Mrekullia
Faqja 1 e 1
Mrekullia
Ai që s'ka besuar në mrekulli-nuk ka jetuar.
Ai ka protestuar deri në vdekje.
Ka protestuar pse "mrekullinë" nuk e sheh me sy, nuk e prek me dorë, nuk njoftohet me "mrekullinë" dhe nuk ulet të kërkojë sqarime intelektuale nga "mrekullia".
Mrekullia u ndodh njerëzve që besojnë në të.
Mrekulli quhet ndërhyrja e Zotit, e të shenjtëve, dhe e shpirtërave të mirë në jetën tënde.
Njerëzve që nuk kanë nevojë për të parë me sy, me kusht që të besojnë për shembull se unaza e Planetit të Vdekjes (Saturnit) duket e frikshme, si madhështia e Zotit. Dikush tjetër e ka parë Saturnin për neve, dhe ne, thjesht, e besojmë.
Të besosh-nuk humb asgjë. Të mos besosh-humb mundësinë për të parë atë që është krijuar vetëm për t'u ndjerë, si dashuria, si vuajtja, që nuk fotografohen, e as nuk bëhen formulë në matematikë.
I pari në katror, plus dyfishi i të parit dhe të dytit, plus i dyti në katror:
1 vuajtje + 1 vuajtje = 2 vuajtje.
1 dashuri +1 dashuri= 2 dashuri.
Çdo gjë që nuk e kupton, dhe nuk arrin ta spjegon, quhet mrekulli dhe quhet fat.
Për shembull, ti nuk e di (as nuk ke spjegim logjik) pse qe sa vjet je i dashuruar në një njeri, e dëshiron pranë vetes atë njeri, e ndjen, anipse s'ke komunikuar me të vite me radhë, të duket sikur asnjëherë nuk je ndarë nga ai.
Kjo ndjenjë e dashurisë që të ngushëllon (anipse ai as nuk e di që është kah të mban gjallë prania e tij në shpirtin tënd), dhe që s'ke si të ikësh nga ajo (pa pasur nevojë ta kesh pranë subjektin e dashurisë), quhet mrekulli.
Dhe ndodh çdo ditë. Ndodh mrekullia, e ne nuk e njohim, prandaj sa herë që ndodh mrekullia ne e quajmë "koincidencë", "rastësi", "çudi", etj.
Kërkojmë spjegime logjike dhe formula fizike për çdo ndjenjë dhe për çdo mendim tonin që vjen nga mishi, nga nervat dhe nga gjaku ynë.
Për të besuar në mrekulli, duhet besuar në Zot dhe në shenjtëri. Ka njerëz të mirë, ka njerëz të shenjtë, ka njerëz të mrekullueshëm, që papritur "pikin nga qielli" në çastet e dëshpërimit dhe të mërzisë sonë, atëherë kur nuk dimë kah t'ia mbajmë, papritur e gjejmë veten në prehërin e tyre, duke na përkundur si fëmijën që trembet në gjumë.
Kur të mbyllen të gjitha dyert e tokës-të hapet një derë në qiell.
Ne jemi këtu ku jemi, duke u mbajtur përdore me njëri-tjetrin.
Nuk është i mrekullishëm vetëm ai çasti kur shpëton nga fatkeqësia.
Për shembull, vetura shkatërrohet nga fatkeqësia në rrugë, rrokulliset vetura nga disa metra largësi, ndërsa njerëzit dalin nga vetura pa asnjë gërvishje.
Por, mrekulli është ta përballosh fatkeqësinë dhe humbjen.
Është mrekulli të ngritesh në këmbë dhe të jetosh me dinjitet dhe me shpresë pasi që ke pasur një humbje të madhe.
Është e paspjegueshme "dehja" dhe mpirja që i ndodh njeriut në momentin kur humb njeriun e dashur. Diçka e pushton shpirtin tënd, mendimet dhe kujtimet t'ua ngrihen në vend. Nuk ndjen asgjë, përveç e di se "diçka e keqe" të ka ndodhur. Sa më i mërzitur që je, aq më shumë e ndjen praninë e Zotit.
Mërzia të bën njeri më të mirë.
Është mrekulli të arrish të vizitosh "varret t'ua" e të kthehesh pastaj në shtëpi e të dëgjosh muzikë, sikur asgjë e keqe nuk të ka ndodhur.
Mrekullinë e lidhim me jetën, prandaj kujtojmë se mrekullia është për shembull të shpëtosh nga vdekja, apo ta shtyesh vdekjen për më vonë.
Shpeshherë "mrekullia" më e madhe në jetë është vdekja, që e çliron të vuajturin nga mundimet, dhe i ndan njerëzit e dashur përkohësisht.
Nganjëherë, shumë herë, ku ka vuajtje të mëdha, dhe ku vuajtja nuk ka mbarim, vdekja është shpëtim.
Prandaj, në ato raste duhet të lutemi për vdekjen që të vijë.
Mrekullia është shpëtim.
Nganjëherë, shpëtim është të kthehesh në këtë jetë.
Nganjëherë, shpëtim është të shkosh në jetën tjetër.
Patjetër që duhet të besojmë.
Patjetër, që duhet të presim të ndodh mrekullia.
Mrekullia nuk vjen dhuratë, mrekullinë as nuk e njohim kur ndodh, mjafton të besojmë se përsëri do ta gjejmë çelësin e humbur, se përsëri do ta gjejmë rrugën për t'u kthyer te vetja.
Neve na takon të besojmë.
Të besojmë në Zot, dhe të besojmë në njerëz.
Njeriu, mrekullisht, di të bëhet i mirë!
P.S. E frymëzuar nga Nënë Tereza, dhe vendimi i Vatikanit për shenjtërimin e saj.
Lutem që ky shkrim të lexohet nga njerëzit e pikëlluar, nga ata që janë duke pritur t'u ndodh një mrekulli.
nga Kimete Berisha
Hidra- 33
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi