EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tri legjenda

Shko poshtë

legjenda - Tri legjenda Empty Tri legjenda

Mesazh  Albaniaa 20.07.13 10:04

Legjenda e Beratit

Mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një Zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun.

Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomorri, duke pasur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundte më fort.

Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zëmërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mynxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasa të panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që në këto treva, i sheh brinjët e copëtuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit.

Zana e bukur, që i donte vëllezërit, po jo zemërimin e tyre të derdhur mbi njeri-tjetrin, qau e qau pa masë.

Ai lumë, që tani mban emrin Osum, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagu gurë e shkëmb dhe u derdh mes dy vëllezërve prej Zanës hyjneshë, për t’u treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi asnjëherë nuk do t’i shterë lotët.
avatar
Albaniaa

409


Mbrapsht në krye Shko poshtë

legjenda - Tri legjenda Empty Re: Tri legjenda

Mesazh  Albaniaa 20.07.13 10:05

Syri i Kaltër: legjenda e gjarprit gjigant që krijoi mrekullinë e natyrës

(Legjenda e hershme)

“Një herë e në një kohë, fryu një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti nxori një gjarpër… Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit… Gjarpri gjigant hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte… U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpri hëngri gomarin, zjarri i eshkës përbrenda e dogj. Bisha briti, ‘Ku je ti det, që më bëre kokën dhe ti lumë, vëllai im…!’. E u shtri për vdekje. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s’e proftasën dot. Në agoninë e ngordhjes gjarpri përplaste bishtin në faqen e malit, ku mbetën shenjat që duken. Qysh nga ajo kohë deti me malin janë të lidhur me njëri-tjetrin si baba e bir”.
(Përsëritja e legjendës)

Në tetor të vitit 2002 bukuroshja e “nënës natyrë” ishte në agoninë e vdekjes.

Të gjithëve u erdhi keq, por vetëm kaq.

Për koincidencë, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër, me ngjyrë të bardhë.

Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i Zotit.

“Ishte dënim për ata që donin ta shisnin”, pëshpëritnin.

“Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavorr”, thoshin të moshuarit.

(Kush e pagëzoi…?)

Emërtimi “Syri i Kaltër” ka lindur shumë më vonë, në vitet ’50, kur u bën studimet e këtyre burimeve për t’i përdorur në hidrocentralin e Bistricës. Thuhet se emrin, ia vuri një prej inxhinierëve të rinj, të cilit i kujtonte sytë e kaltër të së fejuarës së tij.

Thonë se të gjithë inxhinierët që endeshin në këto burime e quanin kështu, sepse s’mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes. Mene Lula, një prej inxhinierëve ndërtues të hidrocentralit së Bistricës thotë se edhe pelegrinazhi që bëjnë sot nuset në ceremoninë e martesës, duke kaluar para se të hyjnë në shtëpinë e re të dhëndrit, ka lidhje me hyjnizimin e mistifikimin e kësaj dhurate të natyrës që simbolizon pastërtinë morale, bukurinë femërore dhe hijeshinë e nuses-nimfë të dalë nga ujërat kristal, sipas legjendës së Panit të Madh.
avatar
Albaniaa

409


Mbrapsht në krye Shko poshtë

legjenda - Tri legjenda Empty Re: Tri legjenda

Mesazh  Albaniaa 20.07.13 10:06

Legjenda e Rozafës

“Krenare ngrihet mbi Bunën e gjanë e mbi qytetin e Shkodrës kalaja e lashtë e Rozafatit. Kur asht qitë guri i parë në themelet e kësaj kështjelle? S’dihet. Historia e saj tretet në mjegullën e lashtësisë ilire, banorëve të moçëm të kësaj mange. Nji gja dihet mirë e kjartë: ate e kanë pasë dikur labeatët e mandej ardianët, që ishin fise të forta ilire.

N’atë kohë tanë bregu i këtejshëm i Adriatikut, deri në Tergestën e bujshme jase Triestën e ditëve tona, ish breg ilir. Ma vonë, u derdhën këndej romakët, tevona sllavët, normanët, venetikët, turqit e shumë popuj tjerë të huej. Gjatë shekujve ata krepat e thatë nën muret e Rozafatit, si edhe vetë muret e kështjellës, janë lagë me përrej gjaku t’atyne që e kanë sulmue dhe t’atyne që e kanë mbrojtë. Të huejt erdhën e shkuen, kurse populli ynë mbeti i ngulun në këtë tokë ilire. Ndërtimi i kështjellës së Rozafatit ka nji gojëdhanë të bukur e të hidhun që na ka ardhë nga lashtësia jonë.

Qe se ç’thotë kjo gojëdhanë.

“… I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tanë. Tri ditë e tri net kjo mjegull mbeti aty. Mbas tri ditësh e tri netësh nji erë e hollë fryu e e naltoi mjegullën. E naltoi dhe e shpuni deri në kodrën e Valdanuzit. Aty maje kodrës tre vëllazën punoshin. Ndërtoshin nji kështjellë. Po, murin që naltoshin ditën u prishej natën, e kësisoj nuk e naltonin dot.

Na kalon aty nji plak i mirë.

- Puna e mbarë, o tre vëllazën.

- Të mbarë paç, o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë? Ditën punojmë, natën na shembet. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë: çka të bajmë që t’i mbajmë muret më kambë?

- Unë di – u thotë plaku ~ po drue me jua thanë se a’ mëkat.

Atë mëkat hidhe mbi krytin tonë, se na duem ta qëndrojmë më kambë nji këtë kështjellë. Plaku i mirë mendohet e pvet:
A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri varzat e jueja?

- Të martuem jemi – i thonë ata. – Edhe të tre i kemi varzat tona. Na thuej pra ç’të bajmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë?

- Në daçi m’e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, në shpi mos kuvendoni për fjalët që do t’ju thom unë. Ate prej të tri kunatave që do të vijë nesër bukë me ju pru, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me zanë vend e me qëndrue për jetë e mot.

Tha kështu plaku e shkoi: njitash u pa, njitash s’u pa.

Medet! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën. Kuvendoi në shtëpi, i tregoi vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të tana vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën e fjalën: nuk kuvendoi në shpi, nuk i tregoi vashës së vet.

Nadje. Të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët shkapeten, gurët copëtohen, zemrat rrahin, muret naltohen.
Në shpi, nana e djemve s’din gja. I thotë të madhes:

- Moj nuse e madhe, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë.

Nusja e madhe ia kthen:

- Besa, nanë, sod s’mund të shkoj se jam e sëmunë.

Kthehet i thotë të mesmes:

- Moj nuse e mesme, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë.

- Besa, nanë, sod nuk mund të shkoj, se kam me shkue te fisi me bujtë.

Nana e djemve i kthehet nuses së vogël:

- Moj nuse e vogël…

Nusja e vogël brof në kambë:
Urdhno, nanë!

- Mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë.

- Besa, nanë, unë shkoj, po e kam djalin të vogël. Drue se don gji me pi e kjan.

- Nisu, shko, se djalin ta shikjojmë na, s’ta lamë me kja – i thonë të kunatat.

Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me venë, e puth djalin në të dy faqet, niset e bjen në Kazenë; njaty ngjit kodrën e Valdanuzit, i avitet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetnit e i shoqi.

- Puna mbarë, o mjeshtër!

Po ç’asht njikështu?

Çekanët ndalen e s’shkapeten, po zemrat rrahin fort e fort. Fëtyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin. E shoqja i thotë:

- Ç’ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin?

Hidhet kunati i madh:
Ti paske lindë n’e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës.

- Shëndosh ju, o kunetë. Po unë do t’ju la nji porosi: kur të më muroni në mur, synin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, kambën e djathtë të ma lini jashtë, gjinin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të kjajë – me njanin sy do ta shikjoj, me njanën dorë ta ledhatoj, me njanën kambë t’i tund djepin e me njanin gji t’i jap me pi. Gjini m’u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali jem u trimnoftë, u baftë mbret e mbretnoftë!

Ata e marrin nusen e vogël e e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, naltohen, nuk shemben ma si ma parë. Po rranxë tyne gurët janë edhe sod të lagun e të myshkun, sepse vahdojnë me pikue lotët e nanës për birin e saj… E biri? Biri u rrit, luftoi e trimnoi. “
avatar
Albaniaa

409


Mbrapsht në krye Shko poshtë

legjenda - Tri legjenda Empty Re: Tri legjenda

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi