Yoga në karrige
Faqja 1 e 1
Yoga në karrige
Efektet pozitive në shëndetin e të moshuarve dhe personave të prekur nga probleme të ndryshme shëndetësore
Në të shumtën e rasteve, Yoga prezantohet si një praktikë interesante dhe tërheqëse, më shumë e përqendruar drejt personave të rinj, fleksibël dhe në formë të mirë fizike, por nuk është aspak kështu.
Në vitet e fundit Yoga edhe shumëllojshmëria e teknikave të frymëmarrjes, balancimit dhe relaksimit kanë arritur të bëhen pjesë e një shumëllojshmërie përdorimesh. Lakshmi Voelker, E-RYT 500, YA, IAYT është një nga pionierët e adaptimit të pozicioneve të Yogës tradicionale në karrige.
Me një përvojë 40-vjeçare në praktikimin dhe mësimin e Yogës, ideja e adaptimit lindi në momentin që një nga studentet e saj nuk ishte më në gjendje të praktikonte për shkak të gradës së avancuar te artritit ne gjymtyrët e saj dhe pamundësisë për të praktikuar në tapet.
Çfarë është?
Qëllimi kryesor i teknikës është si të mësohet dhe adaptohet Yoga tradicionale në një karrige, në mënyrë që një numër më i madh personash të kenë mundësi të përfitojnë nga efektet pozitive të Yogës. Yoga në karrige, (Chair Yoga), është e përshtatshme për çdo individ, pavarësisht arsyeve që e limitojne në mos-praktikimin tradicional. Thjesht teknika e frymëmarrjes dhe lëvizjet e ndërthurura me respektimin e trupit, së bashku me limitimet që ekzistojnë, sjell shumë efekte pozitive te të gjithë praktikuesit e saj. Praktikuesit familjarizohen me teknikat e frymëmarrjes, ushtrime për duart, rrotullime të shtyllës kurrizore, përkulje përpara, ushtrime për shpatullat dhe qafën që ndihmojnë në forcimin e muskujve dhe uljen e tensionit muskulor. Koncepti është që trupi të lëvizë me harmoni midis pozicioneve, frymëmarrjes, përqendrimit dhe respektimit të formës fizike, duke çuar në këtë mënyrë në një relaksim të thellë, çlirimin e tensionit, qetësinë dhe fokusimin në atë që është duke ndryshuar në trup.
Programi i teknikës
Yoga në Karrige, u prezantua në vitin 2008, nga Dr. Melanie Brennan, e trajnuar nga Lakshmi Voelker, në Mayo Clinic ne Rochester, në qendrën Dan Abraham Healthy Living Center dhe vazhdon të jetë një nga programet më të ndjekura nga pacientët e kësaj qendre mjekësore. Programi është i fokusuar në grupe të ndryshme pacientësh me probleme të ndryshme shëndetësore, duke filluar nga sëmundja e parkinsonit, paralizat e ndryshme, probleme të lidhura me shtyllën kurizore, tumoret e trurit, Cerebral Palsy dhe Neuropathy.
Suksesi i kësaj teknike nuk kaloi pa u vënë re dhe nga shumë grupe të tjera që merren me kërkime shëndetësore dhe kërkime për të ndihmuar pacientët e ndryshëm. LVCY është bërë pjesë e rëndësishme në trajtimin e pacientëve të prekur nga Alzheimer dhe familjeve të tyre. Praktikimi i Yogës ndihmon në koordinimin e lëvizjeve, qetësinë dhe qartësinë e mendimeve të personave të prekur nga kjo sëmundje.
Studimet
Dr. Lyn Litchke, asistente profesore në Departamentin e Shëndetit dhe Mirëqënies Shëndetësore në Universitetin e Texasit – San Marco, pas një studimi prej 10 javësh mbi efektet e LVCY në pacientë të prekur nga Alzheimer, paraqiti një studim shkencor mbi efektet pozitive dhe mënyrën sesi kjo terapi ndihmonte në një jetë më aktive dhe pozitive tek pacientët. Pjesëmarrja dhe aktivizimi ishte diçka krejt e papritur. Pacientët ndiheshin aktivë dhe më të fokusuar gjatë praktikës. Modifikimet e ndryshme të pozicioneve lejonin çdo pjesëmarrës të ndjehej pjesë e aktivitetit pa u ndjerë keq nga niveli i fleksibilitetit.
LVCY gjithashtu ka dhënë rezultate dhe në trajtimin dhe ngadalësimin e progresit të Osteopososes dhe Osteopenias. Duke hapur kraharorin me përkulje të lehta dhe të vetëdijshme, krijohet një zgjatje harmonike e shtyllës kurrizore që lejon një frymëmarrje më të plotë. Teknikat e përdorura gjatë një praktike të Jogës në karrige ndihmojnë gjithashtu në uljen e nivelit të sheqerit te personat që vuajne nga diabeti dhe ata që nuk e dinë që e kanë këtë problem. Sipas kërkimeve të bëra, personat që praktikojnë Yoga në karrige të paktën për 40 minuta në ditë shikojnë përmirësim të frymëmarrjes dhe në vazhdimësi njerëzit që vuajnë nga diabeti i Tipi 1 kanë nivele më të ulëta të glukosës.
Një orë Yoga në Karrige çdo ditë për 3 muaj ndihmon në uljen e tensionit, kolesterolit si dhe triglicerideve.
Për njerëzit e prekur nga Distrofia Muskulare, ushtrimet fizike janë shumë të limituara; Yoga në Karrige është një alternativë e thjeshtë. Ndihmon në anën fiziologjike, sidomos në sistemin nervor, ndihmon gjithashtu në fokusim, koordinim, energji, fleksibilitet dhe në lëvizjet në përgjithësi.
Eksperienca, dedikimi dhe pasioni që kjo teknikë sjell në praktikimin e Yogës është një dhuratë e disponueshme për të gjithë; pa dallim moshe, peshe apo probleme shëndetësore.
Siguria ofrohet thjesht duke u ulur në karrige, pjesa tjetër është një përvojë që çdo individ mund t’a shprehë pa limit.
Anilda Noçka
Zattoo- 600
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi