HAKI STËRMILLI, kryetari enigmatik i shërbimit sekret shqiptar
Faqja 1 e 1
HAKI STËRMILLI, kryetari enigmatik i shërbimit sekret shqiptar
Nga Kastriot Dervishi*
Një ndër figurat më enigmatike të historisë së shtetit shqiptar është Haki Stërmilli. Do të ishte pikërisht ai që do të hynte në histori si i pari shef i shërbimit sekret shqiptar. I njohur më së shumti si shkrimtar i brezit të viteve ’30, autori i “Sikur të isha djalë” ka ndjekur një karrierë të gjatë politike duke filluar në vitet ’20. Haki Stërmilli u emërua si shefi i parë i Zyrës Sekrete pranë Ministrisë së Brendshme dhe ishte një nga njerëzit më të afërt të ministrit të atëhershëm, Ahmet Zogu. Më pas përkrahu Fan Nolin dhe, me rikthimin e Nolit, u arratis jashtë vendit. Në vitin 1929 ai i dorëzohet Zogut nga jugosllavët. Dënohet disa muaj më vonë me 5 vjet burg. Lirohet para kohe nga një amnisti e Zogut, me të cilin mundohet të afrohet sërish. Pas pushtimit të Shqipërisë bëhet ndër anëtarët e parë të Partisë Fashiste, ndërsa pas çlirimit zgjidhet deputet në dy legjislatura.
NJOHJA ME ZOGUN
Njohja me Ahmet Zogun, dhënia e mësimeve motrave të tij, duke krijuar gjithsesi një afrimitet edhe familjar, do ta bënin Stërmillin njeriun që do të hynte i pari në listën e shefave të shërbimit sekret. Në kohën kur Ahmet Zogu u emërua ministër i Punëve të Brendshme nga Kongresi i Lushnjës, Haki Stërmilli vendoset në Tiranë dhe emërohet sekretar i parë i MPB-së, duke qenë ndër njerëzit më të besuar të ministrit të Punëve të Brendshme. Për këtë shkak, më 2 shkurt 1922, Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emërimin e Haki Stërmillit sekretar i shifrës, Qamil Pepës sekretar I në seksionin e parë, Abedin Hoxhës llogaritar, Fetah Ekmeçiun sekretar të seksionit të II, Faik Rrugën sekretar i seksionit të III. Më 8 shkurt 1922, Këshilli i Ministrave miratoi këto propozim. Këshilli i Naltë nxori dekretet më 9 shkurt 1922, për të tjerët, por jo për Haki Stërmillin.
EMERIMI
Në këtë mënyrë Stërmilli, u emërua në krye të shërbimit vetëm me një dekret të ministrit Zogu për të pritur emërimin vetëm një vit më vonë. Më 16 janar 1923, MPB do të propozonte emërimin e Haki Stërmillit sekretar i Sekretarisë Sekrete, Qamil Pepës sekretar i parë dhe Abedin Hoxhës, llogaritar i MPB-së. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe më 31 janar 1923 Këshilli i Naltë do të nxirrte dekretet.
SHKARKIMI
Si kryesekretar i Zyrës Sekrete, Haki Stërmilli qëndroi deri më 16 prill 1924 duke shërbyer me korrektesë dhe përkushtim. Bashkëpunëtorë ndihmës të Haki Stërmillit tek Zyra Sekrete ishin Qamil Çela dhe Musa Puka. Për sa kohë që ishte Ahmet Zogu ministër i Punëve të Brendshme, Stërmilli vazhdoi të ushtrojë detyrën e tij. Vetëm kur kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme do të ishte Shefqet Vërlaci, ai do të largohej nga Zyra Sekrete dhe çuditërisht do të kalonte në anën e kundërshtarëve të Zogut. Mbetet për t’u analizuar ky pozicion kthese të menjëhershme për të, në ishte vazhdim i punëve sekrete apo ishte diçka që kishte lidhje me bindjet e tij politike.
EMIGRACIONI
Pas ikjes në Ahmet Zogut në emigracion, Stërmilli qëndron në Shqipëri dhe merr pjesë më 24 – 26 nëntor 1924, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të “Bashkimit”, ku u zgjodh sekretar i organizatës, ndërsa kryetar u ripohua Llazar Fundo, arkëtar Fetah Ekmeçiu dhe këshilltarë Tare Libohova e Sulo Bogdo.
Pas triumfit të legalitetit, Stërmilli emigron jashtë Shqipërisë, në Itali, Francë, Austri, Gjermani, Poloni e Lituani. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik, u rikthye në Vjenë, ku u burgos dhe u dëbua nga ky vend. Më 1927 ndodhet në Jugosllavi e qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo plotësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav.
SËRISH NË TIRANË
Më 20 mars 1929 nënprefekti i Bilishtit, S. Xhano, njoftonte se komanda e kompanisë kufizore kishte dorëzuar Haki Stërmillin të dëbuar me një lejekalimi nga autoritetet jugosllave. Ai i ishte dorëzuar autoriteteve kufizore të Korçës dhe kërkohej të dihej mënyra e veprimit. Pasi ka hyrë në tokën shqiptare, i pritur nga zyrtarë të mesëm, është dërguar në Korçë në hotel, e më pas për 35 minuta drejt Tiranës me avion.
Më 21 mars 1929 kreu i Zyrës Sekrete, Abedin Hoxha, urdhëron Prefekturën e Korçës që urgjentisht Haki Stërmilli që ndodhej nën vërejtje në Bilisht, të nisej i shoqëruar nga dy xhandarë të besueshëm me aeroplan për në Tiranë dhe kjo të njoftohej. Të nesërmen, zëvendës prefekti i Korçës, Daut Çarçani, njoftonte se Stërmilli ishte nisur i shoqëruar edhe prej avokat Menella Noçkës.
MIKU I VJETËR
E ka marrë në dorëzim në Tiranë komisari i policisë Xhaferr Preza, i paraqitur me një sjellje njerëzore. Mbas darke, ishte shoqëruar nga nënkomisar Ali Caslli në burg. Vetëm pak ditë kur kishte ardhur, më 30 mars 1929, në burg (që ndodhej pas selisë së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme) ka ardhur për ta takuar, Abedin Hoxha – sekretar i Zyrës Sekrete në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht një shok i vjetër i Stërmillit që prej vitit 1920, i ardhur ky me urdhër të kryeministrit Kostaq Kotta. Pasi janë përqafuar si dy miq të vjetër, Hoxha i ka thënë se vinte, se ishte i ngarkuar ta pyeste mbi shkaqet e mënyrën e dëbimit nga Jugosllavia. Këto arsye ishin të paqarta edhe për vetë Stërmillin. Në këtë mënyrë, ajo që është thënë në një revistë gjatë viteve të socializmit, se Stërmilli ishte shkëmbyer me dy socialistë jugosllavë nuk i përgjigjet të vërtetës (shih Nasho Jorgaqi, revista “Nëntori”, nr. 4, 1966, faqe 93).
HETIMET
Por me gjithë vizitën miqësore të Abedin Hoxhës, duket se fati i Stërmillit kishte marrë tjetër rrjedhë. Më 26 mars 1929, katër ditë përpara këtij takimi, Abedin Hoxha i shkruan MPJ-së se në shtator 1928 kishte qenë botuar një artikull me firmën e Haki Stërmillit “Një tufë lule mbi varrin e dëshmorit”, kushtuar Ibrahim Arapit, i dënuar me vdekje në komplotin e Durrësit, i përshkruar me stil shumë të dhunshëm për regjimin mbretëror, duke kërkuar dërgimin e më tepër numrave për dorëzimin e Stërmillit në gjyqin politik.
Mbas urdhrit përkatës, konsulli shqiptar në Vjenë, Çatin Saraçi, dërgon më 6 prill 1929 33 copë gazeta “Liri Kombëtare”, si edhe nr. 112 i gazetës bolshevike “La Federacion Balkanique”. Shënohet se bashkëpunëtori i “Lirisë Kombëtare” me pseudonimin “Pagani” ishte Llazar Fundo, i cili ndodhej prej 3 vjetësh në Moskë. Në numrat 71 dhe 89 ishin botuar 2 prej artikujve të Haki Stërmillit “Mbi varr të nji martirit”.
DËNIMI
Deri më 8 maj 1929 merret vesh se për Stërmillin nuk ishte lëshuar akoma letër-rreshtimi.
Më 27 korrik 1929, 3 gazetat “Liria Kombëtare” të nr.80, 89, 71 ku ka shkruar H. Stërmilli i dërgohen nga MPB, Prokurorisë së Gjyqit Politik, pasi H.S. “ka guxuar të propagandojë botërisht kundër regjimit e personit të Mbretit”.
Më 6 gusht 1929, në bazë të artikullit nr. 12 të ligjit për faje politike, Haki Stërmilli dënohet me 5 vjet burg. Më 13 gusht 1929 ZS e MPB-së shprehet se ishte dakord për dënimin e Haki Stërmillit.
Më 13 gusht 1929 Haki Stërmilli i dërgon një letër ministrit të Punëve të Brendshme, ku thotë se prej 17 vjetësh banonte në Shqipëri si irredent, si një nacionalist që e çmonte vlerën e lirisë, se mund të merrte njoftime të pagabueshme në zyrën e jetëshkrimit. Ai thotë se familja e tij prej 4 vetash kishte mbetur pa përkrahje pas dënimit të tij padrejtësisht. Lutej që familjes t’i jepej një pagesë dhe t’i sigurohej ushqimi i përshtatshëm, si dhe të urdhërohej pagimi i borxhit tek Demir Dibra, ku ishte ushqyer nga 23 marsi 1929. Ai lutet nga pozita e njeriut që kishte “vue disa gurë të fortë në themelet e ndërtesës shtetnore e mbretnore”, e për këtë kërkonte të kuptonte se nuk e kishin dënuar me 5 vjet burg, por me vdekje, madje të tmerrshme që shkaktohej nga uria. Me këtë vendim nuk ishte dënuar vetëm ai, por edhe familja e tij.
FALJA
Më 26 nëntor 1933, me shpresën e një faljeje, Haki Stërmilli do t’i drejtohej Mbretit. Në libër ai shkruan:
“Sot i telegrafova N.M. së Tij Mbretit dhe iu luta që të më fali për hir të festës së flamurit, t’atij flamuri që un në kohnat ma kritike të jetës kombëtare, me shumë sakrifica, munda me e mbajtë naltë në Mat dhe i ndrydha ato duer që dojshin me e poshtënue e me e flakë në baltë. Në qoftë se ky telegram nuk ka me e bamun efektin e duhun për me m’u akordue falja, me të cilin do të luftoj deri sa të mbaroj”.
Të nesërmen mbërriti dekreti mbretëror që urdhëronte lirimin e Haki Stërmillit, i cili ditën e pavarësisë ishte i lirë.
FASHIZMI
Pas daljes nga burgu, u pa të shkruajë në gazetën “Drita”, madje për t’u kujtuar do të ishte i pari që do të shkruante shkrimin “Ti leve o yll” kushtuar Leka Zogut më 6 prill 1939. Në ditët e para të vendosjes së regjimit fashist, gazeta “Fashizmi”, në listat e gjata botonte me nr.44 anëtarësimin e Haki Stërmillit në partinë fashiste, në të njëjtën ditë që ishin anëtarësuar edhe Mustafa Kruja, Beqir Valteri, etj. Për Stërmillin shënohet se merrej “me punë private”.
POLITIKA E RE
Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 Stërmilli ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej edhe në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit e shtatorit 1943 e deri në kongresin komunist të Përmetit. Për këtë shkak, ai u zgjodh deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 dhe 28 majit 1950. Pas vitit 1945 Stërmilli ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Dibrës. Ai vdiq më 17 janar 1953, duke qenë edhe deputet i Kuvendit Popullor.
*Marrë nga libri i Kastriot Dervishit “Shërbimi sekret shqiptar 1922 – 1944”, Tiranë 2007. Referencat e kësaj pjesë, gjendjen në libër dhe nuk janë përfshirë në këtë pjesë për të mos rënduar leximin.
Fragment/ Në shënimin e datës 7 korrik 1931 Haki Stërmilli shkruan:
Si më sollën nga Jugosllavia
“Ende nuk e kam marrë vesht me siguri shkakun e vërtetë të ekspulsimit t’em nga Jugosllavia e të dorëzimit në Shqipni. Dikush thotë e më kanë ekspulsue e dorëzue në Shqipni për shkak se paskam dashë me e vramë Mbret Aleksandrin. Çudi!…E qysh do ta vritsha Mbretin e Jugosllavisë, kurse un isha i ndaluem me dalë jashtë qytetit të Manastirit, makar, edhe për të shëtitë? Dikush thotë se më paskan dëbue, pse unë kam qenë anëtar i Federacionit Ballkanik. Asht për t’u urue borgjezia serbe për hollësinë e mendjes së saj që ka arri me u futë deri në gji të Federatës Ballkanike e ta kuptojë se unë qenkam njeni nga anëtarët e saj! Dukush thotë se më paskën ekspulsue, për shkak se qenkam anmik i vjetër i tyne dhe nuk qenkam bindë me u vu n’akord me ta. Në qoftë se ky asht shkak i vërtetë, kanë pasë të drejtë të më nxjerrin jashtë shtetit të tyne, por kurrë nuk duhet të më dorëzojnë në atë shtet, prej ku isha arratisë për shkaqe politike, mbase e drejta ndërkombëtare e ndalon kryekëput një veprim të tillë. Veç kësaj, unë besoj se violenca e brutaliteti nuk mund të jenë mjete t’afta për me e bindë e me e afrue kundërshtarin politik. Dikush thotë se qenkam ekstradue me dy komita bullgarë, gja të cilën nuk due ta besoj, mbase nuk ma merr mendja se vlen aq shumë koka e eme. Ma në fund thonë se me paskan ekspulsue e dorëzuse qenkam bolshevik. E kush u tha serbëve se jam bolshevik? Mos i njoftoi Internacionalja e Tretë apo e gjetën me…mend? Sidoqoftë, nuk kishin të drejtë të më keqpërdorojnë, mbasi isha refugjat politik në shtetin e tyne dhe mbasi s’bana ndonji veprim që ta turbullonte borgjezinë e ta tronditë kapitalizmën serbe. Mbasandaj asht tjetër të jesh bolshevik as ta simpatizojsh atë doktrinë, asht tjetër të veprosh për realizimin e saj. Sidoqoftë unë kujtoj se u gabuen serbët me ekspulsionin t’em, sepse e njollosën historinë e vet dhe me këtë mënyrë humbën besimin para botës së qytetënueme”.
VEPRAT
Stërmilli në letërsi
Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Haki Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Ai botoi veprat “Dibraneja e mjerueshme” (1923), “Dashuri e besnikëri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Sikur të isha djalë” (1936), “Tra-shëgimtarët tanë” (1950), ndërsa u botuan pas vdekjes “Shtigjeve të lirisë” (1967) dhe “Kalorësi i Skënderbeut” (1968).
FILLESAT
Nëpunësia në Dibër
I lindur më 17 maj 1895 në Dibër të Madhe, Stërmilli kreu shkollën fillore në vendlindje. Në Manastir nuk arriti të mbarojë vitin e fundit të arsimin e mesëm për shkak të luftës ballkanike. Pas ngeljes së Dibrës jashtë Shqipërisë më 1913, vendoset në Shqipëri dhe punon si nëpunës i administratës shqiptare. Në vitet 1915 – 1918 është sekretar krahinor në Mat e Peshkopi e më pas sekretar i parë i Nënprefekturës së Matit, me qendër në Lis, me një rrogë prej 80 franga ari.
VIZITA
Xhaferr Ypi: Mbreti të ka dashë
Në shënimin e datës 25 maj 1932, Stërmilli shkruan për vizitën që i ka bërë në burg, inspektori i përgjithshëm i Oborrit Mbretëror, Xhaferr Ypi. Ndër të tjera thotë:
“Megjithë që s’ishin pamë prej shum vjetësh, më njofti dhe më përshëndeti. Më porositi që t’i paraqis nji lutje N.M. së Tij Mbretit për të më mëshirue. Përpara se të më këshillonte, më tha: “Asnjeri nuk ka pas besue e nuk ka pas dashë Mbreti sa ty, por ti vetë… gabove.
- Po e dij- i thashë dhe heshta. Ç’mund t’i thojsha? Lutjen e bana dhe e çova me anë të zotnisë së tij. Të burgosurit për fat të mirë nuk u ankuen fare”.
Në shënimin e datës 4 qershor 1932, Stërmilli thotë se lutjen e kishte paraqitur me anë të vëllait me dyshimin se e para nuk kishte mbërritur.
MISTERI
Raportet e çuditshme me Zogun
Misteret e figurës së Haki Stërmillit janë vërtet të shumta. Lëvizjet e tij politike, sidomos raporti i tij me Ahmet Zogun mbetet pjesë e një analize shumë herë më të thellë. Por edhe burimet e huaja kanë qenë plotësisht të vëmendshme ndaj raportit Zog – Stërmill. Amnistia që Mbreti Zog u bëri disa të burgosurve, duket që ka qenë me interes për diplomacinë italiane, vetëm për njërin prej të liruarve. Dhe ky ishte Haki Stërmilli. Ministri italian në Tiranë, Armando Koch në një raport që i dërgon më 4 dhjetor 1933 departamentit për Shqipërinë në MPJI në Romë, shkruan se Mbreti Zog me rastin e 21 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, shpalli një amnisti të përgjithshme, nga të cilët duhej treguar interes vetëm për Haki Stërmillin për të mësuar shkaqet e këtij lirimi, i cili ishte pasuar me një letër falënderimi nga Ahmet Zogu. Sipas raportit, gjatë revolucionit fanolist dhe me rastin e kalimit të Zogut në Jugosllavi e pastaj kthimit të tij në Shqipëri, Stërmilli kishte mbështetur mjaft Ahmet Zogun, duke i treguar shumë të dhëna sekrete, pa besuar fare se ai do të kthehej në pushtet. Të dhënat sekrete ishin ato që kishin mundësuar një lirim të tillë dhe jo vetëm “miqësia e madhe” midis një ish-eprori dhe një ish-vartësi. Mirëpo pikërisht ky “bashkëpunim” nuk njihet dhe ka mbetur i fshehtë midis Stërmillit dhe Zogut. Por, nga ana tjetër, duhet pyetur pse duhej mbajtur Stërmilli në burg, kur faji i tij pothuajse nuk ishte asgjë, sepse në kishte njeri që kishte sharë Ahmet Zogun me ç’kishte mundur ishte Faik Konica, që kishte përfunduar ministër në SHBA. Dhe pikërisht për ardhjen në Shqipëri, Haki Stërmilli shkruan në librin e tij “Burgu” (Tiranë 1935).
Vizitor- Vizitor
Similar topics
» Bilderberg
» Legjenda urbane për Haki Tahen
» Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl
» Njeriu enigmatik!
» Ndikimi enigmatik i valeve
» Legjenda urbane për Haki Tahen
» Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl
» Njeriu enigmatik!
» Ndikimi enigmatik i valeve
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi