EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Origjina e Mitit te Vampirit

Shko poshtë

Origjina e Mitit te Vampirit Empty Origjina e Mitit te Vampirit

Mesazh  Neo 01.09.09 23:02

Vampirët

Origjina e Mitit te Vampirit Fotxx6wy

Histori, filma, fantazi dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me Vampirët na kanë shoqëruar nga viti në vit duke na i bërë sa më realë e sa më të pranishëm në frikën dhe ankthet tona.

Sipas Karen Thompsonit, studiuese e mitologjisë së vurkolakëve ose vampirëve, ata përfaqësojnë një fantazëm që na imponohet nëpërmjet frikës, këtu e shumë shekuj më parë në të gjithë botën.

Me gjithë distancat e kohës dhe largësitë që ndajnë qytetërimet e ndryshme, historitë e lidhura me vampirët çuditërisht janë shumë të ngjashme. Përshkrimet e shumta lidhur me sulmet vampireske vijnë nga Greqia, Kina ashtu si dhe nga të gjitha vendet sllave.

Vampiri është produkti i grumbullimit të frikës së errët dhe dëshirave të thella të njeriut.

Ai përfaqëson frikën primitive të njeriut nga vdekja dhe nga të vdekurit në përgjithësi, lufta që bën ai për pavdekësi, dëshira për të kontrolluar ambientin që e rrethon, pikëpamjet e tij antropomorfe për pjellorinë e tokës, për krijimin e saj, mendimet për botën dhe për vendin e njeriut në të.

Të gjitha këto me kalimin e kohës ndikuan dhe na ofruan figurën bashkëkohore dhe të komplikuar të vampirit. Fakti se vampiri “jeton” përtej vdekjes fizike dhe legjendat e lidhura me origjinën e tij, tregojnë për lidhjen shumë të ngushtë me simbolin e gjarpërit.

Vampiri ka lidhje me legjendat e lashta të pjellorisë dhe përfaqëson lidhjen parësore që ka gjarpëri me karakteristikat jetësore të tij, si mënyra e të fjeturit, kthimi nga vdekja dhe ripërtëritja nga kontakti me jetën.

Të dyja legjendat që bëjnë fjalë për prejardhjen e vampirëve janë pothuaj të ngjashme. Legjenda e parë është historia e Lamias, mbretëreshës së Libisë e cila u dashurua me Zeusin. Prej tyre lindi një fëmijë, por Ira (perëndesha e zilisë) ia vodhi fëmijën.

Duke vajtur, Lamia u gjend përpara një shpelle pranë detit, koha po kalonte dhe ajo e ligështuar po endej nëpër errësirën e natës, duke vjedhur e duke ngrënë fëmijë të porsalindur. Pas kësaj sjelljeje makabre, preferencat e saj u shtuan dhe ajo filloi të tërhiqte pas vetes meshkuj të rinj të cilët i vriste ose bënte dashuri me ta derisa ua merrte shpirtin duke u pirë gjakun.

Megjithëse ajo e ruante pamjen e saj të bukur kishte aftësinë edhe të shëmtohej. Në njërën nga pamjet që njohim, pjesa e poshtme e Lamias paraqitet në formë gjarpëri me pendë. Vampirët e sotëm femra, supozohet se janë me flokë të kuqe, me lëkurë të zbehtë dhe me sy të gjelbër si të dragoit me pendë.

Legjenda e dytë tregon për Lilithin, për bashkëshorten e parë të Adamit, sipas Biblës. Ajo u krijua në të njëjtën kohë me Adamin, nga e njëjta baltë dhe sipas saj ishin të barabartë në gjithçka.

Meqënëse Adami nuk e pranonte dot një barazi me të, ajo e mohoi, nxorri krahë dhe fluturoi larg tij. Ëngjëjt ama e zbuluan se ku fshihej dhe i thanë se për shkak të largimit ishte dënuar nga Adami t’i vdisnin gjithë fëmijët e saj. E brengosur thellë ajo mendoi për vetëvrasje.

Kohë më vonë njerëzit kryenin shërbesa fetare për ta mbajtur Lilithin larg nga fëmijët. Fëmijët e porsalindur kalonin nën mbrojtjen e ëngjëjve në mënyrë që të mos prekeshin nga zilia dhe nga zemërimi i Lilithit për fëmijët e saj të humbur.

Ajo më vonë mendohet se u bë dashnorja e djallit i cili zakonisht përshkruhet si një gjarpër. Fëmijët që lindën prej tyre jetuan dhe u bënë të njohur si demonë.Duhet thënë se Lilithi i tërhiqte meshkujt e rinj dhe më pas i vriste.

Si Limia ashtu dhe Lilithi kanë një lidhje të fortë me gjarpërin. Në njërin prej përkthimeve të Biblës dhe konkretisht tek Vulgata, përkthimi i emrit Lilith është Lamia. Fjala Lilith gjithashtu do të thotë kukuvajkë, zog ky që nxjerr një tingull të trishtueshëm dhe depërtues.

Lamia dhe Lilithi, që të dyja i joshnin viktimat e tyre për t’i çuar drejt vdekjes. Istar, perëndesha e pjellorisë në Mesopotami i vriste dashnorët e saj me të njejtën mënyrë,por nuk u transformua dot në një demon ashtu si paraardhëset e saj.

Fakt ky që tregon për përplasjet fetare në kohrat e lashta dhe për mbizotërimin e elementit mashkullor gjatë adhurimit dhe zëvendësimit gradual të perëndeshës me pamjet e saj demoniake. Po në lashtësinë e largët Lamia dhe Lamos ishin fëmijët e Poseidonit dhe u adhuruan si Perëndi. Adhurimi i tyre u shua kur ata u rënduan dhe u bënë demonë kur erdhi në fuqi Zeusi.

Frika nga vdekja dhe bota e nëndheshme

Faktori tjetër që ndikoi në krijimin e përfytyrimit të vampirëve është edhe frika e njerëzve primitivë nga vdekja dhe nga gjithçka që lidhet me të. Dëshirat e lidhura me dimensionin e vdekjes janë të shumta,ndër to edhe ata që përcaktojnë lidhjen ndërmjet të vdekurve dhe të gjallëve.

Të përbashkëta ose të njejta janë dhe zakonet lidhur me varrosjen e të vdekurve tek të gjithë popujt evropianë. Që shpirti të kalojë në çfarëdolloj bote astrike pas vdekjes, të vdekurve u duhet bërë një varrim i shenjtë.

Trupi i të vdekurit e mban shpirtin në tokë derisa pjesa fizike fillon të tretet. Sipas popujve sllavë, pas vdekjes, shpirti endet në tokë pranë varrit të tij dhe viziton ato vënde që i njihte mirë kur ishte gjallë. Pas 40 ditësh shpirti kthehet përsëri në trupin e tij që është duke u dekompozuar dhe shkëputet nga dekompozimi për tek ambienti i tij i ri astrik.

Vampiri natyrisht e gjen trupin e tij të padekompozuar prandaj nuk ka nevojë të shkojë në botën e të vdekurve. Ishte zakonisht detyrë e njerëzve se nëqoftëse do të gjenin një kufomë, ta varrosnin menjëherë atë, në mënyrë që shpirti i të vdekurit të reabilitohej për sigurinë e të gjallëve.

Tek grekët dhe romakët e lashtë ishte e fiksuar ideja e lidhjes së gjarpërit me gjëndjen e të vdekurit. Gjarpëri shfaqet shpesh rreth varrezave prandaj është supozuar të jetë edhe rimishërimi i shpirtit të vdekur. Prandaj dhe me kalimin e shekujve u kthye edhe në simbolin e vdekjes.

Popujt e lashtë nuk ishin të bindur se të vdekurit ndaheshin plotësisht nga të gjallët.Ndërmjet dy botëve është menduar gjithmonë një bashkëveprim aktiv. Të lashtët besonin se të vdekurit jetonin në botën e nëndheshme dhe e konsideronin këtë vend si një kopje e botës së të gjallëve duke menduar se dielli lindte në botën tjetër kur perëndonte në botën e mbitokës.

Më vonë u krijua ideja e botës së frikshme dhe të errët të skëterrës, sipas popujve të Mesopotamisë. Sipas romakëve shpirti pushonte bashkë me trupin në varr prandaj aty vendoseshin edhe orendi dhe mjete të nevojshme për jetën në vazhdim.

Vazhdimi i ekzistencës së shpirtit pas vdekjes është përmendur me hollësi. Grekët gjithashtu besonin në pavdekësinë e shpirtit. Në botën tjetër shpirtrat bashkëekzistonin, bota tjetër e nëndheshme ishte e errët dhe e trishtueshme dhe dielli nuk ndriçonte kurrë.

Shpirtrat ishin si hije dhe përshkruheshin si fantazma anemike që mund të flisnin apo të kënaqnin ndonjë dëshirë njerëzore. Në eposin e Odisesë përshkruhet se vetë Uliksi, kur vizitoi botën e nëndheshme, iu desh të jepte gjak për ushqimin e fantazmave që ato të kishin mundësi të flisnin.

Paraardhësit tanë të lashtë kishin shumë frikë nga kthimi i ndonjë shpirti keqbërës dhe merrnin masa për qetësimin e tij. Kështu varrimi kishte një qëllim të dyfishtë: ruajtjen e të gjallëve nga shpirtrat e varrosur dhe sigurimin e qetësisë së këtyre shpirtrave në botën tjetër.

Që të gjallët të mbroheshin nga të vdekurit merreshin disa lloje masash gjatë ceremonisë mortore të gjitha me qëllim që ta mbanin të vdekurin në varr. Para se i vdekuri të dilte nga shtëpia, të afërmit i vinin atij rrotull tri herë, një praktikë e njohur kjo si rrethim.

Gjatë largimit të trupit nga banesa tregonin kujdes të veçantë se nëqoftëse masat e tjera dështonin, i vdekuri të mos ishte në gjëndje të gjente rrugën për t’u kthyer përsëri në shtëpi. E nxirrnin prej andej me këmbët përpara dhe sytë të lidhur që të mos shikonte se ku po shkonte.

Duke u nisur nga fakti se vampiri kthehej gjithmonë për të sulmuar të afërmit dhe shpirti mund të kthehej nga i njëjti vënd nga doli atëherë i vdekuri nuk dilte nga dera por nga ndonjë dritare e shtëpisë.

Në disa raste rrëzohej edhe ndonjë pjesë e murit,kalohej kufoma dhe më pas gjithçka rregullohej. Kështu vampiri nuk mund të kthehej në shtëpi dhe të kërcënonte banorët e saj. Në vendin e varrimit merreshin edhe masa të tjera.

Shpesh trupi varrosej me fytyrë nga toka që të mos ta gjente daljes. Për të bllokuar trupin disa fise primitive të Evropës qëndrore thyenin shtyllën kurrizore për të shmangur lëvizjet e të vdekurit apo pjesë të tjera të trupit. Sa varrosej i vdekuri, mbi varr vendoseshin gurë që ai të mos hapej. Disa herë varrimi bëhej në ndonjë derdhje të përkohshme lumi sepse uji ende sot konsiderohet si një pengesë rezultative për kalimin e vampirit.

Për të vdekurit me vetëvrasje proçedurat ndryshonin. Zakonisht këta njerëz varroseshin në udhëkryqe me zemër të shpuar dhe me duar e me këmbë të thyera. Me këtë mënyrë të gjallët mendonin se mbroheshin nga të vdekurit që mohonin ligjet e natyrës dhe i jepnin fund vetë jetës së tyre. Një jetë që i takonte vetëm natyrës ta merrte.

Përveç kësaj, të afërmit duke u kthyer nga varrimi e kishin zakon te zbrasnin të gjitha enët me ujë para banesës që të pengonin rikthimin e të vdekurit. Gjithashtu edhe gjatë kohës që mbahej zi të gjitha pasqyrat ktheheshin mbrapsht. Në vitet e lashtësisë pasqyrimi konsiderohej si shpirt.

Në qoftë se fantazma e të vdekurit ndodhej diku afër do të mund ta vidhte shpirtin që pasqyrohej dhe atëherë i gjalli duhej ta shoqëronte në botën tjetër. Pasqyra tregon gjithmonë të vërtetën dhe të mirën, si pasojë asnjë vampir apo fantazëm nuk mund të shfaqet në pasqyrë.

Mendohej se të vdekurit kanë fuqi të mëdha prandaj tek këto mentalitete fshihet sidomos frika. Të vdekurit ama mund të bëjnë edhe mirë. Mirësia e tyre sjell prodhueshmëri, bollëk, reshje etj ndërsa zemërimi i tyre vdekje, sterilizimin e grave dhe të tokës, furtuna, tërmete, eklipse, me një fjalë thithjen e energjisë jetësore.

Vampiri konsiderohet si sinonimi i gjarpërit sepse edhe ai duket se është i pavdekshëm kur ndërron lëkurën çdo vit.Mendohej se vampiri si dhe gjarpëri ishin përgjegjës për fenomenet meteorologjike.

Fantazitë e ndërgjegjes fisnore

A ekzistojnë vampirët? Nuk mund ta konsideroj këtë fenomen vetëm si mitologji. Interpretimet logjike janë më tepër shkencore, sociale dhe psikologjike se sa mitologjike dhe mendimi kolektiv i fisit të njeriut për “zakonet”makabre të vampirëve ndoshta i dedikohet fenomeneve paralele psikologjike.

Është fakt se në të shkuarën ashtu si dhe tani,janë varrosur njerëz me vdekje klinike. Të gjithë ata që kanë mundur të dalin nga varret e tyre të parakohshëm përballoheshin me frikë sepse quheshin si “të kthyer”. Një lloj tjetër vampiri është ai që thith energjinë shpirtërore nëpërmjet frikës duke u privuar njerëzve dëshirën për jetën.

Megjithëse njeriu u zhvillua nga ana intelektuale, mbeti rob i fantazmave të tij të errëta të cilat nuk arriti kurrë t’i shpjegojë me gjithë zhvillimin e madh teknologjik e shkencor. Vampiri siç duket përfaqëson njërën prej këtyre fantazive të rrënjosura thellë në ndërgjegjen tonë njerëzore dhe frika e pashpjeguar fëminore e ndjek njeriun edhe në pjesën tjetër të jetës së tij.

Mbi bazë të shkencës dhe të legjendave vampirët dhe fantazmat janë thjesht pjesa e errët e imagjinatës tonë që vihet shpesh herë në punë për ti dhënë një shpjegim një fakti iracional.

Por pavarësisht cdo legjende këto dy krijesa kanë për të na shoqëruar përherë deri në fundin e jetës sonë.

Nga Serxhio Palushi
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi