EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Të jetosh për të tjerët

Shko poshtë

Të jetosh për të tjerët Empty Të jetosh për të tjerët

Mesazh  Odin 22.10.12 11:22

Të jetosh për të tjerët

Kush është njeriu që lufton për të drejtat e jetimëve të Shqipërisë, çfarë e lidh me këtë mision, cilat janë synimet e tij dhe pse është kaq i rëndësishëm për të integrimi i jetimëve.

Të jetosh për të tjerët Ilir-cumani

Ilir Çumanin e takojmë pranë Teatrit të Operas, megjithëse gjithmonë ka diçka për të bërë, ka projekte dhe ide të cilave iu është përkushtuar tërësisht, e gjen kohën për të realizuar një intervistë.

Tek ky ambient Iliri është i njohur, herë pas herë lypësit i afrohen tavolinës së tij dhe ai nuk i kthen duar thatë. Duket se ata janë mësuar dhe rituali i tyre është i përditshëm. E vetmja gjë që u thotë është: “Merri, por kjo nuk është zgjidhje”. Nuk është tip i mbyllur dhe as nga ata që dëshiron ta fshehë të kaluarën, por nuk do të flasë për të. “Kjo nuk është vetëm e kaluara ime, por e shumë fëmijëve si unë”, thotë dhe dëshiron ta largojë bisedën që aty. “Unë jam për t’i kuptuar dhe për t’u dhënë forcë fëmijëve jetimë të Shqipërisë”.

Megjithatë është e lehtë për të kuptuar që e kaluara ka lënë gjurmë tek ai dhe pikërisht kjo është arsye e të gjitha çapitjeve të tij, për të drejtat e jetimëve të Shqipërisë. Motoja e tij është “Të jetosh për të tjerët”, kjo shpreh qartë qëllimin dhe synimet e tij. Për të gjithçka rrotullohet rreth jetimëve, ka fituar shumë sfida dhe në vështirësi nuk është sprapsur.

Askush nuk e kupton më mirë se ai, se çdo të thotë të jesh njeri pa njeri, të të mungojë ngrohtësia familjare dhe të shkosh sa në një shtëpi fëmije në një tjetër.
Por kjo nuk do të thotë që të kesh një karakter të dobët apo të mos kesh fuqi të ecësh përpara në jetë.

Kujtimet e fëmijërisë

“Isha vetëm dy muajsh...”, thotë ai pa dashur të vazhdojë rrëfimin më tej. Që në këtë moshë dhe deri në moshën 3-vjeçare qëndroi në shtëpinë e fëmijës në Pogradec, më pas në shtëpinë e fëmijës për parashkollor, 6-7 vjeç qëndroi në shtëpinë e fëmijës në Vlorë, që 7 vjeç dhe deri në të 15-at, në Sarandë. Nga fëmijëria kujton ngrohtësinë dhe dashurinë e disa prej edukatoreve. “Nuk e di çfarë shikonin tek unë, por më trajtonin ndryshe.

Në shtëpinë e fëmijës kishte edhe fëmijë që iu kishin vdekur prindërit, apo që ishin të ndarë, megjithatë ka pasur momente që më kanë bërë të ndihem i veçantë. Më kanë trajtuar me shumë dashuri. Por jo çdo gjë është e bukur...” Tregon se një herë ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe shkoi në spital në momentet e fundit. “Ia dola mbanë, ja ku jam sot, por kjo ishte vepër e Zotit dhe jo e robit...”

Sekreti

“Nuk dua të flas gjatë sepse kjo mund të prekë fëmijët, por edhe mund të kujtojë episode të hidhura të atyre që janë rritur në shtëpinë e fëmijës”. Teksa flet të lë të kuptosh se ka një karakter të fortë, se i ka vënë vetës një qëllim për të cilin punon shumë. Ka edhe një sekret nga i cili buron e gjithë energjia e tij. “Sado i lodhur të jem, mbase edhe kam humbur një betejë, por kur shkoj në shtëpi dhe shoh dy fëmijët e mi dhe nusen, harroj çdo gjë, bëhem më i fortë dhe e kuptoj akoma më mirë se çfarë më ka munguar mua. Kjo më bën të mendoj për jetimët, si për fëmijët e mi”.

Jeta e vështirë, të qenit vetëm e ka bërë më të fortë Ilirin dhe të gatshëm për t’u përballuar me të gjitha vështirësitë që i dalin përpara. Mungesa e ngrohtësisë familjare ka bërë që ëndrrat për një familje të kthehen në një qëllim për të, me premtimin se fëmijëve të tij nuk do u mungojë asgjë që i ka munguar atij. Çdo moment të jetës e ka të fiksuar deri në detaje, duket sikur e ka gdhendur në kujtesë. Është baba i dy fëmijëve, i Ilvit dhe Londisës. Në shtëpi ka krijuar një “arkiv” me të gjitha detajet që nga ekoja e parë e fëmijëve e deri tani. Nuk ka qëndruar asnjë moment larg fëmijëve. “Ilvi ishte i vogël atëherë, kishte pak muaj që kishte lindur dhe e merrja me vete në zyrë. Prania e tij në atë zyrë më jepte një mbështetje dhe përkrahje që nuk di ta shpjegoj”, shprehet Çumani.

Synimet

Ai është Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtarë të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe kjo nuk është thjesht një punë për të, por një mision. “Duhet të ketë diçka që të motivon dhe të lidh fort me punën që bën për të qenë i suksesshëm. Lidhja ime me atë që bëj është një lidhje shumë e fortë, më e fortë edhe se unë. Dua që të ndryshojë diçka në mënyrën e trajtimit të jetimëve në Shqipëri. U duhet kushtuar më shumë vëmendje. Është një shtresë që ka nevojë për të gjithë ne, kanë nevojë për kujdes dhe mbi të gjitha kanë nevojë për dashuri”, shprehet Çumani.

20 Maji, Dita Kombëtare e Jetimëve në Shqipëri

E konsideron si arritjen më të madhe të tij faktin, që bëri të mundur që jetimët shqiptar të kenë një ditë të tyren. “Ishte ideja dhe nisma institucionale e Institutit të Integrimit Kombëtar të Jetimëve Shqiptarë dhe Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë, që i dha emër 20 Majit duke e quajtur Ditën kombëtare të jetimëve në vendin tonë. Por, kjo zgjedhje nuk ishte edhe aq e rastësishme.

Ajo lidhet drejtpërdrejt me historinë tragjike të Xhuliana Lulit, një vajzë jetime e rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. E braktisur nga dy prindërit që e lindën, jeta e saj papritur u këput në mes. Atë pasdite maji, Xhuliana pasi mbaroi orët e mësimit u nda nga shokët, me të cilët jetonte në jetimore dhe u ngjit në majën e një pishe për të këputur bohçet e pjekura nga pema. Nga 9 metra lartësi, dega që e mbante thyhet dhe ajo shembet me kokë në asfalt. Vajza e mitur nuk i shpëtoi dot vdekjes... Nisur nga kjo histori tragjike njerëzore, 20 Maji u vendos të ishte Dita kombëtare e Jetimëve në Shqipëri.

Emri: Ilir Çumani

Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtarë të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Është Ambasador i Paqes, titull i dhënë nga Federata e Paqes Universale, Kombet e Bashkuara. Është dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës, si dhe ka marrë Çmimin e Virtytit nga Komuniteti i Pajtimit Mbarëkombëtarë të Gjaqeve.
Odin
Odin

513


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi