EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore

Shko poshtë

Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore Empty Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore

Mesazh  Zattoo 02.07.12 16:26

Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore

Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore 20aqtt0

Autoriteti papnor ka luajtur një rol jo të vogël në territoret etnike shqiptare gjatë mesjetës, autoritet ky që paraqitet bindshëm në burimet e shkruara dokumentare që kryesisht gjenden në Arkivin Sekret të Vatikanit, por edhe gjetkë.

Megjithatë ky autoritet papnor, i receptuar herë pozitivisht e herë negativisht nga popullsia vendase, mund të dëshmohet edhe me anë të gurrës popullore, siç do të paraqesim në këtë shkrim duke analizuar disa fjalë të leksikut shqiptar që çuditërisht nuk janë me rrënjë shqiptare, dhe nuk gjenden as në leksikun grek apo sllav.

Këto fjalë, pra, nuk janë të huazuara, por janë të krijuara në truallin shqiptar si reflektim i fenomeneve të caktuara historike. Janë fenomenet historike ato, që kanë diktuar edhe kuptimin e këtyre fjalëve, pavarësisht se me kalimin e kohës këto kuptime kanë devijuar paksa nga origjinali i tyre.

Në këtë shkrim nuk do të merremi me fjalë paralele të ngjashme si bajloz, katalla, etj. që përkatësisht vijnë nga bailus, dhe catallan dhe janë pasqyrim i pushtimeve të ndryshme të territoreve shqiptare, por konkretisht me fjalët që dëshmojnë për autoritetin papnor dhe për rrënjët e katolicizmit në këto territore që dëshmohen konkretisht edhe me fjalët lugat e lëngatë. Lugati sipas bestytnive popullore është një fantazmë që rri kryesisht mbi varret [R. Elsie, Leksiku i Kulturës Popullore Shqiptare, 2005, f. 125-126].

Shfaqja e tij, po sipas bestytnive, shoqërohet pothuajse gjithmonë me një flakë mbi varr natën ose më rrallë edhe ditën. Sytë e të vdekurit duhen mbyllur se ndryshe i vdekuri bëhet lugat - këshillojnë pleqtë. Duket pak a shumë si një histori me vampirë, kaq shumë të reklamuara e të përhapura kohët e fundit në kinematografi.

Fjala lugat është një fjalë që nuk ekziston në gjuhët e vendeve fqinje, as të sllavëve dhe as të grekëve. Është një fjalë që gjithmonë e më tepër në zhdukje gjendet vetëm në gjuhën shqipe. Por, si ka hyrë termi lugat në gurrën popullore shqiptare? Për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të hedhim sytë në mesjetën e popullit shqiptar, dhe konkretisht në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, kur në territoret shqiptare po vepronin legatët papnorë.

Gjuhëtari i mirënjohur tashmë, Prof. Dr. Bardhyl Demiraj, pati mirësinë të na ndihmonte për të bërë lidhjen fonetiko-etimologjike të fjalëve lugat e legat, dhe arsyetimi është si vijon: Sipas rregullave etimologjike të gjuhës shqipe, zanorja [e] e patheksuar dobësohet në [?], sidomos kur kjo ndodhet në rrokje nistore.

Duke qenë se [g] është bashtingëllore velare, zanorja [ë] e formuar para saj velarizohet dhe jep zanore [u]. Me fjalë të tjera format latine legatus, legati, legato, ku zanorja e parë është e patheksuar fillimisht duhet të jetë marrë në shqipe si lëgat, por që [ë] shpejt është velarizuar në [u] duke na dhënë fjalën lugat. Duhet pasur parasysh që fjala lugat, ashtu si fjala shkau, shkiet (për serbët), është më shumë e përhapur në ato zona që kanë qenë në kontakt më të shpeshtë apo të drejtpërdrejtë me serbet, siç ishin zonat verilindore.

Dihet tashmë që në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë, mbretëria serbe kishte pushtuar shumë territore shqiptare. Lufta kishte edhe karakter fetar, duke qenë se serbët ishin të ritit lindor, d.m.th. ortodoks dhe shqiptarët, sidomos shqiptarët me të cilët serbët ishin në kontakt të drejtpërdrejtë, ishin të ritit perëndimor, katolik.

Në një situatë të tillë, papati, i cili në shekullin e katërmbëdhjetë nuk ishte i interesuar më që të ndërhynte me dhunë mbi skizmatikët, kryesisht për shkak të daljes në skenë të turqve që ishin bërë një kërcënim serioz ushtarak, i la mënjanë kryqëzatat dhe zgjodhi rrugën e diplomacisë. Me anë të mjeteve diplomatike që kishte në dipozicion, Selia e Shenjtë dëshironte jo vetëm të mbështeste shqiptarët/katolikët në konfliktet e tyre me serbët, por mundësisht edhe të fitonte serbët për fenë katolike, gjë për të cilën serbët i kishin premtuar disa herë papatit. Me aktivitetin diplomatik të papatit merreshin legatët.

Legatët papnorë

Që prej shek. XI, për interesat e tyre jashtë Romës, papët dërgonin me mision legatët. Legati ishte më i lartë se ipeshkvi lokal dhe ishte i parë në sinodet vendore, gjykonte ipeshkvët, bënte vizita kontrolluese, dhe kujdesej për reformat kishtare, duke ndihmuar kështu shumë për zbatimin në shkallë lokale të rregullave të vendosura nga papati.

Ai përfaqësonte papatin edhe kur përkrahte një aktivitet diplomatik (njohja e zgjedhjeve mbretërore, traktateve të paqes etj.). Megjithëse një ndër detyrat më të rëndësishme të legatëve ishte përgatitja dhe udhëheqja e kryqëzatave. Herë-herë, gjatë skizmave ata bënin propagandë për këtë apo atë papë, nisur nga kush ishin dërguar. Si legatë dërgoheshin jo vetëm ipeshkvë, ose kapelanë të papës, por edhe kardinalë. Këta të fundit quheshin "legati a latere" (d.m.th. të dërguar "nga ana e" papës), ndërkohë që të tjerët që ishin më poshtë në rang, quheshin "legati missi".

Pushteti i legatëve papnorë ishte i gjerë. Duke përfshirë në të të gjithë autoritetet kishtare, legatët përqëndruan autoritet të konsiderueshëm në duart e tyre. Çdo legat konsiderohej në shumë aspekte si papë lokal, prandaj aktivitetet ceremoniale dhe administrative për mirëpritjen e tyre, veçanërisht të legatëve a latere, ishin të njejta sikur të ishin për papën vetë.

Për shkak të pushtetit që gëzonin, princët dhe mbretërit gëzoheshin që t'i mikpritnin ata dhe përgatiteshin në mënyrë ceremoniale për këtë gjë. Në rast se ata kundërshtoheshin në ndonjë mënyrë, dënimi ishte çkishërim i menjëhershëm i fajtorit.

Deri në shek. XIV, legatët ishin agjentët kryesorë për realizimin e objektivate papnore politike dhe shpirtërore në lokalitete të caktuara përkatësisht në territoret për të cilat ata ishin të pajisur me autoritet apostolik.

Hapësira e aktivitetit të legatit ndryshonte shumë, varësisht nga qëllimet individuale të secilit mision. Shumë legatë ishin përfshirë në aktivitete politike, sidomos ata në Angli. Pasi filluan lëvizjet e kryqëzatave, legatët papnorë u përfshinë në mënyrë intime në udhëheqjen dhe drejtimin e këtyre aktiviteteve, gjithmonë si mëkëmbës të papës. ...

Edhe në territoret e Shqipërisë kemi pasur shpesh legatë papnorë, duke filluar që nga kohërat më të hershme. Kur serbët filluan të ishin shumë të dhunshëm ndaj shqiptarëve katolikë, papati ndërhyri në mënyrë të veçantë për të ndryshuar situatën, duke dërguar grupe legatësh. Në vitin 1351, papa Klement VI, dërgoi si legatë për trojet etnike shqiptare, Antonin, kryeipeshkvin e Durrësit, Helian kryipeshkvin e Ragusës, dhe Bartolomeut, ipeshkvin e Trogirit.

Nuk kemi të dhëna për ndonjë sukses të këtyre legatëve, dhe me siguri për shkak se nuk patën sukses, u dërgua edhe grupi i dytë i legatëve. Në grupin e dytë të legatëve të dërguar në vitet 1353-1354, në këto territore, ad Serviae, Rassiae et Albaniae regna et terras praefati regis subiectas, bënte pjesë njëri ndër personalitet më të fuqishme të gjysmës së dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Petrus Thomas (ASV, Reg. Vat. 227, ff. 4r-5v, ep. 10-15) i cili pas vdekjes do të shpallej edhe shenjtor, për shkak të aktivitetit dhe të veprave të tij.

Petrus Thomas ishte një ndër ata burra të shekullit të 14-të i cili me personalitetin dhe me influencën e tij dominuese, kontribuoi jashtëzakonisht shumë në propagandimin e kryqëzatave të shekullit të 14-të, kryqëzata këto të organizuara kundër skizmatikëve sllavë, kundër heretikëve, dhe kundër turqve pushtues. ...

Për shkak të përvojës dhe oratorisë, papa Inocent VI i besoi misionin e vështirë dhe delikat të konvertimit të grekëve në katolicizëm. Perandori bizantin i asaj kohe, Jan V Paleologu (1341-1391) ishte nën presionin e turqve nga të gjitha anët, dhe për këtë shkak ishte i gatshëm që t'i nënshtrohej autoritetit të Romës me shpresën që të merrte ndihmë.

Nën ndikimin e Pjetër Thomasit, perandori ishte pothuajse gati që të shkarkonte të gjithë patriarkët armiq dhe skizmatikë, dhe në vend të tyre të emëronte ipeshkvinj katolikë, por ky mision i tij dështoi.

Megjithatë fama e Pjetër Tomasit ishte përhapur shumë. Papa Inocent VI e ngriti atë akoma më lart në përgjegjësi duke i caktuar misionin e legatit apostolik për të gjithë Lindjen, me një përgjegjësi trefishe: të predikonte dhe të propagandonte kryqëzatën kundër të pabesëve, të konvertonte skizmatikët në fenë katolike, dhe të zhdukte herezinë nga Kreta. Kështu Pjeter Tomasi vajti në Kretë dhe në Qipro për të konvertuar atje grekët në katolikë.

Në Kretë, lufta e Pjetër Tomasit kundër herezisë shkaktoi shumë viktima, madje edhe nga radhët e fisnikëve dhe të të afërmve të familjes mbretërore. [Aziz Suryal Atiya, The Crusade in the Later Middle Ages. London: Methuen and Co. LTD. 1938, f. 133.]

Ata, që nuk dëshironin të konvertoheshin në ritin latin nga legati, kërcënoheshin me turrën e druve, dhe faktikisht një person u dogj i gjallë, gjë që shkaktoi shumë panik. [Joachim Smet, The life of Saint Peter Thomas by Philippe de Mézières. (Rome, Institutum Carmelitanum, 1954), 212] Në Qipro, legati u përpoq në të njejtën mënyrë që të bindë autoritetet civile që të torturonin banorët ortodoksë derisa ata të konvertoheshin në katolikë, por mbreti i Qipros, pasi i shpjegoi që banorët ortodoksë ishin më të shumtë në numër se katolikët, nuk e pranoi metodën brutale të Pjeter Tomasit.

Ky episod ndodhi në dhjetor të vitit 1359. [Vita 620. Mas Latrie, Histoire de Chypre, II, 253, 281; Smet, f. 209] Në vitet 1359-1362]. Kronisti grek Leontios Machairas tregon për një grindje të tij me grekët e Qipros, ku thotë që legati kishte përdorur metoda të tilla konvertimi që kishin shkaktuar mëri tek grekët. Mbreti i kishte kërkuar legatit që të largohej nga ishulli dhe i kishte shkruar papës të mos dërgonte më përfaqësues të tillë që sjellin shqetësime. Më 12 tetor të vitit 1360, legati mori autoritet për të proceduar edhe kundër Saracenëve dhe infidelëve të tjerë si dhe kundër turqve.[ ASV, Reg. Avin. 144, f. 563r, Smet, f. 210]

Jurisdiksioni i Pjetër Tomasit përfshinte jo vetëm mbretërinë e Qipros, por edhe kryeipeshkvinë e Kretës, Korfuzit, Durrësit, Lepantos (Neopaktensis), Ypati (Neopatratensis), dhe që prej konvertimit të Paleologut edhe patriarkanën e Konstandinopojës.

Në të gjitha këto territore, ai përfaqësonte papën në çështjet normale kishtare që i takonin një legati dhe sidomos në çështjet e luftës kundër "të pabesëve". [maj 1359, ASV, Reg. Avin. 140, f. 54r-55r; Reg. Vat. 234, f. 2r-2v; Wadding, Vita, 144-150.] Deri në vdekjen e tij, Pjetër Tomasi mbeti njeriu i zgjedhur i papatit për të promovuar shumicën e kryqëzatave të asaj kohe. Vdiq nga një sëmundje më 6 janar të vitit 1366.

Duhet të ketë qenë fundi i shekullit XIV, kur fjala legat - nga popullsia vendase e receptuar si lugat - është prezantuar për herë të parë në territoret shqiptare, dhe sidomos shekulli XV e më vonë kur ajo është përhapur gjerësisht në këto territore.

Kuptimin e saj negativ duhet ta ketë marrë jo vetëm sepse reputacioni i shenjtorëve përhapej me shpejtësi të rrufeshme, por edhe sepse Peter Thomas-i, i cili në vitet 1353-1354 ishte dërguar si legat (përfaqësues, ambasador) papnor në këto territore, duhet të ketë luftuar me shumë brutalizëm herezinë dhe shtrembërimet dogmatike të ritit katolik, gjë që duhet të ketë bërë një përshtypje shumë të madhe te popullsia vendase tolerante ndaj formave të ndryshme të besimeve.

Riti katolik në këto territore shtrembërohej jo vetëm nga përzjerja me ritin bizantino-grek, dhe nga përzjerja me ritin bizantino-sllav, por edhe nga format pagane të besimit, e kryesisht nga përzjerja me herezitë e ndryshme ku kryesonte bogomilizmi.

Toleranca e njohur e shqiptarëve në çështjet shpirtërore, gjithmonë u ka bërë vend edhe të dëbuarve nga vendet e tjera për shkaqe të besimit të tyre, qoftë ky edhe "i gabuar" siç konsiderohej ai zyrtarisht nga kisha katolike, kështu që lufta e Pjetër Tomasit duhet të ketë qenë shumë e ashpër ndaj një pjese të madhe të popullsisë.

Konotacioni negativ i fjalës legat=lugat është rritur me siguri me konvertimin e shqiptarëve në islamizëm: këtë të fundit legati Pjeter Tomas e kishte konsideruar si një ndër armiqtë kryesorë të krishtërimit. Në kryqëzatën kundër myslimanëve, ai përdori të gjitha aftësitë e tij diplomatike dhe elokuencën e tij të njohur, për të frymëzuar entuziazëm për luftën e shenjtë.

Pas vdekjes ai u njoh menjëherë si shenjtor në Qipro, dhe u nderua madje edhe nga armiqtë grekë që e urrenin atë për sa kohë qe gjallë. Tradita filloi që t'i njihte mrekulli që ndodhnin tek varri i tij, dhe në ishull ai u mbajt mend për shumë kohë si nga katolikët, skizmatikët, judenjtë dhe saracenët, dhe jo dhe aq për të këqijat që kishte shkaktuar, sa për përpjekjet e tij të patrembura për të shëruar ata që ishin sëmurë nga murtaja e zezë. [Vita, 622-3; Hackett, 133; Jorga, 128-9; Atiya, p. 136.]

Reputacioni për aftësi të tilla shëruese të legatit papnor Peter Thomas ishte i njohur edhe ndër shqiptarë, kështu që lidhja e legatit shenjtor me konceptin e lëngatës, mund të bëhet në bazë të mrekullive që i atribuohen atij si gjatë jetës së tij ashtu edhe pas vdekjes.

Shenjtori Pjetër Tomas ishte i njohur nga besimtarët e tij veçanërisht për shërimin e etheve, aktivitet ky të cilin me siguri ai e kishte zhvilluar gjatë murtajës, ose Vdekjes së Zezë, që në shekullin e XIV-të shfarosi një të tretën e popullsisë së Evropës, dhe sigurisht që nuk kurseu as shqiptarët.

Pas vdekjes së Pjeter Tomasit, u konstatua që një numër i madh i mrekullive të tij ishte pikërisht në fushën e shërimit nga ethet. Nëse fjala lugat është më shumë e përhapur në ato zona që kanë qenë në kontakt më të shpeshtë apo më të drejtpërdrejtë me serbet, siç ishin zonat verilindore, kjo me sa duket ka më shumë të bëjë me përpjekjet e Pjetër Tomasit për të luftuar skizmën (ndarjen, shqyerjen), siç quhej feja ortodokse e serbëve nga Selia e Shenjtë e nga katolikët.

Nuk është rastësi që pikërisht në këto zona, serbët skizmatikë njihen edhe si shka, shkje nga popullsia shqiptare, që me fjalë të tjera do të thotë, njëri që ka rrëshqitur, që është shqyer e konkretisht që ishte larguar nga besimi katolik, të cilit i përkisnin shqiptarët e këtyre zonave.

Fjala lëngatë (lengatë nga legat) është më e përhapur në zonën jugore të Shqipërisë, ndoshta sepse lufta fetare atje nuk ishte kaq e mprehtë sa ç'ishte me serbët që kishin interesa të forta ekpansioniste. Një arsye tjetër duhet të jetë edhe fakti që zonat e ulëta të Shqipërisë, ku kontaktet ndërnjerëzore ishin shumë më të gjalla se në zonat malore, ishin më të prekura nga sëmundja ngjitëse e quajtur, Murtaja e Zezë.

Në kërkim të rrugëve për shpëtim, rezultoi që kulti i Pjetër Tomasit si shenjtor shërues nga kjo sëmundje që shoqërohej me ethe të forta u përhap me një shpejtësi shumë më të madhe sesa reputacioni i tij si armik i herezive, pra si lugat.

Sigurisht që imagjinata popullore ka bërë që fjalët lugat e lëngatë të mos i qëndrojnë më besnike strikte të vërtetës historike në kuptimin e tyre, por sidoqoftë, thelbi i tyre mbetet përsëri i lidhur me aktivitetin dhe me reputacionin e fenomenit historik, legatit Peter Thomas.

Dr. Etleva Lala dhe Dr. Musa Ahmeti
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi