EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste)

3 posters

Shko poshtë

Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste) Empty Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste)

Mesazh  Admin 16.01.09 14:45

Astrologjia - pikepamje evangjeliste

Në librin Psychologie des Aberglaubens (Psikologjia e magjisë), Dr. Schrank shkruan: "Kur një nga astrologët më të mëdhenj si Werle, e përshkruan astrologjinë si artin e parashikimit të fatit, ai me ndërgjegje, largohet nga bazamenti solid i shkencës për të rënë në moçalin e supersticionit.

Se, sa e rrezikshme është ajo, na e tregojnë shqetësimet psiqike, frika e jetës, dëshpërimi, që lindin prej saj tek njerëz sensibël. Astrologjia paralizon iniciativën dhe fuqitë e arsyetimit. Ajo të trash trurin dhe të motivon të jesh i cekët. Fut brenda personalitetit një lëvizje subversive që ushqehet me vulgaritete." Nëse ky është mendimi i një mjeku e shkencëtari, nuk është nevoja të shtoj edhe unë të tjera. Do të desha vetëm të tregoja dy shembuj me të cilët jam ndeshur së fundi në punën time.

- Pasi kisha mbajtur dy leksione në Strasburg, m'u afrua një prift francez i cili më tregoi këtë histori. Një student psikologjie në Sorbonë donte të shkruante një temë doktorate mbi psikologjinë e supersticionit. Botoi një lajmërim në gazetë duke e paraqitur veten si astrolog.

Premtoi t'i dërgonte një horskop kujtdo që do të donte të kishte një të tillë, për një çmim prej 30 shilingash. Djalit të ri i erdhën disa kërkesa dhe kështu qe në gjendje të financonte edhe studimet e tij në Universitet. Ai bënte një horoskop për të githë klientët të bazuar në parimin që çdo fjali, të ishte e tillë që të mund të interpretohej në sa më shumë mënyra të ndryshme.

Mbi të gjitha, horoskopi duhej të bënte edhe aluzione për tipare pozitive të karakterit, ashtu siç dëshiron të dëgjojë gjithkush për vete të tij. Kështu të gjithë ata që kishin kërkuar, merrnin të njëjtin horoskop. Pas kësaj, studentin e mbytën letra falenderimi e vlerësimi. Shkruajti pastaj edhe temën e doktoratës. Eksperimenti i tij kishte pasur sukses të plotë.

- Një djalë i ri foli me një astrolog, i cili i bëri një horoskop të detajuar që thoshte ndër të tjera se do të martohej shumë i ri, po gruaja e parë nuk do të ishte ajo që qe caktuar për të, po një grua e dytë do t'i sillte lumturinë e vërtetë.

Ndodhi vërtet që djali i ri u martua pas ca kohe. Ditën e dasmës ai iu kthye të vëllait të madh e i tha: "Kjo grua me të cilën po martohem sot, nuk është e vërteta. Gruaja e dytë do të më bëjë të lumtur, po duhet një herë të martohem me këtë, që pastaj të gjej tjetrën." Mendoni pak se me çfarë mendimesh në kokë po martohej ky i ri. Doli që gruaja e parë ishte shumë e mirë dhe u fitoi zemrën vjehrrit dhe vjehrrës. Në tre vitet e para të martesës, lindi tre fëmijë, po si lindi fëmija i tretë, i shoqi e la. Pastaj mori divorcin për fajin e tij vetë, siç u përcaktua nga gjyqi.

Pastaj gjeti një grua të dytë, e cila sipas horoskopit, duhej ta bënte të lumtur. Kjo lumturi zgjati vetëm disa muaj. E shoqja u bë anëtare fanatike e Dëshmitarëve të Jahovait. Ai e kundërshtonte sjelljen fanatike të gruas, derisa u detyrua ta lërë dhe të ndahet prej saj. Kishte rënë viktimë e një parashikimi astrologjik, i cili e kishte sugjestionuar.

Ja se ç'ka thënë Shoqëria Astronomike lidhur me astrologjinë më 1949: "Shoqëria astronomike shfrytëzon rastin e kësaj konference në Bon për të paralajmëruar qartë njerëzit për të këqijat e përhapura nga astrologjia.

Besimi se pozicioni i yjeve në një moment të caktuar të lindjes së një fëmije influencon jetën e tij në mënyrë të tillë që, më vonë, ai mund të këshillohet me yjet mbi çështje private, ose publike të jetës së tij, e ka origjinën në idenë e lashtë astronomike se kjo botë, sëbashku me racën njerëzore, është në qëndër të kozmosit.

Po ky koncept është zhdukur me kohë. Ajo që fshihet sot pas astrologjisë, ose kozmo- biologjisë, nuk është tjetër përveçse një përzierje supersticioni, fallsiteti e biznesi.

Është e vërtetë se ka rrethe astrologjie që janë distancuar nga analizat e karakterit dhe parashikimet standarte të publikuara, që mbulojnë të gjitha sferat e jetës njerëzore. Nga ana tjetër, ata kanë ndërtuar astrologjitë e tyre shkencore, të cilat duhet patjetër të pranohen seriozisht. Megjithatë, nuk mund të dëshmohet se këto astrologji të reja kanë ndonjë lidhje me shkencën dhe mënyrat shkencore.

Disa plotësime të rastësishme parashikimesh astrologjike nuk mund ta ndryshojnë thelbin e çështjes. Astrologjia përbëhet nga një kombinim rregullash të rastit. Një sistem i tillë nuk mund të pretendojë të japë interpretime shkencore dhe parashikime në sferën publike ose private.

Oservatoreve dhe astronomëve po u kërkohet vazhdimisht nga individë dhe agjenci zyrtare të japin opinionin e tyre mbi astrologjinë. Ky opinion nuk mund të jetë i ndryshëm nga ai që ka dhënë këtu zyrtarisht Shoqëria Astronomike."
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste) Empty Re: Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste)

Mesazh  Jon 10.08.09 12:44

Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste)

Shemb.1 Një grua u paraqit në stacionin e policisë dhe deklaroi se kishte vrarë të birin. Një astrolog i kishte shkruar në horoskop se i biri i saj që vuante nga nervat, nuk kishte shërim. Ajo pra e kishte vrarë të birin duke dashur t'i evitojë një të ardhme tragjike. Gruaja u arrestua dhe u dënua pas një procesi të gjatë gjyqësor.

Astrologu u la i lirë.

Kjo eksperiencë e ditës tregon forcën sugjestionuese dhe influencën e horoskopit tek njerëzit. Përpara se të hyjmë në këtë problem,le te shikojmë një prezantim të shkurtër historik të tij.

Me astrologji kuptojmë parashikimin e zhvillimit të karakterit dhe jetës së individit duke u nisur nga yje të veçanta dhe konstelacionet e tyre. Është një nga supersticionet më të përhapura të kohës sonë. Instituti i kërkimeve mbi opinionin publik (The Research Institute of Public Opinion) në Leik Konstëns, nëpërmjet një Kuestionari, konstatoi se 63% e gjermanëve janë marre me astrologji gjatë jetës së tyre në një mënyrë a në një tjetër. Shumë pak prej tyre kanë njohuri mbi të ashtuquajturën astrologji shkencore, dhe në pjesën më të madhe ndjekin horoskopin diellor.

Në kohët e lashta atronomia (studimi i yjeve) dhe astrologjia (interpretimi i konstelacionit të yjeve) përbënin një shkencë të vetme. Në perandorinë babilonase kjo ishte shkenca e priftërinjve. Fillimisht horoskopet bëheshin vetëm për mbretërit. Meqënëse astrologjinë e gjejmë edhe në kulturën e lashtë meksikane, mendohet se ajo është një fenomen njerëzor e një arkeotip. Grekërit dhe Romakët e morën astrologjinë nga Babilonasit. Sigurisht në atë kohë kishte edhe mendimtarë racionalistë që e vinin në lojë astrologjinë. Poeti Enius thoshte: "Një horoskop kushton një dhrahmi dhe është një dhrahmi më i shtrenjtë nga çmimi i arsyeshëm". Patriarku Agustin e quante astrologjinë vetëmashtrimin më pamend të njerëzimit.

Në periudhën e Mesjetës gjithë Europa ra nën fuqinë e astrologjisë. Perandori Frederiku i dytë (1194-1250) u influencua veçanërisht prej saj. Në këtë kohë u hapën edhe katedra për astrologjinë. Një katedër të tillë kishte edhe reformatori Filip Melankthon, po për Luterin astrologjia ishte krejt pa vlerë. Tregojnë se në këtë periudhë astrologu Stofler qe bërë qesharak. Ai pati parashikuar një përmbytje në Shkurtin e 1524 dhe njerëzit i kishte zënë paniku. Asnjë nuk donte të punonte, arat mbetën pa lëruar. Të pasurit ose ndërtuan anije për vete dhe familjet e tyre, ose u strehuan maleve që t'i shpëtonin përmbytjes. Edhe princi i Brandenburgut kishte marre masa që t'i shpëtonte përmbytjes.

Kepleri, astronomi i madh, ishte ngatërruar edhe ai me astrologji. Është i njohur parashikimi që kishte bërë se Wallenshtaini do të vdiste në paqe në moshën 70 vjeç. Po ndodhi që ai u vra kur ishte 50 vjeç. Po Kepleri merrej me astrologji për nevoja financiare. Ja seç ka shkruar për këtë:Për mua astrologjia është një skllavëri e padurueshme po edhe e paevitueshme. Që të arrij të mbaj të ardhurat e mia vjetore, titullin dhe shtëpinë ku banoj, më duhet ta pranoj edhe kuriozitetin injorant të njerëzve. Astronomia ështe nëna e mençur, kurse astrologjia vajza mendjelehtë që i jepet kujtdo që e paguan në mënyrë që të mund të jetojë edhe nëna e mençur."

Megjithatë që nga koha e racionalizmit (1750), astrologjia e ka humbur influencën e parë. Astronomia dhe astrologjia i ndanë rrugët, po dy luftëra botërore kanë ndihmuar që të vijë përsëri në modë.Më 1930 gjejmë të shkruhen horoskope për Hitlerin, po ato janë shumë kontradiktore.

Thuhej në to se influenca e tij do të fillonte të binte pas 1933, po sa të vërteta përmbanin këto horoskope mund ta thotë sot secili nga ne. Në to përmbahet një llogaritje e gabuar me afro 12 vjet, dhe këto 12 vjet ishin ç'ishin! Horoskopi i Rudolf Hesit parashikonte se ai ishte i caktuar nga fati të realizonte pajtimin me Anglinë. Kjo ishte ndoshta arsyeja e arratisjes së tij në Angli, po "e vërteta" e këtij horoskopi është për ne sot po aq e qartë sa edhe për rastin e Hitlerit.

Po cila është pozita e astrologjisë sot? Së pari duhet bërë një dallim midis një forme të ashtuquajtur shkencore të astrologjisë që përfaqësohet nga Alfred Rosenberg (Signs in the sky), dhe formës popullore të astrologjisë, të ashtuquajturës astrologji diellore. Astrologjia ështe bërë sot si një zakon ngjitës, aq sa të merret në konsideratë edhe nga gazeta e revista serioze. Kemi të dhëna se në SHBA rreth 170 organe të shtypit botojnë çdo ditë horoskope. Ka sot në botë rreth 25 000 astrologë që paguhen shtrenjtë.

Le të shohim një rast për të qeshur që hedh dritë mbi thelbin e situatës.

Shemb.2 Mora pjesë një herë në një konferencë pastorale evangjelikale, në të cilën ishin ftuar edhe botuesit e disa gazetave të mëdha si edhe gazetarë të dëgjuar. Bëhej fjalë për nivelin intelektual dhe botkuptimin e jetës në organet e shtypit. Një pastor tha se gazetat suedeze nuk përmbajnë horoskope dhe se kjo është një praktikë e konsoliduar në atë vend. Po pse nuk mund të bëhet e njëjta gjë në Gjermani dhe në vendet e tjera?

Kryeredaktori i një gazete të madhe të përditshme dha shpjegimin e mëposhtëm: Personalisht ai ishte i bindur për kotësinë e astrologjisë, po ama ishte një çështje financiare në ketë mes. Një gazetë që nuk përmban një horoskop javor në numrin e të shtunës, duhet të marrë parasysh se do të humbasë shumë abonues. Asnjë gazetë nuk mund ta përballojë këtë humbje. Më tej ai tegoi një episod komik. Një të premte horoskopi i astrologut nuk kishte ardhur në kohë. Si e pa punën pisk, ai vetë vajti në dhomën e arshivimit të materialit të gazetës dhe morri një horoskop të vjetër. Meqë nuk e dinte renditjen e Zodiakut, morri një horoskop gabim.

Megjithatë asnjë nga lexuesit nuk e vuri re gabimin. Meqë puna vajti mirë, vendosi t'i shkurtojë shpenzimet për astrologun dhe në 22 raste përdori horoskopë të vjetër dhe jo të po asaj date.Asnjë nga qindra mijëra lexuesit e gazetës nuk vuri re gjë, derisa, më në fund, dikush shkruajti një letër në të cilën thoshte se nuk është e mundur që Skorpioni të dominojë muajin korrik. Kështu që loja i doli në shesh dhe prandaj u detyrua t'u drejtohet edhe një herë "ekspertëve" për ndihmë. Si tregoi këtë histori, redaktori buzëqeshi dhe tha: "Gjatë periudhës që botuam horoskopë të gabuar, puna vajti mbarë.Nuk është çështja ç'përmban horoskopi, po çfarë besojnë njerëzit:"

Mbi çfarë baze besimtari kristian nuk e pranon astrologjinë si parashikuese të jetës dhe fatit të njeriut? Së pari e neverit origjina e saj pagane. Për popujt e lashtë astrologjia ishte një formë feje. Yjet ishin të barazvlefshëm me Perënditë. Popujt paganë e ndjenin veten të udhëhequr, të influencuar e të kërcënuar nga këta perëndi planete. Gjatë shekujve astrologjia e humbi karakterin e saj fetar, po ligjet e saj mbetën.

Ja edhe një arsye e dytë për të mos e pranuar astrologjinë: Ligjet mbi të cilat ajo mbështetet, paraqesin një kontradiktë të pazgjithshme. Çdo 26 000 vjet boshti i tokës përshkruan faqen e jashtme të një koni. Astrologu i sotëm nuk i shikon planetet në po atë pozicion si kolegët e tij 4000 ose 5000 vjet përpara. Përveç kësaj janë zbuluar planete të reja si Urani më 1781, Neptuni më 1839, Plutoni më 1932, po asnjë nga këto ndryshime nuk e ka cënuar sadopak sistemin astrologjik, prandaj edhe astronomët e hedhin poshtë astrologjinë si një nga mashtrimet më të mëdha të kohërave.

Po ka edhe anë të tjera që duhen parë. Na thuhet se rezet e yjeve qe bien mbi një fëmijë porsa lind, janë përcaktuese për fatin e tij. Po kjo thënie ndesh me shumë kontradikta. Toka, planeti ynë, bombardohet vazhdimisht nga drita dhe rezet kozmike, po asnjë prej tyre nuk e ka burimin tek planetet, të cilat nuk rezatojnë dritë. Burimi i kësaj drite gjendet në yjet fikse, kurse rezet kozmike e kanë burimin tek Galaksia e Qumështit. Planetet si toka nuk emetojnë reze.

Gjithashtu thuhet se momenti kur pritet kërthiza ka rëndësi vendimtare. Fjala vjen në rast se doktori e vonon prerjen e kërthizës, fëmija ka një fat tjetër. Prandaj mirë është të konsultohemi me astrologun që të na përcaktojë kohën më të favorshme për prerjen e kërthizës. Lind pyetja, përse të 240 foshnjet të cilave u pritet njëkohësisht kërthiza, nuk kanë të njëjtin fat? Pse fjala vjen ka vetëm një Shekspir, ose vetëm një Johan Sebastian Bah ndër gjithë ata që u lindën në të njëjtën kohë me ta? Abati Moris Warburg, një studiues i mirënjohur i astrologjisë thotë diku me ironi: "Astrologjia nuk mund të diskretitohet thjeshtë për faktin që s'ke se çfarë të diskreditosh".

Ka një lëvizje reformuese në astrologji e cila përpiqet t`i zgjidhi këto kontradikta. Quhet Kozmo-Biologji dhe e ka bazën në Aalen, Wuerttemberg. Përfaqësuesit e saj na thonë se ajo çka trashëgon njeriu duhet të shikohet e lidhur ngushtë edhe me yjet. Është një lloj kompromisi midis astrologjisë së vjetër dhe biologjisë moderne.

Pa dyshim që planetet e tjerë influencojnë tokën në një mënyrë ose në një tjetër. Baticat e zbaticat, fenomene të tjera natyrore shkaktohen e influencohen prej tyre. Po që të arrijmë të themi se planetet influencojnë e përcaktojnë jetën dhe fatin tonë, është njësoj sikur të thuash që fusha e sahatit të dorës mund të na sillte vdekjen nepërmjet radioaktivitetit.

Interesi ynë përqëndrohet tek pasojat e astrologjisë me të cilat konfrontohemi gjatë dhënies së ndihmës pastorale. Këtu gjejmë tre aspekte: mashtrimin, sugjestionimin dhe okultizmin. Për të tre këto aspekte do të jap një shembull nga praktika ime.

Shemb 3. Një student i psikologjisë në Sorbonë donte të përgatiste dizertacionin. Botoi një informacion në formë reklame në një gazetë dhe e paraqiti veten si astrolog. Për 20 franga ishte në gjendje t'i bënte horoskopin çdo klienti që paraqitej. Pas kësaj 400 persona i kërkuan horoskop dhe kështu mundi të financonte studimet. U dha të 400 klientave po të njëjtin horoskop, pa i kushtuar vemendje shenjave të Zodiakut. U mor vetëm me anën psikologjike të çështjes duke i thënë gjithkujt se e priste një e ardhme shumë e mirë e duke i zbuluar gjithkujt tipare pozitive në karakterin e vet, se njerëzit kanë qejf të dëgjojnë të tilla gjëra dhe për to nuk u dhimbsen paratë.

Mori shumë letra me vlerësime meqë horoskopët i përshtateshin pothuaj secilit nga klientet. Studenti përgatiti dizertacionin dhe mbrojti titullin me vlerësim të lartë. Në këtë rast astrologjia ishte thjesht një mashtrim. Studenti fitoi një thes me para dhe mori titullin duke shfrytëzuar pamendësinë dhe supersticionet e bashkëatdhetarëve të vet.

Shemb 4. Rastin më absurd e kam ndeshur tek një teolog. Në fillim të aktivitetit të tij ai kish qënë biznesmen. I kishin bërë atëhere një horoskop të detajuar në të cilin i ishte thënë se do ta ndërronte profesionin në jetë tri herë. Dhe djaloshi e mori këtë parashikim si krejt të vlefshëm për jetën e tij. Ndoqi shkollën e mbrëmjes, pastaj studioi teologji protestante dhe më vonë u bë prift protestant. U martua, po për fat të mirë nuk pati fëmijë. Më poshtë do të duket qartë pse them "për fat të mirë". Pas disa vjetësh u konvertua në besimin katolik dhe u pranua si prift. Së shoqes iu lejua t'i qëndronte pranë si kujdestare për punët e shtëpisë.

Pra dy ndryshime në jetën e tij kishin ndodhur me të vërtetë. Sot ky person shprehet se nuk e ka arritur akoma stacionin përfundimtar të jetës së vet. Ndjen nevojën e brendshme t'i hyjë një profesioni të katërt. Ka akoma plane në jetën e tij që duhet të realizohen. Dhe ky ndryshim i katërt nuk do të vonojë. Ky njeri ka rënë viktimë e një sugjestioni. Mendon se duhet të realizojë horoskopin që i kanë bërë. Është tërësisht nën sundimin e një parashikimi astrologjik.

Shemb.5 Një prift i cili e ndjente si detyrën e vet personale luftën kundër bestytnive, la t'i bëjnë një horoskop për qëllime studimi. Donte të tregonte e të provonte se horoskopi është thjesht një mashtrim e bestytni. Iu desh të paguante një shumë të madhe se horoskopi që i bënë ishte shumë i detajuar. Pas kësaj ai priti, shumë i sigurt se horoskopi nuk do të realizohet. Po pas ca kohësh pa me shumë habi se profecitë u realizuan. Për tetë vjet me radhë përjetoi realizimin e të gjitha profecive që i ishin bërë, edhe në vogëlsira.

Kjo gjë e shqetësoi dhe zuri të mendojë mbi këtë çështje. Ai kishte pasur bindjen se horoskopi mbështetet mbi sugjestionime dhe supersticione, po shumë imtësira që ishin plotësuar nuk mund të ishin produkt i një sugjestionimi. Së fundi nuk pa rrugë tjetër përveç se të bjerë në gjunjë e t'i lutet Zotit që ta mbrojë.I erdhi mendimi se duke i hyrë një eksperimenti të tillë, kishte mëkatuar dhe e kishte vënë veten nën influencën e forcave të errësirës. Pasi u pendua për atë që kishte bërë,zbuloi me habi të madhe se horoskopi i tij nuk përputhej më me realitetin. Nëpërmjet kësaj eksperience ky teolog kuptoi se forcat demoniake luajnë një rol shumë aktiv në astrologji. Nëse dikush ia ekspozon veten këtij rreziku, mund të shkatërrohet plotësisht.

Si e gjykojnë astrologjinë ekspertët e fushave të ndryshme? Mjekësia e pranon dëmin që mund të shkaktojë astrologjia. Kryemjeku nga Visbadeni, Dr Shrank, ka shkruar në një artikull mbi psikologjinë e supersticionit: "Rrezikun e madh të astrologjisë e shikojmë tek shqetësimet serioze psiqike, frikën për jetën dhe shqetësime të tjera që ajo shkakton në persona të ndjeshëm. Astrologjia e paralizon iniciativën dhe aftësitë gjykuese të njeriut. E budalleps njeriun dhe e pengon të mendojë thellë. E vendos personalitetin nën influencën e një lëvizjeje të nënsipërfaqshme e cila ushqehet me mediokritet."

Vetë astrologët janë shprehur akoma edhe më qartë. Astrologu i famshëm Uerl e quan astrologjinë një formë falli. Pra në astrologji ndeshim një tendencë okulte me të gjitha pasojat që sjellin fenomenet okulte.

Bibla e bën fare të qarte qëndrimin që duhet mbajtur ndaj astrologjisë. Tek Dhefteronomi 17:2-5 jepet kjo porosi: "Po të gjendet një burrë a grua që ka vajtur t'u shërbejë apo t'u falet diellit apo hënës ose kujtdo nga yjet, do ta qëlloni atë burrë a grua me gurë derisa të vdesë." Profeti Isaia flet edhe më me hollësi mbi astrologjinë. Në kapitullin 47:13-14 thuhet: "Jeni rraskapitur me këshillet tuaja të shumta; le të dalin e t'ju shpëtojnë, ata që ndajnë qiejt, ata që vështrojnë yjet, ata që në hënë të re ju thonë se ç'ka për t'ju ndodhur. Vëreni mirë, se ata janë si kashtë, që e djeg zjarri. Nuk i shpëtojnë dot fuqisë së flakës."

Sipas Biblës, astrologjia është njësoj me adhurimin e idhujve paganë, blasfeminë dhe largimin nga Perëndia i gjallë. Ekziston edhe një porosi e dytë në Bibël që shpesh harrohet: "Mos bëni figura të gdhëndura ose shëmbëllesa të gjërave që janë lart në qiell, ose nën tokë, ose në ujin nën tokë".
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste) Empty E VERTETA E ASTROLOGJISE

Mesazh  Nikolaos 08.11.10 18:42

LEXOVA ME VEMENDJE ATE CFARE KENI THENE ME SIPER PER ASTROLOGJINE.

NUK MENDOJ SE ESHTE E GJITHA ASHTU SIC E KONSIDERONI JU ATE. NUK MUND TA GJYKONI ASTROLOGJINE PA E STUDIUAR ATE.

SIGURISHT QE NE SHQIPERI NUK KA LIBRA TE TILLE SEPSE NUK KA ASTROLOGE AQ TE AFTE PER T'I BERE ATO.

UNE MENDOJ SE ASTROLOGJIA NUK ESHTE MASHTRUESE, POR MASHTRUES ESHTE VETEM ASTROLOGU.

NJE STUDIUES I ASTROLOGJISE KA THENE :'ASTROLOGJIA ESHTE E VERTET DHE FUNKSIONON, POR VARET SA I AFTE ESHTE ASTROLOGU", DHE KJO ESHTE E VERTETE.

PASTAJ JU E GJYKONI ASTROLOGJINE DUKE U BAZUAR TE FAKTET E NJEREZVE FETAR DHE HIDHNI POSHTE BESIMET PAGANE, POR LEXONI NJEHERE EDHE FAKTET QE E MBESHTESIN ASTROLOGJINE.

NE BOTE KA DHE KA PASUR ASTROLOGE TE AFTE QE KANE MAHNITUR NJEREZIT ME PARASHIKIMET E TYRE, NJE NDER TA ESHTE NOSTRADAMUSI.

ME ANE TE PARASHIMIMEVE ASTROLOGJIKE NJEREZIT KANE PARASHIKUAR MARTESAT, VDEKJET, KANE FITUAR LLOTARI TE MEDHA, DHE KJO NUK ESHTE PAK.

JU E HIDHNI POSHTE BESIMIN PAGAN, I CILI MBESHTETET NE NJE FARE MENYRE TEK PLANETET SI PERENDI.

UNE MENDOJ SE PERENDITE PAGANE KANE INFLUENCUAR ME SHUME DHE PER NJE KOHE ME TE GJATE TEK NJEREZIMI SESA BESIMET FETARE AKTUALE.

BOTA JONE KA MBI 70 000 VJET QE EKZISTON, DHE VETEM 2000 VITET E FUNDIT I PERKASIN BESIMEVE FETARE AKTUALE, TE TJERAT I PERKASIN MITOLOGJISE, PRA PA BENI NJE KRAHASIM, KUSH E DOMNON ME SHUME KOHEN? EKZISTENCEN? UNE MENDOJ SE PAGANIZMI.

NGA ANA TJETER ISHIN PIKERISHT FETE E SOTME, KRYESISHT AJO MYSLIMANE DHE KATOLIKE QE SOLLEN MENTALITETIN DHE FANATIZIMIN NE BOTE.

POR UNE MENDOJ SE RINIA DHE E ARDHMJA PO VJEN DUKE ZVOGELUAR BESIMIN NE TO, DHE KJO DUKET QARTE. MENDOJ SE DUHET TE LEXONI VEPRA TE MEDHA ASTROLOGJIKE QE TA VLERESONI ASTROLOGJINE ''E VERTETE", DHE JO HOROSKOPER FALLSO TE GAZETAVE DHE REVISTAVE.
Nikolaos
Nikolaos

"Kthejeni fytyrën nga Dielli dhe çdo hije mbetet mbrapa jush"

249


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste) Empty Re: Astrologjia (Pikepamje Evangjeliste)

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi