Sektet, si po i shkatërrojnë njerëzit dhe besimet fetare
Sektet, si po i shkatërrojnë njerëzit dhe besimet fetare
Sektet, si po i shkatërrojnë njerëzit dhe besimet fetare
Në Britaninë e Madhe gjenden gati gjysmë milioni njerëz që i përkasin njërës nga sektet e fshehta, numri i të cilave llogaritet në 500, ndërsa në SHBA gjenden gati 3.000 sekte me rreth 3 milionë pasues. Ky numër është frikësues, sepse zbulon boshllëkun shpirtëror nga i cili vuan sot njeriu në Perëndim, ndërkohë që këto sekte pretendojnë se mund ta mbushin atë. Kjo është edhe arsyeja kryesore e suksesit të këtyre sekteve, mësimet e të cilëve mund të duken si të çuditshme dhe jollogjike. Ata pretendojnë se zotërojnë përgjigje për çdo pyetje dhe mbi të gjitha për atë më kryesoren: kuptimin e jetës. Kjo është pyetja së cilës Perëndimi, me gjithë zhvillimin e tij teknologjiko-shkencor, nuk ka mundur t’i japë një përgjigje bindëse. Gjithashtu, këto sekte pretendojnë se kanë në dorë zgjidhjen për të gjitha problemet që ka krijuar qytetërimi perëndimor: sëmundjet, stresin, çmendurinë, ankthet etj. Të gjitha këto përgjigje janë sipërfaqësore, por të pëlqyeshme për ata që i kanë humbur shpresat në këtë jetë. Suksesi i tyre gjendet edhe në nevojën e madhe të njerëzimit për besim fetar pasi në institucione dhe njerëz, ky i fundit duket se ka humbur përgjithmonë.
Ndonëse qytetërimi perëndimor pretendon se besimi është rruga e të dobtëve dhe supersticiozëve, vazhdon të vuajë, madje sot më shumë se kurrë nga nevoja për besim me çdo kusht, e cila është instikt natyror i pranishëm tek të gjithë. Këto sekte presin me ankth momentin kur për dikë feja kthehet në një zhgënjim të madh duke e bërë të ndihet i pashpresë për të ofruar “ndihmën e tyre”. Ky kërkim është fillimi në eksperiencën e çdo personi të lidhur me njërin nga këto sekte, eksperienca e kërkimit të fesë dhe së vërtetës.
Nuk ekziston ndonjë përkufizim i caktuar për fjalën “sekt” në kuptimin “kult”, por shkurtimisht me të kuptohet një grup njerëzish, të cilët bashkohen rreth disa praktikave të caktuara nëpërmjet dominimit mendor dhe “larjes së trurit”, grup i cili veçohet nga njerëzit e tjerë në mënyrë ekstremiste. Sektet dallohen nga grupimet e tjera sepse:
1. I tërheqin njerëzit drejt vetes me anë të dhënies së njohurive të gabuara dhe mashtruese;
2. Përfitojnë materialisht nga anëtarët e tyre, duke iu zhvatur paratë drejtpërdrejt ose duke i detyruar që të kryejnë punë falas ose me rroga të vogla;
3. I izolojnë ithtarët e tyre nga çdo mendim tjetër të ndryshëm nga ai i sektit dhe mbjellin tek ta urrejtjen për besimet e të tjerëve;
4. Shkaktojnë probleme familjare dhe bëhen shkak për divorce, mosbindje ndaj prindërve, largime nga shtëpia madje edhe vetvrasje.
Si i ruajnë sektet anëtarët e tyre?
Në fillim, sekti nuk i ngarkon anëtarit të ri asnjë detyrë dhe e rrethon atë me lehtësira, interesim dhe përkujdesje, gjë për të cilën ai ka nevojë në fillim të anëtarësimit. Më pas, shkallë-shkallë dhe me metoda të ndryshme, fillon operacioni i “larjes së trurit”.
Ithtarit të ri i ndalohet marrja e informacioneve të jashtme nga burimet e medias dhe bisedat me ata që nuk i përkasin sektit, gjë e cila është e lehtë për sektet që t’i detyrojnë ithtarët e tyre të arratisen nga shtëpia dhe të jetojnë nëpër ferma.
Gjithashtu, kjo gjë realizohet edhe duke i detyruar anëtarët e sektit që të flenë pak (e shumta 4 orë në ditë) dhe duke mos i lejuar ata që të konsumojnë ushqim të plotë dhe të mjaftueshëm (sidomos lëndë proteinike), në mënyrë që të jenë të dobët fizikisht dhe mendërisht.
Ata përpunohen që të pranojnë pa kundërshtim çdo mendim të sektit dhe ngarkohen me punë të rënda, duke iu hequr mundësinë e të medituarit dhe qëndrimit vetëm. Tipari kryesor që i dallon sektet e fshehta është aftësia e tyre për të dominuar mendjet e anëtarëve, të cilët zbatojnë automatikisht çdo gjë që iu kërkohet, madje edhe vdekjen.
Një gjë e tillë vihet re në rastin e Çarls Mensonit, i cili iu kërkonte ithtarëve të tij të kryenin vetëvrasje kolektive dhe në atë të Xhim Xhonsit, i cili arriti të bindë 913 ithtarë të tij të kryenin vetëvrasje duke pirë helm.
Kush futet nëpër sekte?
Në Britani, të gjitha shtresat janë të prekura nga përkatësia nëpër sekte, por ka disa shtresa më të prekura se të tjerat si p.sh të bardhët, që i përkasin shtresës së mesme, shumica e të cilëve kanë arsim të mesëm dhe të lartë. Sektet fetare preferojnë të rinjtë që janë në lulen e moshës rreth të njëzetave. Mosha ideale për sektin MOONIES është 20 vjeç, sepse ata janë më të aftë që të përballojnë detyrimet trupore të sektit. Kjo është edhe arsyeja që këto sekte përhapen kryesisht nëpër universitete. Nga ana tjetër, sekte të tjera, interesi i të cilëve janë paratë para së gjithash, mundohen të tërheqin ata që janë mbi të tridhjetat dhe që kanë para. Ndodh shumë rrallë që sektet të mundohen të tërheqin ata që janë mbi 60 vjeç. Rrezikshmëria e disa prej këtyre sekteve qëndron në kohën që i duhet ish-anëtarit për t’u kuruar nga pasojat e ndikimit të sektit mbi të. Sekti më i rrezikshëm është “Scientology”, kurimi psikik nga pasojat e ndikimit të të cilit zgjat normalisht 2 vjet ose 14 muaj në rastin e terapisë intensive. Pas tij vijnë Muniz (MOONIES) me 16 muaj dhe Hare Krishna (HARE KRISHNA) me 11 muaj. Periudha e kurimit nuk kushtëzohet vetëm nga periudha kohore që ka kaluar anëtari në sekt, por ajo varet edhe nga lloji i “larjes së trurit”, të cilit i është nënshtruar. Sekti më i rrezikshëm Scientology e detyron anëtarin e tij të punojë 45 orë në javë, kohë kjo e vogël po ta krahasosh me atë të Muniz 53 orë dhe Hare Krishna 70 orë.
SATANISTËT
Numri i ithtarëve të sektit të satanistëve arrin në rreth 10.000 dhe statistikat tregojnë se mosha mesatare e atyre që futen në të është 23 vjeç, ndërkohë që moshat e tjera luhaten nga 18 deri 75 vjeç. Meshkujt përbëjnë 80% të sektit dhe shumica e tyre ka një nivel të mirë arsimimi, të mesëm ose të lartë. Kërkimet tregojnë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e të rinjve aktivë të këtij sekti janë meshkuj të bardhë, të cilët iu përkasin shtresës së mesme dhe asaj të lartë, me një zhvillim mendor mbi mesataren. Është e rëndësishme të dallojmë satanistët si sekt dhe magianët (MAGIANS) si një grup krejtësisht i shkëputur. Në përgjithësi, magianët në Perëndim janë ithtarë të një feje të lashtë pagane, historia e së cilës daton përpara lindjes së Krishtit, ndaj nuk kanë asnjë lidhje me fenë e krishterë. Satanistët kundërshtojnë Krishtin dhe adhurojnë Djallin. Ata deklarojnë se luftojnë idenë e hyjnueshmërisë, sepse ajo është e bazuar në fe. Ithtarët e këtij sekti besojnë se fuqia e mendjes njerëzore është më e madhe se çdo forcë tjetër dhe se me pak stërvitje, ajo mund të bëjë ç’të dojë. Historia e lindjes së këtij sekti daton që në Mesjetë, kur ithtarët e tij iu nënshtroheshin formave të ndryshme të përndjekjeve, torturave dhe vrasjeve nga ana e pushtetit kishtar. Në vend që fushata të tilla spastrimi të çonin në zhdukjen e këtij sekti, ndodhi e kundërta: rritja e popullaritetit të tij.
Njerëzit i urrenin përndjekjet e kishës dhe simpatizonin viktimat e saj, cilido që të ishte besimi i tyre. Në fund të shekullit XVIII, sekti i satanistëve u rrit dhe mësimet e tij filluan të lulëzonin dalëngadalë gjatë procesit të shkëputjes së tij nga lëvizjet masone dhe kuekeriste në Britani. Synimet e këtij sekti përmblidhen shkurt në atë se ai lufton mësimet e të gjitha feve dhe kërkon shkatërrimin e tyre. Ai pasqyron mendimet dominuese dhe shndërron të keqen në të mirë dhe anasjelltas, sepse ithtarët e tij besojnë se ekuilibrat e këtyre nocioneve nuk janë të përjetshme, për shkak se janë vendosur nga fetë për të dominuar mendjen njerëzore. Sekti i argumenton këto besime me mendimet e Aristotelit dhe ateistit Niçe. Ai kujdeset që ithtarët e tij të shtrijnë ndikimin e tyre mbi opinionin publik, që ky i fundit të sulmojë besimet e të tjerëve dhe të kryejë akte vandale si djegien e gjërave të shenjta, dhunimin e varreve, nxjerrjen jashtë të kufomave etj.
Vrasja konsiderohet si sjellja më e lartë satanike që mund të kryejë sekti, sepse ata besojnë se vrasja ndihmon në nxjerrjen e fuqisë magjike nga viktima dhe futjen e saj tek ithtarët, gjë e cila ngre nivelin e funksionimit të tyre mendor. Si viktima përdoren kryesisht kafshët, të cilat preferohen të jenë të vogla dhe të virgjëra, sepse sipas tyre, fuqia magjike në këto raste është më e madhe. Ato theren në mes të rrethit të formuar nga njerëzit, të cilët kërcejnë lakuriq. Fuqia e arrin kulmin kur viktima është njeri dhe mundësisht fëmijë mashkull me zhvillim mendor mbi mesataren. Përveç vrasjeve, sekti praktikon edhe marrëdhëniet e shthurura seksuale dhe perversitetin, si një mjet tjetër për nxjerrjen e fuqisë magjike. Sekti i satanistëve ndahet në pesë degë kryesore, nga të cilat katër janë në nivel organizimi vetjak dhe të ngushtë, ndërsa e pesta është në nivel kolektiv dhe më e rëndësishmja prej tyre. Qendra zyrtare e kësaj dege konsiderohet Kisha e Shejtanit në SHBA, e themeluar më 1966 nga Anton Lavej (Anton LaVey), por për shkak të skandaleve që ndodhnin në të, në fund të viteve ’70 prej saj u shkëputën shumë grupe, disa prej të cilëve u ngulitën në Britani dhe ngritën kishën e tyre. Ky sekt i përhap mendimet e tij shkatërrimtare për shoqërinë njerëzore me mënyra të ndryshme: nëpërmjet grupeve muzikore heavy-metal, kasetave, videove etj. Dihet botërisht se shumë nga grupet e muzikës rock si Black Sabbath, Megadeath etj, i përkasin këtij sekti të mallkuar. Në tekstet e këngëve të tyre flitet për Djallin, vetëvrasjen, homoseksualizmin etj.
Kisha Unitare ose Muniz
Ky sekt njihet ndryshe me emrin Kisha Unitariane (Unification Church) dhe cilësohet si një nga sektet e fshehta më të rrezikshme. Në mesin e viteve ’70, në fillimin e veprimtarisë së tij në Britani, ky sekt u përball me shumë fushata sulmesh nga massmedia. Sekti e ka marrë emrin nga themeluesi i tij Sun Mjung Muni, i cili u lind më 1920 në Korenë e Veriut. Ithtarët e tij besojnë se ai është Mesia i dërguar për të plotësuar atë që “nuk e kreu” Krishti. Më 1936, kur ishte 16 vjeç, Munit “iu shfaq Jezusi, i cili kërkoi prej tij që të çonte deri në fund atë detyrë që ai nuk mundi ta kryejë”. Muni beson se Mesia nuk duhej të “kryqëzohej”, por të jetonte në mënyrë të natyrshme, të martohej dhe të lindte fëmijë, të cilët nuk do të trashëgonin “mëkatin” e Adamit, do të shtoheshin dhe do t’ia ndryshonin për të mirë faqen botës. Ai beson se njerëzimi e ka trashëguar mëkatin nga Adami dhe Eva, gjë e cila ka vazhduar brez pas brezi për shkak të marrëdhënieve të ndaluara seksuale dhe se kur Mesia “u kryqëzua”, bota mbeti pa u pastruar. Kështu që Zoti dërgoi Munin për të plotësuar detyrën e pastrimit të saj dhe për këtë shkak, sekti iu ndalon anëtarëve të tij pirjen e duhanit, alkoolit, përdorimin e drogës dhe ç’është më e rëndësishmja: marrëdhëniet seksuale paramartesore.
Gjithashtu, Muni pretendon se pas takimit të tij me Mesinë në vitin 1936, ka ndenjur shtatë vjet duke shkruar librin e tij “Parime Hyjnore”, i cili është libri i shenjtë i sektit. Më 1972 Muni i tha ithtarëve të tij se Zoti iu shfaq në ëndërr dhe e urdhëroi ta shpërngulte Kishën e tij në SHBA, duke mos treguar asnjë shkak. Sekti duhej të blinte një sipërfaqe të madhe toke në SHBA dhe të fillonte ndërtimin e Kishës. Që nga viti 1959, sekti kishte ithtarë në SHBA. Megjithëse Muni, themeluesi i sektit, ka jetuar shumë vjet në SHBA, ai nuk e zotëron anglishten dhe të gjithë predikimet i mban në gjuhën koreane. Megjithatë, ai është i famshëm dhe ka admirues të shumtë në të katër anët e Amerikës. Muni është shumë i pasur dhe zotëron një rrjet të gjerë ndërmarrjesh tregtare.
Më 1982, autoritetet amerikane e arrestuan nën akuzën për evazion fiskal dhe falsifikim të disa dokumentave zyrtare, kështu që kaloi 18 muaj në burg. Burgosjen e tij, Muni e justifikoi si urdhër nga Zoti për t’iu përkushtuar detyrave të tij jetësore dhe të bënte planin për bashkimin e të gjitha kishave të botës nën ombrellën e tij.
Ai beson se kisha e tij është e vetmja kishë e ligjshme dhe se mësimet e tij ia kalojnë edhe vetë mësimeve të Krishtit. Gjëja që e ka bërë këtë sekt të tërheqë një numër të madh njerëzish është përfshirja në të e të gjithë atyre që duan t’u ikin përgjegjësive të jetës dhe të cilët duan që dikush tjetër të vendosë për të ardhmen e tyre.
Sekti ua siguron të gjitha këto, duke filluar me marrjen e përgjegjësive shoqërore dhe ekonomike, dhe duke mbaruar me furnizimin me sapun, pastë dhëmbësh etj. Është për t’u habitur se shumica e anëtarëve të sektit i përkasin shtresës së mesme të shoqërisë dhe kanë një nivel të mirë të zgjuarsisë. Ata preferojnë futjen në sekt, sepse ky i fundit u heq nga shpina mundin e të menduarit.
Scientology
Ndërsa ecin në rrugën Totenhem Kort Roud të mbushur me dyqane, rrugë e cila gjendet në qendër të Londrës, kalimtarët ndeshen me një të ri që mban në dorë një copë letër në të cilën shkruhet “Njih vetveten”.
Nëse ndonjëri nga ata tregon interesim për të njohur veten e tij, hyn në një dyqan të vogël, ulet dhe i përgjigjet shumë pyetjeve që lidhen me jetën e tij personale. Janë rreth 200 pyetje si psh: “A zemërohesh shpejt? A ke kujtesë të fortë? A të duan njerëzit? A je personalitet udhëheqës?” etj. Me pas përgjigjet futen në kompjuter, i cili i lexon dhe nxjerr një raport “asnjanës” të gjendjes së tij psikike. Në përgjithësi, raporti është negativ dhe kompjuteri përcakton se personi ka menduar më se një herë për të kryer vetëvrasje. Nëpunësit e këshillojnë atë për domosdoshmërinë e blerjes së një libri më titull “Dianetika” (Dianetics) që e ndihmon për t’u shëruar dhe ndjekjen e kurseve që organizon qendra. Nëse ai pranon ta blejë librin dhe të ndjekë kurset, atëherë fillon një udhëtim i gjatë në botën e Scientology. Ky është sekti më i rrezikshëm i shfaqur në SHBA dhe Britani. Kurimi i pasojave të ndikimit të këtij sekti kërkon disa vjet edhe sikur periudha e qëndrimit në të të mos jetë veçse disa muaj.
Ithtarët e sektit Scientology pretendojnë se numri i tyre arrin në 7 milionë, por numri i vërtetë i tyre nuk e kalon shifrën 100.000. Megjithatë, ai është sekti më i madh dhe më i rrezikshëm në Britani. Sekti u formua nga amerikani Ronald Habërd (Ronald Hubbard), i cili u lind më 1911 dhe vdiq më 1986. Ai është autori i librit “Dianetika” (Dianetics) duke e promovuar si “ilaçin” e zgjidhjes së problemeve psikike, mendore dhe trupore. Habërdi ka lënë një shprehje të të famshme dhe qesharake: “Rruga më e lehtë për t’u pasuruar është shpikja e një feje të re” dhe me të vërtetë, kjo është rrugë e lehtë në Perëndim, ku jeta e shfrenuar e konsumit dhe të gjithë njerëzit kërkojnë një rrugëdalje nga ky rreth vicioz. Megjithëse Ron Habërdi u lind në një familje të thjeshtë dhe të varfër, pas vdekjes, autoritetet amerikane e vlerësuan pasurinë e tij në 500 milionë dollarë, shumica e të cilës ka ardhur nga shitjet e librit të tij.
Ky sekt nuk ka asnjë lidhje apo ngjashmëri me ndonjë nga fetë qiellore apo joqiellore, sepse anëtarët e tij nuk besojnë në dhënien e llogarisë, në parajsë dhe ferr, bile Habërdi, në fillim të karrierës së tij, nuk e pranonte ekzistencën e profetëve me në krye Jezusin, por më vonë u tërhoq nga ky mendim dhe besoi në ekzistencën e tij. Megjithatë, ai ka thënë për ta disa fjalë që nuk i përshtaten profetëve të Zotit.
Qëllimi i vërtetë i sektit nuk është aq fetar sa mund të jetë material dhe ky është qëllimi i shumicës së sekteve të fshehta në Perëndim. Scientology nuk interesohet për propagandimin e mendimeve të tij tek të gjithë njerëzit, por vetëm tek të pasurit, të cilët kanë mundësi të përballojnë shpenzimet e mëdha të librave dhe kurseve. Vetëm shpenzimet për kurset arrijnë gati 100.000 stërlina angleze.
Ky sekt beson se perëndia Thetan është ai që ka krijuar gjithësinë dhe se ai materializohet në formën e njeriut në çdo vend dhe kohë. Ky është shkaku i forcës së trupit të njeriut, por ai dobësohet shkallë-shkallë si rrjedhojë e sëmundjeve psikike dhe trupore, të cilat e rikthejnë atë në eksperiencat e hidhura të mëparshme.
Që trupi të rikthehet në fuqinë e tij të natyrshme, duhet që t’i harrojë këto eksperienca, gjë që arrihet vetëm me anë të një metode të posaçme, të cilën sekti ia jep me anë të kurseve dhe botimeve të tij. Sekti mbështetet tek fantazia, lundrimi i mendjes njerëzore në hapësirë dhe përpjekja që t’i lidhë ithtarët me zbulimet shkencore; nga kjo vjen edhe emri i sektit.
Në vitet ’60, sekti u përball me kundërshtime të mëdha nga ana e disa qeverive europiane kur në shtyp u botuan disa praktika të tyre për kërcënimin e qytetarëve. Më 1966, raportet e qeverisë australiane e cilësuan atë si të rrezikshëm për “shoqërinë, moralin dhe çdo gjë tjetër”. Kontrollet mjekësore që iu bënë disa ish-anëtarëve të sektit treguan se ata iu ishin nënshtruar përdhunimit dhe torturave gjatë liturgjive që zhvillon sekti. Ish-anëtarët e Scientology treguan për ndëshkimet që urdhëronte Habërdi si futja në fuçi të ndotura, hedhja në det nga një largësi 30 miljesh nga bregu dhe detyrimi që të notonin për të dalë në breg etj. Shumë herë sekti iu është nënshtruar ndjekjeve penale dhe ka dalë në gjyq për shkak të këtyre veprimeve çnjerëzore.
Agamemndon- Besim do të thotë të besosh diçka që e di që s'është ashtu.
— Mark Tuein
195
Re: Sektet, si po i shkatërrojnë njerëzit dhe besimet fetare
Prandaj nuk eshte rastesisht qe prifterinjet vishen ne te zeza, kardinalet ne te kuqe, peshkopet ne ngjyre vjollce dhe papet ne te bardhe, pra sipas nivelit te energjise qe kane.
Te gjithe kleriket fetar vishen ne ngjyra dalluese nga masat dhe nuk vishen vetem sa per tu dalluar nga te tjeret, por sepse jane praktikues te magjise, manipulimit te energjise pra jane magjistare " legal ".
Hagel- 61
» Sektet & Jashtëtokësorët
» NASA : Alienët mund të shkatërrojnë njerëzimin
» Bindjet dhe Besimet
» Besimet e popujve të vjetër