EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gnoza Ezoterike dhe Letërsia

Shko poshtë

Gnoza Ezoterike dhe Letërsia Empty Gnoza Ezoterike dhe Letërsia

Mesazh  Zattoo 25.06.13 21:38

GNOSA EZOTERIKE DHE LETËRSIA E ANTICIPIMIT TEKNIK
Filozofia nga ana tjetër e botës

Gnoza Ezoterike dhe Letërsia G-22-310



Ezoterika është një fjalë me origjinë greke dhe folja eusotheo domethënë hyj. Ku të hysh? Në hapësirën e së fshehtës së shuguruar! Hyhet në diçka, kalohet nëpër dyert, të cilat e ndajnë të brendshmen nga e jashtmja, të dukshmen nga e padukshmja, të kuptueshmen nga e pakuptueshmja. Fjala është për besimin, për ekzistimin e anëve të mira dhe anëve të këqija, për dy botë, në të cilat është pothuajse e pamundur për të ekzistuar njëkohësisht.

Në të gjitha doktrinat ezoterike në atë brendi, në anën tjetër të empirikes, gjenden sekreti i fshehur, mendimi i pakuptueshëm, shkaku i shuguruar. Hyrja është një hapësirë e brendshme, një qëndrim pranë zjarrit të shenjtë të së fshehtës, që u lejohet vetëm të zgjedhurve ose të paracaktuarve.

Jetën mund ta kuptojnë vetëm ata që nuk e kanë frikë vdekjen, ata që e kanë frikë të fshehtën, sepse dritën mbinatyrore do ta shohin vetëm ata që e kanë frikë të fshehtën, sepse dritën mbinatyrore do ta shohin vetëm ata që e kanë tejparë errësirën më të zezë. I ndryshëm nga qëndrimi profan në botën e jashtme të ngarkuar me detyra, ai qëndrimi në brendi, i cili të zgjedhurve u bën të mundur për të qenë bashkëpjesëmarrës të së fshehtës, i ka joshur gjithmonë njerëzit, ka qenë një si kompensim i atij racionalizmi, i cili kuptimin e botës e ka përjetuar si totalitet të intelektit.

Se ezoterika është e lashtë sa edhe gjinia njerëzore, flasin dëshmi të ndryshme: ajo ka qenë e pranishme në secilin qytetërim që njohim; ajo është e kultivuar në themelet e bazës kulturore të secilës bashkësi; në të janë trupëzuar mitet, ëndrrat dhe të fshehtat; në të e njohim tablonë kozmologjike të epokës, gjakimin psikanalitik për përtëritjen shpirtërore, synimin për t’u ngrohur njeriu në ngrohtësinë e çuditshme të fabulës magjike, e cila na bind me shumë shprehje si, se ata që janë të shuguruar, mund të arrijnë vazhdimësinë vetëm me përtëritjen e pareshtur shpirtërore.

Sado që ta kundërshtojë historia e mendimit shkencor kuptimin e bindjeve dhe të besimeve ezoterike, sado që të heqim dorë gjatë historisë para dëshmive shkencore nga kultet ezoterike – në ballin e njerëzimit do të ndrijnë edhe me dy-tri pika të vesës së pastër dhe të shenjtë, të cilat kanë qëndruar atje qysh nga kohët, kur jemi larë në banjën e çuditshme shëruese të mendimit sinkretik.

Gati asnjë qytetërim i zhdukur nuk la pas vetes aq dëshmi për ekzistencën dhe fuqinë e vet, gati asnjë nuk e kundërshtoi Vdekjen, – sa e bëri këtë Egjipti i lashtë. Dëshmitarët janë të pagojë, por njëkohësisht edhe shumë gojëtarë, sepse arti dhe kthesa flasin me gjuhën e shpirtit dhe tërhiqen nëpër mijëvjeçarë mjaft domethënës, e do t’i kishim të qarta shumë gjëra dhe pa Librin e të vdekurve. Egjipti i lashtë i kishte misteret, ato krijonin kodeksin e sjelljes njerëzore, prandaj ezoterika manifestohej në çdo hap të jetës publike.

Misteret kryheshin në tempuj, po ndikimi i jetës në tempuj kapërcente nëpër dyer të ngushta, të cilat botën e jashtme e ndanin nga e brendshmja, e në këtë mënyrë rrezatonin në jetën e përgjithshme publike. Përtëritja në shpirt ishte në lidhje me përtëritjen e jetës së natyrës. Tregimi për Isidën dhe Ozirisin, i cili pa ndihmën e shënimeve të Plutarkut pothuajse nuk do të kuptohej, e përshkonte çdo qelizë jo vetëm të jetës shpirtërore, por edhe të asaj problem qendror i ezoterive egjiptiane dhe i të gjitha ezoterive të ardhshme. Vihej në jetë nëpërmjet lojës së shenjtë, e me anën e grekëve, romakëve, hebrenjve dhe të disa popujve të tjerë më pak historikë, vazhdoi të jetonte.

Reflekset e këtyre mësimeve vihen re në shumicën e veprave artistike të periudhave të mëvonshme. Kështu, ta zëmë se kulti i Ozirisit dhe i ezoterikës së kristalizuar përreth tij, jetonte edhe në mjetet e tjera, madje pas shumë shekujsh, na vërtetojnë Metamorfozat e shkrimtarit romak Apul. Shpërndërrimi, do të thoshim me gjuhën e sotme, i plejbojit Luc në gomar, ka në vete komponente paradizuese, poezia dhe ironia u bashkuan kundër kultit, sepse në atë kohë Roma dekadente ishte tashmë e gatshme për ta vënë në lojë të shenjtën, shekullarizmi kishte kuptimin metaforik të shenjtërimit të periudhave të mëparshme.

Megjithatë, kapitulli i fundit i Gomarit të Artë tregon se shkrimtari, për një çast, e kishte frikë lirinë e vet dhe atëherë, në emër të pendesës, tregoi besnikëri ndaj fshehtësive të kultit të Ozirisit, ose mos kapitulli i mëparshëm, me një qëllim të caktuar, neutralizoi, me qëllim që apoteoza përfundimtare e mësimit të shkencave të fshehta dhe besnikëria ndaj temave mistiko-magjike të Misirit të panjohur, të triumfonin si shprehje e kundërshtimit të një realiteti, i cili kishte hequr dorë nga çfarëdo tradite metafizike.

Në shkrimin tjetër të ruajtur të Apulit të njohur, me titullin Apologjia, autori u mbrojt nga akuza se merrej me magji, namatisje, hodhi poshtë shpifjet se merrej me punë mrekullibërëse, me shtrigëri, me bishtgjarpëri; shkrimtari i Gomarit të Artë hedh poshtë të gjitha ato akuza, por kapitulli i fundit i romanit, disa të dhëna nga autobiografia e tij, pastaj edhe disa indicie të tjera, na tërheqin vërejtjen se ishte familjar me mësimet ezoterike të kohës së vet.

Spiritualizmi duhet të mëshirohej në ndonjë mënyrë, kultet e vjetra bashkoheshin me të rejat. Afrika, Europa dhe Azia shkrihen në ezoterikë, flaka e përjetshme ndizet nga ky vaj i ri. Krahas Isidës dhe Ozirisit, pastaj krahas mistereve eleuzine, miti për Orfeun, qëndrimi i pitagorianëve kundrejt këtyre përvojave të fituara nëpër histori, pastaj doktrina e Anaksimandrit, Heraklitit, Parmenidit, Empedokles, Anaksagorës, e vërtetojnë vetëm më fuqishëm këtë traditë të fshehur, e cila del në sipërfaqe në veprat dramatike të Eskilit dhe Euripidit, kurse në poezinë e Pindarit e përshkon. Në këtë seri, sikur e kemi harruar kultin e Dionisit, është për t’u tërhequr vëmendja tek origjina e tij iraniane. Ja edhe një fakt se kemi të bëjmë me një konstante të caktuar të kuptimit të botës.

Vazhdimi i një tradite


Duke studiuar traditën, kurse Kabala, në të vërtetë, edhe do të thotë “traditë”, për të shuguruarit kjo doktrinë, që u paraqit në shekullin XIII në mes të hebrenjve në Spanjë dhe Francë, hyn pothuajse në traditën e të menduarit ezoterik.

Ekzaltimi mistik, veprimet që e ngrenë besimtarin në ekstaza ekzaltuese, teknikat e ndryshme dhe veprimet okulte, besimi në sistemin magjik të numrave (dhe në njëzet e dy shkronjat e alfabetit hebraik) e, si rrjedhim i këtij besimi, dhe supozimi se me këta numra e shkronja në kombinimet magjike mund të veprohet në fuqitë natyrore e shoqërore, janë njëra nga pikënisjet. Atë që mund ta bëjë Zoti me ndihmën e formulave magjike, mund ta bëjë edhe individi, nëse është shuguruar në fshehtësitë e shkencës.

Nëse Ademi, njeriu i parë, u bë nga argjila dhe nga vullneti për të qenë njeri, mos do të ishte e mundshme, me ndihmën e mendimit ezoterik, të krijohej ndonjë qenie artificiale, e ngjashme me njeriun? Ideja e Golemit, e cila u bë legjendë e përvetësuar e Gëtes, është vetëm një tregim biblik për njeriun e parë, i reduktuar në përvojat okulte të ezoterikës hebraike.

Ndoshta duhet të cekim se ezoterika nuk merr fund me Kabalën. Lëvizjet e reja shpirtërore, mësimet e reja të nxitura nga dilemat e njëjta dhe nga njëfarë voluntarizmi i lindur i njeriut për të ndryshuar botën, i japin ndihmesat e tyre për këtë traditë të përditshme. Katarët, dualizmi i tyre, bogumilët, patarenët, po ashtu kanë librat e vetë të fshehtë, edhe ata i mundon dëshira për ta arritur gnosën. Poezia e trubadurëve është një nga reflekset e këtij mësimi.

Paqartësia e formave të ngatërruar poetike, simbolika e shpeshtë, kulti i Zotit të Madh dhe Zonjat e stërbukura, si dhe disa fakte të tjera, tregojnë se lidhja ndërmjet besimit dhe krijimit artistik ishte jashtëzakonisht e fuqishme dhe e përshkruar nga mësimet mistiko-ezoterike, kurse një lojë që erdhi në Europë nëpërmjet romëve, tregon gjerësinë dhe agresivitetin e të menduarit ezoterik. Fjala është për tarotin, lojën e letrave. Një refleks të saj e hasim në Tokën e Shkretë.

Gnosa ezoterike ekziston edhe sot. Njeriu gjen forma të reja të ndërmjetësimit në mes prakticizmit të kotë dhe metafizikës së frytshme të lundrimit tonë nëpër galaktikën e kësaj ere planetare.

Shpresa e njeriut ndodhet gjithmonë para tij; mos nuk janë synimet tona eskatologjike dhe teologjike të determinuara nga mënyra potenciale skizofrenike e të menduarit ose shkaqet duhet t’i kërkojmë në disa të dhëna mitike të botës sonë të perceptuar në vete dhe rreth vetes? Të bindur se mendjen tonë e përdorim në mënyrën më të mirë të mundshme, të ndërgjegjshëm për faktin se qytetërimi ynë vërtitet në orbitat e shkakësisë së përgjithshme nëpër galaktikat e shpjeguara ose të shpjegueshme të kësaj erës sonë planetare, do të mund të mendohej që gnosa ezoterike është hequr nga rendi i ditës i të menduarit njerëzor.

Megjithatë, ajo vazhdon edhe më tutje, megjithëse në të aguarit e shpirtit paraqiten gjithnjë e më shpesh pamjet nga e ardhmja e ndritshme (si do të thoshin eskatologët e papërmirësueshëm dhe inxhinierët e shpirtit), ani pse kudo rreth nesh ndodhet një errësirë që të ha, një terr dhe zbrazësi, që nuk kemi mundur ta marrim as me mend, as me arsye.

Si në mijëvjeçarët e shkuar, edhe sot, gjë që duket e pashpjegueshme, mendimi njerëzor, kur vjen te pragu i mundësive të veta, edhe më tutje heq dorë nga racionalizmi, po jo edhe nga të menduarit. Por, ky të menduar është gjithmonë në simbiozë me traditën e ezoterikës. Edhe atëherë kur shpirtrat e shkëlqyeshëm spekulativë sikur “parapaguhen” në këtë lojë të parashikimit të ardhmërisë së botës dhe të llojit tonë, kemi të bëjmë me vazhdimin e një tradite, për të cilën besohet se është ndërprerë dhe se e ka humbur kuptimin e të ekzistuarit.

Por, vendi ku vazhdon kjo gnosë, nuk ndodhet më në thellësinë e tempujve, njohjen nuk e ruajnë më priftërinjtë dhe njerëzit e tempullit. Hapësira e ezoterikës së erës planetare ndodhet në periferi të shkencës moderne. Futurologjia dhe fantastika e marrin shpesh nën mbrojtjen e tyre. Një hibrid i futurologjisë dhe fantastikës është letërsia e anticipimit shkencor. Fusha e saj shtrihet nga kongreset e shkencëtarëve me nam e deri tek romanet obskurante në vazhdime. Sido që të jetë, ajo është bërë obsesion i periudhës sonë, projeksion i mendjes njerëzore, por edhe shprehje e magjepsjes nga e panjohura.

Teknika u bë gnosë e erës teknologjike, e fshehta ndodhet jashtë nesh. Odiseja në gjithësi 2001 e anglezit Artur Klark, e përpunuar në fil nga Stenli Kjubrik, është një vizion jo i sofistikuar, por i trilluar i ardhmërisë së njeriut. Po si të interpretohej ndryshe ai monolit, përveçse si pjesë e një rituali ezoterik, i cili është tash i projektuar jashtë nesh për të njëjtin funksion, të cilin e kanë pasur më parë ritualet e përmendura më herët të traditës ezoterike të pellgut të Mesdheut?

Sikundër kemi thënë tashmë, një nga ambiciet e fshehta të kabalistit ishte dëshira për të krijuar një qenie artificiale, Golemin, e nga ky synim shekullor nuk hoqi dorë as ezoterika moderne që njeriu të bëhet demiurg absolut dhe rival kinse i Zotit. Ideja e robot-njeri-makinës nuk daton nga dita kur Karel Çapeku ia gjeti emrin, me të cilin u regjistrua në gjenealogjinë e qenieve artificiale.

Tradita e njeriut artificial është e gjatë sa edhe letërsia, megjithëse u korrigjua si ide e mutantit ose e androidit. Në vend të frytit të përqendrimit të brendshëm, në vend të bashkorientimit në vizionin e brendshëm, në operacionet telurgjike dhe magjike, ideja e njeriut artificial lidhet me kozmogoninë e re të erës planetare. Njeriu nuk mund t’i përmbushë ato detyra, të cilat ia vënë kushtet e udhëtimeve kozmike, zbulimeve të hapësirave të reja kozmike dhe të realiteteve të reja, ai besimin e vet ua jep qenieve artificiale, po ideja që i ka projektuar, është më e dobët se vullneti i tyre për të sunduar invertorët e vet.

Duke përshkruar një realitet fiktiv, një realitet imagjinar, virtualitetit të të cilit bën përpjekje t’i afrohet me ndihmën e kokave shkencore, ose, që më parë, pseudoshkencore, letërsia ka në vete tharmin e vetëdijes utopike dhe, në instancën e fundit, ambiciet e saj janë të natyrën ideologjike. Natyra dhe Historia i nënshtrohen Teknikës. Puna, dashuria, lufta, loja, komunikimi ndërmjet njerëzve, i nënshtrohen një ideje, mendimi i botës nuk mund të ekzistojë më në botë, ajo është substituuar në formulat që u dedikohen anëtarëve të sektit dhe priftërinjve të tyre supremë-të diturve dhe teknikëve. Qendra e tempullit të lashtë është shndërruar në një laborator, në të cilin përgatiten recetat për mitologjinë e periudhës kozmike.

Megjithatë, po u përpoqëm të largonim shtresën e shkencës dhe të teknikës në numrin më të madh të atyre “librave të shenjtë” të ardhmërisë nga retorika dhe ezoterizmi, zbulohet një e vërtetë e pazakonshme, por mjaft instruktive, se shtresa e metafizikës dhe e teologjisë pa Zotin është pakrahasimisht më domethënëse, më bindëse. Idhujt janë përsëri befasues, ata paraqiten në çastin e jashtëzakonshëm, thirrja e tyre bën tash jehonë nëpër hapësirat kozmike në emër të mendimit abstrakt, i cili e mendon Kozmosin, por ky ekuminizëm është shterp, sepse është hequr njeriu, si do të thoshte Niçe. Realizohet kështu profecia e Artur Rembosë, i cili këndoi: “Se njeriu mori fund”. Ky fund duket se bëhet formë ezoterike e ekzistencës së re, nga e cila frymëzohet fryma spekulative e letërsisë, e cila pohon se ka guxim të rrijë ballë për ballë me perspektivat katastrofike të ardhmërisë, e cila nuk di më as për Natyrë, as për Histori.

Por, ky mendim nuk është planetar në kuptimin e mendimit planetar të Costas Axelosit, sepse nuk është global, po ende i pjesshëm, se ka hyrë në enklavën e Teknikës dhe ka mbetur kësisoj ndërmjet poezisit dhe praxisit, meqenëse e ka humbur logosin, kurse krahas kësaj beson se e humbura nuk mund të kompensohet me mrekullinë, me befasinë. Meqenëse fatin njerëzor nuk mund ta mbushë me kuptim njerëzor, e largon nga njeriu dhe e multiplikon në hapësirën dhe në kohën e imagjinatës. Në vend të përvojës jetësore, i ofron ritualin ezoterik; në vend të shpresës-projeksionin e ardhmërisë, shkurt, bën përpjekje t’i japë kuptim demonogjisë së Makinës.

Disa projeksione dhe situata teknike


Fotografitë arketipore, me të cilat jemi takuar qindra herë në ëndrra, obsesionet kolektive (dikur lugetërit dhe shtrigat, sot UFO, ose ajo që do t’i quanim, me kusht, takime me gjininë e tretë), kundër të cilëve organizoheshin dikur procese gjyqësore, e sot emërohen komisione të veçanta të senatit, frikësimet dhe pasiguritë që e kaplonin njeriun para manifestimit të së panjohurës, të së painterpretueshmes dhe të së çuditshmes, kanë hyrë në thesarin e fantazmave, të cilat vazhdojnë të bëjnë në mënyrë autentike jetën e tyre në gjirin e letërsisë imagjinative, por në rrethin e anticipimeve shkencore, të cilat sugjerojnë mundësinë e largimit të të gjitha frikësimeve dhe pasigurive, nga të cilat kanë rrjedhur.

Është pikërisht fantazia ajo që e zbuloi labirintin te njeriu dhe i gjeti disa analogji ndërmjet shtigjeve në ndërgjegjen e tij dhe rrugëve konkrete të historisë dhe proceseve shoqërore. Fantazia, me ndihmën e fjalëve dhe të tablove, na i shtroi përpara formulat alkimike të shpirtit si dëshmi se ekzistojnë edhe disa realitete të reja të ndryshme nga ato që mund t’i vërtetojmë shumë thjesht me mjete empirike.

Çdo qëndrim ndaj arketipit, qoftë ai i përjetuar ose vetëm i parandier, është i tendosur emocionalisht, intelektualisht interesant. Nga këto prekje të përfytyrimit dhe të konceptit, të së pavetëdijshmes dhe të së vetëdijshmes, çlirohet të njeriu, e pastaj edhe te kolektivi, një zë më i fuqishëm, për ne vetë më bindës, se zëri ynë. Në këtë dukuri mund të zbulohet ajo që K.G. Jung e quan “participation mystique”, mënyrë e bashkëveprimit me tërësinë e cila është një, ndonëse manifestohet në shumë mënyra dhe në të cilën fati individual paraqitet përnjëherësh edhe si fat i të gjithë njerëzve dhe i tërë botës.

Megjithëse këto karakteristika janë paraqitur shumë më autentike në atë fantastikën që na e dhuruan Nervali, E.A. Po, Mopasani, Hofmani, Gogoli dhe krijues të ngjashëm, në formë rudimentare me ta takohemi edhe në veprat e të ashtuquajturit fanshke (fantastika shkencore), një gjini, e cila po i gjen gjithnjë e më shumë ithtarët e vet edhe tek ne.

Supozimi logjik, se planeti ynë është vetëm njëri në vargun e planetëve të tjerë, ngel edhe më tej në fuqi, por paraqiten premisa të reja: ekzistojnë planetë të tjerë, në të cilët ekzistojnë jeta dhe inteligjenca në nivele të ndryshme. Ekzistimi i kësaj mundësie ngërthen mundësinë e dëshirës për t’u njohur reciprokisht që njëra ta nënshtrojë tjetrën, etj. Veç kësaj, paraqiten mundësia dhe kërkesa e komunikimit të ndërsjellë, edhe e kumtimit të tipave të ndryshëm të përvojave etj…

Mënyra për t’u realizuar dëshirat, mund të jetë dinamike dhe, nëse kjo ndikon me besnikëri, dramatike. Përpjekja e njohjes fillon me procesin e rinjohjes, të udhëtimeve, të luftës etj. Do të mund të vargohesin edhe një sërë situatash të parakërkuara, të cilat i paraprijnë trajtësimit përfundimtar të përfytyrimit tonë për ndonjë qytetërim tjetër, për ndryshimet dhe ngjashmëritë e ndërsjella ndërmjet tipave të kulturës, po me premisa të ndryshme thelbësisht, të cilat dy shoqëri, për nga funksioni mbase të ngjashme, i paraqesin në dritën e ndryshimeve të pashlyeshme.

Për këtë arsye, fanshke fillon nga premisat arbitrare shumë më shumë, ngaqë i shfrytëzojnë këto letërsitë e tjera të determinuara në aspektin e zhanrit: botët dhe njerëzit, përkatësisht qeniet e tjerë, edhe nëse na ngjajnë me diçka, ndryshojnë më së shpeshti thelbësisht. Komunikimi për këtë shkak bëhet një nga pengesat qendrore, që kapërcehet me procedimin arbitrar. Marrëveshja është e qartë: ekzistojnë disa të vërteta pozitive shkencore që ndonjë sistem që funksionon iluzorisht në mënyrë logjike, në to nuk dyshohet, sepse, po të dyshohej, do të hiqej mundësia e simulimit të largesës imagjinative, që për të trilluarën si rreptësisht kauzale, të determinuar dhe superiore ndaj mundësive tona të çastit (teknologjike, po njëkohësisht edhe njohëse).

Prandaj, para nesh paraqiten çështje, sikundër janë kauzaliteti i strukturës, arbitrariteti i vizionit. Me ndihmën e tyre, disa gjëra, madje edhe suksesi fenomenal i fanshkesë në gjithë botën, bëhen më të qarta, por, sido që të jetë, fanshke mund të merret me mend nëse e përqafojmë të dytën si të parën, d.m.th. të pamundshmen si të mundshme, obsesionin si një gjendje normale shpirtërore, e të vërtetat e aplikuara teknologjike si variante të postulateve ekzistenciale.

Me të gjitha këto marrëveshje ose ndalesa, përkatësisht liri, të cilat vlejnë vetëm në tekst, por jo edhe në jetën praktike të bashkësisë, së cilës i përkasim ne të gjithë, fanshke mund të funksionojë ashtu si funksionon dhe si e tillë ta kënaqë kërkesën ekzistuese të së pamundshmes në funksion të së mundshmes dhe të paqenës si tash ekzistuese.

Po aq fanshke, më shumë se të gjitha lëvizjet stërmaniriste, si është për shembull arti konceptualist, manipulon me fotografi që do të duhej të instaloheshin në një sistem të konsoliduar konceptual. Për t’u realizuar kjo sidokudo, duhet të krijohen tregimet për zana, në të cilat mrekullitë do të duhej të shpjegoheshin gjithmonë me ndihmën e Ajnshtajnit, të Bromit, Hazenbergut, ose të dijetarëve të tjerë të mëdhenj, të cilët, me zbulimet e veta, ndryshuan jo vetëm pamjen e materies, por edhe të kësaj bote të vetme që kemi.

Në praktikën letrare fanshke paraqet shumë shpesh formën e një preteksti naiv që për njërin të flitet nëpërmjet tjetrit, që të realizohet me kusht tejkalimi dhe fiksioni të zëvendësohet me alegorinë.

Vallë, ku të hysh? Në gnosë apo në ezoterikë, të hysh thellë e më thellë në muzgëtirë!

Mr. Hamdi Thaçi
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi