EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

A mund te beheni miliarder me mendime?

2 posters

Shko poshtë

A mund te beheni miliarder me mendime? Empty A mund te beheni miliarder me mendime?

Mesazh  krasis 23.08.09 21:57

A MUND TË BËHET NJERIU MILIARDER VETËM ME MENDIME ?
(Pjesa e parë)

Bisedë konkrete me Daut Demakun
Intervistoi: Sabir Krasniqi

Në Kosovë, këtë verë, po ndodh një fenomen i rëndësishëm: ngado të shkosh, në të gjitha mjediset, në të gjitha rrethanat, MENDIMI POZITIV, si të thuash, është në top-listën e temave të bisedave. Për mendimin pozitiv flitet me admirim në të gjitha nivelet dhe të gjithë e pranojnë se kjo mënyrë e të menduarit NJËMEND është e ardhmja e njerëzimit.

Dhe, në këto biseda, emri që lakohet përherë është: “Kështu thotë mendimi pozitiv...” ose: “Kështu thotë Daut Demaku...”, pas të cilit vjen konstatimi: “Dhe është e vërtetë..., dhe ka të drejtë...” etj.

Zotin Demaku e takuam në Rahovec, pas përfundimit të një Tribune, ku ai ishte referuesi i parë i tribunës dhe zhvilluam një bisedë me të.


Z. Demaku, çka ndodhi kështu, kjo është një kthesë e madhe në pranimin e Mendimit Pozitiv te të gjithë shqiptarët?


Daut Demaku: Për të gjithë shqiptarët nuk e di, por për Kosovë - PO. Me germa të mëdha po them PO! Mendimi pozitiv përfundimisht ka hyrë në çdo familje dhe është pranuar me dashamirësi mahnitëse.

Çka ndodhi?

Në Kosovë ndodhi ajo që ka qenë e ditur se do të ndodhte një ditë.
Në anën tjetër, janë të tjerët, që thonë se literatura është e fuqishme, bindëse dhe - ajo e kreu punën vet.

E vërteta qëndron diku në mes. Është e vërtetë se ne kemi bërë punë të mirë, sepse kemi folur e kemi shkruar, kemi punuar që t’i hapet rruga kësaj literature dhe kemi punuar me përkushtim e sinqeritet që të përhapet kjo mënyrë e të menduarit pozitiv.

Mirëpo, është edhe një faktor i tretë, është qenia shqiptare midis nesh e literaturës, që e mati punën, si thuhet: me peshore të barnatores, e analizoi nga të gjitha anët, dhe, në fund, u bind se ne po e themi të vërtetën.

Dhe ndodhi mrekullia.

Jam i bindur se populli është kamera më e fshehtë në botë. Kjo kamerë e fshehtë di çdo gjë, vlerëson me saktësi kompjuterike çdo gjë dhe – nuk mashtrohet kurrë. Sepse ky popull e do të VËRTETËN, aq sa e do jetën.

Kjo sjellje e admirueshme, ky nderim që e dëshiron gjithkush, e ledhaton sedrën e njeriut, e kënaq individin, egon, por ta dini: kjo të ngarkon edhe me PËRGJEGJËSI të madhe.
Sepse, respekti e nderimi fitohen me mund të madh, por, për besë, mund të digjen si fija e kashtës, për një çast.

Faktori i dytë, me rëndësi jetike për depërtimin e Mendimit Pozitiv në Kosovë, është një begatim i njohurive nga kjo mënyrë e të menduarit. Begatimin e bëri shkenca e fuqishme amerikane, fizika kuantike.

Unë them se meritat më të mëdha të përhapjes së shpejtë dhe të pranimit të plotë të Mendimit Pozitiv i ka pikërisht FIZIKA KUANTIKE. Kjo është baza shkencore e Mendimit Pozitiv. Dhe kjo bazë është njëmend shkencë e pastër. Madje, do të thosha, fizika është një ndër shkencat më shkencore në botë.

Është e ditur se në gjeometri dhe në fizikë nuk ekziston toleranca e plus-minusit të gabimit. Në këtë shkencë diçka ose është ose nuk është - tolerancë nuk ka.
Para njëzet vjetësh, kur fillova të merresha me studimin e kësaj literature dhe të kësaj mënyre të të menduarit, edhe unë, kisha dilema shumë serioze.

Në njërën anë - literatura ishte e mrekullueshme, rruga ishte mahnitëse, shihej e dihej se rezultatet herëdokur do të ishin kulmore, por - thellë në mua, jetonte se jetonte një dilemë: kjo mënyrë e të menduarit, a është besim fetar, a është ndonjë koncept sektar, a është fall e magji, a është mashtrim e sharllatanizëm?...

Kur u binda se baza e kësaj mënyre të të menduarit është shkenca, Fizika Kuantike, që është aq e përparuar në Amerikë, atëherë të gjitha dilemat e mia u shuan dhe - atëherë - ndjeva thellë në shpirt se - brenda tokës dhe qiellit nuk mund të ketë më ASNJË pengesë, që më ndal në këtë rrugë. E dija se do të kishte rënie e ngritje, pengesa e kthesa, por isha – qind për qind, i bindur – se një ditë do të dalim FITIMTARË.

Por, megjithatë, kjo bazë shkencore ka qenë e njohur edhe më parë, e këtë verë sikur ka ndodhur KTHESA E MADHE në Kosovë?

Daut Demaku: Po. Është e vërtetë. Por kthesën e vërtetë e shkaktoi filmi dokumentar “Sekreti”.

Kur e panë të gjithë se çka thonë, qysh flasin e çka këshillojnë – në këtë film dokumentar - kokat më të njohura në botë për përdorimin praktik të Ligjit të tërheqjes, kur u bindën se vetëm me mënyrën e këtillë të të menduarit mund të bëhen miliarderë – shikoni: nuk po them milionerë, por miliarderë – atëherë – kush t’u dilte përpara?...

Dhe, para së gjithash e mbi të gjitha – dokumentari “Sekreti” njëherë e ndihmon njeriun të krijojë një bindje, një qetësi, një pikëtakim me bukurinë e ligjeve të universit e pastaj të ofron edhe mundësinë për përfitime (edhe) materiale.
krasis
krasis

3


Mbrapsht në krye Shko poshtë

A mund te beheni miliarder me mendime? Empty Re: A mund te beheni miliarder me mendime?

Mesazh  krasis 23.08.09 21:58

E ju, Z. Demaku, njëmend jeni të bindur se vetëm me mënyrën e të menduarit mund të bëhet njeriu miliarder?

Daut Demaku: Nuk është fjala këtu për BINDJE. Këtu bëhet fjalë për një të vërtetë shkencore. Shkenca nuk i përfill bindjet e individit - je apo nuk je ti i bindur - shkenca bazohet në vërtetësinë e ligjeve, në këtë rast: në Ligjin e tërheqjes – njërin prej ligjeve që hyjnë në kuadrin e të vërtetave të padiskutueshme dhe të përjetshme të universit.

Ndaluni pak dhe mendoni për rastin e multimiliarderit botëror, George Soros.
(Për arsye mësimet më të qëndrueshme dhe më të plota merren vetëm nga biografitë e njerëzve të suksesshëm)

E keni idenë kur një çun i ri, 14 vjeç, një hebre i Hungarisë, si fëmijë emigron në Angli, dhe, thotë:
E kam ditur sekretin e Ligjit të tërheqjes, me kokë në jastëk e kam dërguar dëshirën time në univers dhe sot i kam 4 mijë dollarë të ardhura në çdo minutë.

Edhe kur unë fle, në çdo minutë mua me vijnë nga 4 mijë dollarë... E kush është ai njeri, a gjendet njeri i tillë në botë, që me punë do t’i fitonte nga 4 mijë dollarë për çdo minutë?...

Por, asokohe “Sekretin” e kanë ditur një numër mjaftë i vogël i njerëzve që numëroheshin në gishtat e dorës. Sot sekreti u zbulohet të gjithëve... Më në fund, pse të flas unë për dokumentarin e famshëm, që po e ndryshon mënyrën e të menduarit në botë? Merreni DVD-në, uluni rehat në kolltuk, shikojeni në ekran të televizorit dhe - binduni vetë...

Unë asnjëherë prej askujt nuk kam kërkuar që të më besojë, por kam kërkuar dhe kërkoj që – ta provojë! Në qoftë se jeta në çdo hap të bind për të vërtetat faktike, atëherë është problem yti se çka do të bësh me jetën tënde... Më dhemb shpirti vetëm për ata që u mungon NJOHJA, kur të arrihet njohja, ecja në ngritjen shpirtërore është çështje e dëshirës së individit. Në mësimet tona nuk ka “duhet”, sepse “duhet” është dhunë, por ka vetëm “dua”, sepse “dua” është dashuri...

Më bëtë edhe mua kureshtar: ku gjendet kjo DVD?

Daut Demaku: Në shumë lokacione të Prishtinës dhe në Qendrën e Mendimit Pozitiv. Është në gjuhën shqipe, e përkthyer për mrekulli. E shqipëruar dhe lexuar me lehtësi e qartësi, që ta kuptojnë edhe filloristët... Por, e keni edhe në të gjitha gjuhët e mëdha të botës, e mund ta gjeni edhe në www.thesecret.tv

Populli ynë thotë: kush lyp – gjenë! Urdhëroni... Ata që janë të interesuar, sigurisht, do ta gjejnë..

D.m.th. unë e marr një DVD, e shikoj në televizor disa herë dhe kam gjasa të bëhem miliarder, apo?


Daut Demaku: Jo dhe Po. Jemi njerëz të rritur, nuk jemi fëmijë të kënaqemi me përralla. Nëse të mungon njohja për krijimin e energjisë, jo. Nëse di të krijosh energjinë e duhur – po! Fundja, po të ishte aq e thjeshtë dhe aq e lehtë, me një DVD të bëhesh miliarder -atëherë miliarderët do të bëheshin sikur fijet e barit.

Por, është këtu një teknikë, një metodë shumë subtile për ruajtjen e energjisë, për krijimin e filmit mendor, për përjetimin e asaj gjendjeje sikur të ketë ndodhur, për gëzimin e plotësimit të dëshirës, por - pa akumulim të energjisë – dëshira nuk mund të dërgohet në univers. D.m.th., fjala është për krijimin e një filmi të plotë mendor me një energji dhe emocion të duhur...
krasis
krasis

3


Mbrapsht në krye Shko poshtë

A mund te beheni miliarder me mendime? Empty Re: A mund te beheni miliarder me mendime?

Mesazh  krasis 23.08.09 22:00

Edhe në ligjëratë e theksuat këtë moment: ata që nuk dinë ta krijojnë dhe ta menaxhojnë energjinë, ata përjetojnë shumë dhimbje, duke filluar nga magjia e zezë, sehiret, të bamet, të shkelurit, mësyshi, pastaj dështimet në mësime, dështimet në profesione, divorcet në bashkëshortësi... a na thuani pak më shumë për energjinë?

Daut Demaku: Energjia është jetë. Pa energji s’ka jetë. I vdekuri s’ka fije energjie, prandaj është i vdekur.

Besimet fetare i thonë SHPIRT. Shkenca i thotë ENERGJI. Është e njëjta gjë. Pa shpirt, je i vdekur. Pa energji, je i vdekur. Një është, ndryshon emërtimi.

Njeriu shpirtërisht i dobët, është i prirur t’u besojë e t’u nënshtrohet të gjitha lëndimeve në jetë. Magjia e zezë, sehiret e shëmtitë e tjera, janë të vërteta, nëse je i dobët dhe u beson. Por nëse je i fortë shpirtërisht dhe nëse nuk u beson – ato shuhen si bryma para diellit. As nuk mund të të prekin, as nuk mund të të lëndojnë. Pikë.

Njerëzimi, edhe pse nuk e ka njohur Fizikën kuantike, e ka ditur fare mirë se: s’ka shpirt të fortë që nuk mund ta mbajë në jetë trupin fizikisht të dobët, por edhe s’ka shpirt të dobët që nuk mund ta rrënojë një trup fizikisht të fortë. Pse? Mungesa e energjisë e bën njeriun të lëndueshëm. Dështak. Mjeran. Shqip: QYQAR!

Njeriut pa ngritje shpirtërore, d.m.th. pa energji të duhur, mund t’i ndodhin të gjitha humbjet: në dashuri, në biznes, në mësime, në shëndet... është disi i humbur sikur organizmi pa IMUNITET. Energjia është mbrojtësi më i mirë kundër të gjitha dështimeve e dëshpërimeve.

E kundërta: njeriun e suksesshëm, të hareshëm, të shëndetshëm, të pasur, të mençur, të lumtur – e bën energjia e fortë. Njeriu me energji të duhur, të gjitha shëmtitë i kthen te burimi: nëse dikush të bën një magji, energjia jote e kthen magjinë dhe e vret dërguesin e saj. Nëse ke energji të duhur, ti je mbret i botës...Je mbretëreshë absolute.. Jetën e shndërron në lojë... Loja lumturinë e bën përvojë...

Të gjitha ligjet e universit janë për të mirën e njeriut. Të marrim terrin, si shembull. A ekziston terri? Po, por JO! Dritën e prodhojnë dielli, zjarri, ENERGJIA... Kush e prodhon terrin? Një mijë vjet le të jetë një dhomë në terr, asnjë shtresë e territ nuk krijohet. E po të mbetet një dhomë dhjetë vjet e papastruar, shtresat e pluhurit do të jenë të dukshme. Pse? Sepse pluhuri ekziston dhe krijon shtresa.

Terri nuk ekziston dhe nuk krijon shtresa. E po, çka të bëjmë? Ta ndezim dritën, sepse terri është vetëm MUNGESË e dritës. T’i ndezim DRITAT E MENDJES dhe, besoni, jeta do të jetë lojë shumë e bukur dhe shumë e këndshme.

Energjia ta dhuron edhe ESENCËN, por edhe EKZISTENCËN.

Kjo është vlera e energjisë. Nuk do të doja të flisja më shumë për vlerën e krijimit të energjisë, sepse e di që shumë njerëz do të lëndoheshin, në veten e tyre do t’i gjenin mungesat. Nuk jam i interesuar të akuzoj, por të përhap mundësitë për kapërcimin e pengesave.

A ekzistojnë mënyra, metoda apo teknika praktike për fuqizimin e energjisë?

Daut Demaku: Po. Dhe janë të shumta, dhe janë mjaft efikase. Por, në radhë të parë duhet ta dimë se për njeriun ekzistojnë katër burimet kryesore të energjisë: frymëmarrja, ushqimi, gjumi dhe gjendja mendore pozitive.

Kjo e fundit, GJENDJA MENDORE POZITIVE, është tepër e rëndësishme, sepse: frymëmarrjen e bën të qetë dhe të thellë, ushqimin e bën të tretshëm dhe të shëndetshëm, gjumin e bën relaksues dhe çlodhës. Kjo është brenda minimumit të natyrshëm të jetës. E nëse do diçka më shumë se ky minimum, atëherë përdoret MEDITIMI.

Meqë ne jemi qysh jemi dhe nuk dimë të krijojmë gjendjet e qetësisë, nuk e njohim MEDITIMIN, nuk dimë ta bëjmë neutralizimin e shpenzimit të kotë të energjisë, ne në Qendrën e Mendimit Pozitiv kemi bërë diçka të veçantë: e kemi prodhuar një CD me titull “Dëshira...”, që e ndihmon secilin njeri të hyjë në një meditim të udhëhequr.

Kjo CD është mrekulli mahnitëse, e kemi bërë në bashkëpunim me qendrat më të specializuara të Evropës, është në valë BETA. Por, është vetëm për NJË njeri. Dëgjohet vetëm në shtrat. Për ata që e duan, që e dëgjojnë dhe ia respektojnë fjalën, nuk ka pasuri që mund të jetë e barabartë me vlerën e kësaj CD-je. Ndërkaq, për ata që nuk e duan dhe nuk e respektojnë – vlera e kësaj CD-je është sa një zero e madhe.

Ky është propozimi juaj që të fillohet me zbatimin e Ligjit të tërheqjes dhe të mundësisë për fitime të mëdha?


Daut Demaku: Ky është fillimi i lojës. Unë them: të luajmë... Çka do të fitojmë prej kësaj loje? E para, do të fitojmë një qetësi mahnitëse shpirtërore. (Qetësia shpirtërore e ruan shëndetin, e krijon suksesin, e lumturon njeriun!) Pastaj do të nisemi edhe në rrugën e plotësimit të të gjitha dëshirave një nga një.

Deri tash kemi punuar shumë për përhapjen e literaturës, sepse NJOHJA është e para. Tash, nga DIJA (njohja) duhet të kalojmë në KUPTIMIN e dijes. Në përdorimin praktik të kësaj dijeje. Noti nuk mësohet në beton. Një mijë ligjërata do të jenë të kota, po nuk u hodhe në ujë. Gëte thotë: “Mendja e fuqishme, që bën përpjekje për përdorimin praktik të dijes teorike – është mendja më e mirë në botë”. Koha është të fillojmë praktikisht dhe konkretisht.

Sa është e sigurt kjo mënyrë?

Daut Demaku: E vetmja siguri në jetën njerëzore është – PASIGURIA e plotë. Siguri e garanci në jetën e njeriut nuk ka dhe nuk mund të ketë. Por, duke e shikuar DVD-në në televizor shumë herë, do të mësoni si vepron Ligji i tërheqjes... Pasi ta keni parë e kuptuar mirë se çka thonë kokat e mençura të botës (gjatë 90 minutave sa zgjat ky dokumentar), atëherë kalohet në dëgjimin e CD-së “Dëshirat...” dhe kjo bëhet për 21 ditë nga një herë në ditë... (Janë udhëzimet në CD) dhe pastaj pritet shtatë ditë pushim dhe rishtas fillon 21-ditëshi tjetër. Kjo mund të vazhdojë tërë jetën.

Në vazhdimin tjetër (pjesa e dytë) do të lexoni:

-A mund të bëhet njëmend dikush miliarder vetëm me mendime?
-Cili është shqiptari i gjallë që arriti të pasurohet përmes kësaj mënyre?
-Çka është, në të vërtet, SHKENCA AMERIKANE?
-Njohja e vërtet e ZOTIT!
-Dokumentari “Sekreti i lumturisë” dhe barazimi i tij me VLERTA E JETËS!
-A do të ndodh mrekullia që 2% e më të mençurve të kombit, të interesohen për këto materiale? etj.
krasis
krasis

3


Mbrapsht në krye Shko poshtë

A mund te beheni miliarder me mendime? Empty Re: A mund te beheni miliarder me mendime?

Mesazh  Xhemajl 27.05.12 23:17

SAKRA: A ua merr mendja se dikush njëmend do të bëhet miliarder?

DD: Po - do te fitoni aq sa besoni, dikush do të bëhet miliarder, dikush milioner e dikush do të fitojë aq sa i duhet. Por, para fitimit material, do të fitohet shumë si harmoni shpirtërore dhe si shëndet fizik dhe mendor. Pastaj, mund të vijë edhe ajo tjetra, të fitohen milionat... Por, ama: mos ta teprojmë me premtime, sepse secili fitim, ka një çmim, secili sukses, ka një rrugë bukur të gjatë. Mos ta marrim me mendjelehtësi se e kemi zbuluar ujin e valë. Ta provojmë. Për të humbur nuk humbim gjë, nuk lodhemi dhe nuk shpenzojmë, do ta krijojmë një gjendje të mrekullueshme relaksuese (pozitive) dhe, sigurisht se - dikush - do të fitojë shumë...

SAKRA: Njihni ndonjë shqiptar të gjallë që ka arritur përmes kësaj mënyre?

DD: Po.Ta marim shembull vetëm njërin nga nxënësit e Depack Chopres , (ish-këshillatrit të presidentit Klinton, autorit të bestselerëve botërorë, që tash i ka rreth 4 milionë nxënës online). Ai është Hetem Ramadani, një biznesmen shqiptar, që jeton në Slloveni. Para shumë vjetëve - ka qenë nxënës i Mësuesit më të madh në botë.

Paraprakisht duhet të them se nuk ka arritur atë që ka arritur VETËM përmes Ligjit të tërheqjes, por edhe përmes kësaj njohjeje... Unë kam pasur fatin ta njoh dhe t’i dëgjoj ligjëratat e tij. Është një humanist, një zemërbardhë, një njeri i veçantë, një urtar i dashur, që Ligjin e dhënies e ka zbatuar në praktikë (mund t’ju kujtohen donacionet e tij për Gërdecin, për botën artistike të kolosëve të artit në Shqipëri e në Kosovë, e ka ndihmuar edhe Qendrën tonë atëherë kur kishim nevojë... ) Por, ky njeri, e ka edhe një rrezatim shumë pozitiv, edhe vetëm kur ia jep dorën, të përshkon një ndjenjë e mirë... (Por, mos të flas më shumë, se mos po e lëndoj, pa dashje...)

SAKRA: Edhe më parë, literatura inspirative, ka folur për fitimet materiale, por më shumë e ka nënvizuar qetësinë shpirtërore?

DD: Të dyja këto janë të lidhura, si thuhet: mish e thua! Nuk mund të kesh qetësi shpirtërore, kur të qan fëmija, nuk mund të jesh i qetë, kur të mërdhijnë këmba e dora, apo kur je i uritur. Qetësi shpirtërore do të thotë HARMONI mes materiales e shpirtërores, mes tokësores e hyjnore, pra: vijës horizontale dhe vertikale. Treni nuk ecën pa dy binarë: binarin e frikës dhe të dashurisë... kjo është jeta, kështu është jeta... Njëra pa tjetrën nuk bëjnë, është utopi, përrallë. E ne po flasim për shkencë.

SAKRA: Mos do të kemi tepër shumë njerëz të pasur...?

DD: Thesari hyjnor është i pashtershëm. Në qiellin e jetës ka vend për të gjithë yjet e fuqishëm. Jeta nuk ngurtësohet brenda limiteve. Jeta nuk ka logjikë. Në jetë i përhershëm është vetëm NDRYSHIMI...
Edhe një herë po them: shumë më e mirë është kjo lojë që po e propozoj unë... sesa të merremi më gjëra të kota, shpesh të dyshimta e pa përmbajtje...

Është edhe një moment që do të doja ta nënvizoja: Studimet e fundit të shkencës amerikane thonë: 1% e popullsisë posedon 96% të pasurisë së një vendi, kurse 99% për qind e popullsisë posedojnë vetëm 4% të pasurisë së atij vendi. Pse? Sepse nuk e dinë “Sekretin”... Prandaj: vuajnë.
E po, çfarë dëmi do të kemi nëse e provojmë ngritjen shpirtërore, apo akumulimin e energjisë, që, prapë po them, është e njëjta gjë. Të jeni të bindur se të gjithë do të fitojmë dhe humbës nuk do të jetë ASNJË.

SAKRA: Disa herë gjatë kësaj bisede e keni theksuar shkencën amerikane?...

DD: Sabir, unë e dua të VËRTETËN. Çka është shkenca amerikane, a është përrallë për fëmijë, a është mashtrim, a është dogmë, politikë, apo është VËRTETËSI jetësore?
Çka ta merr mendja ty, kush e bëri Amerikën – Amerikë? Rrena, hajnia, mashtrimi, apo: sinqeriteti në punë dhe mbështetja e plotë në ligjet më të NATYRSHME dhe më të vërteta të jetës njerëzore?
Edhe sot e ruaj orarin e veprimeve të njerëzve që punuan në lancimin e raketës Apollo 11. Ishte viti 1969, apo? Ai ekip, që lancoi raketën më të suksesshme në botë dhe që arriti në Hënë, ditën e lancimit të raketës - e kanë pasur orën të caktuar: Lutjen në kishë! Edhe pse ishin më profesionistët në botë, edhe pse nuk i linin rastit asnjë imtësi, edhe pse ishin të sigurt në veprimet e veta, shkuan në kishë dhe kërkuan ndihmën e Zotit dhe falënderuan të Madhin Zot.

A mund të zgjidhet kryetar i SHBA-ve ndonjë hiçkushi, ndonjë palaço i pavlerë? A e dini nëpër sa sita e shosha kalon emri i kandidatit për president shteti? Dhe, a ju ka ndodhur ndonjëherë të dëgjoni Presidentin e superfuqisë që thotë: “Zoti e bekoftë Amerikën”? Apo të lexoni në kartëmonedhat e dollarit “Ne besojmë në Zot!”
E më thuaj tash të lutem, pse të mos i besoj atij vendi që i beson Zotit, shkencës dhe jetës?

SAKRA: Baca Daut, ju lutem, edhe një pyetje: vërtet çka mendoni për besimin në Zot?

DD: Unë them kështu: nisja gjithmonë nga fillimi. Fillimi është vetvetja. Mos ia nis kurrë nga fundi, sepse atëherë nuk ka kurrfarë fillimi. Kush ia nis nga fillimi, mbërrin deri në fund, ndërsa kush ia nis nga fundi, nuk mbërrin kurrë tek fillimi. T’ia nisësh nga fundi, është e pamundur: vijon të vërtitesh brenda rrethit. Nisja nga vetvetja...

Mendimtarët e jetës tokësore, lineare, ngulmojnë në mohimin e Zotit, sepse nuk e NJOHIN. Kur dikush thotë: “Zoti nuk është”, kjo s’do të thotë se ai është kundër Zotit. Është thjesht një njeri që mendon, s’është kurrgjë tjetër. Nuk është kundër Zotit, sepse të QENIT kundër Zotit do të duhej të paraprihej nga njohja e Tij. Nuk është kundër Zotit: KUSH NJEH ZOTIN, NUK MUND TË JETË KUNDËR TIJ. Si është e mundur që, ai që ka njohur Zotin, të jetë kundër Tij? Nuk mundet.

Zotin e kanë njohur Profetët, të Përndriturit. Cili prej tyre mund të jetë kundër Zotit? Nuk munden, sepse e kanë NJOHUR. Një qytet që e ke njohur, je takuar me të, a mund të thuash se nuk është, nuk ekziston. Mendja njerëzore NUK ECËN nëpër të panjohurën. NJOHJA është çelësi. Nëse të mungon njohja, të mungon gjithçka. Kur ta njohësh Zotin, me çdo frymëmarrje - gjithmonë do të jesh vetëm e vetëm në FALËNDERIM.

SAKRA: A kthehemi edhe një herë të fillimi: DVD-ja “Sekreti (i lumturisë)” dhe CD-ja “Dëshirat...”, kureshtja e lexuesve do të kërkojë të dinë pak më shumë?

DD: Për këtë mundësi flas me shumë dëshirë, por frikohem mos po e teprojmë.
Dokumentari “Sekreti” ofron mundësi të gjerë të NJOHJES, kryesisht për Ligjin e tërheqjes. Do ta shihni se çfarë fuqie MAGNETIKE është njeriu dhe në cilën mënyrë e tërheq edhe të mirën edhe të shëmtuarën. Dhe kjo tërheqje me mendimet tona e rrënon ose e ndërton jetën e njeriut. Prandaj, shkurt: vlera e këtij dokumentari është e barabartë me VLERËN E JETËS së njeriut.
Ndërkaq CD-ja është mundësi për krijimin e QETËSISË. Kur të qetësohen valët e mendjes, është njësoj sikur kur qetësohen valët e oqeanit. Në qoftë se valët e oqeanit janë 20 metra të larta, atëherë, po të hidhet në oqean një ndërtesë njëzetkatëshe – nuk do të merret vesh asgjë. Por, kur qetësohet oqeani, kur në sipërfaqe nuk pipëtin asnjë valëz, atëherë, po ta hedhësh edhe një guralec fare të vogël, menjëherë krijohen rrathët, që fillojnë nga pika ku ka rënë guraleci dhe vazhdojnë të zgjerohen.
Kjo është mënyra e dërgimit të dëshirës në Univers (për të gjitha DËSHIRAT, pavarësisht a janë të vogla apo të mëdha), sepse mendja e shqetësuar sjell vetëm shëmti, kurse mendja e qetë sjell mrekulli dhe fatlumëri.

SAKRA: Mund të merren në librari, në Qendër, apo?...

DD: DVD-ja mund të merret tek shitësit e librave,por edhe në Qendër, kurse me CD-në puna është pak më ndryshe. Meqenëse është në valët BETA dhe po ndodh kopjimi, atëherë ndodh shëmtia, sepse kopjimi e shndërron në ALFA-valë dhe atëherë CD-ja është një hiçgjë. Prandaj, që të mos ndodhë ky manipulim (ti e di që në Kosovë çdo gjë kopjohet, për fat të keq), CD-në e mbaj unë dhe dy-tre bashkëpunëtorët më të ngushtë të Qendrës. Porositë mund të vijnë vetëm përmes adresës elektronike ose në dorë. Më falni, por na kanë mbuluar mashtruesit dhe, patjetër, duhet të jemi të kujdesshëm! Dhe, kur përdoret origjinali, njëmend nuk do të ketë humbës, por vetëm fitimtarë dhe mirënjohës të përhershëm. Deri më tash kështu ka ndodhur, pse të mos ndodhë kështu edhe tash e tutje?

SAKRA: Cilat janë parashikimet, sa njerëz mund të interesohen për këto materiale?

DD: Pika ideale do të ishte, që për këto materiale - të interesoheshin më të mençurit e kombit. Kjo, më të mençurit e kombit, sillet rreth 2% e pjesëtarëve të një bashkësie! Kjo është masa kritike. (2% janë lokomotivat e një vendi) Po të jenë të devotshëm këta 2% të shqiptarëve, do të ndodhte mrekullia, sepse vërtet e kemi një gjendje të rëndë. Më të mençurit e kombit sjellin kthesa serioze dhe e ndërtojnë të ardhmen e një vendi. Pse është Suedia – Suedi, ose Sllovenia – Slloveni?, Amerika – Amerikë, sepse njerëzit janë në rregull! Po të duam ne, ama të gjithë, sa kohë do të na duhej ta shndërrojmë Kosovën në mrekulli? Pak, shumë pak kohë.

E dini se nuk ka jetë pa vuajtje, nuk ka vuajtje pa shkak dhe nuk ka shkak që nuk mund të kapërcehet?
Kapërcimi i të gjitha shkaqeve të vuajtjes bëhet me ndihmën e ENERGJISË!


SAKRA: Po “nëse ndodh mrekullia” dhe interesohen për këto materiale më të mençurit e kombit, ai 2%, si thoni Ju, ç’do të ndodhë me fitimin?

DD: Synimi im jetësor është ndërtimi i një objekti solid për edukimin kombëtar! Të bëjmë një punë për të qenë - në mënyrë që kjo Kosovë, ku popull i shumëvujatur – të shndërrohet në vend me prestigj të lartë. Kjo është “hisja” jonë, ajo çka mund të bëjmë NE në “kaçikun” tonë. Një pikë ujë në oqeanin e kombit. Kaq.

Nga këto materiale nuk mbetet ndonjë fitim i madh. Por, mbetet! Fitimi i madh është në anën tjetër, në ndërtimin e hartave të reja në mendjet e njerëzve. Ky është fitim real!
Ta kesh shtëpinë me një mijë dhoma – ti mund të flesh në një prej tyre, t’i kesh një mijë palë këpucë ti do t’i mbathësh një palë... Është një urti, e gdhendur në Piramida të Egjiptit, diku 300 vjet para Epokës së Re, që thotë: “njeriu jeton nga një e treta e ushqimit që merr, nga dy të tretat e tjera jetojnë mjekët e tij!”

Nuk i kam për zemër deklaratat patetike, por më besoni se ata që përpiqen ta ndihmojnë në jetë vetëm NJË NJERI, ata nuk bëjnë punë njerëzore, por HYJNORE! Si thuhet në librat e mençura: nëse do t’i shërbesh Zotit – ndihmoje njeriun!Në qoftë se bëjmë diçka të mirë të gjithë së bashku - të gjithë do ta ndiejmë veten mirë, sepse do të punonim shumë dhe mirë për të ARDHMEN e fëmijëve tanë.


SAKRA: Ju falem nderit, Baca Daut dhe shumë suksese juve dhe Qendrës së Mendimit Pozitiv!

Daut Demaku:
Faleminderit dhe juve dhe të gjithë lexuesve dhe lexueseve jua dërgoj një përqafim vëllazëror dhe një porosi: të punojmë të gjithë së bashku për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë, sepse atyre u mbetet atdheu amanet!

Daut Demaku
dautdemaku@gmail.com


Intervistoi: Sabir KRASNIQI
Xhemajl
Xhemajl

187


Mbrapsht në krye Shko poshtë

A mund te beheni miliarder me mendime? Empty Re: A mund te beheni miliarder me mendime?

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi