EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl

Shko poshtë

Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl Empty Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl

Mesazh  Admin 04.12.12 0:18

Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl, drejtuar presidentit të asokohshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Pierce

Letër e shkruar më 1854 nga kryetari i Lëkurëkuqve Seathl 544770_445674445488664_1221793145_n

Teksti është botuar në vëllimin “Greenpeace”, botuar nga Grupi Abel, 1985

Kryetari i madh i Uashingtonit na ka çuar fjalë se dëshiron ta blejë tokën tonë. Kryetari i madh na ka siguruar edhe për miqësinë e dashamirësinë e tij.

Kjo është gjeniale nga ana e tij, në një kohë kur e dimë se miqësia jonë nuk është e nevojshme për të . Gjithsesi, ne po mendojmë rreth ofertës së tij, meqë e dimë se, nëse nuk e pranojmë, njerëzit e bardhë do t’ia behin këtu të armatosur dhe do të na e zhvasin tokën tonë. Kryetari i madh i Uashingtonit mund të besojë me siguri të plotë në atë që thotë kryetari i tribusë Seathl, me të njejtën siguri që vëllezërit tanë të bardhë besojnë në qarkullimin e stinëve të vitit. Fjalët e mia janë si yjet: ato nuk shuhen kurrë.

Si mund ta blini apo ta shisni qiellin, ngrohtësinë e tokës? Kjo ide është e çuditshme për ne. Ne nuk jemi pronarë të kthjelltësisë së ajrit apo freskisë së ujërave: si mund t’i bleni ato prej nesh? Çdo pjesë e kësaj toke është e shenjtë për popullin tim Çdo halë përshkënditëse pishe, çdo breg ranor, çdo pikë vese nëpër pyjet e errët, çdo insekt që fluturon është i shenjtë në kujtesën dhe përvojën e popullit tim. Limfa që qarkullon nëpër pemë mbart kujtesat e njeriut të kuq.

Ne jemi pjesë e tokës dhe ajo është pjesë e jona. Lulet kundërmuese janë vëllezërit tanë. Dreri, ujku dhe shqiponja janë vëllezërit tanë. Kreshtat shkëmbore, aroma e livadheve, ngrohtësia e trupit të kuajve dhe njeriu, të gjitha i përkasin së njejtës familje. Kur kryetari i madh i Uashingtonit na çon fjalë se dëshiron të blejë tokën tonë, ai na kërkon shumë. Sepse kjo tokë është e shenjtë për ne. Uji vezullues që rrjedh nëpër përrenj dhe lumenj, nuk është vetëm ujë, por dhe gjaku i paraardhësve tanë.

Nëse ne shesim tokën, ju duhet ta mbani mend se ajo është e shenjtë dhe t’u mësoni bijve tuaj që ajo është e shenjtë, që çdo pasqyrim fërgëllues në ujët e kthjellët të liqenit flet për ngjarje dhe kujtime në jetën e popullit tim.

Murmurima e ujrave është zëri i babait tim. Lumenjtë janë vëllezërit tanë dhe ata shuajnë etjen tonë. Nëse e shesim tokën, ju duhet t’u kujtoni dhe t’u mësoni bijve tuaj që lumenjtë janë vëllezërit tanë e edhe tyrët, kështuqë të sillen mirë me lumenjtë ashtu siç sillen me vëllezërit. Ne e dimë se njeriu i bardhë nuk i kupton mendimet tona.

Për të, një copë tokë është si çdo copë tokë tjetër, sepse ai është i huaj që vjen nëpër natë dhe merr nga toka çfarëdo që t’i nevojitet. Njeriu i bardhë nuk e konsideron tokën nënën e vet, por një armike, dhe kur e pushton, ai zhvendoset prej aty, duke lënë pas varret e etërve të tij, pa u kujdesur për to.

Njeriu i bardhë trajton nënën e vet, tokën, dhe vëllain e vet, qiellin, si gjëra që mund të blihen, të shfrytëzohen dhe të shiten, si të ishin rruaza të ngjyrosura. Oreksi i tij do ta shqyejë tokën dhe do të lërë pas vetëm një shkretëtirë. Mendimet tona janë të ndryshme prej mendimeve tuaja. Jeta e qyteteve tuaj ia plagos sytë njeriut të kuq. Por kjo ndoshta ndodh ngase njeriu i kuq është i egër dhe nuk kupton. Por nuk gjendet asnjë vend i qetë nëpër qytetet e njeriut të bardhë.

Asnjë vend në të cilin të ndihet shushurima e gjetheve në pranverë apo zukama e insekteve. Zhurma e qyteteve na duket sikur na i plagos veshët. E ç’do të thotë vallë jeta aty, nëse njeriu nuk mund të dëgjojë bisedat që bretkosat bëjnë natën në moçal? Indiani parapëlqen frushullimën e ëmbël të erës që fryn mbi sipërfaqen e liqenit apo kundërmimin e vetë erës, të pastruar nga shiu apo të aromuar nga halat e pishës. Ajri është i çmueshëm për njeriun e kuq, sepse të gjitha gjërat janë pjesë e së njejtës frymëmarrje. Njeriu i bardhë nuk e vë re ajrin që thith e, si ai që përpëlitet prej ditësh në agoni, ai është i pandjeshëm ndaj kutërbimit.

Nëse ua shesim tokën, duhet ta kini parasysh që ajri është i çmueshëm për ne dhe ka të njejtën vlerë me jetën që ai mëkon. Era, që u ka dhënë etërve tanë frymëmarrjen e parë, ua ka marrë edhe frymëmarrjen e tyre të fundit. Dhe era duhet t’u japë edhe bijve tanë frymëmarrjen e jetës. Kam parë me mijëra bizonë që kalbeshin nëpër luadhe, dergjur aty për shkak të njerëzve të bardhë që i qëllonin nga treni. Unë jam njeri i egër dhe nuk mund ta kuptoj sesi një kalë i hekurt shkrofëtitës mund të jetë më i rëndësishëm se një bizon, të cilin ne e vrasim vetëm për të mbijetuar.

E ç’është njeriu pa kafshët? Nëse nuk do të egzistonin më kafshët, njeriu do të vdiste për shkak të vetmisë së madhe të shpirtit të tij. Sepse çfarëdo gjëje që u ndodh kafshëve, shpejt do t’i ndodhë edhe njeriut. Të gjitha gjërat janë të lidhura midis tyre. Çkado që t’i ndodhë tokës, do t’u ndodhë edhe bijve të tokës.

Duhet t’u mësoni bijve tuaj që trualli nën këmbët e tyre është hiri i paraardhësve tanë. Me qëllim që ata ta respektojnë tokën, u thoni bijve tuaj që toka është e pasur me jetët e popullit tonë. Toka ka pirë gjakun e paraardhësve tanë, ajo ruan kripën e lotëve të tyre, dhjamërat dhe hirin e zjarreve të fushës, djersën e kënaqësisë dhe të frikës. Mësojuni bijve tuaj atë që ne u kemi mësuar bijve tanë, që toka është nëna jonë. Që gjithë ç’do t’i ndodhë tokës, do t’u ndodhë edhe bijve të tokës.

Nëse njerëzit pështyjnë mbi tokën, pështyjnë mbi veten e tyre. Këtë dimë ne: toka nuk i përket njeriut, është njeriu ai që i përket tokës. Të gjitha gjërat janë të lidhura midis tyre, ashtu si gjaku që lidh një familje. Nuk është njeriu ai që e ka endur pëlhurën e jetës, ai është vetëm një fill. Çfarëdo që ai t’i bëjë pëlhurës, ia bën vetvetes. Ata që kanë jetuar përpara nesh rikthehen gjithnjë, si baticat e shpirtit, për të vijuar të rrojnë pa peshën e trupit, sepse impulset më të forta të një populli vazhdojnë të jetojnë edhe mbas fundit të individëve, e përqëndrohen në tokë duke mëkuar jetën.

Edhe kur indiani i fundit të jetë zhdukur dhe kujtimi i popullit tim do jetë shndërruar në legjendë për të bardhët, kjo tokë do t’i presë si mysafirë format e padukshme të trupave tanë. Bijtë e bijve tuaj do kujtojnë se janë vetëm nëpër fusha, në shtëpi, në hambare apo në heshtjen e pyjeve pa shtigje.

Por edhe netëve kur rrugët e qyteteve tuaj do jenë të heshtura e të shkreta, gjithandej do enden shpirtërat e atyre që dikur e kanë pas populluar këtë vend të mrekullueshëm. Njeriu i bardhë nuk do të jetë kurrë vetëm. Njeriu i bardhë duhet të jetë i drejtë me popullin tim, sepse të vdekurit nuk janë të zhveshur nga fuqitë. Të vdekurit, thashë? Jo, në të vërtetë nuk ka vdekje, por vetëm një transformim të egzistencës.

Ne do ta kemi seriozisht parasysh ofertën tuaj për të shkuar në rezervatet që keni sajuar për njerëzit e mi. Do rrojmë të mënjanuar e në paqe. Pak rëndësi ka se ku i kalojmë ditët që na mbeten: nuk janë shumë. Bijtë tanë kanë parë etërit e tyre të poshtërohen nga disfata. Luftëtarët tanë kanë njohur turpin, e mbas kësaj humbjeje do t’i shtyjnë ditët në përtaci.

Edhe ndonjë orë, edhe ndonjë dimër, e mandej asnjë nga fëmijët e tribúsë së madhe që dikur banonin në këtë tokë të gjerë, nuk do lejohen të qajnë mbi varret tanë. Përse duhet ta vajtoj zhdukjen e popullit tim? Tributë janë krijuar prej njerëzish, asgjë më shumë. Njerëzit shkojnë e vijnë si dallgët e detit. Edhe njeru i bardhë, Zoti i të cilit ecën dhe flet me të si miku me mikun, nuk mund t’i shpëtojë fatit të përbashkët.

Mundet që të jemi vëllezër, në fund të fundit. Ne dimë një gjë, të cilën njeriu i bardhë ndoshta do ta zbulojë më vonë: Zoti ynë është i njejti Zot me tuajin. Mundet që ju të mendoni ta përvetësoni atë, siç dëshironi të përvetësoni tokën tonë. Por ju nuk do mund ta bëni këtë. Ai është Zoti i njeriut, dhe mëshira e tij është e njejtë si për njeriun e bardhë ashtu dhe për njeriun e kuq. T’i bësh keq tokës, është njëlloj si të përçmosh Krijuesin. Edhe njerëzit e bardhë do kalojnë, ndoshta më parë se tributë e tjera. Vazhdoni ta molepsni shtratin tuaj, dhe një natë do të shuheni të mbytur nga vetë plehrat tuaja.

Mbasi të keni shembur përdhe bizonin e fundit, e të keni zbutur të fundmin kalë të egër, kur pyjet misterioze do t’i mërzisin njerëzit e kur kodrinat e rrëpirta do të mbushen me gra, ku do të gjenden më vëndet e shkretuara? Do reshtin së egzistuara. Po shqiponjat? Do të kenë ikur larg. Do mbetet për t’u thënë lamtumirë dallëndysheve të lartësive dhe gjuetisë. Do jetë fundi i jetës dhe fillimi i luftës për mbijetesë. Ndoshta do mund të kuptonim, nëse do t’i njihnim synimet e njeriut të bardhë, nëse do të dinim se cilat janë shpresat që ai u përcjell bijve të vet nëpër netët e gjata të dimrit, cilat janë vizionet për të ardhmen që ai u ofron mëndjeve të tyre, që ata të mund të krijonin dëshira për të nesërmen.

Por ne jemi njerëz të egër. Ëndrrat e njeriut të bardhë janë të panjohura për ne. E meqë janë të panjohura, duhet të zgjedhim atë rrugë që është jona. Nëse e pranojmë ofertën tënde, këtë e bëjmë që të na sigurohen rezervatet që na ke premtuar. Atje, ndoshta, do mund t’i jetojmë ditët e fundit ashtu siç dëshirojmë. Kur i fundmi njeri i kuq do të zhduket nga toka dhe kujtimi i tij do jetë hija e një reje që lëviz përmbi luadhet, këto ranishta e këta pyje do t’i ruajnë ende shpirtërat e popullit tim.

Ne e duam këtë tokë ashtu si i porsalinduri do rrahjet e zemrës së nënës së tij. Nëse ta shesim tokën, duaje ashtu siç ne e kemi dashur. Mbroje ashtu siç ne e kemi mbrojtur. Mos harro kurrë pamjen që ajo kishte kur e more në zotërim. E me gjithë forcën, pushtetin tënd, e me gjithë zemrën, ruaje për bijtë e tu, dhe duaje ashtu siç Zoti na do të gjithëve ne.

Ne dimë një gjë:

Që Zoti ynë është i njejtë me Zotin e të bardhëve.

Kjo tokë është e çmueshme për Të.

SEATHL, DUWAMISHA

Përktheu: Shpëtim Kelmendi
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi