EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjinia

Shko poshtë

Gjinia Empty Gjinia

Mesazh  Jon 26.08.12 23:44

GJINIA

“Gjinia ekziston në çdo gjë; gjithçka ka Parimet e saj Mashkullore e Femërore; Gjinia manifestohet në të gjitha rrafshet.” – Kybalioni

Parimi i Shtatë Hermetik, Parimi i Gjinisë, trupëzon vërtetësinë që pohon se Gjinia shfaqet në gjithçka, se parimet Mashkullore dhe Femërore janë përherë të pranishme dhe aktive në të gjitha fazat e dukurive, në secilin nga rrafshet e veçanta të jetës. Në këtë pikë mendojmë se do të ishte e udhës të tërhiqnim vëmendjen tuaj drejt faktit që Gjinia në kuptimin e saj Hermetik, nuk është e njëjta gjë me Seksin në kuptimin e zakonshëm me të cilin përdoret kjo fjalë.

Fjala “Gjini” vjen nga rrënja latine e saj që do të thotë “të bëhesh shkak, të ngjizësh, të gjenerosh, të krijosh, të prodhosh”. Një shqyrtim i shkurtër do t’ju dëshmonte se kjo fjalë ka kuptime më të shumta e më të gjera se fjala “Seks”, e cila i referohet dallimeve fizike midis gjallesave mashkullor e femërore. Seksi është thjeshtë manifestim i Gjinisë në një rrafsh të caktuar të Rrafshit të Madh Fizik, rrafshit të jetës organike. Do të dëshironim të ngulitnim fort në mendjet tuaja këtë dallim, për shkak se disa shkrimtarë të cilët janë njohur sipërfaqësisht me Filozofinë Hermetike, janë orvatur ta njësojnë Parimin e Shtatë Hermetik, me teori e mësime boshe apo fantazi, shpesh madje edhe të qortueshme mbi Seksin.

Qëllimi i vetëm i Gjinisë është krijimi, prodhimi, gjenerimi etj., dhe manifestimi i Parimit është i dukshëm në secilin nga rrafshet e dukurive. Është e vështirë të ofrohen prova shkencore për këtë, pasi shkenca ende nuk e ka pranuar këtë Parim si të zbatueshëm në mënyrë universale. Megjithatë, ka prova të cilat po dalin në dritë pikërisht nga burime shkencore.

Fillimisht mund të vëmë re manifestime te dallueshme të Parimit të Gjinisë ndërmjet grimcave, joneve apo elektroneve, të cilat përbëjnë bazën e Materies ashtu siç shkenca e njeh këtë të fundit, e të cilat përmes kombinimesh të caktuara formojnë Atomin, i cili deri pak kohë më parë trajtohej si fundor dhe i pandashëm.

Fjala e fundit e shkencës thotë se atomi përbëhet nga një shumëllojshmëri grimcash, elektronesh ose jonesh (emra të ndryshëm këta të përdorur nga autoritete të ndryshme), të cilat rrotullohen përqark njëra-tjetrës dhe lëkunden me intensitet të lartë. Paralelisht me këtë, pohohet se formimi i një atomi, në të vërtetë, ndodh si pasojë e grumbullimit të grimcave negative përreth një grimce pozitive; në dukje grimcat pozitive ushtrojnë njëfarë ndikimi mbi grimcat negative, duke bërë që këto të fundit të formojnë kombinime të caktuara dhe të “krijojnë” apo “gjenerojnë” në këtë mënyrë atome.

Kjo përkon plotësisht me Mësimet më të lashta Hermetike, të cilat e kanë identifikuar gjithmonë parimin Mashkullor të Gjinisë me (të ashtuquajturin) Polin “Pozitiv” dhe parimin Femëror me (të ashtuquajturin) Polin “Negativ” të Elektricitetit.

Le të themi dy fjalë në këtë pikë në lidhje me këtë identifikim. Publiku i gjerë ka krijuar një përshtypje krejtësisht të gabuar mbi cilësitë e të ashtuquajturit pol “Negativ” të Materies së elektrizuar ose magnetizuar. Shkenca i përdor në mënyrë të gabuar fjalët Pozitive dhe Negative për sa i përket kësaj dukurie. Fjala Pozitive nënkupton diçka reale dhe të fortë krahasuar me Negativen, e cila nënkupton mosvërtetësi dhe dobësi.

Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta faktike e dukurisë së elektricitetit. I ashtuquajturi poli Negativ i një baterie, në të vërtetë është poli në të cilin dhe prej të cilit shfaqet gjenerimi apo prodhimin i formave dhe energjive të reja. Nuk ka asgjë “negative” në lidhje me këtë. Autoritetet shkencore tashmë përdorin fjalën “Katodë” në vend të fjalës “Negative”, fjalë kjo që vjen nga greqishtja e që nënkupton “prejardhje; udhë e gjenerimit” etj. Nga poli i Katodës vërshon luzma e elektroneve ose grimcave, e po nga i njëjti pol burojnë edhe “rrezet” e mrekullueshme të cilat kanë revolucionarizuar konceptet shkencore gjatë dekadës së shkuar.

Poli i Katodës është Mëma e gjithë dukurive të çuditshme të cilat kanë bërë të padobishme tekstet e vjetra, dhe kanë flakur në pirgun e mbeturinave të spekulimeve shkencore, teori të pranuara prej një kohe të gjatë. Katoda ose Poli Negativ është Parimi Mëmë i Dukurisë së Elektricitetit, si edhe i formave më të përsosura të materies që njeh sot për sot shkenca.

Kështu pra siç e shikoni, jemi të justifikuar kur refuzojmë përdorimin e fjalës “Negative” gjatë trajtimit të çështjes në fjalë, si edhe kur insistojmë në zëvendësimin e terminologjisë së vjetër me fjalën “Femërore”. Janë vetë faktet të cilat na shtyjnë të veprojmë në këtë mënyrë, pa pasur nevojë t’i referohemi aspak Doktrinës Hermetike. Kështu pra, në vijim do të përdorim fjalën “Femëror” në vend të fjalës “Negativ” kur të flasim për këtë pol të caktuar aktiviteti.

Teoritë e fundit shkencore thonë se grimcat krijuese apo elektronet janë Femërore (shkenca thotë se “përbëhen nga ngarkesë negative elektrike”, ne themi se përbëhen nga energji Femërore). Një grimcë femërore mund të shkëputet ose edhe të largohet nga një grimcë Mashkullore, e të nisë një karrierë të re. Ajo kërkon në mënyrë aktive bashkimin me një grimcë Mashkullore, duke qenë e shtyrë nga një impuls natyral drejt krijimit të formave të reja të Materies apo Energjisë.

Një shkrues madje shkon aq larg, sa përdor shprehje si: “…ajo menjëherë, kërkon me vullnetin e saj të lirë, një bashkim…” etj. Këto ndarje e bashkime formojnë edhe bazën e pjesës dërrmuese të aktiviteteve të botës kimike. Kur grimca Femërore bashkohet me grimcën Mashkullore, nis një proces i caktuar. Grimcat Femërore lëkunden me shpejtësi nën ndikimin e energjisë Mashkullore dhe rrotullohen me shpejtësi përqark kësaj të fundit.

Rezultati është lindja e një atomi të ri. Ky atom i ri, vërtetë është krijuar nga bashkimi i ngarkesave apo grimcave Mashkullore e Femërore, por pasi bashkimi është kryer atomi shfaqet si diçka më vete, me veti të caktuara, pa shfaqur më karakteristikën e elektricitetit të lirë. Procesi i shkëputjes apo ndarjes së elektroneve Femërore quhet “jonizim”. Këto elektrone apo thërrmija, janë punëtorët më aktivë në Natyrë. Si pasojë e bashkimeve dhe e kombinimeve të tyre, shfaqen dukuritë e ndryshme të dritës, nxehtësisë, elektricitetit, magnetizmit, tërheqjes, shtytjes, afrimitetit kimik dhe anasjelltas, si edhe fenomene të tjera të ngjashme. Të gjitha këto, shfaqen nga veprimtaria e Parimit të Gjinisë në rrafshin e Energjisë.

Pjesa e parimit Mashkullor, duket se është ajo që drejton njëfarë energjie të qenësishme kundrejt parimit Femëror, duke nisur në këtë mënyrë veprimtarinë e procesit krijues. Por është parimi Femëror që kryen përherë punën krijuese aktive; kështu ndodh në të gjitha rrafshet. Secili nga parimet me vete, është i paaftë të përftojë energji vepruese pa ndihmën e tjetrit. Në disa forma jete, të dy parimet janë të kombinuara në një organizëm të vetëm.

Në botën organike gjithçka shfaq dy gjini; gjendet Mashkullorja në formën Femërore dhe forma Femërore. Mësimet Hermetike përmbajnë të dhëna të zgjeruara mbi veprimtarinë e dy parimeve të Gjinisë, në lidhje me prodhimin dhe manifestimin e formave të ndryshme të energjisë etj., por nuk e shohim si të volitshëm thellimin në këto detaje për momentin, përderisa shkenca nuk ka përparuar mjaftueshëm sa të mundemi t’i mbështesim me fakte shkencore. Por shembulli që ju dhamë mbi dukuritë e elektroneve dhe grimcave, dëshmon se shkenca është në udhën e duhur, si edhe ju jep një ide të përgjithshme mbi parimet që qëndrojnë në themel.

Disa prej shkencëtarëve hulumtues kryesorë kanë deklaruar se besojnë që gjatë formimit të kristaleve, gjendet diçka që përkon me “aktivitetin seksual”, çka është një tjetër shenjë që dëshmon për drejtimin drejt të cilit po fryjnë erërat e shkencës. Çdo vit që do të vijë do të sjellë më shumë fakte që do të mbështetin saktësinë e Parimit Hermetik të Gjinisë. Do të zbulohet se Gjinia është në manifestim e veprimtari të pandërprerë në fushën e materies inorganike, si edhe ne fushën e Energjisë ose Forcës.

Tashmë, në përgjithësi elektriciteti trajtohet si “Diçka” në të cilën duket sikur treten apo shkrihen të gjitha format e tjera të energjisë. “Teoria Elektrike e Universit” është doktrina më e fundit shkencore, e cila po rritet me shpejtësi në popullaritet dhe po pranohet gjerësisht. Rrjedhimisht, nëse jemi të aftë të zbulojmë brenda dukurisë së elektricitetit, qoftë edhe thellë në rrënjët dhe burimin e manifestimeve të saj, një provë të pagabueshme të pranisë së Gjinisë dhe veprimtarisë së saj, jemi plotësisht të justifikuar t’ju kërkojmë të besoni se shkenca më në fund ka ofruar prova të ekzistencës së Parimit të madh Hermetik, Parimit të Gjinisë, në të gjitha dukuritë e universit.

Nuk është e nevojshme t’ju marrim kohë me dukurinë e mirënjohur të “tërheqjes dhe shtytjes” së atomeve, afrimitetin kimik, “pëlqimet e mospëlqimet” e grimcave atomike apo tërheqjen ose kohezionin ndërmjet molekulave të materies. Këto fakte janë tejet të mirënjohura e nuk kanë nevojë për koment të zgjeruar nga ana jonë. Por a ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend se të gjitha këto janë manifestim i Parimit të Gjinisë?

E keni vallë të vështirë të vëreni se kjo dukuri ngjan me atë të grimcave e elektroneve si dy pika uji? E akoma më tej, a mundeni vallë të mos shihni urtësinë e Mësimeve Hermetike të cilat pohojnë se edhe vetë Ligji i Gravitetit, kjo forcë tërheqëse misterioze falë së cilës të gjitha grimcat e trupat që zotërojnë masë priren drejt njëri-tjetrit, nuk është gjë tjetër veçse një manifestim tjetër i Parimit të Gjinisë, i cili vepron duke tërhequr Mashkulloren te Femërorja e anasjelltas?

Për momentin nuk mundemi t’ju ofrojmë prova shkencore, por shqyrtojeni dukurinë nën dritën e Mësimeve Hermetike, e do të shihni se do të keni një hipotezë që funksionon më mirë se çdo hipotezë tjetër e ofruar nga shkenca e fizikës. Vendosini në provë të gjitha dukuritë fizike e do të dalloni menjëherë se Parimi i Gjinisë është gjithmonë i pranishëm.

Le të hidhemi tani në trajtimin e veprimtarisë së Parimit në Rrafshin Mendor, ku mjaft veçori që paraqesin interes po presin të shqyrtohen.

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi