EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rreth Zotit - Jiddu Krishnamurti

Shko poshtë

 Rreth Zotit - Jiddu Krishnamurti Empty Rreth Zotit - Jiddu Krishnamurti

Mesazh  Jon 05.12.12 23:26

Jiddu Krishnamurti rreth Zotit

Çfarë është Zoti?

J. Krishnamurti: Si mendoni ta zbuloni? Do pranoni orientimet e dikujt tjetër? Apo do përpiqeni ta zbuloni vetë se ç‘është Zoti? Të bësh pyetje është e lehtë, por të krijosh përvojën e së vërtetës kërkon inteligjencë të madhe, një sasi të madhe hulumtimesh dhe kërkimesh

Pyetja e parë është: a do të pranoni atë që një tjetër thotë rreth Zotit? Nuk ka rëndësi se kush është ky, Krishna, Buda, apo Krishti, se do mund të ishin të gabuar të gjithë, ashtu siç do mund të gabonte edhe mjeshtri juaj gurû. Sigurisht, për të gjetur të vërtetën, mendja jonë duhet të jetë e lirë në  hulumtimet e veta, gja që do të thotë se  nuk mundet thjesht të pranojë apo të besojë. Do mund t’iu ofroja nji përshkrim të së vërtetës, por nuk do të ishtë kurrë e njejtë me përvojën tuaj vetiake të së vërtetës. Të gjithë tekstet e shenjta japin  një përshkrim të Zotit, por ato përshkrime nuk janë Zot. Fjala “Zot” nuk është Zot, a s’është kështu vallë?

Për të gjetur atë që është e vërtetë, nuk duhet kurrë të pranojmë, nuk duhet të lejojmë kurrë të ndikohemi nga ajo që mund të na thonë librat, mjeshtrat e kushdo tjetër. Nëse lejojmë të ndikohemi prej tyre, do të gjejmë vetëm atë që ata do dëshironin të gjenim. Duhet ta dimë se mendja jonë mund të krijojë imazhe mbi atë që dëshiron vetë; mund ta përfytyrojë Zotin me mjekër, me një sy të vetëm; mund ta shohë ngjyrë blu apo ngjyrë manushaqe. Duhet pra të jemi të vetëdijshëm se kemi dëshira personale e të mos mashtrohemi nga projeksionet e nevojave dhe dëshirave tona.

Nëse dëshirojmë ta shohim Zotin në një formë të caktuar, përfytyrimi që do të kemi do të jetë në përputhje me dëshirat tona, e ky përfytyrim nuk është Zot, apo jo? Nëse jemi të pikëlluar dhe duam të ngushëllohemi, apo priremi ndaj sentimentalizmit dhe romantizmit në synimet tona religjioze, do katandisemi në të krijuarët e një Zoti që kënaq dëshirat tona, por prapë nuk do të jetë Zot.

Prandaj mendja duhet të jetë krejtësisht e lirë; vetëm atëherë do mund të gjejmë atë që është e vërtetë, duke mos pranuar superstizione, as duke lexuar një të ashtuquajtur tekst të shenjtë apo duke ndjekur ndonjë gurû. Vetëm kur jemi të lirë, kur jemi vërtetë të lirë nga ndikimet e jashtme, ashtu si dhe ndaj dëshirave dhe synimeve tona e mendja të jetë krejtësisht e çliruar, vetëm atëherë do jetë e mundur të gjejmë çfarë është Zoti. Por nëse rrimë e merremi me hamendje, atëherë hamendjet tona vlejnë sa ato të gurûsë sonë, dhe janë po aq iluzore.



Ka shumë koncepte mbi Zotin në botën e sotme. Cili është mendimi juaj në lidhje me Zotin ?

J. Krishnamurti: Para së gjithasht duhet të zbulojmë se ç’është ajo që ne kuptojmë me koncept. Çfarë kuptojmë me proces të mendimit? Sepse tekefundja, kur formulojmë një koncept, le të themi mbi Zotin, formula apo koncepti ynë duhet të jetë rezultati i kushtëzimeve tona, apo jo?

Nëse besojmë në Zot, padyshim ky besim është rezultat i mjedisit që na rrethon. Ka nga ata që edukohen qysh në fënijëri për të mohuar Zotin, e ka nga ata që edukohen për të besuar në Zot, siç ka ndodhur me pjesën tuaj më të madhe. Pra, ne formulojmë një koncept mbi Zotin, simbas edukatës sonë,  përvojave tona të kaluara, të kundërshtive tona, të asaj që na pëlqen e nuk na pëlqen, të frikërave e të shpresave tona.

Pra, rrjedhimisht, përsa kohë nuk kuptojmë mekanizmin e mendimit tonë, konceptet e pastra mbi Zotin nuk kanë kurrfarë vlere, apo jo? Sepse mendimi mund të projektojë atë që do. Mund ta krijojë e ta mohojë Zotin. Secili prej nesh mund ta krijojë e ta shkatërrojë Zotin në bazë të prirjeve të tij, të kënaqësive e dhimbjeve të tij. Pra, përsa kohë që mendimi mbetet aktiv, duke krijuar a formuluar, nuk do mundemi të zbulojmë kurrë atë që ndodhet përtej kohës.  Zoti, ose e vërteta, mund të zbulohet vetëm kur mendimi mbërrin në fund.

Tashti, kur ti më pyet: “Cili është mendimi yt mbi Zotin?” e ke formuluar tashmë një mendim tëndin, apo jo? Mendimi mund të krijojë Zot e të bëjë përvojë me atë që vetë ka krijuar. Por sigurisht, kjo nuk është përvojë e vërtetë. Mendimi përjeton projeksionin e vet, pra nuk është i vërtetë. Por nëse ti dhe unë mund ta shohim të vertetën e gjithë kësaj, atëherë ndoshta do të kemi përvojën e diçkaje shumë më të madhe se një projeksion i pastër i mendimit.

Në kohët e sotme, ndërsa së jashtmi egziston një pasiguri gjithnjë e më të madhe, rritet në mënyrë të natyrshme dëshira për siguri të brendshme. Në çastin kur jashtë nuk mund të gjejmë siguri, e kërkojmë atë në një ide, në mendim, e kështu krijojmë atë që e quajmë Zot, koncept ky që shndërrohet në sigurinë tonë.

Tashti, një mendje që kërkon sigurinë, s’ka dyshim që mund të gjejë atë që nuk është reale dhe e vërtetë. Për të kuptuar këtë që ndodhet jashtë kohës, mendimi duhet t’u japë fund krijimeve të veta. Mendimi nuk mund të egzistojë pa fjalët, simbolet, përfytyrimet. Vetëm kur mendja është e qetë, e çliruar nga krijimet e veta, ka një mundësi për të zbuluar atë që është e vërtetë. Pra, të thënët thjeshtë, që ka apo jo Zot, përbën një përgjigje të papjekur në lidhje me problemin, apo jo?

Të formulosh pikëpamje mbi Zotin është me të vërtetë diçka fëmijnore.

Për të patur një përvojë, për të kuptuar atë që është përtej kohës, duhet të kuptojmë, rrjedhimisht, procesin e kohës. Mendja është rezultat i kohës, është e bazuar mbi kujtimet e së djeshmes. Por a është e mundur të çlirohemi nga ai shumëfishim i së djeshmes që përbën procesin e kohës?

Ky është sigurisht një problem shumë serioz; nuk është çështje të besuari a të mosbesuari Të besuarët apo të mosbesuarët janë procese të injorancës, ndërsa të kuptuarët e cilësive detyruese të kohës në mendim, i sjell asaj liri vetëm atje ku zbulimi është i mundshëm. Por pjesa më e madhe e jonë nuk dëshiron të besojë vetëm sepse kjo është më e rehatshme; na jep një ndjenjë sigurie, një ndjenjë përkatësie grupi. Padyshim kjo bindje na ndan; ju besoni në një gjë e unë në një tjetër. Kështu besimet funksionojnë si barriera; është një proces shpërbërjeje.

Pra ajo që ka rëndësi nuk është të besosh apo të mos besosh, por të kuptosh procesin e mendjes. Janë mendja dhe mendimi ato që krijojnë kohën. Mendimi është kohë, e çfarëdo gjëje e projektuar nga mendimi duhet t’i përkasë kohës; për një arsye të tillë mendimi nuk ka ndonjë mundësi për të shkuar përtej vetvetes.

Për të zbuluar atë që është përtej kohës, mendimi duhet të mbërrijë deri në fund, gjë e cila është tepër e vështirë, sepse fundi i mendimit nuk arrihet nëpërmjet ndonjë disipline, nëpërmjet kontrollit, mohimit, apo ndrydhjes. Mendimi mbaron vetëm atëherë kur kuptojmë procesin e tërë të të menduarit, e për ta kuptuar është e nevojshme njohja e vetvetes. Mendimi është vetvetja, është fjala që identifikon vetveten si “unë”, e cilidoqoftë niveli në të cilin është ngritur vetvetja, i ulët apo i lartë, gjendesh gjithsesi në brënda hapësirës së mendimit.

Për të gjetur Zotin, atë që është përtej kohës, do të duhet të kuptojmë mekanizmin e mendimit – që do të thotë, procesin e vetvetes. Vetvetja është shumë komplekse, nuk gjendet në një nivel dosido, por është e përbërë nga shumë mendime, shumë entitete, sejcila në kundërshti me tjetrat.

Është e nevojshme një vetëdije e qëndrueshme mbi të gjitha, një vetëdije pa zgjedhje, dënime apo krahasime; kjo do të thotë që duhet të jemi në gjendje t’i shohim gjërat ashtu siç janë, pa i shtrembëruar apo interpretuar. Në çastin kur gjykojmë apo përkthejmë atë që kemi parë, e shtrembërojmë mbi bazën e përvojave tona të kaluara. Për të zbuluar realitetin a Zotin, nuk duhet të kemi besime, sepse pranimi ose mohimi janë barriera që ia kundërvemë zbulimit.

Ne të gjithë duam të jemi të sigurtë si së jashti ashtu edhe së brendshmi, por mendja duhet të kuptojë që kërkimi i sigurisë është një iluzion. Ajo që mund ta kryejë zbulimin është vetëm mendja e pasigurtë, mendja krejtësisht e lirë prej çdo forme të zotërimit- e kjo është një detyrë shumë e vështirë. Nuk do të thotë se duhet të jetojmë nëpër pyje a në ndonjë manastir, apo të izolohemi në ndonjë besim të veçantë; përkundrazi, në izolimin nuk mund të egzistojë asgjë.

Të egzistosh do të thotë t’u nënshtrohesh marrëdhënieve; vetëm nëpërmjet marrëdhënieve mund ta zbulojmë vetveten ashtu siç jemi. Dhe është pikërisht ky zbulim i vetvetes, ashtu siç jemi në të vërtetë, pa kurrfarë ndjenje dënimi apo justifikimi, ai që sjell një transformim themelor në atë që jemi. Ky është fillimi i dijes.


Funksioni i mëndjes është të menduarët.. Kam kaluar shumë vite duke menduar atyre gjërave që të gjithë ne i njohim-punë, shkencë, filozofi, psikologji, art, e me radhë- e tashti mendoj shumë rreth Zotit.. Duke studiuar dëshmitë e një numri të madh mistikësh dhe shkrimtarësh të tjerë religjiozë, jam bindur për egzistencën e Zotit, e në lidhje me këtë çështje mund të jap kontribut me mendimin tim. Çfarë ka të gabuar në këtë? Të menduarët e Zotit nuk ndihmon për të mbërritur në realizimin e Tij?

J. Krishnamurti:

A mund ta mendosh Zotin? A mund të jesh i bindur për egzistencën e Zotit prejse ke lexuar të gjitha dëshmitë? Edhe ateisti ka dëshmitë e tij, e ka gjasa të ketë studiuar po aq sa ju, dhe  thotë që Zoti nuk egziston. Ti beson se ka Zot, kurse ai thotë të kundërtën; të dy keni bindjet tuaja, të dy keni shpenzuar kohë duke menduar rreth Zotit. Por përpara se të mendoni diçka që nuk e njihni, duhet të zbuloni se ç’është të menduarët, apo nuk është kështu?

Si mund të mendoni për diçka që nuk e njihni? Mund të keni lexuar Biblën, Bhagavad Gita-n, apo libra të tjerë në të cilët studiues eruditë kanë përshkrue aftësisht se ç’është Zoti, duke ngulmuar në diçka e duke hedhur poshtë një tjetër; po përsa kohë që nuk njihni mekanizmat e vetë mendimit tuaj, çfarëdo që të mendoni rreth Zotit, mund të jetë marrëzi ose meskinitet, e përgjithësisht është kështu.

Mund të grumbulloni një sasi të madhe provash mbi egzistencën e Zotit, dhe të shkruani artikuj vërtetë inteligjentë mbi këtë temë, por sigurisht që pyetja e parë do të jetë: nga e dini se ajo që mendoni është e vërtetë? A është mendimi në gjendje të na sjellë përvojën e asaj që është e panjohshme? Kjo nuk do të thotë se ju duhet t’i pranoni në mënyrë emocionale apo sentimentale marrinat që thuhen për Zotin.

Pra a nuk do të ishte e rëndësishme të zbulonit nëse mëndja juaj është e kushtëzuar. Në vend që të kërkoni atë që është e pakushtëzuar? Sigurisht nëse mëndja juaj është kushtëzuar, dhe është, sadoqë ta hulumtojë të vërtetën e Zotit, do mundet vetëm të grumbullojë dije e informacione simbas kushtëzimit të vet.

Prandaj të menduarët tuaj rreth Zotit është një humbje e plotë kohe, një hamëndje pa vlerë. Është si të ndenjurit tim në këtë pyll, teksa dëshiroj të jem në majën e atij malit që ndodhet mbas shpinës sime. Nëse dua me të vërtetë të zbuloj se çfarë ka në majën e atij mali e matanë, duhet të ngjitem. Të rri këtu e të flas me hamëndje, të ndërtoj tempuj, kisha, e të emocionohem për të gjitha këto, nuk sjell kurrfarë dobie.

Ajo që duhet të bëj, është të çohem, të ec, të luftoj, të mundohem, të mbërrij atje e ta zbuloj; por meqë pjesa më e madhe e jona nuk duan të bëjnë këtë, kënaqemi me të ndenjurët ulur këtu duke thënë hamëndje mbi diçka që nuk e njohim. E unë them se këto hamendësime që përbëjnë një pengesë, një dëmtim të mëndjes, nuk kanë absolutisht kurrfarë vlere; këto e çojnë njeriun në një konfuzion edhe më të madh, në një vuajtje edhe më të madhe.

Zoti është diçka për të cilën nuk mund të flitet, që nuk mund të shndërrohet në fjalë, sepse duhet të mbetet përherë i panjohur. Në çastin kur procesi i njohjes fillon, riktheheni në mjedisin e kujtesës. E kuptuat? Le të themi, përshembull, që ju keni një përvojë çastërore të diçkaje të jashtëzakonshme. Në atë çast të dhënë nuk ka asnjë që mendon: “Duhet të kujtoj këtë”, egziston vetëm gjendja që përjetohet.

Por sapo ky çast kalon, procesi i i njohjes manifestohet. Ju lutem të më ndiqni. Mëndja thotë: “Kam përjetuar një përvojë të mrekullueshme e do të doja të përsëritej”, e kështu nis lufta për të pasur më shumë. Instinkti i fitimit, ankthi i të zotëruarit, i të paturit më shumë, manifestohet për arsye të ndryshme: ngase ju sjell kënaqësi, dinjitet, dije, sepse ju mvesh me autoritet, e plot marrina të këtij lloji.

Mëndja ia mësyn kah ajo prej së cilës ka patur një përvojë, por ajo prej së cilës e ka patur këtë përvojë ka kaluar tashmë, vdekur, nuk është më. Për të zbuluar se ç’është, mendja duhet të vdesë ndaj asaj prej së cilës ka përftuar këtë përvojë. Nuk është fjala për diçka që duhet ushqyer ditë për ditë, përzier, grumbulluar bashkë e ruajtur, me qëllim që një ditë të flasim e të shkruajmë rreth saj.

Gjithë ç’mund të bëjmë, është ta shohim se mëndja është e kushtëzuar, e të kuptojmë mekanizmin e vetë të menduarit tonë nëpërmjet vetëdijes. Duhet ta njoh vetveten jo sikundër do më pëlqente  të isha në mënyrë ideale, por siç jam në të vërtetë, sado i shëmtuar a i bukur, sado xheloz, ziliqar e lakmiqar që të jem. Por është shumë e vështirë të shohim atë që jemi pa provuar dëshirën e ndryshimit, e edhe vetë dëshira për ndryshim është një tjetër formë e kushtëzimit; dhe është pikërisht kështu që veprojmë, duke u endur nga një kushtëzim në tjetrin, pa mundur të përjetojmë kurrë përvoja rreth diçkaje që gjendet përtej asaj që është e kufizuar.

*Fragmente të shkëputura nga libri:  “MBI ZOTIN”, Përktheu: Shpëtim Kelmendi

mnvr.org
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi