EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës

Shko poshtë

Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës Empty Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës

Mesazh  gjilanasi 23.03.15 11:46

Mitet dhe figurat mitologjike të krahinës së Çermenikës


Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës Zana-shqiptare
Zana shqiptare

Mitet dhe figurat mitologjike u krijuan gjatë periudhave të hershme parahistorike, kur njerëzit jetonin ende në kushte primitive dhe kishin një nivel të ulët inteligjence. Ata nuk ishin në gjendje të shpjegonin fenomenet apo dukuritë e ndryshme natyrore; se si, p.sh., si ishin krijuar dielli, hëna, yjet etj.; nga se shkaktoheshin fenomenet natyrore, si stinët (pranvera, vera, vjeshta dhe dimri), rrufetë, vetëtimat, zjarret, shirat, tërmetet, përmbytjet etj. Njerëzit ishin të frikësuar, por edhe të pafuqishëm për të vepruar kundër këtyre dukurive. Ata mendonin dhe besonin se ato krijoheshin dhe drejtoheshin nga qenie apo shpirtëra të mbinatyrshme, të ngjashme ose jo, me qeniet njerëzore, por me fuqi dhe veti të jashtëzakonshme. Nga ky hyjnijëzim i dukurive natyrore lindën edhe besimet për mitet dhe figurat mitologjike. Çdo popull krijoi mitet e veta, të cilat i veshi me tregime fantastike dhe legjenda të thurura rreth tyre. Mitet lanë gjurmë të thella në memorien e një pjese të popullsisë fshatare që jetonte në male, që imazhet e tyre i kanë ruajtur dhe i kanë trashëguar si relike të lashtësisë deri në ditët tona.

Në shekujt e parë pas lindjes së Krishtit, kur në territorin e Perandorisë së Romës u vendos besimi monoteist, d.m.th., besimin te një perëndi e vetme, dhe feja zyrtare u bë kristianizmi, besimi te shumë perëndi u zhduk pothuajse fare. Ndonëse besimi te perënditë pagane e humbi kuptimin dhe rëndësinë e tij, te disa popuj, ndër ta edhe ai shqiptar, u ruajtën shumë elemente të besimit pagan, siç ishin, p.sh., figurat mitologjike dhe legjendat e thurura rreth tyre, si dhe disa festa me origjinë pagane, Siç ishte Dita e Verës, që s’kishin asnjë lidhje me ritet apo festat fetare.

Një nga figurat më të spikatura të mitologjisë shqiptare, që ende “jeton” në përfytyrimet e njerëzve, ka qenë Zana, e cila banon nëpër male, pyje, lëndina dhe në vende të tjera të peisazhit natyror. Studiues të mirënjohur të mitologjisë shqiptare, duke u mbështetur edhe në mendimin e disa prej gjuhëtarëve albanologë të njohur, si N. Jokli, M. Lamberc, E. Çabej, I. Ajeti etj., kanë nënvizuar se disa nga këto figura, duke përfshirë edhe Zanën, janë me origjinë nga antikiteti i lashtë greko-latin. Figura e Zanës është krahasuar me dy prej hyjneshave më të njohura të mitologjisë greko-romake, përkatësisht e Artemisës dhe Dianës, të cilat, ashtu si dhe Zana e shqiptarëve, jetonin nëpër pyje, në faqe malesh të pashkelura, në shpella, lëndina etj.

* * *
Hyjni Ceka, studiuesi elbasanas që është marrë gjerësisht me festimet e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit dhe ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj, në librin e tij “Dita e Verës”, Monografi (“Onufri” 2001), shkruan se kjo festë i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, gjithë motit, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, qysh hejrit, në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Djana Kandaviensis). Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Djanë mbahej në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë… e pyjeve dhe e gjithë natyrës…”. Ky konkluzion, shkruan Hyjni Ceka, përmbledh mendimet e arkeologut të mirënjohur shqiptar, Hasan Ceka (1900-1998), i cila ka qenë një nga themeluesit dhe dekan i arkeologjisë shqiptare. “Shkencëtarët tanë, shkruan në studimin e tij Hy. Ceka, shpjegojnë se te Mansi i sotëm kemi Manthion antik, stacionin e famshëm të Egnatias, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë që vinin në Skampin për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj. Ai Rrapi i Mansit, me kroin e pozicionin karakteristik, ma do mendja të ketë shërbyer nëpër vite për të mbledhur fiset e arbërve rreth Hyjneshës Dianë (apo Zanë) të Kandavëve, sikur u kanë pas thënë së lashti çermenikasve”.

Edhe studiues të tjerë, të cilët janë marrë me besimet e ilirëve dhe me figurat e tyre mitologjike, kanë shkruar se figura e Zanës së Çermenikës është pasuese e hyjneshës Diana të kandavëve (Diana candaviensis). “Dita e Verës e Elbasanit, vijon në shkrimin e tij Hy. Ceka, çuditërisht sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire. Ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm, për një religjion, që si kult të vetën pat Zanën e Kandavëve: Diana Candaviensis”. Kandavët, të cilët kishin Dianën si perëndeshën e tyre, ishin banorët e lashtë të krahinës ilire të Kandavisë, në territorin e së cilës ndodhet sot krahina e Çermenikës në rrethin e Librazhdit.

* * *

Guri i Muzhaqit


Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës Guri-i-Muzhaqit
Guri i Muzhaqit

Krahina malore e Çermenikës shtrihet në veri të qytetit të Librazhdit. Ajo rrethohet nga një kurorë malesh të lartë, si masivi i Malit Ulok, Guri i Muzhaqit, kurrizi i Malit të Gurit, Mali i Kaptinës mbi Kostenjë, Guri i Prevallit, Malet e Kuqe (Shebeniku) dhe Mali i Polisit, të cilat kanë një pamje madhështore dhe mjaft imresionuese. Duke i këqyrur këto male nga lugina e lumit të Rrapunit, duket sikur ndodhesh në brendësinë e një arene të një amfiteatri gjigand.

Në këtë amfiteatër, sipas legjendave vendore, janë “luajtur” drama nga më të çuditshme njerëzore dhe jonjerëzore, janë zhvilluar ngjarje reale dhe joreale, janë ndeshur qenie njerëzore me ato mbinjerëzore, ku protagonistët kanë qenë gjithnjë banorët e kësaj krahine dhe qeniet mitologjike mbinatyrore, pasi, gjithnjë sipas legjendave, fatet e tyre kanë qenë të ndërthurura edhe për shkak të “marrëdhënieve” herë të mira e herë-herë të acaruar që ato kanë pasur me njëra-tjetrën.

Banorët e krahinës së Çermenikës besonin se nëpër këto male, në lëndina, burime, përrenj, ujëvara, vende të veçuara etj. jetonin qenie mitologjike të çuditshme, si kuçedra dragonj, xhindë, zana, shtojzovalle, perri etj. Çermenikasit ishin të lidhur shpirtërisht me këto qenie, të cilat, siç ata besonin, ishin të pajisura me fuqi të jashtëzakonshme dhe mbinjerëzore, që ndikonin për mirë, apo për keq, në jetën dhe fatet e tyre.

Disa nga qeniet mitologjike, siç ishin zanat, shtojzovallet dhe perritë, çermenikasit besonin se ishin femra të reja me pamje shumë të bukura. Zana ishte qenia më e dashur dhe më e adhuruar e banorëve çermenikas. Ajo, veçse me emrin e saj “Zana”, thirrej nga banorët vendas edhe me emrat përkëdhelës “Zanushe”, apo dhe thjesht “Nuse”, pasi, sipas tyre, ajo ngjasonte me një nuse të bukur që jetonte në mes malesh dhe pyjesh të lashtë. Fshatari çermenikas ishte shumë i lidhur me këtë figurë mitologjike dhe kishte krijuar imazhin e saj në përfytyrimin e tij, që, siç thamë, ishte figura e një femre me pamje shumë e bukur. Figura e Zanës së Çermenikës është si e të gjitha zanave që përmenden në mitologjinë shqiptare, e cila kishte pamjen e një hyjneshe, por me fytyrën dhe trupin e një gruaje, vajze, apo nusje të bukur.

Sipas banorëve të krahinës së Çermenikës, Zana jetonte në mes të njerëzve. Ata nuk mund ta shikonin, por mund ta ndjenin praninë e saj. Kulti i figurës së Zanës, i bukurisë dhe i fuqisë së saj, shërbente si shembull i bukurisë dhe trimërisë që duhej ndjekur nga fëmijët e vegjël. Zana e Çermenikës ishte simboli i bukurisë femërore, që u sillnin fat djemve dhe vajzave të reja, si dhe çifteve të sapomartuar.

Por çermenikasit shpesh herë ishin edhe të frikësuar nga prania, ose edhe nga mosprania e Zanave, pasi, sipas besimit të tyre, ato, ngaqë nuk mund të shiheshin me sy, mund të ndodhte që udhëtari ta shkelte, apo ta dëmtonte pa dashje. Çermenikasit gjithashtu besonin se, ashtu siç i bënin edhe gratë çermenikase në jetën e përditshme, edhe Zana e kalonte kohën me punë të ndryshme shtëpiake, me përkujdesjen dhe rritjen e fëmijëve të tyre. Zanat kujdeseshin për higjienën e tyre. Ato pastronin (lanin) fytyrën dhe trupin e tyre, krihnin flokët, lanin rroba etj. Vendi më i përshtatshëm për larjen e trupit e të rrobave ishin ujëvarat, kurse për t’i “terur” (tharë) ato i ndernin në faqe apo qafa malesh.

Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës Untitled-1
Gazmend Leka: “Zanat”

Imazhi i figurës së Zanës në krahinën e Çermenikës është e pasqyruar gati në të gjitha zhanret e krijimtarisë popullore çermenikase, si në legjenda popullore, përralla, tregime, këngë, ninulla, urime, mallkime etj. Disa nga vargjet popullore kushtuar figurës së Zanës së Çermenikës, të kënduara në fshatra të krahinës, janë: “Haj, na merr Zanën më parë”, “Thirri Zana, Zanën-o”, “Mirë se erdhe, moj Zana jonë!” etj. Imazhi i bukurisë së Zanës së Çermenikës ishte e pranishme edhe brenda në familjet e fshatarit çermenikas. Vajzat e reja krahasoheshin për nga bukuria me një Zanë mali. Për t‘i përkëdhelur dhe ledhatuar fëmijët e vegjël, kryesisht ato të seksit femër dhe për t‘iu vënë në dukje bukurinë e tyre, nënat e gjyshet u drejtoheshin: “M‘je ba si Zan‘ mali!”. Edhe për djemtë bëheshin krahasime me Zanën, me fuqinë dhe trimërinë e Zanës.

Djemve të vegjël u thonin: “Je trim si Zana!”. Për të vënë fëmijën në gjumë, nëna, pasi i këndonte një ninullë, i drejtohej foshnjës së saj: “Fli, o Zan‘ e nanës, fli!” Ndërsa, kur fëmijët loznin dhe gjatë lojës bënin shumë e potere, nënat, për t’i qetësuar, u drejtoheshin: “Mos bëni zhurmë se u dëgjon Zana dhe mërzitet!”. Kur një fëmije i bie dhembi i qumështit, nënat e merrnin dhëmbin e shkulur dhe e hidhnin në çatinë e shtëpisë, duke uruar: “Do ta hedhim dhëmbin në çati, që ta shohë Zana e të bjerë një të ri!”. Gjatë festës së Ditës së Verës fëmijëve u bëheshin dhurata të ndryshme nga prindërit e tyre dhe u thonin se dhuratat ua kishin sjellë Zanat e malit, ndaj fëmijët e vegjël prisnin me padurim ardhjen e festës së Ditës së Verës, pasi Zana e Çermenikës do t’u sillte përsëri dhurata.

Figura mitologjike e Zanës së Çermenikës është si e të gjitha zanave që përmend mitologjia shqiptare. Edhe sot e kësaj dite, parë në kuadrin e fushës onomastike, në Çermenikë gjejmë emra vendesh, familjesh apo personash që lidhen me emrin e Zanës. Në fshatra të Çermenikës së Bardhë, si në Dorëz, Gizavesh, Librazd-Katund etj., emri më i përhapur te vajzat është “Zanushe”. Në fshatin Zgosht emri i fisit “Zani” ne mendojmë se vjen nga emri “Zana”, por, që, duke u përdorur si mbiemër edhe për pjesëtarët meshkuj të fisit, ka kaluar në trajtë të gjinisë mashkullore.

Mbi faqen lindore të Malit të Lunikut ka qenë një majë shkëmbore, që kishte formën e një “statuje” njerëzore, të cilën banorët vendas e quanin “Guri si nuse”. Ajo kishte një bukuri të pazakonshme dhe në përfytyrimin e lunikasve ajo ishte një “Zanë-nuse” e veshur me rroba prej guri. “Guri si nuse” ishte simboli i bukurisë dhe i dashurisë njerëzore, që, me bukurinë dhe madhështinë e saj, u jepte banorëve të Lunikut dhe gjithë çermenikasve shpresë dhe gëzim për të ardhmen e jetës së tyre. Për miliona e miliona vjet “Guri si nuse” i pati qëndruar kohës deri kur, më 30 nëntor të vitit 1967, një tërmet i fuqishëm, që preku krahinat e Dibrës dhe Librazhdit, e rrënoi dhe copëtoi atë plotësisht. “Guri si nuse” ra dhe u shemb poshtë nën një humnerë, rreth 1000 metra poshtë tij.

Rrënimi i “Gurit si nuse” nuk kaloi pa u vënë re nga banorët e Lunikut dhe të fshatrave të tjerë të krahinës së Çermenikës, të cilët shembjen e monumentit e përjetuan si një katastrofë dhe fatkeqësi të madhe. “Rrëzimi i “Gurit si nuse”, shkruan studiuesi Daut Doda, ishte një shenjë jo e mirë, që mund të paralajmëronte një katastrofë, një fatkeqësi dhe mjerim. Më të tremburit ishin të rinjtë e të rejat, pasi, për ta, “Gurit si nuse” kishte qenë simboli i bukurisë… Ata nuk e kishin më simbolin e tyre…”, (Gazeta “Çermenika”, Nr. 15, 2004).

Prania e figurës së Zanës është e fiksuar edhe në një toponim në malet e Çermenikës dhe pikërisht në Malin e Zgarës, pranë fshatit Kuturman, që quhet “Linjat e Zanës”. Toponimi “Linjat e Zanës” është shumë i njohur te banorët e fshatrave Kuturman, Togëz, Dorëz, Gizavesh, Librazhd-Katund etj. dhe të gjithë e thërrasin me këtë emër. Av. Nazmi Koka (1949-2012), intelektual dhe studiues librazhdas, i ka kushtuar një shkrim kësaj figure mitologjike të Çermenikës (datë 14 mars 2011), ai shkruan: “Në faqen e Malit të Zgarës ndodhet një shkëmb i zi dhe mbi të një pyll i virgjër, prej të cilit rrjedh një ujvarë… (Ky vend) në traditën popullore njihet me emrin “Linja e Zanës”. Sipas gojëdhënës, shkruan av. Koka, Zana e Çermenikës kishte nderur në faqen e shkëmbit rrobat e saj të bardha, që i kishte larë në ujvarën që rridhte nga Mali i Zgarës. Toponimi “Linjat e Zanës” dhe legjenda, shkruan më tej av. Koka, kanë ardhur nga lashtësitë e shekujve nëpërmjet transmetimit gojor. Zana e Çermenikës jetonte larg njerëzve dhe qendrave të banuara prej tyre, ndaj “në këtë vend ku është ky emërtim, shkruan avokati, nuk ka banesa dhe qendër të banuar, pasi, zanat nuk mund të jetonin së bashku me njerëzit. Ato ishin perri, që rrinin në pyje e male dhe gjithmonë i linin imazhet nga larg” .

Në Malin e Zgarës (Kutërman) ndodhet edhe një tjetër toponim që lidhet me emrin e Zanës së Çermenikës. Pranë një ujëvare është një vend që quhet “Vëndi ku lahen Zanat”. Banorët e fshatrave përreth Malit të Zgarës besojnë se pranë burimeve të malit të Zgarës, nën ujëvarë, në anë të përroit të Zgarës dhe në zallishtet buzë të lumit të Rrapunit, lahej Zana e Çermenikës. Këtë emër e ka marrë i gjithë territori nga ujëvara e deri në bashkimin e tij me lumin Shkumbin, pasi mendohej se Zanat laheshin përgjatë gjithë rrjedhës së përroit të ujëvarës, përgjatë lumit të Rrapunit dhe deri në bashkimin e tij me Shkumbinin.

Figura mitologjike e hyjneshës së Çermenikës ka qenë frymëzim si për autorë anonimë, apo rrëfimtarë popullorë, ashtu edhe për poetë dhe krijues të ndryshëm letrarë. Figura e saj ka gjetur pasqyrim në krijimtarinë folklorike, në përralla, legjenda, këngë, ninulla etj., si dhe në krijime të ndryshme letraro-artistike (H. Kopaçi: “Zanushja”, F. Fixha: “Plazhi i Zanave” ) etj.

* * *
Veç figurës së Zanës, në krahinën e Çermenikës besohej se ekzistonin edhe figura të tjera mitologjike, siç ishin kuçedra, dragoi, lugati, perritë, shtojzovallet, xhindët etj.
Kuçedra ishte figura mitologjike më e njohur, pasi ishte personazhi kryesor në përrallat e shumta që tregoheshin për të. Ajo ishte shumë e frikshme dhe besohej se ishte e pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Kuçedra nxirrte flakë nga goja, duke sjellë fatkeqësi të mëdha në krahinë, si djegie të pyjeve, vrasje masive, përmbytje, shkatërrime etj. Në përfytyrimet popullore kuçedra kishte formën e një gjarpri dhe ishte në luftë të përhershme me dragoin. Gjatë stuhive, kur netët ndriçoheshin nga vetëtimat e shkreptimat e zhurmshme dhe gjëmimet e rrufeve, banorët çermenikas ishin të frikësuar se besonin se ishin duke luftuar dragonjtë kundër kuçedrave. Kuçedra-gjarpër ngjitej në majë të një peme prej nga sulmonte dragoin, kurse ky i fundit e gjuante kuçedrën me rrufe, duke e djegur të gjallë.

Dragoi ishte qenia mitologjike po aq e fuqishme sa kuçedra, por që ishte përherë në luftë me këtë të fundit dhe në mbrojtje të jetës së njerëzve. Dragonjtë ishin njerëz që kishin lindur nga dy prindër të zakonshëm, por që kishin një ndryshim të rëndësishëm në trupin e tyre: ata ishin të pajisur me krahë nën sqetulla. Këtë fakt e dinin vetëm nëna që e kishte lindur, pasi kishte qenë ajo që e kishte lindur dhe e kishte larë fëmijën-dragua, si dhe bashkëshortja që flinte në shtrat me të. Askush nuk mund t’ia shihte krahët dragoit. Ata i fshihnin krahët e tyre dhe, po të ndodhte që t’ia shikonte dikush fletët, atëherë, ai që ia kishte parë, e priste një fatkeqësi e madhe. Dragonjtë kishin fuqi të mbinatyrshme. Atje ku ishte vrarë, apo “binte” (vdiste) dragoi, njerëzit mblidhnin dhè nga toka dhe bënin me të një hajmali, pasi besohej se gjaku i dragoit i mbronte njerëzit nga fatkeqësitë.

Perria ishte një tjetër qenie mitologjike mjaft e njohur, e cila kishte pamjen e një gruaje, apo nuse e re. Perria ishte një nga bashkëfshataret çermenikase dhe e bënte jetën e saj si të gjithë njerëzit e tjerë. Ajo ishte e ngjashme me dragoin, pasi, ashtu si dhe ai, kishte lindur nga dy prindër që ishin njerëz të zakonshëm. Perria kishte tipare shumë të bukura dhe ishte e pajisur me veti të veçanta mbinjerëzore. Ajo kishte fuqi të mbinatyrshme mbi njerëzit, i hipnotizonte dhe pastaj i komandonte ata. Gruaja-perri njihej si e tillë nga bashkëfshatarët, por ata i druheshin, i frikësoheshin dhe i qëndronin larg asaj, pasi, besohej se ajo mund t’i marroste. Shtojzovallet, ashtu si dhe Zanat, ishin qenie jonjerëzore. Ato jetonin zakonisht nëpër përrenj, ujëvara, gurra me ujë, pyje etj., por edhe në banesa të vjetra e të braktisura.

Shtojzovallet ishin gra të bukura, të cilat e kalonin kohën e tyre duke bërë “aheng”, d.m.th., duke bërë muzikë dhe duke kënduar e vallëzuar. Shtojzovallet u shfaqeshin njerëzve si vegim me pamje nusesh të reja, bile ato edhe mund të zhvillonin biseda me ta. Ato hynin në kontakt me njerëzit e zakonshëm, dashuroheshin me ta, por, kur zemëroheshin, edhe mund t’i “shkelnin” njerëzit e të hakmerreshin kundër tyre. Xhindët, ashtu si shtojzavallet, ishin qenie jonjerëzore dhe në disa raste i identifikoin me shtojzavallet. Xhindët merrnin forma të ndryshme dhe në ndonjë rast xhindi çfaqej në formë gjarpëri, prandaj të moshuarit këshillonin më të rinjtë që, kur hasnin në rrugë një gjarpër, të mos e vrisnin, por t’i thonin: “Kushdo qofsh, shif rrugën tone!”.

Ashtu si shtojzavallet, edhe xhindët i shkelnin njerëzit. Njeriu i “shkelur”, apo i “zaptuar” nga xhindi, ishte zakonisht një njeri i sëmurë nga epilepsia (sëmundja e tokës), apo me sëmundje mendore. Xhindi, ashtu si njerësit, ishte qenie që kishte lindur dhe do të vdiste. Një njeri, që ishte i“zaptuar” prej xhindit, që të mund të shpëtonte prej tij dhe të shërohej, duhej të priste deri sa të vdiste xhindi. Xhindët rrëmbenin fëmijë të vegjël që në djepe dhe i zëvendësonin ata me fëmijë të sëmurë, d.m.th., të “shkelur” prej tyre. Fëmija i rrëmbyer bëhej xhind.

Lugati, që në disa fshatra të krahinës quhet “pëlhurza”, ishte një njeri i vdekur që ringjallej përsëri, duke marrë pamjen e një hije, pëlhure që të ndjek, ose si një plënc (stomak) që të pret rrugën. Besohej se si lugat bëheshin ata njerëz që ishin konsideruar si të ligj në jetën e tyre të mëparshme dhe që u kishin bërë vetëm keq bashkëfshatarëve të tyre. Por si lugat mund të dilte edhe një njeri i mirë, që ndryshe quhej “shehit” (dëshmor). Lugati merrte forma të ndryshme e të papërcaktuara. Disa lugatë ndriçonin në varret e tyre, disa ishin të veshur me pëlhurë të bardhë, disa dilnin si hije etj. Lugatët e mirë nxirrnin edhe figurën (fytyrën) e tyre në pllakën e varrit. Lugati i keq merrte formën e një plënsi dhe shqetësonte njerëzit, duke u dalë përpara për t’i trembur, duke u ndërprerë rrugën për t’i penguar etj.

Mitet dhe legjendat që lidhen me to janë një pasuri e madhe e folklorit çermenikas, e cila është ende e pa eksploruar dhe e pa studiuar sa duhet. Është detyrë e çdo studiuesi, mësuesi, apo intelektuali çermenikas që ta mbledhë këtë thesar të paçmuar, pasi koha shkon e ato treten dhe humbasin.


Nga Avni Alcani & Ferit Fixha
Marrë nga libri “Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës në trojet shqiptare”
gjilanasi
gjilanasi

361


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi