EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Globalizimi

3 posters

Shko poshtë

Globalizimi Empty Globalizimi

Mesazh  Admin 28.07.08 22:59

Globalizimi

Globalizimi Mondia10


GLOBALIZIMI DHE PREMTIMI I INSTITUCIONEVE GLOBALE

JOSEPH E. STIGLITZ
Përkthyen: Adnan Kika dhe Gëzim Selaci

Burokratët ndërkombëtarë – këta simbole anonime të rendit botëror ekonomik – janë të sulmuar kudo.

Takimet e mëparshme jointeresante të teknokratëve të panjohur, të cilët trajtonin tema të rëndomta, siç janë huaja koncesionale dhe kuotat tregtare, tani janë bërë skena të përleshjeve të ashpra në rrugë dhe të demonstratave të mëdha.

Protestat gjatë takimit të Organizatës Botërore të Tregtisë në Sitëll (Seattle) në vitin 1999 qenë tronditëse. Që atëherë, lëvizja është forcuar dhe zemërimi është përhapur.

Në të vërtetë, çdo takim i rëndësishëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i Bankës Botërore dhe i Organizatës Botërore të Tregtisë tani është skenë konflikti dhe trazire.

Vdekja e një protestuesi në vitin 2001 në Gjenova ishte vetëm fillimi i shumë viktimave të mundshme në luftën kundër globalizimit.

Trazirat dhe protestat kundër politikave dhe veprimeve të institucioneve të globalizimit nuk janë të reja. Për dekada me radhë, njerëz nga bota në zhvillim kanë protestuar atëherë kur programe të ashpra të imponuara në shtetet e tyre, u treguan se janë shumë të vrazhda, mirëpo në përgjithësi protestat e tyre nuk viheshin re në Perëndim.

Risi është vala e protestave në shtetet e zhvilluara.

Dikur ishte e zakonshme që temat si huatë për përshtatje strukturore (programe që ishin planifikuar për t’iu ndihmuar shteteve të përshtaten dhe të kalojnë krizat) dhe kuotat për import të bananeve (kufizimet që disa shtete evropiane ia vënin importit të bananeve nga shtetet tjera përveç ish-kolonive të tyre), u interesonin vetëm disave.

Tashmë edhe fëmijët gjashtëmbëdhjetë vjeçar të periferive kanë pikëpamje të zhvilluara për marrëveshjet e fshehta, siç janë GATT (Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifa dhe Tregti) dhe NAFTA (Zona e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë, marrëveshje e nënshkruar në vitin 1992 nga Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja që lejonte qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe investimeve – por jo të njerëzve – ndërmjet këtyre shteteve).

Këto protesta kanë shkaktuar brejtje të ndërgjegjes te pushtetarët. Madje edhe politikanët konservatorë, siç është presidenti i Francës Zhak Shirak, shfaqën shqetësimin e tyre se globalizimi nuk po e përmirëson jetën e atyre që kanë më së shumti nevojë për përfitimet e premtuara të tij.

Gati gjithkush e ka të qartë se diku është bërë gabim trashanik.

Thuajse brenda një nate, globalizimi është bërë çështja më urgjente e kohës sonë, diçka për të cilën debatohet që nga sallat e mbledhjeve dhe faqet e opinioneve dhe redaksionale të gazetave e deri te shkollat anekënd botës.

Përse globalizimi – kjo forcë që solli aq shumë të mira — u bë aq kundërthënës?

Hapja ndaj tregtisë ndërkombëtare i ndihmoi shumë shtete të zhvillohen shumë më shpejt se sa do të mund të zhvilloheshin në kushte të tjera.

Tregtia ndërkombëtare ndihmon zhvillimin ekonomik, kur eksporti i vendit i japin shtysë rritjes ekonomike.

Zhvillimi i shtyrë nga eksporti, ishte baza e politikës industriale që pasuroi pjesën më të madhe të Azisë dhe ua përmirësoi dukshëm gjendjen miliona njerëzve atje. Për shkak të globalizimit, shumë njerëz në botë tani jetojnë më gjatë se përpara, kurse standardi i jetës së tyre është shumë më i lartë.

Njerëz në Perëndim mund ta konsiderojnë punën me pagë të ulët në Nike si eksploatim, por për shumë njerëz të botës në zhvillim, të punuarit në një fabrikë është një zgjedhje shumë më e mirë sesa të qëndruarit në fermë dhe kultivimi i orizit.

Globalizimi ka zbutur ndjenjën e izolimit, që ka ndier pjesa më e madhe e botës në zhvillim, dhe shumë njerëzve atje u ka krijuar mundësi më të madhe për dije, madje më të madhe se sa të njeriut më të pasur në cilindo shtet në shekullin e kaluar. Vetë protestat antiglobaliste janë rezultat i kësaj lidhjeje.

Lidhjet në mes aktivistëve nga pjesë të ndryshme të botës, veçanërisht lidhjet e krijuara përmes komunikimit në internet, shkaktuan trysni që rezultoi me traktatin ndërkombëtar të minave tokësore – përkundër kundërshtimit të shumë qeverive të fuqishme.

I nënshkruar nga 121 shtete në vitin 1997, ky traktat zvogëloi mundësinë që fëmijët dhe viktimat e tjera të pafajshme, të gjymtohen nga minat.

Po kështu, një trysni publike e koordinuar mirë, detyroi bashkësinë ndërkombëtare që të shlyente borxhet e disa shteteve më të varfra. Edhe në situata kur globalizimi ka anë negative, megjithatë, ai sjell edhe përfitime.

Hapja e tregut xhamajkian të qumështit për importet e ShBA-ve në vitin 1992, mund të ketë dëmtuar prodhuesit lokalë të qumështit, por kjo po ashtu u mundësoi fëmijëve të varfër të blinin qumështin më lirë.

Firmat e reja të jashtme mund të dëmtojnë ndërmarrjet e mbrojtura shtetërore, por ato po ashtu mund të sjellin futjen në përdorim të teknologjive të reja, hyrjen në tregje të reja dhe krijimin e industrive të reja.

Ndihma e jashtme, një aspekt tjetër i botës së globalizuar, me gjithë të metat e saj, prapëseprapë ka sjellë përfitime për miliona njerëz, shpesh në mënyra të cilat thuajse nuk janë vërejtur fare: projekti i financuar nga Banka Botërore u ofroi punë guerilëve në Filipine, e ata i dorëzuan armët; projektet e vaditjes kanë rritur më shumë se dyfish të ardhurat e fermerëve që patën fatin të përfitonin nga këto programe; kurse projektet arsimore kanë rritur shkallën e arsimimit në zonat rurale dhe në disa shtete projektet për SIDA-n kanë penguar përhapjen e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Ata që flasin kundër globalizimit, shpesh nuk i vënë re dobitë e tij. Por ithtarët e globalizimit janë edhe më të çekuilibruar.

Për ta, globalizimi (që në mënyrë tipike lidhet me pranimin e kapitalizmit ngadhënjyes të stilit amerikan) është progres dhe shtetet në zhvillim duhet ta pranojnë atë, nëse dëshirojnë të zhvillohen dhe ta luftojnë varfërinë. Por shumë shteteve të botës në zhvillim, globalizimi nuk u ka sjellë dobitë e premtuara ekonomike.

Hendeku në rritje ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, ka rezultuar që gjithnjë e më shumë njerëz të Botës së Tretë të mbesin në varfëri të skajshme, duke jetuar me më pak se një dollar në ditë.

Me gjithë premtimet e përsëritura për uljen e varfërisë, të bëra gjatë dekadës së fundit të shekullit njëzet, numri i tanishëm i njerëzve që jetojnë në varfëri, në të vërtetë është rritur për gati 100 milionë. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë kur të ardhurat e përgjithshme botërore u rritën për afro 2.5 për qind në vit.

Në Afrikë, aspiratat e larta, pas pavarësimit të vendit nga kolonializmi, kryesisht nuk u përmbushën. Përkundrazi, kontinenti po zhytet më thellë në mjerim, ndërkohë që të ardhurat shënojnë rënie dhe standardi i jetesës vazhdon të bie.

Rritja e shkallës së jetëgjatësisë, e arritur me vështirësi në disa dekada të kaluara, ka filluar të ngecë. Ndërkohë që sëmundja e SIDA-s është arsyeja kryesore e kësaj, varfëria po ashtu është bërë një vrasëse e popullatave.

Madje edhe shtetet që kanë braktisur socializmin afrikan dhe kanë arritur të krijojnë qeveri mjaft të ndershme, që kanë baraspeshuar buxhetet e tyre dhe që e kanë mbajtur të ulët inflacionin, thjesht, nuk mund të tërheqin investitorë privatë. Pa këto investime, ato nuk mund të kenë zhvillim të qëndrueshëm.

Nëse globalizimi nuk ka pasur sukses në uljen e varfërisë, ai nuk ka pasur sukses as në krijimin e qëndrueshmërisë. Kriza në Azi dhe në Amerikën Latine ka kërcënuar ekonominë dhe qëndrueshmërinë e të gjitha shteteve në zhvillim.

Ekziston frika e se infeksioni financiar do të përhapet në mbarë botën, ashtu që kolapsi i një valute të ndonjërit nga këto vende, do të parakuptonte edhe rënie të të tjerave, gjithashtu. Për një kohë, në vitet 1997 e 1998, u duk se kriza aziatike kërcënonte tërë ekonominë e botës.

Globalizimi dhe shfaqja e ekonomisë së tregut nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara në Rusi dhe në shumicën e vendeve të tjera, të cilat po kalonin nga komunizmi në ekonomi tregu.

Këtyre shteteve Perëndimi u kishte thënë se sistemi i ri ekonomik do t’u sillte prosperitet të pashembullt. Mirëpo, në vend të kësaj, ai solli varfëri të pashembullt: për shumicën e njerëzve, ekonomia e tregut, në shumë aspekte, u tregua më e keqe se sa që kishin parashikuar prijësit e tyre komunistë.

Dallimi ndërmjet tranzicionit të Rusisë (ashtu si u planifikua nga institucionet ekonomike ndërkombëtare) dhe tranzicionit të Kinës (të planifikuar nga vetë ajo) nuk do të mund të jetë më i madh: përderisa në vitin 1990 Bruto Prodhimi i Brendshëm (GDP) i Kinës ishte sa 60 për qindëshi i atij të Rusisë, në fund të dekadës situata ndryshoi në favor të Kinës.

Ndërsa Rusia qe dëshmitare e një rritjeje te pashembullt të varfërisë, në Kinë numri i të varfërve ra si kurrë më parë.

Kritikët e globalizimit me të drejtë i akuzojnë shtetet perëndimore për hipokrizi. Shtetet perëndimore i kanë shtyrë shtetet e varfra të heqin barrierat e tregtisë, por nuk ato nuk i hoqën barrierat e veta, duke i ndaluar me këtë shtetet në zhvillim të eksportojnë prodhimet e tyre bujqësore dhe në këtë mënyrë i privuan nga të ardhurat shumë të nevojshme nga eksporti.

Një nga fajtorët kryesorë për këtë, natyrisht, ishin Shtetet e Bashkuara, dhe kjo më shqetësonte mua.

Kur isha Kryesues i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, kam luftuar me mish e shpirt kundër kësaj hipokrizie, ashtu siç kanë bërë paraardhësit e mi në këshill nga të dy partitë.

Kjo, jo vetëm që i dëmtoi shtetet në zhvillim, por amerikanëve u kushtoi miliarda dollarë, si konsumatorë (për çmime më të larta që u deshën të paguajnë) dhe si taksapagues (për financim të subvencione të larta për bujqësinë).

Përpjekjet e mia shpesh nuk patë sukses. Ngadhënjenin interesat e veçanta tregtare dhe financiare, dhe kur kalova në Bankën Botërore, i pashë fare qartë pasojat e kësaj për shtetet në zhvillim.

Por, edhe kur nuk është fajtor për hipokrizi, Perëndimi zbaton globalizimin, duke siguruar një ndarje të pabarabartë të të mirave, në kurriz të Botës në zhvillim.

Nuk ishte e drejtë që shtetet më të zhvilluara industriale refuzonin të hapnin tregjet e tyre për mallrat e shteteve në zhvillim – për shembull, duke i kufizuar kuotat e tyre për një mori mallrash që nga tekstili tek sheqeri – ndërkohë duke këmbëngulur që këto shtete (në zhvillim) të hapin tregjet e tyre për mallrat e shteteve më të pasura; nuk ka qenë e drejtë që shtetet më të zhvilluara industriale vazhdonin të subvenciononin bujqësinë, duke ua vështirësuar garën shteteve në zhvillim, ndërsa këmbëngulnin që këto shtete të mos subvenciononin prodhimet industriale.

Nëse shihen “kushtet e tregtisë” (çmimet që shtetet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara i marrin për prodhimet e tyre) të marrëveshjes së fundit tregtare të vitit 1995 (e teta me radhë), efekti neto ishte ulja e çmimeve që disa nga shtetet më të varfra në botë i marrin në raport me çmimet që paguajnë për importet e tyre.

Mu për këtë gjendja e disa shteteve më të varfra të botës u përkeqësua më shumë.

Bankat perëndimore përfituan nga humbja e kontrollit të tregut të kapitalit në Amerikën Latine dhe në Azi, por këto rajone pësuan humbje atëherë kur ndërroi drejtimi i lëvizjes së parave spekulative (para që hyjnë e dalin nga një shtet, shpesh brenda një nate, që zakonisht është bast në lidhje me atë se a do t’i ngrihet ose ulet vlera një valute), që para kësaj ishin derdhur në shuma të mëdha në këto vende.

Dalja e papritur e parave lë prapa valuta të kolapsuara dhe sisteme bankare të dobësuara. Raundi i Uruguait po ashtu përforcoi të drejtat mbi pronën intelektuale. Kompanitë amerikane dhe perëndimore të barnave nuk kanë mundur të parandalojnë kompanitë e barnave nga India e Brazili të mos “vjedhin” pronën e tyre intelektuale.

Por këto kompani të vendeve në zhvillim kanë prodhuar barna që shpëtonin jetën, ndërsa banorët e atyre vendeve mund t’i blinin ato me një çmim më të ulët se çmimet që ofronin kompanitë perëndimore.

Pra, ekzistojnë dy anë të vendimeve që u morën në Raundin e Uruguait. Kështu, fitimet e kompanive perëndimore të barnave do të rriten.

Përkrahësit thanë që kjo do t’i stimulonte më shumë ato për të bërë zbulime; por përfitimet nga shitjet në botën në zhvillim ishin të vogla, pasi që vetëm një pakicë pati mundësi t’i blejë këto barna.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Globalizimi Empty Re: Globalizimi

Mesazh  Admin 28.07.08 23:00

Prandaj, stimulimi i pritur, do të kufizohej. Ana tjetër ishte se mijëra njerëz, si të thuash, u dënuan me vdekje, meqë qeveritë dhe individët e vendeve në zhvillim nuk mund të paguanin më çmime aq të larta. Në rastin e sida-s, mllefi ndërkombëtar ishte aq i madh, saqë kompanitë e barnave u detyruan të tërhiqen dhe në fund të pranojnë t’i ulin çmimet dhe barnat t’i shesin me çmimet e fundit të vitit 2001.

Por problemet kryesore që e shkaktuan këtë – meqë regjimi i pronës intelektuale, i vendosur pas Raundit të Uruguait, nuk është i baraspeshuar, sepse në masë të madhe reflektoi interesat dhe qëndrimet e prodhuesve, e jo të përdoruesve, si në shtetet e zhvilluara ashtu edhe të atyre në zhvillim – mbeten edhe më tutje.

Jo vetëm në liberalizimin e tregtisë, por në secilin aspekt tjetër të globalizimit, madje edhe përpjekjet që dukeshin si qëllimmira, shpesh sollën rezultate të padëshiruara. Kur dështojnë projektet e rekomanduara nga Perëndimi, qoftë në bujqësi a në infrastrukturë, që janë përpiluar sipas udhëzimeve të këshilltarëve të Perëndimit, e që i financon Banka Botërore, nëse nuk ekziston ndonjë formë tjetër e faljes së borxheve, njerëzit e varfër në botën në zhvillim prapëseprapë duhet të bëjnë shlyerjen e tyre.

Nëse dobitë e globalizimit nuk ishin aq të mëdha sa paralajmëronin ithtarët e tij, kostoja e paguar për globalizim është edhe më i lartë, kur merret parasysh që ambienti është shkatërruar, procesi politik është korruptuar dhe ritmi i vrullshëm nuk u ka dhënë kohë të mjaftueshme shteteve për adaptim kulturor. Krizat të cilat në fillim kanë sjellë papunësi masive, u pasuan nga probleme afatgjata të shpërbërjes shoqërore – nga dhuna urbane në Amerikën Latine, te konfliktet etnike në pjesë të tjera të botës, për shembull në Indonezi.

Këto probleme nuk janë aq të reja, porse reagimi botëror gjithnjë e më i fuqishëm kundër politikave që shtyjnë globalizimin është një ndryshim i rëndësishëm. Për dekada me radhë, klithmat e të varfërve në Afrikë dhe në shtetet në zhvillim në pjesët e tjera të botës, nuk janë dëgjuar pothuajse fare në Perëndim. Punëtorët në shtetet në zhvillim e dinin se diçka nuk ishte në rregull kur vërenin se krizat financiare po bëheshin gjithnjë e më të zakonshme ndërsa numri i të varfërve po rritej.

Por ata nuk kishin mënyrë për të ndryshuar ligjet ose për të ndikuar institucionet ndërkombëtare financiare që i kishin shkruar ato ligje. Ata që i vlerësojnë proceset demokratike, e panë se si “kushtëzimi” (kushtet që huadhënësit ndërkombëtarë i imponuan në këmbim për ndihmën e tyre) minon sovranitetin kombëtar.

Por deri në kohën kur u paraqitën protestuesit, pati pak shpresë për ndryshim dhe asnjë derë për ankim. Disa nga protestuesit ia tepruan kur kërkuan barriera më të larta proteksioniste ndaj shteteve në zhvillim, gjë që do të mund ta përkeqësonin edhe më gjendjen e rëndë të tyre.

Por, pavarësisht nga këto probleme, ishin sindikalistët, studentët, mbrojtësit e ambientit – pra, qytetarët e zakonshëm – ata të cilët marshonin rrugëve të Pragës, Sitllit, Uashingtonit dhe Gjenovës që futën nevojën për reformë në agjendën e botës së zhvilluar.

Protestuesit e shohin globalizimin nga një aspekt shumë të ndryshëm nga ç’e sheh Sekretari i Ministrisë së Financave të Shteteve të Bashkuara, ose ministrat e financave ose të tregtisë të shumicës së shteteve industriale të zhvilluara. Dallimet në pikëpamje janë aq të mëdha, saqë lind dyshimi nëse politikanët dhe protestuesit janë duke folur apo jo për të njëjtën dukuri? A shohin ata të njëjtat fakte? A është të parit e pushtetarëve aq i mjegulluar nga interesat e veçanta dhe personale?

Çfarë është, pra, dukuria e globalizimit, që njëkohësisht është temë e kritikave dhe e lëvdatave aq të mëdha? Në thelb, ky është një integrim më i afërt i shteteve dhe i popujve të botës, që ka shkaktuar zvogëlimin e madh të kostos së transportit, të komunikimit dhe heqjen e barrierave artificiale të rrjedhës së mallrave, shërbimeve, kapitalit, dijes dhe (në një masë më të vogël) të njerëzve përtej kufijve.

Globalizimi është shoqëruar nga krijimi i institucioneve të reja, të cilat u janë bashkëngjitur atyre ekzistuese, për të punuar përtej kufijve. Në fushën e shoqërisë civile ndër¬kombëtare, grupe të reja u janë bashkëngjitur organizatave më të , si për shembull lëvizja “Jubilee” e cila thërret për reduktim të borxheve të shteteve më të varfra, i është bashkëngjitur organizatës së Kryqit të Kuq.

Globalizimin e avancojnë korporatat ndërkombëtare të cilat lëvizin tej kufijve jo vetëm kapitalin e mallrat, por edhe teknologjinë.

Globalizimi gjithashtu ka përtërirë vëmendjen për institucionet ndërkombëtare ndërqeveritare të krijuara shumë kohë më parë: Kombet e Bashkuara (UN), që mundohet të ruajë paqen; Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), fillimisht e krijuar në vitin 1919, e cila promovon agjendën e vet në tërë botën nën moton “punë të ndershme”; dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), e cila përqendrohet në përmirësimin e gjendjes së shëndetit në Botën në zhvillim.

Një pjesë e madhe, ndoshta pjesa dërmuese, e këtyre aspekteve të globalizimit kanë qenë gjithkund të mirëseardhura. Askush nuk dëshiron të shohë fëmijën e tij duke vdekur, ndërsa dija dhe barnat ekzistojnë diku tjetër në botë.

Lëndë të polemikave janë aspektet ekonomike më pak të përcaktuara të globalizimit dhe institucionet ndërkombëtare që i shkruan ligjet, të cilat detyrojnë ose i shtyjnë gjërat, siç është liberalizimi i tregjeve të kapitalit (heqja e ligjeve dhe rregullave në shumë shtete në zhvillim që ka për qëllim të stabilizojnë qarkullimin e parave të paqëndrueshme brenda dhe jashtë shtetit).

KU ËSHTË GABUAR

Për të kuptuar se ku është gabuar, është me rëndësi të shikohet në tri institucionet kryesore që administrojnë globalizimin: FMN-në, Bankën Botërore dhe OBT-në. Veç këtyre, ka një mori institucionesh të tjera që luajnë rol në sistemin ekonomik ndërkombëtar – një numër i bankave rajonale, simotra të mëdha dhe të vogla, të Bankës Botërore, dhe një numër i madh i organizatave të OKB-së, siç janë Programi i Zhvillimit i OKB-së (UNDP) ose Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD).

Këto organizata shpesh kanë pikëpamje që janë dukshëm më të ndryshme se sa ato të FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe të Bankës Botërore. ILO-ja (Organizata Ndër¬kombëtare e Punës), për shembull, shqetësohet që FMN-ja u kushton shumë pak vëmendje të drejtave të punëtorëve, ndërkohë që Banka Aziatike e Zhvillimit bën thirrje për një “pluralizëm konkurrues”, nëpërmjet të të cilit shteteve në zhvillim do t’u ofroheshin opinione alternative të strategjive përkitazi me zhvillimin, përfshirë “Modelin Aziatik” (në të cilin qeveritë, ndërsa mbështeten në tregje, marrin një rol aktiv në krijimin, formimin dhe udhëzimin e tregjeve, përfshirë edhe promovimin e teknologjive të reja, dhe në të cilin firmat do të merrnin një përgjegjësi të konsideru¬eshme për mirëqenien shoqërore të punëtorëve të tyre) që Banka Aziatike e Zhvillimit e sheh qartazi si diçka të ndryshme nga modeli amerikan i nxitur nga institucionet me seli në Uashington.

Në thelb të problemeve të FMN-së dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare ekonomike qëndron problemi i udhëheqjes: kush vendosë se çfarë duhet të bëjnë ato. Ato udhëhiqen jo vetëm nga shtetet më të pasura industriale por edhe nga interesat tregtare dhe financiare të këtyre shteteve, prandaj politikat këtyre institucioneve e pasqyrojnë këto interesa. Zgjedhja e udhëheqësve të këtyre institucioneve simbolizon problemin e institucioneve në fjalë dhe shumë shpesh ka kontribuuar për mosfunksionimin e tyre.

Ndërkohë që pothuajse të gjitha aktivitetet e FMN-së dhe të Bankës Botërore sot bëhen në botën në zhvillim (në formë të huadhënies), në krye të këtyre institucioneve gjenden përfaqësues të shteteve të industrializuara. (Sipas zakonit ose marrëveshjes së heshtur, kryetari i FMN-së gjithherë është evropian, ndërsa ai i Bankës Botërore, amerikan). Ata zgjedhen prapa dyerve të mbyllura dhe asnjëherë nuk është kërkuar nga udhëheqësi i ardhshëm të ketë përvojë pune në botën në zhvillim. Këto institucione nuk janë përfaqësuese të vendeve që u shërbejnë.

Problemet është gjithashtu se kush flet në emër të shtetit. Në FMN, shtetet i përfaqësojnë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore. Në OBT ministrat e tregtisë. Secili nga këta ministra është i lidhur ngushtë me grupe të caktuara (zgjedhës) brenda shtetit të tij. Ministrat e tregtisë përfaqësojnë shqetësimet e komunitetit të biznesit, si të eksportuesve të cilët dëshirojnë të hapin tregje të reja për prodhimet e tyre, ashtu dhe prodhuesve të mallrave të cilët ia kanë frikën konkurrencës së importit.

Natyrisht, këta grupe dëshirojnë të mbajnë sa më shumë që munden barriera tregtare dhe të përfitojnë nga çfarëdo subvencioni qё arrijnë ta bindin kongresin (ose parlamentin) e tyre. Fakti që barrierat tregtare rrisin çmimet për konsumatorët ose që subvencionet imponojnë barra mbi taksapaguesit atyre u intereson më pak se fitimi i prodhuesve. Aq më pak u interesojnë çështjet e ambientit dhe të punëtorëve. Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore janë të lidhur ngushtë me komunitetin financiar. Ata vijnë nga firmat financiare dhe, pas periudhës së shërbimit në qeveri, atje kthehen.

Robert Rubin, ministër i financave gjatë kohës dërrmuese të periudhës për të cilën flet ky libër, ka ardhur nga banka më e madhe investuese e quajtur Goldman Sach, dhe është kthyeer te firma Citigroup, që e kontrollon bankën më të madhe komerciale, Citibank.

Stan Fischer, personi numër dy në FMN gjatë kësaj periudhe, nga FMN-ja shkoi drejtpërdrejt në në Citigroup. Këta njerëz, natyrisht, botën e shohin me sy të komu¬nitetit financiar. Vendimet e cilitdo institucion natyrshëm reflektojnë pikëpamjet dhe interesat e njerëzve që i marrin këto vendime. Jo befasisht, ashtu siç do të shohim në mënyrë të përsëritur në kapitujt vijues, politikat e institucioneve ndërkombëtare ekonomike janë shpesh të lidhura ngushtë me interesat tregtare dhe financiare të institucioneve në shtetet e zhvilluara industriale.

Për fshatarët në shtetet në zhvillim të cilët duhet të punojnë me mund për t’ia paguar huatë e vendit të tyre FMN-së ose pёr biznesmenët të cilët bartin barrën e pagesës së taksave me vlerë të shtuar që ua imponon FMN-ja, sistemi i tanishëm i udhëhequr nga FMN-ja është sistem në të cilin ata nuk kanë përfaqësuesit e tyre në trupën e cila ua vë ato taksa.

Zhgënjimi në sistemin ndërkombëtar të globalizimit nën mbrojtjen e FMN-së rritet ndërsa të varfrit në Indonezi, Marok ose Papua Guine të Re humbasin subvencionet për karburante dhe ushqime; në Tajlandë shtohet numri i të infektuarve me SIDA si rezultat i uljeve të shpenzimeve për shëndetësi sipas urdhrit të FMN-së; kurse familjet në shumë shtete në zhvillim me dhembshuri zgjedhin që të mos i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë, sepse për arsimimin e fëmijëve të tyre u duhet të paguajnë të ashtuquajturat programe për restaurim të kostos.

Kur nuk kanë kurrfarë mundësi të tjera për të shprehur shqetësimet e tyre dhe pёr tё bërë trysni për ndryshime, njerëzit krijojnë trazira. Natyrisht, rruga, nuk është vend ku mund të diskutohen çështjet, të formulohen politika ose tё arrihen kompromise. Por protestat janë ato që i kanë shtyrë zyrtarët qeveritarë dhe ekonomistët anekënd botës për të menduar për alternativa të politikave të dala nga Konsensusi i Uashingtonit si mënyra e vetme dhe e drejtë për zhvillim ekonomik.

Po u bëhet gjithnjë e më e qartë, jo qytetarëve të zakonshëm por edhe politikanëve, dhe jo vetëm për atyre në shtetet në zhvillim por edhe në shtetet e zhvilluara, se globalizimi, ashtu siç është praktikuar, nuk e ka jetësuar atё qё përkrahësit e tij kanë premtuar, atë që ka mundur ta bëjë dhe ёshtё dashur ta bëjë. Në disa raste ai madje as që ka rezultuar me rritje ekonomike, por edhe atëherë kur e ka bërë këtë, nuk ka sjellë përfitime për të gjithë.

Efektet i vendimet të politikave të Konsensusit të Uashingtonit shpesh u ka sjellë përfitime vetëm disave në kurriz të shumicës tjetër – të pasurve në në kurriz të fukarenjve. Nё shumë raste interesat dhe e biznesit i kanë vënë në rend të dytë shqetësimeve për ambientin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë shoqërore.

Globalizimi në vetvete as nuk është i mirë e as i keq. Ai ka fuqinë të sjellë shumë të mira, ndërsa për shtetet e Azisë Lindore, të cilat e kanë përqafuar globalizimin me kushtet e tyre dhe me ritmin e tyre, ai solli një përfitim të madh, përkundër pengesës së krizës në vitin 1997. Por në pjesën më të madhe të botës nuk janë arritur rezultate të ngjashme.

Sot – me rënien e vazhdueshme të kostos së transportit dhe komunikimit dhe uljen e barrierave të krijuara nga vet njeriu për mallrat, shërbimet dhe kapitalin (ndonëse mbeten akoma barriera të rënda për lëvizjen e lirë të klasës punëtore) – ne kemi një proces të “globalizimit” të ngjashëm me proceset e mëhershme në të cilat u formuan ekonomitë e shtetit. Për fat të keq, nuk kemi njё qeveri të botës, që për të gjitha vendimet do t’u përgjigjej të gjithë banorëve të çdo shteti, që ta mbikëqyrte procesin e globalizimit ngjashëm si qeveritë kombëtare që udhëhoqën procesin e nacionalizimit.

Në vend të kësaj, kemi një sistem që mund të quhet qeverisje globale pa qeveri globale në të cilin udhëheqin disa institucione (Banka Botërore, FMN-ja dhe OBT-ja) dhe disa aktorë (ministrat e financave dhe tregtisë, të lidhur ngushtë me interesa të caktuara financiare dhe tregtare), por në të cilën shumica që ndikohen prej vendimeve të tyre pothuajse nuk u dëgjohet fare zëri. Është koha për të ndryshuar disa rregulla që drejtojnë rendin ndërkombëtar ekonomik, përsëri të mendohet rreth asaj se si merren vendimet në nivel ndërkombëtar – dhe në interes të kujt – dhe më pak të theksohet ideologjia, por të merret parasysh më shumë ajo që funksionon më mirë.

Është kritike që zhvillimi i suksesshëm i parë në Azinë Lindore të arrihet edhe gjetiu. Nëse paqëndrueshmëria globale vazhdon, ajo do të ketë kosto shumë të lartë. Globalizimi mund të ritrajtohet dhe kur të ndodhë kjo, në mënyrë të duhur dhe të udhëhequr mirë, ashtu që të gjitha shtetet tё marrin pjesë në vendimet prej të cilave ndikohen, atëherë do të jetë e mundur të krijohet një ekonomi globale e re në të cilën zhvillimi ekonomik më i gjatë dhe më pak i paqëndrueshёm dhe në të cilin frytet e këtij zhvillimi do të ndahen në mënyrë më të barabartë.

Shënim: Nga libri: Globalizimi dhe pakënaqësitë e shkaktuara prej tij (Zenith 2007)
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Globalizimi Empty Globalizimi - sfida qe na pret

Mesazh  Admin 28.07.08 23:07

GLOBALIZIMI - SFIDA QË PO NA PRET


Globalizimi është shndërruar tashmë në një fjalë të rëndësishme, e cila prej disa kohësh po përdoret shumë shpesh në debatet politike, publicistike dhe shkencore duke u konsideruar këtu nga njëra anë si ‚kërcënim‘, nga ana tjetër si ‚shans‘ .

Debati mbi “Globalizimin” filloi në vitet e `80 -ta, termi shumë shpejtë u fut në fjalorin standard-jo vetëm në qarqet akademike, por po ashtu edhe në mesin e gazetarëve, biznesmenëve, agjentëve të marketingut etj.

Sot është bërë e zakonshme që të flitet për tregjet globale, komunikimet globale, kërcënimet globale, konferencat globale, etj.

Përderisa në vitet e vonshme të shekullit XX-të studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të disiplinave të tjera filluan që të ekzaminojnë pyetjet e qeverisjes globale duke i dalluar nga ato ndërkombëtare, pra ndryshimet globale të mjedisit, marrëdhëniet gjinore, ekonomia politike globale, etj.

Është shumë e rëndësishme të ceket se jo vetëm bota ka ndryshuar por se edhe një sistem “i ri” botëror është shfaqur si rezultat i globalizimit.

Duke e thënë këtë ne dëshirojmë të theksojmë se globalizimi nuk është një fenomen krejtësisht i ri në historinë botërore dhe shumë autorë argumentojnë se ky është vetëm një emër i ri.

Është e vërtetë se idetë e vërteta të globalitetit kanë qarkulluar edhe para viteve 1980.

Që nga fundi i shek. XIX-të, Anglo-folësit kanë përdorur rregullisht mbiemrin “Global” që të tregojnë “tërë botën” mirëpo kuptimin e vërtetë të saj globalizimi e ka marrë në dekadat e fundit.

Një gjë është më se e sigurt se me globalizim nënkuptojmë procesin e rritjes së ndërvarësisë në mes të shoqërive, kështu që ngjarjet në një pjesë të botës shumë e më shumë ndikojnë në njerëzit dhe shoqëritë tjera.

Nuk ka dyshim, që risitë teknologjike, veçanërisht në fushën e informacionit dhe të komunikimit, kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë ende një rol qendrorë p.sh. Interneti konsiderohet si një sinonim i globalizimit “www”(world wide web) pra rrjeti mbarë botëror i cili përveç që ka bërë një revolucion të jashtëzakonshëm ai ka thyer edhe definicionin klasik për tregun ku thuhej se me treg nënkuptojmë “Vendin ku takohet oferta dhe kërkesa” duke e zëvendësuar atë me një definicion tjetër e i cili është edhe definicioni aktual për tregun “

Ndërmjetës në mes të ofertuesve dhe blerësve” duke marrë parasysh se ekonomitë kombëtare po hapen më shumë dita ditës, rritet edhe varshmëria në mes shteteve sepse ato këmbejnë mallra/shërbime njëra me tjetrën.

”Globalizimi i tregjeve të financës, dërgimi brenda sekondës i shumave në madhësi të paimagjinueshme rreth e përqark globit nuk do të kishte qenë i mundur pa këtë teknologji, po kështu organizimi i prodhimit të integruar në nivel ndërkombëtar dhe shumë e shumë të tjera.

Pas Luftes se Dyte Boterore,deri në fund te viteve 90, atëherë kur Bota ishte e ndarë në dy blloqe politike, perendimi kapitalist dhe lindja komuniste, secili bllok kishte siguruar për shtetet pjesmarrëse një sistem sigurimi kombëtarë qe bazohej në një siguri kolektive dhe gjatë kësaj kohe zhvillohej një luftë e « ftohtë » e cila gjithsesi është një shkas i globalizmit.

Por se vendet e perëndimore paten më shumë sukses në formën e udhëheqjes në relacion me ato të lindjes mund të shihet edhe si një rezultat vetdiskriminues që pati politika izoluese komuniste në vendet e lindjes dhe sukseset që pati politika liberaliste në vendet e përendimit.

Megjithatë edhe shtetet e dikurshme të „Bllokut të Lindjes“ siç janë: Rep. Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia, etj janë bërë tanimë anëtare të familjes së madhe evropiane (UE) dhe tani janë hapur në relacion me tregut botëror.

Gjatë një periudhe të caktuar në mund të kemi edhe shumë shtete tjera që tanimë vetëm po e përgatisin veten për të qenë anëtare të UE-së. një përgatitje të tillë duhet ta bëjë edhe Kosova, diçka ka filluar të bëhet në këtë drejtim por nevojitet shumë më tepër.

Kosova krahas sfidës së realizimit të pavarësisë duhet të punoj paralelisht edhe për integrime evropiane dhe globale. Modeli i Sllovenisë do të duhej të shërbente si përvojë empirike duke marrë parasysh disa elemente të përbashkëta: në radhë të parë të dyja janë pjesë e Gadishullit kontraverz Ballaknit dhe se të dyja këto deri në vitet e `90-ta ishin pjesë e një federate tanimë të shkatëruar.

Por për ta arritur statusin e Sllovenisë duhet një angazhim më i madh p.sh Sllovenia për asocim - stabilizim kishe angazhuar me qindra ekspert kishte thithur fonde të mëdha, mirëpo në Kosovë një numër aq i madh i ekspertve që do të mund të merreshin me këtë çështje as që ekzistojnë e të mos flasim për fondet.

Pra Kosova ose duhet të importojë ekspert ose duhet të pregadis kuadro të reja që do të mundëshin që me seriozitet dhe profesionalizëm ti qasëshin kësaj punë. Përderisa çështja e fondeve ka ndërlidhjen e saj me statusin e hapur dhe mungesën e kompetencave të plota, mendoj që për pregaditjen e kuadrove nuk kemi pengesa.

Poashtu, Kosova ka një përparsi të madhe në krahasim me shtetet fqinjë sa i përket infrastruktures ligjore sepse nuk ka nevoj ti ndërroj ligjet apo t`i ndryshoj për ti përshtatur me ato që i kërkojnë standardet evropiane, sepse Kosova është në procesin e krijimit të ligjeve dhe këtë punë po e bënë në kompatabilitet me standardet evropiane.

I gjithë procesi i inuakdrimit në rrjedha globale është një sfidë e madhe e cila po na pret. Vështirsitë edhe më të mëdha janë aspektin ekonomik sepse transformimi ekonomik është aq i madh sa që e ka krijuar edhe politiken e re botërore. Shtetet nuk konsiderohen më njësi të mbyllura dhe ato nuk mund t`i kontrollojnë ekonomitë e tyre.

Sot Globalizimi u`a mundëson individëve/firmave, të tregëtojnë në çdo cep të botës ngase teknologjia e sofistikuar dhe format e shitblerjës përmes transaksioneve i`a mundësojnë atë. Investitorët e ndryshem kanë mundësi që aktitvtetin e tyre ta zhvendosin në cilindo kontinenet , duke mos u dëmtuar nga politikat proteksioniste të vendeve, ekonomi kombëtare nuk ka ndonjë peshë të madhe në globalizim në krahasim më influencen e madhe që e kishte në shtetet e lindjes, dhe qeveria është e pafuqishme për të marrë ndonjë preventivë apo politikë proteksioniste apo çfarë do që të jetë ajo sepse firmave dhe individve u mundësohet të investojë përkatësisht të blejnë ku ata mendojnë se janë më të favorizuar.

Kjo nuk do të thotë se roli i qeverive në globalizim është eliminuar fare por vëtëm është ristrukturuar: shteti në rradhë të parë duhet t`i krijojë politikat konkuruese, politikat për teknologji të reja si dhe një qështje që është shumë më rëndësi është se shteti duhet më domos të kontribuoj në arsisimin dhe trajnimin me një fjalë pregaditjen e kuadrove të reja gjegjësisht ekspertë në lëmi të ndryshme që të jenë të gatshëm për sfidat e mdha që i sjell “konkurrenca” në globalizim.

Me një fjalë shteti duhet të krijoj një mjedis të përshtashëm i cili do të jetë konkurues në tregun global. Por se Globalizimi është një sfide e madhe që e pret Kosovën do ta dëshmojmë në vazhdim.

Sidoqoftë, ashtu siq kemi shkaqe të forta për ta parë globalizimin si një frymë e re në politiken botërore, shpesh të bashkuar me pikpamjen se globalizimi është përparimtar, kjo është për të thënë se i përmirëson jetën e njerëzve, ka poashtu argumente të cilat sygjerojnë në të kundërten. Psh.

Si një nga kundërshtimet e globalizimit janë edhe efektet e saja pasiqë kjo tingëllon më teper si teori përendimore e cila aplikohet vëtëm për një pjesë të vogël të njerëzimit gjë që edhe është dëshmuar shumë herë edhe në praktikë pasiqë vendet që cilësohen më pak të zhvilluara në rradhë të parë shfrytëzohen nga fuqitë e mdha ekonomike botërore siç janë SHBA-të, dhe UE vetëm për të marrë lëndën e parë apo shumë koorporata të mdha që bazën e kanë në perendim zhvendosin kapitalin e tyre nëpër këto vende për shumë arsye p.sh. fuqia punëtore shumë e lire, taksat e ulta apo edhe fare, ndotja e ambientit e pakontrolluar dhe teknologjia e vjeter që mund të përdoret nëpër këto vende pasiqë për shkak të stimulimit të investitorëve këto vende nuk nxjerrin ligje për mbrojtjen e ambientit, te drejtave të punëtorve, fëmijëve ,etj.

Ta paramendosh që së paku një minoritet i vogël i popullatës së botës mund të kyçet në World Wide Web (Rrjetin mbarë botërorë) është çartë një ekzagjërim, pasiqë në realitet nje numër i konsideruar i njerëzve në planetë ndoshta nuk kanë bërë as edhe një thirrje telefonike në jetën e tyre.

Me fjalë të tjera, kundërshtarët e globalizimit e shohin atë të aplikushëm vëtëm për botën e zhvilluar. Kritikët poashtu kanë vërejtur se ka edhe humbës të konsiderueshëm në botën e cila po globalizohet. Kjo është sepse përfaqësohet suksesi i kapitalizmit liberal nga një botë e ndarë ekonomikisht.

Pra globalizimi sjellë pasoja të mëdha vendeve në zhvillim pasiqë ato janë tëpër të interesuara për tu bërë pjesë e botës së hapur e për të qenë të tillë jo vëtëm që duhet të pranojnë dhe të veprojnë sipas rregullave të vendosuar nga të tjeret, por poashtu kanë pak kapacitet të menaxhojnë integrimin e tyre në ekonominë botërore.

Këto shtete nuk gëzojnë shumë sovranitet apo pavarsi të zgjedhjes politike në ekonominë globale. Edhe lëvizshmëria e kapitalit ndërkombëtar rezikon ekonominë kombëtare e sidomos të vendet në zhvillim të cilat mund të humbin nga vlerësimi dhe zbatimi i politikave publike.

Investimet e huaja direkte i mundësojnë firmave që të rialokojnë kapitalin e tyre me qëllim të ikjes nga tatimi dhe në këtë mënyrë cenojnë pavarsinë fiskale të vendit. Për ta parë edhe më sfidues duhet shikuar edhe problemet e mdha të cilat i sjell globalizimi psh.

Probleme globale të mjedisit konsiderohen ngrohja e atmosferës së tokës, vrima e ozonit apo shpyllëzimi i pyjeve tropikale e bëjnë të qartë globalizimin në mënyrën më mbresëlënëse, pasi këtu bëhet fjalë pa diskutim për probleme globale, të cilat kanë nevojë për një trajtim global por pa i lënë anash edhe shtetet në tranzicion, sepse në aspektin e mjedisit natyrisht ka edhe probleme lokale dhe rajonale, edhe atëherë kur ato dëshmojnë të kenë karakter ndërkufitar, si p.sh. ndotja e lumenjve, shirat acidik, etj.

Pra edhe vendet në zhvillim (ku bënë pjesë edhe Kosova) duhet të mundohen të mbijetojnë në këto rrethana politiko - ekonomike të rezikshme dhe të ndryshueshme. E përbashkëta e të gjitha shteteve është kërkimi për një stabilitet më të madh edhe pse qeveritë nuk pajtohen në lidhje me atë se si dhe ku kjo do të arrihej.

Nëse deri më tani nuk e kemi kuptuar mirë tërë kompleksiitetin që përmban kjo qështje apo dukuri gjithbotrore duhet që së paku tani të fillojmë të mendojmë edhe për këtë sepse nëse nuk i qëndroj në hap trendeve botërore ato do të na duket edhe më largë.

Nëse pretendojmë që një ditë do të jemi pjesë e ”botës së globalizuar” e në realitet nuk ka alternativë tjeter, sepse e kundërta do të thotë disavantazh, duhet ta kemi parasyshe se ajo është një rrugë plot sfida dhe e pa fund. Pra përpos që duhet t`i qëndrojmë syhapur këtyre dukurive duhet ta kuptojmë se globalizimi nuk do të thotë, se gjithçka mund të rregullohet dhe zgjidhet pa problem.

nga Dren Zeka
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Globalizimi Empty GLOBALIZIMI

Mesazh  maximus 03.02.12 9:34

Te nderuar anetar te forumit!

Po bej nj kerkim ne lidhje me GLOBALIZIMIN dhe do te doja nga ju mendime dhe dikutime ne lidhje me kete fenomen te ri te shek 21. Do tju isha shume mirenjohes nqs do te me ndihmonit sadopak me materjale, mendime personale, kritika dhe qendrimet pro ose kunder globalizimit.

Faleminderit per kohen e konsumuar nga ana juaj.
maximus
maximus

14


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Globalizimi Empty Re: Globalizimi

Mesazh  Gon! 03.02.12 14:58

Une do te preferoja te gjesh librin e Zbigniew Brezinski "Zgjedhja" Dominim Global apo Udheheqje Globale.

Hegjemonia mbizoteruese amerikane dhe roli i fuqise se saj...

Eshte nje liber i pasur.

Shendet
Gon!
Gon!
Gon!

294


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Globalizimi Empty Re: Globalizimi

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi