EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shqiperia nen syrin e sherbimeve sekrete britanike dhe amerikane

Shko poshtë

Shqiperia nen syrin e sherbimeve sekrete britanike dhe amerikane  Empty Shqiperia nen syrin e sherbimeve sekrete britanike dhe amerikane

Mesazh  Vizitor 26.10.14 0:25

Kush i solli në pushtet komunistët. Një pyetje që akoma dhe sot ngjall mjaft debate nëpër qarqet historike të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane.


Kush i solli në pushtet komunistët. Një pyetje që akoma dhe sot ngjall mjaft debate nëpër qarqet historike të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane. Një vështrim i detajuar në sekretet e arkivave të këtyre shërbimeve

Shqipëria e dalë nga Lufta e Parë Botërore, ishte shumë pak e njohur në arenën ndërkombëtare, megjithëse aktiviteti diplomatik i fuqive të mëdha ndaj shtetit të sapokrijuar nga rrënojat e Perandorisë Otomane ishte mjaft i dendur. Një sërë palësh ndërluftuese kishin shkelur në territoret shqiptare, duke lënë pas, jo vetëm gjurmët e tyre, por edhe një sërë dokumentesh mbi çështjet luftarake, për të cilat ato interesoheshin. Arkivat britanike një pjesë tashmë e hapur për studiuesit e kësaj periudhe na informojnë se shërbimet sekrete britanike gjatë periudhës së fillimit të 1900-s e deri më 1920-n nuk kishin aktivitet të rëndësishëm të së njëjtit nivel me shërbimin diplomatik në këtë vend të vogël Ballkanik, i cili nuk paraqiste asnjë interes të mjaftueshëm për këto shërbime. MI6 apo Shërbimi Sekret Britanik e ka zanafillën e tij në vitet 1909, kur dy shërbimet kryesore të inteligjencës britanike u bashkuan për të krijuar një shërbim më efikas ndaj ndryshimeve që po ndodhnin në politikën angleze, jo vetëm në territoret koloniale, por edhe në Europë. Megjithëse arkivat britanike kanë një sasi shumë të paktë dokumentacioni të kësaj kohe për Shqipërinë, mund të thuhet së ky dokumentacion është mjaft interesant. Në të ka mjaft informacione dhe raporte mbi gjendjen politike dhe ekonomike të saj, si dhe mbi përplasjet e vazhdueshme të fqinjëve për të përfituar territore apo influencë mbi politikanët shqiptarë të kohës.

Fillimet e shtetit shqiptar, përveç disa anglezëve ekscentrikë, të cilët dëshironin të njihnin më afër jetën e popullsisë malore, zakonet dhe kulturën e panjohur deri më atëherë, nuk kishin ndeshur akoma oficerët e Shërbimit Inteligjent anglez apo e njohur ndryshe edhe si SIS. Nga dokumentet arkivore të shfletuara deri më sot, nuk kemi ndonjë provë të saktë për të na bërë të besojmë se shërbimet inteligjente britanike kishin ndonjë rrjet informacioni të ngritur deri në mesin e viteve 1920. Ky fakt tregon qartë se realiteti shqiptar nuk ofronte ndonjë pikëpyetje të madhe strategjike për politikëbërësit e Londrës, të cilët pas Luftës së Parë ishin më shumë të interesuar për të ndarë territoret e ish-Perandorisë Otomane të Lindjes së Mesme, territore, të cilat sapo kishin dhënë edhe shenjat e para të pasurive të naftës. Ruajtja e rrugëve detare drejt kolonive të tyre ishte një preokupim mjaft i madh dhe konfliktet e shpeshta politike shqiptare nuk ngjallnin ndonjë interes të veçantë për diplomacinë angleze.

Përveç ndonjë shkrimi të rrallë në shtypin britanik mbi Shqipërinë e asaj kohe, në përgjithësi publiku anglez nuk kishte ndonjë ide të qartë se çfarë ndodhte në vendin e shqipeve, e cili brenda disa vjetëve kaloi një periudhë të vështirë politike. Megjithëse britanikët ishin përfshirë në disa prej çështjeve të kufijve shqiptarë me fqinjët e tij, përsëri nuk mund të themi së interesi ishte në një shkallë të atillë sa të kthente vëmendjen e shërbimit inteligjent ndaj shtetit shqiptar. Po kështu mund të thuhet edhe për politikën amerikane, e cila si një shtet, i cili akoma nuk e kishte vendosur veten në rolin e një mbikëqyrësi të pozicioneve strategjike globale, nuk kishte asnjë interes imediat mbi Ballkanin dhe në veçanti mbi Shqipërinë.

Gjithsesi, pas krijimit të një qeverie më të stabilizuar dhe me ardhjen e Zogut në pushtet, britanikët në mënyrë mjaft periferike janë interesuar edhe për një informacion më të përgjithshëm mbi Mbretërinë Shqiptare. Shikohet një volum pak më i madh i raporteve që vinë nga Shqipëria, raporte që, gjithsesi, vinin nga kanalet diplomatike.

Britanikët dhe amerikanët hapën legatat e tyre në Shqipëri në vitet 1920, por mesa duket nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, personeli diplomatik nuk kishte lidhje të qëndrueshme me shërbimet sekrete dhe raportet e tyre kalonin nëpërmjet kanaleve zyrtare. Sigurisht që në këto raporte ka të dhëna mbi gjendjen politike, ushtarake por edhe thashethemet e Oborrit të Zogut që, gjithsesi mbetën në kornizën e raporteve diplomatike. Në këto raporte shpesh citohen edhe emrat e burimit të informacioneve, të cilët në përgjithësi janë persona pranë Oborrit të Zogut të cilët kalonin informacion për diplomatët britanikë.
Me ardhjen në fuqi të Musolinit në Itali dhe në veçanti me përpjekjen e Italisë për t’u kthyer në një superfuqi europiane, sigurisht që interesimi britanik drejt Ballkanit u rrit pasi Ballkani shikohej si një fushë logjike e ekspansionit italian. Për një periudhë kohe anglezët e panë Shqipërinë si një fushë logjike të influencës italiane, aq më tepër kur dihej se Mbreti Zog po binte gjithnjë e më tepër nën presionin ekonomiko-ushtarak të fashizmit.

Me rritjen e influencës italiane në Shqipëri dhe penetrimit të shërbimit sekret italian në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare në vitet ‘30, kemi një prani të disa elementëve anglezë në shoqërinë shqiptare, elementë të cilët për rolin dhe aktivitetin e tyre në radhët e shërbimit inteligjent anglez lënë të kuptosh se ardhja e tyre në Shqipëri nuk ka qenë e rastësishme.

Në këtë rast do të veçoja Aubrey Herbert, një aristokrat anglez, i cili ishte oficer i shërbimit inteligjent ushtarak me qendër në Kajro. Hebert, djali i dytë i Erlit të 4-të Carnavon, (vëllai i tij Lordi Carnavon ishte zbuluesi i famshëm i Varrit të Faraonit Egjyptian Tutenkhamun). Vinte nga një familje shumë e pasur dhe kishte një eksperiencë të madhe në Lindjen e Mesme. Si oficer i zbulimit ushtarak fliste disa gjuhë, përfshirë këtu edhe arabisht, por edhe shqip. Herbert u angazhua shumë në fatin e Shqipërisë para dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe dosja e tij ka një sërë raportesh shumë interesante mbi gjendjen e Shqipërisë para viteve 1920, por si mik i sinqertë i Shqipërisë ai nuk duket se ka pasur ndonjë tentative për të krijuar një rrjet informacioni me karakter politik.
S. Clarke, një person shumë enigmatik, pasi fati i tij tragjik dhe vdekja e parakohshme na bëjmë të spekulojmë mbi qëllimin e tij të vërtetë në interesin që tregoi mbi Shqipërinë e Jugut. Një arkeolog, i cili sapo kishte fituar një bursë studimi në Shkollën Britanike të Athinës, ai kishte hyrë në Shqipëri në fund të viteve 1920. S.Clarke përveç interesimit të tij mbi arkeologjinë shqiptare mund të ketë qenë me mision zbulimi. Ditari i tij personal përmban në detaje shumë të dhëna që kanë karakter ushtarak, topografik, ekonomik të së gjithë zonës së Jugut të Shqipërisë. Në ditarin e tij personal, i panjohur për publikun deri më sot, ka pasazhe të qarta, të cilat u referohen shënimeve të tij për raporte më të zgjeruara mbi viset e Jugut të Shqipërisë.

Clarke vdiq mjaft i ri në një aksident në Athinë dhe shënimet e tij me sa duket janë shfrytëzuar nga një arkeolog tjetër, i cili më vonë do të bëhej një prej autoriteteve më të rëndësishme të arkeologjisë britanike, Nicholas Hamond.

Nicholas Hamond, ishte njohës i mirë i Epirit dhe një personalitet i njohur i arkeologjisë angleze, ndjek intenerarin e Clarke-ut dhe viziton gati të njëjtat vende në fillim të 1930-s. Shënimet e tij të hershme kanë shumë të dhëna topografike me interes ushtarak dhe siç do të shikohet edhe me vonë nga zhvillimi i ngjarjeve, Hamond-i është ngarkuar me mision nga shërbimet sekrete për të hyrë në Shqipëri gjatë periudhës së okupimit fashist. Emrin e Hamond-it do ta hasim më vonë në një sërë raportesh që ai i dërgonte zbulimit anglez nga Greqia.

Gjithsesi shërbimet angleze filluan të kishin një informacion paksa më të mirë kur në fund të viteve 1920, Mbreti Zog për të krijuar një forcë profesioniste ushtarake mori në Shërbimin e tij 12 ish-ushtarakë britanikë.
gjeneral major Sir Jocelyn Percy, një ish-ushtarak karriere, pasi kishte luftuar në shumë vende të kolonive britanike, ishte larguar nga ushtria për t’ju kushtuar biznesit të tij privat. Kishte jetuar për disa vjet në Kanada, ku kishte provuar pa sukses të krijonte një fermë bujqësore. I rikthyer në Londër në mesin e viteve 1920 me të marrë propozimin e Mbretit Zog për t’u vënë në krye të Xhandarmërisë Shqiptare, erdhi në Shqipëri së bashku me një dyzinë oficerësh, të cilët ai i rekrutoi vetë në Angli.
Sir Jocelyn Percy pati një karrierë shumë të rëndësishme në krye të Xhandarmërisë së Zogut dhe ishte një figurë që megjithëse italianët nuk e donin në detyrën që kryente, gjithsesi e respektonin për profesionalizmin e tij.

Sir Jocelyn Percy gjatë karrierës së tij ushtarake kishte pasur shumë kontakte me një sërë departamentesh të ushtrisë britanike. Mesa duket, nga dosja e tij ai nuk ka pasur marrëdhënie me SIS-in apo shërbimin e zbulimit ushtarak anglez gjatë ushtrimit të detyrës së tij në radhët e xhandarmërisë shqiptare. Por, gjithsesi, në fundin e viteve ’30, kur influenca italiane ishte tashmë në kulmin e saj edhe në radhët e ushtrisë shqiptare, Sir Jocelyn Percy ishte në kontakt të vazhdueshëm me Zyrën Sekrete MIR, një degë e shërbimit të zbulimit ushtarak, e cila ishte krijuar për të kryer sabotime dhe luftë jo konvencionale. Mesa duket Sir Percy kishte dhënë informacione me karakter ushtarak mbi mundësitë e italianëve për të sulmuar Jugosllavinë apo edhe Greqinë. Sir Jocelyn Percy për një farë kohe ishte konsideruar si një kandidat potencial për të drejtuar përpjekjet britanike të 1941-shit për të infiltruar një mori agjentësh në Shqipëri, por mosha e tij e madhe nuk e lejonte për t’i hyrë një aventure të re.

Kolonel Dayrell Oakley-Hill, një prej zëvendësve të gjeneral majorit Percy, në komandën e Xhandarmërisë Shqiptare do të ishte në fakt një prej kontakteve më të rëndësishme të SIS-it në radhët e ushtrisë shqiptare. Kolonel Oakley-Hill ishte një admirues i shqiptarëve dhe mesa duket koha që ai kaloi në Shqipëri e kishte bërë atë më të afërt me vendin ku ai shërbeu për më shumë se 10 vjet. Lëvizjet e tij në të gjithë Shqipërinë e bënin atë një burim të rëndësishëm për informacion me karakter ushtarak. Në ditarin e tij të botuar pas vdekjes ai është kujdesur që rolin dhe kontaktet që kishte me shërbimin sekret anglez të lihen në një farë mënyre jashtë faqeve të ditarit, por në fakt nga dokumentet arkivore shikohet qartë se ai ka luajtur një rol parësor, sidomos në fundin e viteve ‘39 dhe fillimin e viteve ‘40 në skemën e SIS-it në Shqipëri. Koloneli Oakley-Hill do të ishte, në fakt, një prej aktorëve kryesorë të përpjekjeve të shërbimit sekret britanik për të rekrutuar dhe infiltruar një numër eksponentësh anti-italianë dhe për të filluar një lëvizje anti-italiane në Prill të 1941-shit.

Po kështu, në dosjet e shërbimit të zbulimit anglez, në këtë periudhë dalin edhe emrat e të dy ushtarakëve të tjerë të xhandarmërisë së Mbretit Zog, kapiteni Robert Cripps dhe major Barbrook, të cilët do të shërbenin edhe më vonë në planet e anglezëve në krijimin e një fronti anti-italo-gjerman në Ballkan.

Megjithatë, figura më interesante, e cila gjatë viteve 1920 dhe viteve ‘30 do të jetë pjesë e historisë së shërbimit anglez në Shqipëri, do të ishte studiuesja britanike Margaret Hazlluk.

Hazlluk kishte studiuar në Akademinë Elgin, si dhe në Universitetin e Aberdeen-it dhe Kembrixh-it duke qenë një prej grave të para në Angli që kalonin dyert e këtyre universiteteve prestigjioze. Gjatë një udhëtimi studimi në Anatoli më 1911-n, kishte takuar arkeologun anglez Frederick Hasluck, i cili ishte një nga studiuesit e rëndësishëm të Shkollës Britanike në Athinë. Frederick Hasluck dhe Margaret-a martohen më 1912-n dhe vendosen në Athinë. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore çifti Hasluck, përveç studimeve arkeologjike, të cilat i kishin vendosur ata në një nivel të lartë profesional midis botës akademike, kishin punuar për zbulimin britanik, duke qenë një ndër pikat e ndërlidhjes dhe informacionit që kishin britanikët në Greqi. Nuk dihet se kush nga çifti Hasluck ka qenë personi, i cili ka pasur kontakte i pari me shërbimin anglez. Dokumentacioni i zbuluar në arkivat britanike konfirmon se çifti Hasluck kishte shërbyer gjatë gjithë periudhës së luftës për shërbimet e inteligjencës britanike. Mesa duket, nga këto dokumente në mënyrë të tërthortë del se edhe lidhjet e zonjës Hasluck me Shërbimin Inteligjent Britanik kanë qenë të afërta edhe pas periudhës së Luftës së Parë.

Pas vdekjes së të shoqit më 1920-n, zonja Hasluck ju dedikua përfundimisht punës së saj në çështjet etnografike dhe kulturore të Ballkanit, duke ndërmarrë udhëtime të shumta në Maqedoni, në Greqinë e Veriut dhe në veçanti në Shqipëri. Në vitin 1923 ajo vendoset përfundimisht në Shqipëri dhe udhëton gati në të gjithë vendin për të mbledhur përralla, fabula, histori të vjetra apo tradita etnografike. Vendoset përfundimisht në Elbasan, ku edhe blen një shtëpi të vogël, e cila akoma edhe sot qëndron në këmbë shumë pranë mureve të Kalasë së Elbasanit. Është paksa e vështirë për të vërtetuar rolin e saj të vërtetë për gati 16 vjetët që ajo kaloi në Shqipëri. Puna në drejtim të etnografisë, numizmatikës apo çështjeve të tjera shqiptare që ajo bëri me përkushtim për të gjithë kohën që ishte në Shqipëri e vendosin atë në radhët e pionierëve të çështjeve albanologjike. Gjithsesi, kontaktet e saj në të kaluarën me Shërbimin Inteligjent Britanik nuk kishin sesi të mos lindin dyshimet se puna e saj nuk ishte vetëm etnografia. Është e vështirë të provohet me dokumentacionin që kemi deri më sot në dispozicion, nëse Hasluck ishte agjente aktive me mision në Shqipëri apo jo, por nëse marrim parasysh se Zyra Sekrete e Mbretit Zog e kishte në vëzhgim të vazhdueshëm, si dhe Shërbimi Inteligjent Italian e kishte në listat e tyre primare si një agjente aktive, atëherë mund të supozojmë se zonja Hasluck është personi për të cilën referohet në dokumentin HS7/150 të arkivit britanik se “kontakti kryesor i SIS-it në Shqipëri është një grua”
Anonymous
Vizitor
Vizitor


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi