Elozh Metafizikës
Faqja 1 e 1
Elozh Metafizikës
Metafizika, na thoshte një mësues, u quajt nga lëçitësi latin, ajo pjesë e veprës së maqedonasit Aristotel, që vinte pas Fizikës. Por meqë physis domethënë natyrë, metafizikja është thjesht e mbinatyrshmja. E përtejshmja, infiniti, e pashmja simbas dritës...
Ajme jetojmë në epokën e anti-metafizikës, në konsumizëm, dhe të gjitha këto tingëllojnë patetike. Kjo epokë është veç tjerash edhe anti-fizike. Kaq na janë errësuar sytë nga mallrat, sa kemi humbur edhe lidhjen me natyrën, me fiziken. Dhe meqë e kemi humbur, kjo lidhje është bërë qëllim në vetvete. Priremi drejt fizikes, duke u nisur nga dëshpërimi ynë material, si dikur prireshim drejt metafizikes, duke u nisur nga pamjaftueshmëria jonë fizike.
Por shpirti ynë është aq i paushqyer, sa çdo kundërmim metafizike, na bën efektin e një helmi. Sa nga njerëzit e sotëm mund ta dëgjojnë Moxartin, pa iu dukur si "muzikë të vdekurish" fjala vjen?
Për të folur tani më në konkret për shpirtin shqiptar, e ndjejmë sa i kufizuar është bërë ai, nga reformat e historisë, sidomos atyre të shekullit të kaluar. Nuk po flasim për shpirtin Spirit (Spirito, Geist), por për shpirtin Soul (Anima, Seele). Për botën gjysmë-errcake të shqisave, që po errësohet gjithmonë e më shumë. Shpirti shqiptar po humbet instinktet, por pa fituar mendimin. Po humbet reflekset, pa fituar refleksionin. Mendimi është instinkt i ri, prandaj i dominon instinktet e vjetra fizike, dhe është i vetmi instinkt metafizik.
Në mungesën e programeve reale, atyre që i mundësojnë njeriut të vetëndërtohet, jemi sot para dy modeleve "sendërtuese". Sera e socializmit sovjetik është zëvendësuar me xhunglën e tranzicionit, dhe synohet që të shitet xhungla për të blerë serën. Në dyja këto modele zhvillimi të kopshtit antropologjik, shpirtit i merret fryma (për ta thënë filozofikisht më saktë, do më duhej italishtja, e do thosha: allo spirito vien tolta l'anima). Xhungla është model a-politik, pra antimodel, anarki. Sera prodhon në seri, por njerëz të skaduar amà, të konsumuar.
Nëse elita jonë ka modele kaq të skaduara për ne, kjo do të thotë se ajo nuk ka model për vete. Dhe ajo nuk ka lidhje organike me elitarizmin e viteve '30, sado që me fjalë mundohet ta bëjë. E madje pyetja shtrohet: a kemi elitë? Jo. Nuk kemi. Kjo elitë synon të na bëjë të besojmë se ne nuk kemi teknologjinë për ta kuptuar. Por meqë ajo e ka teknologjinë, si ka mundësi që nuk kupton vetveten?!
Thjesht se i mungon ai dimensioni...
Ç'është një elitë, përpos se një lëvizje që prodhon metafizikë?! Në kohën kur njerëzimi ishte më pak i robotizuar nga teknika, i donte lundërtarët e poetët e heronjtë e vet, pasi këta e pajisnin me metafizikë, i jepnin frymëmarrjen univerale, energjinë jetësore, largpamësinë profetike. Sot sistemit nuk i duhen më tërë këta figura të shpirtit, i duhen thjesht bateri.
Pa metafizikë, fjalët janë thjesht miza. Janë miza që kalojnë kokë më kokë, hyjnë në veshë e dalin nga goja, gjithnjë e më të azdisura, gjithnjë e më pickuese e verbanike. Shikojini se ç'ndodh me tërë komunikatorët - conquistadores të ekranit të vogël - gazetarët, politologët e politikanët, pedagogët e intelektualët, aktorët e regjisorët, këngëtarët dhe kompozitorët? A bëjnë gjë tjetër përpos së transmetuari mizat?! Mizat e njëri-tjetrit. Mizat e labirintit! Mizat e këtij realiteti të mbyllur, jo për shkak të vogëlsisë së vendit, por për shkak të mungesës së metafizikës!
Edhe Irlanda është e vogël, por shpirti irlandez merr frymë thellë. Sepse një shpirt nuk është një shpirt po nuk u derdh në një plan shpirtëror.
Diçka aktuale, tash. Kur themi se ne shqiptarët e kësaj Shqipërie duhet të dalim, nuk kemi parasysh se duhet të bëjmë pasaportat biometrike dhe të harxhojmë ato pak kursime që kemi. Të dalim, të dalim sa më parë, e jo të ikim, por të shkojmë. Për hir të atyre që vdiqën në kufi, të dalim, për të parë liri me sy, aty ku liria funksionon...
Por ata që vdiqën martirë, e kishin metafizikën e lirisë e ne mund të vdesim pa e pasur; shpirtrat e tyre e panë lirinë, e ajo qe shkëndija që i bëri të lëvizin edhe fizikisht. Sikundër, shumë shpirtra që kanë lindur në liri, nuk do e shohin atë, pasi nuk e kanë metafizikën e saj.
Kur flet për fiziken dhe metafiziken, s'mundesh dot ma ta vesh theksin tek e dyta. E don metafizika e tekstit. Ngase thjesht po shkruan pa folur. E në fakt në kohën tonë për shkak se po minohen të dyja, natyra dhe e mbinatyrshmja bëjnë lidhje të vetme (religjon t'unjishëm), për të krijuar njeriun me ndjeshmëri kozmike, si përgjigje ndaj robotit elektronik.
Pse e duam hebreun, të krishterin, muslimanin, siç duam poetin, muzikantin, e Ainshtajnin? Se kanë metafizikë, se kuptojnë gjuhën e krijimit, ia hapin dyert dritës, dhe janë jeta e kësaj bote, që pa ta s'ka jetë.
Metafizika ose skaji kah synohet. Pasi vetëm duke synuar të gjesh mbinjerëzoren, mund të arrish së paku njerëzoren.
Luli- "Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"
861
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi