EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Konspiracionet e Luftës së II-të Botërore

Shko poshtë

Konspiracionet e Luftës së II-të Botërore Empty Konspiracionet e Luftës së II-të Botërore

Mesazh  Agamemndon 03.02.14 10:32

Lufta e panevojshme e ShBA me Japoninë, në Paqësor – dhuratë e Stalinit dhe Ruzveltit


Konspiracionet e Luftës së II-të Botërore Yalta

Kur Kiplingu shkruajti këto fjalë të pavdekshme në zenithin e Pax Britania në shekullin e 19-të, ai besonte se Lindja dhe Perëndimi ishin aq të ndryshme në civilizime dhe botëkuptim sa nuk do të kishte terren për mirëkuptim të vërtetë midis dy hemisferave. E vërtetë apo jo, në çdo rast që janë takuar, shpesh e trishtueshëm kane qenë në shtjella lufte dhe të paktën në rastin e Shteteve të Bashkuara, ka kushtuar shtrenjtë dhe ka qenë shumë e padobishme.


Zyrtarisht thuhet se Japonia ekspansioniste, e varfër në burime sulmoi Flotën e Paqësorit të ShBA në Pearl Harbor, Havai pa paralajmërim të dielën me 7 dhjetor 1941, për te parandaluar shumë më parë ndonjë ndërhyrje të mundshme të SHBA, në fushatën e Tokios për të kapur zotërimet e pasura me burime natyrore të SHBA, Britanisë, Holandës dhe Francës në jug të Oqeanit Paqësor. Në aparencë kjo duket e vërtetë. Por po të perifrazojmë shtetarin e njohur britanik Benjamin Disraeli, çfarë fshihet “prapa kuintave?”


Që nga vitet 1920, sovjetikët planifikonin dhe shpresonin për një luftë të SHBA me Japoninë, sepse ata besonin se një konflikt i tillë (ata e dinin se SHBA do të fitonte) do të ndihmonte të krijohej një vakum i madh pushteti ne Azi, e cila pastaj mund të zëvendësohej shpejt nga komunizmi. Eliminimi i ndikimit te rëndësishëm ushtarak, diplomatik dhe ekonomik japonez në rajon, i cili zinte fill në vitet 80 te shekullit te XIX që u zgjerua me mundjen poshtëruese ushtarake dhe përfundimtare të Rusisë nga Japonia në vitin 1905, do t’i jepte të Kuqve shansin qe ata kërkonin. Dhe në sajë të Franklin Delano Ruzveltit dhe Stalinit, ata ia arritën qëllimit.


Benjamin Gitlou ishte themelues dhe anëtar i shquar i Partisë Komuniste të SHBA, por u përjashtua përherë nga organizata në vitin 1933 pasi kritikoi hapur krimet e Stalinit. Ai shpejt u bë antikomunist i flakte. Vdiq në vitin 1965 në moshën 74 vjeçare. Gitlou shkroi në v. 1940 librin demaskues me titull “Unë rrëfej: e vërteta rreth Komunizmit Amerikan”


“Kohë me parë në vitin 1927 kur isha në Moskë, u diskutua qëndrimi ndaj Shteteve të Bashkuara në rast të një lufte. Mendimi i të gjithë udhëheqësve sovjetikë me të cilët fola privatisht ishte se rivaliteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë duhet të kthehej në luftë në mes tyre. Rusët mbanin shpresë që lufta të shpërthente së shpejti, kjo do të siguronte kufijtë rusë në Siberi dhe po kështu do të dobësonte Japoninë, për pasojë Rusia nuk kishte pse të frikësohej nga një sulm i Japonisë në Lindje. Stalini shpresonte që përmes veprimtarisë së Partisë Komuniste të SHBA, të përgatiste opinionin publik në Shtetet e Bashkuara në favor të kësaj lufte, duke krijuar iluzionin e mbrojtjes së demokracisë kundër kërcënimit fashist, por që në të vërtetë ishte një lufte kundër Japonisë. Stalini ka vullnet të plotë për t’i lënë amerikanët të vdesin për hesap të Bashkimit Sovjetik edhe në se nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste … ”


Paraardhësi i Ruzveltit, Herbert Huver, i kishte rezistuar me sukses presionit për të dërguar trupa amerikane dhe ndihmë ushtarake në Kinë (përveç një kontigjenti të vogël luftanijesh lumore të marinës amerikane të pranishme në patrullim që nga mesi i viteve pesëdhjetë të shek XIX, për të ruajtur asetet ekonomike te SHBA), kur Japonia fillimisht pushtoi Mançurinë në vitin 1931. Argumenti i tij ishte se kinezët në fundi të fundit do ta mundnin Japoninë, ashtu siç kishin mundur çdo pushtues tjetër gjatë historisë së tyre.


Në Japoni gjatë pjesës më të madhe periudhës kritike 1940-41 Kryeminister ishte princi Konoje Fuminaro, një anëtar i familjes mbretërore. Konoje – baza e pushtetit të të cilit ishte biznesi i madh që aktualisht po vuante kostot e rënda të një lufte të vazhdueshme tokësore në Kinë dhe sanksionet ekonomike nga ShBA – propozoi një takim me Ruzveltin në gusht 1941 në Honolulu, (duke thyer traditën shekullore dhe protokollin e ngurtë japonez, duke u takuar me një të huaj jashtë Japonisë) në mënyrë që SHBA të hiqte embargon afatgjatë të eksporteve të naftës, mineralit të hekurit dhe metaleve skrap drejt Japonise. Nga ana e tij Konoje ishte i gatshëm të tërhiqte trupat japoneze nga Indokina dhe të zvogëlonte ndjeshëm praninë ushtarake në Kinë.


Ambasadori i SHBA dhe ai britanik në Japoni, Xhozef K. Gru (i emëruar nga Herbert Huver) dhe Sër Robert Kreigi, e nxitën Ruzveltin të takohej me Konojen dhe të pranonte kushtet e tij. Veçanërisht Gru u përpoq të shmangte luftën me Japoninë dhe bëri gjithçka që ai kishte në dorë për këtë qëllim.


Gru shkruan: “Me duket shumë e vështirë se ky shans do të vijë përsëri ose që ndonjë shtetar japonez përveç princit Konoje mund të ketë sukses në kontrollin e ekstremistëve ushtarake dhe ndjekjen e një politikë që ata, me injorancën e tyre në çështjet ndërkombëtare dhe ligjet ekonomike, nuk janë dakord. Tani është rritur në mënyrë të ndjeshme mundësia e luftës si alternativa për të arritur një zgjidhje dhe ndërkohë që ne padyshim në fund do të fitojmë, unë shtroj pyetjen se a është në interesin tonë të kemi një Japoni të varfëruar dhe të katandisur në një fuqi të dorës së tretë.”


Kreigi ishte dakord me Grunë. Në një mesazh lakonik të dërguar në Londër ai shprehet, “Koha e përshtatshme për paqe të vërtetë me Japoninë. Shpresoj se këtë radhe cinizmi amerikan nuk do të lejohet të ndërhyjë në politiken reale.” Çërçilli (Foreign Office i të cilit ishte i mbushur me spiunë sovjetikë, në mesin e të cilëve famëkëqijtë “Kim” Philbi, Donald Maklin dhe Gaj Burges) ishte acaruar me qëndrimin pajtues të Kreigit ndaj Tokios.



Ai i tha Sekretarit te Jashtëm Entoni Iden: “Patjetër atij (Kreigit) i duhet thënë menjëherë se hyrja e Shteteve të Bashkuara në luftë si me Gjermaninë dhe Italinë ose me Japoninë është plotësisht në përshtatje me interesat britanike. Asgjë në sferën ushtarake nuk mund të krahasohet me rëndësinë e aleancës së Perandorisë Britanike me Shtetet e Bashkuara në luftë.”


Për më tepër, katër këshilltarë të afërt të Ruzveltit, të cilët sipas survejimeve të shërbimeve të ndërlidhjes së Ushtrisë të ShBA (një operacion i njohur gjerësisht si “Venona” ne v. 1940 – 1948) të ambasadës sovjetike në Uashington, rezultojnë spiunë ose simpatizantë të sovjetëve. Ata ishin të suksesshëm në shigjetimin dhe pengimin e përpjekjeve të Grusë dhe Kreigit për bisedime. Këta të katër ishin: ekonomisti Loçlin Kërri ndihmësi me i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i lindur ne Kanada; Ndihmës Sekretari i Thesarit, Herri Dekster Uajt (që në thelb ishte dirigjuesi i Sekretarit të Thesarit, Henry Morgentau, i riu); fanatiku i Marveshjes së Re ‘taksa – dhe – shpenzime’ Herri Hopkins dhe zyrtari famëkeq i Departamentit të Shtetit Alger His. His si një “ekspert i çështjes kineze” i Ruzveltit – të cilin Çu En Lai krahu i djathtë i Mao Ce Dunit, me përzemërsi e cilësonte “plotësisht simpatizant i komunistëve kinezë” – kishte përgjuar Ouen Latimorin specialist në Universitetin e Azise ‘Xhon Hopkins’ që ishte dhe “këshilltar” i udhëheqësit nacionalist kinez Çang Kai Shi.


Të gjithë këta burra, veçanërisht Uajt dhe Kërri, në mënyrë aktive bënë presion ndaj F. D. Ruzveltit në ndërmarrjen e një lufte me Japoninë. Pas kërkesave sipërfaqësore për integritetin territorial të Kinës, nën Çang Kai Shinë (një udhëheqës i dobët, i babëzitur dhe i korruptuar që me zor bëri aleancë me Maon dhe që më vonë do të shpartallohej prej tij) dhe në interes të një “fronti të bashkuar kundër fashizmit”, ata maskuan me mjeshtëri simpatinë e tyre te forte për B.Sovjetik. Kështu që Ruzvelti pa u menduar i shpërfilli këshillat e Gruse e Kreigit dhe refuzoi çdo takim me Konojen.


Ndërkohë, komunisti gjerman dhe spiuni sovjetik i rangut të lartë Rikard Sorge me rrethin e tij në Tokio, që kishte ndikim të konsiderueshëm te oficerët e lartë japoneze dhe te shumë zyrtarë të kabinetit si dhe kishte kontakte të ngushta me diplomatë gjermane, ndihmoi në orientimin e strategjisë japoneze në planin e marinës “Sulm Jugut” – pushtimin e zotërimeve të begata të fuqive perëndimore në Paqësor dhe e largoi këtë strategji nga plani i ushtrisë “Sulm Veriut” që synonte Siberinë dhe Azinë Qendrore sovjetike.


Tashmë strategjia “Sulm Veriut” pas disfatës së rëndë që pësoi Japonia në gusht 1939 nga Ushtria e Kuqe në Nomonhan, Mongoli, ishte më pak e favorshme. Kjo humbje çoi në paktin sovjeto–japonez të mossulmimit, i cili siguroi kufirin sovjeto-kinez deri në ditët përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore dhe i mundësoi Kremlinit që më pas të transferonte me shpejtësi nga Lindja e Largët në perëndim për të luftuar pushtuesit gjermanë, 250,000 trupa të stërvitura mirë.


Pas kësaj Konoje, në fillim të vjeshtës së 1941 gati ra viktimë e një atentati fatal, u detyrua të largohej si kryeministër dhe u zëvendësua nga Toxho Hideki një gjeneral progjerman dhe agresor i deklaruar. Militaristët japonezë tani kontrollonin plotësisht situatën dhe pak iu interesonin negociatat me SHBA apo këdo tjetër. Platforma për një luftë SHBA – Japoni që Moska e kërkonte që nga viti 1920 po montohej në Uashington, Moskë dhe Tokio. Ajo çfarë mbetej ishte përfshirja e SHBA në Luftën e Dytë Botërore, gjë që Ruzvelti dhe Çërçilli me shokë, pas provokimeve të shumta dështuan ta bëjnë me Gjermaninë, por patën sukses me Japonisë në Pearl Harbor.


Më 18 nëntor 1941, Sekretari Morgentau i dërgoi Sekretarit të Shtetit Kordell Hall një memorandum të gjatë të hartuar nga Ndihmës Sekretari Uajt ku përshkruhen kushtet e SHBA për paqe me Japoninë. Këto kushte ishin aq të rënda saqë Uajt dhe Kërri e dinin se Japonia nuk do t’i pranonte kurrë ato. Ministri i Jashtëm japonez Togo Shigenori, një nga anëtarët më të moderuar të qeverisë japoneze, kujton se pas marrjes së memos Morgentau – Uajt – Hall, “Unë u çkurajova plotësisht dhe u ndjeva si dikush që ecte kuturu në errësirë. Tanimë nuk ishte toni pakompromis që më ngeli në mend, por isha shumë i habitur për karakterin ekstrem të përmbajtjes.”

Në vitin 1954, Zv/admirali Frensis Biti, një nga ndihmësit e Sekretarit të Marinës, Frenk Knoks, tregonte: “Para 7 dhjetorit ishte e qartë edhe për mua … se Japoninë po e zinim ngushtë. Besoja se ishte dëshira e të dyve si e Presidentit Ruzvelt dhe e Kryeministrit Çërçill që të futeshim në luftë, duke qene se ata mendonin se aleatët nuk mund të fitonin pa ne; ndërsa përpjekjet tona për t’i bërë gjermanët të na shpallnin luftë dështuan. Kushtet që i diktonim Japonisë – p.sh. të largoheshin nga Kina – ishin aq të rënda saqë ne e dinim se ai komb nuk mund t’i pranonte ato. Ne po e shtrëngonim aq rëndë saqë mund ta merrnim me mend se ajo do të kundërvepronte ndaj Shteteve të Bashkuara. Të gjitha përgatitjet e saj ushtarake – dhe ne e dinim importin e tyre të përgjithshëm – çonin në këtë rrugë.”



Pikërisht një jave pas kësaj memo dhe rreth dy javë para Pearl Harborit, Sekretari i Luftës i Ruzveltit, Henri Stimson sjell ndërmend një takim të kabinetit ku diskutoheshin problemet me Japoninë. Ai shkruante në ditarin e tij: “Atje Presidenti … bëri një panoramë të plotë të marrëdhënieve me japonezët. Ai tregoi se ka gjasa që të sulmoheshim, ndoshta [fare afër] të hënën e ardhshme, sepse japonezet janë të njohur për sulme pa paralajmërim dhe çështja ishte se çfarë duhet të bënim. Çështja ishte se si t’i vinim ata në pozitën që të sulmonin të parët pa lejuar shumë rrezik për ne.”



Sër Oliver Lillëton, ministër i prodhimit të luftës i Çërçillit, ishte në dijeni të të gjithë planeve të Çërçillit e Ruzveltit dhe vendimeve për ta shtrënguar SHBA të hynte në luftë. Në një fjalim me 20 qershor 1944 përpara anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Londër, ai deklaroi: “Amerika e ka provokuar Japoninë deri në atë masë saqë japonezet u detyruan të sulmonin Pearl Harborin. Kjo është një parodi e historinë edhe për të thënë se Amerika ishte e detyruar të hynte në luftë.”



Veç kësaj, Kremlini kishte një frikë të brendshme të vazhdueshme se mos Britania e Madhe do të bënte paqe të veçuar me Gjermaninë. Kjo frikë u shtua pas fluturimit misterioz të zëvendësit të Führerit Rudolf Hes në maj 1941 në Skoci, me sa duket për t’u takuar fshehtas me Dukën e Hamiltonit (gjashtë javë përpara pushtimit gjerman të BRSS), por bombardimi japonez i Pearl Harborit shtatë muaj pas odisesë së pashpjegueshme të Hesit, ndër të tjera ndihmoi në fundosjen e çdo shansi për një traktat të veçuar paqe ndërmjet Berlinit dhe Londrës, një tjetër përfitim i madh i Moskës.


Edhe pas Pearl Harbor, Xhozef Gru, atëherë Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Aziatike, ende shpresonte për ndonjë zgjidhje të pranueshme: “Në të njëjtën kohë unë besoj se është e rëndësishme që të mbajmë parasysh se mposhtja e agresionit japonez nuk do të sjellë domosdoshmërisht, siç mendojnë shumë kineze, shkatërrimin ushtarak të Japonisë. Eliminimi i plotë i Japonisë si forcë në Lindjen e Largët nuk do të ishte as në favor të rendit, as të përparimit në këtë rajon.”Sigurisht që Japonia u shkatërrua ushtarakisht, duke mbaruar punë në gusht 1945 me dy bomba atomike. Pas gjithë kësaj, ushtarë të panumërt amerikanë të vrarë nga Oahu në Okinava, miliarda dollarë të shpenzuara për rindërtimin e një Japonie të poshtëruar dhe të shkatërruar plotësisht, duke e mbajtur atë ushtarakisht të dobët përballë një Kine së Kuqe të frikshme dhe gjithnjë më arrogante, ndërkaq këto dy vende u bënë edhe konkurrentët e huaj ekonomikë më të egër të SHBA-së.

Vetëm tetë vjet pas Hiroshimës dhe Nagasakit, SHBA patën rreth 33.000 të vdekur në një Kore që ka mbetur ende e ndarë dhe me tensione. Rreth dy dekada pas luftës së Koresë 58.000 trupa të vrarë në Indokinën komuniste – rezultat i një konflikti tetëvjeçar të padobishëm (të cilën e kanë quajtur versioni amerikan i Luftës Boere) që dëmtoi rëndë institucionet shoqërore, ekonomike dhe politike të SHBA. Pastaj njerëzimi mësoi për “Fushat” famëkëqija kamboxhiane të vrasjeve tejet barbare të Pol Potit, turmat e dëshpëruara vietnameze të “njerëzve të barkave”, mijëra trupa dhe Flota luftarake detare amerikane e dislokuar në Lindjen e Largët, “Marshimi i Madh” kinez i misileve balistike ndërkontinetale me objektiv Bregun Perëndimor të SHBA. Kriza e fundit midis Kinës dhe Japonisë rreth ishujve të pabanuar Senkaku në Detin e Kinës Lindore tregon se ende duhet të nxirren mësime nga Lufta e Dytë botërore. Siç e ka pohuar edhe Çërçilli, historia shkruhet nga fitimtarët.
Agamemndon
Agamemndon

Besim do të thotë të besosh diçka që e di që s'është ashtu.

— Mark Tuein


195


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi