EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Funksioni i Artit

Shko poshtë

Funksioni i Artit Empty Funksioni i Artit

Mesazh  Luli 26.03.14 23:29

Funksioni i Artit Explor13

Arti

Në kuptimin më të gjerë, arti është kristalizimi i vlerave arketipore. Ai përbën të kërkuarit dhe të zbuluarit e qendrës brenda dhe përreth nesh.

Arti është veprimtari, eksteriorizim, dhe kësisoj varet me përkufizim nga nje dije që e tejkalon dhe i jep atij një rend; veçmas një dijeje të tillë, arti nuk ka përligjje: është dija ajo që përcakton veprimin, manifestimin dhe formën – e jo anasjelltas.

Arti autentik dhe normativ:

Arti autentik dhe normativ priret gjithmonë të kombinojë vëzhgimin inteligjent të natyrës me stilizime fisnike e të thella, në mënyrë që: pikësëpari, t’ia asimilojë veprën modelit të krijuar nga Zoti në natyrë dhe, së dyti, ta ndajë atë nga kontingjenca fizike, duke i dhënë një vulosje shpirti të kulluar dhe sintezë të thelbësores.

Funksioni thelbësor i artit të shenjtë:

Funksioni thelbësor i artit të shenjtë është të shndërrojë Substancën, e cila është si e vetme ashtu edhe e pashterueshme, në botën e aksidencës dhe ta rikthejë vetëdijen aksidenciale te Substanca. Mund të thuhet se arti i shenjtë e zhvendos Qenien drejt botës së ekzistencës, veprimit ose bërjes; apo që ai e zhvendos të Pafundmen drejt botës së të fundmes, apo Esencën tek bota e formave, duke sugjeruar kësisoj një vazhdimësi që vijon nga njëra tek tjetra, një shteg që nis nga aparenca ose aksidenca dhe hapet drejt Substancës ose kumbimeve të saja qiellore.

Funksioni i artit:

Arti ka një funksion që është si magjik, ashtu edhe shpirtëror: magjik sepse bën të pranishëm parime, fuqi si dhe gjëra që i tërheq falë një “magjie bashkëndjerëse”; shpirtëror sepse eksteriorizon të vërteta dhe bukuri në kuadër të brendësimit tonë, kthimit tonë në “mbretërinë e Zotit që ndodhet brenda jush.” Parimi bëhet manifestim në mënyrë që manifestimi të mund të ribëhet Parim, apo që “uni” të mund t’i rikthehet Vetes; ose thjeshtë, që shpirti njerëzor të mundet – përmes dukurish të caktuara – të kontaktojë arketipet qiellore dhe së andejmi arketipin e vet.

Arti përgjithësisht:

Arti është, në përgjithësi, si mjet shprehjeje ashtu edhe asimilimi: shprehje e personalitetit tonë cilësor e jo arbitrar e kaotik, dhe asimilim i arketipeve të projektuara kështu. Kësisoj, ai përbën një lëvizje nga vetja jonë tek vetja jonë, apo nga Vetja imanente tek Qenia transhendente, dhe anasjelltas. Një “vete jonë” empirike e kulluar nuk do të thotë asgjë, pasi të gjitha vlerat i kanë rrënjët tek Absolutja.

Misioni i Artit:

Heqja e lëvozhgave për të zbuluar bërthamat; distilimi i materialeve gjersa të nxirren esencat. Fisnikëria nuk është tjetër veçse një prirje e natyrshme për këtë alkimi – në të gjitha rrafshet.

Konceptimi modern i artit:

Konceptimi modern i artit është i rremë në atë që ai vë përfytyrimin krijues – ose thjesht impulsin për të krijuar – në vendin e formës cilësore; ose në atë që një vlerësim subjektiv dhe hamendësues i zë vendin një vlerësimi objektiv dhe shpirtëror. Të bësh këtë do të thotë të zëvendësosh me talent – qoftë real apo iluzor – atë zotësi dhe mjeshtëri që duhet përfshirë patjetër në përkufizimin e artit, thua se talenti mund të ketë kuptim i shkëputur nga konstantet normative që janë kriteret e tij.

Arti i përsosur:

Arti i përsosur mund të njihet nëpërmjet tre kritereve kryesore: fisnikërisë së përmbajtjes – që përbën një kusht shpirtëtor veçmas kujt arti s’ka të drejtë të ekzistojë; pastaj përpikmërisë së simbolizmit ose të paktën, në rastin e veprave profane të artit, harmonisë së kompozimit; dhe së fundi pastërtisë së stilit ose elegancës së linjës dhe ngjyrës. Me anë të këtyre kritereve mund të shquajmë cilësitë dhe të metat e cilësdo vepre arti, qoftë ky i shenjtë apo jo.

Arti piktorial – figurativ dhe dekorativ:

Në kuptimin më të gjerë, arti piktorial, me të cilin nëkuptojmë animacionin e syprinave nëpërmjet ngjyrave, qoftë me piktura të mirëfillta, vizatime, gdhendje apo qëndistari implikon në thelb dy përmasa apo modalitete: figurativen dhe dekorativen, ku që të dyja shfaqen me raste në artin e veshjeve të indianëve si dhe në dekorimin e tendave të tyre. Modaliteti i parë ekzekutohet nga burrat, i dyti nga gratë, çka është mjaft kuptimplotë: efektivisht, arti figurativ i referohet të përcaktuarës – ose qendrores në njëfarë kuptimi – kurse arti dekorativ të papërcaktuarës dhe të gjerësishmes apo gjithmundësisë; dhe kjo në mënyrë të pavarur nga kuptimet e veçanta që mund të kenë vizatimet dekorative apo motivet gjeometrike. Ose sërish: arti figurativ shpreh përmbajtjen e vetëdijes sonë, kurse dekorativi substancën tonë; kështu, burri përfaqëson nje ide kurse gruaja mishëron një mënyrë të qenuri, një materia ekzistenciale në të cilën ideja mund të fiksohet dhe zgjerohet; kjo është ndërplotësueshmëria midis së Vërtetës dhe Virtytit.

Qëllimi i Artit:

Qëllimi i artit nuk është a priori të induktojë emocione estetike, por të përçojë, bashkë me to, një mesazh pak a shumë të drejtpërdrejtë shpirtëror, dhe kësisoj sugjerimet që burojnë nga dhe rishpiejnë tek e vërteta çliruese.

Arsyeja e qenies së artit:

Arsyeja e qenies së artit – si a fortiori e udhëve shpirtërore – është kalimi nga aksidentaliteti tek substanca, ose nga bota e lëvozhgave tek ajo e arketipeve.

Arti i shenjtë:

Arti i shenjtë është forma e Mbiformales, imazhi i së Pakrijuarës, gjuha e Heshtjes. Arti i shenjtë është Qielli i zbritur në tokë, para se të jetë toka në ngjitje drejt Qiellit. Arti i shenjtë … përcjell jo vetëm të vërteta abstrakte që përçohen nga simbolizmi, por gjithashtu – pikërisht nëpërmjet bukurisë së tij – kundërmimet njëherësh rigjallëruese dhe paqëtuese të Dashurisë Hyjnore.

Një art është i shenjtë, jo përmes qëllimit personal të artistit, por përmbajtjes, simbolizmit dhe stilit të tij, pra përmes elementesh objektive. Për nga përmbajtja: subjekti i përfaqësuar duhet të jetë siç u tha ose kur ndjek një model kanonik ose në një kuptim më të gjerë; por gjithmonë i përcaktuar kanonikisht. Për nga simbolizmi: personazhi i shenjtë, ose simboli antropomorfik, duhet veshur ose stolisur në një mënyrë të caktuar e jo ndryshe dhe mund të bëjë gjeste të caktuara por jo të tjera. Për nga stili: imazhi duhet të shprehet në një gjuhë hieratike të posaçme formale e jo në ndonjë stil të huaj apo të përfytyruar. Shkurt, imazhi duhet të jetë i shenjtë në përmbajtje, simbolik në detaj dhe hieratik në trajtim; përndryshe do t’i mungojë e vërteta shpirtërore, cilësia liturgjike dhe – për më tepër – karakteri sakral. Me çmimin e humbjes së të drejtës për të ekzistuar, arti nuk ka të drejtë t’i shkelë këto rregulla dhe as që i leverdis diçka e tillë, pasi këto kufizime në pamje të parë i dhurojnë, me anë të së vërtetës intelektuale dhe estetike, cilësitë e thellësisë dhe fuqisë, të cilat artisti individual ka shanse fare të pakta t’i nxjerrë nga vetja.

Një art që nuk shpreh të pandryshueshmen dhe s’don të jetë vetë i pandryshueshëm nuk është art i shenjtë.

Arti i shenjtë/profan:

Arti i shenjtë është i bërë si mjet për pranitë shpirtërore, ai është i bërë njëkohësisht për Zotin, engjëjt dhe njeriun; arti profan nga ana tjetër ekziston vetëm për njeriun dhe nga vetë ky fakt e tradhëton atë.

Arti i shenjtë e ndihmon njeriun të gjejë qendrën e tij, atë bërthamë natyra e së cilës është dashuria për Zotin.

Detyra e vetme e artit:

Nuk është detyra e vetme e artit që të zbresë drejt njerëzve të thjeshtë; ai duhet t’i mbetet besnik të vërtetës së brendësishme në mënyrë që t’i lejojë njerëzit të ngjiten drejt saj.

Vlera mbinatyrore e artit:

Vlera mbinatyrore e artit të shenjtë buron nga fakti se ai përçon dhe komunikon një inteligjencë që i mungon kolektivitetit. Sikurse natyra e virgjër, ai zotëron një cilësi dhe funksion inteligjence të cilën e shpalos nëpërmjet bukurisë, sepse në thelb ai i përket rendit formal; arti i shenjtë është forma e Mbiformales, imazhi i së Pakrijuarës, gjuha e Heshtjes.

Arti / Bukuria:

Sigurisht arti i përket me përkufizim rendit formal, dhe kush thotë përsosje forme thotë bukuri; pretendimi se arti nuk ka të bëjë fare me bukurinë, me pretekstin se qëllimi i tij imediat është shpirtëror, është po aq i rremë sa edhe pohimi i kundërt: se bukuria është qëllimi i vetëm i veprës artistike. Në thelb, bukuria nënkupton një mbajtës dhe një përmbajtje: sa i përket mbajtësit, ai përfaqësohet nga konformiteti ndaj ligjeve të harmonisë, ose rregullsisë së strukturës, ndërsa përmbajtja është shpalosje e “Qenies” apo e “Dijes” ose prapë e “Lumtunisë” (Beatitude) – çka na rikthen tek aspekti i trefishtë i Atmas – apo më saktë te një kombinim i larmishëm i tre elementeve; për më tepër, janë pikërisht këto përmbajtje ato që e përcaktojnë a priori mbajtësin.

“Art për hir të artit”:

Gabimi në tezën “arti për hir të artit” qëndron në të vërtetë tek supozimi se këto janë relativitete që kanë përligjjen e tyre të mjaftueshme brenda vetes, në natyrën e tyre relative, dhe se për pasojë ekzistojnë kritere vlere që i janë inaksesibël inteligjencës së kulluar dhe të huaja së vërtetës objektive. Ky gabim përfshin heqjen e përparësisë së shpirtit dhe zëvendësimin e tij ose nga instikti ose nga shija, pra nga kritere që janë ose krejtësisht subjektive ose arbitrare. Kemi parë tashmë se përkufizimi, ligjet dhe kriteret e artit nuk mund të nxirren nga vetë arti, pra nga kompetenca e artistit si i tillë; themelet e artit qëndrojnë tek shpirti, tek dituria metafizike dhe mistike, jo tek vetëm njohja e zanatit dhe as tek gjenialiteti, sepse ky mund të jetë çfarëdo. Me fjalë të tjera, parimet e brendësishme të artit i nënshtrohen në thelb parimeve të brendësishme të një rendi më të lartë.

Artisti / Mistiku:

Eksteriorizimit krijues, që vazhdon nga qendra drejt periferisë, i përgjigjet një brendësim iniciues ose mistik, që vazhdon në kahjen e kundërt duke patur si parafigurim psikologjik virtytin. Në të vërtetë, virtyti priret nga aksidencialja drejt substanciales ose nga forma kontingjente drejt arketipit, “idesë”, thelbi i të cilës është E Mira Sovrane, Agathoni. E njëjta vlen për artin, qëllimi i të cilit është shndërrimi i arketipit në kontingjencë; dhe ky është “realizëm” i vërtetë, ngase realja qëndron mbi ne, e jo nën ne – siç ua ka ënda modernistëve. Vetkuptohet që shprehja artistike s’është asgjë më tepër se parafigurimi i alkimisë shpirtërore, lënda e të cilës është shpirti dhe e cila realizon – për së brendmi dhe në mënyrë themelore – atë që arti demonstron dhe premton në nivelin e perceptimeve dhe emocioneve imediate. Artisti sjell Hyjnoren në botë; mistiku e riintegron botën – shpirtin e tij – tek Hyjnorja; gjithmonë me ndihmën e Qiellit, sepse “pa Mua nuk mund të bëni asgjë.”
Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

861


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi