EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

"Testamenti" i ish-Presidentit italian

Shko poshtë

"Testamenti" i ish-Presidentit italian Empty "Testamenti" i ish-Presidentit italian

Mesazh  Jon 04.06.10 9:49

"Testamenti" i ish-Presidentit italian Francesco Cossiga

"Testamenti" i ish-Presidentit italian Cossig10

I moshuar dhe i sëmurë, ky libër është fjala e fundit e tij.

1- "Bilancet e të gjitha partive janë akoma sot sistematikisht false, paratë e financimit publik janë vetëm një pjesë minimale dhe kështu që nuk ka personalitet politik që nuk mund të plaset në burg për tanxhente".

2- "Politikanët janë tashmë marioneta në duart e bankierëve dhe në lumin e parasë korrupsion lundrojnë karrierat dhe pasuritë personale të shumë prej tyre".

3- "'Duart e pastra' nuk lindi me arrestimin e Mario Chiesa. Aksioni i Prokurorisë u inkurajua nga FBI-ja amerikane dhe nga pushtetet e forta italiane".

4- "Pushteti mafioz, kamorrist dhe ndrangetist nuk janë të huaj: Janë shprehje e karakterit dhe e një ndjenje të rrënjosur në disa popuj italianë".

5- "Masakra e Bolonjës qe vepër e palestinezëve. Nganjëherë terrorizmi është i dobishëm".

6- Kriza ekonomike: "Paguam shtrenjtë euron për faj të vanitetit të Ciampi e Prodi".

"Politika dhe paraja? Bilancet e partive janë akoma sot fallso"

Me sa duket, gjithçka kthehet: Duar të Pastra, korrupsioni, raporti pervers midis politikës dhe parasë. Është për t'u skandalizuar? Sipas Francesco Cossiga, jo. Sepse, siç shpjegohet në librin në dalje për shtëpinë botuese "Aliberti" të titulluar "Fotti il Potere, gli arcana della politica e dell'umana natura", "midis politikës dhe parasë do të ekzistojë gjithmonë një lidhje e pazgjidhshme" dhe nuk mjaftojnë "logjikat moraliste tipike italiane për ta asgjësuar". Maksimumi, mund të fshihet.

Por nuk mund të mendohet se rregullat jo të shkruara të lojës politike si me magji të përmbysen. Në fakt, Presidenti thotë se "siç ndodhte gjatë Republikës së Parë, bilancet e të gjitha partive akoma sot janë sistematikisht fallso", paratë që marrin nëpërmjet financimit publik "janë vetëm një pjesë minimale e atyre të cilat praktikisht mund të disponojnë" dhe prandaj "nuk ka personalitet politik që nuk mund të plaset në burg për tanxhente".

I ka ndodhur edhe Cossiga të menaxhojë para të tjetërkujt dhe në libër këtë e tregon. Tregon edhe se, sot ashtu si atëherë, nuk ka parti të madhe në të cilën të mos shfaqen personazhe meritat politike të të cilëve mbesin të mbështjella me mister, por karrierat e të cilëve justifikohen me raportin ekskluziv që kanë ditur të endin me atë që e ka vërtet paranë. Sepse "politikanët tashmë janë marioneta në duart e bankierëve" dhe "mbi lumin e parave fryt i korrupsionit lundrojnë karrierat dhe pasuritë personale të shumë prej tyre".

Kështu që mund të ndodhë edhe që pak nga kjo para e destinuar për të financuar politikën të ngecë në duart e politikanëve. Por, do të ishte e arsyeshme të mos shfaqej pikëllim. Francesco Cossiga citon një pjesë të letrës të shkruar nipit nga liberali Massimo D'Azeglio, kur në vitin 1852 la postin e Kryeministrit të Mbretërisë së Sardenjës: "Asnjë vepër publike nuk mund të realizohet tashmë pa ndonjë njeri që të pasurohet prej saj".

Domethënë, më mirë të dorëzohesh. Sepse ta vësh theksin mbi aspektin moral të të vepruarit politik rrezikon që t'i lihen pasdore objektivat natyrore: të bësh, të realizosh gjëra në interesin e përgjithshëm.

Në fakt, Cossiga mendon se moraliteti individual duhet të raportohet mirë me efikasitetin e qeverisë, sepse "është më mirë politikani që vjedh pak, por që di të qeverisë mirë sesa një i ndershëm, por i paaftë". Vështirë që një "ndjeshmëri" e tillë të mund të përshkojë radhët e Prokurorisë, e cila është e përbërë nga njerëz si të gjithë, domethënë jo domosdoshmërisht të huaj ndaj sharmit të pushtetit.

Dhe të parasë. Për pasojë, mund të ndodhë që hetime objektivisht legjitime t'u përgjigjen logjikave ekskluzivisht politik ose të pushtetit. Për shembull: sipas Cossiga, "'Duart e Pastra' nuk lindën me arrestimin e Mario Chiesa. Kam folur me sipërmarrës të mëdhenj të ndryshëm të përfshirë dhe të gjithë më kanë thënë se u janë kontestuar fakte të mësuara nga prokurorët vite më parë falë përgjimeve. Ka diçka që nuk shkon: pse ato investigime prej vitesh të harruara janë lëshuar papritmas midis këmbëve të shtresës politike?".

Sipas Presidentit, atëherë veprimi i Prokurorisë u inkurajua nga FBI-ja amerikane dhe nga pushtetet e forta italiane.

Objektivi? Të përmbysej një sistem politik i sfilitur dhe, nga këndvështrimi i tyre, tashmë që nuk hynte në punë. Rregulli nuk ka ndryshuar: "Policia Gjyqësore nuk u përgjigjet më superiorëve të saj, si rezultat prokurori i telefonon funksionarit të turnit dhe i thotë: 'Ti përgjo X-in, nëqoftëse rezulton ndonjë gjë e dobishme për hetimin, e kam lënë tashmë një hapësirë të bardhë në akte; në rast të kundërt, vendosi menjanë kasetat sepse mund të bëhen të dobishme...'".

Në ato përgjime gjendet nganjëherë edhe prova e bashkëpunimit me kundërpushtetin mafioz. E habitshme? Aspak: "Italia - hap krahët Cossiga - është Itali: Italia e mafies, e kamorrës dhe e ndrangetës.

Fatkeqësisht, do të jetë gjithmonë kështu. Duhet të dorëzohemi, sepse pushteti mafioz, kamorrist dhe ndrangetist nuk janë të huaj për ne: janë shprehje e karakterit të njerëzve të cilëve u drejtohen dhe i korrespondojnë një ndjenje të rrënjosur në disa popuj italianë. Kështu që, për shembull, edhe kush nuk është kamorrist në kuptimin e ngushtë të fjalës, por aspiron të qeverisë krahinën e Campania, e di shumë mirë se nuk duhet t'i çajë dërrasat kamorrës...".

Gjë që, konkretisht, çfarë nënkupton? "Nënkupton shumë gjëra, më banalja është se nëqoftëse në një tenderim merr pjesë një kompani me lidhje të dyshuara me kamorrën ajo kompani do të shpallet fitimtare... I njëjti diskutim për mafien. Për të bërë politikë duhet të kihen raporte me kë ka pushtetin dhe në Siçili, siç e dinë edhe edhe ata pak demokratë të së majtës të aftë që të marrin ndonjë votë në ishull, të bësh politikë pa hyrë në kontakt me mafien është e pamundur. Veç në mos pranofsh të luash një rol më pak se dytësor...", gjë që për pjesën më të madhe të politikanëve (edhe të atyre të "ndershëm") do të ishte një zgjedhje kundërnatyrë.

Ata që shpikën P2 qenë amerikanët

Nuk është vetëm paraja, natyrisht. Mbretëria e errët e pushtetit të padukshëm mbi të cilin shpesh mbështetet pushteti politik përbëhet nga zëra të ndryshëm dhe një fjalë që prej shumë kohësh fryn mbi politikën italiane është fjala masoneri.

Fjalë e dashur për Francesco Cossiga, që mason thotë se nuk ka qenë asnjëherë, por që si i tillë konsiderohet nga shumë. Edhe pse është vetë ai që e ka lënë të nënkuptohet. Luan. Pëlqen të kujtojë gjyshin "mason të ritit skocez dhe të adhuruar të Lozhës së Sassari" dhe kur duhet e mbron institucionin nga sulme, kritika dhe klishe.

Zoti President, a është në gjendje masoneria ta influencojë politikën?

"Po iu përgjigjem me një moto, pak të njohur, të Alcide De Gasperi: 'Ta dish se ekziston, por të mos flasësh kurrë dhe të kesh të paktën 2 ministra masonë në qeveritë që formohen'".

Pse?

"Sepse masoneria mund të kthehet gjithmonë të jetë e dobishme. Natyrisht që sot nuk e ka më forcën që kishte në Tetëqindën, kur ishte feja civile e Rilindjes kundër kishës dhe bashkonte monarkistë e republikanë. Atëherë masoneria përkonte me shtetin dhe masonë qenë drejtuesit e forcave të armatosura dhe të karabinierëve. Sot masoneria është akoma influente, por sigurisht më pak se dikur".

Pse bëhet njeriu mason?

"Ou, hëh, duhet dalluar. Në ditën e sotme, në valën e sugjerimeve new age dhe ndoshta të letërsisë së Paulo Coelho, ka që bëhet mason i shtyrë nga një dëshirë njerëzore për transhendencë dhe për spiritualitet jashtë nga feja tradicionale. Për të tjerët është një formë dallimi shoqëror: në lozhë gjenden bashkë me njerëz shumë më të lartë në hierarki se ta dhe mendojnë se mund t'u nxjerrin ndonjë përfitim".

Vlen më shumë ideali apo interesi?

"Pyetje e vështirë, besoj se për shumë interesi është një shtytje më shumë se e mjaftueshme..."

Domethënë mund të ndodhë që politikanë kundërshtarë në Parlament në mbrëmje të ndodhen në të njëjtën lozhë: A ka ndonjë efekt kjo mbi gjërat e politikës?


"Mund të ketë, sigurisht. Në lozhë shtrëngohen lidhje personale, lindin raporte, konceptohen biznese... Por ajo që bën diferencën midis një qëndrimi linear dhe një qëndrimi, le të themi kështu ekuivok, zakonisht janë fortësia morale dhe ndjenja shtetërore e secilit".

Nga masoneria tek P2, hapi është i vogël...

"Njerëzit nuk e dinë se P2 është shpikur nga Shtetet e Bashkuara, vend në të cilin influenca e 'iluminatëve' përfaqësohet nga simbologjia masonike e riprodhuar në mënyrë emblematike në kartëmonedhat 1 dollarëshe dhe në të cilin prej 44 presidentëve që kanë pasuar njëri-tjetrin në Shtëpinë e Bardhë deri më sot vetëm 3 nuk ka qenë masonë: dy prej tyre (McKinley dhe Kennedy) u vranë, ndërsa i treti (Nixon) u shtrëngua që të japë dorëheqjen.

Përsa i përket Obama, nuk do të dija ta thoja. Por nëqoftëse do të përfundojë i vrarë edhe ai, mund të nënkuptojë se nuk ishte mason... Megjithatë, P2 ekziston qysh kur Roma është bërë kryeqyteti i Italisë dhe ishte lozha në të cilën regjistroheshin masonët që mbulonin poste të larta shtetërore. Kjo shpjegon edhe faktin pse nuk ekzistonte detyrimi për të frekuentuar Tempullin të shtunën në darkë dhe pse mund të regjistroheshe edhe në veshin e "Vëllait të Madh".

Shtetari i parë i P2 qe Giuseppe Zanardelli, shumë herë ministër dhe në vitin 1901 Kryeministër. Në kohëra më të vonshme, kur amerikanët panë se komunistët po afroheshin shumë në zonën e pushtetit e bënë P2 një shoqatë hiperatlantiste. Le të themi të vërtetën, e imagjinoni se çfarë mund t'u interesonte disa bankierëve të caktuar apo disa krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Licio Gelli...

Aderimi në P2 ka qenë për shumë njerëz vetëm një mënyrë për të pasur raporte të mira me Shtetet e Bashkuara, të cilët ngarkuan pikërisht Gelli, të cilin unë e njoh mirë, që ta organizonte gjënë".

Me çfarë qëllimi?

"Me qëllimin e të qenit gjithmonë të informuar lidhur me atë që ndodhte në Itali, për ta vonuar sa më shumë të ishte e mundur ardhja në pushtet e komunistëve dhe për të pasur në dispozicion një baluard të fundit të demokracisë atëhere kur situata realisht të kish percipituar".

Ndërkohë, piduistët bënin afera...

"Po, sigurisht, siç ndodh në të gjitha shoqatat. Por njerëzit nuk e dinë ose nuk e kujtojnë sa pas të gjithë tam-tamit që është bërë Kasacioni ka vendosur se anëtarësimi në P2 nuk përbën krim. Të qenit i regjistruar në P2 apo në një klub ku luhen boçe ishte, si të thuash, e njëjta gjë!".

Për 30-vjetorin e sekuestrimit Moro është rikthyer të flitet për P2, në të cilën, veç të tjerëve, qenë regjistruar të gjithë, ama të gjithë, krerët e shërbimeve sekrete të atëhershme, pse jo dhe kreu i Skuadrës së Lvizshme, përgjegjës i postblloqeve në Romë dhe komandanti i Bërthamës Hetimore të Karabinierëve. Ka që beson se kjo është më shumë se e mjaftueshme për të shpjeguar lirimin e munguar të pengut.

"Përralla! Pastaj, shiko, me rregull drejtorët e shërbimeve sekrete janë emëruar të gjithë me marrëveshjen e Partisë Komuniste dhe imagjinoni nëse Shërbimi i Vigjilencës i Partisë Komuniste italiane nuk e dinte se qenë piduistë...".

Shërbimi i vigjilencës i Partisë Komuniste italiane?

"Po, ishte një prej shërbimeve të informacionit më kapilar brenda administratës shtetërore: shumë zot dhe shu-më-të-in-for-muar! Mendo se zbulova vetëm disa vite pasi kisha qenë ministër i Brendshëm se kishin kontakte konstante me shërbimin sekret ushtarak dhe me atë civil. Dhe ministri nuk dinte absolutisht asgjë! E tregoj këtë për të thënë se PKI-ja e P2 dhe kush qenë anëtarët e saj dinin gjithçka, por nuk e kam supozuar asnjëherë se kjo përfaqësonte një kërcënim në kuptimin e vërtetë të fjalës".

Praktikisht P2 është shkrirë?

"Po, praktikisht u shkri dhe Giovanni Spadolini, që këtë e bëri një gur themeli të politikës së tij, nëpërmjet Mjeshtrit të Madh Armandino Corona i spastroi piduistët nga masoneria me skrupull të paparë. Një zell që e vuri në kontrast me Lozhën e Madhe të Londrës, nga momenti që një mason nuk mundet ose më mirë nuk mundej të denonconte dhe të bënte të gjykohej nga drejtësia e thjeshtë një vëlla mason".

Një shënim i thjeshtë në krah, nxjerrë nga një faqe e zverdhur e shënimeve të një kronisti të tjetër. Është përmbledhja e ardhjes në Romë e ambasadorit të ri amerikan Graham Martin, njeri i lidhur me CIA-n. Jemi në fundin e viteve '60, është një mëngjes i vakët dhe në këmbët e shkallares të avionit të sapoardhur nga Uashingtoni qëndrojnë dy makina.

E para, më afër, është ajo e funksionarëve të ambasadës të ardhur për të pritur shefin e ri. Për të dytën, të ndaluar disa metra më tej, nuk dihet asgjë. Vetëm ajo që shikohet: është një Mercedes i errët. Martin zbret nga avioni, përshëndet me ngut njerëzit e ambasadës dhe drejtohet drejt Mercedesit. Prej andej del një njeri shtatshkurtër të cilin ambasadori e përqafon në mënyrë vëllazërore dhe me të cilin rehatohet në sediljen e pasme. Mercedesi niset menjëherë, ai njeri ishte Licio Gelli.

- Marrë nga libri "Fotti il Potere - manuale sul potere politico", i shkruar nga Andrea Cangini me Francesco Cossiga
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

"Testamenti" i ish-Presidentit italian Empty Re: "Testamenti" i ish-Presidentit italian

Mesazh  Jon 30.08.10 11:44

Të vërtetat e fshehura me maskën e sekretit

Pak kohë më parë, ndëroi jetë njëri prej presidentëve italianë më të diskutueshëm në gjithë historinë e Italisë.

E quanin Thumbuesi, pasi nuk ngurronte të kritikonte dhe të hidhte thumba për gjithçka që posti i tij i presidentit ia lejonte, pa diskutuar fare këtu për moshën, çdo president Italian ka qënë i madh në moshë, siç është dhe e drejtë, gjithmonë i majtë në këto mandatet e fundit, pa asnjë kompleks për burrat e vërtetë të shtetit dhe jo mustaqe parritur, pasi do të jetë "babai" i kombit për një periudhë 7 vjeçare.

Ndoshta duke pasur një karrierë të gjatë në politikën italiane dhe jo diletant, arriti që me zgjuarsinë dhe pjekurinë të zgjidhte shumë mosmarrëveshje dhe të mbante në dorë shkopin për të "goditur" grindjet meskine të rreshtimeve poltike.

Sa koherent ka qënë realisht Kosiga, këtë mund ta lexoni në faqet e shtypit të ditëve të fundit të jetës, por fakti që të bën përshtypje të thellë në ndërgjegje është se ai tregohej "i shkrehur" apo budalla, siç e quajmë ne rëndom, për të thënë të vërteta që digjnin.

Po ka të vërteta që për kohë të gjatë mbajnë thënien Top Secret, të cilat edhe vetë presidenti i respektoi në afatin kohor, ndonjëherë edhe me bërrejtje ndërgjegjeje, për fakte që ndoshta prishin imazhin e vetë burrave të mëdhenj të shtetit.

Por dihet që në fund të jetës së vet njeriu thotë të vërteta, le të shpresojmë se ato, "uzurpuesit" e përkohshëm të pushtetit tek ne, të mos përpiqen t'i thonë në atë limit të jetës së tyre, dhe Kosiga e tha një të tillë, që ndoshta u dogji shumë vetave apo ndonjë shteti europian, siç ishte ajo e ngjarjes së Ustikës, kur nuk nguroi të akuzonte Francën për rrëzimin e avionit, duke i dhënë një përgjigje, edhe pse të vonuar, të afërmve të familjeve të viktimave të pafajshme, që sekreti shtetëror e mbajti pezull për kaq kohë.

Ka raste që e vërteta flet vetë, pa qënë nevoja të tregohen përralla, duke mos trazuar kështu dinjitetin e shtetit me fajet e shtetarëve, apo nëse më lejoni, paudhësitë e njerëzve që kur vishen me pushtet kapërcejnë masën e vetë pushtetit dhe paudhësitë mbajnë peshën në emër të shtetit.

Por po i lemë për momentin këto gjykime dhe po flasim për guximin dhe kurajon për të thënë të vërteta.

Pas disa ditësh, jeta plotike e vendit, pas një qetësie që shpresuam më kot të ishte absolute, do të marrë zjarr furishëm në parlament në debatet pafund të tij, në ministritë e shtetit, në qarqe, në bashki e deri në qeliza të pushtetit vendor.

Nëse zjarrin do të arrijmë ta kontrollojmë, duke ua vënë frerin psallmëtarëve poltikë, që pas pushimeve janë të karikuar me enrgji të shumta dhe që do t'i shkarkojnë sapo kamerat do të jenë përballë tyre, tensionet do të jenë të pakta, ose e thënë me shqip të vërtetat do të jenë më të pastra, pa sulme dhe kundërsulme maskuese.

A do të kenë këtë guxim dhe kurajo të dyja palët që të thonë të ëvrteta edhe pse ato do të djegin ?- thonë se kur djegin të vinë mëndtë. A do të jetë ndonjëri prej tyre, po them i pjekur dhe jo karavidhe, që të mund të thotë të vërtetat e zgjedhjeve dhe kutive që kjo histori të mbyllet përfundimidht?

Përsëri ka shumë dyshime edhe në këtë pikë, gjarpëri nuk i tregon kurrë këmbët e veta. Mund të vazhdojmë edhe me të tjera hipoteza dhe të vërteta që kërkojnë përgjigje, por zgjedhjet janë e vërteta që i vendos kapakun një viti me debate të kota.

Shikoni se sa të mençur janë plotikanë shqiptarë, që humbën një vit në përleshje mes tyre, kur koha për ne shqiptarët duhet të jetë tepër e çmuar. Por motorët po ndizen edhe për një betejë tjetër që vitin e ardhshëm do të jetë në qendër të vëmendjes, zgjedhjet lokale.

Heshtja e përkohshme e tyre, betejat tashmë në klane kanë filluar, dhe e pashpallur në publik, do të thyhet sapo presidenti të shpallë datën e tyre.

Dhe zhurmat tashmë do të jenë dyfishe, pasi përplasjeve për kandidatë kryetarësh, do t'u vihen përbri ato të zgjedhjeve dhe tashmë skema dihet qartë me sloganet : nëse nuk ndryshon ligji, zgjedhjet do të manipulohen përsëri; zgjedhjet ishin të shkëlqyera, gjë që dëshmon se vendi ynë ka hyrë në rrugën e demokracisë dhe ligjërime të tjera të pafund, që nuk janë veç mashtrime pas së cilave fshihen të vërteta të mëdha të dhimbshme.

Viti kalendarik deri në zgjedhjet lokale do të jetë i gjatë, po ashtu dhe përleshjet mes poltikanëve, bile dhe mediatike, për të na thënë " të vërtetat e tyre", për të cilat nuk ka nevojë më askush.

Arjan Th. Kallço
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi