EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Perla të urtësisë Tao

Shko poshtë

Perla të urtësisë Tao Empty Perla të urtësisë Tao

Mesazh  Jon 26.08.12 23:14

Perla të urtësisë Tao

Perla të urtësisë Tao 560847_444988085557300_368192813_n

Lao-Tze

“Njeriu qeveriset simbas masës së tokës, toka simbas masës së qiellit, qielli simbas masës së Tao-s, Tao simbas masës së vet.”

“Ajo që për vemjen është “fundi i botës”, për gjithë të tjerët është një flutur e mrekullueshme.”

“Nëse do t’u prish të tjerëve, ec mbas tyre.”

“Kush njeh të tjerët është erudit; kush njeh veten është i urtë.”


Konfuci dhe Lao-Tze

Konfuci i bëri vizitë tek Lao-Tze për të diskutuar rreth dashamirësisë, korrektësisë, pra rreth së mirës. Lao-Tze tha: “Bardhësia e pulëbardhës nuk vjen si rrjedhojë e kontakteve të përditshme që ajo ka me ujin; ngjyra e zezë e korbit nuk vjen si rrjedhojë e lyerjes së tij të përditshme. E bardha dhe e zeza janë cilësi natyrale, nuk mund të pohojmë se njera është e bukur dhe tjetra jo. Ti fole për të mirën dhe të keqen, duke i dalluar mbi bazën e dashamirësisë dhe korrektësisë. Simbas këndvështrimit të një taoisti ti ke kryer të njejtin gabim që bëjnë një korb dhe një pëllumb, të cilët grinden mes tyre për të vendosur se cila nga ngjyrat e tyre është më e bukur.


Chuang Tzu

Chuang-Tze – i mbiquajtur Sokrati kinez- dhe mik-armiku i tij Han Feizi po shëtisnin përgjatë bregut të një lumi. Dy peshq po përhidheshin mbi sipërfaqen e ujit. “Sa po dëfrehen ata peshq!”- tha Chuang-Tze. “Por ti nuk je ata,”-vërejti Han Feizi, “nga e di ti se ata po dëfrehen?”. Chuang-Tze u përgjigj atypëraty: “Ti nuk je unë. Ku e di ti që unë nuk e di?”.



Qerrepunuesi Pien

“Ndërsa duka Huang ishte duke lexuar në sallë, nën të, qerrepunuesi Pien po ndërtonte një rrotë. La mënjanë çekiçin e daltën, u ngjit tek duka Huang dhe e pyeti: “Marr guximin t’ju pyes se ç’janë ato fjalë që po lexon, o dukë?”. “janë fjalë njerëzish të shenjtë”-iu përgjigj duka. “Këta shenjtë janë të gjallë?”. “Jo, kanë vdekur”. “Atëherë- vërejti qerrepunuesi- ato që lexon ti, o dukë, janë jashtëqitjet dhe mbeturinat e njerëzve të lashtë”. “Si mund të flasë një qerrepunues për gjëra që lexon njeriu me virtyte të pamjaftueshme?”-thirri duka Huang-“Nëse mund të ma sqarosh këtë, bëje, por nëse nuk mund të ma sqarosh do të vdesësh”.

Qerrepunuesi Pien sqaroi: “Njeriu i sheh këtë gjë nga pikëpamja e zanatit të vet. Gjatë ndërtimit të një rrote, nëse unë punoj ngadalë rrota del e këndshme por jo e fortë, nëse punoj me ngut puna është e mundimshme dhe rrota nuk mbërthehet. Nëse nuk punoj ngadalë, por as nuk nxitohem, rezultatin e kam në dorë dhe më përgjigjet në zemër.
Në këtë punë ka një art që unë nuk mund ta shpreh me gojë. Njeriu nuk mund t’ia shpjegojë të birit dhe ai nuk mund ta marrë këtë nga i ati. Kështu unë jam shtatëdhjetë vjeç, e, plak siç jam ndërtoj rrota. Të lashtët kanë vdekur së bashku me atë që nuk mundën të na e përcjellin: atëherë ato që ti lexon, o princ, janë jashtëqitje dhe mbeturina të të lashtëve”.


“Teksa Chuang Tzu po peshkonte me grep në bregun e lumit P’ou, ia behën dy funksionarë të mbretit të Chou-t, për t’i bërë disa oferta. Ata i thanë: ‘Mbreti ynë ka dëshirë të të besojë administrimin e territorit të tij’.

Pa lëvizur asfare, e madje pa e kthyer as kokën, Chuang Tzu u tha atyre: ‘Kam dëgjuar të thuhet se në Chou egziston një breshkë e ngordhur para më shumë se tre mijë vjetësh. Mbreti juaj e ruan zhguallin e saj, në një shportë të mbështjellë me një pëlhurë, në pjesën më të lartë të tempullit të të parëve të vet. Më thoni ju nëse ajo breshkë nuk do të kishte parapëlqyer të jetonte duke tërhequr rrëshqanë nëpër baltë bishtin e vet.’. Funksionarët thanë: ‘Do kishte parapëlqyer ta tërhiqte bishtin rrëshqanë nëpër baltë’, Chuang Tze tha: ‘Largohuni atëherë, sepse edhe unë parapëlqej ta tërheq rrëshqanë bishtin tim nëpër baltë’.”


Tigri mbrapa Dhelprës së Chan Kuo Ts’e

Një tigër kapi një dhelpër. Dhelpra i tha:”Nuk do kesh guxim të më hash mua! Atje lart në qiell zotat më kanë zgjedhur mbretëreshë të të gjitha kafshëve: Nëse do më trajtoje si ushqim, ti do të nëpërkëmbje kështu vendimin hyjnor. Nëse nuk më beson, lermë të eci përpara teje e ti eja pas: do shohësh nëse do ketë qoftë edhe një kafshë që do guxojë të mos ia mbathë!” ” Tigri pranoi dhe filloi të ecte pas dhelprës, duke e ndjekur hap mbas hapi.

Të gjitha kafshët që takuan ua mbathën me të katra.

I shashtisur dhe i bindur se dhelpra ishte bërë vërtetë mbretëreshë e kafshëve, tigri u largua së andejmi.


Lieh-tzu:

«Chi Hsing-tzu po stërviste një gjel luftimesh për mbretin Hsüan të Chou. Mbas dhjetë ditësh mbreti i tha atij: “A u bë gjeli në gjendje për luftë?”. “Ende jo”-u përgjigj “Është arrogant dhe mëndjemadh”. Mbas dhjetë ditësh të tjera mbreti e pyeti sërish. “Ende jo,” u përgjigj Chi Hsing-tzu “Reagon ndaj hijeve dhe jehonave”. Mbas dhjetë ditësh akoma mbreti e pyeti sërish. “Ende jo”-i tha Chi Hsing-tzu “Ka vështrim luftëtari dhe temperament kolerik”. Mbas dhjetë ditësh të tjera mbreti pyeti sërish. “Është gati”-tha Chi Hsing-tzu “Nuk lëviz edhe sikur të ketë pranë një gjel që i lëshon kushtrimin. Po ta shohësh duket më tepër si një gjel prej druri. Virtyti i tij është plotësuar. Një gjel që s’ është si ai nuk do guxojë t’i bëjë ballë dhe do t’ia mbathë.


Sëpata e humbur

Një burrë, që i kishte humbur sëpata, dyshoi tek i biri i komshiut të vet. Djali ecte si një hajdut, kishte pamjen e një hajduti dhe fliste hajdutshe. Por burri i gjeti sëpatën e vet të humbur e ndërsa po punonte me bel kopshtin e tij, i qëlloi ta shihte prapë të birin e komshiut të vet; djali ecte, dukej dhe fliste si gjithë fëmijët e tjerë.

Perandori Mu Ceù dhe Magjistari

Në kohën e perandorit Mu Ceù, në oborrin perandorak u shfaq një Magjistar i ardhur nga Perëndimi i largët. Ai hynte në ujë e në zjarr pa u dëmtuar asfare, depërtonte nëpër metale e gurë, e bënte të lëvizte në kahun e kundërt ujët e përrenjve pa u dëmtuar, zhvendoste- pa i prekur- muret e qytetit, rrinte pezull në ajër pa u rrëzuar asnjëherë poshtë, përshkonte lëndët e forta pa hasur në to kurrfarë rezistence, i jepte vetes të gjitha tiparet që dëshironte, arrinte ta ruante inteligjencën prej njeriu edhe nën formën e objektëve të pashpirta, e kështu me radhë.

Perandori Mu e trajtoi si një qenie të magjepsur dhe i shërbeu si të ishte mësuesi i vet. I dha gjërat më të mira nga pasuria që zotëronte, që kishin të bënin me banesën, ushqiminin dhe gratë. pavarësisht këtyre magjistarit i dukej pallati mbretëror vend i pabanueshëm, ushqimet e kuzhinës mbretërore të pangrënshme, dhe gratë e haremit të padenja për dashurinë e tij.

Atëherë perandori ndërtoi një pallat vetëm për të. Materialet që u përdorën dhe mënyra e të ndërtuarit ishin shumë të zgjedhura. Shpenzimet për ndërtimin e këtij pallati shterruan tërë thesarin perandorak. Kur përfundoi, u vu re se pallati ishte ngritur në një lartësi marramendëse. Perandori i vuri një emër dhe e quajti “Kulla që prek qiellin”.

E mbushi me të rinj të zgjedhur, sjellë nga principatat e Cerig dhe Uci. Brënda tij ndërtoi një banjo dhe hareme. Grumbulloi në të objekte të çmueshme, pëlhura elegante, lajlelule, parfumëra e lloj-lloj xhinglash. Urdhëroi të luhej muzika më e mirë që egzistonte. Çdo muaj ofroi veshje të shkëlqyera dhe çdo ditë bollëk ushqimesh të shijshme… të gjitha këto nuk vlejtën asgjë. Magjistari nuk gjeti aty asgjë që përputhej me shijen e tij; jetoi në banesën e tij të re pa përfituar asgjë nga kënaqësitë e atyshme, dhe filloi të tëhuajsohej shpesh dhe gjatë.

Një ditë, i çuditur nga sjellja e tij, perandori i tha: “Eja me mua”. Perandori e zuri nga mënga magjistarin dhe ky u ngjit menjëherë në ajër bashkë me të. Dhe shkuan deri në pallatin e njerëzve të një bote tjetër, vendosur mu në mes të qiellit. Ishte një pallat i ndërtuar prej ari e argjendi, mbushur me perla dhe nefrite, vendosur më lart sesa shtresa e reve të shiut, pa themele dhe që lundronte në hapësirë si një re. Në këtë botë mbitokësore, pamjet, harmonitë, aromat, shijet, asgjë nuk ishte e ngjashme me atë që gjendej në botën e njerëzve.

Perandori e kuptoi se gjendej në pallatin e Sovranit hyjnor. I parë prej atje lart pallati i tij tokësor i dukej si grumbull plisash e gërmadhash. Do të kishte qëndruar atje për vite të tëra pa u kujtuar fare për perandorinë e tij, por magjistari e ftoi të ngjitej më lart…Kësaj here u ngjitën deri përtej hënës dhe diellit, atje ku nuk shihen as toka e as detërat, në një dritë verbuese, në një harmoni trullosëse. I kapluar nga tmerri dhe marramendja, perandori kërkoi që të zbrisnin. Zbritja u krye me shpejtësinë e një ylli të këputur që bie në boshllëk. Kur erdhi në vete, perandori e pa veten të ulur në një karrige, rrethuar nga oborrtarët, me gotën përgjysmë dhe një pjatë me ushqim gjysmë të ngrënë. “Çfarë më ndodhi?”-pyeti ai.

“Sapo patët një çast përqëndrimi”-iu përgjigjën oborrtarët.

Kurse perandori kishte përshtypjen se kishte qenë larg së andejmi për të paktën tre muaj.

“Ç’ndodhi kështu?”-e pyeti magjistarin.

“Oh! Krejt e thjeshtë”-iu përgjigj magjistari- “Ju rrëmbeva shpirtin. Trupi juaj nuk ka lëvizur fare. Ose më mirë, nuk e kam zhvendosur as shpirtin tuaj. Çdo dallim, vendi apo kohe, është iluzor. Përfytyrimi mendor i çdo gjëje të mundur ndodh pa lëvizje dhe bën shmangien e kohës.”.

Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi