EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjinia Mendore

Shko poshtë

Gjinia Mendore Empty Gjinia Mendore

Mesazh  Jon 26.08.12 23:42

GJINIA MENDORE

Studentët e psikologjisë të cilët kanë ndjekur tendencën moderne të mendimit përgjatë trajtave të dukurive mendore, janë befasuar nga këmbëngulja me të cilën ka qëndruar ideja e mendjes së dyzuar, e cila është shfaqur fuqishëm këto dhjetë pesëmbëdhjetë vitet e fundit, e që ka shërbyer si origjinë për një sërë teorish serioze mbi natyrën dhe përbërjen e këtyre “dy mendjeve”.

I ndjeri Thomson J. Hudson fitoi popullaritet të madh më 1893 duke parashtruar teorinë e tij të mirënjohur të “mendjeve objektive e subjektive”, për të cilat ai pretendonte se ekzistonin në çdo individ. Shkrimtarë të tjerë tërhoqën pothuajse interes të njëjtë me teoritë e tyre mbi “mendjet e ndërgjegjshme dhe të nënndërgjegjshme”, “mendjet e vullnetshme dhe të pavullnetshme”, “mendjet aktive dhe pasive” etj. Teoritë e shkrimtarëve të ndryshëm dallojnë nga njëra-tjetra, por në themel mbetet parimi i “dyzimit të mendjes”.

Nxënësit të Filozofisë Hermetike i bëhet të buzëqeshë kur lexon e dëgjon për këtë numër “teorish të reja” mbi natyrën e dyfishtë të mendjes, ndërkohë që secila nga shkollat e ndryshme mbron me këmbëngulje teoritë e preferuara duke deklaruar se ka “zbuluar të vërtetën”. Nxënësi kthen pas faqet e historisë okulte, e shumë kohë më parë, në fillimet e vagullta të mësimeve okulte, ai gjen adresime mbi doktrinën e lashtë Hermetike të Parimit të Gjinisë në Rrafshin Mendor dhe manifestimin e Gjinisë Mendore.

Duke hulumtuar më në thellësi, ai zbulon se filozofia e lashtë ishte në dijeni të fenomenit të “mendjes së dyzuar”, si edhe sqaronte atë nëpërmjet teorisë së Gjinisë Mendore. Ideja e Gjinisë Mendore, mund t’u shpjegohet me fare pak fjalë studentëve që janë të familjarizuar me teoritë bashkëkohore të cilat i përmendëm tërthorazi më lart. Parimi Mashkullor i Mendjes përkon me të ashtuquajturën Mendje Objektive, Mendje të Ndërgjegjshme, Mendje të Vullnetshme, Mendje Aktive etj.

Ndërkohë, Parimi Femëror i Mendjes përkon me të ashtuquajturën Mendje Subjektive, Mendje të Nënndërgjegjshme, Mendje të Pavullnetshme, Mendje Pasive etj. Sigurisht, Doktrina Hermetike nuk pajtohet me shumë nga teoritë bashkëkohore në lidhje me natyrën e dy fazave të mendjes, e as nuk pranon shumë nga faktet e pretenduara për dy aspektet përkatëse; disa nga këto teori dhe pretendime e kanë hedhur hapin më të gjatë se duhet dhe janë të paafta të përballojnë sprovën eksperimentale dhe demonstrimin.

Po i theksojmë këto pika të përbashkëta, me qëllimin e vetëm për të ndihmuar nxënësin të përvetësojë njohurinë e marrë paraprakisht, me mësimet e Filozofisë Hermetike. Studentët e Hudsonit do të dallojnë lehtësisht fjalinë në krye të kapitullit të dytë të librit të tij “Ligji i Fenomeneve Psikike” që thotë: “Zhargoni mistik i filozofëve Hermetikë, zbulon të njëjtën ide të përgjithshme”, çka nënkupton dyzimin e mendjes.

Nëse Dr. Hudsoni do të kishte shpenzuar pak më tepër kohë dhe mund për të deshifruar diçka më shumë nga “zhargoni mistik i Filozofisë Hermetike”, mbase do të arrinte të hidhte më shumë dritë mbi çështjen e “dyzimit të mendjes”, por në këtë rast vepra e tij më interesante ndoshta nuk do të shkruhej asnjëherë. Le të shqyrtojmë tani Mësimet Hermetike në lidhje me Gjininë Mendore.

Mësuesit Hermetikë e nisin mësimdhënien e tyre mbi çështjen në fjalë, duke i nxitur nxënësit të shqyrtojnë kumtimin e ndërgjegjes së tyre mbi Vetveten. Nxënësit nxiten që ta drejtojnë vëmendjen përbrenda, drejt Vetes që ndodhet brenda secilit nga ne.

Çdo nxënës udhëzohet që të vërejë se ndërgjegjja fillimisht raporton mbi ekzistencën e atij Vetë; kumtimi është “Unë Jam”. Në pamje të parë duket sikur këto janë fjalët e fundit nga ndërgjegjja, por një shqyrtim pak i mëtejshëm zbulon faktin se “Unë Jam” mund të veçohet apo ndahet në dy pjesë apo aspekte të dallueshme, të cilat megjithëse punojnë të ndërthurura dhe në njëzëshmëri, prapëseprapë mund të qëndrojnë të ndara në ndërgjegje.

Ndërkohë që fillimisht duket se ekziston vetëm një “Unë”, një shqyrtim më i kujdesshëm nga afër nxjerr në pah faktin se ekziston një “Unë” dhe një “Mua”. Këta binjakë mendorë dallojnë në karakteristika dhe natyrë, dhe shqyrtimi i natyrës së tyre së bashku me dukuritë që lindin prej saj, hedh dritë mbi shumë probleme që kanë të bëjnë me ndikimin mendor.

Le të fillojmë me shqyrtimin e pjesës “Mua”, e cila zakonisht ngatërrohet me “Unin” nga ana e nxënësit, nëse ky i fundit nuk e shtyn kërkimin pak më tej në thellësitë e ndërgjegjes së tij. Njeriu e shikon Veten (në aspektin “Mua”) si të jetë i përbërë prej një sërë ndjenjash, shijesh, pëlqimesh, mospëlqimesh, zakonesh, lidhjesh të veçanta, karakteristikash etj., të gjitha këto gjëra të cilat formojnë personalitetin apo “Veten” e tij, ashtu siç e njeh ai vetë dhe të tjerët. Ai e ndjen se këto emocione dhe ndjenja ndryshojnë, lindin, vdesin dhe u nënshtrohen Parimeve të Ritmit e Polaritetit të cilat e zhvendosin atë vetë nga njëri skaj i ndjenjës drejt tjetrit. Ai gjithashtu e koncepton pjesën “Mua” si një akumulim i caktuar njohurish brenda mendjes, të cilat formojnë një pjesë të vetes së tij. E tillë është pjesa “Mua” në botëkuptimin e njeriut të zakonshëm.

Ndoshta u rrëmbyem paksa. Mund të thuhet se pjesa “Mua” e shumë njerëzve konsiston gjerësisht në ndërgjegjen e tyre trupore dhe në orekset e tyre fizike. Meqenëse ndërgjegjja e tyre është e lidhur fort me natyrën e tyre trupore, ata praktikisht “jetojnë aty”. Disa madje shkojnë aq larg sa trajtojnë edhe petkat e tyre si pjesë përbërëse të “Mua-s”, duke i konsideruar edhe ato pjesë të vetvetes. Një shkrimtar ka thënë me humor: “njerëzit përbëhen nga tri pjesë… shpirti, trupi dhe rrobat”.

Këta njerëz me “ndërgjegje petkore” do të humbitnin personalitetin e tyre nëse do të mbeteshin pa veshmbathjet e tyre, fjala vjen pasi t’u mbytej anija në të cilën udhëtonin. Por edhe shumë prej atyre të cilët nuk janë kaq fort të lidhur pas stolive të tyre, konsiderojnë gjithsesi vetëdijen trupore si “Mua-n” e tyre. Ata nuk arrijnë të konceptojnë një Vetvete të pavarur nga trupi. Praktikisht ata i shikojnë mendjet e tyre si “diçka që i përket” trupit të tyre, gjë që në shumë raste është mëse e vërtetë.

Por teksa njeriu ngjitet në shkallën e ndërgjegjësimit, ai është i aftë ta çlirojë veten dhe pjesën “Mua” nga ideja trupore, si edhe ta mendojë trupin si diçka që i “përket” pjesës së tij mendore. E megjithatë, përsëri ai është i prirur ta identifikojë pjesën “Mua” me gjendjet shpirtërore, ndjenjat etj., pasi ndjen se këto gjëra ekzistojnë bashkën me të. Ai është mjaft i prirur t’i konsiderojë këto gjendje të brendshme si identike me atë vetë, ndërkohë që ato janë thjeshtë “gjëra” të prodhuara nga një pjesë e mendësisë së tij, dhe ekzistojnë brenda tij, jashtë tij, bashkë me të, por gjithsesi nuk janë “vetë ai”. Ai kupton se mund t’i ndryshojë këto gjendje të brendshme ndjesish nëpërmjet një përpjekjeje të vullnetshme, dhe të prodhojë gjendje apo ndjenja me natyrë saktësisht të kundërt, e sidoqoftë, e njëjta “Mua” të vijojë të ekzistojë në të njëjtën mënyrë krejt e pandryshuar.

Kështu, pas njëfarë kohe ai bëhet i aftë t’i lërë mënjanë këto gjendje të ndryshme mendore, emocione, ndjenja, zakone, cilësi, karakteristika dhe përkatësi të tjera mendore, e t’i vendosë ato në koleksionin “jo-unë” të kurioziteteve dhe gjërave që bëhen barrë së bashku me zotërimet me vlerë. Kjo kërkon shumë përqendrim dhe forcë analitike mendore nga ana e nxënësit. Gjithsesi është detyrë e mundshme për nxënësin e përparuar, ndërkohë që nxënësit jo shumë të përparuar janë të aftë ta shikojnë në imagjinatën e tyre si mund të kryhet ky proces.

Pasi ky proces mënjanimi të ketë përfunduar, nxënësi e gjen veten në zotërim të ndërgjegjshëm të “Vetes”, çka mund të trajtohet si në aspektin “Unë” ashtu edhe në aspektin “Mua”. Pjesa “Mua” mund të ndjehet se është Diçka mendore në të cilën prodhohen mendimet, idetë, emocionet, ndjenjat dhe gjendjet e tjera mendore. Ajo mund të konsiderohet “pjelloria mendore” siç e përshkruanin edhe të lashtët, e aftë të prodhojë filiza mendorë. Ajo i përgjigjet ndërgjegjes si pjesa “Mua” me fuqi krijuese të fshehta dhe gjeneruesja e gjithfarëlloj pjellave mendore.

Forca e energjisë së saj krijuese është vigane. Megjithatë, duke se është e vetëdijshme se i nevojitet njëfarë energjie nga shoqëruesi i saj “Uni” ose nga ndonjë “Unë” tjetër, përpara se të jetë e aftë të sjellë në jetë krijimet e saj mendore. Ky ndërgjegjësim sjell me vete njëmendësimin e një kapaciteti vigan pune mendore dhe aftësie krijuese.

Shpejt nxënësi zbulon se nuk është kjo gjithçka që gjen në ndërgjegjen e tij të brendshme. Ai zbulon se ekziston një Diçka tjetër mendore, e aftë të ushtrojë Vullnetin e saj në mënyrë që pjesa “Mua” të veprojë përgjatë trajtash të caktuara krijimtarie, si edhe e aftë të qëndrojë mënjanë e të bëhet dëshmitare e krijimit mendor. Nxënësin e kanë mësuar që këtë pjesë të vetvetes ta quajë “Unë”. Ai është i aftë të prehet në ndërgjegje sipas dëshirës.

Në “Unin” e tij ai nuk gjen ndërgjegjësim mbi aftësinë për të gjeneruar dhe krijuar në mënyrë aktive, në kuptimin e procesit gradual të pranishëm përgjatë veprimtarisë mendore, por gjen ndërgjegjësim mbi aftësinë për të lëshuar e përçuar një energji nga “Uni” te “Mua”; një proces ky “dashjeje” që të nisë e të vijojë krijimi mendor. Ai gjithashtu zbulon se “Uni” është i aftë të qëndrojë mënjanë dhe të jetë dëshmitar i veprimtarisë krijuese e gjeneruese mendore të pjesës “Mua”.

Ky është edhe aspekti i dyfishtë në mendjen e çdo personi. “Unë” përfaqëson Parimin Mashkullor të Gjinisë Mendore ndërsa “Mua” Parimin Femëror. “Unë” përfaqëson Aspektin e të Qenit ndërsa “Mua” aspektin e të Bërit. Do të vini re se Parimi i Përkimit vepron në këtë rrafsh në të njëjtën mënyrë siç vepron edhe në rrafshin e madh në të cilin është kryer krijimi i Universit. Të dy rrafshet janë të ngjashëm në tip megjithëse tepër të ndryshëm në gradë. “Si lart, ashtu edhe poshtë; si poshtë, ashtu edhe lart”.

Këto aspekte të mendjes, Parimi Mashkullore e Femëror, “Unë” dhe “Mua”, kur trajtohen të pandara nga fenomenet e mirënjohura mendore e psikike, dhurojnë edhe Çelësin Universal për lëmet e njohura fare pak të veprimtarisë mendore dhe manifestimit mendor. Parimi i Gjinisë Mendore jep të vërtetën që qëndron në thelb të së gjithë dukurisë së ndikimit mendor etj.

Prirja e Parimit Femëror është gjithmonë drejt perceptimit të mbresave, ndërkohë që prirja e Parimit Mashkullor është gjithmonë drejt lënies së këtyre mbresave ose në drejtim të të shprehurit. Parimi Femëror ka një fushë veprimi shumë më të larmishme se Parimi Mashkullor. Parimi Femëror kryen punën e gjenerimit të mendimeve, koncepteve dhe ideve të reja, përfshirë këtu edhe punën e imagjinatës. Parimi Mashkullor mjaftohet me ushtrimin e “Vullnetit” në fazat e ndryshme të tij. E megjithatë, pa ndihmën aktive të Vullnetit të Parimit Mashkullor, Parimi Femëror priret të prehet i mjaftuar me gjenerimin e imazheve mendore të cilat janë rezultat i mbresave të përftuara nga jashtë, në vend që të prodhojë krijime mendore origjinale.

Personat të cilët mund t’i kushtojnë një çështjeje vëmendje dhe përqendrim të vazhdueshëm, përdorin në mënyrë aktive të dy Parimet Mendore; Femëroren për gjenerimin aktiv mendor, dhe Vullnetin Mashkullor për të nxitur dhe për t’i dhënë energji pjesës krijuese të mendjes. Në të vërtetë, pjesa dërrmuese njerëzve e shfrytëzon fare pak Parimin Mashkullor dhe mjaftohen duke jetuar në përputhje me mendimet dhe idetë e ngulitura në pjesën e tyre “Mua” nga “Uni” i mendjeve të huaja. Sidoqoftë nuk është qëllimi ynë të ndalemi mbi këtë fazë të çështjes, pasi kjo mund të studiohet në çdo tekst të mirë mbi psikologjinë, shoqëruar me çelësin që ju kemi dhënë mbi Gjininë Mendore.

Studentët e Fenomeneve Psikike janë në dijeni të dukurive të mrekullueshme të klasifikuara nën titujt e Telepatisë, Transferimit të Mendimeve, Ndikimit Mendor, Sugjestionit, Hipnotizmit etj. Shumë prej tyre kanë kërkuar për një shpjegim mbi fazat e ndryshme të këtyre dukurive në teoritë e profesorëve të “dyzimit të mendjes”. Deri në njëfarë mase ata kanë të drejtë pasi ekziston një manifestim i qartë dy fazash të dallueshme të aktivitetit mendor. Por nëse studentët do ta trajtonin këtë “mendje të dyzuar” nën dritën e Mësimeve Hermetike mbi Lëkundjet dhe Gjininë Mendore, do të vinin re se çelësin e shumëkërkuar e kanë në duar.

Në fenomenin e Telepatisë vihet re se si Energjia Lëkundëse e Parimit Mashkullor dërgohet drejt Parimit Femëror të një personi tjetër, dhe ky i fundit pasi merr mendimin-farë i mundëson të zhvillohet deri në pjekuri. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe Sugjestioni dhe Hipnotizmi. Parimi Mashkullor i personit i cili lë mbresën, dërgon Energji Lëkundëse apo Forcë Vullneti drejt Parimit Femëror të personit tjetër, dhe ky i fundit duke e pranuar, e përvetëson dhe nis të mendojë në përputhje me të.

Kështu një ide e strehuar në mendjen e një personi tjetër rritet, zhvillohet dhe me kalimin e kohës trajtohet si një filiz mendor origjinal i individit, ndërkohë që në realitet është njësoj si veza e qyqes e vendosur në folenë e harabelit që shkatërron pasardhësit e ligjshëm dhe prehet aty e qetë si në shtëpinë e saj. Në mendjen e njeriut procesi normal zhvillohet kur Parimi Mashkullor dhe Femëror veprojnë të bashkërenditur, në mënyrë harmonike dhe të ndërthurur me njëri-tjetrin.

Por fatkeqësisht, te njeriu mesatar, Parimi Mashkullor është shumë përtac për të vepruar, shfaqja e Forcës së Vullnetit shumë e dobët, e rrjedhimisht njerëz të tillë sundohen thuajse tërësisht prej mendjeve dhe vullneteve të personave të tjerë, të cilëve u lejojnë në këtë mënyrë të mendojnë e të vendosin për ta. Sa i pakët është numri i mendimeve dhe veprimeve origjinale të kryera nga njeriu mesatar? A nuk janë vallë njerëzit në pjesën dërrmuese të tyre thjesht hije dhe jehona të personave me vullnet e mendje më të fortë se e tyrja?

Problemi qëndron në faktin se njeriu mesatar kridhet thuajse tërësisht në ndërgjegjen e tij “Mua” dhe nuk njëmendëson faktin që zotëron edhe diçka si “Uni”. Ai polarizohet në Parimin e tij Femëror të Mendjes, dhe Parimi Mashkullor në të cilin strehohet edhe Vullneti, lejohet të qëndrojë jo aktiv e i papërdorur.

Meshkujt dhe femrat e forta të botës, pa asnjë përjashtim shfaqin Parimin Mashkullor të Vullnetit dhe forca e tyre varet materialisht drejtpërsëdrejti nga ky fakt. Në vend që të jetojnë me mbresat e lëna në mendjet e tyre nga të tjerët, ata i sundojnë mendjet e tyre përmes Vullnetit, duke përftuar kështu imazhet mendore të dëshiruara, e për më tepër përmes së njëjtës mënyrë, sundojnë edhe mendjet e të tjerëve. Shikoni se në ç’mënyrë njerëzit e fortë arrijnë të mbjellin mendimefarë në mendjet e masave popullore, duke bërë që këta të fundit të mendojnë në përputhje me dëshirat e vullnetet e këtyre individëve. Kjo është edhe arsyeja përse njerëzit janë krijesa kaq të ngjashme me delet, që nuk prodhojnë kurrë një ide të tyren origjinale, e që as nuk përdorin fuqitë e tyre të aktivitetit mendor.

Manifestimi i Gjinisë Mendore mund të dallohet lehtësisht përreth nesh në jetën e përditshme. Personat “magnetikë” janë ata persona të cilët janë të aftë të përdorin Parimin Mashkullor në mënyrë të tillë që të ngulitin idetë e tyre tek të tjerët. Aktori që i bën njerëzit të lotojnë apo qajnë sipas dëshirës, përdor këtë parim. Po kështu edhe oratori i suksesshëm, njeriu i shtetit, predikuesi, shkrimtari apo tjetërkush që ndodhet përpara vëmendjes publike. Ndikimi karakteristik i ushtruar nga disa njerëz mbi njerëz të tjerë, i detyrohet pikërisht shfaqjes së Gjinisë Mendore, përgjatë trajtave Lëkundëse të lartpërmendura. Në brendësi të këtij parimi gjenden të fshehtat e magnetizmit personal, ndikimit personal, magjepsjes etj., si edhe fenomene të grupuara në mënyrë të përgjithshme nën emrin Hipnotizëm.

Studenti i cili është familjarizuar me fenomenin e njohur gjerësisht si “forca psikike”, ka zbuluar edhe rolin e rëndësishëm të luajtur në këtë fenomen nga forca të cilën shkenca e ka quajtur “Sugjestion”, emër ky me të cilin nënkuptohet procesi apo metoda nëpërmjet së cilës një ide zhvendoset apo “ngulitet” në mendjen e dikujt tjetër, duke bërë që kjo mendje e dytë të veprojë në përputhje me idenë. Është e nevojshme që të kuptohet drejtë Sugjestioni, në mënyrë që të zbërthehen me zgjuarsi dukuritë e ndryshme fizike në themel të të cilave ai qëndron. Akoma më të nevojshme janë njohuritë mbi Lëkundjen dhe Gjininë Mendore, të domosdoshme për studentin e Sugjestionit. Kjo për arsyen e thjeshtë se i gjithë parimi i Sugjestionit është i varur plotësisht nga parimi i Gjinisë Mendore dhe Lëkundjes.

Është kthyer në diçka të zakonshme tashmë për studiuesit dhe profesorët e Sugjestionit që të theksojnë se është mendja “objektive apo e vullnetshme”, ajo që lë mbresat apo krijon sugjestionin mbi mendjen “subjektive apo të pavullnetshme”. Por ata nuk përshkruajnë as procesin e as nuk tregojnë ndonjë analogji në natyrë që të na ndihmojë ta përvetësojmë idenë menjëherë.

Nëse do ta shqyrtoni çështjen nën dritën e Doktrinës Hermetike, do të vini re se gjallërimi i Parimit Femëror prej Energjisë Lëkundëse të Parimit Mashkullor, është në përputhje me ligjet universale të natyrës, dhe bota natyrore ofron analogji të panumërta nëpërmjet të cilave parimi mund të bëhet i kuptueshëm.

Në fakt Mësimet Hermetike tregojnë se edhe vetë krijimi i Universit i nënshtrohet të njëjtit ligj, dhe se në të gjitha shfaqjet krijuese në rrafshet shpirtërore, mendore e fizike, Parimi i Gjinisë është gjithmonë në veprim, duke u shfaqur në formën e Parimit Mashkullor ose Femëror. “Si lart, ashtu edhe poshtë; si poshtë, ashtu edhe lart”. Përtej kësaj, në momentin kur Parimi i Gjinisë Mendore rroket e kuptohet plotësisht, fenomenet e ndryshme të psikologjisë papritmas bëhen të studiueshme e të klasifikueshme në mënyrë inteligjente në vend që të mbeten në mugëtirë. Parimi “funksionon” edhe në praktikë, pasi është i bazuar mbi ligjet e pandryshueshme universale të jetës.

Nuk do të hyjmë këtu në diskutim të zgjeruar apo përshkrim të fenomeneve të ndikimit mendor apo aktivitetit telepatik. Ekzistojnë shumë libra, disa prej tyre mjaft të mirë, të shkruar e të botuar kohët e fundit mbi këtë çështje. Faktet që shpallin këta libra të ndryshëm në vija të përgjithshme konsiderohen të sakta, megjithëse shkrimtarët e ndryshëm janë orvatur ta shpjegojnë fenomenin secili sipas teorisë vetjake të preferuar.

Nxënësi mund ta prezantojë veten me këto çështje, e duke përdorur teorinë e Gjinisë Mendore të bëhet i aftë të nxjerrë në pah rregull nga kaosi i teorive e pikëpamjeve kontradiktore, e për më tepër, nëse është i prirur, mund ta kthejë veten lehtësisht në një autoritet të fushës në fjalë.

Qëllim i këtij libri nuk është të japë informacion të zgjeruar mbi fenomenet psikike, por t’i dhurojë nxënësit një çelës universal me të cilin ai të mundë të hapë dyert e shumta që shpien në pjesë të ndryshme të Tempullit të Diturisë, të cilin nxënësi mund të dëshirojë ta eksplorojë. Ne mendojmë se nga ky këndvështrim mbi Mësimet e Kybalionit, dikush mund të nxjerrë shpjegime që do të shërbejnë për të qartësuar shumë probleme të ndërlikuara; një çelës që do të hapë shumë dyer.

Nuk ka vlerë hyrja në detaje në lidhje me veçoritë e shumta të fenomeneve psikike dhe shkencës së mendjes, për sa kohë ne vendosim në duart e nxënësit mjetet nëpërmjet të cilave ai mund ta njohë veten plotësisht me çdo fazë të subjektit që mund t’i interesojë. Me ndihmën e Kybalionit gjithkush mund të kalojë në duar çfarëdo librarie okulte nga fillimi, ndërkohë që Drita e lashtë nga Egjipti ndriçon shumë faqe të errëta e çështje të cilat qëndrojnë në terr. Ky është qëllimi i këtij libri.

Ne nuk jemi këtu për të shpjeguar një filozofi të re, por për të risjellë në pah parimet themelore të një doktrine të madhe të vjetër sa bota, e cila do të qartësojë mësimet e të tjerëve, e cila do të shërbejë si Pajtuese e Madhe e teorive të ndryshme dhe e doktrinave të kundërta.

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi