EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Metafizikë Etike

Shko poshtë

Metafizikë Etike Empty Metafizikë Etike

Mesazh  Zattoo 01.12.14 20:59

Metafizikë Etike Promet10

Shopenhauer – “njeriu është një kafshë metafizike“

Çdokush që ka përjetuar epokën e diktaturës komuniste në Shqipëri – i madh dhe i vogël – rrallë herë i shpëton tundimit të të kthyerit të kokës prapa. Sipas individit, vështrimi mund të jetë nostalgjik – veçanërisht kur mosha dhe vështirësitë e jetës errësojnë pamjen e të sotmes ; kritik – kur vëren se e nesërmja mbetet rob i të sotmes, që çuditërisht ende varet nga e shkuara ; përçmues – kur zbulon naivitetin e perceptimit të botës nga masa njerëzore që tërhiqej për hunde nga një grusht cinikësh të paskrupullt ; bile edhe ndëshkues – kur llogarit kohën e humbur, përpjekjet e asgjësuara, sakrificat e kota, ndalimet absurde…

Rrallë herë ndodh që vështrimi të mos mbytet nga pasioni, asnjëherë ai nuk është indiferent.

Kur bëhet fjalë për vetë viktimat e komunizmit, vështrimi bëhet i pamëshirshëm : si mund të vlerësohet ndryshe dhuna primitive e « dikushit » të veshur me pushtet ndaj « askushit » të zhveshur nga e drejta më elementare – ajo e të menduarit dhe të shprehurit « ndryshe » ? si mund të cilësohet tjetër ushtrimi i gjykimit arbitrar, i torturës dhe i eliminimit fizik « në emër të popullit » ? gjymtimi fizik dhe moral i njeriut – « kapitalit më të çmuar », i ushtruar në emër të një ideali « të lartë që synon zhdukjen e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu », të shoqërisë « më të drejtë dhe më njerëzore » të Historisë ?

Nostalgji – kritikë, perçmim – ndëshkim, urrejtje – drejtësi… Në ç’raport qëndrojnë elementë të tillë si pasioni – arsyeja, cilat janë lidhjet e brendshme të këtij çifti që ndikon vështrimin tonë ?

Në fund të fundit, cili është objekti-shënjestër i këtij vështrimi retrospektiv, i gjykimit qoftë edhe të vonuar : një ideologji e caktuar – përçuesi dhe zëri i saj – udhëheqësi ? një grup njerëzish të caktuar – kasta e « të privilegjuarve » – parti politike ? një masë e madhe njerëzish – shuma e zbatuesve dhe pjesëmarrësve në projektin vetëvrasës – populli ?

Pasi duhet të jemi të sinqertë, të paktën me vetvehten : një projekt i tillë shoqëror si komunizmi, një rregjim i tillë politik si totalitarizmi nuk mund të reduktohen në një njeri të vetëm, qoftë ky edhe gjeni ose diktator. Në qoftë se karizma personale mjafton për të mbledhur rreth vehtes një grup individësh që synojnë pushtetin dhe favoret e tij, në qoftë se ideologjia arrin të anesteziojë shpirtrat e një brigade sulmi – qoftë edhe një divizioni besnikësh, si duhet shpjeguar nënështrimi i një populli për dhjetëvjeçarë të tërë si dhe bashkëngjitja e tij ndaj projekteve të një pushteti ? Më frikën nga dhuna apo me mungesën e përvojës demokratike ? – Çuditërisht, as kurajo nuk i ka munguar, as edhe tradita liridashëse…

Dashur padashur, ekuacioni ynë politik-shoqëror-shpirtëror reduktohet në ndërlidhje mes variablave të tillë të pashmangshëm sikundër përgjegjësia dhe fajësia, ndërkohë që marrëdhëniet mes individit dhe pushtetit sintetizohen nga raporti bashkëpuntor – fajtor.

Për t’i shpëtuar diktatit të ligjit si dhe komandës së moralit, kemi zgjedhur etikën dhe këshillat e saj për të përvijuar dy këndvështrime dhe dy përsiatje mbi të njejtin objekt analize – rishkrimin e historisë. Të parën e sjell Mërgim Korça dhe të dytën Fatos Lubonja. Sejcili përfaqson jo vetëm një botëkuptim por edhe një epokë, jo vetëm një bindje por edhe një metodë – diametralisht të kundërta në çfaqje dhe në thelb – megjithëse që të dy kanë të njejtat arsye për të kërkuar përgjegjësitë e të kaluarës : ato të viktimës që shëndrrohet në gjykatës të xhelatit të tij.

Përgjegjësia si gjykim : pesha e të kaluarës.

Historia personale e z. Mërgim Korça ngërthehet në atë të atit të tij Xhevat : intelektual i spikatur antizogist, demokrat nolist, ai bënte pjesë në rrethin e ngushtë të udhëheqjes së Ballit Kombëtar dhe pranoi postin e ministrit të arsimit të qeverisë Kruja gjatë pushtimit fashist italjan. I gykuar si kolaboracionist dhe kuisling nga gjykatat komuniste të pasluftës, Xhevat Korça dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg – gjatë një greve urie. Djali i tij, Mërgimi, persekutohet parreshtur nga rregjimi komunist – megjithë talentin e tij si mekanik dhe përfundimisht, pas rrëzimit të diktaturës, mërgon në SH.B.A ku i përkushtohet letërsisë, objekti i të cilës është dënimi i atij rregjimi dhe i krimeve të tij. Shkrimet e Mërgimit përshkohen nga ideja konstante e rivlerësimit të historisë bashkëkohore të vendit nën dritën e arsyes nacionaliste : atë të logjikës së brendshme të kompromisit që karakterizoi krerët e Ballit Kombëtar, të cilët shfrytëzuan rrethanat e krijuara nga pushtimi fashist për të rimëkëmbur patriotizmin si edhe Shqipërinë, në kufijtë e vet të mëdhenj, për të mos i quajtur « natyralë ».

I ndikuar thellë nga mëshira fetare si dhe nga konceptimi bektashian i botës, vështrimi i tij kritik dhe këmbëngulës karakterizohet nga mungesa e idesë së hakmarrjes, gjithë duke theksuar rehabilitimin e një morali politik. Dhe pikërisht në emër të këtij morali, z. Korça ve në pah veti të tilla si atdhedashuria, përkushtimi ndaj dijes ose edhe ndershmëria, për të përçuar edhe kredon politike të njërit prej modeleve të tij, Mustafa Krujës :
« … Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e saj (të Italisë – M.K.) sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne » (shih tekstin e plotë).

Megjithatë, përtej moralit dhe shembullit kantian të politikanit moralist dhe të moralistit politik, shfaqet etika. Lidhur me këtë të fundit, z. Korça përmend dhe interpreton filozofin dhe sociologun Maks Weber :

« …Etika e bindjeve, (që janë edhe mësimet e të gjitha besimeve fetare), ësht’ajo e cila mëson të mos vrasim, të mos mashtrojmë, të mos gënjejmë, të mbajmë fjalën e dhënë, të ndihmojmë nevojtarët, etj. e lidhur kjo edhe me të gjitha pasojat që mund të ketë një respektim i këtyre normave

… kurse etika e përgjegjësísë ësht’ajo simbas së cilës veprimet politike duhet të llogariten lidhur me gjykimin e pasojave, nga një qëndrim i dhënë, në interes të kombit, popullit si edhe shtetit » (shih tekstin e plotë).

Le t’i nënështrojmë pikpamjet e mësipërme pikërisht analizës së filozofit të mësipërm Weber, pa harruar aspak se një nga elementët kryesorë të veprës të tij qendërzohet pikërisht tek njeriu politik dhe përmasat e tij që dyzohen mes etikës së bindjeve dhe etikës së përgjegjësisë.

« …Sidoqoftë, egziston një kundërshti e pafund mes qëndrimit të atij që vepron sipas precepteve të etikës së bindjeve – në një gjuhë me thekse kishtare do të shpreheshim : « besimtari bën detyrën e vet dhe në lidhje me rezultatin, ja le vehten në dorë Zotit » -, dhe qëndrimit të atij që vepron sipas etikës së përgjegjësisë, i cili thotë : « ne duhet të përgjigjemi lidhur me pasojat e parashikueshme të akteve tona ».

Partizani i etikës së bindjeve do të ndjehet « përgjegjës » vetëm lidhur me domosdoshmërinë e të mbajturit ndezur të pishtarit të doktrinës se pastër – (qoftë kjo edhe nacionaliste- shënimi ynë) – me qëllim që kjo e fundit të mos shuhet. Aktet e tij nuk mund dhe nuk duhet të kenë vlerë tjetër përveç asaj shembullore por që, po qe se i kqyrim nga ana e pikpamjes së qëllimit të tyre eventual, mbeten iracionale pasi udhëhiqen vetëm nga një qëllim dhe një i vetëm : të ushqejnë përjetësisht flakën e bindjeve të tyre.

…Por nuk ka asnjë etikë në botë që mund të nënvleftësojë faktin se për të arritur qëllimet « e mira » jemi shumë shpesh të detyruar nga njera anë të përdorim mjete të rrezikshme për të mos i quajtur « moralisht të pandershme » dhe nga ana tjetër të përballim mundësinë e pasojave rrënuese. Asnjë etikë në botë nuk është në gjendje të na thotë se në ç’moment dhe në ç’masë një përfundim moralisht i mirë justifikon mjetet dhe pasojat e rrezikshme (1).

Praktika tregon në fakt, se etika e bindjeve shkrihet në atë të përgjegjësisë pasi kjo e fundit s’përfaqson gjë tjetër veçse vlerësimin me kandarin e bindjeve të pasojave të veprimit të ndërmarrë, gjithë duke qenë i përgjegjshëm lidhur me tërësinë e këtyre pasojave. Dhe veçanërisht në qoftëse këto pasoja bien në kontradiktë me qëllimin që udhëhoqi veprimin fillestar.

Nuk po flasim këtu për « papërgjegjësinë politike », bile bëjmë sikur e kemi harruar edhe vërejtjen aq therëse të filozofit Zhak Lacan – “gabimi i kryer « me zemër në dorë » është gabimi më i rëndë”.

Përgjegjësia si veprim : forca e të tashmes.

Historia personale e z. Fatos Lubonja ngërthehet gjithashtu në atë të atit të tij Todi : partizan i orëve të para, komunist i bindur, pas çlirimit të vendit – falë zotësisë të tij, ai bënte pjesë në rrethin e udhëheqjes së PPSH dhe drejtoi Radio Televizionin Shqiptar deri në vitin 1973.
I gykuar si sjellës i frymës liberale në jetën e vendit dhe si armik i Partisë, Todi Lubonja dënohet me burgim dhe më tej me internim, dënim që e vuajti deri në shembjen e komunizmit. Djali i tij Fatos, dënohet fillimisht « për agjitacion e propagandë », dënim i cili ripërsëritet dhe e mban në burgjet e rregjimit deri në vitin 1991. Gjithmonë në vendin e vet, ai braktis pasionin e tij të parë – shkencën, dhe i përkushtohet letërsisë, esesë dhe gazetarisë.

Shkrimet e Fatosit përshkohen nga ideja konstante se rivlerësimi i historisë të vendit duhet kqyrur nën prizmin e çmontimit të miteve që kanë shërbyer për ta ndërtuar : lashtësia e origjinës, nacionalizmi, komunizmi…

Mendimi i këtij vëzhguesi të kujdesshëm të realitetit të vendit huazon dhe kryqëzon përqasje filozofike dhe historike të epokës, të cilat i projekton me guxim mbi tema të ditës. Vështrimi i tij sa politik dhe social karakterizohet nga mungesa e idesë së hakmarrjes, gjithë duke nënvizuar hipokrizinë e moralit politik.

Vepra e z. Lubonja krijon instiktivisht një përqasje me konceptin e « banalitetit të të keqes » të Hannah Arendt. E njejta vështirësi e tejskajshme për të gjykuar krimet e padurueshme, sa edhe fakti që kriminelët ishin të zakonshëm – ordinerë. Njerëz, banaliteti i të cilëve i sjell në realitetin e përditshëm, të jetuar nga çdokush – « tmerrësisht normalë ». Pra, shnjerëzorja a është pjesë e qënies, e çdokujt ? në këtë mënyrë, a perceptojnë « të keqen » dhe faktin që « i bëjnë keq dikujt » këta lloj njerëzish ? A ndjejnë ata « fajësi » për aktet që kryejnë ?

Duke fshirë çdo gjurmë fajësie nga shpirti i xhelatëve, sistemit totalitar shpreh thelbin e tij antinjerëzor : pasi ka kryer ndërmarrjen e tij të shnjerëzimit, sistemi krijon dallimin radikal mes viktimave dhe xhelatëve, të cilët nuk i përkasin më të njejtës specie. Të parët ndërsa të dytët kryejnë thjesht detyrën, pa patur ndërgjegjen se po shkelin ndonjë « ndalim » moral ose ligjor. Sidoqoftë njerëz, nga ata që përshkruan Primo Levi në tekstet e tij :

« .. ata ishin bërë nga e njejta lëndë si e jona, ishin qënie njerëzore të zakonshme, mesatarisht inteligjentë, mesatarisht të këqinj : përveç ndonjë përjashtimi, ata nuk ishin monstra. Ata kishin fytyrë si tonën ».

Kush mban përgjegjësi për këtë të shkuar kaq pranë të sotmes ? Fatos Lobonja shprehet hapur :
« …sipas meje, të gjithë duhet të ndjejmë përgjegjësi për atë që ndodhi, për ato që kemi bërë, apo edhe për atë që nuk kemi bërë. Sepse ai regjim nuk do të ishte kurrsesi aq monstruoz pa bashkëpunimin me të dhe veçanërisht të asaj pjese që ishte e ndërgjegjëshme për atë që ai përfaqësonte. » (shih tekstin e plotë).

Megjithë syçelësinë që e karakterizon, vështrimi e Lubonjës mbetet i zymtë. Ai ndikohet nga një dialektike rrethqarkulluese, sipas të cilës, « njeriu është, në një farë mënyre, rob i së kaluarës së tij; nuk shpëton dot prej saj. Kur kjo e kaluar është e ngarkuar me mëkate, ai e ka të vështirë të jetojë me to ».
Në këtë mënyrë, ai shpreh dilemën esenciale të njeriut të sotëm shqiptar që jeton « një proces vazhdimësie, jo ndarjeje me të kaluarën. …dekompozimin e kufomës së komunizmit ».

Njeriu dhe lidhja e pandashme me botën dhe kohën e vet, izolimi i tij moral në gjirin e një shoqërie të destrukturuar – aksiologjia temporale, ja edhe kuptimi etik i vlerave që shfaqen herë pas here në indin thurës lubojan.

* * *
Pas këtij vështrimi « analitik », personalisht gjendem në rolin e nikoqires me thikë në dorë që heziton përpara se të ndajë në pjesë çyrekun metafizik… dhe ndoshta është filozofi Sartrë që zotëron formulën « e mesit të artë ».

Në parathënien e dramës së tij « Mizat », të shkruar në vitin 1943, ai shkruan : « Cilado qofshin rrethanat, në çfarëdo vendi që të jetë, një njeri mbetet gjithmonë i lirë të zgjedhë në se do të jetë ose jo një tradhëtar ».

Sigurisht që duke shkruar këto fjalë në atë vit të largët, ai s’kish parasysh as Ballin Kombëtar dhe dilemat e tij historike as edhe Z. Korça dhe etikën e tij si gjykim. Sartri i drejtohej një ilegali të Rezistencës – si puna e të atit të z. Lubonja, të cilin fati i keq dhe zelli i madh i bashkëpuntorëve të pushtuesit gjerman e kishin vënë në karriken e torturave të specialistëve të Gestapos. Pra, ai e kqyr problemin në spektrin e kurajës – të pranohet ose jo rreziku i veprimit. Ç’ka mbetet jashtë tij ? Një shqiptar i kohës së Enverit ose ishte me rregjimin ose ishte kundër tij. Asnjë zgjidhje tjetër nuk i ofrohej. Në këtë rast, a egziston vetë zgjedhja ?

Disa vjet më vonë, në dramën e tij « Djalli dhe Zoti », Sartri kundërshton vetvehten nëpërmjet njërit prej personazheve, i cili nuk është në gjendje të zgjedhë mes Kishës që ka braktisur të varfërit dhe mes të varfërve që kanë braktisur Kishën – një qënie njerëzore krejtësisht i kondicionuar nga situata në të cilën jeton.

Në mënyrë paradoksale, është brenda këtyre dy kufizimeve sartriane që duhet vendosur vehtja : pa mohuar guximin e brendshëm të sejcilit, që dikur arrin të çlirohet nga guacka individuale dhe shëndrrohet në një thirrje revolte, çdo qytetar si i tillë mban një pjesë të përgjegjësisë dhe të peshës së diktaturës. Pasi, është po aq hipokrite për ndërgjegjen të shkarkosh fajësinë e plotë mbi një popull, në gjirin e të cilit lindi një diktator, sikundër dhe absurde të kufizosh krimet e një rregjimi në atë majën e mprehtë të piramidës të pushtetit.
Sartri, gjithmonë ai, e ka përcaktuar këtë gjendje me anë të shprehjes së mëposhtme :

« sejcili është përgjegjës për atë çka të tjerët kanë bërë me të, edhe sikur të mos mundë të bëjë asgjë tjetër përveçse të pranojë këtë përgjegjësi. Ky është edhe përkufizimi vetë i lirisë : një lëvizje e vogël që shëndrron një qënie sociale krejtësisht të kondicionuar në një individ, i cili nuk rikthen në mënyrë të plotë gjithçka ka pranuar gjatë kondicionimit të tij » (3).

——————
(1) Max WEBER, Le savant et le politique, Plon, 10/18, Paris 1995.
(2) Hannah Arendt, la banalité du mal, comme mal politique, l’Harmatan, Paris 1998.
(3) Jean Paul Sartre, L’Existentialisme est un humanisme, Gallimard, Paris 1996.
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi