EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Copëtimi i Evropës

Shko poshtë

Copëtimi i Evropës Empty Copëtimi i Evropës

Mesazh  Valtoni 09.06.12 23:26

Copëtimi i Evropës

Copëtimi i Evropës Copetimi_i_evropes2

Teksa liderët evropianë përleshen me krizën pas një tjetër samiti të dështuar, ata duhet të mendohen mirë se me çfarë mund të ngjajë kontinenti i tyre – dhe bota – nëse vazhdojnë të prodhojnë zgjidhje të pakënaqshme për problemet financiare dhe ekonomike të Evropës. Çfarë mund të vijë pas shpërbërjes së Eurozonës dhe – pothuajse me siguri bashkë me të – të Bashkimit Evropian?

Vendi më i mirë për t’u marrë në konsideratë në trajtimin e kësaj pyetjeje nuk do të ishte Brukseli, por Tiraspoli, kryeqyteti i entitetit që e quan veten Republika Pridnestroviane Moldave, apo Trans-Dniestr. Kjo cifël territoriale me popullsi prej gjysmë milioni banorësh u shfaq në fillim të viteve 1990, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (me rreth 300 milionë banorë), kur u shkëput nga Republika e Moldavisë (me popullsi prej katër milionësh), e cila nga ana e saj është shkëput në vitit 1940 nga Ukraina (50 milionë banorëshe).

Trans-Dniestri ka qeverinë dhe parlamentin e tij, ushtrinë, kushtetutën, flamurin, dhe një himn për zgjim kombëtar të stilit sovjetik; dhe sigurisht, ekzistenca kombëtare e e tyre nuk do të ishte e plotë pa monedhën e tyre. Në botën politike, ky entitet politik është mishërim i fenomenit popullor fizik të copëtimit apo grimcimit. Kur ka tensione, një sipërfaqe e madhe bigëzohet në llokma të mëdha, por pastaj shpërndarja vazhdon në fragmente të vogla e më të vogla.

Nga gjashtë shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian, vetëm Franca ka një sistem të centralizuar politik me të vërtetë të mirëpërcaktuar. Afrohet deri diku edhe sistemi i centralizuar i Polonisë, por ende vazhdon të ketë dallime të forta rajonale – një trashëgimi e tre sistemeve të mëdha dhe të ndryshme perandorake në përbërje të të cilave ka qenë Polonia e sotme në shekullin e XIX. Italia dhe Gjermania, në shekullin e XIX, ishin përzierje varietetesh të shumëngjyrshme njësish të vogla dhe të mesme politike. Britania e Madhe duket më e vjetër dhe më e qëndrueshme, por Skocia sot e gjithë ditën kontrollohet nga një parti politike që kërkon të shfuqizojë Aktin 1707 të Bashkimit, ndërsa e ardhmja do të përcaktohet nga një referendum (i Skocisë) në vitin 2014. Spanja pas diktaturës së Frankos u stabilizua duke u dhënë më shumë autonomi rajoneve të saj, të cilët në shumë mënyra sot sillen si njësi të pavarura.

Në këto zona të fragmentuara politike, logjika e integrimit në të kaluarën mbështetej në zonat që ishin të pakënaqura me rezultatet politike dhe që kërkonin bashkime të reja në njësi më të mëdha. Frankonianët në Gjermaninë Jugore nuk e pëlqenin faktin se luftërat napoleoniane i nënshtruan ata ndaj sundimit bavarez; ata e panë nacionalizmin gjerman si një mënyrë për të përdorur Prusinë dhe Berlinin si kundërpeshë ndaj hegjemonisë së Munihut. Por, me t’u bashkuar Gjermania, bavarezët nuk e pëlqyen rezultatin, dhe më pas menduan për një Evropë të bashkuar si kundërpeshë ndaj shtetit gjerman. Në të vërtetë, Bavaria u bë eksperte në përdorimin e resurseve të komunitetit evropian për nxitjen e sistemit të saj politik.

Integrimi kishte vrullin e vet historik; nëse dhe kur të shkojë në të kundërtën, ky proces do të ketë kundër-vrull. Argumenti kundër strukturave evropiane varet në armiqësinë ndaj një unioni transfertash (parash) që mund të çojë në rishpërndarje të resurseve. Pse u dashka të merren paratë tona dhe t’u jepen njerëzve në të një zone shumë të ndryshme? Ç’lloj pretendimesh kanë ata njerëz?

Gjermanët, duke menduar për mundësinë e transfertave për në Evropën jugore padyshim rikujtojnë bashkimin e vendit të tyre pas shembjes së Gjermanisë Lindore komuniste në 1989-1990. Asokohe kishte transferime masive dhe resurset kombëtare iu kushtuan projekteve gjigante infrastrukturore. Kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndaluar gërryerjen e Landeve Lindore, pasi shumë prej njerëzve të aftë dhe shumica e sipërmarrësve u larguan – një eksperiencë që vendosi barrë të madhe mbi solidaritetin kombëtar.

Problemet e transfertave në një njësi të madhe politike janë në thelb të federalizmit. Historia e hershme e Shteteve të Bashkuara është dominuar nga një debat i pasionuar në lidhje me çështjen e solidaritetit. Kur Aleksandër Hamilton argumentoi në vitin 1970 se qeveria e re federale duhet të marrë borxhet e shteteve nga Lufta e Pavarësisë, ai ndeshi në armiqësi të ashpër. James Madison argumentoi në “The Federalist Papers”(seri me 85 artikuj ose ese) se rruga e vetme për të mbështetur një rend të tillë, të ri politik, ishte të garantoje se fuqitë federale ishin të pakta dhe të kufizuara.

Evropa po përballet me diçka të ngjashme. Ajo tashmë është zhytur në një krizë ekzistenciale, më të thellë se kurdoherë që prej vitit 1945. Dhe ndonëse të arrish në rezultate të favorshme përmes mënyrave të çrregullta është një përgjigje karakteristike e sistemeve komplekse politike, ajo është thellësisht e shkatërruese.

Nëse qendra politike e Evropës është perceptuar gjerësisht të jetë arbitrare dhe e vetë-sigurt, autoriteti i saj do të refuzohet dhe kundërshtohet. Megjithëse miratimi i një traktati të ri mund të duket proces i ngathët, i papërshtatshëm për administrimin e një krize financiare moderne e tepër të shpejtë, ajo është rruga e vetme për të gjeneruar legjitimitet për institucionet që duhet ta drejtojnë këtë krizë – në veçanti për të dhënë garanci se transfertat nuk do të jenë të pacaktuara dhe të pakufizuara.

Nëse integrimi Evropian shtyn në kahun e kundërt, rezultati nuk do të jetë një sërë shtetesh kombe të lumtura dhe të begata, që jetojnë ngjashëm me vitet 1950 apo 1960. Gjermanët Jugorë do të uronin sikur në mos kishin transferuar shumë para në industrinë e vjetëruar sovietike të Veriut; italianët e Veriut të cilët mbështesin Lega Nordin, e cila është anti-BE, në njësinë e vetë-quajtur “Padania” do të kërkojnë të shpëtojnë nga sundimi i Romës dhe i Jugut.

Kështu, kthimi i orës mbrapsht nuk do ta kthente Evropën thjesht në mes të shekullit XX, por mund të krijohen shtetet e vogla të mesit të shekullit XIX, pa transferta fiskale jashtë një zone të kufizuar. Dinamika mund të shkojë më tej: territoret Gjermane kishin rreth 350 subjekte të pavarura politike në mes të shekullit të XVIII-të, dhe më shumë se 3 000 para mesit të shekullit XVII. Kujdes Trans-Dniestrin!
Valtoni
Valtoni

Dija eshte Pushtet!

39


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi