EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hakmarrja e legjendës

Shko poshtë

Hakmarrja e legjendës Empty Hakmarrja e legjendës

Mesazh  Neo 16.05.10 11:27

Hakmarrja e legjendës

Hakmarrja e legjendës Prane_10

Vërtetësinë e Mujit dhe Halilit në fshatin Marinë nuk e konteston askush. Gurët e këtyre kreshnikëve, që gjenden në këtë fshat, janë krenaria dhe njëkohësisht burimi i një frike të vjetër. Sipas banorëve, ata që janë munduar të ndryshojnë vendin apo formën e gurëve të Mujes dhe Halilit, sot nuk jetojnë më.

Legjendat Muji dhe Halili, të cilët kanë jetuar vetëm në imagjinatën e shkrimtarëve, janë ringjallur në një fshat të Drenicës.

Në telin e Lahutës, ata edhe më tutje shkulin lisa dhe peshojnë shkëmbinj. Muji dhe Halili kanë qenë dy malësorë që kanë pasur fuqi mbinatyrore. Ata, sipas legjendës, ishin shtatgjatë, muskulorë dhe me mustaqe të gjata.

Madje, fshati Marinë i Drenicës ka një lidhje shumë të veçantë me këta dy malësorë. Këtë lidhje e bëjnë më të fortë dhe të prekshme tre gurë të mëdhenj, të cilët qëndrojnë afër shkollës së fshatit.

Brez pas brezi në Marinë me rrethinë tregohen legjenda se si këta gurë janë peshuar nga duart e Mujës dhe Halilit.

Ndërsa profesorët e shkollës fillore nuk kanë nevojë t’ua vizatojnë nxënësve madhësinë e gurëve në dërrasë të zezë. Ata i kanë vetëm pak metra larg shkollës dhe fëmijët kanë mundësi edhe t’i shohin nga afër.

“Së pari kur i kanë gjuajtur gurët Muji dhe Halili, si ka ra këtu njerëzit kanë menduar që është tërmet, por kur ka ra ka shpërthye uji”, rrëfen Kushtrimi i cili është në klasën e tretë.

Marinasit këta tre gurë i ruajnë si sytë e ballit. Ata besojnë se kush i prek gurët, mund t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi në familje. Në këtë mënyrë, gurët janë ruajtur nga dëmtimi.

“Nuk kanë guxu, kush e ka prek atë janë domtu të gjithë. Kush e ka prek iu ka kajt nana”, thonë një banor i fshatit Marinë.

Vërtetësinë e tyre nuk e konteston askush në Kosovë. Madje as të rriturit.

Ata besojnë se këta tre gurë janë hedhur nga duart e Mujës dhe Halilit nga fshati Gradicë, i cili gjendet tri kilometra larg Marinës. “Para 150 vjetëve këta gurë janë këtu, dy këtu e një qatje. Thonë që i kanë gjuajt prej Qyqavice, Tali e Muja këta e Halili atë”, rrëfen Metush Hoti nga fshati Marinë, duke treguar me gisht gurët e mëdhenj.

Hakmarrja e legjendës Oborr10

Madje edhe mësuesit besojnë fort në legjendën e kreshnikëve. Kamber Hoti këtë bindje çdo ditë ia transmetohen edhe fëmijëve në shkollën fillore në Marinë. Ai tregon se si kanë ardhur këta gurë në fshatin e tyre. “Është kap guri me dy duart, edhe është hulat edhe është hedh sa ka pas fuqi në lartësi shumë të madhe. Kësaj loje i kanë thënë gurapeshë”, tregon ai.

Ndryshe nga banorët, sociologu Shemsi Krasniqi thotë se legjenda që është thurur për kreshnikët Mujin dhe Halilin ka një mesazh tjetër. “Mesazhi i vërtetë i saj është se fuqia njerëzore është shumë e madhe, dora e njeriut është shumë e fuqishme, mundet të bëj çudi, mund të bëj mrekulli”, vlerëson Krasniqi.

Pavarësisht kësaj, mësuesit dhe banorët e fshatit Marinë e kanë ndërmend t’i ruajnë këta gurë, në mënyrë që legjenda për Mujin dhe Halilin të mos vdesë kurrë. “Si punëtor i arsimit kam propozuar që t'iu sigurohet një bazë, të ruhen, por ku me gjet njerëz që do ta kryejnë atë punë”, rrëfen Sejdi Mziu, mësues i vjetër në këtë fshat.

Këta tre gurë janë krenaria dhe njëkohësisht burimi i një frike të vjetër të fshatarëve. Ata që janë munduar të ndryshojnë vendin apo formën e gurëve të Mujes dhe Halilit, sot nuk jetojnë më.

“Një person e ka shpinë qatje, ia ka hek një copë për me zidu një bunar, atë dite iu ka sëmur një djalë , i ka mbet sakat, tash ka vdek, por gjatë gjithë jetës u kanë sakat”, rrëfen Metush Hoti, banor i këtij fshati.

Ndërsa, mësuesi Kamber Hoti di edhe një rrëfim po kaq të errët për fuqinë mistike të gurëve. "Një shtëpi në lagjen time atje ka bë thyerjen e gurit të madh, por ajo shtëpi e atij personi që e ka thye gurin, është shuar, vetëm një djalë prej asaj familjeje ka mbijetuar”, tregon mësuesi.

Ndërsa sociologu Shemsi Krasniqi vlerëson se frika qindravjeçare e banorëve është e natyrës psikologjike. Sipas tij, mosrespektimin e kultit e lidhin me fatkeqësi. “Fatkeqësitë gjithmonë ndodhin, por bashkësia, popullata e projekton fatkeqësitë si pasojë e një veprimi që nuk e ka respektuar kultin apo vlerën që e ka krijuar bashkësia”, shton Krasniqi.

Ndërsa kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, është më i drejtpërdrejt. Ai thotë se banorët e Marinës janë duke bashkëjetuar me një frikë të paarsyeshme, që nuk ekziston në realitet.

“Ky është një besim i kotë, një besëtytni, që nuk ka të bëjë absolutisht me të vërtetën. Këto janë vetëm trillime djallëzore që janë ngulitur nga imagjinata të sëmura të njerëzve se nëse lëvizet ky guri do t'i ndodhë dikujt diçka në familje”, thekson ai.

Edhe Don Shan Zefi nga Kisha Katolike e Kosovës mendon po ashtu se kjo është thjesht një legjendë.
“Është shumë e qartë se kemi të bëjmë me një mitologji. Fuqia e Zotit mund të bëjë mrekulli, por në këtë rast, në këtë fshat, mendoj se kjo është thjesht një legjendë dhe nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën”, thotë Zefi.

Por, mësuesi më i vjetër në fshat, Sejdi Mziu këmbëngul se ajo në të cilën besojnë fshatarët nuk është e trilluar. Ai thotë se vërtet kanë ndodhur raste kur njerëzit kanë vdekur, për shkak se janë mundur t’i dëmtojnë këta gurë. Ai tregon disa raste të punëtorëve që kanë punuar në ndërtimin e rrugës. Sipas tij, shumica e atyre që e kanë lëvizur njërin gurë nga vendi tashmë kanë vdekur.

“Nuk është besëtytni, është fakt se të gjithë ata që jo me qëllime të këqija, por edhe me qëllimin më të mirë, kanë pësuar. Prandaj kjo nuk është rezultat i besimit, krijimit të një bindjeje, por është e vërtetë”, rrëfen Mziu.

Rrëfimet për gurët çdo ditë ushqehen me frikë të re. Për ta tashmë janë thurur shumë rrëfime. Sipas banorëve, dikur afër këtyre gurëve janë shfaqur edhe krijesa të papara më herët. Sipas tyre, këto krijesa kanë shërbyer si mbrojtës të gurëve të Mujit dhe Halilit.

“Unë si unë, tash në moshën 65 vjeçare e mbaj mend gurin kur ka qenë sa grushti. Me i thanë dikujt që guri rritet ndoshta çuditet, por këta janë gurë të shenjtë”, thotë mësuesi tjetër Kamber Hoti.

Por, në këtë teori nuk beson sociologu Krasniqi. “Nuk besoj që gurët rriten, por rriten fjalët, shtohen besimet”, thotë ai, duke nënqeshur.

Baca Kamber ka edhe një rrëfim edhe më trishtues, që iu është thurur gurëve të Mujit dhe Halilit, që marinasit i ruajnë si sytë e ballit.

“Shumë njerëz e kanë pa një gjarpër të madh në zgavrën e gurit të madh dhe verës prej zhegut këndon. Ka qenë me një kaqurotë shumë të madhe dhe ka dalë në kohën kah 8:00...9:00 e mëngjesit”, rrëfen Kamber Hoti.

Por, a del dikush brenda dhe jashtë Marinës që ka guxim të dëmtojë këta gurë?
“Jo, kurrë, se kush i ka dëmtuar, ia ka pa sherrin”, thotë Metushi i bindur në fuqinë shkatërruese të gurëve.

Edhe mësuesi Kamber thotë se gurët e Mujit dhe Halilit nuk bën t’i prekë askush. Sipas tij, çdo njeri që i dëmton ata mund të vdesë nga mallkimi i gurëve.

Ndërsa sociologu Shemsi Krasniqi nuk beson në këto rrëfime të errëta të banorëve. Megjithëkëtë, ai thotë se as vetë nuk do të kishte guxim t’i dëmtojë këta gurë.

“Personalisht nuk iu besoj, por personalisht nuk do t'i dëmtoja në asnjë rast, as nuk do të provoja në asnjë rast t’i bindi popullatën që nuk ka nevoje t’i besojë kësaj... Lëri njerëzit le të mendojnë në mënyrën çfarë të duan”, shton ai.

Ndërkohë, në oborrin e shkollës së Marinës vazhdojnë të luajnë fëmijët, derisa rrëfimi për mallkimin e gurëve do të rritet bashkë me ta. Më fëmijët do të rritet edhe frika e hakmarrjes së legjendave.
Sociologu Shemsi Krasniqi vlerëson se mitet në këtë fshat vështirë se do të zhduken ndonjëherë.

“Për faktin që fshati është i populluar dhe nuk ka tendencë të braktiset, mendoj se ky kult do të vazhdojë të mbijetojë edhe në gjeneratat e ardhshme”, thekson ai.
Në këtë janë të bindur edhe marinasit. “Miti për paprekshmërinë e tyre do të ekzistojë sa të ekzistojë njerëzimi”, thotë mësuesi Sejdi Mziu.

Historia e Mujit dhe Halilit


Nga malet e Çiçavicës, pasi kanë pirë qumështin e zanës, Muji dhe Halili kanë bërë garë se cili mund të gjuajë gurë më larg se tjetri. Natyrisht ata gurë kanë qenë të përmasave shumë të mëdha, por qumështi i zanës u ka dhënë atyre një fuqi mbinatyrore. Dhe gara kishte përfunduar pikërisht në fshatin Marinë, ngase gurët që janë gjuajtur prej tyre, janë përplasur në tokën që sot quhet Marinë.

Përshkrimi i personazheve është i mbinatyrshëm; ata flasin me orët, luftojnë me mazdrake (topuz), gjaku i tyre derdhet si lumë, i kanë mustaqet nga një pash, e hedhin topuzin me aq forcë sa ngrihet pluhur nëntë pashë lart etj. Heronjtë e këtyre legjendave janë të shumtë, por kryesorët janë Muja e Halili.

Artan Behrami
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi