Fuqia e një simboli
Faqja 1 e 1
Fuqia e një simboli
Yllin e Davidit apo Vulën e Sylejmanit, si simbol islam apo hebrej, kultura shqipe e ka pranuar si pjesë të veten. Ndonjëherë përkrah shqiponjës dykrerëshe, ndonjëherë përkrah kryqit e ndonjëherë gjysmëhënës, shqiptarët e kanë përdorur qoftë për fuqitë spirituale për t’i bërë ballë demonëve e qoftë vetëm për dekor e hijeshi.
Ylli gjashtëcepësh që dikur nga nazistët vihej si vulë vdekjeje mbi çdo gjë hebreje, thonë se sot pretendon të bëhet një simbol po aq i fuqishëm sa kryqi i krishterë apo hilalli islam.
Ylli i Davidit apo Magen David (Mburoja e Davidit) është simbol kryesor në flamurin e bardhë të shtetit të Izraelit.
Megjithatë, ylli që paraqet një ndër simbolet më të njohura të hebrenjve dhe të judaizmit, ishte dhe mbetet i pranishëm në kultura të ndryshme, nga hinduizmi, budizmi, në kulturat perëndimore e deri te tempujt e masonëve, por një prani të madhe ka edhe në kulturën islame e cila e njeh atë si Vula e Sylejmanit.
Ylli me gjashtë cepa, me dy trekëndësha barabrinjës të ndërthurur mes veti, është pjesë edhe i kulturës shqiptare, e cila, e ngritur mbi tokën që shërbeu më shumë si rrugë kalimtare, ka pranuar reliktet e civilizimeve që kanë shkelur e janë përplasur mbi të.
Shtëpi të vjetra, xhami, teqe, kisha, veshje kombëtare, enë dhe stoli në Kosovë mbajnë heksagramin. Një simbol për mbrojtjen ndaj demonëve, origjina e të cilit në kulturën shqiptare mund të ketë prejardhje të ndryshme.
Simboli i lashtësisë që shenjon harmoninë dhe baraspeshën, shpirtin dhe materien, tokën dhe qiellin, historikisht ka shërbyer si shenjë magjike herë për mësysh e herë për dekor.
Një yll mbi krye
Mjeshtri i drurit Ruzhdi Qarri, për vite ka gdhendur në djepat e fëmijëve yllin gjashtëcepësh. Me gjysmëshekulli përvojë në drugdhendje Qarri shpjegon kuptimin e figurave të cilave u jep formë. “Yllin e kemi punuar në djep, sepse djepi simbolizon lindjen, jetën, ardhmërinë. Unë i punoj qe 50 vjet.
Ylli i Davidit është gjetur te ilirët, nuk ka lidhje me jahudi, sepse e kanë gjetur në xhami e në varre ilire.
Këtë model e ka marrë në Shkodër mjeshtri i parë i djepave në Gjakovë, Adem Deva, gjyshi im ka qenë nip i tij dhe prej tij e ka marrë zanatin”. Megjithatë Qarri, i cili vjen nga familja që këtë zanat e ushtron për më shumë se 100 vite, thotë se jo rrallë është kritikuar për yllin e vënë në krye të djepit.
“Ky është një djep me yll, me gjerësi e gjatësi prej 40 cm, e kam dizajnu para 30 viteve për vajzën time. Por më nuk i bëjmë me yll, në vend të yllit tash i dekorojmë me lule.” Familja e Ruzhdi Qarrit bashkë me familjen e Osekëve janë ndër të vetmit që e kanë punuar këtë model djepi në Gjakovë, dhe të cilët akoma vazhdojnë me zejen e drugdhendjes në rrugën që ka marrë emrin Rruga e arkëpunuesve në Çarshinë e vjetër të qytetit.
Qarri mund të mos e dijë simbolikën e yllit, por një yll i tillë mbi kokën e foshnjeve nuk është vënë pa sherr. Fëmijët thonë i kap mësyshi dhe ylli ishte aty që ta mbrojë.
Në një tjetër qytet me traditë në zeje, familja Vokshi nga Peja, ka të gdhendur në dollapët e shtëpisë së vjetër të braktisur tashmë dy yje gjashtëcepësh. Trashëguesi i shtëpisë, Iliri, nuk e ka menduar ndonjëherë kuptimin e tyre. “Dollapët janë të vjetër e s’na hyjnë në punë, por i kemi ruajtur si pjesë e shtëpisë. Nuk e di se çfarë simbolizojnë, mendoj se janë veç modele dhe janë gdhendur nga zdrukthtarët pejanë”.
Jashtë mureve të shtëpisë së familjes Vokshi, afër sheshit që mban emrin e patriotit Haxhi Zeka, ndodhet Kulla e Jashar Pashës, në muret e së cilës ka një yll të ngjashëm.
Mjeshtrit e kohës kanë lënë si dëshmi në sipërfaqen e godinës, luanin dhe yllin. Kulla dykatëshe e ndërtuar prej guri, me dritare e frënxhi, ka arkitekturë karakteristike të shekullit 18 dhe të shekullit 19, dhe një simbol të lashtë e të fuqishëm si mburojë.
Prof.Dr. Naser Ferri, arkeolog, autor i një vepre të jashtëzakonshme mbi mitologjinë dhe të një varg studimesh të tjera në këtë fushë, shpjegon se heksagrami si simbol është përdorur qysh në mijëvjeçarinë IV p.e.s., ndoshta si talisman apo shenjë magjike në shumë qytetërime prej Mesopotamisë e deri në Britaninë e sotme.
“Sipas disa mendimeve simboli në fjalë rrjedh nga mburoja heksagramike e mbretit të hebrenjve David të cilën, sipas mitologjisë biblike, ai e kishte përdorur në duel kundër gjigantit Goliat. Ylli i Davidit është një simbol përgjithësisht i pranuar i identitetit të hebrenjve dhe të Judaizmit.
Përndryshe ylli me dy trekëndësha të kthyer kundër njëri-tjetrit të ndërthurur mes veti, në burime arabe është quajtur “Vula e Sylejmanit” (Hazreti Sylejmanit) dhe këtë emër e përvetësuan edhe shumë çifutë në formën “Vula e Solomonit”.
Pagëzimi i tillë ishte bërë për shkak të faktit që ky simbol ishte skalitur në mburojë ose në unazë të mbretit çifut Solomonit (Sylejmanit) që përmendet në librin e shenjtë të hebrenjve Talmud si shenjë mbrojtëse kundër demonëve edhe pse nuk ceket saktësisht koha kur qe krijuar ai.”
Ferri nënvizon se në të gjitha rastet, qoftë si Magen David, qoftë si Vula e Sylejmanit, ylli është përdorur dhe përdoret me destinim apotropeik, si mbrojtës nga demonët dhe të këqijat.
Heksagrami në islam
Për këtë arsye, një ndër xhamitë më të veçanta të arkitekturës osmane në Kosovë, Xhamia e Sinan Pashës në Prizren, ka në ballë përbrenda heksagramin në madhësinë rreth një metër.
Besimtarët bëhen gati të falin namazin, ndërkaq Reif Shamri, njeriu që hap e mbyll dyert e xhamisë në qytetin e vjetër, thotë se janë hebrenjtë ata që këtë simbol e kanë përvetësuar nga kultura islame. “Ky nuk është ylli i jahudive, është vula e Hazreti Sylejmanit.
Krejt xhamitë e vjetra e kanë. Jahuditë e kanë marrë para 75 vjetëve, e xhamia është e vjetër 408 vjeçare.” Shamri flet dhe tregon gurin e vjetër brenda xhamisë plot me yje gjashtëcepësh. “E sheh, ata e kanë punu veç në dërrasa, kqyr këtu, edhe në gur është”, thotë duke dashur t’i japë fuqi argumentit të vet.
Prizreni është një ndër qytetet shqiptare me ndikim të madh të kulturave të Lindjes dhe kultet fetare islame janë të shumta.
Pos xhamisë së Sinan Pashës, edhe minarja e Xhamisë së Arastës në Prizren, që ndodhet pranë qytetit të vjetër, ka një heksagram në ballë.
Ai është një objekt i mbrojtur nga shteti si trashëgimi kulturore, por i rrethuar me shitës cigaresh e shitës të tjerë ambulantë.
Pak metra më lart xhamive, shtëpia e burrave të mëdhenj shqiptar. Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit është i zymtë dhe nuk ka asnjë vizitor në ditë me shi. Shtëpia e shndërruar në muze është e ftohtë. Një punëtore hap derën e mbyllur, ndërkaq ciceroni dukej se ish zhdukur diku me punë.
Në përdhesë, në Sektorin Etnografik, në dhomën e parë ndodhen dy sini bakri të fundit të shek 19, njëra nga to ka yllin gjashtëkëndësh në madhësinë e 30 cm të punuar në mes dhe lulen e jetës brenda tij. Në dhomën e fundit janë ekspozuar edhe dy dollap rrobash të gjysmës së dytë të shek 19, njëri ka dy yje në pjesën e sipërme.
Parim Kosova, historiani përgjegjës për kompleksin, thotë se populli shqiptar dhe populli hebrej, gjatë mijëvjeçarëve kanë pasur marrëdhënie të ndryshme, qoftë tregtare, qoftë ekonomike, dhe si rrjedhojë edhe huazime nga njëri-tjetri.
“Në muzeun e Lidhjes posedojmë vetëm këto objekte”. Kosova thotë se ndonëse prezenca e hebrenjve në Prizren ka qenë e pakët, qendra të tjera shqiptare si Shkupi, Gjakova, Peja, Mitrovica e Prishtina kanë pasur një prani të konsiderueshme.
“Kështu që Yllin e Davidit apo vulën e Hazreti Sylejmanit siç njihet te ne në popull, mund ta hasim jo vetëm në objektet e kultit kryesisht islam, qoftë nëpër teqe e qoftë nëpër xhami, po e hasim edhe në ornamente, qëndisje, drugdhendtje, savatosje të enëve të ndryshme.”
Simboli në reliktet kombëtare
Nga kryeqendra e dikurshme në kryeqendrën e sotme. Prishtina ka fshirë me insistim shumë nga gjurmët e historisë së saj, por jo gjithçka. Në lagjen që njihet si lagjja e vjetër e Prishtinës, një ndër shtëpitë e vjetra që i ka shpëtuar rrënimeve është Kompleksi i familjes Gjinolli, i shndërruar sot në Muzeun Etnologjik.
Oda qytetare e familjes që mbante rang të lartë shoqëror është përplot me yje gjashtëcepësh, të gdhendur në dollapët rreth e rreth odës dhe në disa tavolina. Edhe enët në kuzhinën e kompleksit kanë të savatosur simbolin e ‘mësyshit’. Në godinën qendrore ndërkaq veshje kombëtare, stoli argjendi, orendi druri janë të dekoruara me heksagramë të madhësive të ndryshme, herë në formën e Yllit të Davidit e herë në formën e Vulës së Sylejmanit.
Kompleksi i Emingjikut bart një histori kombëtare dhe gjurmë të imta hebreje, derisa lagjja e dikurshme e çifutëve dhe sinagoga në Prishtinë, ka kohë që janë fshirë nga harta e kryeqendrës.
Krahinat shqiptare janë bërë bashkë, në kostume burrash e grash, në arkivin e Eksponateve Etnologjike të Institutit Albanologjik të Prishtinës. “Kjo është veshje e gruas nga krahina e Stugës në Maqedoni.” tregon Trashe Prelvukaj-Loshi, punonjëse në Institut. Gruaja nga Struga kish në jelekun e saj të qëndisur disa yje të kaltër.
Yje të ngjashëm me ngjyrë të kaltër bartte në gjoks edhe nusja nga Drenica. Edhe drenicakes ia kishin qëndisur për ‘mësysh’.
Profesor Ferri thotë se ishin të panumërta paraqitjet e heksagramit në motivet dekorative në arkitekturën popullore shqiptare, në veshjen tradicionale kryesisht të femrave e të fëmijëve, në gjësende të përdorimit të përditshëm si stoli, orendi të ndryshme shtëpiake, dyer, dollapë, djepa, furka, vegla muzikore etj.
Ai tregon se prania më e hershme e heksagramit në trojet tona është dëshmuar në Pejë në një pllakë judeo-krishtere nga periudha antike.
Sipas tij monumenti është dokument i rrallë i cili flet mbi prezencën e hershme të hebrenjve dhe të judeo-krishtërimit në Dardani, respektivisht në trevën e Pejës së sotme.
"Mund të supozohet se këtë simbol në Ballkan e kanë sjellë refugjatët hebrenj pas rënies së shtetit të tyre. Si simbol islam heksagramin apo tashmë “Vulën e Sylejmanit” e hasim në disa raste në monumente gurore në Pejë dhe në rrethinën e saj, por edhe në trevat e Dukagjinit. Meqë motivet e “Vules së Sylejmanit” paraqitën edhe në afërsi të xhamive (rrethina Istogut) si edhe nëpër tyrbe të dervishëve (tyrbja e Sheh Tarës në Nivokaz), s’do mend që kemi të bëjmë me një simbol të besimit islam, i cili në viset tona ka filluar të paraqitet me emisarët e parë myslimanë qysh para Betejës së Kosovës”, thotë ai.
Ylli i Davidit në flamurin e Dardanisë
Në historinë e re të Kosovës ndërkaq, flamuri i propozuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova për shtetin e Kosovës, ka një yll gjashtëcepësh.
Flamuri që u pagëzua si i Dardanisë ka sfondin blu të thellë, sfondin e kuq në rreth, shqiponjën dykrerëshe, stemën, banerin e bardhë dhe heksagramin në ballë. “Ylli gjashtëcepësh është marrë nga flamuri i Skënderbeut.
Quhet ylli i Skënderbeut. Është përdorur si simbol nga shqiptarët antikë dhe korrespondon me Stelat e Mburojës”, me këtë paragraf shpjegohet prania e Yllit të Davidit në flamur, në librin që presidenca e Kosovës e kishte botuar një vit pas vdekjes së tij, më 2007.
Muhamet Hamiti, që kishte qenë këshilltar i presidentit Rugova, derisa flet për kohën nëpër të cilën kanë kaluar, thotë se flamuri ishte projektuar sipas simboleve shqiptare.
Si Magen David apo si Vula e Sylejmanit, si simbol islam apo hebrej, kultura shqipe e ka pranuar si pjesë të veten. Ndonjëherë përkrah shqiponjës dykrerëshe, ndonjëherë përkrah kryqit e ndonjëherë gjysmëhënës, shqiptarët e kanë përdorur qoftë për fuqitë spirituale për t’i bërë ballë demonëve e qoftë vetëm për dekor e hijeshi.
nga Blerina Rogova Gaxha
Zattoo- 600
Similar topics
» Kryqi dhe simboli Chi-rho
» Simboli Falun
» Flamuri - Simboli shqiptar
» Ujkonja, simboli i Romës është 'kopje'!
» Simboli i lules se jetes
» Simboli Falun
» Flamuri - Simboli shqiptar
» Ujkonja, simboli i Romës është 'kopje'!
» Simboli i lules se jetes
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi