EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sekte

3 posters

Shko poshtë

Sekte Empty Sekte

Mesazh  Erikson 28.04.10 12:07

Sektet e fshehta

Sekte Sectes10

Në SHBA gjenden gati 3.000 sekte me rreth 3 milion pasues.

Në Britaninë e Madhe gjenden gati gjysëm milioni njerëz që iu përkasin njërës nga sektet e fshehta, numri i të cilave llogaritet në 500, ndërsa në SHBA gjenden gati 3.000 sekte me rreth 3 milion pasues.

Ky numër është frikësues, sepse zbulon boshllëkun shpirtëror nga i cili vuan sot njeriu në Perëndim, ndërkohë që këto sekte pretendojnë se mund ta mbushin atë.Kjo është edhe arsyeja kryesore e suksesit të këtyre sekteve, mësimet e të cilëve mund të duken si të çuditshme dhe jollogjike.

Ata pretendojnë se zotërojnë përgjigje për çdo pyetje dhe mbi të gjitha për atë më kryesoren: kuptimin e jetës. Kjo është pyetja së cilës Perëndimi, me gjithë zhvillimin e tij teknollogjiko-shkencor, nuk ka mundur t'i japë një përgjigje bindëse.

Gjithashtu këta sekte pretendojnë se kanë në dorë zgjidhjen për të gjitha problemet që ka krijuar qytetërimi perëndimor: sëmundjet, stresin, çmendurinë, ankthet etj. Të gjitha këto përgjigje janë sipërfaqësore, por të pëlqyeshme për ata që i kanë humbur shpresat në këtë jetë.

Suksesi i tyre gjendet edhe në shfrytëzimin nga ana e tyre të nevojës së njerëzimit për fetarizëm.

Ndonëse qytetërimi perëndimor pretendon se fetarizmi është rruga e të dobtëve dhe supersticiozëve, megjithatë ai vuan nga nevoja për besim me çdo kusht, e cila është instikt natyror i pranishëm tek ai dhe nëse feja nuk paraqitet tek ai, ai do ta kërkojë atë në këto sekte apo gjetiu.

Ky kërkim është fillimi në eksperiencën e çdo personi të lidhur me njërin nga këto sekte, eksperienca e kërkimit të fesë dhe së vërtetës.

Nuk ekziston ndonjë përkufizim i caktuar për fjalën "sekt" në kuptimin "kult", por shkurtimisht me të kuptohet një grup njerëzish të cilët bashkohen rreth disa praktikave të caktuara nëpërmjet dominimit mendor dhe "larjes së trurit", grup i cili veçohet nga njerëzit e tjerë ne mënyrë ekstremiste.

Sektet dallohen nga grupimet e tjera se:

1. i tërheqin njerëzit drejt vetes me anë të dhënies së njohurive të gabuara dhe mashtruese,

2. përfitojnë materialisht nga anëtarët e tyre, duke iu zhvatur paratë drejtpërdrejt ose duke i detyruar që të kryejnë punë falas ose me rroga të vogla,

3. i izolojnë ithtarët e tyre nga çdo mendim tjetër të ndryshëm nga ai i sektit dhe mbjellin tek ta urrejtjen për besimet e të tjerëve,

4. shkaktojnë probleme familjare dhe bëhen shkak për divorce, mosbindje ndaj prindërve dhe largime nga shtëpia.


SI I RUAJNË SEKTET ANËTARËT E TYRE?


Në fillim, sekti nuk i ngarkon anëtarit të ri asnjë detyrë dhe e rrethon atë me lehtësira, interesim dhe përkujdesje, gjë për të cilën ai ka nevojë në fillim të anëtarësimit. Më pas, shkallë-shkallë dhe me metoda të ndryshme, fillon operacioni i "larjes së trurit".

Ithtarit të ri i ndalohet marrja e informacioneve të jashtme nga burimet e medias dhe bisedat me ata që nuk i përkasin sektit, gjë e cila është e lehtë për sektet, të cilët i detyrojnë ithtarët e tyre që të arratisen nga shtëpia dhe të jetojnë nëpër ferma.

Gjithashtu, kjo gjë realizohet edhe duke i detyruar anëtarët e sektit që të flenë pak (e shumta 4 orë në ditë) dhe duke mos i lejuar ata që të konsumojnë ushqim të plotë dhe të mjaftueshëm, (sidomos lëndë proteinike), në mënyrë që të jenë të dobët fizikisht dhe mendërisht.

Ata përpunohen që të pranojnë pa kundërshtim çdo mendim të sektit dhe ngarkohen me punë të rënda, duke iu hequr mundësinë e të medituarit dhe qëndrimit vetëm. Tipari kryesor që i dallon sektet e fshehta është aftësia e tyre për të dominuar mendjet e anëtarëve , të cilët zbatojnë automatikisht çdo gjë që iu kërkohet, bile edhe vdekjen.

Një gjë e tillë vihet re në rastin e Çarls Mensonit, i cili iu kërkonte ithtarëve të tij të kryenin vetëvrasje kolektive dhe në atë të Xhim Xhonsit, i cili arriti të bindë 913 ithtarë të tij të kryenin vetëvrasje duke pirë helm.


KUSH FUTET NËPËR SEKTE?


Në Britani, të gjitha shtresat janë të prekura nga përkatësia nëpër sekte, por ka disa shtresa me të prekura se të tjerat si p.sh të bardhët, që i përkasin shtresës së mesme, shumica e të cilëve kanë arsim të mesëm dhe të lartë. Sektet fetare preferojnë të rinjtë që janë në lulen e moshës rreth të njëzetave. Mosha ideale për sektin MOONIES është 20 vjeç, sepse ata janë më të aftë që të përballojnë detyrimet trupore te sektit. Kjo është edhe arsyeja që këto sekte përhapen kryesisht nëpër universitete.

Nga ana tjetër sektet të tjera, interesi i të cilëve janë paratë para së gjithash, mundohen të tërheqin ata që janë mbi të tridhjetat dhe që kanë para. Ndodh shumë rrallë që sektet të mundohen të tërheqin ata që janë mbi 60 vjeç.

Rrezikshmëria e disa prej këtyre sekteve qëndron në kohën që i duhet ish-anëtarit për t'u kuruar nga pasojat e ndikimit të sektit mbi të. Sekti më i rrezikshëm është Sajëntolloxhi (SCIENTOLOGY), kurimi psikik nga pasojat e ndikimit të të cilit zgjat normalisht 2 vjet ose 14 muaj në rastin e terapisë intensive. Pas tij vijnë Muniz (MOONIES) me 16 muaj dhe Hare Krishna (HARE KRISHNA) me 11 muaj.

Periudha e kurimit nuk kushtëzohet vetëm nga periudha kohore që ka kaluar anëtari në sekt, por ajo varet edhe nga lloji i "larjes së trurit", të cilit i është nënshtruar. Sekti më i rrezikshëm Sajëntolloxhi e detyron anëtarin e tij të punojë 45 orë në javë, kohë kjo e vogël po ta krahasosh me atë të Muniz 53 orë dhe Hare Krishna 70 orë.


SATANISTËT


Numri i ithtarëve të sektit të satanistëve arrin në rreth 10.000 dhe statistikat tregojnë se mosha mesatare e atyre që futen në të është 23 vjeç, ndërkohë që moshat e tjera luhaten nga 18 deri 75 vjeç.

Meshkujt përbëjnë 80% të sektit dhe shumica e tyre ka një nivel të mirë arsimimi, të mesëm ose të lartë. Kërkimet tregojnë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e të rinjve aktivë të këtij sekti janë meshkuj të bardhë, të cilët iu përkasin shtresës së mesme dhe asaj të lartë, me një zhvillim mendor mbi mesataren.

Është e rëndësishme të dallojmë satanistët si sekt dhe magianët (MAGIANS) si një grup krejtësisht i shkëputur. Në përgjithësi, magianët në Perëndim janë ithtarë të një feje të lashtë pagane, historia e së cilës daton përpara lindjes së Krishtit, ndaj nuk kanë asnjë lidhje me fenë e krishterë.

Satanistët kundërshtojnë Krishtin dhe adhurojnë Shejtanin (Iblisin). Ata deklarojnë se luftojnë idenë e hyjnueshmërisë, sepse ajo është e bazuar në fe. Ithtarët e këtij sekti besojnë se fuqia e mendjes njerëzore është më e madhe se çdo forcë tjetër dhe se me pak stërvitje, ajo mund të bëjë ç'të dojë.

Historia e lindjes së këtij sekti daton që në Mesjetë, kur ithtarët e tij iu nënshtroheshin formave të ndryshme të përndjekjeve, torturave dhe vrasjeve nga ana e pushtetit kishtar. Në vend që fushata të tilla spastrimi të çonin në zhdukjen e këtij sekti, ndodhi e kundërta: rritja e popullaritetit të tij.

Njerëzit i urrenin përndjekjet e kishës dhe simpatizonin viktimat e saj, cilido që të ishte besimi i tyre. Në fund të shekullit XVIII, sekti i satanistëve u rrit dhe mësimet e tij filluan të lulëzonin dalëngadalë gjatë procesit të shkëputjes së tij nga lëvizjet masone dhe kuekeriste në Britani.

Synimet e këtij sekti përmblidhen shkurt në atë se ai lufton mësimet e të gjitha feve dhe kërkon shkatërrimin e tyre. Ai pasqyron mendimet dominuese dhe shndërron të keqen në të mirë dhe anasjelltas, sepse ithtarët e tij besojnë se ekuilibrat e këtyre nocioneve nuk janë të përjetshme, për shkak se janë vendosur nga fetë për të dominuar mendjen njerëzore.

Sekti i argumenton këto besime me mendimet e Aristotelit dhe ateistit Niçe. Ai kujdeset që ithtarët e tij të shtrijnë ndikimin e tyre mbi opinionin publik, që ky i fundit të sulmojë besimet e të tjerëve dhe të kryejë akte vandale si djegien e gjërave të shenjta, dhunimin e varreve dhe nxjerrjen jashtë të kufomave etj.

Vrasja konsiderohet si sjellja më e lartë satanike që mund të kryejë sekti, sepse ata besojnë se vrasja ndihmon në nxjerrjen e fuqisë magjike nga viktima dhe futjen e saj tek ithtarët, gjë e cila ngre nivelin e funksionimit të tyre mendor. Si viktima përdoren kryesisht kafshët, të cilat preferohen të jenë të vogla dhe të virgjëra, sepse sipas tyre fuqia magjike e tyre është më e madhe.

Ato theren në mes të rrethit të formuar nga njerëzit, të cilët kërcejnë lakuriq. Fuqia e arrin kulmin kur viktima është njeri dhe mundësisht fëmijë mashkull me zhvillim mendor mbi mesataren. Përveç vrasjeve, sekti praktikon edhe marrëdhëniet e shthurura seksuale dhe perversitetin, si një mjet tjetër për nxjerrjen e fuqisë magjike.

Sekti i satanistëve ndahet në pesë degë kryesore, nga të cilat katër janë në nivel organizimi vetjak dhe të ngushtë, ndërsa e pesta është në nivel kolektiv dhe më e rëndësishmja prej tyre.

Qendra zyrtare e kësaj dege konsiderohet Kisha e Shejtanit në SHBA, e themeluar më 1966 nga Anton Lavej (Anton LaVey), por për shkak të skandaleve që ndodhnin në të, në fund të viteve '70 prej saj u shkëputën shumë grupe, disa prej të cilëve u ngulitën në Britani dhe ngritën kishën e tyre.

Ky sekt i përhap mendimet e tij shkatërrimtare për shoqërinë njerëzore me mënyra të ndryshme: nëpërmjet grupeve muzikore heavy-metal, kasetave, videove etj. Dihet botërisht se shumë nga grupet e muzikës rock si Metallica, Black Sabbath, Megadeath etj, i përkasin këtij sekti të mallkuar.

Në tekstet e këngëve të tyre flitet për Shejtanin, vetëvrasjen, homoseksualizmin etj. Është për t'u shqetësuar që kasetat e këtyre janë përhapur në shumë vende islame duke shurdhuar veshët e të rinjve që i dëgjojnë dhe i mësojnë përmendësh pa e kuptuar rrezikshmërinë e fjalëve të tyre që bëjnë thirrje për mohimin e Allahut dhe adhurimin e Shejtanit. Zoti na ruajtë nga to!


KISHA UNITARIANE ose MUNIZ


Ky sekt njihet ndryshe me emrin Kisha Unitariane (Unification Church) dhe cilësohet si një nga sektet e fshehta më të rrezikshme. Në mesin e viteve '70, në fillimin e veprimtarisë së tij në Britani, ky sekt u përball me shumë fushata sulmesh nga massmedia.

Sekti e ka marrë emrin nga themeluesi i tij Sun Mjung Muni, i cili u lind më 1920 në Korenë e Veriut. Ithtarët e tij besojnë se ai është Mesia i dërguar për të plotësuar atë që "nuk e kreu" Isai (a.s.)!!! Më 1936, kur ishte 16 vjeç, Munit "ju shfaq Jezusi, i cili kërkoi prej tij që të çonte deri në fund atë detyrë që ai nuk mundi ta kryejë".

Muni beson se Mesia nuk duhej të "kryqëzohej", por të jetonte në mënyrë të natyrshme, të martohej dhe të lindte fëmijë, të cilët nuk do të trashëgonin "mëkatin" e Adamit, do të shtoheshin dhe do t'ia ndryshonin për të mirë faqen botës.

Ai beson se njerëzimi e ka trashëguar mëkatin nga Adami dhe Eva, gjë e cila ka vazhduar brez pas brezi për shkak të marrëdhënieve të ndaluara seksuale dhe se kur Mesia "u kryqëzua", bota mbeti pa u pastruar.

Kështu që Zoti dërgoi Munin për të plotësuar detyrën e pastrimit të saj dhe për këtë shkak, sekti iu ndalon anëtarëve të tij pirjen e duhanit, alkoolit, përdorimin e drogës dhe ç'është më e rëndësishmja: marrëdhëniet seksuale paramartesore.

Në prani të atyre që nuk bëjnë pjesë në sekt, anëtari i tij nuk e deklaron se Muni është Mesia, por të gjithë e dinë se ky sekt e hyjnizon prijësin e tij shpirtëror. Në librin e tij "Parime Hyjnore", për të cilin Muni beson se do të konkurojë dhe vetë Ungjillin, ai thotë: "Zoti e dërgoi të dërguarin e tij për të zgjidhur të gjitha problemet e jetës dhe gjithësisë, dhe ky i dërguar quhet Sun Mjung Mun".

Duke dashur që të shtojë numrin e të pastërve mbi tokë, ai ka lindur 13 fëmijë me gruan e tij të tretë, të njohur nga ithtarët e sektit të tij si "Nëna Hyjnore", ndërsa dy gratë e para i ndau me pretekstin se nuk ishin në nivelin e shenjtërisë së jetës bashkëshortore hyjnore.

Gjithashtu Muni pretendon se pas takimit të tij me Mesinë në vitin 1936, ka ndenjur shtatë vjet duke shkruar librin e tij "Parime Hyjnore", i cili është libri i shenjtë i sektit. Më 1972 Muni i tha ithtarëve të tij se Zoti iu shfaq në ëndërr dhe e urdhëroi ta shpërngulte Kishën e tij në SHBA, duke mos treguar asnjë shkak. Sekti duhej të blinte një sipërfaqe të madhe toke në SHBA dhe të fillonte ndërtimin e Kishës. Që nga viti 1959, sekti kishte ithtarë në SHBA.

Përveç kësaj kishe, sekti zotëron shumë toka në rajone të ndryshme të botës, hotele dhe gazeta (ndërmjet të cilave "Uashington Tajmz") në SHBA, pasuri të patundshme në Japoni, Kore dhe Amerikën Latine.

Në rritjen e të ardhurave , sekti mbështetet edhe në shitjet që ithtarët e sektit u bëjnë kalimtarëve në rrugë.

Ata shesin piktura, bizhuteri, gjëra të përdorimit të përditshëm etj që i prodhojnë vetë. Në Japoni, ithtarët e Muniz iu vardisen njerëzve të zakonshëm që t'i blejnë këto prodhime, duke iu premtuar se për këtë blerje ata do të hyjnë në parajsë. Një herë gazetarët që punojnë në gazetën e sektit u detyruan të dalin në rrugë për të shitur, në mënyrë që të tubonin para për mbulimin e humbjeve të gazetës.

Megjithëse Muni, themeluesi i sektit, ka jetuar shumë vjet në SHBA, ai nuk e zotëron anglishten, dhe të gjithë predikimet i mban në gjuhën koreane. Megjithatë ai është i famshëm dhe ka admirues të shumë në të katër anët e Amerikës. Muni është shumë i pasur dhe zotëron një rrjet të gjërë ndërmarrjesh tregtare.

Për shkak se në predikimet e tij sulmon komunizmin, ka lidhje personale me disa presidentë amerikanë dhe është takuar më ish-presidentin Riçard Nikson.

Më 1982, autoritetet amerikane e arrestuan nën akuzën për evazion fiskal dhe fallsifikim të disa dokumentave zyrtare, kështu që kaloi 18 muaj në burg. Burgosjen e tij, Muni e justifikoi si urdhër nga Zoti për t'iu përkushtuar detyrave të tij jetësore dhe të bënte planin për bashkimin e të gjitha kishave të botës nën ombrellën e tij.

Ai beson se kisha e tij është e vetmja kishë e ligjshme dhe se mësimet e tij ia kalojnë edhe vetë mësimeve të Krishtit.

Gjëja që e ka bërë këtë sekt të tërheqë një numër të madh njerëzish është përfshirja në të e të gjithë atyre që duan t'u ikin përgjegjësive të jetës dhe të cilët duan që dikush tjetër të vendosë për të ardhmen e tyre.

Sekti ua siguron të gjitha këto, duke filluar më marrjen e përgjegjësive shoqërore dhe ekonomike, dhe duke mbaruar me furnizimin me sapun, pastë dhëmbësh etj. Është për t'u habitur se shumica e anëtarëve të sektit i përkasin shtresës së mesme të shoqërisë dhe kanë një nivel të mirë të zgjuarsisë.

Ata preferojnë futjen në sekt, sepse ky i fundit u heq nga shpina mundin e të menduarit. Suksesi i sektit Muniz qëndron në dështimin e shoqërisë europiane në përgatitjen e individit për përballimin e vështirësive të jetës dhe mbajtjen e përgjegjësive të tij.


MORMONËT - "KISHA E JEZU KRISHTIT E SHENJTORËVE TË MËVONSHËM"


Perëndia Elohim jeton së bashku me gratë e tij të shumta në një planet larg nga Toka, i zënë me lindjen e fëmijëve shpirtërorë. Që të mund të jetojë në trup, fëmijës shpirtëror i duhet të presë lindjen e një fëmije njeriu në planetin Tokë.

Nëse vepron kështu dhe ndjek me përpikmëri mësimet e të atit, perëndisë Elohim; i fal 1/10 e pasurisë së tij Kishës dhe praktikon në Tokë liturgjinë e sektit të fshehtë, bëhet perëndi si i ati.

Ky perëndi i ri mund të shkojë në cilindo planet që të dëshirojë për të jetuar me gratë e tij të shumta dhe për të lindur fëmijë shpirtërorë, të cilët zbrasin në Tokë dhe veprojnë si i ati i tyre.

Kështu vazhdon jeta në tokë. Sipas këtij besimi, ekzistojnë miliarda perëndi të vogla të shpërndara nëpër planetë të ndryshëm. Ky tregim mund t'iu duket si pjesë e ndonjë romani fantastiko-shkencor, por nuk është ashtu. Ai është besimi i më se 7 milionë njerëzve ithtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Mëvonshëm, të cilët njihen ndryshe me emrin mormonë.

Lindja e këtij sekti daton në fillimet e shek. XIX kur një njeri nga Nju Jorku i quajtur Xhozef Smith (Joseph Smith) deklaroi se Zoti i kishte shpallur atij se të gjitha sektet e krishtera ishin të humbura, ndaj nuk duhet të hynte në asnjërin prej tyre, por të priste udhëzime të mëtejshme në të ardhmen.

Pas tre vjetësh, atij iu paraqit engjëlli dhe e njoftoi për ekzistencën e disa pllakave të arta të groposura në një vend të Amerikës, në të cilat ishte shkruar tregimi i vërtetë mbi jetën e Jezusit dhe popullit të tij.

Sipas tyre, tre nga pasardhësit e 12 fiseve të Izraelit ishin ata që i kishin groposur pllakat. Smithi i mori këto pllaka dhe i përktheu në anglisht në një libër të quajtur "Libri i Mormonit", i cili sot është përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Mormon quhej njeriu që rregjistroi mbi këto pllaka historinë e Mesisë dhe Amerikës.

Në libër pretendohet se Mesia "u ngrit pas kryqëzimit, u kthye në Tokë, u ngulit në Amerikë dhe mori pjesë në shumë luftra të gjata". Gjithashtu në të flitet për shumë ngjarje që gjoja kanë ndodhur në Amerikë, por gjeollogët dhe historianët nuk ia kanë dalë t'i gjejnë një renditje historike këtyre ngjarjeve.

Sekti mbron shumë pikëpamje raciste të nxjerra nga burime të shtrembëruara fetare. Mormonët besojnë se ndërmjet Shejtanit dhe Jezusit ka ndodhur një konflikt rreth së ardhmes së njerëzimit mbi Tokë. Shejtani mendonte që të gjithë njerëzit të shndërroheshin në shpirtra hyjnorë, kurse Jezusi mendonte që njeriu duhej lënë të zgjidhte vetë.

Kur perëndia Elohim filloi t'i propozonte Jezusit, Shejtani u zemërua shumë dhe vendosi të hakmerrej ndaj njerëzve. Ushtritë e shpirtrave të këqinj futeshin në trupat e njerëzve dhe ia prishnin Jezusit punën në tokë.

Ushtritë e Shejtanit ishin njerëzit e zinj, ndërsa të Jezusit njerëzit e bardhë. Vetëm më 1978, nën presionin e jashtëm, mormonët e ndryshuan pak pikëpamjen e tyre raciste dhe u detyruan të pranojnë disa zezakë në kishën e tyre.

Mormonët besojnë se perëndia Elohim ka zbritur dy herë në tokë në formën e njeriut: herën e parë në formën e Adamit dhe Evës, ndërsa herën e dytë për të lindur me Merjemen Jezusin!!! I pastër dhe larg është Zoti nga ajo që thonë jobesimtarët!

Gjatë jetës së tij, Smithi u martua me 84 gra nën pretekstin se Zoti ka gra të shumta dhe se çdo profet ka qenë martuar me mbi dhjetë gra. Megjithatë, i detyruar nga ligjet angleze dhe ato amerikane, sekti e ndaloi poligaminë. Më 27 qershor 1844, Xhozef Smithi u vra nga një turmë e armatosur në qytetin Carthage të shtetit Ilinois.

Dokumentat historikë tregojnë se Smithi ishte mason dhe arriti deri në shkallët më të larta të masonizmit. Ky fakt shpjegon ngjashmërinë ndërmjet mësimeve të kishës së tij dhe disa liturgjive masone, bile historia e pllakave është marrë tërësisht nga literatura masone.

Sekti ka shumë liturgji të çuditshme si psh veshja e një lloj tekstili nën rrobat e zakonshme, e cila gjoja i mbron ata nga fuqitë e së keqes. Disa ithtarë të Smithit besojnë se sikur ai ta kishte veshur atë ditën e vrasjes, askush nuk do të kishte mundur ta vriste dot. Gjithashtu anëtarët e sektit mblidhen në një kishë të posaçme për të bërë betimin për besnikëri ndaj mësimeve të sektit.

Mormonët zotërojnë biznese të shumta në Amerikë dhe Europë. Mdonëse shumica e anëtarëve të sektit nuk janë të pasur, kisha zotëron pjesën më të madhe të aksioneve të gazetës "Dhë Los Anxheles Tajms" ("The Los Angeles Times") dhe shumë stacione gjigande radiotelevizive, ndërsa në ishujt Havaj ajo ka shumë spitale, hotele, ferma, supermarkete dhe të tjera pasuri të patundshme. Mormonët vendosin në dhomat e hoteleve dhe spitaleve të tyre kopje të librit të tyre të "shenjtë" si një mjet efikas propagande.

Unë personalisht kam pasur disa përvoja me Mormonët në Britani. Së pari, më 1988 kur një grua jugosllave vizitoi xhaminë e qytetit të Oksfordit, duke u hequr se donte të njihej me Islamin, por e vërteta ishte se ajo donte të propagandonte mësimet e mormonëve. Këtë gjë e zbuluan më vonë pas takimesh të gjata duke debatuar mbi fetë.

Më 1989, vizitova qendrën e tyre në Londër dhe pashë disa videokaseta që sekti ia tregon vizitorëve të Kishës, të cilat tregojnë për takimet me njerëz që kanë hyrë në sekt dhe se si "ka ndryshuar për mirë" jeta e tyre. Kisha u kërkon vizitorëve adresën e shtëpisë për t'i vizituar dhe dërguar botimet e saj.

Më 1993, për herë të tretë, vizitova qendrën e tyre të re të ngritur në njërën nga lagjet në të pasura të Londrës. Më priti vetë drejtori i qendrës, një qytetar amerikan, i cili më bëri një përshkrim historik të mormonëve, duke më treguar fotografitë e disa misionarëve të sektit nga të katër anët e botës, numri i të cilëve arrin në 45.000 vetë.

Drejtori ishte simpatizant i madh i Izraelit dhe na tha: "Prania çifute në Palestinë është realizim i profecisë së profetit tonë Xhozef Smith". Kjo gjë nuk duhet të na çudisë, sepse mormonët kanë një qendër të madhe në Tel Aviv dhe se Xhozef Smithi, siç tregojnë dokumentat historike, ishte mason i rangut të 33-të.


KISHA SAJËNTOLLOGJISTE


Ndërsa ecin në rrugën Totenhem Kort Roud të mbushur me dyqane, rrugë e cila gjendet në qendër të Londrës, kalimtarët ndeshen me një të ri që mban në dorë një copë letër në të cilën shkruhet "Njih vetveten".

Nëse ndonjëri nga ata tregon interesim për të njohur veten e tij, hyn në një dyqan të vogël, ulet dhe i përgjigjet shumë pyetjeve që lidhen më jetën e tij personale. Janë rreth 200 pyetje si psh: "A zemërohesh shpejt? A ke kujtesë të fortë? A të duan njerëzit? A je personalitet udhëheqës?" etj.

Me pas përgjigjet futen në kompjuter, i cili i lexon dhe nxjerr një raport "asnjanës" të gjendjes së tij psikike.

Në përgjithësi, raporti është negativ dhe kompjuteri përcakton se personi ka menduar më se një herë për të kryer vetëvrasje. Nëpunësit e këshillojnë atë për domosdoshmërinë e blerjes së një libri më titull "Dianetika" (Dianetics) që e ndihmon për t'u shëruar dhe ndjekjen e kurseve që organizon qendra.

Nëse ai pranon ta blejë librin dhe të ndjekë kurset, atëherë fillon një udhëtim i gjatë në botën e Sajëntolloxhi (Scientology). Ky është sekti më i rrezikshëm i shfaqur në SHBA dhe Britani. Kurimi i pasojave të ndikimit të këtij sekti kërkon disa vjet edhe sikur periudha e qëndrimit në të të mos jetë veçse disa muaj.

Ithtarët e sektit Sajëntolloxhi pretendojnë se numri i tyre arrin në 7 milionë, por numri i vërtetë i tyre nuk e kalon shifrën 100.000. Megjithatë ai është sekti më i madh dhe më i rrezikshëm në Britani. Sekti u formua nga amerikani Ronald Habërd (Ronald Hubbard), i cili u lind më 1911 dhe vdiq më 1986.

Ai është autori i librit "Dianetika" (Dianetics) për gjoja zgjidhjen e problemeve psikike, mendore dhe trupore. Habërdi ka lënë një fjalë të famshme: "Rruga më e lehtë për t'u pasuruar është shpikja e një feje të re" dhe më të vërtetë, kjo është rrugë e lehtë në Perëndim, ku jeta e shfrenuar e konsumit dhe të gjithë njerëzit kërkojnë një rrugedalje nga ky rreth vicioz.

Megjithëse Ron Habërdi u lind në një familje të thjeshtë, pas vdekjes, autoritetet amerikane e vlerësuan pasurinë e tij në 500 milionë dollarë, shumica e të cilës ka ardhur nga shitjet e librit të tij.

Ky sekt nuk ka asnjë lidhje apo ngjashmëri me ndonjë nga fetë qiellore apo joqiellore, sepse anëtarët e tij nuk besojnë në dhënien e llogarisë, në xhennet dhe xhehennem, bile Habërdi, në fillim të karrierës së tij, nuk e pranonte ekzistencën e profetëve me në krye Jezusin, por më vonë u tërhoq nga ky mendim dhe besoi në ekzistencën e tij. Megjithatë ai ka thënë për ta disa fjalë që nuk i përshtaten profetëve të Zotit.

Qëllimi i vërtetë i sektit nuk është aq fetar sa ç'është materialist dhe ky është qëllimi i shumicës së sekteve të fshehta në Perëndim. Sajëntolloxhi nuk interesohet për propagandimin e mendimeve të tij tek të gjithë njerëzit, por vetëm tek të pasurit, të cilët kanë mundësi të përballojnë shpenzimet e mëdha të librave dhe kurseve. Vetëm shpenzimet për kurset arrijnë gati 100.000 stërlina angleze.

Ky sekt beson se perëndia Thetan është ai që ka krijuar gjithësinë dhe se ai materializohet në formën e njeriut ne çdo vend dhe kohë. Ky është shkaku i forcës së trupit të njeriut, por ai dobësohet shkallë-shkallë si rrjedhojë e sëmundjeve psikike dhe trupore, të cilat e rikthejnë atë në eksperiencat e hidhura të mëparshme.

Që trupi të rikthehet në fuqinë e tij të natyrshme, duhet që t'i harrojë këto eksperienca, gjë që arrihet vetëm me anë të një metode të posaçme, të cilën sekti ia jep me anë të kurseve dhe botimeve të tij. Sekti mbeshtetet tek fantazia, lundrimi i mendjes njerëzore në hapësirë dhe përpjekja që t'i lidhë ithtarët me zbulimet shkencore; nga kjo vjen edhe emri i sektit (science=shkencë).

Në vitet '60, sekti u përball me kundërshtime të mëdha nga ana e disa qeverive europiane kur në shtyp u botuan disa praktika të tyre për kërcënimin e qytetarëve. Më 1966, raportet e qeverisë australiane e cilësuan atë si të rrezikshëm për "shoqërinë, moralin dhe çdo gjë tjetër".

Kontrollet mjekësore që iu bënë disa ish-anëtarëve të sektit treguan se ata ju ishin nënshtruar përdhunimit dhe torturave gjatë liturgjive që zhvillon sekti. Ish-anëtarët e Sajëntolloxhi treguan për ndëshkimet që urdhëronte Habërdi si futja në fuçi të ndotura, hedhja në det nga një largësi 30 miljesh nga bregu dhe detyrimi që të notonin për të dalë në breg etj.

Shumë herë sekti iu është nënshtruar ndjekjeve penale dhe ka dalë në gjyq për shkak të këtyre veprimeve çnjerëzore.


HARE KRISHNA


Kohët e fundit në Britani është gjithnjë në rritje fenomeni i shfaqjes së grupeve që ecin nëpër rrugë duke kërcyer dhe kënduar në një gjuhë të pakuptueshme. Ata veshin rroba indiane ngjyrë portokalli, rruajnë kokën, vizatojnë nga një vijë të bardhë në ballë dhe nuk bëjnë kurrë banjë.

Këta janë ithtarë të sektit Hare Krishna, historia e lindjes së të cilit daton 3000 vjet përpara Krishtit. Krishna është perëndia e tyre, për të cilin ata besojnë se qëndron në parajsë i rrethuar nga shumë perëndi të vogla. Ithtarët europianë të sektit i kanë vënë vetes emra indianë duke besuar se kjo gjë i afron ata tek perëndia e tyre Krishna.

Në Britani, numri i ithtarëve të këtij sekti të fshehtë arrin në 4000 vetë, shumica e të cilëve kanë ikur nga materializmi perëndimor dhe kanë kaluar në këtë fe ekstreme për nga spiritualizmi dhe mundimet trupore, të cilat i çojnë këta ithtarë deri në moskokëçarje për gjithçka që ndodh.

Ky sekt ka disa liturgji të çuditshme për torturimin e vetvetes si psh ndalimin nga martesa, sepse ata e konsiderojnë femrën si burimin e të gjithë të këqijave, duke e vendosur atë në shkallën më të ulët. Një nga udhëheqësit shpirtërorë të sektit ka thënë: "Mos i beso dy vetëve: politikanit dhe gruas".

Gjithashtu ithtarët e tij nuk i lejojnë trupit të tyre asnjë çast rehatie. Ata kryejnë punë të rënda gjatë ditës, të cilat i konsiderojnë si adhurim; flejnë vetën disa orë; zgjohen në katër të mëngjesit dhe lahen me ujë të ftohtë në mes të dimrit. Të gjitha këto i bëjnë dukë besuar se kështu i afrohen më shumë zotit të tyre Krishnës.

Në vitet '30, misionarët e sektit erdhën nga India në Gjermani dhe Britani. Sot sekti ka një qendër të madhe në Londër. Më 1965, një indian 69 vjeçar e çoi sektin në SHBA. Ai erdhi nga India me anije për të përhapur mësimet e Krishnës në Perëndim, ndërsa në xhep kishte vetëm pak dollarë.

Numri i ithtarëve të Hare Krishnës u rrit si pasojë e punës së këtij njeriu që vdiq më 1972. Ashtu si dhe sekti Muniz, edhe Hare Krishna mbështetet në shitjen e librave dhe sendeve personale për sigurimin e të ardhurave kryesore. Gjithashtu ata mbledhin ndihma nëpërmjet veprimtarive të ndryshme shoqërore, të cilat shërbejnë si fasadë për aktivitetin e vërtetë të tyre.

Megjithëse se sekti u ndalon ithtarëve të tij përdorimin e alkoolit, marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore dhe përdorimin e drogës, shumë prej tyre merren me tregtinë e drogës si një mënyrë për grumbullimin e parave, sepse shumica e tyre kanë qenë ekspertë në këtë zanat para se të hynin në sekt.

Ndonëse sekti Hare Krishna pretendon se qëllimi i tij është edukimi i shpirtit dhe ngritja mbi dëshirat materiale të trupit, dosja penale e Hare Krishnës në Britani njeh vrasjen, drogën dhe krimin me qëllim fitimin e parave apo rivalitetin për pushtet.

Përkundër deklarimeve të sektit se ai synon t'i çlirojë ithtarët e tij nga të këqijat e shoqërisë perëndimore, ai po tregon se si mund të bëhesh si kjo shoqëri apo edhe më i keq se ajo.

Marrë nga revista kuvajtiane "El-Muxhtemea"
Erikson
Erikson

Nuk them se kam gjetur te verteten, por me te vertet se kjo qe kam nuk di....


30


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sekte Empty Re: Sekte

Mesazh  Odin 28.04.10 14:00

Eshte veshtire te gjendet kufiri mes nje sekti dhe religjioni.

Fillimisht edhe religjionet e sotme qe ne sot nuk i quajme sekte (kisha katolike, islami etj), kur jane krijuar kane qene sekte perballe religjionit çifut.

Prandaj me duken qesharake dhe jologjike gjykimet e ish-sekteve, ndaj sekteve te tanishme.

"Religjionet" jane sekte vetem se kane numer me te madh besimtaresh.
Odin
Odin

513


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sekte Empty Pergjigje

Mesazh  Erikson 28.04.10 22:16

Desha të shtoja se ka dallim ndermjet nocioneve "Religjion" dhe "Sekt" dhe nuk jane e njejta gje.

Etimologjia e fjalës sekt

Origjina e fjalës sekt rrjedh nga latinishtja « secte « (ndjekës) ose « sectare » (pres). Në kuptimin e dytë përdoret për të venë një kundërshti me fenë që në latinisht është religare (lidh). Ne greqisht barasvlerësi i termit sekt është hairesis (zgjedhje, preferencë për një doktrinë). Në të dyja rastet anëtaret mblidheshin nga një mjeshtër, nga i cili thuhet se udhëhiqeshin mendërisht dhe fizikisht.

Sekti rrjedh nga fjala latine sequi dhe fillimisht ka kuptimin: të pësosh dikë, të ndjekësh parimet e ndokujt; grupim a shoqatë e vogël fetare e cila është ndarë prej ndonjë grupi më të madh.

Fjala sekt në përkufizimin më të saktë është një grup njerëzish që kane të njëjtin interes dhe ide mbi një doktrinë të caktuar filozofike apo fetare. Çdo sekt ka ritet e veta dhe në shumë raste dallohet për manipulimin mendor qe i bën anëtareve, për qellim përvetësimi pasurie apo favoresh. Zakonisht kur dëgjojmë fjalën sekt menjëherë na shkon mendja te feja, por shumë psikologe mendojnë se ky term përdoret jo rrallë dhe për te treguar një organizate kriminale.

Ndersa nga pikëpamja sociologjike

Sociologët e shek XIX-të, Max Weber dhe Ernst Trëlc e përkufizuan sektin si një grupim fetar ekstremist qe vendosin një distancë midis tyre dhe shoqërisë. Sot mendohet se kuptimet e shumta që ka marrë kjo fjalë ky përkufizim nuk është tërësisht i përsheshem. Polemikat e shumta mbi kuptimin e kësaj fjale nuk lejojnë një përkufizim të saktë.

Pra nga sa u tha me siper sektet jane zakonisht degezime te Religjoneve, duke u dalluar prej tyre me besime dhe praktika qe i ndajne nga origjina e tyre.

Nese do te pretendohet se Religjioni e ka prejardhjen nga sekti, atehere kjo tregon per mosinformim ne rastin me te mire, ose ne rastin tjeter nje qendrim te padrejte bazuar ne nje qellim X... s'ka rendesi.

Ndersa persa i perket kontrollit mendor, mund te them se ai eshte mjaft i perhapur dhe jo vetem neper sekte, kulte, apo religjione, por kudo. Mjafton te kujtojme politiken, medjat, arsimin etj, pra eshte e veshtire t'i shpetosh.

Nese e pranojme qe mendjet e njerezve vazhdimisht manipulohen me ane te menyrave te ndryshme dhe nuk jane te lira, atehere rreziku me i madh ne kete rast eshte tek ata qe i manipulojne per qellime te mbrapshta e jo tek Religjionet te cilat ne pergjithesi ftojne per tek morali i larte.

Nese Zoti e ka lejuar qe mendja njerezore te jete e kontrolluar, ky kontroll mendor duhet pa tjeter qe te jete ne dobi te njerzimit dhe jo te perdoret per interesa djallezore...
Erikson
Erikson

Nuk them se kam gjetur te verteten, por me te vertet se kjo qe kam nuk di....


30


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sekte Empty Re: Sekte

Mesazh  Arsenic 11.12.13 22:49

Sektet duan absolutisht per te provuar spiritualitetin e tyre si "e verteta e vetme shpirterore, spirituale."

Por spiritualiteti nuk ka nevoje per prova..as shkencore, as kuantike dhe as te tjera sepse ai ndjehet, imagjinohet, besohet.

Mos u mundoni per ta provuar, por per ta ndjere, sepse ndryshe beheni viktima te sekteve fetare.
Arsenic
Arsenic

55


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sekte Empty Re: Sekte

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi