EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mevlana Xhelaledin Rumi

Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 27.03.14 0:07

Mevlana Xhelaledin Rumi Xhelaledin-rumiu

Rumiu ka lindur më 13 shtator të vitit 1207 në rajonin e Balkh të Perandorisë Perse (në Taxhikistanin e sotëm). Ai la pas tri vepra të mëdha 1- Divani i Shamsi Tabrizit, 2- Masnavi, 3- Fihi Ma Fihi.

“Divani i Shamsi Tabrizit”, me emërin e një dervishi shëtitës, poet i talentuar dhe mik i Rumiut, i cili u zhduk në rrethet e Konjës në mënyrë misterioze. Ky poet ndikoi tek Rumiu dhe Rumiu e çmoi atë lart.

“Masnavi” (vargjet). Ky libër përmbledh pjesën më të madhe dhe më me interes të Rumiut me tema epike, lirike, didaktike dhe religjioze-mistike dhe për këtë është quajtur Kur’ani persian.

“Fihi Ma Fihi” (biseda). Pjesët që zgjodha nga ai libër në këtë përkthim, janë meditime filozofike sufizmi, rrymë islamike e shek. XII-XIII, me bazë filozofinë e gnostikëve të shek. II të Aleksandrisë, dhe këta, në përgjithësi, i kundërviheshin Krishtërimit, sipas filozofisë së Platonit: Zoti mistik ekziston brenda sendeve të botës. Ky panteizëm vijoi për një kohë të gjatë në Evropë dhe në Lindje, deri në shek. XIX.

Tekstet në fjalë, janë më tepër didaktike dhe janë mësime edhe për nxënësit e shkollave të atëhershme.

Mevlana Xhelaludin Rumiu vdiq më 17 dhjetor 1273. Dervishët Mevlevi për  kujtim të tij caktuan një natë festivale që quhet Sebul Arus, d.m.th. Nata e bashkimit.

Brendia e poezive të Rumiut dallohet qartë nga tone epike-lirike, shpesh thjesht lirike, të përshkruar nga filozofia e sufinjëve që donin të pajtonin botën materiale me shpirtin. Shpesh këto tema ai i mori direkt nga folklori, nga këngë, anektoda, rrëfime e përralla popullore, ose edhe nga gojëdhënat e vjetra mbi shenjtorët, disa me bazë Dhjatën e vjetër, si vjersha e gjatë: “Moisiu dhe Faraoni“, etj.

Nota religjioze në këtë përkthim mund të hasni në disa poezi, më e bukura e të gjithave nga këto mu duk “Omari dhe lahutari“, ngjarje që zhvillohet në varrezat e Medinës.

Në rrëfimet e tij në vargje Rumiu dallohet si një poet i madh me talent, i denjë për t’u renditur pranë Firdusiut, Omar Khajamit, Xhamiut, Attarit, Sunait e shumë të tjerëve, poetë të përlindjes persiane, deri tek Saadiu i papërsëritshëm. Të gjithë këta janë poetë të mëdhenj botërorë.

Xhelaludin Rumiu u shpërngul nga Irani për në Konje, kur nga Lindja u sulën hordhitë mongole, të prira nga Xhingis Khani.

Ndjenjat e syrgjynit të detyruar, ai i shpreh qartë tek “Kënga e fyellit” të cilën pjesërisht e ka përshtatur në shqip poeti ynë i madh kombëtar, Naim Frashëri.

Koha, kur Rumiu u gjend në Konje, ishte ajo e princave Selxhukë, të cilët më vonë u luftuan ashpër nga Sulltanët Otomanë. Princat Selxhukë e pranonin harmoninë, bashkimin dhe miqësinë që predikonin sufinjtë persianë, të cilët u dolën në mbrojtje edhe të krishterëve, kur ata u sulmuan nga osmanët.

Kur Otomanët sulmuan të krishterët armenë, ishin sufinjtë myslimanë që i strehuan në shtëpitë e tyre.

Në vjershat dhe Rrëfimet e Rumiut shprehet qartë ndjenja e mëshirës ndaj të varfërve, lypsarëve ose atyre që janë në pozita të vështira. Edhe Naimi që e donte shumë Rumiun thoshte: “Ëpuni pa u ep Zoti”.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 27.03.14 0:16

Xhelaledin Rumiu (Jalal ed din Rumi) është një emër i ndritur i kulturës klasike perse dhe një prej gjenive krijuese të kësaj kulture. Në vendin e tij të lindjes emri i tij qendron në një lartësi të tillë, që edhe sot e kësaj dite, tetë shekuj nga koha kur jetoi e krijoi, njerëzit nuk ia lejojnë vetes t’i drejtohen thjesht në emër, sepse u duket sikur ia errësojnë lavdinë.

Në Iran atij i drejtohen me ndajshtimin përjashtimor “Mevlana” (“moulana”, “molana”, në një shqiptim më të saktë), që bashkon nderimin filozofik, teozofik, poetik, kulturor e letrar të të gjitha kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Si në çdo gjuhë tjetër, edhe në iranishte ka shumë emra të tillë nderimi, por “Mevlana” është quajtur vetëm njëri, vetëm Xhelaledin Rumiu.

Në të vërtetë “Mevlana” shpreh thelbin e gjithë trashëgimit të shkëlqyer që kemi prej Rumiut. Mbështetur mbi këtë trashëgimi pas vdekjes së Mevlana-s u krijua urdhëri i “dervishëve fluturues”, që kudo në botë njihen si “dervishët mevlevinj”, domethënë pasues të Mevlana-s, të cilët, me vallet e tyre rituale, me semah-në e famshme që i priu njëherë vetë Mevlana, synojnë paqen dhe ekuilibrin shpirtëror, afrimin me të lartën hyjnore dhe tretjen në dritën e besimit.

Xhelaledin Rumiu nuk i vuri qëllim vetes të krijonte ndonjë besim të ri, por ata që erdhën më pas gjetën tek ai një reformues epokal të mendësisë njerëzore, të botëkuptimit të njeriut, të raporteve të tij me hyjnoren, me tokësoren, me jetën dhe vdekjen, me pavdekësinë dhe amshimin.

Rumiu e pa botën në një mënyrë thuajse të pangjashme me mendimtarët paraardhës. I mbështetur në shkollën “peripato” të akademikëve klasikë grekë, në traditën e besimit dhe mendimit sufist, në vlerat më të arrira të dijetarëve gnostikë, ai u shfaq si fenomen i ri. Këtë vështrim të ri mbi botën, që e shihte njeriun si bir të hyjnisë, të një hyjnie të vetme e të përbashkët, jashtë ndarjeve fetare të vjetra e të reja, jashtë kufijve doktrinarë të njërës dhe tjetrës fe, të njërës dhe tjetrës gjuhë a kulturë, të njërës dhe tjetrës filozofi mendimi, ai e shprehu përmes “Masnavive”, poezive mistike-shpirtërore që ai krijoi dhe që njëri prej dy djemve të tij, edhe ky poet, më pas i mblodhi e i tejshkroi në libra si të tashmit. Sot ato janë të renditura dhe kodifikuara në 6 vëllime, të cilat në terminologjinë e Perëndimit të krishterë shpesh quhen “Six sermons”.

Emri i Mevlana-s dhe emri i masnavive janë fjalë të pandashme. Përveç gjuhës së vendit të lindjes, thuajse asnjë gjuhë tjetër duket se nuk është në gjendje ta japë në mënyrë të plotë kuptimin e termit “masnavi”. Në ish-perandorinë osmane ato quheshin “mesnevi” dhe në arabishte “mathnavi”. Në përkthimet e shumta në gjuhët perëndimore ato quhen më shpesh kuplete shpirtërore (“spiritual couplets”). Por më të shumtën e rasteve ato janë krahasuar me “odet” e poetëve të mëdhenj humanistë europianë, sidomos me odet e Shekspirit dhe të Shilerit. Zakonisht studiuesit e Perëndimit masnavitë i quajnë “odet e Lindjes”. Ky ndoshta është termi më i afërt për të paraqitur terminologjikisht kuptimin e masnavive, sepse ato në të vërtetë janë njëherësh poezi, këngë, filozofi, urtësi, predikim, porosi e këshillë, rit, besim e fe.

Nuk është aspak e rastit që “Masnavitë” e Mevlana-s në gjithë botën njihen edhe si “Kur’an-i pers”. Duket si e papajtueshme që libri i një reformatori të madh të kuptimit mbi njeriun dhe Perëndinë, që është thelbi i çdo besimi, siç ishte Mevlana, njëherësh të marrë si krahasim nderues emrin e një libri të shenjtë si “Kur’an-i”. Por pikërisht këtu qendron madhështia e Rumiut: me veprën e vet ai po aq sa e reformoi besimin njerëzor, po aq dhe e lartësoi atë, me devotshmërinë e një besimtari që e sheh veten njeri të lirë në atë masë që e sheh veten edhe të lartësuar përmes tretjes filozofike në rrugën e përkryerjes drejt hyjnores.

Kur Rumiu shprehej se nuk ishte as zoroastrian, as musliman, as i krishterë, as hebre, një slogan i denjë për botën e sotme aq shumë të trazuar prej kundërvënies fetare, nuk kishte në mendje refuzimin e çdo besimi dhe aq më pak të të gjitha besimeve të marra së bashku. Ai kërkonte nga vetja dhe nga pasuesit e vet afrimin me Perëndinë përmes njohjes së thellë. Rumiu mendonte se besimi ishte për njerëzit e mençur dhe jo për ata me mendje të mpirë.

Rumiu mendonte se besimet nuk janë të largët e me kufij doktrinarë mes tyre: mjaftonte thellimi në dijen teozofike për të parë afërinë e tyre. Edhe “Masnavitë” e tij janë shprehje e kësaj konvergjence që Rumiu e kërkonte midis gjithë njerëzve të kësaj bote. Prirjen e konvergjencës ai e shprehu edhe me gjuhët që përdori në krijimtari. Shkroi persisht, që ishte gjuha e vendlindjes. Shkroi po ashtu osmanisht, që ishte gjuha e perandorisë ku gjeti kushte të krijonte. Por shkroi edhe greqisht, sepse jetoi e krijoi në Konya, më saktë në Ikonya, domethënë në qytetin e ikonave të kishës bizantine, që kishte luajtur një rol kulturor metropolitan për disa shekuj me radhë.

Filozofia e Rumiut është mospërjashtimi si parim dhe përafrimi si tentim. Ai paracaktoi fatin dhe rrugën e shumë zhvillimeve të mëvonshme shpirtërore jo vetëm në Lindje, por edhe në Perëndim. Këto zhvillime janë edhe sot të pranishme në jetën e popujve.

Rruga e Rumiut drejt njerëzimit në Perëndim nuk ka qenë aq fatlume sa e klasikëve të tjerë persë. Kjo ka ardhur jo për ndonjë refuzim letrar apo shpirtëror në këtë pjesë të njerëzimit. Më shumë kjo ka ardhur nga karakteri jashtëzakonisht sinkretik i poezisë së tij. “Masnavitë” nuk mund të lexohen në mënyrë drejtvizore. Kuptimi i shqiptuar i tyre është kuptimi më i sipërfaqshëm. Kuptimet më të thella gjenden të mbuluara prej fjalës së jashtme. Poezitë e Rumiut kanë ngjashmëri me rrëfimet parabolike të Ungjillit dhe të Kur’an-it. Kuptimi i tyre kërkon kulturë letrare e fetare, njohje të historisë së qytetërimeve dhe të besimeve, njohje të stileve klasikë të ligjërimeve të kultivuara. Kjo është arsyeja që zakonisht thuhet se Rumiu lexohet në mënyra të ndryshme në mjedise kulturore të ndryshme.

Dihet mirë se para dy vjetësh libri “Fjalët e parajsës” (“Word of Paradise”), që përmban masnavitë e Rumiut anglisht, i botuar në SHBA, arriti të jetë libri më i shitur i vitit. Rumiu e tronditi botën letrare atlantike. Këngëtarë dhe artistë të mirënjohur të Hollivudit, si Madonna, Demi Moore, Goldie Hawn, nxituan të prodhojnë disqe me këngë e recitale, që janë sot shumë të suksesshme në atë pjesë të botës dhe mund t’i gjesh në çdo shtëpi, madje dhe në çdo veturë. Rumiu shoqëron njeriun amerikan në çdo hap që hedh.

Edhe në Shqipëri Rumiu erdhi me një vonesë relative.  Në të vërtetë shpirti i Rumiut mbërriti në mjediset letrare shqiptare bashkë me Rilindjen Kombëtare, bashkë me vjershërinë e Naimit, dhe kjo është një shenjë shumë e rëndësishme për afërinë e tij me ndjenjat afirmuese të çdo populli që hyn në rrugën e përtëritjes dhe ringjalljes shpirtërore. Me botimin e tanishëm, të realizuar me mjeshtëri nga poeti lirik dhe përkthyesi i talentuar Dhori Qiriazi, nën kujdesin e posaçëm të poetit tjetër të njohur shqiptar Xh. Spahiu.


Yj pas Yjesh



Ka yj pas yjesh, ata nuk rrezikohen

Në flakë, kur digjen, dhe kur copëtohen.



Kur arratisen në qiej të tjerë, të lartë,

Dhe admirohen, kur janë në qiell të shtatë,



Qëndrojnë atje dhe Zotit i ndriçojnë,

As nuk bashkohen, as ndahen, bashkë rrojnë.



Kur njeri çohet, mes yjesh si nishan,

Si shpirt me flakë, me zhurm’ psherëtimë  shpërndan3.



Nuk shpreh inat si Mars që dhimbje pret

Dhe ulet poshtë, natyrës i thërret.



Një dritë shenjtori i mbron të gjithë kërthinjtë

Nga Zoti larg të jetë sa dy gishtërinjtë.



Po Zoti vetë ndan dritën, i jep tjatrit

Dhe kush ka fat, i ndih dhe më të varfërit.



Ata e dinë se kush e ndau dritën,

Ndaj faqen kthejnë drejt Zotit natën, ditën.



Ndokush në trup s’ka dashurinë mbulesë,

Nga ajo dritë, kuptohet, nuk ka pjesë.



Një ngjyrë të zezë në sheh ndonjëherë jashtë,

Ti nuk pranon; të kuqen do, të verdhën të ngresh lart.



Të mirat ngjyra janë shfaqje pastërtije,

Ngjyr’ e shpëlarë, e zeza, nuk ka hije.



Emri i një ngjyre të pastër është shkëndi

ajo tregon një shteg nga shkon Ai.



Kush është në det, në ujra udhëton,

nga vende kthehet, nga viset nga kalon;



Uritur kthehet, nga malet në rrëzohet,

dhe shpirti ynë me dashuri bashkohet.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 27.03.14 0:23

Vizioni, fjalet dhe jeta e Rumiut na meson se si te arrijme paqen dhe lumturine brenda nesh, duke pushuar se jetuari ne armiqesi e urrejtje dhe duke zgjedhur te jetojme ne paqe dhe harmoni. Gjate nje periudhe 25- vjecare Rumiu hartoi 70.000 vargje poetike, poezi kushtuar dashurise hyjnore, pasionit mistik, si dhe poezi per ekstazen. Studiuesit e sotem besojne se Rumiu eshte nje nga poetet me te medhenj te koherave dhe se veprat e tij mund te krahasohen me ato te Dantes dhe Shekspirit. Veprat e Rumiut jane te pashoqe ne letersine persiane per cilesine dhe pasurine ideore dhe figurative qe ato mbartin.

Kompleksiteti i Rumiut qendron ne mendimin mistik ne lirshmerine dhe ne shkujdesjen e tij gjate te shkruarit, centrifugal, sheronjes dhe indiferent gjate gjuhes tradicionale, ku ne sy te bie nje gjuhe e lemuar dhe jo e lehte per ta kuptuar. Veprat e tij permbajne njekohesisht dhe shume histori, qe karakterizohen nga nje sharm i holle, ne te cilat levizin paragrafe plot pasion.

Bota e shprehur ne to eshte ajo e sufiteve dhe jo bota hindu apo e krishtere, bota e qenies, e zhvillimit dhe e transformimit te saj. Metafizika islame, kozmologjia, psikologjia tradicionale dhe njohurite ezoterike do te perbejne ne vepren e Rumiut dhe boshtin qendror te ideve te tij.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 27.03.14 0:28

Mund të themi padyshim se në botë pothuajse të gjithë kanë dëgjuar apo lexuar diçka për Rumiun. E cila na qenka ajo fjalë e re, që nuk është përdorur më parë për të shprehur madhështinë e tij? Ai, mbi të gjitha, është ngrohtësia e dashurisë. Dhe pavarësisht se i zotëronte të gjitha shkencat e asaj kohe, Mevlana fliste me gjuhën e ndjenjave. “Ne jemi lindur nga dashuria... Dashuria është nëna jonë”, thoshte ai. A nuk dinte edhe Rumiu të shkruante disa libra akademikë e të mburrej me njohuritë e tij?! Por jo, ai kishte zgjedhur oratorinë e ndjenjës, atë që buronte nga zemra dhe shpirti. Në vend të largimit, izolimit nga jeta, ai këshillonte pushtimin, përqafimin e saj me plot dashuri. Mevlana nuk u ngjante aspak dijetarëve, që uleshin mënjanë gjithë përtaci. Ai shëtiste brenda jetës sikur vallëzonte, madje rekomandonte që jetës dhe dashurisë t'i jepej haku.

Një ditë, duke shëtitur në një nga çarshitë e Konjës, ai ndaloi papritur përpara dyqanit të farkëtarit dhe nisi të dëgjojë me vëmendje të madhe zërat, tingujt e tjerë, që vinin nga pazari. Sa i përsosur ishte rendi ritmik dhe harmonia, me të cilën jeta vazhdonte?! Sa më fortë që godiste çekani i farkëtarit, aq më thellë e ndjente në zemër Mevlana ritmin e jetës. Dhe atje ku ndodhej, ai ia dorëzoi veten këtij ritmi. Filloi të rrotullohej rreth vetes me dashuri. Ja pra, kjo ngjarje është edhe pikënisja e valles hyjnore, të famshmes “sema”. Rumiu e kishte mbërthyer jetën nga zemra.

Vallja rituale e dervishëve rrotullues, e shoqëruar me tingujt e fyellit (nej), është mjet i të njohurit frymëzues, i cili e ringjall shpirtin dhe tejkalon kohën aktuale duke paraqitur vdekjen para vdekjes fizike. Ekstaza mistike e riaktualizon parakrijimin me flakjen e gjendjes ëndërruese dhe botës së epsheve, në të cilën është i mbytur besimtari me natyrën e vet trupore, përkatësisht ndodhet në gjendjen e shpërfilljes (gaflet).

Ky dijetar, poet dhe filozof i shquar, që veprën e tij të famshme “Masnavi” e emërtonte si “dyqani i bashkimit”, në atë çast arriti “bashkimin”, sekretin e jetës. Dhe gjatë gjithë jetës pulsi i tij rrahu gjithnjë me entuziazmin e këtij “bashkimi”. Ishte pikërisht kjo ndjenjë “bashkimi” ajo, që i lidhte ngushtë ndjekësit e tij me të dhe vet atë me gjithësinë.

Padyshim që numri i nxënësve, ndjekësve të tij ishte tepër i madh. Rumiun e donin si sulltanët, ashtu edhe bujqit; atë e admironin qoftë intelektualët e artistët, qoftë edhe të pashkollët. Parimet e tij frymëzuan shumë dijetarë, rapsodë, poetë, muzikantë, piktorë dhe skulptorë. Madhështia e Mevlanës nuk kuptohet vetëm nga veprat e tij, por edhe nga masat që vazhdojnë ta ndjekin edhe qindra vite më vonë.

Rumiu, siç e dini edhe ju, njihet si poeti i dashurisë. Dashuria hyjnore nënkupton dashurinë e dyanshme: Dashurinë e Perëndisë ndaj njeriut dhe të njeriut ndaj Tij. Afërsia dhe gjithëprania e Zotit ndaj robit dëshmohet në Kuran. Mevlana thotë: “Dashuria është veti e Krijuesit, prandaj s’ka mangësi – hija që hedh mbi tjetër gjë, nuk duhet marrë për dashuri. Të tjerët bukurinë e kanë si të bukurën inxhi: Nga jashtë shkëndija rrezaton, por brenda ka veç tym e hi”.

Një dashuri e këtillë, e dyanshme, ndërmjet Perëndisë (mashuk) dhe njeriut (ashik), ka një natyrë të përbashkët, ajo është dritë që ndriçon gjithkund dhe gjithmonë, ajo paraqet dritën e sinqertë të ekzistencës dhe të ftesës për ekzistencë në realitet. Dashuria e Perëndisë ndaj njeriut në literaturën sufiste shprehet me simbolin e verës.

Mevlana ishte dijetar i lartë, që u shndërrua në poet, prej poetit kaloi në shkallën e të sprovuarit, më pas u deh për mos t'u zhdehur nga vera e kulluar e burimit të dashurisë, në fund ishte shpirt i ndritur, i cili u tret në verën e dritës për të ndriçuar rrugëtimin e të dashuruarve. Duke falënderuar fuqinë transfigurative të dashurisë, çdo krijesë në vete mbart dëshirën e papërmbajtur, që të gjithë qenien e vet ta shkrijë në burimin prej nga edhe ka zanafillën, kur i dashuri dhe i dashuruari kanë qenë një. Gjendja parakrijuese ka qenë ideale në krahasim me gjendjen e ekzistencës, të cilën njerëzit e kanë fituar me aktin e krijimit. Larmia e formave të krijimit, perceptohet si vet zbulim hyjnor.

E drejta dhe rruga e ashikëve ishte Perëndia, përtej kësaj nuk kishte asgjë. Sipas Rumiut, rrugët, që të çojnë te Krijuesi, janë të hapura për të gjithë ata, që përpiqen mjaftueshëm. E vetmja gjë që duhet bërë është të flaken tutje thesaret e kësaj bote për t'u pasuruar me dashurinë e Hyjit. Ashtu siç ai theksonte gjithmonë, njeriu ka nevojë për dy gjëra: “Dashuri dhe dy sy të përlotur.”

“U mërzita nga këta shokë qullashë”. thoshte ai. Dhe padyshim ajo që Mevlana linte të kuptohej ishin personat, që përpiqeshin të bëheshin dijetarë pa u lodhur aspak. Mirëpo vallë a mund të bëhesh dijetar vetëm duke ngrënë, pirë dhe fjetur? Kjo është një punë mundi, përpjekjeje dhe dashurie. Dashuria; pra një çështje besnikërie dhe vetësakrifikimi... Bota nuk është as një vend statik! As jeta nuk është e tillë. Ka gjithnjë një lëvizje, një krijim. Dhe Rumiu e dinte shumë mirë këtë gjë. Prandaj u vu në kërkim të sekreteve të gjenezës dhe ato, që arriti t'i zbulojë, ua transmetoi edhe njerëzve...

Mevlana u bë shërim për zemrat dhe melhem për hidhërimet.

Meqenëse e dinte shumë mirë prirjen e njeriut për ty zhytur në gjumin e shpërfilljes, Rumiu ka përdorur gjithnjë një stil tronditës. Çdo fjalë e tij është një shpatë “plot perla ribashkimi”. Një shpatë kjo që i ringjallë njerëzit.

Ai i fton të gjithë “të vdesin përpara vdekjes fizike”. Ja pra, në këtë thënie fshihet një nga inxhitë më rrezatuese dhe një nga temat më të thella të Detit të diturisë së Anadollit. Sepse ai, që e vret në zemrën e tij botën, e cila nuk është gjë tjetër veçse një fushë loje, do të lejë në një jetë krejtësisht të re. “Kjo botë është një zindan (burg), thyeji prangat dhe çliroje veten”, thotë Mevlana. Njeriu do të rizgjohet dhe do të fitojë gjallërinë e vërtetë vetëm kur të ketë mposhtur nefsin, pra botën e tij të brendshme. E thënë ndryshe, njeriu që fiton betejën me botën e tij të brendshme, do të ketë një diell, që do të ndriçojë me risi botën e vjetër.

Kjo thënie nuk është një fjalë boshe; prova e saj është vet Mevlana.

Pas një jete relativisht të gjatë dhe jashtëzakonisht të frytshme në fushën e edukimit të nxënësve të tij, e mbi të gjitha pas një prodhimtarie të begatshme të veprave të shkruara në prozë dhe poezi, Mevlana Xhelaledin Rumiu më datë 17 dhjetor 1273 kaloi në amshim, e cila në tërë botën njihet si Shebi Arus-Nata e Martesës. Ai u varros në Konja dhe varri i tij mban emrin Tyrbja Jeshile, ashtu si edhe xhamia pranë.

E megjithatë, saktësisht siç e kishte parashikuar ai vet, thëniet e tij nuk mbetëm vetëm si fjalë. Ato u bënë çelësa, që hapin porta të panumërta në Lindje, Perëndim, Veri dhe Jug. Hartat, paralelet dhe meridianët e humbasin vlerën kur dëgjohet një fjalë e tij. Sot, si në Lindje të Mesme ashtu edhe në Amerikën Veriore, brenda librave më të lexuar ka gjithnjë vepra të tij. Madje disa vargje të tij kumbojnë edhe në veshët e atyre, që nuk e kanë njohur fare Rumiun:

“Eja, prapë eja, përsëri eja,
Si do që të jesh,
I pafe qofsh, zjarradhurues qofsh,
Njëqind herë në ke bërë pendim,
Njëqind herë në e ke prishur pendimin,
Kjo nuk është portë e pashpresës,
Si do që të jesh, ashtu eja!...”
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 27.03.14 0:29

Jetoja në buzë të
ç'mendurisë
Duke kërkuar arsyet
Trokitja në derë.
U hap.
Po Trokitja për nga Brenda

Rumi
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 27.03.14 0:30

Mevlana Xhelaledin Rumi Pictur10

Kur shpirti për herë të parë veshi rrobat e trupit,

Oqeani ngriti lart të gjitha dhuratat.

Kur dashuria për herë të parë shijoi buzët

E të qenurit njeri, filloi të këndojë.

Ne jemi nga një vend përtej këtij universi,

Por prap supozojmë se jemi nga toka dhe hiri.

Ne shkojmë duke trokitur tek dyert e të panjohurve të kuptojmë se kush jemi.

Ne e kërkojmë këtë botë për zgjidhjen e madhe

Të asaj që u martua me ne gjatë lindjes

Dhe shkurorëzohet në vdekje.


Rumi
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Neo 16.04.14 12:31

Osho per Jalaluddin Rumi-n

Rumi nuk do të thotë asgjë, është emri i një vendi, për shkak se ai erdhi nga Rum ai u quajt Rumi . Mesazhi i tij është dashuria dhe ai i përket kategorive më të larta të Budave . Ai ishte njeriu që krijoi një metodë të re meditimi, whirling ose duke u vërtitur, rrotulluar.

Ka pasur qindra metoda, Rumi ka kontribuar me një metodë të veçantë. Ai u bë i ndriçuar jo duke u ulur në heshtje si një Buddha, ai u bë i ndriçuar duke vallëzuar. Dhe vallëzimi i  tij është i veçantë. Ju rrotulloheni e rrotulloheni, si një rrotë që lëviz  shpejt e më shpejt, ju jeni edhe boshti edhe rrota. Fëmijët e vegjël e pëlqejnë atë shumë. Pothuajse në të gjithë botën prindërit i ndalojnë fëmijët e tyre që ta bëjnë at, sepse ata janë të frikësuar se mund ti  merren mendtë, por ata nuk e dinë se fëmijët janë duke shijuar diçka shumë të veçantë .

Kur një fëmijë i vogël rrotullohet ai humb ndjenjën e të qenit një trup, ai fillon të rrijë pezull mbi trupin e tij, ai mund të shohë vetërrotullimin e trupit të tij - dhe kjo është mrekullia e metodës. Por ne ndalemi nga prindërit tanë shumë herët .

Jalaluddin futi këtë metodë. Ai vetë u bë i ndriçuar nga tridhjetë e gjashtë orë rrotullimi të vazhdueshëm. Ai kishte hipur mbi një re, ai nuk mund të ndalej deri sa ai ra poshtë. Por, kur ai hapi sytë dhe u ngrit ai ishte një njeri krejtësisht tjetër, i vjetri ishte zhdukur. Njerëzit ishin mbledhur për ta parë atë, mijëra njerëz - sepse ai ishte një mistik i njohur. Çfarë i kishte ndodhur atij ? Ishte çmendur apo çfarë. Ai i kishte thënë dishepujve të tij se ai nuk duhej të shqetësohej.

Për tridhjetë e gjashtë orë ai val;lëzoi dhe vallëzoi derisa u zhduk në atë vallëzim, vallëzimi ngeli por vallëzuesi u zhduk - ego vdiq. Dhe ai mund të shihte trupin e tij nga një plan më i lartë duke vcallëzuar diku në tokë . Ai u bë një vrojtues në kodër, kurse trupi ndodhej në luginën e thellë të errët. Dhe kështu ai ia dha metodën dishepujve të tij. Mesazhi i tij ishte i dashuri dhe vallëzim. Dashuroni tërë ekzistencën kështu që ju të mund të vallëzoni dhe vallëzoni për të braktisur në mënyrë që ju të mund të dashuroni.

Shumë pjesë të Rumit janë kthyer në një muzikë të mrekullueshme nga Deepak Chopra dhe shumë artistë si Madona, Demi Moore etj


Kuptimi i Dashurisë


Drita dhe hija së bashku

janë vallëzimi i Dashurisë.

Dashuria nuk ka shkak;

është astrolab i sekreteve të Zotit.

Ai që dashuron dhe vetë Dashuria

janë të pandashëm e të përjetshëm.

Ndonëse përpiqem ta përshkruaj Dashurinë,

kur e provoj atë mbetem pa fjalë.

Ndonëse përpiqem të shkruaj rreth

Dashurisë asgjë s’më ndih;

pena ime thyhet dhe fleta

rrëshqet drejt vendit pa emër

ku Dashuria, i dashuruari dhe

kush dashurohet janë një.

Çdo çast bëhet i lavdishëm

nën dritën e dashurisë.



Privilegj i të dashuruarve


Hëna është shndërruar në një valltare

në këtë festival dashurie.

Kjo valle drite, Ky bekim i shenjtë,

Kjo dashuri hyjnore, Na thërret drejt një bote

përtej së cilës vetëm të dashuruarit

mund të vështrojnë me sytë e tyre që digjen flakë pasioni.

Ata janë të përzgjedhurit që iu nënshtruan kësaj ndjenje.

Dikur ishin grimca drite,

Tani vetë dielli rrezatues.

E lanë mbrapa botën e lojrave mashtruese.

Ata janë brenda privilegjit të të dashuruarve që krijojnë

një botë të re me sytë e tyre që digjen flakë pasioni.



A më do?

Një i dashuruar e pyeti të dashurën e tij

A e do veten më shumë se mua?

E dashura iu përgjigj,

Unë kam vdekur për vete dhe jetoj për ty.

Unë jam zhdukur ndaj vetes dhe cilësive të mia.

Unë jam e pranishme veç për ty.

Unë kam harruar gjithë çka kisha mësuar,

por duke të njohur ty jam bërë e ditur.

Unë e kam humbur tërë forcën,

por falë fuqisë tënde mund të veproj.

Nëse dua veten të dua dhe ty.

Nëse të dua ty e dua dhe veten.



Një çast lumturie, ti dhe unë të ulur në verandë,

dukemi dy, por jemi një shpirt, ti dhe unë.

Ne ndiejmë rrjedhën e ujit të jetës këtu,

ti dhe unë, me bukurinë e kopshtit

dhe zogjtë që këndojnë.

Yjet do të na vështrojnë, dhe ne do t’i tregojmë atyre

çfarë do të thotë të jesh një hënëz e re.

Ti dhe unë, zhveshur nga vetja, do të jemi bashkë,

Indiferentë ndaj spekullimeve të kota, ti dhe unë.

Papagajtë e qiellit do të jenë të lumtur

Ndërsa ne qeshim së bashku, ti dhe unë.

Me një formë mbi këtë tokë,

dhe me një tjetër formë në një tokë jashtë kohës.


Vdiqa si gur dhe linda sërish si bimë;

Vdiqa si bimë dhe linda si kafshë;

Vdiqa si kafshë dhe u linda si njeri;

Pse duhet të kem frikë? Çfarë humba prej vdekjes?


Gjatë gjithë përjetësisë

Bukuria zbulon formën e Tij të përkryer

në vetminë e asgjësë

Ai mban një pasqyrë para fytyrës së Tij

dhe sheh bukurinë e Tij.

ai është njohësi dhe e njohura,

ai që sheh dhe ajo që shihet;

Asnjë sy tjetër përveç syrit të Tij

Nuk ka parë ndonjëherë mbi këtë Univers.


Çdo cilësi e Tij e gjen një shprehje:

Përjetësia bëhet fushë e gjelbëruar e kohës dhe hapësirës;

Dashuria, kopshti jetë-dhënës i kësaj bote.

Çdo degë, gjethe dhe frut

Zbulon një trajtë të përsosmërisë së Tij-

Këta qiparisa tregojnë madhështinë e Tij,

Trëndafili kumton bukurinë e Tij.


Sa herë që Bukuria shikon përtej,

Atje ndodhet dhe Dashuria;

Sa herë që bukuria tregon një faqe të skuqur

Dashuria ndez zjarrin e Saj prej kësaj flake.

Kur bukuria pushton shtresat e errëta të natës

Dashuria vjen dhe gjen një zemër

Të ngatërruar mes flokësh.

Bukuria dhe Dashuria janë si trupi dhe shpirti.

Bukuria është miniera, Dashuria është diamanti.

Ato janë bashkë. Që prej fillimit të kohës

Krah më krah, hap pas hapi.


Çdo jetë e shpenzuar pa parë mjeshtrin

Është një vdekje e maskuar ose një gjumë i thellë.

Uji që ju ndot është helm;

Helmi që ju pastron është ujë.


Çdo shpirt që piu nektarin e pasionit tuaj u ngrit.

Prej këtij uji të jetës ai është në gjendje ngazëllimi.

Vdekja erdhi, më nuhati, por ndjeu aromën tënde.

Prej atij çasti, vdekja humbi çdo shpresë mbi mua.



Eja e dashur

Le ta adhurojmë njëri-tjetrin

Para se të mos jemi më as unë as ti.


Një pasqyrë tregon të vërtetën

Shikoje fytyrën tënde të ngrysur,

Ndritu dhe largoje tutje

Buzëqeshjen tënde të hidhur.


Një mik zemërgjerë jep jetë për një mik

Le të ngrihemi përmbi këtë sjellje kafshërore

Dhe të jemi të sjellshëm me njëri-tjetrin.


Pasi të më mendosh

të vdekur e të ikur

Do të pajtohesh me mua

Do të të marrë malli për mua

Ndoshta edhe do të më adhurosh.


Pse të adhurosh një të vdekur?

Mendo për mua si një të ikur

Eja të pajtohemi tani.


Në vend që të vish

E të derdhësh puthje

Mbi varrin tim më vonë

Pse nuk mi jep ato tani?


Ky jam unë

I njëjti njeri.


Mëria e errëson miqësinë

Pse të mos e largojmë

Të keqen nga zemra jonë


Unë mund të flas shumë

Por zemra ime është e heshtur.

Çfarë mund të bëj tjetër?

Unë jam i dënuar ta jetoj këtë jetë.



Asgjë nuk zgjat përgjithmonë

Askush nuk jeton përgjithmonë

Mbaje mend, dhe dashuro

Jeta jonë nuk është e njëjta peshë e vjetër

Rruga jonë nuk është i njëjti udhëtim i gjatë

Lulja venitet dhe vdes

Duhet të ndalemi të thurim përsosmërinë në muzikë

Mbaje mend, dhe dashuro

E dashur, tek ti gjej strehë

Dashuria ulet drejt perëndimit të saj

Për t’u zhytur nën hijet e arta

Dashuria duhet tërhequr prej lojës së saj

E duhet të lindë sërish për të qenë e lirë

Mbaje mend, dhe dashuro

E dashur, tek ti gjej strehë

Pa të parë,  nuk mund të fle    

Le të nxitojmë të mbledhim lulet tona

Përpara se të na i rrëmbejë era

Dashuria na e nxit ndez gjakun dhe  i shkëlqen sytë tanë

Për të rrëmbejmë puthje që mund të zhduken

Nëse arrijmë vonë

Jeta jonë është e paduruar

Dëshirat tona të gjalla

Sepse koha kalon

Mbaje mend, dhe dashuro

E dashur, tek ti gjej strehë

Bukuria është e ëmbël për një kohë të shkurtër

Pastaj ikën

Dituria është e çmuar

Por ne kurrë nuk do të kemi kohë

ta realizojmë atë tërësisht

Gjithçka ka përfunduar tashmë

Në qiellin e përjetshëm

Por jeta jonë këtu është e freskët përherë

Mbaje mend, dhe dashuro.




Ai:

Dua të të jap diçka, e dashur

Sepse do të lëvizim në rrjedha

të ndryshme të kësaj bote

Jetët tona do të largohen dhe

dashuria jonë do të harrohet

Por nuk jam aq i marrë, sa të shpresoj

të blej zemrën tënde me dhurata

Jeta jote  është e re, rruga jote është e gjatë e ti pi

veç një herë nga dashuria ime dhe ikën

Nuk kam lojra as shokë loje,  as buzëqeshjen

dhe sjelljen tënde të shpenguar

Ti je si lumë që turret me shpejtësi

duke kënduar e mposhtur çdo pengesë

Unë jam mali, unë qëndroj e kujtoj e ndjek me zemër

Unë jam mali, unë qëndroj e kujtoj e të ndjek ty me dashuri


Ajo:

Dashuria ime, zemra ime, le të jetë kjo kohë

ndarjeje e ëmbël

Le të mos jetë vdekje, por plotësim

Lejoje dashurinë të shkrihet në kujtesë

dhe dhembjen në këngë

Le të fillojë fluturimi yt përmes qiellit

duke hapur krahët

Le të jetë delikate si lulja e natës

prekja jote e fundit  

Ndalu, o dashuri e bukur, për një moment

Dhe thuaji fjalët e fundit në heshtje

Të falem ty dhe mbaj lart qiririn që

të ndriçojë fluturimin tënd drejt lirisë

Dashuria ime, zemra ime, le të jetë e ëmbël

kjo kohë ndarjeje

Le të mos jetë vdekje, por plotësim

Lejoje dashurinë të shkrihet në kujtesë

dhe dhembjen në këngë

Le të fillojë fluturimi yt përmes qiellit

duke hapur krahët

Le të jetë delikate si lulja e natës

prekja jote e fundit  

Ndalu, i dashur, për një moment

Dhe thuaji fjalët e fundit në heshtje

Në fluturimin tënd… drejt lirisë



Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mevlana Xhelaledin Rumi Empty Re: Mevlana Xhelaledin Rumi

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi