Misteret e Ahmet Zogut
Faqja 1 e 1
Misteret e Ahmet Zogut
Ahmet Zogu, mbreti i cili qeverisi shqiptarët për 14 vjet, është ndër figurat më të rëndësishme të vendit. Janë gjashtë mistere, ku shoqëruan atë gjatë gjithë jetës së tij. Që nga momenti se si ai mori pushtetin nga duart e Fan Nolit, dashuria e tij me balerinën të cilën e njohu në Francë, plani për të rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti dhe deri tek amaneti që ai la për t'u varrosur në vendin që e ngjiti deri në majën më të lartë të pushtetit. Jeta e një nga njerëzve më të rëndësishëm të shekullit XX, për historinë e shqiptarëve ka mbartur me vete dhe enigma e mbase do të duhet një kohë e gjatë që të zbulohen ose ndoshta nuk do të dalin kurrë në dritë.
Si arriti të merrte pushtetin në dhjetor të vitit 1924, a patën ndikim shtetet fqinje në këtë ringritje të mbretit të fundit shqiptar? Çfarë iu premtoi serbëve për këtë ndihmë?
Pas rrëzimit nga pushteti të Fan Nolit, i cili ishte në krye të qeverisë vetëm prej gjashtë muajsh, në krye të vendit u rikthye Ahmet Zogu. Ishte dhjetori i vitit 1924, kur qeveria e Nolit nuk mundi t'u bënte ballë presioneve dhe trazirave të shkaktuara në vend atë kohë. Noli kishte ardhur në krye të qeverisë me "Revolucionin e Qershorit" apo siç e quajnë disa historianë të asaj periudhe "grusht shteti". Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet u cilësua në atë kohë si rikthimi Legalitetit. Në vitin 1925 u bë President i Shqipërisë dhe mori dhe kompetencat e ministrit të Brendshëm. Zogu kërkoi të vendoste një pushtet të hekurt. Duke parë që ai kufizohej nga disa mbretëri të fuqishme dhe të konsoliduara, siç ishte ajo e Savojës, mbretëria greke, por edhe Jugosllavia në veri, kërkoi të ishte po aq i fuqishëm.
Kështu në vitin 1928, ai realizon ëndrrën e tij të bëhet mbret, duke e quajtur veten "Mbret i shqiptarëve". Në historiografinë shqiptare ende nuk është gjetur një emërues i përbashkët, nëse Zogu erdhi në pushtet në mënyrë të rregullt apo atë e ndihmuan forca të jashtme. Historianët gjatë periudhës së komunizmit e kanë quajtur këtë rikthim të Zogut, të ndihmuar nga ushtria jugosllave e Krajl Pjetrit të Beogradit, duke i premtuar këtij të fundit që do t'i jepte dy zona në veri të Shqipërisë, pikërisht grykën e Vermoshit dhe Shën Naumin. Rikthimi i Ahmet Zogut padyshim ngelet një mister për historinë tonë të shekullit XX.
Dokumentet arkivore tregojnë që ka një marrëveshje midis Ahmet Zogut dhe jugosllavëve, por që ngelet shumë e mjegullt, duke bërë që si pala mbrojtëse e kësaj teze, por edhe ajo që e hedh poshtë, ta kenë të vështirë të flasin me siguri për një marrëveshje të tillë. Shumë historianë japin versionin që Zogu erdhi në pushtet me suport nga jashtë, duke vënë në lëvizje agjenturat e huaja, sidomos ato jugosllave, por që raporti midis shtetit të Ahmet Zogut dhe jugosllave nuk ka qenë i mirë pas këtij momenti, vë në diskutim të madh nëse Zogu ka pasur apo jo përkrahjen e sllavëve. Po t'i referohemi historianit amerikan, Bernd Fisher, i cili ka bërë një nga librat më të plotë për historinë e mbretërisë shqiptare nën udhëheqjen e Ahmet Zogut, ai e cilëson ardhjen e Zogut në pushtet me ndihmë nga Jugosllavia. Menjëherë me ardhjen në pushtet, Zogu përjashton nga Parlamenti të gjithë deputetët e opozitës, shpërndau Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe mori një pushtet të pakufizuar.
Ahmet Zogu është shoqëruar me një nga femrat më të bukura të asaj kohe? Cila ishte balerina që magjepsi mbretin e shqiptarëve dhe pse nuk arriti të lidhte jetën me të?
Njihet vetëm ana zyrtare e Ahmet Zogut dhe pak është folur për jetën e tij private. Ashtu si gjithë udhëheqësit e tjerë edhe Zogu ka pjesën e tij për të cilën ka ende enigma. Përveç të tjerave, mbreti shqiptar ka pasur dhe një të dashur, e cila ishte një kërcimtare mjaft e suksesshme e nga më të pëlqyerat atë kohë në Francë. Tania Vizirova (Visirova), ishte me origjinë nga Besarabia dhe Kaukazi. E pasionuar pas dansit të Isadora Dunkan, ajo arriti që edhe pse shumë e re të hynte në trupën e balerinave të "Folies-Bergère", shumë në modë atë kohë në Paris. Ajo shpejt u bë e njohur për hijeshinë dhe sensualitetin e saj, dhe të gjithë e thërrisnin "la Visarova". Një trup i kolmë, linjat e të cilit shfaqen në fotografitë e pakta që kishte ruajtur Visarova nga ajo kohë. Më 1929, një pikëtakim i çuditshëm do ta lidhte një pjesë të jetës së saj me Shqipërinë. Atë vit, një deputet shqiptar dhe ministri fuqiplotë i ambasadës shqiptare në Paris, e kishin takuar në mbrëmje, pas shfaqjes në "Folies Bergère".
Propozimi i tyre ishte i çuditshëm: të kërcente në pallatin mbretëror të mbretit Zog, për festimin e përvjetorit të parë të mbretërisë shqiptare. Ajo u ishte përgjigjur se do të mendohej, por edhe më pas në Bruksel, ata përsëri e kishin takuar, duke i folur për një kontratë dhe një shumë të majme. "Ç'të bëja? - kujton ajo në kujtimet e saj, - të interpretoja në "Carthacala, reine des Gitans" (Cartala, mbretëresha e ciganëve), - një shfaqje e asaj kohe, - apo të shkoja në Shqipëri?…". Në gusht të atij viti, ajo vendos të shkojë në Shqipëri bashkë me të ëmën e saj, të cilën nuk e ndau nga vetja gjersa ajo vdiq. Kontrata për angazhimin e saj për festimet mbretërore u nënshkrua në Romë, në konsullatën shqiptare dhe në atë rumune, për një periudhë dymujore. Mbreti e priti me ceremoni dhe menjëherë i caktoi një besnik të tij, Dedë Sulin, i cili do ta shoqëronte atë ngado. Pikërisht ky malësor kishte shoqëruar gjatë Luftës së Parë Botërore, komandantin e trupave aleate në Maqedoni, francezin Franchat d'Espery.
Pra balerina ishte në duar të sigurta e besnike. Tanja Visirova, në kohën kur ajo u njoh me A. Zogun ishte vetëm 20 vjeç. Zogu ishte shumë i dhënë pas saj, vajza e re, e cila punonte si balerinë në lokalet e natës në Paris, marrosej pas Zogut dhe dhuratave që ai i bënte. Tanja Visirova kishte lindur nga një baba polak e nënë rumune. Ajo erdhi në Shqipëri me kërkesën e Zogut, mbreti i shqiptarëve e donte afër vetes, megjithëse e dashura e Zogut nuk pëlqehej shumë nga familja e tij. Tanja ishte shumë ekstravagante për t'i pëlqyer një familjeje me tradita. Ajo qëndroi si e dashura e Zogut deri sa ky e kuptoi se nuk kishin të ardhme. Pas largimit nga Shqipëria, Tanja u tërhoq edhe nga jeta e zhurmshme e Parisit dhe shkoi të jetojë në një fermë bashkë me të ëmën. Gjithsesi Visirova u takua edhe një herë të vetme me Mbretin e saj, ku u përshëndetën si dy miq të vjetër, kur ky kishte lënë vendin e tij.
Në 7 prill 1939, a tradhtoi shqiptarët mbreti apo ishte një largim i detyruar? Pse komunistët këtë abdikim nga froni ia morën si pikën më të dobët?
Sapo nga deti zbarkuan forcat italiane, me të njëjtën shpejtësi nga Shqipëria largohet Ahmet Zogu. Ai padyshim iku sepse nuk mund të pajtohej me një pushtim të Shqipërisë. Pas disa tentativave që bënë italianët që ky të lejonte vendin në duart e tyre, në këmbim të ofiqeve dhe pazareve të paskrupullta, kjo gjë nuk u pranua nga Mbreti, i cili së bashku me familjen e tij abdikoi nga froni dhe u nis në mërgim. Momenti që atij i është kritikuar më tepër është pikërisht lënia e bashkëqytetarëve të tij në mëshirë të fatit. Jo rrallëherë në praktikën e historisë botërore, mbretërit pasi kanë parë situatën e vështirë, janë larguar të shpëtojnë kokën e tyre. Këtë rrugë zgjodhi dhe Ahmet Zogu, i cili në moralin e një prijësi të denjë do t'i duhej të luftonte me gjithë shqiptarët kundër okupatorëve fashistë. Gjatë periudhës 1945-1990, kjo jo vetëm që u përdor nga komunistët, por u deklamua me të madhe si një tradhti e lartë kombëtare.
Cila ishte jeta në mërgim e Ahmet Zogut pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe a mendoi ndonjëherë të rrëzonte Enver Hoxhën?
Me largimin nga Shqipëria pas pushtimit të kësaj të fundit nga Italia fashiste, Ahmet Zogu shkon në Francë, duke e cilësuar rikthimin e mbretërisë së tij si një mision të pamundur e megjithëse kishte bërë dhe përpjekje për të ardhur. E vetmja gjë që i kishte mbetur mbretit dhe shpurës së tij, ishin pasaportat diplomatike që u jepnin mundësi të lëviznin lirisht nëpër Evropë. Zogu në vitin 1944 bëri përpjekjen e fundit për të ardhur në Shqipëri. Në atë kohë ishin fuqizuar tepër komunistët, të cilët kishin luftuar si për çlirimin e vendit edhe për marrjen e pushtetit. Kështu kjo tentativë i rezultoi e pasuksesshme, pasi jo vetëm që nuk mund ta merrte më pushtetin nga duart e komunistëve, por as nuk do të kishte më mundësi as të kthehej në vendin që e qeverisi plot 14 vjet, tre vjet si president dhe 11 vjet si mbret. Ai jetoi në Francë duke lëvizur nga një qytet në tjetrin, ashtu si një numër i madh mbretërish të asaj periudhe, që ishin rrëzuar nga froni mbretëror. Jeta e atij që e quajti veten mbret i shqiptarëve nuk do të ishte një jetë e lumtur. Përveç vështirësive që të jep jeta në mërgim, madje i detyruar, atë e zuri dhe një maraz trishtimi për shumë arsye.
A ka gisht Ahmet Zogu në shumë vrasje që ndodhën gjatë qeverisjes së tij, si u hakmor për vrasjen e Esat Pashë Toptanit, që njëkohësisht ishte daja i tij?
Gjatë kohës që ka qenë në krye të vendit, Ahmet Zogu është akuzuar edhe si një njeri që ka ekzekutuar kundërshtarët e tij politikë. Nuk janë të pakta rastet ku shumë figura historike janë eliminuar në rrethana misterioze. Mjafton të përmendësh Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Riza Cerovën apo dhe Avni Rustemin, për të cilët mendohet se ka qenë vetë porosia e Zogut që të eliminoheshin fizikisht. "Po të ndodheshe në opozitë me Ahmet Zogun, ose duhej të mërgoje, ose do të ishe i ekzekutuar". Kjo ka qenë e shkruar në historinë e Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës.
Është vështirë të përcaktosh me saktësi nëse ka një urdhër nga Ahmet Zogu apo jo. Vrasja e gjithë këtyre personaliteteve të shquar të periudhës së Pavarësisë, por dhe pas saj, duhet të ketë një shpjegim. Në zbulimet e fundit të historisë, rezulton se Zogu mund të ketë urdhëruar vrasjen Avni Rustemit, pasi ky i fundit kishte vrarë në një atentat në Paris Esat Pashë Toptanin, që ishte daja i Ahmet Zogut. Është fakt i njohur botërisht, që e ëma e Zogut, Sadije, ishte nga familja Toptanaj e Tiranës. Prandaj, kjo është aluduar si një hakmarrje e Zogut. E ndërsa të gjitha këto ngelen mistere në jetën e një personaliteti siç ishte Ahmet Zogu, pasi do të duhet një kohë e gjatë që të hidhet dritë me fakte dhe argumente bindëse për të gjitha.
Cili ishte amaneti Ahmet Zogut për varrin e tij, pse nuk u realizua kjo dëshirë e njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë në vitet '20-'30?
Në vetminë më të madhe të jetës së tij, atëherë kur të gjitha përpjekjet për të përmbysur regjimin komunist dhe për t'u kthyer në Shqipëri kishin perënduar, gjendja shëndetësore e Mbretit përditë e më shumë keqësohej, kështu edhe sëmundja e tij po i përshpejtonte vdekjen. Më 3 janar 1961, familja mbretërore lë Cannes dhe vendoset në Ablon, në Val de Marne, jo larg Parisit. Më 5 prill, pikërisht ditën e lindjes së Leka Zogut, atëherë kur Ahmet Zogu sapo kishte mbushur 65 vjeç, ai jep shpirt në një nga krevatet e spitalit "Foch", i mposhtur nga kanceri. Jeta e Ahmet Zogut mbyllet pas një sëmundjeje të pashërueshme, shumë larg vendit të tij ku mbretëroi për vite të tëra.
Para se ta mbulonin, Geraldina i hedh një grusht dheu të Shqipërisë të ruajtur gjatë gjithë atyre viteve mërgim, për një ditë të tillë. Pllaka që u vendos në varrin e tij shkruante "Atdheu mbi të gjitha", ndërsa pak përpara se të jepte shpirt, Zogu kishte kërkuar që të varrosej në Shqipëri me çdo kusht. Pas vdekjes së tij, familja do të fillonte të mërgonte pa fund, deri sa për disa kohë u stabilizua në Afrikën e Jugut. Historia mbretërore u mbyll përfundimisht brenda kufijve të Francës, duke lënë pas atë varr të vetmuar, ku çdo vit, në çdo ditëlindje të mbretit, mblidheshin gjithnjë e më pak njerëz… Shumë vite do të kalonin gjersa bashkë me Murin e Berlinit, do të binte dhe totalitarizmi shqiptar. Leka Zogu do të vinte në Shqipëri bashkë me familjen e tij. Mjerisht, kohë më pas, mbretëresha fisnike, Gerladinë, do të vdiste dhe do të varrosej në tokën shqiptare, me dëshirën që shpejt dhe njeriu i saj më i dashur, vdekur mbi 40 vjet më parë, njeriu që e kishte ndjekur pas nëpër udhët e botës, në ditë zhgënjimi e shprese, të mund të vinte në krah të saj. Ëndrra e Ahmet Zogut edhe sot vazhdon të mbetet e tillë, pasi eshtrat e tij ndodhen pikërisht në Francë.
Zattoo- 600
Similar topics
» Edi Rama eshte nip i Ahmet Zogut
» Ahmet Zogu dhe serbët
» Ne dhe Misteret
» Misteret e Tokës
» Misteret e shkencës
» Ahmet Zogu dhe serbët
» Ne dhe Misteret
» Misteret e Tokës
» Misteret e shkencës
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi