EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ç'është meditimi?

2 posters

Shko poshtë

Ç'është meditimi? Empty Ç'është meditimi?

Mesazh  Xhemajl 16.08.10 15:23

Ç'është meditimi?

Meditimi është gjendje e jo-mendjes.

Meditimi është gjendje e vetëdijes së pastër, pa kurrfarë përmbajtjeje. Vetëdija juaj rëndom është përplot lëmishte, posi pasqyra e mbuluar me pluhur. Mendja është komunikacion i pandërprerë: mendimet janë në lëvizje, dëshirat janë në lëvizje, ndjenjat janë në lëvizje, ambiciet janë në lëvizje - është ky një komunikacion i pandërprerë!

▪ Nga dita në ditë, mendja madje funksionon edhe kur flini, ajo ëndërron. Ajo edhe më tej mendon, ende e mbysin brengat e mundimet. Përgatitet për ditën tjetër, në vazhdim është përgatitja e fshehtë.
Kjo nuk është gjendje meditimi. Meditimi është pikërisht e kundërta e kësaj. Kur nuk ka komunikacion dhe kur të menduarit ka pushuar, mendimet nuk lëvizin, dëshirat nuk zgjohen, krejtësisht jeni të qetë - ky qetim është meditimi.

Së pari duhet ditur ç' është meditimi.
çdo gjë tjetër vjen vetë.

Unë nuk mund të ju them se duhet të meditoni, mundem vetëm të ju sqaroj se ç' është meditimi. Po më kuptuat, do të jeni në meditim. Në meditim s'ka "duhet". Po nuk më kuptuat, nuk do të jeni në meditim.

E në atë qetim njihet e vërteta, assesi ndryshe. Meditimi është gjendje e jo-mendjes.
Nuk mund ta gjeni meditimin me anë të mendjes, pasi që mendja pandërprerë e përsërit vetveten. Meditimin mund ta gjeni vetëm duke mënjanuar mendjen, ashtu që të jeni të qetë, indiferentë, të mos identifikoheni me mendjen; ashtu që ta shikoni sesi mendja rrjedh, e të mos mendoni se jeni ju ajo mendje.

Meditimi është vetëdija për atë se unë nuk jam mendja. Kur vetëdija depërton gjithnjë e më thellë e më thellë në ju, dalëngadalë, vijnë disa çaste - çaste qetimi, çaste të hapësirës së pastër, çaste tejdukshmërie, çaste kur në ju asgjë nuk pipëtin dhe kur çdo gjë është e qetuar. Në këto çaste qetimi do të njihni se kush jeni (ju) dhe do të njihni misterin e kësaj ekzistence.

Vjen dita, dita e bekimit të madh, kur meditimi bëhet gjendje juaja e natyrshme.

Mendja është diçka jo e natyrshme, ajo kurrë nuk bëhet gjendje juaja natyrore. Sakaq, meditimi është gjendje e natyrshme - të cilën e kemi humbur. Kjo është parajsa e humbur, por parajsa mund të gjendet përsëri. Shikoni në sytë e fëmijës dhe keni për të parë qetimin e madh, miturinë.

Secili fëmijë në botë vjen me gjendje meditimi, por ai do të jetë i udhëzuar nëpër rrugët e shoqërisë - do të jetë i udhëzuar sesi të mendojë, sesi të llogarisë, sesi të gjykojë, sesi të argumentojë, duhet t'i mësojë fjalët, gjuhën, kuptimet.

Dhe, pak nga pak, ai e humb kontaktin me miturinë e vet. Bëhet i helmuar, i ndotur me shoqërinë. Bëhet mekanizëm i dobishëm, por pushon së qeni njeri.

E nevojshme është vetëm që të rifitohet ajo hapësirë. E keni njohur më parë, dhe kur të parën herë njoftoheni me meditimin, do të jeni të befasuar - pasi që në ju ka për t'u zgjuar ndjenja e mrekullueshme si ta kishit njohur që më parë. Dhe, kjo ndjenjë është e vërtetë: me të vërtetë e njihni që më parë. E keni harruar. Diamanti ka humbur në morinë e plehut. Por, po qe se atë mund ta zbuloni, përsëri keni për ta gjetur diamantin - juaji është.

Ai në të vërtetë nuk mund të humbasë: vetëm mund të jetë i harruar. Të lindur jemi si meditantë, më pastaj e mësojmë veprimtarinë e mendjes. Por, natyra jonë e vërtetë mbetet diku thellësisht e fshehur, si rrymë nëntokësore. Një ditë, me pak mihje, keni për të zbuluar se burimi nuk ka shterur, burimi i ujit freskues. Dhe gëzimi më i madh në jetë është ta gjesh burimin.

MEDITIMI NUK ëSHTë KONCENTRIM

Meditimi nuk është koncentrim. Në koncentrim ekziston subjekti i cili koncentrohet si edhe objekti në të cilin koncentrohet. Kjo është dualitet. Në meditim nuk është askush përbrenda dhe asgjë përjashta. E brendshmja rrjedh në të jashtmen, e jashtmja rrjedh në të brendshmen.

Më nuk ekziston kufizimi, s'ka kufi. E brendshmja është përjashta, e jashtmja është përbrenda, kjo është vetëdijëshmëria jo-duale.

Koncentrimi është vetëdijëshmëri duale: prandaj koncentrimi të lodhë, prandaj ndiheni të rraskapitur derisa jeni të koncentruar. Nuk mund të jeni të koncentruar njëzet e katër orë, patjetër do të merrnit leje për të pushuar. Koncentrimi kurrë nuk mund të jetë gjendje e lartë natyrore. Meditimi nuk ju lodhë, meditimi nuk ju molisë. Të meditoni mundeni njëzet e katër orë - nga dita në ditë, nga viti në vit. Meditimi mund të zgjasë përjetësisht.

Koncentrimi është akt, akt i vullnetshëm. Meditimi është gjendje e jo-vullnetit, gjendje e jo-aksionit. Ai vetvetiu është relaksim. Individi thjesht ka hyrë në qenien e vet individuale, e ajo është si edhe qenia e çdo gjëje. Në koncentrim mendja funksionon në bazë të vendimit: ju diçka bëni.

Koncentrimi rezulton nga e kaluara. Në meditim nuk ka vendim. Ju asgjë posaçërisht nuk bëni, thjeshtë jeni. Nuk ka në të të kaluar, është i pandotur me të kaluarën. Nuk ka në të të ardhme, i pastër është nga çfarëdo ardhmërie. Kjo është ajo që Lao Ce e quajti wei-wu-wei, veprim përmes joveprimit.

Kjo është ajo që mësuesit e Zenit kanë rrëfyer: Të rrish qetë, të mos bësh asgjë, pranvera vjen dhe bari rritet nga vetvetja. Mbajeni në mend: nga vetvetja - asgjë nuk keni bërë. Ju nuk e ngrehni barin përpjetë; pranvera vjen, dhe bari rritet nga vetvetja.

Kjo gjendje - kur jetës i lejoni që të shkojë rrjedhës së vet, kur nuk dëshironi që ta udhëhiqi atë, kur nuk dëshironi ta kontrolloni, kur nuk manipuloni me të e kur nuk i impononi kurrfarë disipline - kjo gjendje e pafrenuar e spontanitetit të pastër - kjo është meditimi.

Meditimi është në të tashmen, tashmëri e pastër. Meditimi është drejtpërdrejtshmëri. Nuk mund të meditoni, mund të jeni në meditim. Nuk mund të jeni në koncentrim, ndaj mund të koncentroheni. Koncentrimi është njerëzor, e meditimi është hyjnor.

ZGJEDHJA E MEDITIMIT

Që në fillim, gjeni diçka që ju përgjigjet. Meditimi nuk guxon të jetë angazhim i detyrueshëm. Nëse imponohet, i gjykuar do të jetë që nga vetë fillimi. Gjëja e imponuar kurrë nuk do të ju bëjë të natyrshëm. Nuk ka nevojë të krijoni konflikt të tepërt. Këtë duhet ta kuptoni, sepse mendja e posedon aftësinë natyrore të meditimit, nëse ia ofroni atë që i përgjigjet.

Nëse orientoheni me trup, ekziston mënyra me anë të së cilës mund të ngjiteni deri tek Perëndia me ndihmën e trupit, pasi që ai po ashtu i takon Perëndisë. Nëse e ndieni se po orientoheni me zemër, atëherë ajo mënyrë është lutja. Po qe se ndieni se po orientoheni përmes intelektit, atëherë ajo mënyrë është meditimi.

Por meditimet e mia në njëfarë mënyre janë ndryshe. Jam përpjekur t'i gjej metodat të cilat do të mund t'i përdornin që të tre tipat e përmendur.

Në to ka shumë trupësi, shumë zemër dhe shumë inteligjencë. E tërë kjo trini që ndodhet në to është e lidhur së bashku dhe ndikon ndrysh në tipa të ndryshëm.

Trupi, zemra, mendja - të gjitha meditimet e mia rrjedhin në të njëjtën mënyrë. Fillojnë nga trupi, e përshkojnë zemrën, depërtojnë deri tek mendja dhe e mbikalojnë atë.

Gjithmonë përkujtojeni: ajo në të cilën kënaqeni, mund të hyjë thellë në ju; vetëm ajo mund të hyjë thellë në ju. Kënaqësia në diçka thjesht do të thotë se ajo po ju përgjigjet. Ritmi i kënaqësisë harmonizohet me ju: ekziston harmonizimi subtil ndërmjet jush dhe asaj metode.

Kur njëherë kënaqeni në ndonjërën metodë, mos u bëni të pangopshëm; hyni në të aq sa mundeni. Mund të merreni me të një herë apo, nëse është e mundur, dy herë në ditë. Sa më tepër merreni me të, aq më tepër do të kënaqeni në të. Hidheni atë metodë vetëm nëse ju zhduket gëzimi, se atëherë më nuk është efektive. Kërkojeni metodën tjetër.

Asnjëra metodë nuk mund të ju sjell gjer tek vetë fundi. Gjatë udhëtimit shpesh do të jeni të detyruar t'i ndërroni trenat. Metoda e caktuar ju sjell gjer tek gjendja e caktuar. Përmbi atë, më tej, nuk është efektive, e keni shterur.

Për këtë duhet t'i mbani në mend dy gjëra: kur kënaqeni në ndonjërën metodë, hyni në të sa më thellë që mundeni, por kurrë mos u bëni të varur prej saj, pasi që një ditë edhe atë duhet ta hidhni. Po u bëtë tepër të varur prej saj, kjo është si droga; nuk mund ta lini. Më nuk kënaqeni në të - më asgjë nuk ju ofron - por ju është bërë shprehi. Mundeni edhe të vazhdoni, por silleni në qark; nuk mund të ju dërgojë më lart.

Prandaj, kijeni si kriter gëzimin. Nëse gëzimi është i pranishëm, vazhdoni, vazhdoni, gjer në çastin e fundit të gëzimit. Duhet ta shterni plotësisht. Nuk guxon të mbetet asnjë pikë e vetme lëngu. Por atëherë duhet të jeni të aftë ta lini. Zgjidheni ndonjë metodë tjetër e cila përsëri ju sjell gëzim. Njeriu duhet t'i ndërrojë shpesh. Kjo ndryshon tek njerëzit e ndryshëm, por një metodë e vetme shumë rrallë është e mjaftueshme për krejt udhëtimin.

Nuk ka nevojë të bëni shumë meditime njëkohësisht, se mund të bëni gjëra që ju hutojnë, kontradiktore, e kjo atëherë do të ishte dhembshme.

Zgjidhini dy meditime dhe mbani ato. Në të vërtetë, unë do të kisha dëshiruar ta zgjidhni një, kjo do të ishte më së miri. Më mirë është që më shpesh ta përsëritni njërën që ju përgjigjet. Në atë rast, ajo ka për të depërtuar gjithnjë e më thellë e më thellë. Ju i provoni shumë gjëra - një ditë njërën, ditën tjetër tjetrën. I trilloni edhe tuajat, e kësisoji mund të krijoni shumë pështjellim.

Në librin mbi Tantrën ka mbi njëqind e dymbëdhjetë lloje meditimesh. Mund të çmendeni. Edhe ashtu veçse jeni çmendur!

Meditimet s' janë naivitet. Ndonjëherë mund të jenë edhe të rrezikshme. Luani me mekanizmin subtil, tepër subtil të mendjes. Herë-herë ndonjë gjë e vogël, për të cilën as nuk keni qenë të vetëdijshëm se po e bëni, mund të bëhet e rrezikshme. Prandaj, kurrë mos provoni të trilloni dhe mos i krijoni "mish-mash"-metodat personale të meditimit. Zgjidhni dy dhe thjesht provojini për disa javë.

KRIJIMI I HAPëSIRëS

PëR MEDITIM


Mund të krijoni hapësirë të veçantë - një tempull të vogël apo një kthinë ku mund të meditoni për çdo ditë - nuk e përdorni atë kthinë për kurrfarë qëllimi tjetër, sepse çdo qëllim ka vibracionin e vet të veçantë. Atë kthinë e përdorni vetëm për meditim dhe për asgjë tjetër.

Atëherë ajo do të jetë e mbushur dhe ju do të ju presë për çdo ditë. Vendi do të ju ndihmojë; vetëm vendi do të krijojë vibrim të veçantë, atmosferë të veçantë në të cilën do të mund të shkoni gjithnjë e më thellë e më thellë, gjithnjë e më lehtë. Për këtë arsye janë krijuar tempujt, kishat e xhamitë - thjesht që të fitohet hapësirë e cila shërben vetëm për lutje dhe meditim.

Mund ta zgjidhni edhe kohën e përhershme për meditim e, edhe kjo ka për të ndihmuar shumë, sepse trupi juaj dhe mendja juaj janë mekanizëm. Po qe se çdo ditë drekoni në kohë të caktuar, trupi juaj në atë orë do ta kërkojë ushqimin.

Kur them të meditoni, e di se përmes meditimit askush s'arrin; por me meditim arrini deri tek pika
në të cilën jo-meditimi bëhet i mundshëm.


Nganjëherë madje edhe mund të lozni me këtë. Nëse zakonisht drekoni në ora një, dhe sahati tregon se pikërisht është ora një, do të ndieni uri - bile edhe po qe se sahati nuk është mirë dhe ora është njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë. E shikoni sahatin, kurse ai shënon orën një, dhe përnjëherë do ta ndieni urinë. Trupi juaj është mekanizëm.

Mendja juaj po ashtu është mekanizëm. Meditoni çdo ditë në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, dhe do të krijoni uri për meditimin në trupin dhe mendjen tuaj. Trupi dhe mendja juaj për çdo ditë, në kohë të caktuar, do të kërkojnë prej jush që të meditoni. Kjo ka për të ndihmuar. Në ju është krijuar hapësira e cila do të bëhet etje dhe uri.

Kjo është tepër mirë në fillim.

Derisa nuk vini gjer aty që meditimi të bëhet i natyrshëm dhe të mund të meditoni kudo qoftë, në cilindo vend dhe në cilëndo kohë - deri në atë moment përdorini këto burime mekanike të trupit e mendjes si ndihmesë.

Kur e fikni dritën, kur e ndizni në dhomë shkopin e caktuar aromatik, kur keni petkun e caktuar, kur arrini disponimin e caktuar, butësinë e caktuar, kur keni llojin e caktuar të shtrojës, kur zini pozicionin e caktuar të trupit - keni krijuar atmosferë të caktuar.

Krejt kjo ndihmon, por nuk ju sjell gjer tek meditimi. Tek ndonjë njeri tjetër krejt kjo mund të bëhet edhe pengesë. Njeriu duhet ta gjejë ritualin e vet, i cili është aty thjesht që t' ju ndihmojë që të ndiheni mirë dhe të pritni. E kur ndiheni mirë dhe kur pritni, ndodh meditimi; Perëndia ju vjen si ëndrra, Perëndia ju vjen si dashuria. Vetëm këto nuk mundeni as t'i ftoni as t'i merrni me përdhunë.

Meditimi është çelës për hapjen e dyerve të ekzistencës.

JINI Të çLIRUAR DHE Të NATYRSHëM

Njeriu mund magjepset me meditimin. Por, të magjepsurit është problem: keni qenë të magjepsur me paranë, tash jeni të magjepsur me meditimin. Nuk është problem paraja, magjepsja është problemi. Keni qenë të magjepsur me tregtinë, tash jeni të magjepsur me Perëndinë.

Nuk është problem tregtia, porse magjepsja. Njeriu duhet të jetë i çliruar dhe i natyrshëm, dhe jo i magjepsur me çfarëdo qoftë: as me mendjen, as me meditimin. Vetëm atëherë, kur nuk jeni të preokupuar, kur nuk jeni të magjepsur, kur thjesht rrymoni, ju ndodh ajo më e rëndësishmja.


OSHO
Xhemajl
Xhemajl

187


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ç'është meditimi? Empty Re: Ç'është meditimi?

Mesazh  Zattoo 15.09.10 10:47

RRËFIMI I VETVETES-MEDITIM

Të qënurit pjesë e një shoqërie plot paragjykime, shpeshherë nuk kemi kurajën të zbulojmë para të tjerëve, qoftë edhe ndaj nënës, të ashtuquajturën anë të errët.

Me ritmin e ditëve ecën edhe një dëshirë që të çon drejt një vetërrëfimi. Shoqëri të ndryshme e kanë zgjidhur në një mënyre tjetër, sa religjioze aq edhe njerëzore, ku një grup njerëzish, tërësisht të panjohur me njëri-tjetrin, rrëfejnë historitë e tyre, sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, si vetë karakteret njerëzore.

Brenda një dhome të errët, ku fytyrat marrin pamjen e siluetave gri, historitë njerëzore gdhenden njëra pas tjetrës, në muret rrethues të "odeonit" rrëfimtar. Kështu njeriu ndjen çlirim, aq më tepër kur dëgjon histori të ngjashme me tënden, beson se nuk je i vetëm.

Duke përqafuar që në vogëli idenë e pavarësisë, shpeshherë në udhëkryqe zgjedhim shtegun e gabuar dhe ashtu të verbër rendim drejt një "lirie", pa ia ditur as kuptimin termit.

Rrëzohemi dhe nga ndrojtja e ndonjë qortimi të mundshëm ngrihemi të heshtur, me plagën që pikon dhe përpiqemi të fshijmë çdo shenjë gjaku të mbetur.

Vraga të tilla kristalizohen me shpejtësinë e erës në memorien trunore dhe marrin formën e mjegullnajës me konturet e një pikëpyetjeje. Sa më shumë rendim drejt ideve tona, aq më shumë rritet kurba e rënieve dhe në përpjesëtim të drejtë me të edhe humnera që krijojmë me njerëzit më të afërt.

Derisa vjen një ditë dhe dialogu prindër-fëmijë ngushtohet në dy fraza, përshëndetje dhe mirupafshim. Refreni i ngjarjeve "të pahijshme" në sytë e nënës, ligjërohet në heshtje, në mbrëmjen e vonë, teksa flasim me hënën. Në monologun e gjatë sa vetë ditët e jetës, zgjohen odat e errëta dhe na duket se jeta është e mbushur me dështime dhe pesimizmi njom qepallat e rënduara.

Kjo jo për faktin se në jetë nuk ndodhin gjëra që të bëjnë të lumtur. Madje besimi se jeta është e mbushur më shumë me ndodhi të bukura, sesa me ato të hidhurat, kalon çdo kufi njerëzor, por se gjërat që na dhembin lenë gjurmë dhe zvarriten rreth nesh si anakondë.

Ka një ndryshim mes çasteve të këndshme dhe atyre të dhimbshme. Përjetimi dhe memorizimi. Të bukurat përjetohen në shpirt e zemër, ndërsa, ato të hidhurat si shtresë lymore zënë hapësirën e rrudhave të trurit, për të ngelur aty, të patrazuara.

Kjo është dhe arsyeja pse e njëjta lëngesë na vret me qindra herë, çdo moment kur hedhim vështrimin drejt vetvetes.

Skutat e errëta të ditëve që marrin kohën e shkuar, vegjetojnë në pritje të një shtytësi që të dalin nga guaska ku qëndrojnë prej kohësh. Sa më shumë kalon koha aq më tepër vështirësohet rrëfimi. Kthehet në një film që shfaqet vetëm në ekranin e vetvetes, pa më të voglin shikues.

Duke e brumosur, që kërthi, me frikën e gabimit dhe praninë e "mos-it", padashur, indirekt ushqehet dhe ndrojtja e të shprehurit të të ashtuquajturave "zgjedhje jo të dobishme në jetë".

Kështu ushqehet heshtja, nga e cila vështirë të dalësh dhe vjen një moment që bota duket tërësisht e huaj dhe papritur e ndjen veten të vetmuar, mes njerëzve.

Argentina Tanushi
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ç'është meditimi? Empty Meditimi - vetedijesimi!

Mesazh  Xhemajl 02.12.10 18:52

Ruajtja e energjisë, shija e jetës, bukuria mahnitëse e qenësisë – përjetohet VETËM kur të krijohet QENDRA E DËSHMITARIT. Kjo është pika më e lartë e ngritjës shpirtërore, kur njeriu jeton në tash, në sot e në këtu, madje plotësisht i tërësishëm.

Pse na duhet kjo arritje? Sepse: ne e harxhojmë energjinë kot. Duke menduar për dje, duke shpresuar për nesër, energjia jonë shkon në pakthim pa asnjë përfitim.
Qysh humbë energjia?

Ta provojmë me një shembull të thjeshtë: uluni në një fotele të mirë, që iu përgjigjet anatomikisht, kur tërë trupi ju pushon mirë e këndshëm, dhe: mendoni një orë të plotë për dhjetë probleme të rënda: familjare, politike, ekonomike... Pas një ore do të jeni të lodhur sa të kishit punuar 8 orë në minierë. Pse? Sepse energjia i ndjek mendimet dhe harxhohet. Në këtë situatë arrihet apatia, jetës i humbë kuptimi, sepse mendja pa energji është e topitur, kufomë e gjallë.
Kur të ndërpriten të gjitha mendimet, kur ulesh në qetësi PA ASNJË MENDIM, kur dëgjohet vetëm pulsimi i jetës, kur VETËM JE, dhe të gjitha mendimet vijnë e shkojnë, kur ti nuk merr pjesë dhe vetëm i vrojton, pra, kur arrinë të bëhesh DËSHMITAR, atëherë pikëtakohesh me qenësinë tënde të vërtetë.

Të gjitha që ndodhin në sipërfaqe të trupit – janë reaksione. Ato që ndodhin në thellësinë tënde, në qenësinë tënde – janë aksione pasive. Janë të tërësishme dhe të vërteta. Reaksionet janë gjithnjë të pjesëshme, sepse sipërfaqëja, jashtësia kurrë nuk e përbënë tërësinë. Qenësia gjithnjë ta dhuron qenësinë!

Të përpiqemi ta kuptojmë thellësisht këtë gjendje: ti dashuron, por në qoftë se dashuron nga reaksionet e jashtësisë, kjo dashuri gjithnjë do të jetë parciale, e pjesërishme, fragmentare. E kjo do të thotë shumë, sepse kur dashuria nuk është e tërësishme, hapësirën tjetër të zbrazët do ta plotësojë urrejtja. Në qoftë se mirësia jote është e pjesërishme, hapësirën e zbrazët do ta plotësojë shëmtia... Për këtë shkak çdo akt i pjesërishëm, patjetër se do të jetë kundërthënës dhe në armiqsëi me qenësinë. Çdo akt do të jetë i tërësishëm vetëm nëse buron nga qendra!

Praktikisht e konkretisht si duket postulati më i lartë, qendra e dëshmitarit?
Shumë thjeshtë: kur ha bukë – vetëm ha dhe asnjë mendim dhe asnjë veprim tjetër! Kur pi ujë, pi ujë dhe – asnjë mendim. Kur je në shëtitje – vetëm shëtit, thjeshtë: shëtit, asgjë tjetër. Bëhu dëshmitar i vetvetes: vështrojë mendimet tua, por mos u bë pjesë e tyre; shihe veten duke shëtitur, por pa fjalë, pa mendime...

Ky është MEDITIM. Qendra e dëshmitarit është edhe qendra e qenësisë tënde.
Kjo je ti. Të tjerat janë reaksione në raportet e jetës lineare, pra janë: shoqëria, egoja, lineariteti sipërfaqësor, fragmentarizmi jetësor... prandaj mbetesh pa kreativitet, pa sukses, pa shëndet të mirë e me shumë e shumë DËSHTIME.

Vetëdijsohu! Bëhu qendër e dëshmitarit. Vëreje me kujdes secilin veprim (nëse mund të largohesh nga veprimet robotike!), mos racionalizo, por vështro! Përkujtoja vetvetes se ti nuk je jashtësia, ambalazhi, por je QENËSIA!
Ky hap i vogël, fare i vogël, secilit njeri ia mundëson arritjet më të mëdha në jetë, si: në dashuri, në mësim, në kreativitet, në qetësi e harmoni shpirtërore, në lumturinë e përgjithshme.

Njëri prej ligjeve të universit thotë: bën pak e arrijë shumë! Pra: fillo me pak, por fillo. Rezultatet nuk do të mungojnë. Por fillo më të vërtetë! Mos aktro. Mos fantazo, por bëje!

Nga Daut Demaku.
Xhemajl
Xhemajl

187


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ç'është meditimi? Empty Re: Ç'është meditimi?

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi