EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nuk mund të ketë rilindje

Shko poshtë

Nuk mund të ketë rilindje Empty Nuk mund të ketë rilindje

Mesazh  Admin 02.09.13 22:13

Nuk mund të ketë rilindje 220px-Nisargadatta_Maharaj

Mësimet themelore të Maharaj kanë lidhje me njeriun, botën në përgjithësi, natyrën e vërtetë të asaj që individi e konsideron si “vetvete” dhe natyrën e botës fenomenore. Diskutimet e tij janë gjithnjë të drejtpërdrejta, si njeriu njeriut, dhe në përgjithësi nuk bëhet asnjë referim- qoftë nga Maharaj, qoftë nga vizitorët- ndaj diçkaje që pohohet nëpër Shkrimet, sado tradicionalisht të respektuara të kenë qenë ato. Në të vërtetë, është pikërisht kjo gjw që përbën qasjen pragmatike të Maharaj, që kërkuesi i vërtetë, jo domosdoshmërisht një student filozofie, e zbulon si dukshmërisht të ndershme. Me fjalë të tjera, ajo që është thënë nga dikush tjetër, nuk pranohet si e vërtetë hyjnore, edhe nëse ndeshet nëpër tekstet më të shenjta.

Përveç përparësive të tjera, një qasje e tillë paralajmëron mundësinë e pyetjeve që kërkojnë pyetje të tjera, si në rastin e një besimtari që duke dashur të konvertojë një mikun e tij, i flet për një njeri të veçantë, “njeri të Zotit”, që na qënkej i aftë të fliste me engjëjt, e që mandej, i pyetur nga bashkëbiseduesi mbi vërtetësinë e këtij fakti, thërret: Një njeri që flet me engjëjt, simbas teje gënjen? Ata që vizitojnë rregullisht Maharaj-n, janë të vetëdijshëm për faktin se ai e asgjwson plotësisht konceptin e rilindjes, duke e quajtur thjesht një absurditet.

Në çdo rast, çdo vizitor tronditet jashtë mase nga një pohim i tillë, veçanërisht nëse i përket religjionit Hindu. Në një nga këto raste, një vizitor i ri, i veshur me rrobën tradicionale ngjyrë okër që tregonte se ai i përkiste një sekti Hindu, me zjarrin e fanatizmit që i digjej në sy, e shprehu çudinë e tij të tronditur për faktin se Maharaj nuk e pranonte teorinë e rilindjes, gjë që përbën pikërisht bazën e filozofisë Hindu. Ai vështroi rrotull për të gjetur mbështetje morale, por mbeti i zhgënjyer nga buzëqeshjet e mëshirshme e mirëkuptuese të të tjerëve.

Maharaj e vështroi djaloshin Sannyasi me një farë simpatie, me siguri për zellin e tij të orientuar gabim, dhe i tha me një ton që përmbante një mirësjellje të pazakontë: “Ky pohim i imi mbi absurditetin e rilindjes nuk është asgjë. Do të tronditesh edhe më tepër nëse do vazhdosh të vish këtu. Unë nuk mësoj asnjë filozofi, asnjë religjion dhe nuk jam i interesuar për asnjë tekst tradicional që mund të ishte baza e diskurseve të mia. Flas duke iu referuar drejtpërsëdrejti përvojës sime, sepse mjeshtri im gurú m’i ka hapur sytë, sytë e mi shpirtërorë. Qëllimi im nuk është të plagos ndjenjat e askujt. Prandaj ua kujtoj vazhdimisht njerëzve që janë të lirë të largohen nëse nuk e çmojnë atë që dëgjojnë. Ajo që dëgjojnë prej meje është e vërtetë e drejtpërdrejtë, por ashtu siç e kam përjetuar unë e jo ashtu siç ata do të donin ta dëgjonin. Druaj se nuk i mëkoj me ushqim konceptet e njerëzve”.

Një arsyetim i tillë e tronditi krejtësisht djaloshin, por edhe i zgjoi admirim. Kështu, përunjësisht, shprehu dëshirën që të vijonte ta dëgjonte mjeshtrin Maharaj.

Maharaj atëherë tha: A ke menduar me të vërtetë ndonjëherë mbi natyrën thelbësore të njeriut? Harroje atë që ke lexuar, atë që të është thënë. A ke menduar ndonjëherë në mënyrë të pavarur rreth kësaj çështjeje? Po e përsëris “të pavarur”, me një mendim të qetë dhe i thëllë, sikur ti të ishe e vetmja qënie e ndjeshme mbi tokë, dhe të mos egzistonte askush që mund të të shikonte? Cilët janë elementët esencialë të të asaj që e quan “ti”? Natyrisht trupi. Por ky trup që tashti është i ri, me shëndet të plotë dhe i fortë, dikur ishte vetëm një pikël e vogël lënde kimike, në kohën kur ndodhi konceptimi në mitrën e nënëns tënde.

Mendo. A ke bërë diçka për t’u konceptuar në këtë mënyrë? A ke dashur të jesh i konceptuar? Të kanë pyetur? Veç tjerash, dhe kjo është e rëndësishme, çfarë ishte ajo që rrinte “e fshehtë” në atë pikël të vockël lënde që të ka bërë të rritesh një fëmijë me shëndet të plotë, me gjak, mish, palcë, kocka, mbi të gjitha në barkun e nënës tënde e mandej në këtë botë, deri tashti që po rri përpara meje duke diskutuar mbi filozofinë?

Trupi, gjatë rritjes së tij ka marrë pamje të ndryshme që ti i ke i ke quajtur “ti”, në kohë të ndryshme, por asnjë nga këto pamje në veçanti, nuk ka mbetur me ty në mënyrë të pandryshueshme; gjithsesi ka diçka që ka mbetur pa pësuar asnjë ndryshim. Vallë a nuk është ndjenja e të qënit gjallë vetëdija që i jep aftësi ndijimore dhe energji këtij aparati psikomatik të njohur me emrin “trup”? Kësaj vetëdijeje i jepen emra të ndryshëm: Egzistencë, Un, Jam, Vetvete, Atma, etj, por dhe emra të tjerë si Maya, Zot, Dashuri, etj. Bota për ty egziston vetëm nëse egziston kjo vetëdije. Nëse nuk je i vetëdijshëm, ashtu si në gjumin e thellë, a mund të egzistojë bota për ty?

Tashti, a ke ndonjë ide mbi atë që instinktivisht të bën ta mendosh vetveten si “ti”; kjo përbërje e trupit fizik, e forcës jetike (Prana) që është parimi aktiv dhe ndërgjegja që i bën të afta sensorët fizikë për të perceptuar gjërat. Ajo që duket se je është trupi i jashtëm, ajo që ti je është vetëdija.

Rikthehemi në problemin tënd të rilindjes. Ajo që është “lindur”, trupi objektiv, në çastin e duhur do të “vdesë”; mandej do të shpërbëhet, pra do shkatërrohet në mënyrë të pandreqshme. Forca jetike do ta braktisë trupin e do përzihet me mjedisin përreth. Pjesa objektive e saj që dikur ishte një qënie ndijimore do të shkatërrohet, për të mos rilindur kurrë më si i njejti trup. E vetëdija nuk është aspak një “gjësend”; prandaj, vetëdija, duke qenë se nuk është objektive nuk mund të lindet, nuk mund të “vdesë” e sigurisht nuk mund të “rilindet”.

Këto janë fakte të padiskutueshme, fakte që i përkasin qënies ndijimore, manifestuar në mënyrë fenomenore. Si procesi i funksionimit të noumenit*, ndodh manifestimi i fenomenit në të cilin format krijohen dhe shkatërrohen. Kush është lindur? E kush vdes? E kush duhet të lindet?

Nëse është kështu, mund të pyesësh se si janë ngritur konceptet e Karmës, shkakësi dhe rilindje. Përgjigja është se, në vend që të kishim pranuar një fenomen si shfaqje e së pashfaqshmes, ka ndodhur një identifikim i gabuar me një pseudo-entitet dhe është krijuar kështu një fantazmë me egzistencë autonome të hamendësuar. Supozohet që kjo fantazëm të ketë zgjedhur të vendosë për të vepruar. E kjo fantazëm që pandehet të ketë lindur, e gjallë, vuan dhe vdes. E pikërisht kjo fantazëm që bëhet subjekt në procesin e shkakësisë të njohur si Karma, pranon të supozuarën “skllavëri” e “rilindje” dhe kërkon një çlirim imagjinar”.

Me fjalë të tjera, përfundoi Maharaj, procesit natyral të manifestimit të fenomeneve i mbivendoset një un-fantazëm, me një egzistencë të pavarur të hamendësuar e mbi këtë un-fantazëm ngarkohet koncepti i efekteve që rezultojnë prej veprimeve të vullnetshme imagjinare, pra Karma, skllavëria dhe rilindja! A e kupton tani se pse e rivendos në përmasat e duhura teorinë e rilindjes?

*Noumen- Në filozofinë e Kantit, ajo që mund të jetë objekt i njohjes së pastër racionale, e që si e tillë i kundërvihet fenomenit të kuptuar si objekt i njohjes ndijimore.

Marrë nga “Askush nuk lindet, askush nuk vdes”

Mësimet e Nisargadatta Maharaj, nën kujdesin e Ramesh Balsekar

Përktheu: Shpëtim Kelmendi
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi