EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dominimi Global

Shko poshtë

Dominimi Global Empty Dominimi Global

Mesazh  Admin 28.07.08 23:02

DOMINIM GLOBAL APO UDHËHEQJE GLOBALE

ZBIGNIEV BRZEZINSKI

Përktheu: Adnan Kika

Argumenti im qendror për rolin e Amerikës në botë është i thjeshtë: fuqia e Amerikës, duke pohuar në mënyrë dominuese sovranitetin e kombit, është sot garancia vendimtare e stabilitetit global dhe shoqëria amerikane stimulon trendet shoqërore globale, të cilat dobësojnë sovranitetin kombëtar tradicional.

Fuqia dhe dinamika shoqërore amerikane, duke bashkëvepruar, mund të nxisë shfaqjen graduale të një komuniteti global me interesa të përbashkëta. Keqpërdorimi dhe përplasja e tyre, mund të çojnë botën në kaos, duke lënë Amerikën të izoluar.

Në krye të shekullit njëzetenjë, fuqia amerikane ka bërë një arritje të paparë në fuqinë e saj globale ushtarake, në pozicionin qendror të vitalitetit ekonomik të saj për mirëqenin e ekonomisë botërore, në ndikimin përtëritës të dinamizmit teknologjik amerikan dhe në joshjen e botës për kulturën e saj masive të shumëllojshme dhe shpesh të vrazhdë.

Të gjitha këto, i japin Amerikës pushtet të pakrahasueshëm politik global. Për të mirë apo për të keq, Amerika është paqësues global dhe nuk po shihet diku ndonjë rival.

Evropa, ekonomikisht mund të bëhet garuese, por do të kaloj kohë e gjatë derisa ajo ta arrij shkallën e unitetit, që do t’i mundësonte asaj të garojë politikisht.

Japonia, dikur e menduar si supershteti i ardhshëm, tani është jashtë garës, ndërkohë që Kina, përkundër progresit të saj ekonomik, ka mundësi të mbetet relativisht e varfër për së paku dy gjenerata dhe gjatë kësaj kohe mund të hasë në një sërë vështirësishë politike. Rusia nuk është më në garë. Shkurt, Amerika nuk ka, dhe për një kohë të afërt, nuk do të ketë ndonjë rival global.

Në këtë mënyrë, nuk ekziston alternativë e vërtetë ndaj hegjemonisë mbizotëruese amerikane dhe ndaj rolit të fuqisë së saj, si përbërëse e nevojshme e sigurisë globale. Në të njëjtën kohë, demokracia amerikane – dhe shembulli i suksesit amerikan – përhapë ndryshimet ekonomike, kulturore dhe teknologjike të cilat nxisin ndërlidhjet globale në rritje, mbi dhe përtej kufijve kombëtar.

Këto ndryshime, mund ta minojnë vetë stabilitetin të cilin fuqia amerikane mundohet ta arrij, e madje edhe të ngjallin armiqësi anti-amerikane.

Kështu, Amerika përballet me një paradoks unik; ajo është e para dhe e vetmja superfuqi e vërtetë globale, e megjithëkëtë amerikanët gjithnjë e më tepër po preokupohen me kërcënime nga një numër burimesh armiqësore shumë më të dobëta.

Fakti që Amerika ka ndikim të pashoq global politik, e bënë atë të jetë në fokus të zilisë, mërisë e për disa edhe të urrejtjes së thellë.

Këto antagonizma po ashtu mund të shfrytëzohen, në të vërtetë të nxiten, nga rivalët më shumë tradicionalë të Amerikës, edhe pse ata vetë janë shumë të kujdesshëm për të rrezikuar ndonjë konflikt të drejtpërdrejt me Amerikën. Rreziqet për sigurinë amerikane janë reale.

Atëherë, a nënkupton kjo që Amerika ka të drejtë për më shumë siguri sesa që kanë shtet-kombet tjera?

Udhëheqësit e saj, si menaxhues të fuqisë së kombit dhe si përfaqësues të një shoqërie demokratike, duhet të kërkojnë një baraspeshë mirë të matur ndërmjet këtyre dy roleve. Varësia ekskluzive në bashkëpunim multilateral mund të bëhet një recetë për letargji strategjike në një botë në të cilën kërcënimet për sigurinë kombëtare, madje eventualisht edhe atë globale, janë dukshëm në rritje dhe mund të kanosin gjithë njerëzimin.

Për më tepër, besimi parësor në praktika unilaterale të fuqisë sovrane, veçanërisht nëse shoqërohet nga një përkufizim egoist i kërcënimeve që po shfaqen, mund të sjellë vetizolim, paranojë të shtuar kombëtare dhe prekshmëri gjithnjë e më të madhe nga shpërndarja globale e virusit anti-Amerikan.

Një Amerikë e shqetësuar, e obsesionuar nga siguria e saj, mund ta gjejë vetveten të izoluar në një botë armiqësore. Nëse kërkimet e saj të vetmuara për siguri dalin jashtë dore, ka mundësi ta transformojnë vendin nga një vend të lirë në një shtet fortifikatë, të zhytur në një mentalitet rrethimi. Megjithatë, në të njëjtën kohë, fundi i Luftës së Ftohtë përkoi me një përhapje masive të shkencës së teknologjisë dhe mundësive të nevojshme për të bërë armë të shkatërrimit në masë, jo vetëm në mes shteteve por madje edhe në mes grupeve politike me motive terroriste.

Publiku amerikan me guxim e përballoi realitetin e hidhur të “dy akrepave në një shishe” – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik që frikësonin njëri-tjetrin me arsenale bërthamore me mundësi shkatërrimtare – por ai tani është më shumë i shqetësuar nga përhapja e dhunës, aktet e herëpashershme terroriste dhe nga përhapja e armëve të shkatërrimit në masë.

Amerikanët e ndiejnë që në këtë paqartësi politike, ndonjëherë moralisht dykuptimshme dhe shpesh gjendje mistifikuese e paparashikueshmërisë politike, fshihet një rrezik për Amerikën, pikërisht sepse ajo është fuqia mbizotëruese e botës.

Amerika, ndryshe nga fuqitë e mëparshme hegjemone, vepron në një botë të menjëhershmërisë dhe intimitetit të shtuar.

Fuqitë e mëparshme perandorake, vetëm sa për të përmendur disa Britania e Madhe gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, Kina gjatë periudhave të ndryshme disa mijëra vitesh të historisë së saj apo Roma gjatë një gjysmë mileniumi, qenë relativisht të pandikuara nga kërcënimet e jashtme.

Bota që ato dominonin qe e ndarë dhe jo-ndërvepruese. Distanca dhe koha mundësonin frymëmarrje të lirshme dhe shtonin sigurinë e vendit.

Në kontrast me këtë, Amerika mund të jetë në mënyrë të veçantë e fuqishme në sferën globale, mirëpo territori i saj në mënyrë të veçantë është po ashtu i pasigurt. Ka të ngjarë që të jetuarit me një pasiguri të këtillë të kaloj në një gjendje kronike.

Prandaj, pyetja kyçe është nëse Amerika mund të bëjë një politikë të jashtme të mençur, të përgjegjshme dhe efektive – të atillë që u ikë grackave të pikëpamjeve izoluese, por megjithatë përputhet me pozitën e saj të pazakontë historike si fuqi supreme e botës.

Kërkimi për një politikë të jashtme të mençur duhet të filloj nga të kuptuarit që “globalizimi” në esencë nënkupton ndërvarësi globale.

Një ndërvarësi e tillë nuk siguron barabarësi të pozitës e madje as barabarësi të sigurisë për të gjitha kombet. Mirëpo, kjo domethënë që asnjë komb nuk ka imunitet të plotë nga pasojat e revolucionit teknologjik, i cili aq shumë e ka rritur aftësinë e njerëzve për të shkaktuar dhunë dhe megjithatë ka forcuar lidhjet të cilat gjithnjë e më shumë po e lidhin njerëzimin së bashku.

Përfundimisht, problemi qendror politik me të cilin ballafaqohet Amerika është “Hegjemoni për çfarë”?

Rreziku qëndron në atë se a do të përpiqet kombi të formoj një sistem të ri global të bazuar në interesa të përbashkëta, apo do ta përdor fuqinë e tij sovrane globale për ta fortifikuar sigurinë e vet.

Në faqet vijuese, unë jam fokusuar në ato që i konsideroj të jenë çështjet kryesore për të cilat është e nevojshme një përgjigje e plotë strategjike:

• Cilat janë kërcënimet kryesore për Amerikën?

• Duke e marrë parasysh pozitën e saj hegjemoniste, a ka të drejt Amerika për më shumë siguri sesa kombet tjera?

• Si duhet të veproj Amerika ndaj kërcënimeve të mundshme vdekjeprurëse, të cilat po vijnë jo nga rivalë të fuqishëm, por nga kundërshtarë të dobët?

• A mundet Amerika në mënyrë konstruktive t’i përmirësoj marrëdhëniet e saj me botën Islamike prej 1.2 miliardë njerëzish, shumica e të cilëve, gjithnjë e më shumë dhe në mënyrë të papajtueshme po e shohin Amerikën si armik?

• A mundet Amerika të veproj me vendosmëri për ta zgjidhur konfliktin Izraelito-Palestinez, duke i ditur pretendimet e dyzuara por legjitime të të dy popujve në të njëjtën tokë?

• Çfarë kërkohet për të krijuar stabilitet politik në të ashtuquajturin “Ballkan i Ri Global”, që është i paqëndrueshëm dhe që gjendet në anën jugore të Euroazisë qendrore?

• A mundet Amerika të sajojë një partneritet të vërtetë me Evropën, duke marrë parasysh, progresin e sajë të ngadalshëm për unitet politik, por fuqinë e saj ekonomike në rritje?

• A mundet Rusia, e cila nuk është më rivale e Amerikës, të futet në një strukturë atlantike të udhëhequr nga Amerika?

• Çfarë duhet të jetë roli i Amerikës në Lindjen e Largët, duke e ditur që Japonia me ngurrim por ende vazhdon të varet nga SHBA-të – ashtu siç bën edhe fuqia e saj ushtarake në rritje – dhe rigjallërimin e fuqisë Kineze?

• Sa është e mundshme që globalizmi mund të ngjallë një kundër-doktrinë koherente apo një kundër-aleancë ndaj Amerikës?

• A po bëhen Demografia dhe shpërngulja kërcënime të reja për stabilitetin global?

• A përputhet kultura amerikane me një përgjegjësi në thelb perandorake?

• Si duhet të përgjigjet Amerika ndaj pabarabarësisë në shfaqje për çështjet njerëzore, të cilën revolucioni i tanishëm shkencor mund ta ngutë dhe të cilën globalizimi mund ta theksoj?

• A është demokracia Amerikane e përputhshme me një rol hegjemon, ndonëse ai mund të maskohet me kujdes? Sa do t’i prekin nevojat e sigurisë së këtij roli të veçantë të drejtat civile tradicionale?

Në këtë mënyrë, ky libër është pjesërisht parashikues dhe pjesërisht normativ. Pikënisja e tij, është që revolucioni i kohëve të fundit në teknologjitë e zhvilluara, veçanërisht në komunikime, promovon shfaqjen graduale të një komuniteti global me interesa gjithnjë e më të përbashkëta, me Amerikën në qendër të tij.

Mirëpo vet-izolimi i mundshëm i superfuqisë së vetme mund ta zhytë botën në një anarki përshkallëzuese, duke e bërë këtë ogur të keq gjithnjë e më real nga shpërndarja e armëve të shkatërrimit në masë.

Me Amerikën-duke e ditur rolin kontradiktor që ajo e luan në botë- e destinuar të jetë ose katalizatore për një komunitet global ose për një kaos global- amerikanët kanë përgjegjësi të veçantë historike të përcaktojnë se cila nga këto të dyja do të ndodhë.

Zgjedhja jonë është ndërmjet dominimit të botës dhe udhëheqjes së saj.
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi