante përdoreshin organe artificiale, por aty nga fundi, kur qytetërimi i tyre u zvetënua së tepërmi, atlantidasit filluan të eksperimentojnë me kafshët dhe njerëzit në mënyra krejt të çuditshme dhe të rrezikshme, madje gjer në atë pikë, sa të orvateshin të kryenin kombinime të njeriut me kafshën. Fransina thotë se shumë nga krijesat tona mitologjike, të tilla si satirët dhe Minotauri, e kanë zanafillën te këto eksperimente. Orvatjet e tyre të para u kufizuan vetëm në mbrujtjen e qenieve të reja nga kombinimi i dy specieve të ndryshme, po më pas degjeneroi gjithçka.

Duket se, me kalimin e kohës, atlantidasit e shfrytëzonin teknologjinë e tyre për të shtënë në dorë më tepër fuqi, dhe jo vetëm për të shëruar a përtërirë trupin. Siç ngjet dendur, ata i pllakosi babëzia – kështu që ata filluan të përdornin kristalet për të fuqizuar teknologjinë e tyre. Me sa duket, fuqia e kristaleve u përdor për arsye destruktive, si fjala vjen, për shfarosjen e disa grupeve që nuk ishin të kënaqur me klasat drejtuese. (Ndoshta këto janë makinat fluturuese që përshkruajnë tekstet sanskrite, që me rrezet e tyre vdekjeprurëse, bënin kërdinë mbi mija e mija njerëz.)

Pavarësisht nga pasojat, atlantidasit ende përdornin energjinë nukleare dhe magnetike dhe i gëzoheshin aftësive të tyre të llahtarshme shëruese; njohuritë tona shkencore nuk mund të përqasen as për së largu me njohuritë e tyre. Ndoshta në një të ardhme të largët, njerëzimi do të mësojë të kënaqet thjesht me adhurimin e kutisë së Pandorës, pa u ngashënjyer ta hapë atë, për të çliruar një fuqi të quajtur “babëzi”.


Mund të gjeni njohuri shkencore domethënëse mbi kontinentin e humbur në shumë uebsajte dhe mund të lexoni librat e Edgar Kejsit mbi këtë temë – pa përmendur shumë e shumë individë të tjerë që kanë parashtruar teoritë e tyre mbi Atlantidën. Por, siç ju kam thënë tashmë, informacioni im nuk rrjedh thjesht nga librat dhe uebsajtet – shumicën e informacioneve për Atlantidën e kam grumbulluar nga gjyshja ime, nga Fransina dhe nga qindra klientë të hipnotizuar, që vinin nga të katër anët e botës dhe që nuk dini asgjë nga ato që kanë thënë të tjerët.

Kur ky informacion bashkohet dhe përligj vetveten, ngjet si në librin tim Jeta në Anën Tjetër, në të cilin njerëz të panumërt kanë vegime e njohuri të ngjashme për “Shtëpinë” tonë. E ndërthurur me ato që kam ndijuar shumë kohë përpara se t’ua hyja kërkimeve, kjo mori vërtetimesh nuk bën gjë tjetër, veçse të nxit të ulesh e të mbash shënim. Të gjithë të hipnotizuarit vërtetonin informacionin që kisha grumbulluar kohë më parë nga Fransina dhe gjyshja ime.

A nuk vazhdojnë shkencëtarët të hulumtojnë të njëjtin subjekt, deri sa të arrijnë një përcaktim të pakundërshtueshëm. Sigurisht që po. Kështu, pra, siç e kam thënë shumë herë, mos e merrni fjalën time të mirëqenë; nxirrni përfundimet tuaja nga hulumtimi juaj vetiak.

avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:17

6

Lemuria

Lemuria, një kontinent që ekzistonte në Oqeanin Paqësor, thuajse në të njëjtën kohë me Atlantidën, me sa duket është harruar, edhe pse ishte gjegjësja spirituale e Atlantidës. Lemurianët besonin se materializmi nuk ishte qëllim në vetvete; përkundrazi, ata e vinin theksin më shumë mbi shërimin, artin, muzikën dhe spiritualitetin.

Qytetarët e Lemurisë, apo Mu-së, siq njihet në disa qarqe, ishin të pajisur me me mendjemprehtësi dhe telepati, e cila shihej më shumë si rregull, se sa si përjashtim. Mu-ja ishte aq afër Shangri-Lasë, sa asnjë kontinent tjetër që mund të njohim ndokur. Shumë besojnë (dhe Fransina pajtohet) se ky është vendi prej nga erdhi sanskritishtja. (Esenët dhe e gjithë lëvizja gnostike, gjithashtu, zënë fill në këtë kohë.)

Teksa për atlantidasit thuhet se ishin tejet shtatlartë, leshverdhë dhe me pamje veriore, lemurianët ishin më shtatshkurtër dhe më të zeshkët. Por me ç’duket, që të dy popujt kishin ishin të darovitur me një bukuri të pashoqe madje, sipas Fransinës, ata kishin një ADN ment të përsosur. Sidoqoftë, Lemuria nuk ishte aq e populluar sa Atlantida; banorët e saj visheshin në një mënyrë thuajse krishtërore, me petka kafe a të hirta dhe me sandale. Ata çonin një jetë shumë të thjeshtë dhe qëllimi i tyre i fundëm ishte mirëqenia e familjes dhe e miqve, si dhe e mira e përgjithshme. Ashtu si druidët, lemurianët shfaqnin kërshëri të madhe për lëvizjen e yjeve dhe ekuinokset. Fransina thotë se ata ishin mbëltues madhështorë: frutat dhe perimet e tyre kishin madhësinë e kokës së njeriut.

Shtëpitë e lemurianëve kishin trajtë piramidale, njëlloj si banesat e atlantidasve. (Do të vini re se piramida shfaqet dendur në këtë libër – para së gjithash, kundroni çadrat e indianëve të Amerikës: a nuk kanë formë piramide? Me sa duket, kjo trajtë është e frytshme, sepse e mban të ngrohtin mbrenda dhe të ftohtin jashtë.)

Gjithsesi, banorët e Mu-së nuk ishin aq të shtënë pas teknologjisë sa atlantidasit; përkundrazi, ata ishin të shtënë pas bimëve, kurave natyrore dhe holistike. Ata kishin për prijës një lloj Dalai Lame, apo një shaman, i cili apo e cila ishte e lartësuar shpirtërisht. Shëmbëllyeshëm me indianët e Amerikës, apo me kulturën Masai në Afrikë, gjendej gjithnjë një burë a grua e urtë, ku njerëzit shkonin të këshilloheshin.

Mua s’rresht së më çudituri se si qashtëria e shpirtit të grupit rrjedh nga një mendje e vetme, që, ndonjherë, del se është shpëtimtari i rremë. Për çudi, kjo nuk ngjau në Lemuri. Të vetëdijëshëm për gjendjen e sotme të botës, rasti i Lemurisë është, me gjasë, i pari dhe i sprasmi.

Në kishën time, Shoqërinë e Novus Spiritus-it, ne i japim mundësi secilit të gjejë vetë qendrën e vetë të besimit, dhe me shpresë çapitemi tok, në kërkim të së vërtetës sonë, duke iu vënë veshin fjalëve të Krishtit: “Kërkoni dhe do të gjeni”. E vërteta, dhe jo dogma, do t’i bashkojë njerëzit për të lëvduar Zotin. Me gjasë, siç thotë Fransina, e këtillë ishte Mu-ja.

Lemurianët kishin të kremtet e tyre fetare, ata iu gëzoheshin ditëve të tyre të festës, që organizonin për çdo ekuinoks, kohë gjatë së cilës kërcenin, këndonin dhe, madje, pinin një birrë të lehtë prej misri. Martoheshin vetëm me një person; familjet qenë njësitë themelore; përkujdesjet e tyre kryesore qenë bujqësia, endja, ndërtimi dhe gatimi. Edhe pse jetonin në komunitet, ku çdonjëri vente të lëronte arat dhe ku të gjithë kujdeseshin për fëmijët e njëri-tjetrit, në Lemuri nuk kishte bashkësi. Familjet jetonin pranë njëra-tjetrës nga nevoja dhe për arësye të mbijetesës. Por meqenë se kudo sundontye paqa dhe harmonia, në Mu nuk ndodhnin shumë krime.

Shumë prej kafshëve, tashmë të zhdukura, jetonin në këtë kontinet. Një lloj maceje, që ishte më e madhe se macja jonë shtëpiake dhe me tipare më të mprehta, ishte kafsha më e pëlqyer, ashtu si një lloj qeni, që shëmbëllente me një çakall, por që ishte shumë më i madh në shtat dhe tejet i shtruar. Elefantët (disi më të vegjël se varieteti i sotëm) shfrytëzoheshin për punë; ekzistonte edhe një lloj gjedhi i madh, që jepte qumësht.

Unë nuk besoj në komunizëm, sepse ai u vë kazmën nismave, por ai mund të jetë i suksesshëm, po qe se të gjithë ndajnë të njëjtën kërshëri për të shtyrë përpara spiritualitetin e tyre. Po s’pati një diktator fanatik, që përvetëson të gjithë paranë, ai mund të funksionojë. Lemuria kishte një formë të komunizmit, ku të gjithë qenë të barabartë, por Mu-ja nuk u zvetënua dhe as e borri vetëpërmbajtjen – ndoshta ngaqë u fundos në kohë nga epimi i poleve. Unë dua të besoj se ajo do të kish mbetur e dëlirë, nuk do të bëhej cinike; shpesh pyes vetën se nëse do të lejoheshin të huajt (që, në të vërtetë, nuk lejoheshin), a do të kishte ndryshuar kjo gjë pikëpamjet e lemurianëve, apo t’i bënte ata më materialistë. Më sa duket, edhe vetë ata e kishin parashikuar këtë, meqë vetëm pak njerëzve iu ishte lejuar të vendoseshin në kontinent dhe, si të themi, vetëm po t’i përmbaheshin programit të caktuar për ta.

Libri i Urantisë, i botuar nga Fondacioni Urantia, jep më shumë të dhëna për Lemurinë, por si shumë materiale të tjera të shkruara në këtë temë, është goxha i paqartë. Fransina thotë se shumica e shkrimeve për Mu-në janë ndër tekstet sanskrite, disa prej të cilave, madje, janë tejet specifikë. Kultura e Lemurisë zgjati ndonja 10. 000 a 12. 000 vjet, kohë gjatë së cilës bota jashtë saj nuk e ceku edhe aq shpesh. Shkrimet e tyre, spiritualiteti, arti dhe muzika përparuan, por jo edhe materializmi i tyre.

Lemurianët mbështeteshin vetëm te vetja, gjë që me gjasë ndikoi në vazhdimësinë e kulturës së tyre statike komerciale, në varësinë e tyre tërësore nga vetja dhe në mungesën e zvetënimit dhe ndikimit nga bota përreth tyre. Me raste, ata prisnin vizita nga Atlantida, por përgjithësisht, Atlantida i la ata vetëm.

Jam e sigurt se lemurianët prisnin, gjithashtu, vizita të qenieve nga hapësira kozmike, sepse njësoj si për Atlantidën, disa tekste sanskrite flasin për makina fluturuese. Po qe se krijesa të tilla vinin për vizitë, atëherë kjo do të shpjegonte aeroplanët dhe shpikjet e tjera, që janë përvjedhur në ndërgjegjen moderne të disa prej të zgjedhurve që kanë mundur të shohin disa prej këtyre teksteve. Problemi është se njerëzit që vazhdojnë të shtjellojnë këto tekste, duket se hipnotizohen aq shumë nga informacioni, sa nuk duan ta ndajnë me të tjerët.

Një arsye tjetër për informacionin e kursyer mbi Lemurinë është edhe fakti që sanskritishtja është një gjuhë shumë e vështirë për t’u mësuar dhe për t’u përkthyer, madje shumë njerëz mëtojnë se murgjërit e Tibetit ruajnë shumë tekste nga sytë e kurreshtarëve. Dhe kjo është e kuptueshme, sidomos nëse informacioni është thellësisht kundërthënës dhe meqë qeveria kineze i përgjon vazhdimisht. Besomëni, kur të vijë koha, informacioni do të bëhet publik, por jo në një botë kaq të trazuar sa kjo e sotmja.

Fransina thotë se çdo 12. 000 deri më 15. 000 vjet, epimi i poleve bën që të lindin e të zhduken kontinente, pra Lemuria dhe Atlantida do të lindin sërish aty nga vitet 2020-2030.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:18

Pjesa II

Krijesa të çuditshme

7

Tulpat

Ju mund të pyesni veten se përse kam vënë bashkë në një kapitull krijesa të ndryshme legjendare, por dalëngadalë, unë do t’ju tregoj se përse ato duhet të përfshihen ndënë titullin e tulpave, pra të mendimeve që shndërrohen në krijesa të gjalla.

Kur shkrimtarja dhe studijuesja Aleksandra Dejvid-Nili nisi shtegëtimin e saj nëpër Tibet, një prej shumë teknikave të mirënjohura mistike që studijoi ishte edhe ajo për krijimin e tulpave. Në librin Në trup, mendje dhe shpirt: fjalor i ideve, popujve dhe fjalëve të Nju Ejgjit, autorët Ajlin Kempbëlli dhe J. H. Brenani shkruajnë:

Sipas doktrinave tradicionale tibetiane, tulpa është qenie e krijuar nga një veprim i imagjinatës, pak a shumë si personazhet e romancierëve. [Aleksandra] Dejvid-Nili, e ngashënjeu kaq shumë ky koncept, sa u orvat të krijonte një syresh.

Metoda konsistonte në përqendrimin dhe vizualizimin e thellë. Tulpa e Dejvid-Nilit e nisi ekzistencën e saj si një murg i vogël i ngjallmë dhe i butë, që shëmbëllente me murgun Tak. Fillimisht ai ishte tërësisht subjektiv, por duarduarshëm ajo nisi t’i jepte tulpës formë të dukshme, si të ishte një fantazmë e përfytyruar që vërtitej nëpër botën reale.

Me kohë vegimi u bë gjithnjë e më i qartë dhe gjithnjë e më lëndor, derisa nuk mund të ndahej më nga realiteti – një lloj haluçinacioni i vetëshkaktuar. Por erdhi një ditë që haluçinacioni i doli duarsh. Ajo vuri re që murgu shfaqej edhe kur ajo nuk donte që të shfaqej. Për më tepër, figura e saj e vocërr miqësore po hollohej dhe po merrte një pamje ogurezezë.

Në fund, shokët e saj, të cilët nuk kishin dijeni për disiplinat mendore që po ushtronte ajo, nisën të pysnin për “të huajin” që kishte vajtur në kampin e tyre – një e dhënë e qartë që një krijesë, e cila s’ishte më një përfytyrim i ngurtësuar, ekzistonte me të vërtetë.

Në këtë pikë, Dejvid-Nili e kuptoi që gjërat kishin shkuar shumë larg dhe përdori teknika të ndryshme lamaiste për të ripërthithur krijesën në mendjen e saj. Tulpa tregoi se nuk donte të përballej me shkatërrimin, ndaj procesi hëngri javë të tëra dhe e rraskapiti fare krijuesen e saj.

Pas leximit të këtij shënimi, u magjepsa aq fortë, sa nisa të rrëmoj më thellë. Si ka mundësi kjo? – pyesja veten. E dija se mendimet ishin sende, por tulpat e mveshën këtë pohimi me një domethënie të re – dhe, madje, me një aspekt të frikshëm.

Disa vjet më parë, gjatë kërkimeve të mia, në Angli ndesha rastësisht një grup prej gjashtë personash, të cilit ishin, gjithashtu, në gjendje të krijonin tulpa. Çdo natë, Marianë Holsli mblidhte miqtë e saj, që të gjithë tok të thërrisnin të vdekurit. Këta njerëz nuk ishin të paarsimuar apo mendjelehtë – midis tyre kishte një gazetar, një shkencëtar, një dentist, një mjek dhe një biznesmen. Pas shumë përpjekjesh për të kontaktuar me të ndjerit, ata ende nuk kishin arritur gjë. Thërritën madje mediumë e, megjithatë, askush nuk ia doli të kontaktonte me Anën Tjetër.

Një natë Marianës i lindi një ide: grupi do të mbrunte shpirtin e vet! E kështu, natë pas nate, në takimin e tyre u përcaktuan edhe hollësitë më të përpikta të qenies që do të krijohej. Ata i caktuan datëlindjen, vendlindjen (Liverpulin) dhe i vunë emër (e pagëzuan Eduard Hauard). I përcaktuan shtatlartësinë, ashtu si edhe peshën e tij të përpiktë, ngjyrën e flokëve dhe mustaqet. I dhanë grua dhe dy fëmijë dhe një punë si bankier; ata madje përcaktuan se ai mbante kapelë republike dhe kostum tuidi, se tymoste një llullë dhe se mbante bastun. Grupi filloi pastaj të krijonte fëmijërinë e Eduardit dhe mendimet e tij. Sikundër vuri në pah një prej gjashtë pjesëmarrësve: “Ne dimë më shumë për Eduardin se sa për njëri-tjetrin”.

Një natë, një viti e gjysmë pas përvijimit të plotë të jetës së Eduardit, tryeza rreth së cilës ata mblidheshin, filloi të lëvizte me aq tërsëllëm, sa të gjithë kërcyen prapa. Pa dyshim, ishte Eduard Hauardi në tërë lavdinë e tij! Grupi, me përqëndrimin e tij të pabesueshëm, kish krijuar një tulpë. Kjo histori është dokumentuar fort mirë – madje, unë fola edhe me Mini Brixhin, e cila ka qenë studente në kolegjin e spiritualizmit, në po atë kolegj ku ka studijuar edhe Sër Artur Kenën Dojli; ajo, për më tepër, më tha se e kish parë Eduardin; në të vërtetë, shumica e mediumëve të zonës qenë thirrur për ta larguar atë.

Unë nuk dua t’ju frikësoj që të mos krijoni tulpa, dhe po them vetëm se, me sa duket, ky proces funksionon vetëm për ata që kanë kohë me tepri; veç kësaj, duhet të ekzistojë një atmosferë dhe kushte të përshtatshme. Tibeti do të ishte një vend ideal, për shkak të misticizmit dhe praktikave të tij meditative, njësoj siç do të ishte edhe Anglia, sepse mjegulla përçon energjinë elektrike (në rastin tonë, energjinë mendore). Kështu, pra, edhe një herë, idea se mendimet janë sende merr një kuptim të ri!
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:19

Përbindëshi i Liqenit të Nesit

Tulpa e parë që do të shqyrtojmë është përbindëshi i Liqenit të Nesit, apo “Nesi”, siç quhet në Irlandë dhe Skoci. Kur vajta në Ishujt Britanikë, dogjova një rrëfenjë të lashtë për Shën Kolombën, që themeloi kuvendin e parë në Skoci. Në mes të shekullit të gjashtë, Shën Kolomba, me sa duket e shenjoi përbindëshin; kjo rrëfenjë u përhap anekënd e u shkruan shumë artikuj – por edhe shëmbëlltyra e famshme, që paraqet një dinosaur parahistorik, që qet qafën nga ujët (shëmbëlltyrë që, siç është vërtetuar prej kohësh, është thjesht një trill).

Është e çuditshme që, gjer në vitin 1930, Nesi nuk përbënte lajm, edhe pse legjenda thotë që ajo ka banuar gjithmonë në liqen. Rupert T. Goldi ndihmoi së tepërmi për paraqitjen e përbindëshit faqe botës me Çështja e Gjarpërinjve të Detit, ku ai parashtroi 51 raste të shfaqjes së Nesit; vepra e Konstas Uajtit Më shumë se një legjendë, ndihu, gjithashtu, për të përtërirë kërshërinë e njerëzve për përbindëshin në vitet ’50-të.

Në të vërtetë, vetëm fotografive, filmave dhe vidiove të Nesit mund t’i kushtehohet një libër i tërë – por gjer më sot, të gjitha “provat” kanë rezultuar të rreme apo jobindëse. Shkencëtarët dhe ekspertët duhet ende të vërtetojnë ekzistencën e përbindëshit, edhe pse Liqeni i Nesit është kontrolluar me sondë, me hidrolokator dhe me radar për vite të tëra, madje atje janë vendosur kamera që regjistrojnë gjithçka ditë e natë.

Kërkimi më i plotë dhe më i famshëm, “Operacioni hetimi i thellësisë”, u ndërmorr në vitin 1987. Shkencëtarët e hetuan liqenin me 24 varka, çdonjëra prej të cilave ishte e pajisur me një hidrolokator sonar; të gjitha këto pajisje punonin në unison për të mbuluar në tërësi zonën nënujore të Liqenit të Nesit. Edhe pse u vunë re disa “kontakte”, nga hetimi nuk doli asnjë gjë konkrete. Në korrik të vitit 2003, BBC-ja raportoi se një ekip studijuesish vërtetuan njëherë e përgjithmonë se në liqen nuk ekziston asnjë lloj përbindëshi. Duke përdorur 600 hidrolokatorë të veçuar dhe pajisje lundruese satelitore, ata shqyrtuan të gjithë masën e ujit dhe nuk gjetën asnjë gjë për be.

Edhe pse deri më sot nuk është gjetur asnjë provë, mëtimet për ekzistencën e përbindëshit ende vazhdojnë. Është interesante të shënohet se kur zhivllohet ndonjë luftë ose ndonjë ngjarje tjetër madhore botërore, Nesi firon pa nam e nishan – por po rastisi ndonjë javë e varfër me lajme, ajo shfaqet sërish! Fotografia e famshme që përmenda më sipër me sa duket është shkrepur gjatë një prej këtyre periudhave të interesit, dhe fotografi është rrëfyer që kur se shte vetëm një truk, për të cilin ai kishte shfrytëzuar një model të vogël.

Megjithatë, pavarësisht se sa shpesh e demaskon shkenca Nesin, ata që besojnë në ekzistencën e perbindëshit vazhdojnë ta shikojnë. Si mund ta shpjegojmë këtë gjë? Epo, është e qartë se ekziston një lloj përbindëshi – ndoshta një përbindësh me trup e kokë dinosauri – por unë besoj me gjithë zemër se Nesi është një tulpë, që është krijuar nga besimi, moria e librave dhe shfaqjet e gjasmuara. Ajo është e vërtetë, sepse, si me thënë, për krijimin e saj kanë ndihur me mija përfytyrime.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:19

Këmbëmadhi

Tani le të kalojmë te Këmbëmadhi – Njeriu i Neveritshëm i Borës apo jeti – emra këto me të cilët është pagëzuar një krijesë vigane, leshtake, gjysmë-njeri/gjysmë-kafshë. Është interesante të shënohet se, edhe pse në vende të ndryshme të botës është pagëzuar me emra të ndryshëm, atij i përshkruhen gjithnjë të njëjtat tipare. Me sa duket Këmbëmadhi është parë disa herë – madje ekzistojnë edhe filma të famshëm që, megjithëse në mënyrë të vagullt, kanë trajtuar këtë figurë të ngjashmë me mamjunin.

Ata që mëtojnë se e kanë parë Këmbëmadhin e përshkruajnë gjashtë deri në dhjetë këmbë të lartë, me peshë nga 500 deri në 800 paund. Nuk e di ç’mendoni ju, por për mua një diferencë prej katër këmbësh dhe 300 paundësh nuk është tamam saktësi – sidoqoftë, nuk mund të mos e pranojmë se, ashtu si në rastin e Nesit, shumë njerëz kanë pohuar se e kanë parë atë. Ndryshimi qëndron në faktin se, me sa duket, Këmbëmadhi ka përshkuar shumë kontinente, kurse Nesi është kufizuar kryesisht në Liqenin e Lokut në Skoci. Por popullariteti i Këmbëmadhit harliset e venitet njësoj si dhe popullariteti i Nesit. Çdo disa vjet raportohen raste të shumta të dukjes së tij; pastaj, krej papandehur, kushedi se për çfarë arsyesh, ai tretet sërish në terr.

Për shembull, në vitin 1998, alpinisti amerikan Kreg Kalonika raportoi se teksa zbriste nga një vend fushimi në lartësi të Everestit, ai pikasi dy krijesa të çuditshme, që kishin gëzof të zi, të dendur dhe feksitës. Ato ecnin mbi dy këmbë si njerëzit, por kishin krahë më të gjatë se ato të njerëzve dhe koka shumë të mëdha. Kregu betohet se ato nuk ngjanin me asnjë kafshë që rron mbi dhe, dhe me sa duket ai i njeh të gjitha llojet e kafshëve – beson se ata ishin dy jeti. Kregun e shoqëronte kuzhinjeri i tij nepalez, që i pa gjithashtu krijesat.

Kërkuesit po bëjnë ende punë në terren, po në tetor të 2000-së një grupi prej tyre iu mbush mendja se Këmbëmadhi ekzistonte vërtet – 14 prej tyre kishin një javë që ndiqnin kafshën bishtnuese dhe me sa duket gjetën gjurmën e një trupi leshtak, të shtrirë në brinjë, duke u orvatur të arrinte ca fruta. (Nuk dua t’ju dukem antishkencore apo budallaqe, po nga e dinin ata se po orvatej të arrinte frutat, edhe pse shmbëllimi termal provonte se gjurma e trupit ishte vetëm disa orëshe?)

Sigurisht, ata që dyshojnë në ekzistencën e Këmbëmadhit janë të shumtë, por të shumtë janë edhe skeptikët që tani besojnë në ekzistencën e tij. Xhimi çilkati, që respektohet së tepërmi nga agjentët e FBI-së, të shtetit dhe të forcave lokale ligjore si ekspert për gjurmët e gishtërinjve, dhe që provoi njëherë e mirë se Këmbëmadhi nuk ekziston, ndeshi njëherë disa forma gjurmësh që e lëkundën me themel skepticizmin e tij.

Çilkati përqasi gjurmët e këmbëve e të gishtërinjve të primatëve me format e gjurmëve të Këmbëmadhit të supozuar, dhe zbuloi se midis tyre kishte aq shumë ndryshime domethënëse, sa tani ai nuk e përjashton mundësinë e ekzistencës së kësaj krijese. Sidoqoftë, as ai nuk arriti në ndonjë provë përfundimtare. Siç thotë vetë: “Nuk do të jemi kurrë të sigurt, pa patur një gjedhe të tij.”

Disa prej të dhënave të dëshmitarëve okularë, kanë të bëjnë me sjelljet e çuditshme të Këmbëmadhit; në tregimet e tyre ai shfaqet, ose relativisht i parrezikshëm (hedh gurë të vegjël), ose tejet agresiv (lëkund automjetet, godet banesat, vërvit shkrepa të mëdhenj dhe përndjek njerëzit). Xhon Baindernejxhëli, në librin e tij Majmuni i Madh i Amerikës së Veriut: Këmbëmadhi, thotë se shpesh vëzhguesit kanë raportuar për britma të larta, kumbuese e deri trallisëse.

Me sa duket demaskuesit dhe skeptikët bien të gjithë në një mendje se Këmbëmadhi është një lloj ariu. Ata, gjithashtu, dëshirojnë të tregojnë se sjellja e sipërpërmendur mund të haset edhe te shimpanzetë, gorillat dhe orangutanët, që shpesh sillen në të njëjtën mënyrë. Historitë vazhdojnë, duke përfshirë edhe ndoca shakara të pa të keq (përse, xhanëm, njerëzit duan të përjetësojnë shakanë me çdo mënyrë?).

Për këtë krijesë është shkruar shumë e shumë më tepër se sa për Nesin, dhe kjo mua më duket e kuptueshme. Ashtu si gnomët dhe zanat, me sa duket çdo kulturë e ka bërë të sajën bishën e madhe dhe leshtake, ekzistencën (apo mosekzistencën) e së cilës nuk ka mundur ta vërtetojë askush. Nga Florida, me majmunin e saj qelbës (që ka marrë këtë emër për shkak të erës së tij), në Asustrali, ku ky quhet yoser, dhe te mapinguary, që është Këmbëmadhi i Brazilit, me ç’duket të gjitha vendet kanë legjendat dhe tregimet e tyre për Këmbëmadhin.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:20

Leviatani

Sipas fjalorit, leviatani është një krijesë e madhe detare me origjinë të panjohur, që është parë shumë herë nga detarët e hershëm. Njerëzit hamendësojnë se, në të vërtetë, ka qenë ndonjë balenë a një peshkaqen i madh, por kjo teori nuk ngre edhe aq kandar, kur e kupton se detarët e lashtë e kishin zakon të kalonin tërë jetën e tyre në det, kështu që e dinin me siguri ndyshimin midis një balene apo peshkaqeni dhe të një leviatani.

E pranojmë se lundërtarët anijembytur binin dendur në të tillë dëshpërim, sa të pinin ujë deti, i cili pastaj i dehidratonte dhe u shkaktonte halucinacione dhe vdekjen. (Sidoqoftë, kjo gjë nuk e shpjegon faktin se si qindra e qindra burra të fuqishëm e me mend në kokë ktheheshin nga deti duke rrëfyer histori për përbindëshin gjigant dhe të mistershëm.)

Lopa e detit mund t’u përshtatet historive që shoqërohen nga jermia, sepse shkencëtarët tashmë kanë ‘vërtetuar’ se ato iu janë dukur detarëve si sirena. Nuk e di për ju, por për mua një lopë deti është aq larg të qenit një grua e bukur me bisht, sa ç’është një lopë pemë.

Kronikat e vjetra vikinge tregojnë, gjithashtu, rrëfenja për krijesa gjigante detare. Unë jam e bindur se shumë nga këto rrëfenja janë të vërteta, por jam, gjithashtu, e bindur se këtu kemi të bëjmë me kallamarë të përbindshëm. Kohëve të fundit një krijesë e tillë doli në breg në Australi, ashtu si dhe në kontinente të tjera. Shkencëtarët kanë gjetur lloje deri në 60 këmbë të gjatë – shumë nga ne mund të kujtojë se ka parë tablo të lashta, ku detarët luftojnë me përbindësha të mëdha detarë me tentakula.

Besoj se ne nuk i shohim këto kallamarë, sepse ata qëndrojnë vetëm në pjesët më të thella të oqeaneve, të cilat janë të vetmet vende që mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për këto krijesa vigane. Ndryshe nga shumë balena të mëdha, të cilat kanë si haje kryesore planktonet dhe krilat, kallamarët ushqehen me peshq dhe kafshë të tjera detare – prandaj jam e sigurt se, po të ishin të uritura, ata do të sulmonin gjithçka apo këdo për të siguruar ushqim.

—————

Siç mund ta shikoni, mendja është një gjë shumë e fuqishme, që zotëron aftësi për t’u dhënë mendimeve një lloj jete më vete. Kështu legjendat, rrëfimet dhe besimet tejet të fuqishme krijojnë tulpa.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:20

8

Bota e zanave

Fransina thotë se ekziston një nënracë krijesash, të cilat ndihmojnë Perëndinë Mëmë për të mbajtur, për aq sa është e mundur, botën në ekuilibër: zanat.

Mendoj se gjithkush ka të drejtë të ketë besimet e tij – jam, gjithashtu, e vetëdijëshme se, thuajse të gjitha vendet, përveç Amerikës, besojnë në elfë, gnomë, xhuxhimaxhuxhë, lepërkonë, apo zana. (Duket e çuditshme që aq shumë kultura kanë të përbashkëta historitë për krijesa si këto. Përse ekziston vallë në këto kultura të ndryshme i njëjti lloj krijese?) Prandaj e kam thënë gjithnjë: “Secili të vetën.” Sigurisht, me kalimin e viteve kam mësuar të mos them kurrë kurrë. Dhe kjo mua më ngjan me thënien e Jezuit: “Bekuar qofshin ata që edhe pse nuk kanë parë, kanë besuar.”

Në vitin 1977 vajta në Irlandë. Udhëtoja me një karrocë kuajsh në një park të bukur ndanë njërit prej liqeneve të Kilarnisë, kur më bisht të syrit pikasa diçka. Pa shih, ishte një zanë – me flatra e gjithçka! – mbi një shkurre landre. Kishte trup të bukur, flokë të praruar dhe kishte veshur një fustan të mrekullueshëm blu prej cohe të hollë. Unë kapsita sytë dhe e pashë sërish; ajo nuk më kushtoi fare vëmendje, por kaloi ëmbëlsisht nga fleta në fletë dhe nga lulja në lule. I ulërita karrocierit: “Sapo pashë një zanë!”

Ai më vështroi sikur të isha ndonjë budallaçkë: “Sigurisht, – m’u përgjigj, – ato janë gjithkund.”

Burri im i dytë, i cili qe me mua në atë kohë, ishte me prejardhje irlandez dhe e kishte zakon të më ngacmonte ngaqë s’besoja në xhuxhimaxhuxhë, zana dhe krijesa të tilla të ngjashme; gjithmonë i thoja se ishte i krisur. U ktheva nga ai dhe pashë të shkruar në fytyrën e tij një “A nuk të kisha thënë unë” …

Jam e sigurt se të gjithë e kujtoni se ç’ndodhi ca vite më parë, kur ata donin të ndërtonin një pistë në vendin e zanave në Aeroportin Shenon në Irlandë. Por gjithçka shkoi dëm për muaj e muaj të tërë – makineritë prisheshin, apo thjeshtë s’donin të punonin, njerëzit sëmureshin, apo lëndoheshin – kështu që ata braktisën projektin e parë dhe filluan punën në një drejtim tjetër, larg vendit të tyre … dhe paskëtaj gjithçka shkoi si në vaj. Po të flasësh për këtë me vendasit që banojnë afër aeroportit, ata thjeshtë të thonë se nuk duhet të ngatërrohesh me zanat.

Me sa duket, në kohët e lashta zanat kanë qenë më të liga, por me kalimin e kohës, ato u bënë të ëmbla dhe më të dashura. Dhe vërtetë, zana që pashë nuk kishte asgjë të ligë; në fakt, po të kishte qenë më e madhe, do ta kisha pandehur për engjëll, kjo edhe për shkak të atij shkëlqimi të praruar që përhapej përreth saj. Më vonë Fransina më tha se kisha parë vetë të gjorën dhe të shumpërfolurën Lilit (për të cilën do t’ju flas pas pak). Jam e sigurt për atë që pashë; madje edhe sot jam gati t’i nënshtrohem një testi në makinën e së vërtetës.

Pra, bëj ç’të duash, në daç më beso, në daç jo. Sa më përket mua, unë e ushqej gjithnjë këtë shëmbëlltyrë, që vërtetoi thënien e moçme: Ka në qiell e në tokë shumë më tepër gjëra nga sa mund të përfytyrojnë njerëzit.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:21

9

Demonët

Dua të shfrytëzoj rastin për të sqaruar arsyen se përse ne vazhdojmë të dëgjojmë për një nënkulturë – në rrëfenja, mite, apo legjenda urbane – të quajtur “demonë”.

Në libra të tjerë kam folur për shtatë nivelet e ndryshme të Anës Tjetër. Njësoj, kemi edhe shtatë nivele në rrafsh tokësor: i pari është niveli ku jetojmë ne; i dyti është niveli i zanave; i treti përfshin gnomët dhe elfët; i katërti përmban krijesa të tilla mitologjike, si njëbrirëshat, kuajt fluturues (të ngjashëm me Pegasin), demin e bardhë të shenjtëruar, apo ciklopët; kurse i pesti, i gjashti dhe i shtati janë nivele më të ulëta, për të cilët thuhet se përmbajnë krijesa të lemeritshme.

Dhe jo se nivelet më të ulta ekzistojnë vërtetë, por meqë njerëzit janë marrë shumë me të tilla krijesa, ata janë shndërruar në tulpa, ashtu si Këmbëmadhi dhe Nesi. Për shembull:

•Grekët e lashtë besonin në tri gjysmëhyjnesha vampirike – Laminë, Mormonë dhe Empuzën. Lamia dhe Mormoja, me sa duket pinin gjakun e foshnjave (Lamia sulmonte edhe gratë shtatzëna), kurse Empuza ngashënjente seksualisht djemtë e rinj dhe pastaj i vriste,duke u pirë gjakun dhe duke u ngrënë organet e brendshme.

•Në Indi besohej se Paku Pati (emri i të cilit fjalë për fjalë do të thotë ‘mjeshtri i kopeve’) ishte sundimtari i gjithë frymëve vampirike, shtrigave dhe hijeve; madje disa gojëdhëna hinduiste e konsiderojnë edhe zot të vdekjes, si Jama i letërsisë klasike hinduiste. Disa nga të pashkolluarit e Indisë ende e mbajnë Paku Patin për forcë të gjithfuqishme, sepse mendojnë se ai mund të pushtojë kufomat e të vdekurve dhe t’i shpirtëzojë ato si trupa të tij. Kjo bie erë vampirësh dhe zombish.

•Fjala nightmare vjen nga natë dhe nga fjala e vjetër anglo-saksone mare, e cila ishte një frymë demoniake, që sulmonte njerëzit në gjumë. Në Angli njerëzit besonin se kjo frymë ulej në kraharorin e njerëzve dhe ua ngjiste tuberkulozin (kjo që një mënyrë për të shpjeguar sëmundjet në Mesjetë).

Çështja e demonëve ka qenë gjithmonë tejet e diskutueshme, sado që ka qarkulluar qysh kur se ka filluar të shkruhet historia. Duket se gjithçka që njerëzit nuk mund të shpjegojnë – qoftë ky shpërthim vullkanik, sëmundje, murtajë, zi buke apo veprim i natyrës – ia veshin “shpirtrave të këqinj”. Me ç’duket, e vetmja mënyrë për të shpjeguar fatkeqësitë që bien mbi kokat tona është t’ia mveshi këto një qenie të ligë apo një Zoti të zemëruar, që duhet zbutur me therorira.

Duke patur parasysh vuajtjet që ne njerëzit kemi hequr përgjatë historisë, është e kuptueshme që kemi shestuar mitologjinë tonë, për të shpjeguar padrejtësitë e jetës. Sigurisht, unë besoj se e keqja ekziston në botë, por nuk mendoj se ajo mund të lidhet me ndonjërën nga ato qenie për të cilat do të flas në këtë kapitull. Por qeniet njerëzore thuajse kanë nevojë të fajësojnë marrëzinë e botës apo ndonjë fuqi keqëdashëse të padukshme, në vend që të marrin përgjegjësitë mbi vete.

Ja dhe shpjegimet për disa nga demonët më të njohur:
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:22

Liliti

Besohej se Liliti, për të cilën flitet në Talmud dhe Bibël, i bënte gratë që të dështonin apo të mbesnin shterpa, dhe burrat të bëheshin impotentë. (Vini re se edhe kur është negative, femra është dhënëse dhe marrëse e jetës.) I ati i saj ishte Perëndia e qiellit Anui, forca e parë lëvizëse dhe krijuesi i Universit.

Në Alfabetin e Ben Sirahut thuhej se Liliti ishte gruaja e parë e Adamit dhe, njësoj si ai, ishte e mbrujtur nga dheu. Ajo i kërkoi Adamit që të jetë e barabartë me të, por ai nuk pranoi, prandaj ajo, me sa duket, u çiftua me djajtë, duke lindur kësisoj fëmijë djallëzorë. (Nuk e di ç’mendoni ju, po për mua kjo është një tjetër mënyrë për ta paraqitur gruan si inferiore përkundrejt burrit.) Legjenda thotë se nëse një njeri var një hajmali mbrojtëse, Liliti nuk mund t’i bëjë keq atij apo asaj.

Prej këtij besimi dhe prej kësaj frike nga vdekja dhe shkatrrimi, lindi dhe hajmalia, e cila mund të jetë çdo gjë që besohet se mund t’i sjellë fatlumturi dhe t’i sigurojë mbrojtje atij që e mban. Ne edhe sot e kësaj dite përdorim hajmali, kur varim kryeqe, kristale, rruzare etj. Nuk ma do mendja se hajmalitë kanë ndonjë fuqi në vetvete; përkundrazi, fuqia e saj rrjedh nga energjia që ne i mveshim asaj dhe nga ajo që ka simbolizuar përgjatë historisë. Për shembull, unë mbaj një kryq tempullarësh (i cili ka krahë të barabartë), sepse ai është kryqi më i vjetër gnostik që ekziston, dhe unë i kam veshur atij këtë energji.

Arkeologët kanë gjetur një numër të pafund hajmalish përgjatë viteve; madje, Muzeu Britanik në Londër ka ekspozuar disa syresh, për të cilat mendohet se ka mbrojtur gratë prej të poshtrës Lilit. (Fransina thotë se Liliti nuk është e ligë dhe se në të vërtetë është sundimtarja e zanave dhe racave më të ulta të tokës.)

Banshitë dhe sirenat

Folklori kelt flet për shumë frymë femërore – të mira dhe të këqia. Një nga më të famshmet në Irlandë dhe në disa pjesë të Skocisë është banshia (apo beansidhe) – thuhet se kur dikush është në prag të vdekjes mund të dëgjohet klithma e banshisë. Kam shëtitur Ishujt Britanikë dhe kam biseduar me disa njerëz tejet të zgjuar dhe të shkolluar, të cilët, pasi kishin dëgjuar këto kuja, kishin marrë vesh se një i dashuri i tyre kish vdekur. Kjo ndodhte kaq shpesh, sa m’u desh të pyesja Fransinë. Fillimisht, shpjegimi i saj m’u duk një çikë si i vështirë për t’u gëlltitur, por ai është shpjegimi më i logjikshëm që mund të jepet.

Ajo më tha se, kur ka për të vdekur dikush, psika apo shpirti i tij apo i asaj e kupton se kalimi është shumë afër. Shpirti lëshon një klithmë psikike, përpara se njeriu të kalojë në jetën tjetër, por për shkak të dendësisë së ajrit dhe vesës që mbulon Ishujt Britanikë, shpesh klithma “e prajtë” dëgjohet – dhe pikërisht kjo klithmë i është mveshur banshisë. (Mendoj se këtu mund të ndërkallim edhe sirenat e lashtësisë dhe nuset e valëve të folklorit, të cilat i ngashënjenin me ulërimat apo këngët e tyre lundërtarët drejt vdekjes në shkëmbinj dhe cektina të fshehta. A mund të mos ishte ky një paralajmërim që dilte nga nëvetëdija e vetë lundërtarëve se përpara gjendeshin shkëmbinj apo kalime të ngushta?)

Inkubusi dhe Sukubusi

Inkubusi dhe sukubusi janë, përkatësisht demoni mashkullor dhe demoni femëror, që ngashënjejnë personat e sekseve të kundërta, zakonisht gjatë natës apo gjumit. Në të vërtetë këto miti zunë fill në “Kohët e Djegieve”, kur djegia e femrave në turrë të druve qe bërë një gjë fare e zakonshme.

Bestytët mendonin se sukubusi i fanitej mashkullit në trajtën e një gruaje të bukur dhe e ngashënjente atë; dhe se pas mbarimit të aktit seksual, ajo kthehej në një shtrigë të shëmtuar. Nga ana tjetër, inkubusi fshihej pas maskës së një burri të pashëm, i cili në mënyrë tipike, gjuante gratë e vetmuara – pas marrëdhënies seksual, ai shndërrohej në një lloj “demoni” apo shtrigani. Thuhej se veprimet e inkubusit apo të sukubusit e marrosnin viktimën.

Inkubusi dhe sukubusi konvencionalisht shërbenin për të shpjeguar shtatzanitë e padëshiruara, fëmijët e lindur jashtë martese, gjymtimet e lindura etj. Besimi i tyre u krijonte mundësi inkuizitorëve që të kërkonin nishanet, të cilat pastaj ua paraqisnin njerëzve si shenja të ngashënjimit nga këta demonë. Duket sikur njërëzit ishin ngërthyer nga një histeri masive, të shkaktuar prej fuqisë së sugjestionit; kur shpërtheu rrëmuja, Kisha kishte tashmë çdo arsye për të djegur këta shpirtra fatkeqë. Është tragjike ta mendosh harlisjen e kësaj histeri.

Gargoilët

Shumica e gargoilëve që shikoni në fasadën e kishave duken si kopje gjysmëperëndish. Gargoilët janë krijesa mitike (quhen edhe “groteske”), të cilat i gdhendnin muratorët si ullukë, për të kulluar ujët nga çatitë e godinave. Fjala gargoil rrjedh nga fjala frënge gargouille, që do të thotë “fyt” (nga e njëjta rrënjë rrjedhin edhe fjalët gargarë dhe gurgullimë).

Gargoilët ishin një veçori artitekturore e ndërtesave romake, si ato të zbuluara në Pompei, që shërbenin për të mbajtur larg të keqen. Nga mënyra se si shikojnë, duket sikur ata mbajnë të keqën jashtë dhe kujdesen që ajo të mos futet brenda. Sa më takon mua, gjithnjë kam menduar se është e pahijshme të mbash këto figura të ashtuquajtura mitologjike jashtë shtëpisë.

˜™

Unë përnjemend s’besoj se është e nevojshme të merakosemi për mite, që na kanë ardhur nga një botë që nuk kishte dijen apo shkencën për të shpjeguar arsyen se përse ndodhnin në të vërtetë gjërat. Me fjalë të tjera, përse të shqetësohemi për një botë demonësh, që veçse na acaron, dhe që është përdorur për të frikësuar turmën? Veç kësaj, ne priremi që atë që s’dimë ta shpjegojmë ta tjerrim e ta stërhollojmë … a thua se nuk kemi se për çfarë të shqetësohemi vërtetë, si AIDS-i, luftërat, vrasjet, grabitjet, apo mikrobin proverbial, që me sa duket do t’i përvidhet përjetësisht shkencës.

Mjeksia dhe mitet ndryshojnë; fundja, për vite e vite të tërë epileptikët kundroheshin si të pushtuar nga djalli. Dhe në kohët e hershme, kur njerëzit nuk dinin asgjë për gjenet dhe mikrobet, për gjithçka fajësoheshin “humoret* e këqinj” që futeshin në trup. Njerëzit merrnin gjak për të nxjerrë humoret e këqinj – madje, disa njerëz, si Xhorxh Uashingtoni, gjatë këtyre orvatjeve gjetën vdekjen nga gjakderdhja. Me sa duket, njerëzit e asaj kohe nuk mund t’i shpëtonin mallkimit apo pushtimit të djallit. (A zini besë se edhe sot e kësaj dite ka njerëz që më pyesin se mos janë të mallkuar? Ata thjeshtë nuk duan të marrin mbi vete përgjegjësitë për rrjedhën e studimit të kësaj jete.)

Është e sigurt se demonët nuk futen në trupin tonë, por energjia negative apo ndonjë person toksik mund të na bëjnë të ndjehemi të këputur dhe të sëmurë. Shpesh nëpër leksionet e mia them se ne nuk na sëmurin mikrobet, por njerëzit dhe rrethanat – domethënë, në nuk mund “të tresim” jetën, ndaj dhe na dhëmb stomaku; ose marrim mbi vete aq shumë, sa na dhëmb kurrizi. Trupat tanë na flasin vërtet: vazhdoni t’i thoni dikujt se ju ka thyer zemrën dhe do të përfundoni me probleme kardiake; nëse dikush ju bën t’ju “vlojë gjaku”, do t’u rritet tensioni i gjakut. Nuk dua t’ju ndërgjegjësoj së tepërmi, por mos përdornin shumë fjalë negative, që trupi të mos ju përgjigjet.

Për t’ju treguar sa e zgjuar jam (mos harroni, kurrë nuk kam mëtuar se jam psikogjenia e vetvetes), nuk e kuptova deri vonë se burri im i sprasëm po më zinte frymën me trysninë që ushtronte mbi mua. Pas divorcit, mjeku im më zbuloi një tumorr në fyt (falë Perëndisë, beninj), që ishte një plagë përqark kordave të mia zanore. Meqë nuk pija duhan dhe gjithnjë kisha patur një zë të ngjirur, si të gjithë gratë në familjen time, nuk i isha shqetësuar për fytin tim, dhe mjeku e zbuloi tumorin gjatë një kontrolli rutinë. (E dija se Perëndija, Fransina dhe engjëjt e mi e kishin ndihmuar ta gjente.) Më vonë e pyeta se çdo të më kishte ndodhur. Ai m’u përgjigj: “Do të të kishte mbytur dalë e ngadalë.”

Atëherë, ju mund të quani qeniet e errëta, si ish burri im, “demonë”, por ata s’janë veç se shpirtëra të shkëputur nga Perëndia për shkak të krenarisë së tyre. Ata mund të na luajnë mendsh fare me personalitetin e tyre shpërfillës dhe sociopatik, por ata janë këtu që ne të mësojmë.

Unë besoj vërtet që s’do ta njohim kurrë, por bukuria e jetës së këtushme dhe asaj në Anën Tjetër përbëhet nga kërkimi i Perëndisë dhe mistereve të botës. Siç thotë Fransina: “Po qe se të vjen në mend pyetja, përgjigjja do të jetë e mundshme”. Pra, lexoni dhe qëmtoni, dhe do të arrini përndritjen dhe përgjigjjen e të gjitha pyetjeve tuaja.

___________

* Në mesjetë ekzistonte termi “humore themelore”, të cilat ishin katër lëngjet kryesore të trupit (gjaku, gëlbaza, vreri i verdhë dhe vreri i zi), për të cilët mendohej se përcaktonin cilësitë fizike dhe mendore të një personi.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Admin 05.03.15 23:22

10

Shtrigat dhe njerëzit-ujq

Shumë historianë mendojnë se historitë për qeniet e ngjashme me vampirët, demonët, shtrigat dhe zanat zunë fill në mitologjitë e Babilonisë, Sumerit dhe Asirisë së lashtë – të cilat, siç e kam theksuar edhe në librin tim Perëndia Mëmë, janë në zanafillë edhe të Biblës sonë. Por, pasha Zotin, ngandonjëherë nuk arrij ta kuptoj se si u larguam kaq shumë nga e vërteta, por atëherë kujtohem se secili prej nesh sjell përvojën dhe perceptimin e tij në këtë të ashtuquajturën kremte të jetës.

Në dy kapitujt në vazhdim, do të vazhdoj të shqyrtoj shumë prej metaforave që ka krijuar njerëzimi për të shpjeguar një botë që, shpesh, është krejt e pakuptimtë.

Shtrigat

Shtrigat janë keqkuptuar e, shpesh, edhe janë përfolur gjatë shekujve. Ne e përfytyrojmë si një plakaruçe pranë një kazani, ku çoç zien, për të rrënuar viktimën e saj të pafat: këtij përfytyrimi i shtojmë edhe macen e saj të zezë dhe mendimin se ajo merr urdhëra nga djalli (ndodh që shtriga të marrë edhe vetë formën e një maceje, për t’i sjellë fat të keq kujtdo që i kapërcen rrugën).

Këto të gjitha janë legjenda dhe bestytni të vjetëruara – por për pjesën më të madhe të namit të tyre të keq shtrigat i detyrohen këtyre shekujve të fundit, gjatë të cilave Inkuzicioni vrau në Europë me mija njerëz, si dhe Salemit në Masaçustets, ku u zhvillua gjyqe të ndryshme kundër shtrigave.

Jam e sigurt se në kohë të ndryshme ka patur shumë njerëz të ligj, të cilët orvateshin të ushtronin magjinë e zezë – e cila është e rrezikshme, sepse gjithçka që lëshojmë kthehet sërish – por shtriganët e vërtetë ushtrojnë një prej feve më të lashta që ekzistojnë.

Unë nuk mund të them këtu se padija s’është lumturi, prandaj përpara se të më gjykoni, shqyrtoni parimet zanafillore të fesë, që përfaqësojnë shtrigat. Edhe pse Vika* moderne u krijua në vitet ’50-të të shek. XX, rrënjët e saj na shpien në një fe të lashtë panteiste, sipas së cilës Zoti ishte kudo në natyrë; ajo është shumë e lidhur edhe me parimin femëror apo Hyjneshën.

Shtriganët përdorin namatisjet, por ushtruesit e vërtetë i përdorin ato për qëllime të mira, siç janë ndjellja e shirave në kohë thatësie, shërimi i bagëtive a gjësë së gjallë etj. Njerëzit nuk e kuptojnë se pohimet janë në të vërtetë pjesë e një lloji të ritualit vikan – këto shtriga të bardha besojnë se po të përsërisim shumë herë një gjë, ajo do të vijë tek ne, dhe se ne jemi krijuar për të bërë mirë.

Sigurisht, brenda çdo grupi ka përherë disa kokrra që krijojnë një figurë të keqe për të gjithë grupin. (Përshembull, “TV Psikikja” zonjusha Kleo na ka poshtëruar gjithë ne psikikëve.) Një shtrigan që i keqpërdor fuqitë e tij, zakonisht është një qenie terri, që ka keqpërdorur në mënyrë flagrante energjinë e programimit pozitiv.

A jam unë shtrigë, apo më mirë, a dua unë të jem shtrigë? Jo, por unë e adhuroj ngulmimin e tyre për të mbajtur gjallë besimin. Dhe, megjithëse unë s’kam shqiptuar kurrë ndonjë formulë magjike dhe s’kam qenë kurrë Shtrigë, kam lexuar dhe studijuar nga literatura e tyre aq, sa ta dij se një Shtrigan i vërtetë priret nga mirësia, harmonia dhe mbrojtja e planetit.

———————————

Sa herë që kujtoj shtrigat, më shkon mendja te gjyshe Ada, e cila më rrëfeu një herë për një burrë të vogël, të ngjashëm me një xhuxh, që, ajo si fëmijë, e takonte në Pyllin e Zi në Gjermani. Ai e priste në pjesët e gjelbëruara të pronës së familjes së saj, ku i mësonte gjithçka mbi mjeksinë dhe barnat e pyjeve.

_________

*Wicca: kulti fetar i shtrigërisë moderne (shënim i përkthyesit).

Sylvia Browne – Të fshehtat dhe misteret e botës
Përktheu nga origjinali: Azem Qazimi
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Të fshehtat dhe misteret e botës Empty Re: Të fshehtat dhe misteret e botës

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi