EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enneagrami i Gurdjieff-it

Shko poshtë

Enneagrami i Gurdjieff-it Empty Enneagrami i Gurdjieff-it

Mesazh  Zattoo 23.05.14 14:25

Enneagrami i Gurdjieff-it Enneagrami

Enneagrami, ose nonagrami, është një figurë nëntëkulmore, zakonisht përfshirë brenda një rrethi dhe lidhet me disa cilësi ezoterike mistike. Brenda rrethit është një trekëndësh që lidh pikat 9, 3 dhe 6. Figura, e ngjashme me një rrjetë, lidh gjashtë pikat e tjera në një figurë ciklike 1-4-2-8-5-7.

Ky numër i përgjigjet dhjetores periodike 142857 = 1/7. Këto gjashtë pika bashkë më numrin 9 thuhet se përfaqësojnë fazat e shumta të çdo procesi të plotë, dhe mund të lidhet me notat e oktavës muzikore. Kulmet 3 dhe 6 thuhet se përfaqësojnë “pika shkundjesh”, që ndikojnë rrugën e zhvillimit të një procesi.

Fillimisht prezantuar në perëndim nga Gurdjieff, një mistik e mësues shpirtëror greko-armen, si simbol i harmonisë universale, u përdor prej tij në Institutin për Zhvillimin e Harmonishëm të Njeriut, që më vonë u njoh si shkolla e Rrugës së Katërt. Gurdijeff mësoi për Enneagramin nga një vëllazëri sekrete Sufish quajtur Naqshbandi.

Megjithëse ka disa që mëtojnë se simboli nuk është më i vjetër se 500 – 600 vjeçar, origjina duket se shtrihet gjer në kohërat mitologjike të Mbretit Ninus (dhe Mbretëreshës Semiramis), që flitet se themeluan qytetin antik sirian të Nineveh. Numri 9 ka një histori të gjatë simbolizmi në fetë e Lindjes e Perëndimit, madje edhe sot është rrënjosur në kulturën pop e rrok nga banda shumë të njohura.

Gurdjieff argumentoi se shumë prej religjioneve dhe traditave spiritual të historisë njerëzore harruan parimet e tyre fillimore, prandaj nuk I shërbenin më njerëzimit për atë që ishin caktuar. Si pasojë, njerëzit dështuan në kuptimin e vërtetë të mësimeve të lashta, duke u shndërrua në automatë, të prekshëm nga kontrolli shoqëror dhe hipnoza në masë. Ai e pa Enneagramin si model, i cili mund të përdoret në shumë mënyra për të kuptuar e lidhur përsëri me botën e natyrshme.

Disa prej ndjekësve të tij e zhvilluan Enneagramin në një model për të analizuar personalitetin njerëzor dhe rritjen e vetëdijes.

Sipas Gurdjieff, figura është simbol i përfaqësimit të “ligjit të shtatë” dhe “ligjit të tretë” (dy ligjet themelore universale në sistemin e tij) dhe, sipas këtij këndvështrimi, simboli mund të përshkruajë çdo fenomen të plotë natyral, kozmos, proces jetësor apo dije të ndryshme. Figura është glifi i organizmit qendror të këndvështrimit Rrugës së Katërt për botën materiale, të cilën Gudjieff, sipas ndjekësit Ouspensky, e lidhte me alkiminë.

Shembulli më i hollësishëm sesi kjo funksionon, është shpjegimi i Gurdjieff për futjet në trupin njerëzor (ushqim, ajër e mbresa, bashkë marrë si lloje ushqimesh) procedohen në të ashtuquajtura “substanca të larta”, të nevojshme funksione të larta të vetëdijes. Propozimi i këndvështrimit alkimik të lëndës, është thelbësor në atë që “gjithçka është lëndë, materie”; vetëdija dhe shpirti konsiderohen si aspekte të lëndës, megjithëse shumë më të përmirësuara ose të një “vibrimi më të lartë” sesa aspektet e perceptueshme.

Ky propozim është thelbësor për pikëpamjen e Gurdjieff për evolucionin e ushqimin në “lëndë më të lartë”; përmbledhur shkurtimisht nga “Në kërkim të së Mrekullueshmes”: Ushqimi i zakonshëm DO hahet dhe hyn në trup në pikën 1, pastaj në zorrën e vogël MI në pikën 2. Këtu ushqimi nuk zhvillohet dot më vetë dhe ka nevojë për një “shtytje”, që në këtë rast është Ajri, një lloj tjetër ushqimi edhe ky, që hyn në pikën 3 si një DO e re, duke u bashkuar me ushqimin tashmë në gjak në pikën 4, FA për oktavën e shqimit të zakonshëm dhe RE për oktavën e Ajrit.

Në këtë pikë humb korrespodenca e qartë me psikologjinë shkencore, por pika 5 përfshin substancat dhe energjitë e përdorura në mendim; pika 6 i takon mbresave, trajtuar si lloj ushqimi edhe këto, të cilat hyjnë në trup. “Mbresat” do të shërbejnë si shtytje nëse forcohen nga ushtrime “vetëkujtese” mësuar nga Gurdjieff, duke lejuar oktavat e Ajrit e Mbresave të lëvizin mes pikave 7 e 8. Ndryshe, vetëm oktavat e ushqimit të zakonshëm lëvizin drejt pikës 8. LA në pikën 7 përfaqëson energjitë emocionale dhe të tjera në pikën 8, SI në fund të oktavës së parë të “ushqimit të zakonshëm” përfaqëson energjitë seksuale; të cilat janë “lënda më e lartë”, që trupi prodhon natyrshëm pa ndërhyrje të vetëdijshme.

Një dëshirë për të ruajtur këtë “substancë të lartë” për qëllime ezoterikë thuhet se është arsyeja themelore për beqarinë fetare. Me ndërhyrjen e vetëdijshme në pikën 6 të “vetëkujtesës”, krijohen më tej e më shumë “lëndë të larta”, përfaqësuar nga oktava e ajrit SOL në pikën 8 dhe oktava e Mbresave MI në pikën 8. Një shkundje tjetër e vetëdijshme më tej, që kërkon “një lloj të veçantë kontrolli të emocioneve” në pikën 9 duhet të mundësojë një trup të ri shpirtëror “më të lartë” për të zhvilluar, dhe ky theksohet nga Gurdjieff si qëllim i tij dhe traditave të tjera ezoterike.

Sipas kësaj logjike, shihet se emocionet varen nga “lënda më e lartë” se mendimi dhe ndjenjat seksuale po nga “lëndë më të larta”. Krijimi i universit përshkruhet gjithashtu në terma të oktavës, Rrezja e Krijimit, pra padyshim në terma të Enneagramit.

Pjesa e poshtme është shkëputur nga leksioni i Gurdjieff, ku prezantohet Enneagrami:

Në çdo njeri është ngulitur një nevojë, dëshirë, për dije, që ndryshon vetëm nga intensiteti. Por mendja pasive njerëzore, ndërsa vë në punë me çdo mënyrë marrjen e mbresave, shpesh gjendet në një rrugë pa krye në përpjekjen për të gjetur përgjigjen e pyetjes Pse. Sytë e njeriut verbohen nga dritat e forta të ngjyrave të shumëformësimit, dhe ai nuk sheh dot nën sipërfaqen xixëlluese thelbin e fshehur të njësisë të gjithëqenies. Kjo shumëformshmëri është kaq reale sa mënyrat e vetmuara të saj i qasen atij nga gjithë anët – disa me anë të deduksionit logjik e filozofisë, të tjera nga rrugë besimi e ndjeshmërie.

Që prej kohërave më të lashta deri në epokën e sotme, përmes kohërave të jetë së vet, njerëzimi si tërësi është djegur nga dëshira për dijen e kësaj njësie dhe e ka kërkuar, duke u dhënë pas filozofive të ndryshme e religjionesh, të cilat ngelen, siç ishin, përmendore në shtegun e këtyre kërkimeve për Rrugën, dhe që prijnë në dijen e unitetit. Këto gjurmime rrezatojnë në Rrugë si kordat e një rrethi që sa më shumë afrohen me njëra-tjetrën aq më shumë afrohen me qendrën.

Vetë qëllimi paracakton drejtimin e shtigjeve dhe sjell endacakët në rrugën e një dijeje për Njëshin, që kap thellësitë ku dija bëhet realitet për njohësin dhe nuk mund t’i përcillet një tjetri, i cili nuk ka të njëjtën shkallë zhvillimi. Fjalët dhe nocionet e gjuhës bisedore bëhen të vdekura e boshe, duke mos i përcjellë asgjë atij që nuk zotëron dije të tillë brenda vetes. Njësoj si nuk i shpjegohet dhimbja e dhëmballës atij që nuk e ka provuar kurrë, dhe siç ndryshimi mes ngjyrave nuk mund t’i përçohet të lindurit i verbër, dhe pasuria e ndjesisë dëgjimore nuk mund t’i komunikohet shurdhit, njësoj edhe ju nuk mund të shprehni me fjalë thellësinë e dijes që është pjesë e qenies njerëzore.

Fjalët dhe idetë e epokave ndryshojnë sipas kushteve të vendit e kohës; uniteti është i përjetshëm e i pandryshueshëm. Ligjet që veprojnë ndër ne dhe që prodhojnë shumësin e supozuar prej nesh, janë kudo të njëjta. Që prej kohëve të lashta njerëzimi e ka kuptuar këtë, dhe, duke shfrytëzuar gjuhën e simboleve e formulave, shumë më e përkryer sesa gjuha jonë e sotme, u ka përcjellë këtë dije brezave pasardhës. Dhe kushdo që i qaset simbolit i pajisur me njohuri të plota për të, zotëron një sintezë të plotë të tij. Në mënyrë figurative, e ka këtë simbol brenda vetes.

Një simbol, me shprehjen e njohurisë për ligjet e unitetit, shpreh njëkohësisht edhe rrugën drejt tij. Krah ndihmës me simbolet themelore, ndërkohë që ata u shkrinë në sfera më të gjera, nisën e u shfaqën në ekzistencë, varësisht tyre, simbole dhe formula të tjera. Çdo gjë në botë është një dhe qeveriset nga ligje të njëtrajtshme, siç e theksojnë edhe Pllakat e Smeraldta të Hermes Trismegistus: “Si lart, edhe poshtë”. Gjithë ligjet e kozmosit i gjejmë në një atom të vetëm.

Dhe në çdo fenomen që ekziston si diçka e plotësuar në varësi të ligjeve (d.m.th në gjithë plotësitë). Dija e ligjeve të shumësive të Njëshit ishte gjithmonë e bazuar në ngjashmërinë e mikrokozmosit me makrokozmosin – e njeriut me universin dhe anasjelltas. Ligjet themelore të 3 dhe të 7, të parimeve aktive, pasive e asnjanëse, ligjet e veprimtarisë, gjenden e vërtetohen në gjithçka, prandaj, duke mbërritur në dijeninë për strukturën e botës, njeriu ishte e kishte të pamundur t’i shmangej rrugë së vetënjohjes.

Objekti më i afërt e përherë i gatshëm për njohje i njeriut ishte gjithmonë vetja, duke qenë se ishte shprehja e veprimtarisë së gjithë ligjeve të kozmosit. Formula “Njih Veten” është, në këtë këndvështrim, kuptimplotë: është një prej simboleve të dijes për të vërtetën. Duke u njohur me simbolet që shprehin ligjet e krijimit, njeriu do të mësojë vetë ligjet, e, duke mësuar këto në vetvete, ai ecën në shtegun e vetëdijes, dhe, në këtë kuptim, çdo simbol na mëson diçka për veten tonë.

Duke mësuar të dallojë ligjet e evolucionit dhe involucionit, sintezave dhe analizave, po dhe jo, të mirën e të keqen, energjinë dhe lëndën, lëvizjet përparuese dhe ato prapanike, njeriu do të shquajë qartë gjithashtu veprimet e dyanshme të këtyre ligjeve. Do të mësojë ligjet e mëdha të njohura për urtinë antike, ligjet dyjare dhe treshe ashtu siç zbatohen për kozmosin dhe veten.

Duke i lidhur mes tyre e duke i përmbledhur në ciklin e përjetësisë; bashkë me shfaqjet e tyre brenda rretheve të rikthimit e cikleve që ndodhin sipas ligjit, brenda ciklit të përjetësisë pranverore në planin e kohës sonë, brenda ciklit të vibrimit të përjetshëm dhe luftës në vetvete gjatë rrugë së vetënjohjes, njeriu me gjithë qenien e vet, hap pas hapi do të përshkojë rrugën e formimit në vetvete të simboleve të mëdha, të cilat kanë mbërritur deri te ne me emrin “Vula e Solomonit”.

Enneagrami i Gurdjieff-it Vula-e-Solomonit

Çfarë parashtrova tregon sa e vështirë shndërrimi i gjuhës së simboleve në gjuhën tonë bisedore, sesa pak kuptim ka në shpjegimin e një simboli njeriut që nuk ka dijeni ta kuptojë atë. Dhe, sado e çuditshme të duket, është fakt që ndjesi a simbolit, zbulimi i natyrë së tij, mund t’i jepet vetëm atij që tashmë e dinte më përpara, dhe për të simboli është tërësia e dijes së tij, e njëjta formulë për shprehjen e dijes siç ishte për atë që e mbrujti.

Si mund t’i thuhet një njeriu që nuk e njeh këtë sistem simbolesh, dhe ai ta kuptojë, se dija e unitetit, sipas kuptimit të vetëdijes e vetëpërkryerjes për njeriun, është asnjanësimi i dyshes nga treshja dhe shndërrimi i kësaj në katërshe, në mënyrë që të mbyllet pentagrami e të plotësohet “Vula e Solomonit”.

Enneagrami i Gurdjieff-it Shtegu-simbolik

Por, le ta zëmë se po flasim për zhvillimin harmonik të trupit njerëzor, dhe sesi ligji është gjithmonë i njëjtë në zbatimin e formulës së caktuar për këtë zhvillim. Si mund të përkthejmë formulën e shpallur në lidhje me këtë? Çfarë duhet zëvendësuar për ta deshifruar? Gjithë ndjesitë, mbresat, ndjenjat e mendimet e njeriut ndahen në të sakta e të çrregullta, të nevojshme e të panevojshme, të kënaqshme e bezdisëse, dhimbje e gëzim. Kjo është dyshja përgjatë së cilës gjithë mbresat, gjithë jeta e njeriut përvijon. Kjo dyshe është çdo person që shikon brenda vetes. Mund të jetojmë mes këtyre përmasave kalimtare, duke u dhënë në rrymë dhe ta lëmë të na marrë tutje.

Por, gjithë këtij procesi që zhvillohet pavarësisht vullnetit tonë, gjithë këtyre “që dëshiron”, mund t’i kundërvëmë “Dëshirën” tonë, lidhim së bashku “po” dhe “jo”, nxitim diskutim mes dy kundërshtive, një luftë mes dy parimeve, dhe i asnjanësojmë me anë të treshes. Një debat I madh, nëse nuk është pa qëllim, duhet të japë një rezultat, një përfundim dhe një pasojë, dhe atëherë kemi katër elementë: po, jo, debat, rezultat; që do të thotë, shndërrimi i dyshes në katërshe. Kjo është gjysma e parë e formulës. Pjesa e dytë e saj flet vetë dhe në këtë mënyrë tregon drejtimin e zgjidhjes.

Çdo përfundim që përfaqëson përmbylljen e një rrethi jep diçka të re, që në vetvete mund të veprojë anasjelltas me diçka tjetër. Kjo “diçka”, shprehur veten e kushtëzuar, mund të jetë drejt ose gabim, që do të thotë, ose nxit formacionin e asaj për të cilën u prodhua, ose e pengon atë.

Merrni një rreth çfarëdo: le të themi se më duhet ngutshëm një e dhënë për qëllimin tim apo diçka tjetër që nuk mund ta gjej prej njohjeve të mia. Por nuk shkoj mirë me të, pasi njëherë më ofendoi, dhe, që t’ia kërkoj më duhet të ndeshem me vetëkrenarinë time. Ka shumë faktorë që hyjnë në punë, siç është frika e mospranimit apo mospranimi i atij tjetrit, etj., ku nuk do të hyjmë tani. Në përfundim, zgjodha të shkoj tek ai e t’i kërkoj me çdo kusht një përgjigje. Nëse e kam ndarë mendjen mirë të mos lejoj asnjë rastësi ta lëkundë, vendimi im do të ndihmojë atë që marr përsipër. Nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm arrij në përfundim të kundërt, do të bllokojë qëllimin tim, por mund të dalë për mirë në ruajtjen e figurës sime dhe kursimin e energjive nervore. Sidoqoftë, të fala porosisë sime, që është pengesë. Si pasojë, çdo rezultat duhet parë në lidhje me efektin për të cilin u prodhua.

E, ndërsa flasim për zhvillimin harmonik të trupit fizik, makinerinë e njeriut, çdo “debat” vetor duhet të çojë në një zhvillim, pra, përvetësimin e një funksioni të ri jo të rregullt të asaj makine. Dimë që në të janë 5 kryeqenda: qendra mendore, organi formulues, qendra emocionale, qendrat lëvizëse dhe seksuale. Zhvillmi i njëanshëm i njërës prej tyre çon në hipotrofi, tipi i njeriut të njëanshëm. Ka 5 modele të tillë. Por nëse të pesta qendrat zhvillohen njëherësh te njeriu ai “përmbyll” brenda vetes pentagramin për vetë faktin se

ka ngritur jetën e punën me gjithë qendrat në përputhje harmonike.

Duke vepruar sipas ligjit e jetuar në harmoni ai përfaqëson natyrën e përfunduar fizike të njeriut, është modeli i bashkimi të 5 në 1. Është një, e njëherësh 5, pasi mund të jetojë si një prej atyre 5 dhe si të pestë njëherësh. Është një yll gjashtëcepësh, dhe duke u bërë zotëruesi i kësaj harmonie e veçuar veten nga jtihë ndikimet e jashtme, duke mbyllur veten lart në një rreth të pavarur, në një jetë të mbyllur në vete, është ndërgjegjësimi vetjak i “Vulës së Solomonit”.

Enneagrami i Gurdjieff-it Njeriu-si-pentagram

Pra, e shihni serinë e simboleve të përmendur që parashtrohen kur zbatohen në metodën që po marrim parasysh. As mos mendoni se ky është një interpretim i plotë. Mund të bëhet i dukshëm e kuptohet prej atyre që, në këtë kuptim, zotërojnë njëfarë njohurie e kuptimshmërie. Por, simboli që shpreh një ligj gjithëpërmbledhës e tërësor, është ipso facto (vetë rrethanat) gjithëpërfshirës dhe, për këtë arsye, nuk mund të shpjegohet në mënyrë jo shteruese: mund vetëm të jetohet e provohet.

… … …

Para mbylljes së fjalës, dua të them diçka për atë që quhet “Nistim”. Nistimi shihet rëndom si akt prej të cilit “Njohësi” i kalon një njeriu tjetër “të paditurit” dije e fuqi gjeraty të pazakonta për të; duke e caktuar si gjë që bëhet, atribut, zotërim i patjetërsueshëm i tij.

Por, pas gjithë sa u tha prej meje sot këtu, do të jeni të aftë të kuptoni se, nuk ka e nuk mund të ketë transferim të tillë. Ekziston vetëm vetënistim, i cili fitohet vetëm përmes punës së përhershme e kokëfortësisë në përpjekje të qëndrueshme. Askush nuk fsheh dijen e së Vërtetës.

Thjesht nuk mund të jepet apo kalohet e falet, ashtu siç nuk mund t’i jepen njërit që nuk njeh matematikën ide të përsosura matematikore, dhe, përsa u përket pyetjeve në lidhje me transferimin e dijes së të Vërtetës, gjërat janë shumë më të ndërlikuara se shembulli. Mbase keni qenë të zotët t’ia mbushnit mendjen vetes sot për këtë. Mund t’i mësosh dikujt matematikë, përveçse ta bësh të kuptojë të vërtetën që zotëron në vete. Dhe, mjerë njeriu që, nën ndikimin e helmit që duket si e Vërteta, e me orvatje ndaj “rrjedhojave” praktike pa zotëruar kuptimin e dijen e përkryer për çka duhet bërë e si duhet bërë, nis të provojë mbi veten, duke i bërë vetes dëme të pandreqshme. Harmonia shkatërrohet dhe, padyshim që, më mirë të mos bësh asgjë, sesa të bësh pa qenë i ditur.

Përktheu Arben Orhani
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi