Fjalor i Shkurter i Mitologjise Shqiptare
Faqja 1 e 1
Fjalor i Shkurter i Mitologjise Shqiptare
B
BAJLOZ
Figurë mitologjike ilire në legjendat dhe rapsoditë popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vigan, i cili vinte nga deti e bënte të këqija.Lufta me bajlozin.
BOLLËSHARDE
Qenie nga mitologjia shqiptare që përfytyrohet në përrallat popullore si një gjarpër i madh me shumë koka.
BRIQEN
Qenie nga mitologjia ilire, që del në përrallat popullore si shtazë me një bri.
BRIVETMI
Qenie mitologjike, që del në përrallat popullore si një shtazë me një bri në ballë dhe që shëmbëllen me kalin.
BUBAZHEL
shih BUBË
BUBË
Qenie fantastike nga mitologjia shqiptare, që përfytyrohej si përbindësh a si gjarpër i madh, me të cilin trembnin zakonisht fëmijët e vegjël; gogol, vovë.
BUSH
Qenie e përfytyruar si kafshë, e cila, që, jetonte nëpër këneta dhe ndillte shi duke ulëritur.
BUSHTËR
Qenie e mitologjise shqiptare përfytyruar si kuçedër, që villte zjarr e rrufe.
C
CERBER
Kafshë mitologjike që përfytyrohej si një qen i egër me tri kokë, i cili ruante hyrjen e botës tjetër.
D
DEMON
Qenie mbinjerëzore me fuqi të fshehtë, që besohej se kishte në dorë fatin e një njeriu, të një familjeje, të një fisi etj.; qenie e mbinatyrshme që mund t'i sillte njeriut të mira ose të këqija
DIV
Figurë e përrallave popullore, që parafytyrohej si një përbindësh me trup jashtëzakonisht të madh e me fuqi mbinjerëzore, i cili ha shumë, rrëmben njerëz etj. dhe banon zakonisht në shpella a nën tokë.
DJALL
Sipas besimeve mistike-fetare: qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si një njeri me brirë, me thundra e me bisht; mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të liga; shpirti i keq, e keqja, e liga, dreqi, shejtani.
DJALLUSH
I vogli i djallit; djall i vogël
DJEPËSOR
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si një fëmijë dragua, i cili dilte me gjithë djep në luftë kundër kuçedrës ose keqbërësve të tjerë.
DRAGUA
1. Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si një njeri shumë i fuqishëm, i cili luftonte me trimëri të rrallë me kuçedrën derisa e vriste.
2. Kuçedër.
DREQ
shih DJALL
DUHAÇ
Qenie mitologjike, e përfytyruar si një kuçedër me bisht të gjatë, që villte tym nga goja.
DH
DHËMBËSUTË
Figurë e mitologjisë popullore, e përfytyruar si një pelë e shurdhër, së cilës i hipte kushdo që donte të shpëtonte nga rreziku.
DHËMBËZEZË
Shtrigë me dhëmbë të zezë
E
EZHDËRHA
Figurë e besimit popullor që përfytyrohej si
kuçedër; bollësharde.
F
FATI
Secila nga tri figurat e përrallave popullore, që përfytyroheshin si gra, të cilat gjoja vinin te djepi i fëmijës natën e tretë të lindjes dhe paracaktonin fatin a të ardhmen e tij.
FATTHËNË
1. Vendi a faltorja ku në kohët e lashta priftërinjtë parashikonin gjoja të ardhmen e njerëzve duke shprehur, sipas tyre, edhe mendimin e hyjnive.
2. Fatia.
FLAMË
Figurë e mitologjisë popullore, që quhej shkaktare për sëmundjen e tokës dhe për sëmundje të tjera të rënda.
FLOÇKË
Figurë e besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur me flokë të gjatë,e cila rrinte në liqene e në lumenj dhe dilte nganjëherë në breg për t’u krehur; gërshetëz.
FLOKËZ
Floçkë.
G
GANEC
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si një burrë shumë i dobët, i cili u tregon udhën shtrigave dhe i ndihmon; shtrigan.
GËRSHETË
Gërshetëz.
GËRSHETËZ
Figurë e besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur e me flokë të gjatë, e cila rrinte në lumenj e liqene dhe dilte nganjëherë në breg për t'u krehur; floçkë, nuse e ujërave.
GRABOFÇ
Qenie mitologjike, që përfytyrohej si një gjarpër i madh e i trashë me dy koka. Qan me lot grabofçi përpiqet të mashtrojë e të mallëngjejë të tjerët, duke u shtirë sikur gjoja i dhimbset diçka, sikur gjoja është i dëshpëruar e vuan; qan me lot krokodili.
GRIFË
Kafshë e madhe që përfytyrohej si përbindësh me krahë, me trup luani dhe me kokë shqiponje (në mitologjinë antike).
GJ
GJIGANT
Qenie mitologjike me shtat jashtëzakonisht të madh e me fuqi të mbinatyrshme, vigan.
GJYSMËKALË
Qenie mitologjike, që përfytyrohej me kokë njeriu dhe me trup kali.
GJYSMËNJERI
Qenie mitologjike, e përfytyruar me kokë njeriu dhe me trup kafshe.
GJYSMËPERËNDI
Qenie e mitologjisë së lashtë, që përfytyrohej sikur vinte nga një perëndi dhe sikur bënte mbi tokë vepra të jashtëzakonshme.
GJYSMËPESHK
Qenie mitologjike, e përfytyruar me kokë njeriu e me trup peshku.
H
HAJNJERI
Njeri që besohej se ishte me trup të madh e me një sy dhe hante njerëz, ciklop.
HIDËR
Përbindësh ose gjarpër i madh me shumë koka, të cilat, sipas mitologjisë, rriteshin përsëri po t'i prisje.
J
JASHTËSME
Qenie mitologjike, të cilat, sipas besimeve popullore shqiptare, rrinin nëpër pyje e male, rrëmbenin djem e vajza dhe luanin valle së bashku pa pushim derisa të rinjtë të treteshin e të vdisnin, nuset e malit.
JUD
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si lugat, i cili dilte natën dhe përleshej me njerëzit, sidomos me pijanecët.
K
KARKANXHOLL
Figurë mitologjike, që përfytyrohej si njeri i vogël, shkurtabiq, i veshur me këmishë prej hekuri dhe që ishte i zoti të bënte çudira.
KATALLAN
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si një njeri i egër, me shtat vigan e me një sy në ballë, i cili hante njerëz; ciklop.
KATRAVESH
Personazh i përrallave popullore, që përfytyrohej si një bishë shumë e egër dhe e tmerrshme, e ngjashme me kuçedrën.
KSHETËZ
shih GËRSHETËZA
KUÇEDËR
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si një gjarpër shumë i madh, me shtatë deri dymbëdhjetë kokë, i cili hante njerëz dhe bënte dëme e të këqija.
KUKUDH
Figurë e mitologjisë shqiptare që përfytyrohej si një burrë i shkurtër e me bisht, i cili dilte natën nga varri dhe shëtiste rreth e rrotull; lugat.
KUKUVRIQ
Kukudh, lugat.
L
LANET
Djalli, shejtani, dreqi.
LAURË
Figurë e mitologjisë popullore shqiptare, e cila,përfytyrohej si një grua e shëmtuar dhe e keqe, që jetonte ndër lumenj e pellgje e mund të shndërrohej në një kafshë të vogël dhe dilte brigjeve duke bërtitur me zë të çjerrë.
LUGAT
Figurë e besimeve të kota, që përfytyrohej si njeri, i cili në gjallje të tij ishte shumë i keq dhe pas vdekjes ngrihej natën nga varri, endej rrugëve e nëpër shtëpi dhe trembte njerëzit.
LL
LLAMJE
Figurë e besimeve popullore, që përfytyrohej si një gjarpër shumë i madh, i ngjashëm me kuçedrën, i cili, sipas këtyre besimeve, jetonte në kroje e në puse, pinte ujërat e hante edhe njerëz.
M
MAKTH
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohet si njeri, i cili gjoja vjen natën e të zë frymën, por, po ta kapësh, mund të të japë çdo gjë që i kërkon në atë çast; të rëndët e dheut.
MAUTHI
Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur, e veshur në ar dhe që mbante një kësulë të stolisur me gurë të çmuar.
MELAQE
Orët; zanat.
MIRË
Figurë e mitologjisë popullore, e ngjashme me zanën, orën etj.; secila nga të tri gratë që, sipas mitologjisë popullore, i presin fatin një foshnjeje pranë djepit të saj natën e tretë pas lindjes ose që u ndihmojnë njerëzve kur këta ndodhen ngushtë; fati i mirë, fati.
N
NEKTAR
Pije e posaçme, të cilën, sipas mitologjisë së lashtë, e përdornin perënditë.
NJ
NJËBRIRËSH
Kafshë me një bri.
O
ORË
Figurë e besimeve popullore shqiptare, e cila përfytyrohej si një grua, si një gjarpër etj., besohej se jetonte në male, në pyje, në fusha, në kroje ose pranë njerëzve, u ndihmonte a u sillte fat të mirëve dhe ndëshkonte të këqijtë.
ORËBARDHË
Ora e bardhë.
P
PERRI
1. Figurë e besimeve popullore që përfytyrohej si një vajzë shumë e bukur; hyri.
2. Xhind.
PËLHURË
Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohet si një qenie e gjatë dhe e bardhë, e cila u del përpara njerëzve natën dhe u pret udhën.
PËRBINDËSH
Qenie përrallore që përfytyrohej me trup jashtëzakonisht të madh e me pamje të shëmtuar dhe që u kallte njerëzve tmerrin.
PINGËRON
Lëshon zana një zë karakteristik si cicërima e zogjve, sokëllin zana, sidomos në pragun e një ngjarjeje me rëndësi.
PLAKË
Tri ditë të ftohta në fund të marsit a në fillim të prillit, që lidhen me një përfytyrim popullor për një plakë, e cila, duke kujtuar se kishte ikur dimri, shau marsin
dhe për këtë ai e ngriu në vend; shkundadimër.
PREVË
Vitore.
Q
QIPULL
Figurë e besimeve popullore që përfytyrohej si xhind.
S
SIRENË
Figurë mitologjike që përfytyrohej nga grekët e lashtë si qenie me pjesën e sipërme të trupit si grua ose si zog e me bisht si peshk, e cila rrinte mbi shkëmbinjtë e detit dhe me këngën e saj joshte anijetarët aq sa i bënte të mbyteshin.
SPRIJË
Qenie fantastike e mitologjisë popullore, që përfytyrohej si një përbindësh i pangopur, i ngjashëm me kuçedrën.
STIHI
Figurë e përrallave popullore, e cila përfytyrohet zakonisht si një qenie me krahë, që nxjerr flakë nga goja ose si një gjarpër që ruan thesaret e fshehura nën dhe.
SYQENËZ
Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si një plakë keqbërëse me dy sy përpara dhe dy prapa.
SH
SHEJTAN
Sipas besimeve mistike-fetare: qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si një njeri me brirë, me thundra e me bisht; mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të liga, shpirti i së keqes; djalli, dreqi.
SHITË
Ndëshkimi që i bënin zanat atij që u prishte padashur vallen ose tryezën, të shuplakurit, të shituarit.
SHITOJ
Të ndëshkojnë orët a zanat, kur padashur u prish vallen ose tryezën, duke të marrë këmbët, duart, gojën ose duke të magjepsur, shuplak.
SHITUAR
Që i ishin marrë këmbët, duart, goja ose që ishte magjepsur nga orët e zanat.
SHPIRT
Qenie e patrupëzuar, që ka fuqi të mbinatyrshme dhe vepron në jetën e njerëzve e në natyrë duke bërë të mira e të këqija.
SHTATËPËLLËMBËMJEKËR
Figurë e përrallave tona popullore, që përfytyrohet si plak fare i shkurtër me mjekër shtatë pëllëmbë të gjatë dhe me fuqi të jashtëzakonshme.
SHTOJZORRESHTA
Shtojzovalle.
SHTOJZOVALLE
Figura të përrallave e të këngëve popullore, që përfytyrohen si vajza shumë të bukura e me fuqi të mbinatyrshme, të cilat jetojnë në bjeshkë e në pyje të dendura dhe e kalojnë kohën me këngë e me valle.
SHUMËKOKËSH
Që ka shumë kokë. Përbindësh shumëkokësh.
SHUMËKRERËSH
Shumëkokësh. Hidër shumëkrerëshe.
TH
THOPËRÇ
Figurë e mitologjisë popullore, që përfytyrohej si xhind i vogël.
V
VAMPIR
I vdekur që del natën nga varri për të thithur gjakun e njerëzve të gjallë; lugat.
VIGAN
Figurë mitologjike që përfytyrohej si njeri me trup jashtëzakonisht të madh e me fuqi të mbinatyrshme, gjigant.
VITORE
1. Qenie mitologjike që përfytyrohej si një gjarpër me brirë të artë dhe që besohej se pillte ar e sillte fat e lumturi aty ku shkelte; kafshë që përfytyrohej si një gjarpër i shkurtër e i trashë, i bukur e pa helm dhe që besohej se rrinte në vrimat e mureve, ruante shtëpinë e i sillte kësaj mbarësi.
2. Secila nga tri fatitë, të cilat përfytyroheshin si gra që i vinin foshnjës te djepi natën e tretë pas lindjes për t'i caktuar fatin.
VURKOLLAK
Lugat; vampir
Z
ZANË
Figurë e besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej si vajzë shumë e bukur dhe luftarake, e cila jetonte në male e në pyje, u ndihmonte trimave, por kishte fuqi edhe të ndëshkonte duke shituar.
ZANON
E shiton zana dikë, e shkal, e shuplak.
ZËRË
Zanë.
Zattoo- 600
Similar topics
» Figurat e Mitologjisë Shqiptare
» Histori e Mitologjise shqiptare
» Magjia e mitologjisë shqiptare
» Historia e Mitologjise shqiptare
» Fjalor - Shpjegimi i Endrrave
» Histori e Mitologjise shqiptare
» Magjia e mitologjisë shqiptare
» Historia e Mitologjise shqiptare
» Fjalor - Shpjegimi i Endrrave
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi