Fundi i rendit të ri botëror
Faqja 1 e 1
Fundi i rendit të ri botëror
Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe kanosja ndaj Ukrainës duket se po shënon fundin e një periudhe 25-vjecare, tipari dallues i të cilës ishte përpjekja për të afruar Rusinë me objektivat dhe traditat Euro-Atlantike. Sot pyetja është: Cfarë pritet te ndodhe?
Me kalimin e javëve, bëhet gjithnjë e më e qartë se sfida nuk është aq shumë Ukraina – e cila do të vazhdojë të hidhet nga një krizë në tjetrën, sic ka ndodhur që kur fitoi pavarësinë 23 vjet më parë – por Rusia, me regresin, recidivizmin dhe revanshizmin e saj.
25 vjet më parë, në pranverën e vitit 1989, Polonia dhe vende të tjerë të atij që në atë kohë njihej si “Blloku i Lindjes” ndërmorën hapat e parë të clirimit nga aleanca e tyre e detyruar me Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë, marrëdhëniet e këtyre vendeve me Bashkimin Sovjetik nuk ishin aspak një aleancë. Ata përshkruheshin me saktësi si “satelitë” – shtete me sovranitet të kufizuar, roli kryesor i të cilëve ishte t’u shërbenin interesave sovjetike.
Sado të nënshtruara dhe ahistorike ishin ato marrëdhënie, pjesa më e madhe e botës e pranoi lidhjen e “Europës Lindore” me Bashkimin Sovjetik si një gjendje logjike, me qëllim ruajtjen e rendit botëror që doli pas Luftës së Dytë. Por, ajo që dukej si një ndarje e përjetshme e botës mes dy sferave konkuruese të interesit, mori fund papritur në vitin 1989, kur Blloku Lindor u shkëput nga orbita sovjetike, i pasuar shumë shpejt nga republikat e vetë Bashkimit Sovjetik.
Rusia doli nga këto ngjarje jo si një Bashkim Sovjetik me emër të ri, por si një shtet me historinë dhe simbolet e tij, një anëtar i sistemit ndërkombëtar të shteteve që kish munguar për ca kohë, por ishte rikthyer papritur. Dhe Rusia e rilindur dukej se ishte e dedikuar, në mënyrën e saj, ndaj të njëjtave objektiva që kishin edhe fqinjët e saj postsovjetikë: anëtarësim në institucionet perëndimorë, një ekonomi tregu dhe një demokraci parlamentare shumëpartiake, ndonëse me një fytyrë ruse.
Ky rend i ri botëror “mbajti” për afro 25 vite. Përvec luftës së shkurtër të Rusisë në Gjeorgji në vitin 2008 (një konflikt që përgjithësisht shihet si i provokuar nga udhëheqja e pamatur gjeorgjiane), pranimi i heshtur dhe angazhimi i Rusisë në “rendin e ri botëror”, sado problematik, ishte një prej arritjeve më të mëdha të epokës së pasluftës së ftohtë. Edhe mospranimi i Rusisë për të mbështetur veprimet e bashkërenduar të Perëndimit, si në Bosnje dhe Kosovë në vitet nëntëdhjetë, bazohej mbi argumenta që mund të dëgjoheshin prej vendeve të tjerë europianë. Demokracia ruse natyrisht që kishte të meta, por kjo nuk e bënte aspak unike mes vendeve të tjerë postkomunistë.
Marrëdhënia historike e Rusisë me Ukrainën është shumë më komplekse dhe me ngjyresa se sa thonë shumë analistë perëndimorë. Eshtë e vështirë të flasësh për qytetërimin rus, pa folur për Ukrainën. Po, cilatdo qofshin kompleksitetet, sjellja e Rusisë kohët e fundit ndaj fqinjit të saj më të vogël nuk i ka rrënjët në trashëgiminë e historisë së tyre të përbashkët.
I ka rrënjët në një tjetër trashëgimi – atë të Perandorisë Ruse, zakonet e të cilës nuk u shuan gjatë periudhës sovjetike. Ukraina nuk e zhvilloi – dhe ndoshta nuk mundej –sovranitetin e saj si Polonia dhe shtetet e tjerë që nga 1989-a. Megjithëkëtë, ajo ka të drejtë të projektojë vetë të ardhmen e saj. Sfida e Rusisë ndaj statusit të Ukrainës si një shtet i pavarur është një sfidë për të gjithë botën, dhe prandaj kjo krizë është ngjitur në majë të axhendës globale.
Në SHBA, mediat shpesh herë shkruajnë se shumica e amerikanëve do e kishin të vështirë edhe ta gjenin në hartë Ukrainën. Nuk kanë nevojë. Por amerikanët kanë nevojë të kuptojnë sfidën që ndeshin, nga një Rusi e cila nuk duket më e interesuar për atë që Perëndimi ka ofruar gjatë 25 viteve të fundit: status special me NATO-n, marrëdhënie e privilegjuar me BE-në, dhe partneritet në diplomacinë ndërkombëtare.
Atëherë, cfarë duhet të bëjë Perëndimi? Një qasje e bazuar mbi sanksionet që vënë në shënjestër ekonominë ruse (e si pasojë popullin rus) është alternativa e preferuar e atyre që kanë më pak për të humbur (politikanët amerikanë). Por sanksionet nuk ka gjasa të sjellin ndryshimet e brendshëm për të cilët ka nevojë Rusia, sepse këto ndryshime duhet të arrihen prej popullit rus.
Perëndimi duhet të përqëndrohet në forcimin e strukturave të sigurisë dhe të përgatitet për të ardhmen. NATO ka bërë një hap të rëndësishëm kur u ka dhënë garanci anëtarëve të vet në lindje. Kjo nuk do të thotë që Rusia, pasi ka aneksuar Krimenë dhe kërcënuar Ukrainën, do të kërkojë të shkaktojë po këta telashe edhe mes ish “aleatëve” sovjetikë. Por kujtimet e historisë nuk vdesin kollaj.
Polakët janë të vetëdijshëm që, 75 vjet më parë, Franca dhe Britania ishin palë në marrëveshjet e sigurisë, që i detyronin t’i shpallnin luftë Gjermanisë, nëse kjo pushtonte Poloninë. Në shtator 1939, kur Gjermania e pushtoi, të dy këta vende shpallën luftë, por snjëri nuk qëlloi as edhe një plumb dhe nuk e ndihmuan Poloninë në mënyrë të prekshme. Polonia u zhduk për pesë vite nga harta e Europës.
Kriza e Ukrainë është vërtetë një krizë ruse. Ukraian – apo cfarëdo që do të mbetet prej saj – do të bëhet gjithnjë e më shumë një vend perëndimor. Rusia nuk po shfaq shenja që do ta ndjekë në këtë shembull.
Presidenti rus, Vladimir Putin duket se po hyn në një dimër të gjatë. SHBA duhet të përgatitet për të, sidomos në forcimin e partnerëve dhe aleatëve, si dhe të garantojë sa më shumë që të mundet se Ukraina është viktima e fundit e Rusisë, dhe jo e para. (Project Syndicate)
Nga Christopher R. Hill
Ndihmës Sekretar Shteti i SHBA, ish Ambasador i SHBA në Irak, Korenë e Jugut, Maqedoni dhe Poloni. I dërguar Special i SHBA në Kosovë, negociator i Marrëveshjeve të Paqes të Dejtonit.
Odin- 513
Similar topics
» Të gjitha sekretet e Rendit religjioz “Mont”
» Cili është realiteti i Rendit të Ri Botëror
» Greqia - kafsha ‘eksperimentale’ e Rendit të Ri Botëror
» Nga do i vijë fundi botës
» Si do ti vije fundi universit?
» Cili është realiteti i Rendit të Ri Botëror
» Greqia - kafsha ‘eksperimentale’ e Rendit të Ri Botëror
» Nga do i vijë fundi botës
» Si do ti vije fundi universit?
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi