EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mitologjia etruske

Shko poshtë

Mitologjia etruske Empty Mitologjia etruske

Mesazh  Admin 19.12.12 23:18

Mitologjia etruske

Etruskët mendohet të kenë migruar nga Azia e Vogël në Italinë Qendrore rreth shekullit VIII para Krishtit. Shteti i tyre përbëhej nga një lidhje qytetesh dhe përfshinte hapësira si Etruria, Lacio, Kampania.

Etruskët themeluan Romën. Rreth vitit 500 p. Krishtit, Lacio shpalli pavarësinë, ndjekur nga Roma dhe qytete të tjera. Etruskët e humbën pavarësinë e tyre në shekullin IV para Krishtit dhe u përfshinë brënda Republikës Romake në vitin 265 para Krishtit.

Megjithatë ndikimi i tyre u përcoll në kulturën romake nëpërmjet ligjeve, arkitekturës, ritualeve, etj.

-A-

Aita

Zot etrusk i botës së përtejme. Është identik me zotin grek Had dhe zotin romak Pluton.

Alpan

Perëndeshë etruske e dashurisë dhe e botës së përtejme. Paraqitet krejtësisht e zhveshur.

Ani

Zot etrusk i qiellit që jeton në parajsën më të lartë (në veri). Paraqitet shumë i ngjashëm me zotin romak Xhano.

Apl

Zot etrusk i rrufeve dhe i bubullimave. Aplu paraqitet zakonisht me një kurorë dafinash mbi kokë. Në njerën dorë mban një shkop, kurse në tjetrën një degë dafine. Është i ngjashëm me zotin grek Apollon.

Artume

Perëndeshë etruske e natës dhe e vdekjes por edhe mishërim i zhvillimit të natyrës. Mund ta krahasojmë me perëndeshën greke Artemida.

Atunis

Versioni etrusk i zotit grek Adonis. Gjendet shpesh në shoqërinë e perëndeshës së dashurisë Turan.

-E-

Evan

Perëndeshë etruske që mishëron pavdekshmërinë e njeriut.

-F-

Februus

Zot etrusk i botës së përtejme e një nga zotat e purifikimit. Muaji Shkurt, që për të ishte i shenjtë, ka marrë edhe emrin prej tij.

Feronia

Perëndeshë etruske e zjarrit dhe e pjellorisë.

Fufluns

Një nga zotat etruskë të bimësisë, të gjallërisë dhe haresë, bir i perëndeshës së tokës Semia. Ka shumë ngjashmëri me Dionisin dhe Bakun, zotat përkatësisht grekë dhe romakë të verës.

-H-

Horta

Perëndeshë etruske e bujqësisë.

-K-

Kautha

Zot etrusk i diellit, i njohur edhe me emrin Kath. Zakonisht paraqitet duke dalë prej oqeanit.

Karun

Perëndia varkëtar tek etruskët, pra i barazvlershëm me Karontin e grekëve. Megjithatë për nga pamja ta kujton fare pak varkëtarin e grekëve. Në të vërtetë Etruskët e përfytyronin Karunin me lëkurë të kaltëreme, hundë kërrute dhe veshë si të kalit. I armatosur me një topuz, ai ishte i pranishëm në vdekjen e njerëzve, të cilën, simbas rastit, edhe e nxiste.

Karun

Demon etrusk i vdekjes që mundon shpirtërat e të vdekurve në botën e përtejme. Është edhe roje i hyrjes në botën e të vdekurve. Është i ngjashëm me grekun Karon. Karuni paraqitet me hundë të përkulur, veshë me majë dhe përgjithësisht i paisur me flatra. Arma e tij është çekiçi, me të cilin u shkakton vdekjen viktimave të veta.

Kulsu

Demon femëror etrusk, roje në hyrjen e botës së përtejme.Armët e tij janë një vravashkë dhe një palë gërshërë.

-L-

Laran

Zot etrusk i luftës. Paraqitet si një djalë i ri lakuriq që ka vetëm një përkrenare në kokë dhe një heshtë në dorë.

Lasa

Në mitin etrusk janë hyjni femërore dhe roje të varreve. Gjenden shpesh nën shoqërinë e Turan-it, perendeshës së dashurisë. Këto hyjnesha herë paraqiten me flatra e herë pa flatra. Cilësitë e tyre mishërohen nëpërmjet pasqyrave dhe kurorave të luleve.

Losna

Hyjneshë etruske e hënës.

-M-

Mania

Së bashku me Mantus është rojtari i botës së përtejme.

Mantus

Njëri nga zotat etruskë të botës së përtejme, emri i të cilit lidhet me qytetin e Mantuas.

Menrva

Versioni etrusk i hyjneshës greke Athina dhe i përfytyruar në mënyrë të ngjashme (me përkrenare, shtizë dhe shqyt). Krejt si Athinaja, Menrva është lindur nga koka e një zoti, që në këtë rast është Tinia. Bën pjesë në një trini me Tinia-n e Uni-n. Është pararendëse e hyjneshës romake Minerva.

-N-

Nethuns

Zot etrusk i ujit, në fillim puseve por mandej edhe i detit. Paraqet shumë ngjashmëri me zotin grek Poseidon dhe pararendës i atij romak, Neptunit. Cilësitë e tij manifestohen nëpërmjet cfurkut tridhëmbësh, spirancës, kalit të detit dhe delfinit.

-S-

Selvans

Zot etrusëk, pararendës i zotit romak Silvanus.

Sethlans

Emri etrusk i i zotit të zjarrit, i barazvlershëm me Hefestin grek dhe Vullkanin romak. Cilësia e tij ishte rrufeja.

-T-

Tages

Hyjni etrusk që zotëron dijen. Shfaqej prej një brazde kur ara ishte e sapolëruar dhe u mësonte etruskëve, të mbledhur së bashku, artin e hyjnitetit dhe atë të falltarëve. Tages paraqitet si djalosh i ri me dy gjarpërinj në vend të këmbëve. Ky art i veçantë i hyjnitetit etrusk, më vonë u përdor edhe nga romakët, është përshkruar në Librat Tagetikë (quajtur ndryshe edhe Haruspiçinë ose Akerontikë) (Ovidi XV, 558).

Tarkon

Një hero etrusk, i cili bashkë me vëllain e tij Tirrenus themeloi lidhjen etruske të qyteteve. Kjo lidhje përfshinte dymbëdhjetë qytete: Arretium, Kaere, Klusium, Faesulae ose Kortona, Perusia, Populonia, Ruselae, Tarkuinii, Vetulonia, Volterrrae, Volsini e Vulçi. Tarkoni do t’i jepte emrin e vet qytetit Tarkonium, mandej Tarkuinii (Tarkuinia). Ai gjithashtu mbështeti Enean në konfliktin e tij me Turno-n. (Virgjili X, 153, 290; XI, 727,746).

Thalna

Hyjneshë etruske e pjelljes. Gjendet shpeshherë nën shoqërinë e zotit Tinia, që mendohet të jetë bashkëshorti i saj.

Thesan

Hyjneshë etruske e agimit dhe mbikëqyrësja e pjelljes. Paraqet disa ngjashmëri me hyjneshën romake Aurora.

Tinia

Zoti i plotfuqishëm i qiellit të etruskëve që jeton në pjesën veriore të qiellit. Mbron kufinjtë e shenjtë, vigjëlon mbi to dhe siguron paprekshmërinë e tyre. Së bashku me gruan e tij Thalna dhe hyjneshën Menrva formon një trini zotash. Cilësitë e tij janë një vandak rrufeshë në formë shigjetash, një heshtë dhe një skeptër. Jupiterin, romakët e shihnin të barazvlefshëm me të. Në të vërtetë Tinia-Jupiter u ndërfut në qytetin e Romës gjatë periudhës së monarkisë etruske (650-510 para Krishtit).

Tukulka

Gjind i ferrit etrusk. Kishte lëkurë të kaltëreme, krahë si të lakuriqit, sqep të përkulur në vend të hundës, veshë gomari dhe një krifë prej gjarpërinjsh.

Tukulka

Demon femëror etrusk i botës së përtejme. Është një krijesë e tmerrshme me flatra që ka gjarpërinj në vend të flokëve dhe sqep si të një zogu.

Turan

Hyjneshë etruske e dashurisë, e shëndetit dhe e pjellorisë dhe për më tepër dalëzotëse e qytetit të Volçi-t. Turan paraqitet përgjithësisht si një vajzë e re me flatra në shpinë. Pëllumbi dhe mjellma e zezë janë kafshët e saj simbolike. Shoqërohet nga Lasa. E barazvlefshme me të është Venera e romakëve.

Turms

Zot etrusk i identifikuar me Hermesin grek dhe Mërkurin romak. Adhurohej sidomos në Areco.

Turms

Zot etrusk që u prin të vdekurve në botën e përtejme. Është lajmëtar i zotave e, ashtu si dhe i barazvlefshmi i vet Hermesi grek, vesh këpucë me flatra dhe mban një shkop prej kacneci-lajmëtar.

-U-

Uni

Hyjnesha e plotfuqishme e panteonit etrusk. Është perëndesha e kozmosit dhe hyjnesha e qytetit të Peruxhias. Së bashku me bashkëshortin e saj Tinia dhe hyjneshën Menerva formon një trini. Biri i saj është heroi Herkle (që duket qartë që është Herkuli, Herkulesi, Herakli). Uni është identike si hyjnesha greke Hera dhe hyjnesha romake Junone.

-V-

Vanth

Demon femëror etrusk i vdekjes. Jeton në botën e përtejme. Sytë i ka përmbi flatra e nëpërmjet tyre sheh gjithçka dhe është e gjithnjëpranishme. Është lajmëtare e vdekjes dhe gjendet e pranishme kur ndokush është duke dhënë shpirt. Cilësitë e saj janë një gjarpër, një vravashkë dhe një çelës.

Veive

Zot etrusk i hakmarrjes. Paraqitet si një djalë i ri që ka një kurorë dafinash dhe mban në dorë një vandak shigjetash. Pranë vetes ka një dhi.

Voltumna

Kryesorja e hyjnive etruske, e adhuruar në Volsinii (Bolsena), kulti i së cilës qe futur në Romë nga Tit Tacio, po që u njoh zyrtarisht në vitin 264 para Krishtit, mbas shkatërrimit të qytetit Volsinii prej romakëve. Në Romë qe adhuruar me emrin Vertumnus, por cilësitë e saj nuk i dihen. Voltumna, e njohur edhe si Veltha, është një nga hyjneshat e ferrit të etruskëve, por që më vonë u lartësua në hierarkinë e një perëndeshe supreme. Është edhe hyjnesha mbrojtëse e lidhjes së dymbëdhjetë qyteteve etruske.

Përktheu: Shpëtim Kelmendi
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi