EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vështrimi i Orfeut

Shko poshtë

Vështrimi i Orfeut Empty Vështrimi i Orfeut

Mesazh  Zattoo 23.01.15 12:55

Vështrimi i Orfeut
Vështrimi i Orfeut 300px-DSC00355_-_Orfeo_%28epoca_romana%29_-_Foto_G._Dall%27Orto

Kur Orfeu zbret tek Euridika, arti shfaq në vetvete pushtetin para të cilit shpaloset nata. Me forcën e artit nata e  sugjestionon atë,  shndërrohet në afërsi sugjestive me kuptimin dhe pranimin e natës së parë. Por Orfeu mbërriti tek Euridika:  për të Euridika – është sinori që mund të mbërrijë arti; e mbyllur përnën hapjen e emrit  dhe mbulesën e vualit – ajo është njajo pikë e zezë zgafelle, drejt së cilës, me sa duket, tërhiqet arti, dëshira, vdekja dhe nata.

Megjithatë bëma e Orfeut qëndron jo vetëm në faktin që, duke u kredhur në thellësi, të mundësojë përafrimin drejt kësaj “pike”. Bëma e tij – është sjellja e saj prapa, në dritën e diellit, me qëllim që nën dritën e diellit ta nxjerrë në pah si formë, kontur dhe realitet.

Orfeu mundet të bëjë çdo gjë – vetëm të mos vështrojë drejt në këtë “pikë”, të mos kthejë sytë në qendrën e natës në natë. Ai mund të zbresë tek ajo, ai mundet – ende me pushtet të madh – ta joshë atë drejt tij dhe ta marrë me vete lart, por veçse shpinëkthyer kah ajo. Shpinëkthyer – është mjeti i tij i vetëm për t’iu afruar Euridikës: I tillë është kuptimi i mbyllur që hapet në natë. Por në shkulmin e ndërkalimit të tij Orfeu harron për veprën që duhet të kryejë, harron me pashmangësinë, gjersa kërkesa kryesore e dalldisë të tij qëndron jo në faktin që të kihet kjo vepër, por që dikush të përballej me këtë “pikë”, ta rrokte thelbin e saj atje ku ajo shfaqet, ku ajo rezulton thelbësore dhe në thelb e shfaqur: në zemër të natës.

Miti grek thotë: në krijimtari ia del mbanë, vetëm nëse i jepesh përvojës së pamatë të thellësisë (përvojës që grekët e pranonin si të domosdoshme për krijimin; përvojës, në të cilën vepra provon mbi vete pamatësinë e saj) për hir të vetë asaj. Thellësia s’lë t’ia shkojë vetes, duke u përqasur fytyrë për fytyrë; ajo hapet veçse duke e mbyllur veten në vepër. Një përgjigje fundamentale e paprapësueshme.

Por miti na kallzon që Orfeu s’qe e thënë t’i bindej këtij ligji të fundit, -  dhe sigurisht, duke u kthyer kah Euridika, Orfeu shkatërron veprën, ajo atypëraty shpërbëhet, ndërsa Euridika rishmi shndërrohet në hije;  nën vështrimin e tij thelbi i natës shpalohet në paegzistueshmërinë e vet. Kështu ai tradhëton edhe veprën, edhe Euridikën, edhe natën.

Por edhe pa u kthyer, ai gjithaq nuk i ikën dot pabesisë, duke treguar jo besnikëri në lidhje me forcën e pamatë dhe të paarsye të pasionit të tij, i cili e kërkon Euridikën jo në të vërtetën e dritës së saj ditore dhe magjepsejes së zakonshme, porse në natën e terratisur, në përlargësinë e saj, me kurmin e mbyllur dhe trupin e shtanguar; tek fuqia, e cila kërkon ta shikojë Euridikën, jo atëher kur ajo është e dukshme, porse kur është e padukshme, dhe jo në afërsinë e jetës së zakonshme, porse si tëhuajësi e asaj çka përjashton çdofarë afërsie, rravgon jo ta ngjallë atë, por të zotërojë në të gjallërimin e plotë të vdekjes së saj.

Veç për hir të kësaj zbriti orfeu në Had. Gjithë lavdia e veprës së tij, gjithë pushteti i artit të tij, vetë dëshira e një jete të lumtur në qartësinë e bukur të ditës i bëhen kurban (fli) të vetmit hall: të shquajë në natë atë çfarë prej natës fsheh, – një tjetër natë që rezulton fshehje.

Një vrujim pafundësisht problematik, i dënuar ditën si çmenduri e pashfajësueshme ose si tundim i jashtëzakonësisë. Për ditën rrugëtimi në had, shkulmi në zemër të thellësisë – është tashmë tepëri. Dhe Orfeu pashmangësisht nëpërkëmbet nga ligji që ia ndalon atij të kthjë kokën pas, gjersa ky ligj shkelet prej tij që me hapin e parë në Mbretërinë e Hijeve.

Së këndejmi lind parandjenja që menjëmend Orfeu ka qenë pajadá i kthyer kah Euridika: ai e shihte atë të padukshme; prekte tek ajo të paprekshmen në mungesën e hijes së saj, në atë prani të saj të vagëlluar që nuk ia fshihte papraninë, e cila qe prania e saj e papranisë së pafundme. Pa ia ndarë vështrimin asaj, ai nuk do të mund ta joshte atë pas vetes, dhe, padyshim, ajo – nuk është aty, po dhe ai vetë është i papranishëm në atë vështrim, jo më pak i vdekur, sesa ajo, i vdekur nga vdekja e botës së parrebeluar, e cila është prehje, qetësi dhe fund, jo i asaj tjetër vdekjeje, që është vdekja e pafund, përvoja e papranisë së fundit.

Duke e dënuar idenë e Orfeut, dita, përpos të tjerash, e qorton atë për padurim të hapur. Dhe gabimi i Orfeut qëndron, me sa duket, në dëshirën që e nxit të shohë Euridikën, ta zotërojë atë, ndërkohë që për Orfeun është shkruar vetëm t’i këndojë asaj. Ai, Orfeu, është vetëm në këngën e tij, marrëdhëniet me Euridikën për të janë të mundura vetëm në ditë; ai përfton jetën e së vërtetës vetëm varg pas vargu dhe Euridika nuk përfaqëson gjë tjetër përpos kësaj varësie magjike që e shndërron atë jashtë këngës në hije, që e mundëson atë të jetë e lirë, e gjallë, e përmbushur me pushtet veçse në hapësirë, çka i shkon përshtat vetëm Orfeut.

Po, kështu është: vetmëse në këngë Orfeu fiton pushtet mbi Euridikën, porse edhe në këngë Euridika është e humbur, ndërsa vetë Orfeu – është një Orfe i izoluar, i hallakatur,  Orfe “pafundësisht i vdekur”, gjendje në të cilën e ka sjellë fuqia e këngës së tij. Ai e humbet Euridikën, përderisa e dëshiron atë jashtë sinoreve të matshme të këngës, dhe humbet vetë, porse kjo dëshirë, Euridika e humbur dhe Orfeu i përhumbur (hallakatur) janë të domosdoshme për këngën, siç janë të domosdoshme për bëmat e veprës përvojat e kotësisë së përjetshme.

Orfeu është fajtor për mosdurimin. Gabimi i tij qëndron në faktin që ai ka nijet të shterrojë pafundësinë; ai i vendos kufi pakufijshmërisë që ai nuk mundet ta mbështesë  vrullin e qorrollepsjes vetiake. Padurimi është gabimi i atij që kërkon t’i shmanget (ikë) papranisë së kohës, e durimi është një rreng, është gjakimi për t’ia nënshtruar këtë paprani , duke e shndërruar atë në diç tjetër, në një kohë të matur tjetërsoj. Por durimi i vërtetë nuk e përjashton mosdurimin, me të cilin ajo është e lidhur intimisht; ai është padurim përvujtnor dhe i zgjatur. Padurimi i Orfeut, mbetet të jetë, poashtu vrull i duhur: në të është zanafilla e asaj çka bëhet pasion i tij, durim i tij madhështor, bujtje e tij e pafundme në vdekje.

Frymëzimi

Nëse bota e dënon Orfeun, veprën e tij nuk e dënon, nuk i përflet gabimet e tij. Vepra asgjë nuk na thotë. Dhe gjithçka ngjet ashtu, sikundër Orfeu, pa iu nënshtruar ligjësisë, me të vështruar Euridikën, vetëm sa iu nënshtrua këkrkesave të thella të veprës, thua se me vrullin e frymëzimit të tij magjepsi hijen e paqartë në had, e nxorri atë mbrapsht në dritën ditore të veprës.

Të këqyrësh Euridikën, pa u kujdesur për këngën, të harrosh në padurim e pagjykim principin e dëshirës, ja pra çdo të thotë frymëzim. A do të thotë vallë kjo, që frymëzimi e shndërron bukurinë e natës në zbrazëtirë joreale, e kthen Euridikën në hije, ndërsa Orfeun – në diç pafundësisht të vdekur?  A do të thotë vallë kjo, që frymëzimi rezulton gjithësesi ai moment problematik, kur thelbi i natës bëhet inekzistent, ndërsa afërsia e natës së parë – kurth mashtrues i një nate tjetër? Pikërisht kështu është dhe jo ndryshe.

Ne parandjejmë te frymëzimi vetëm dështimin e tij, konfirmojmë vetëm udhët e panjohura të së mistershmes. Por nëse frymëzimi parathotë që Orfeu pësoi disfatë dhe Euridikën e humbi  përsëdyti, kjo tregon papërfillshmërinë dhe zbrazëtinë e natës; frymëzimi me impulsin e papërmbajtshëm e shtrëngon, e kthen Orfeun mu te kjo humbellë e kësaj hiçësie, a thua të heqësh dorë nga disfata qenka shumë më e rëndë se të heqësh dorë prej ngadhënjimit, a thua se ajo çka ne quajmë të papërfillshme, inekzistente, të gabuar, mund të shpërfaqet – për çdocilin që merr në sy rrezikun dhe shlirshëm e paepur ia hyn atij, – si burim i çdo lloj karakteri origjinal.

Vështrimi i frymëzuar dhe i tabuizuar e ngarkon Orfeun me humbjen e gjithçkaje – jo vetëm të vetvetes, jo vetëm të seriozitetit të ditës, por dhe të thelbit të natës – paraprakisht e pashmangshëm. Frymëzimi i parathotë Orfeut vdekjen, i parathotë asaj padyshueshmëri, pa i premtuar si këmbim suksesin e veprës, pa ringjallur Euridikën. Vepra në po atë shkallë kompromentohet me frymëzimin, nën kanosjen e të cilit bie Orfeu. Në këtë çast vepra mbërrin në kufijtë e saj të dyshueshmërisë. Ja pse kaq shpesh dhe me të atillë forcë i reziston vepra asaj që e frymëzon. Dhe ja pse ajo e mbron veten, duke i thënë Orfeut: “Mua më ruan vetëm nëse nuk do ta vështrosh Euridikën”. Megjithatë ky akt tabu është pikërisht ajo çka duhet të kryejë Orfeu, që ta nxjerrë veprën përtej kufijve që e shpëtojnë, ajo çka ai mundet ta kryejë, vetëmse duke e harruar veprën, i joshur tutje prej një farë dëshire që i vjen atij prej natës dhe që lidhet me të si me burimin e tij. Në vështrimin e tij, vepra është e humbur.

Është pikërisht kjo grimëkohë, kur ajo është krejtësisht e humbur, kur pranohet dhe konfirmohet diç edhe më e rëndësishme, e privuar më shumë sesa rëndësia, më shumë sesa vepra. Vepra për Orfeun është gjithçka – me përjashtim të atij vështrimi të dëshiruar, me të cilin ajo është humbur, kështuqë vetëm në këtë vështrim vepra mund të dalë jashtë kufijve personalë, të ribashkohet me burimin personal dhe të konfirmojë vetveten në pamundësi.

Vështrimi i Orfeut – është dhuntia përfundimtare e veprës, dhunti, në të cilën prej saj ai refuzon, në të cilën ai e flijon veprën, duke i dhënë udhët në vrullin e pamatë të dëshirës për tek burimet, dhe në të cilën ai pavetëdijshëm drejtohet prapëseprapë për tek vepra, për tek burimet e veprës.

Dhe për Orfeun gjithçka fiket në padyshueshmërinë e disfatës, duke lënë si këmbim vetëm dyshueshmërinë e veprës – sepse a ka ekzistar trup e drejt me të vërtetë ndonjëherë vepra? Para kryeveprës më të padyshimtë, zanafilla e së cilës të lëbyr me shkelqimin dhe sigurinë, ne, sidoqoftë, ndeshemi me diç të fikur – vepra papritur bëhet sërish e padukshme, ajo s’është dhe kurrëherë s’ka qenë këtu. Ky është një eklips i papritur – ndërmendje e përlargët mbi vështrimin e Orfeut, kthimi nostalgjike në dyshueshmërinë e burimit.

Dhuntia dhe viktima

Nëse do të duhej ta nënvizonim këmbëngulshëm çka pikërisht na parathotë, sikundër duket, një moment i ngjashëm me frymëzimin, do të na binte të thonim: ai lidh frymëzimin me dëshirën.

Duke u kujdesur për veprën, ai sjell në lëvizje pakujdesinë, me të cilën vepra bie viktimë: ligji i mbramë i veprës është kriminal. Ajo është tradhëtuar në emër të Euridikës, në të mirë të hijes. Kjo pakujdesi -  është shtysa drejt viktimës, sjellja fli, e cila mund të jetë veçse e pamukajet, mendjelehtë. E cila, ndofta është një gabim, në cilësinë e të cilit shlyhet atypëraty;  shtrati i lashtë i tij, është, megjithatë, – mendjelehtësia, pakujdesia, injoranca: sjellja fli pa ceremoni, në të cilën vështrimi i pakujdeshëm (i cili nuk është madje as tinëzar, i cilë është i privuar nga barra e profanizimit) rikthen vetë të shenjtën, sakralen – natën e pambrrijtshme në thellësinë e saj – të paegzistuarën, e cila nuk është aspak profanike, porse bie nën këtë kategori.

Thelbi i natës, e cila gjurmon pas Orfeut – gjer para vështrimit të tij të pakujdes, – është natë sakrale, të cilën e ai e ngallmon sugjestionueshëm me këngë, pa dyshim, më të begatë, më madhështore sesa zgafella e zbrazët, në të cilën shndërrohet ajo pas vështrimit të Orfeut. Nata sakrale e mbyll Euridikën, mbyll në këngë diçka të përnaltësuar. Megjithatë dhe ajo vetë është e mbyllur, e lidhur, ajo është bashkëudhëtare, ajo është dhe sakrale, e lidhur me pushtetin e ritualit, me një fjalë, me gjithë ç’nënkupton rregull, drejtësi, të drejta, rrugën dao dhe boshtin e d’harmаs. Vështrimi i Orfeut e zgjidh atë, i shemb kufijtë, përmbys ligjësinë, e cila përmbante dhe i jepte kuptim thelbit. Megjithatë vështrimi i Orfeut është  çasti  kufitar i lirisë, çasti kur ai çlirohet prej vetë vetes dhe, çka është më e rëndësishmja, e çliron prej përkujdesive të veta veprën, çliron atë çka përmban të shenjtë vepra, i dhuron të shenjtën vetë vetes, lirisë dhe thelbit të saj, asaj që rezulton liri e thelbit (prandaj pra frymëzimi është si i tillë – dhunti).

Kështu, gjithçka është vënë në hartë kur përqëndrohesh në vështrim. Me këtë përqëndrim i afrohesh zanafillave – fuqisë së vështrimit që zgjidh thelbin e natës që heq kujdesinë, ndërpret të pandërprerën, duke e hapur atë – çastin e dëshirës, të pakujdesisë dhe pushtetit.

Frymëzimi është i lidhur me vështrimin e Orfeut me dëshirën. Dëshira lidhet me pakujdesinë  – momentin kur kujdesja bashkohet me tejdukshmërinë personale; ndërkaq ai që kënaqet me padurimin, kurrë nuk do të jetë i aftë për vështrimin mendjelehtë e të pakujdesshëm të Orfeut. Ja se pse padurmësia duhet të jetë qendër durimësisë më të thellë, vetëtimë e pastër e plasur ç’prej thellësisë me një pritje të patësosur, heshtimë dhe depozitë durimi, -  jo vetëm përvëlimi i tendosjes së jashtëzakonshme të shkrepëtimës, por dhe rrëshkitës prej kësaj pritjeje të pikës së ndritshme, rastësi fatlume pakujdesie.

Shkapërcimi

Letra fillon me vështrimin e Orfeut dhe vështrimi i tij është vrull dëshire që ndërpret predestinimin dhe kujdesjen për këngën; në këtë vendim të frymëzuar e të pakujdes ai mbërrim zanafillat, ndriçon këngën. Megjithatë që të mbërrish këtë grimëkohë, Orfu ka nevojë për pushtetin e artit. Çka do të thotë: shkruan veçse pasi ke arritur atë çast, të drejtohesh për tek i cili mundesh vetëm me lëvizjen e fshehtë të letrës në hapësirë.  Që të shkruash,  tashmë duhet shkruar. Në këtë kundërshti fshihet dhe thelbi i letrës (shkrimit), dhe barra e përvojës, dhe shkapërcimi i frymëzimit.

Moris Blansho
Përktheu: Agron Tufa
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi