EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Një histori e fshehtë e së keqes

Shko poshtë

Një histori e fshehtë e së keqes  Empty Një histori e fshehtë e së keqes

Mesazh  Odin 05.05.14 23:49

Në vetëdijen kolektive të botës, fjala "nazist" është sinonim me të keqen. Kuptohet gjerësisht se ideologjia naziste - nacionalizimi, antisemitizmi, shteti etnik autarkik, parimi i Fyhrerit - çoi drejtpërsëdrejti në krematorët e Auschëitz.

Por nuk është e kuptuar po aq mirë se, komunizmi çoi në mënyrë të pandalshme, kudo në botë ku u zbatua, në uri, torturë dhe kampe pune të detyruar. As nuk pranohet gjerësisht se komunizmi qe përgjegjës për vdekjet e rreth 150 milionë qenieve njerëzore gjatë shekullit të Njëzet. Bota mbetet në mënyrë të pashpjegueshme indiferente dhe jokureshtare rreth idelogjisë më vdekjeprurëse në histori.

Si dëshmi e kësaj indiference, kini parasysh arkivat e palexuara sovjetike. Pavel Stroilov, një i mërguar rus në Londër, ka në kompjuterin e tij 50000 dokumenta të pabotuara, të papërkthyera, top sekret të Kremlinit, shumica që i përkasin përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ai i vodhi ato në vitin 2003 dhe u arratis nga Rusia.

Me sa na e ha mendja, ato do të vlenin miliona për CIA-n, pasi me siguri tregojnë një histori rreth komunizmit dhe kolapsit të tij, të cilën bota duhet ta dijë. Megjithatë, ai nuk gjen asnjeri që t'i vendosë ato në një bibliotekë të nderuar, t'i botojë ato apo të financojë përkthimin e tyre. Në fakt, ai nuk mund të gjejë asnjë njeri që të tregojë ndonjë interes për to.

Pastaj është disidenti sovjetik Vladimir Bukovsky, i cili dikur kaloi 12 vjet në burgjet, kampet e punës dhe psikhushkas - spitalet psikiatrike sovjetike - të Bashkimit Sovjetik, pasi është dënuar për kopjim letërsie antisovjetike. Gjithashtu edhe ai posedon një koleksion masiv dokumentash të vjedhura dhe të kontrabanduara nga arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, të cilat, siç shkruan ai, "përmbajnë fillimet dhe fundet e të gjitha tragjedive të shekullit tonë të përgjakur".

Këto dokumenta janë të vlefshme online tek bukovsky-archives.net, por shumica nuk janë të përkthyera. Ato janë të paorganizuara; nuk ka asnjë përmbledhje; nuk ka asnjë funksion kërkimi apo indeksimi. "Unë ua ofroj pa pagesë ato shumicës së gazetave dhe zhornaleve me influencë në botë, por askush nuk do që t'i botojë ato", shkruan Bukovsky. "Botuesit mbledhin supet me indiferencë: Po pastaj? Kush e vret mendjen?".

Origjinalet e shumicës së dokumentave të Stroilov-it mbeten në arkivat e Kremlinit, ku ashtu si shumica e dokumentave top sekret të Bashkimit Sovjetik nga era passtaliniane, qëndrojnë të klasifikuara.

Ato, thotë Stroilov, përfshijnë transkriptimet e pothuajse çdo bisede të bërë midis Gorbaçovit dhe homologëve të tij të huaj, një transkriptim diplomatik pothuajse i plotë i epokës, i gatshëm në asnjë vend tjetër. Ka shënime nga Byroja Politike të marra nga Georgy Shakhnazarov, një ndihmës i Gorbaçovit dhe nga anëtari i Byrosë Politike, Vadim Mevedev.

Është ditari i Anatoly Chernyaev - ndihmës kryesor i Gorbaçovit dhe zëvendësshef i trupës dikur të njohur si Comintern - që daton nga viti 1972 deri në kolapsin e regjimit. Ka raporte, që datojnë nga vitet Gjashtëdhjetë, nga Vadim Zagladin, zëvendësshef i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror deri në vitin 1987 dhe më pas këshilltar i Gorbaçovit deri në vitin 1991. Zagladin qe njëherazi i dërguar dhe spiun, i ngarkuar me grumbullimin e sekreteve, përhapjen e dizinformacionit dhe avancimin e influencës sovjetike.

Kur Gorbaçovi dhe ndihmesat e tij u larguan nga Kremlini, ata morën kopje të paautorizuara të këtyre dokumentave me vete. Dokumentat e skanuan dhe u magazinuan në arkivat e Fondacionit Gorbaçov, një prej instituteve kërkimore të pavarura të para në Rusinë moderne, ku një grushti kërkuesish miq dhe veteranë ju lejua një akses i kufizuar. Më pas, në vitin 1999,

Fondacioni hapi një pjesë të vogël të arkivit për kërkuesit e pavarur, përfshi Stroilov. Pjesët kyçe të koleksionit mbetën të mbyllura; dokumentat mund të kopjoheshin vetëm me lejen e shkruar të autorit dhe Gorbaçovi refuzonte të autorizonte ndonjë kopje.

Por kishte një difekt në sigurinë e Fondacionit, shpjegon Stroilov. Kur ecnin keq gjërat me kompjuterët, siç kishte ndodhur shpesh, ai qe në gjendje të shikonte administratorin e rrjetit tek shtypte fjalëkalimin që siguronte aksesin në rrjetin e Fondacionit. Me ngadalë dhe në mënyrë të fshehtë, Stroilov e kopjoi arkivin dhe e dërgoi atë në vende të sigurta anembanë botës.

Kur dëgjova për herë të parë rreth dokumentave të Stroilov, u habita se mos qenë falsifikime. Por në vitin 2006, duke i pas vlerësuar dokumentat me bashkëpunimin e disidentëve të shquar sovjetikë dhe spiunëve të Luftës së Ftohtë, gjykatësit britanikë konkluduan se, Stroilov qe i besueshëm dhe i miratuan kërkesën për azil. Vetë Fondacioni Gorbaçov e ka pranuar qysh atëhere vërtetësinë e dokumentave.

Historia e Bukovsky është e ngjashme. Në vitin 1992, qeveria e Presidentit Boris Yeltsin e ftoi atë që të dëshmonte në Gjykatën Kushtetuese të Rusisë në një çështje që kishte të bënte me kushtetutshmërinë e Partisë Komuniste. Arkivat Shtetërore ruse i dhanë Bukovsky akses në dokumentat e tyre për të përgatitur dëshminë e tij. Duke përdorur një skaner portabël, ai kopjoi mijëra dokumenta dhe i nxorri ato në Perëndim.

Shteti rus nuk mund ta padisë Stroilov apo Bukovsky, për shkelje të së drejtës së autorit, pasi materiali u krijua nga Partia Komuniste dhe Bashkimi Sovjetik, asnjëri nga të dy ekzistues tani. Megjithatë, sikur të kish qëndruar në Rusi, Stroilov beson se do të ishte gjykuar për nxjerrje të sekretit shtetëror apo për tradhti.

Historiani ushtarak Igor Sutyagin po kryen tani 15 vjet burg në një kamp pune të rëndë për krimin e grumbullimit të copërave të gazetës dhe të materialeve të tjera të hapura dhe të dërgimit të tyre një kompanie britanike konsultimi. Rreziku që ndeshnin Stroilov dhe Bukovsky qe real dhe i rëndë; ata të dy supozonin se bota do t'i kushtonte vëmendje asaj që ata kishin rrezikuar aq shumë për ta siguruar.

Stroilov pretendon se, dokumentat e tij "tregojnë një histori krejtësisht të re rreth përfundimit të Luftës së Ftohtë. Versioni "rëndom i pranuar" i historisë së asaj periudhe konsiston në mite pothuajse tërësisht. Këto dokumenta janë të gjendje që ta rrëzojnë secilin prej tyre". Është kështu? Nuk mund ta them, nuk lexoj rusisht. Prej dokumentave të Stroilov, kam parë vetëm pak të përkthyera në anglisht. Sigurisht, ato nuk mund të merren siç duken. Në fund të fundit, janë të shkruara nga komunistë, por mundësia që Stroilov të ketë të drejtë duhet të nxisë kuriozitet të fortë.

Për shembull, dokumentat e nxjerrin Gornaçovin në një dritë shumë më të errët nga ajo që ai përgjithësisht shikohet. Në një dokument, ai qesh me Byronë Politike rreth rrëzimit nga ana e Bashkimit Sovjetik e fluturimit 007 të kompanisë Korean Airlines në vitin 1983 - një krim që jo vetëm qe monstruoz, por që e solli botën shumë afër Armagedonit bërthamor.

Këto shënime nga një takim i Byrosë Politike i 4 tetorit 1989 janë njëlloj shqetësuese:
Lukyanov raporton se numri real i viktimave në Sheshin "Tien An Men" qe 3000.
Gorbaçovi: Ne duhet të jemi realistë. Njëlloj si ne, ata duhet të mbrojnë veten. 3000. . . E pastaj?

Dhe një transkriptim i bisedës së Gorbaçovit me Hans-Jochen Vogel, liderin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Perëndimore, e tregon Gorbaçovin që mbron masakrën e trupave sovjetike të 9 prillit 1989 ndaj protestuesve paqësorë në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Dokumentat e Stroilov përmbajnë gjithashtu transkriptime të diskutimeve të Gorbaçovit me shumë liderë të Lindjes së Mesme. Ato zbulojnë lidhje interesante midis politikës sovjetike dhe tendencave bashkëkohore në politikën e jashtme ruse.

Këtu kemi një fragment nga një bashkëbisedim që raportohet se është bërë me Presidentin sirian Hafez al-Assad me 28 prill 1990:

H. ASSAD. Që të ushtrojë presion ndaj Izraelit, Bagdadit do t'i duhet që të bashkohet me ngushtë me Damaskun, pasi Iraku nuk ka kufi të përbashkët me Izraelin. . . .

M. S. GORBÇOVV. Po kështu mendoj dhe unë. . . .

H. ASSAD. Qëndrimi i Izraelit është ndryshe, pasi vetë besimi judaik deklaron: territori i Izraelit shkon nga Nili në Eufrat dhe kthimi i saj është një fat hyjnor.

M. S. GORBAÇOV. Por ky është racizëm, i kombinuar me mesianizëm!

H. ASSAD. Kjo është forma më e rrezikshme e racizmit.

Njeriu nuk duhet të jetë me fantazi për t'u habitur, nëse diskutime të tilla mund të jenë të rëndësishëm për kuptimin tonë të politikës bashkëkohore ruse, në një rajon me rëndësi strategjike deri diku jetëgjatë.

Ka mënyra të tjera, në të cilat historia që tregojnë dokumentat e Stroliov dhe Bukovsky nuk ka mbaruar. Për shembull, ato tregojnë se arkitektët e projektit të integrimit evropian, ashtu si dhe shumë liderë të lartë të sotëm në Bashkimin Europian qenë shumë afër me Bashkimin Sovjetik për komfort. Kjo ngre pikëpyetje të rëndësishme rreth natyrës së Europës bashkëkohore - pikëpyetje që mund t'u jepet përgjigje kur amerikanët e konsiderojnë Europën si një model për politikën sociale apo kur ata kërkojnë bashkëpunim diplomatik evropian lidhur me çështjet kyçe të sigurisë kombëtare.

Për shembull, sipas raporteve të Zagladin, Kenneth Coates, i cili nga 1989 deri më 1998 qe anëtar britanik i Parlamentit Europian, ju afrua Zagladin më 9 janar të 1990 për të diskutuar atë çka ishte ekuivalente me një shkrirje graduale të Parlamentit Europian dhe Sovjetit Suprem.

Coates, thotë Zagladin, shpjegoi se "krijimi i një infrastrukture bashkëpunimi midis të dy parlamenteve do të ndihmonte. . . të izoloheshin të djathtët në Parlamentin Europian (dhe në Europë), ata që janë të interesuar në kolapsin e Bashkimit Sovjetik". Coates shërbeu si drejtues i Nënkomitetit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Europian nga 1992 deri më 1994. Si ka ndodhur që Europa po merrte këshilla rreth të drejtave të njeriut nga një njeri që dukshëm kishte dashur të "izolonte" ata të interesuar në kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe kërkuar të zgjeronte influencën sovjetike në Europë?

Ose shikoni një raport lidhur me Francisco Fernández Ordóñez, i cili drejtoi integrimin e Spanjës në Komunitetin Europian si ministri i Jashtëm i saj.

Më 3 mars të vitit 1989, sipas këtyre dokumentave, ai i shpjegonte Gorbaçovit se, "suksesi i Perestrojka nënkuptonte vetëm një gjë të vetme: suksesin e revolucionit socialist në kushtet bashkëkohore dhe kjo është saktësisht ajo që reaksionarët nuk e pranojnë". 18 muaj më vonë, Ordóñez i thotë Gorbaçovit: "Ndjej pështirosje intelektuale kur më duhet të lexoj pasazhe në dokumentat 937 G7-8776, ku problemet e demokracisë, lirisë së personalitetit njerëzor dhe të ideologjisë të ekonomisë së tregut vendosen në të njëjtin nivel.

Si socialist, nuk mund ta pranoj një ekuacion të tillë". Ndoshta më tronditësja, shtypi evropianolindor ka raportuar se dokumentat e Stroilov tregojnë se, Presidenti francez, François Mitterrand, po bënte manovra me Gorbaçovin për të siguruar që, Gjermania do të bashkohej si një entitet neutral socialist nën zotërimin franko - sovjetik.

Shënimet e Zagladin vërejnë gjithashtu se, ish-lideri i Partisë Laburiste britanike, Neil Kinnock, ju afrua Gorbaçovit - në mënyrë të paautorizuar, përderisa Kinnock ishte lideri i opozitës - nëpërmjet një të dërguari sekret për të diskutuar mundësinë e ndalimit të programit të raketave bërthamore "Trident" të Mbretërisë së Bashkuar.

Transkriptimet e takimit midis Gorbaçovit dhe të dërguarit, parlamentarit Stuart Holland, lexojnë sa më poshtë:
Sipas opinionit të Holland, Bashkimi Sovjetik duhet të jetë shumë i interesuar në likuidimin e raketave "Trident", pasi, përveç gjërave të tjera, Perëndimi - që nënkupton Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën - do të kishte një avantazh të madh ndaj Bashkimit Sovjetik, pas përfundimit të Traktatit START. Ky avantazh duhet të eliminohet. ... Në të njëjtën kohë, Holland nënvizoi se, sigurisht, ne mund të mendojmë seriozisht rreth realizimit të kësaj ideje vetëm nëqoftëse laburistët vijnë në pushtet. Ai tha se, Thatcher . . . nuk do të binte dakord kurrë për ndonjë reduktim të armatimeve bërthamore.

Kinnock ka qenë Zëvendëspresident i Komisionit Europian nga 1999 deri më 2004 dhe bashkëshortja e tij, Glenys, ka qenë deri së fundi ministrja për Europën e Britanisë. Gerard Batten, një anëtar i UK Independence Party, ka nënvizuar rëndësinë e episodit. "Nëqoftëse raporti i dhënë zotit Gorbaçov është i vërtetë, kjo do të thotë se Lordi Kinnock ju afrua një prej armiqve të Britanisë me qëllim që të kërkonte miratim lidhur me politikën mbrojtëse të partisë së tij", tha Batten në Parlamentin Europian në vitin 2009. "Nëqoftëse ky raport është i vërtetë, atëhere Lordi Kinnock do të ishte fajtor për tradhti".

Në mënyrë të ngjashme, Baronesha Catherine Ashton, e cila është tani ministre e Jashtme e Bashkimit Europian, ka qenë financierja e Fushatës për Çarmatimit Bërthamor të Britanisë nga 1980 deri më 1982. Dokumentat ofrojnë dëshmi se kjo organizatë përfitoi "shuma të paidentifikuara parashë" nga Bashkimi Sovjetik në vitet Tetëdhjetë.

Dokumentat e Stroilov tregojnë gjithashtu sem Komisioneri aktual për Çështjet Ekonomike dhe Monetare i Bashkimit Europian, spanjolli Joaquín Almunia, e mbështeste në mënyrë entuziaste projektin sovjetik të bashkimit gradual të Gjermanisë dhe të Europës në një "shtëpi të përbashkët evropiane"m socialiste dhe ju kundërvu fuqimisht pavarësisë së shteteve balltike dhe asaj të Ukrainës.
Ndoshta nuk habiteni kur lexoni sem politikanë të shquar europianë kishin pikëpamje të tilla.

Po pse? Është e pamundur të imagjinohet që figura që kanë gëzuar lidhje të tilla të ngushta me Partinë Naziste ose, me që ra fjala, me Ku Klux Klan apo me regjimin e aparteidit të Afrikës së Jugut do të gëzonin pozicione të tilla të larta sot në Europë. Në mënyrë të dukshme, rregullat janë ndryshe për simpatizantët komunistë. "Tani kemi Partinë Socialiste të pazgjedhur të Bashkimit Europian që drejton Europën", më thotë Stroilov. "Vë bast që KGB-ja nuk mund ta besojë një gjë të tillë".

Dhe cili është përshkrimi i Zagladin për traktativat me zëvendëspresidentin tonë aktual në vitin 1979?

Në mënyrë jozyrtare, [Senatori Joseph] Biden dhe [Senatori Richard] Lugar thanë se, në fund të fundit, ata nuk qenë dhe aq të preokupuar me zgjidhjen e një problemi të këtij apo atij qytetari sesa me faktin që t'i tregojnë publikut amerikan se ata kujdesen për "të drejtat e njeriut". . . Me fjalë të tjera, bashkëbiseduesit e pranuan se ajo çka po ndodhte ishte një lloj shfaqjeje, se ata absolutisht nuk e vrisnin mendjen për fatin e pjesës më të madhe të të ashtuquajturve disidentë.

Në mënyra të jashtëzakonshme, bota ka treguar pak interes në arkivat e palexuara sovjetike. Ky paragraf rreth Biden është një shembull i mirë. Stroilov dhe Bukovsky, bashkëshkruan një artikull rreth kësaj në revistën "FrontPage" të 10 tetorit 2008; kaloi pa lënë asnjë shenjë. Amerikanët e konsideruan episodin aq të privuar nga interesi sa që edhe kundërshtarët politikë të Biden nuk u përpoqën që ta kthenin atë në kapital politik. Imagjinonin, nëqoftëse mundeni, sesi duhet të ndjeheni nëqoftëse ke kaluar një pjesë të jetës tënde në një spital psikiatrik sovjetik, ku mësoni se Joe Biden është tani Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara dhe të mësoni se askush nuk e çan kokën.

Libri i Bukovsky rreth historisë që tregojnë këto dokumenta, i titulluar Jugement à Moscou, është botuar në frëngjisht, në rusisht dhe në pak gjuhë të tjera sllave, por jo në anglisht. Random House e bleu dorëshkrimin dhe, sipas fjalëve të Bukovsky, u përpoq "të më detyrojë që ta rishkruaja të gjithë librin nga perspektiva politike e majtë liberale". Bukovsky u përgjigj se, "si pasojë e disa tipareve të biografisë time, unë jam alergjik ndaj censurës politike".

Kontrata u anullua, libri nuk u botua asnjëherë në anglisht dhe asnjë botues tjetër nuk ka treguar interes për të. Po kështu asnjeri nuk ka dashur që të botojë EUSSR, një pamflet i shkruar nga Stroilov dhe Bukovsky rreth rrënjëve sovjetike të integrimit evropian. Në vitin 2004, një botues i vogël britanik botoi një version të shkurtuar të pamfletit. Edhe ai kaloi pa u vënë re fare.

Stroilov ka një listë të gjatë me ankesa rreth gazetarëve, që fillimisht kishin treguar interes për dokumentat, vetëm për t'i dhënë më pas se editorët e tyre e kishin deklaruar historinë si të parëndësishme.

Përpara vizitës së Gorbaçovit në Gjermani për festimin e përvjetorit të 20-të të rënies së Murit të Berlinit, thotë Stroilov, ai i ofroi shtypit gjerman, dokumentat që e paraqisnin në mënyrë të vërtetë atë. Nuk pati asnjë marrës. Në Francë, lajmi rreth dokumentave që tregonin planet e Miterrand dhe Gorbaçovit për ta kthyer Gjermaninë në një shtet socialist të pavarur shkaktuan pak murmurima kurioziteti dhe asgjë më shumë. Koleksioni i madh Bukovsky rreth sponsorizimit sovjetik të terrorizimit, palestinez dhe tjetër, mbetet në pjesën më të madhe i pabotuar.

Stroilov thotë se, ai dhe Bukovsky ju afruan Jonathan Brent të Yale University Press, i cili po drejton një projekt botues lidhur me historinë e Luftës së Ftohtë. Ai pretendon se, fillimisht Brent qe entuziast dhe i kërkoi atij që të shkruante një libër, bazuar në dokumenta, përpara Luftës së parë të Gjirit. Stroilov thotë, se i shkroi 6 kapitujt e parë, ia dërgoi ato atij dhe nuk dëgjoi më asgjë nga Brent, pavarësisht se duke i dërguar e-mail pas e-mail. "Nuk mund të spekuloj se çfarë e frikësoi atë aq shumë nga libri im", më shkroi Stroilov.

Gjithashtu dhe unë e kam pyetur Brent dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kjo nuk do të thotë asgjë, njerëzit janë të zënë. Jam më pak e bindur të besoj në përpjekjet komplekse për të fshehur të vërtetën sesa jam në indiferencën dhe preokupimin pas gjërave të tjera. Stroilov shikon në këto ngjarje "një lloj tabuje, prirja e rëndomtë e vagullt në Establishment se është më mirë t'i lesh të qetë qentë e fjetur, të mos hedhësh gurë në një shtëpi të xhamtë dhe të mos përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit". Unë dyshoj se është diçka akoma më shqetësuese: askush nuk e vret mendjen.

"Unë e di se koha do të vijë", thotë Stroilov, "kur bota do të shikojë nga këto dokumenta me shumë kujdes. Nuk mund t'i shmangemi kësaj. Nuk kemi asnjë rrugë përpara deri kur të mos kemi ndeshur të vërtetën e asaj që na ka ndodhur në shekullin e Njëzet. Edhe tani, nuk ka rëndësi sesa fort përpiqemi për ta injoruar historinë, të gjitha këto probleme na rikthehen në mënyrë të përsëritur".

Problemet, është e vërtetë, kthehen në mënyrë të përsëritur, por pak kujtojnë se janë pyetur më parë dhe pak kujtojnë sesi ishte përgjigja. Askush nuk flet shumë rreth viktimave të komunizmit. Askush nuk ngre memoriale për turmat e njerëzve të vrarë nga shteti sovjetik. (Në librin e tij gjerësisht të injoruar, A Century of Violence in Soviet Russia, Alexandër Yakovlev, arkitekti i Perestrojka nën Gorbaçovin, e nxjerr këtë numër midis 30 deri 35 milionëve).

Në të vërtetë, shumë u përmbahen akoma rregullave thelbësore të ideologjisë komuniste. Politikanë, akademikë, studentë dhe deri shoferë taksie autodidaktë akoma i kundërvihen pronës private. Shumë mbeten të magjepsur pas skemave për planifikim qendror ekonomik. Sipas sondazheve, Stalin është një prej figurave më popullore historike të Rusisë. Një numër jo i vogël të rinjsh në Stamboll, ku unë jetoj, e përshkruajnë veten me krenari si komunistë; kam takuar njerëz të tillë anembanë botës, nga Seattle në Calcutta.

Ne me të drejtë këmbëngulëm për denazifikimin total, me të drejtë dënojmë ata që përpiqen tani të ringjallin ideologjinë naziste, por bota tregon një difekt të rrezikshëm për të njohur historinë monstruoze të komunizmit. Këto dokumenta duhen përkthyer. Ato duhet të vendosen në biblioteka të famshme, të katalogohen si duhet dhe të vlerësohen me kujdes nga studiuesit.

Mbi të gjitha, ato duhet të jenë të mirënjohura për një publik që duket se e ka harruar se çfarë qe realisht Bashkimi Sovjetik. Nëqoftëse ato përmbajnë atë çka Stroliov dhe Bukovsky thonë - dhe e gjithë dëshmia që unë kam parë tregon se ato e përmbajnë - ky është detyrimi i gjithsekujt që e vret sadopak mendjen për historinë, politikën e jashtme dhe miliona të vdekurit.

Claire Berlinski, një kontribuese e rregullt e City Journal, është një gazetare amerikane që jeton në Stamboll. Ajo është autore e librit There Is No Alternative: Ëhy Margaret Thatcher Matters.

Përgatiti Armin Tirana
Odin
Odin

513


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi